E shtune, 03.05.2025, 08:01 PM (GMT+1)

Mendime

Kastriot Myftaraj: Muhameti e keqpërdori Abrahamin si Lenini Marksin (II)

E enjte, 02.12.2010, 10:58 PM


MUHAMETI E KEQPËRDORI ABRAHAMIN SI LENINI MARKSIN (2)

 

Nga Kastriot MYFTARAJ, Gazeta Sot

 

Në këtë pikë, Muhameti është krejt i ngjashëm me Leninin. Lenini, duke e shpallur veten si ithtar të Marksit, mori atributin e profetit të fundit, duke e shpallur veten kumtuesin e "Zotit", instancës supreme të komunizmit, Materializmit dialektik dhe historik.

Lenini mori atributin e deklarimit të asaj se çka thonë ligjet e materializmit dialektik dhe historik për Marksizmin në realitetin rus. E vërteta ishte se mendimi i Marksit për Rusinë nuk ishte shumë më i ndryshëm se mendimi që kishte Abrahami për shkretëtirën arabike. Marksi, duke folur për politikën e jashtme ruse të ekspansionit, thotë se: "uniformiteti dhe stereotipizimi i kësaj politike flasin për barbarinë e brendshme të Rusisë".(K. Marks, F. Engels: "Mbi çështjen lindore", Shtëpia botuese "8 nëntori", Tiranë 1978, f. 91)

Marksi i ka thënë këto fjalë në një artikull të tij me titull "Politika tradicionale e Rusisë", të botuar në 1853 në një gazetë të New York. Në këtë lloj gazetarie shfaqet Marksi që ia vlen, ai Marks për të cilin Paul Johnson shkruan në librin "Intelektualët" se:

"ishte shumë i aftë të shkruante aty për aty artikuj të shkurtër, të mprehtë dhe të rreptë". (Paul Johnson: "Intelektualët", Botimet "Elta BS", Prishtinë 2009, f. 66)

Marksi me siguri që do ta kishte parë interpretimin leninist të marksizmit si  simptomë të barbarisë ruse. Në mënyrë të ngjashme, edhe Abrahami, do ta kishte parë mënyrën se si ai u adoptua në Kuran prej Muhametit, si simptomë të barbarisë beduine të shkretëtirës. Abrahami e shprehu pikëpamjen e tij për Mekën, Hexhazin dhe Gadishullin Arabik në përgjithësi, duke e anashkaluar atë në rrugëtimin e tij nga Uri në jug të Irakut të sotëm, për në Tokën e Premtuar. Për Abrahamin, Hexhazi dhe Gadishulli Arabik në përgjithësi, qenë një tokë e ashpër e banuar nga njerëz barbarë. Meka dhe Hexhazi do të kishin qenë vendi i fundit në botë ku Zoti do ta kishte dërguar Abrahamin që të ndërtonte shtëpinë e adhurimit të tij (Zotit), ndryshe Kaaba. Kjo për faktin se Zoti i premtoi Abrahamit një tokë pjellore dhe Meka e Hexhazi nuk qenë asfare të tilla. Meka dhe Hexhazi qenë vendi i fundit në botë ku Abrahami do të kishte shkuar të ndërtonte shtëpinë e adhurimit të Zotit (Kaaba).  Zoti i ndëshkoi izraelitët që të endeshin nëpër  shkretëtirë se abandonuan urdhëresat e tij, të dhëna me anë të Moisiut. Pra endja në shkretëtirë qe ndëshkim hyjnor. Arabët qenë tashmë në shkretëtirë!

Monoteizmi nuk mund të lindte tek një popull nomad, i cili posa ka filluar të bëhet sedentar, siç qenë arabët. Monoteizmi lind në një nivel më të lartë zhvillimi. Abrahami dhe hebrejtë e tij vinin nga qytetërimi i zhvilluar urban sumer i Urit. Zoti nuk mund të dërgonte një profet të monoteizmit tek një popull, i cili nuk është asfare në gjendje për ta kuptuar dhe përvetësuar fenë e re. Nuk ka asnjë gjasë që arabët e kohës së Muhametit të jenë bërë monoteistë, edhe pse ai dhe një minorancë militante e adoptuan doktrinën monoteiste. Këtë e provon fakti se edhe sot falja islame ka si formulë kryesore atë se ka vetëm një Zot, çka në fakt pohon mosbesimin tek besimtarët që kryejnë ritin. Monoteizmi arab erdhi si doktrinë shtetërore: Një Zot, një mbret, një shtet. Kjo qe doktrina e Muhametit. Monoteizmi i Muhametit qe politik, burokratik. Pse duhet që besimtarët të thonë vazhdimisht se ka vetëm një zot? Se ata janë politeistë!

