Mendime
Fazli Maloku: Veprimtaria politike e Albin Kurtit?
E hene, 29.11.2010, 10:58 PM
Veprimtaria politike e Albin Kurtit?
/Katër Etapat Brilante të z. Albin Kurti - lider i lëvizjes "Vetëvendosje"/
Nga Fazli Maloku
Qëmoti thuhet nga populli se fëmijët shqiptarë, lindur e rritur nën pushtuesin më të egër serbosllav që njihet nga historia e njerëzimit, " burrëroheshin" para kohe. Kështu ndodhi edhe me z. Kurti. Në moshën fare të re - studentore të viteve të nëntëdhjeta, duke e vlerësuar drejt situatën politiko-ushtarako-policore të Serbisë ndaj popullit shqiptar dhe Kosovës së robëruar, si dhe politikën dështuese e mjerane shqiptare karrshi pushtuesit, ky djalosh flokgjatë e mjaft simpatik, sëbashku me shokë tjerë të idealit, arritën të krijojnë Lëvizjen e fuqishme revolucionare studentore për t'iu kundërvu si politikës shfarosëse Millosheviqiane poashtu edhe politikës pacifiste e kapituluese shqiptare, duke organizuar protesta të fuqishme, me karakter të çlirimit dhe të zgjimit nga gjumi të popullatës shqiptare, për kundërvënie pushtuesit me të gjitha mjetet dhe mënyrat. Guximi i këtij djaloshi dhe shokëve të tij, në kacafytje me policinë fashiste serbiane, i dha zemër por edhe shpresë popullit shqiptar, se megjithatë paska djem shqiptarë të cilët i nxjerrin gjak mbi vetull hasmit, kurdo që e kërkon Atdheu. Kjo ishte Etapa e Parë Brilante e z. Kurti.
Etapa e Dytë, poaq brilante, ishte përiudha e luftës së UÇK-së 1997-1999. Në këtë kohë kur tanimë nuk ishte më e paqartë për askë që kishte vesh dhe sy, se djemtë më të spikatur të popullit shqiptar i rrokën armët me të vetmin qëllim, Çlirimin e Trojeve Shqiptare të pushtuara nga ish-Jugosllavia dhe bashkimin e tyre me Nënlokën Shqipëri, aty edhe ku kishin qenë para viteve 1913. Albin Kurti, i prirë nga legjenda e gjallë e rezistencës shqiptare, bacë Adem Demaçi me shokë, e hapën zyrën e UÇK-së mu në qendër të Prishtinës. Ky veprim guximtar madje edhe i pashpjegueshëm, i paimagjinueshëm për rrethanat e kohës! Njëqind herë ishte më lehtë të mbahej arma në dorë të luftëtarit të lirisë në malet e Kosovës, se sa të hapej legalisht një zyrë e UÇK-së në Prishtinë!
Etapa e Tretë, tepër e sukseshme e z. Kurti, është koha e vuajtjes së burgut në çelitë e burgjeve të Serbisë. Metodat çnjerëzore e shtazarake të përdorura ndaj tij, nga xhelatët - inspektorë millosheviqianë, të cilët shpresuan se më në fund e zgjodhën vendin ku do ta thejnë moralin dhe do ta zbusin karakterin e këtij biri shqiponje, u fashitën si fluskë sapuni para mendjes së mpreftë e brilante dhe guzimit të z.Albin Kurtit. Sa më shumë që mbytej në gjak Albini, aq më shumë i rritej urrejtja ndaj hijenave millosheviqiane dhe i shtohej dëshira për një luftë të pakompromis me armiqtë shekullor. Të gjithëve na kujtohet deklarata e z. Kurti, para kamerave televizive, në prezencën e ndërkombëtarëve që vizitonin asokohe burgjet - kampet serbosllave! Ne, që e shikonim këtë skenë, në ambientin e ngrohtë familjar, na dridhej zemra nga guximi i këtij djaloshi, për t’i injoruar forcërisht pushtetin okupues dhe vetë Millosheviqin, duke e quajtur edhe fashist! Ne, në pamundësi që ta ndihmonim edhe pse na digjej zemra për të, i luteshim zotit që ky djalosh të na kthehet një ditë shëndosh e mirë dhe t’i dalë zot Kosovës. Dhe kjo mrekulli ndodhi!
Etapa e Katërt, e z. Kurti, është përiudha e pasluftës. Me të dalë nga burgu z. Kurti, e nuhati për mrekulli situatën se shumë liderë partish politike në Kosovë, e kishin braktisur rrugën e Idealit për zgjidhjen e çeshtjes kombëtare (Çlirim e Bashkim) dhe iu kishte marrë koka erë pas kapitalit, duke i bërë konkurencë njëritjetrit se kush po pasurohet më shpejt e më shumë, si dhe serviliteti ndaj ndërkombëtarëve kishte arritur zenitin, duke na turpëruar para botës liridashëse e demokratike, nuk ndejti duarkryq e të bënete sehir, por formoi Lëvizjen Vetëvendosje, duke i artikuluar për mrekulli kërkesat dhe nevojat imediate të popullatës shqiptare në përgjithësi. Njëherit duke i zhveshur lakuriq para popullit e botës matrapazët, hajdutët të cilët pushtuan pushtetin dhe tradhtuan votën e popullit, tradhtuan dhe shkelën me të dy këmbët mbi gjakun e dëshmorëve të të gjitha brezave, të invalidëve të luftës, të luftëtarëve të lirisë dhe të popullit liridashës shqiptar! Ky bir shqiponje, nuk iu frikësua presioneve të zbatuara në forma të ndryshme, si të vendorëve - puthadorëve hajdutë e tradhtarë, por as edhe presioneve të një force regresive prosllave nga plotikanë e diplomatë të Evropës e më gjerë! Zotni Kurti, me guxim të pashoq, edhe sot çanë valët e trazuara të detit shqiptar, për të arritur në kuotën e fundit, të dëshirës së mbarë kombit shqiptar kudo që jetojnë, Bërjen e Shqipërisë. Sot, e gjithë shpresa e popullit shqiptar liridashës, është mbështetur tek Lëvizja Vetëvendosje, në ballë të së cilës qëndron stoik z. Albin Kurti.
Sot, me të drejtë shtrohet pyetja: A ka mundësi që ky popull të mos i besojë këtij burri të madh të kombit, i cili kaloi nëpër këto katër etapa kohore, secila një betejë më e vështirë se tjetra. Dhe që të gjitha të fituara në mënyrë brilante?!
Unë them se në qoftë se e ndjekim me vëmendje logjikën e zhvillimeve, ngjarjeve të më sipërme, z. Albin Kurti, do ta fitojë edhe më bindshëm edhe Etapën e Pestë - marrjen e pushtetit, kuptohet me bekimin e votës së popullit dhe drejtimin në rrugën për realizimin e aspiratave shekullore të popullit shqiptarë - Bërjes së Shqipërisë. Unë them se po. Fitorja e Z. Kurti do të jetë e pastër si loti!
Rrugë të mbarë për në fitore - Vetëvendosje në ballë të saj i madhi Albin Kurti!
Me respekt, Fazli Maloku - mësues
Prishtinë, 23 nëntor 2010