Muhameti e projektoi fenë e re në vendet e shenjta judeo-kristiane, më së pari në Jerusalem, ashtu si qyqja që i lëshon zogjtë në foletë e huaja. Emri i Jerusalemit qe shumë i madh ndër tributë e regjionit. Këtu Muhameti luante me sensin religjioz sinkretist arab, do të thotë me sensin e adoptimit të kulteve të huaja ose pjesëve të tyre, brenda kultit të vet. Muhameti pasi e projektoi në Mekë historinë e provës së flijimit që Zoti i kërkoi Abrahamit, përvetësoi edhe Malin Moriah në Jerusalem, i cili për hebrejtë është vendi më i shenjtë se atje gjendet Guri i Themelit, pika më i shenjtë i Tempullit të Malit të Jerusalemit. Për hebrejtë Guri është pika fokale e qiellit dhe tokës, se atje u shfaq Zoti dhe filloi krijimin e botës. Mbi Gur u vu Arka e Besëlidhjes së Parë. Kur hebrejtë falen ata drejtohen nga Guri i Themelit. Muhameti e imitoi këtë gjë. Mali i Tempullit në Jerusalem është Mali Moriah, ku Zoti i kërkoi Abrahamit sakrifikimin e djalit, Isaakut. Sipas traditës islame, guri në Malin e Tempullit në Jerusalem është ai nga ku Muhameti u ngrit fluturim nën shoqërinë e kryengjëllit Xhibril (Gabriel). Pas kthimit nga ky udhëtim Muhameti u kërkoi të gjithëve që të besonin tek Allahu.

Muhameti e bëri Gurin e Themelit në Jerusalem kiblën e parë e Islamit, do të thotë vendin në drejtim të të cilit muslimanët duhet të ktheheshin gjatë faljes. Pas pushtimit të Jerusalemit nga arabët, në Malin e Tempullit në Jerusalem u ndërtua Xhamia e Gurit (viti 692), e cila sot është vendi i tretë më i shenjtë i Islamit, pas Xhamisë së Madhe në Mekë dhe xhamisë ku është varrosur Muhameti në Medinë. Vetëm pas 17 muajsh Muhameti e bëri Gurin e Zi të Mekës kiblën e Islamit, duke projektuar atje historinë e Gurit të Jerusalemit.

Ajo çka të bën përshtypje kur e kqyr Muhametin në raport me Abrahamin është se, edhe pse Muhameti ka jetuar rreth 2600 vite pas Abrahamit, nga koha kur ka jetuar Muhameti nuk na ka mbërritur asgjë e shkruar, por vetëm traditë gojore, ashtu si nga koha kur ka jetuar Abrahami. Historiografia arabe është shumë e vonë. Në kohën e Muhametit nuk pati asnjë historian. Ai nuk e stimuloi historiografinë. I vetmi burim nga shekulli VII është libri i Sulaym ibn Quays, i shkruar në vitet 694-714, shumë kohë pas vdekjes së Muhametit. Libri është një përmbledhje hadithesh e të dhënash historike. Kopja më e vjetër është rishkruar në 1676. Ai është shit, por edhe këta kanë dyshime për disa pjesë të librit. Historiani arab Muhamad ibn Jarir al Tabiri (838-923), i quajtur "Herodoti" arab lindi mbi 200 vite pas vdekjes së Muhametit. Ibn Khalduni (1332-1406) quhet ati i historiografisë arabe, ai që zhvilloi metodologjinë e historiografisë. Nuk është e rastit që ai ka jetuar dhe shkruar mbi 700 vite pas vdekjes së Muhametit.

Mbishkrimet arabe paraislamike nuk janë në Hexhaz, ku qenë Meka dhe Medina, por në Arabinë Veriore e Jugore. Teksti i parë i shkruar në alfabetin arab i përket vitit 512 pas Krishtit. Alfabeti arab (abjad) në Hexhaz u përdor fillimisht për të shkruar Kuranin. Teksti më i hershëm i kohës islamike është i vitit 642, pra 12 vite pas vdekjes së Muhametit dhe është zbuluar në Herakleopolis, Egjipt, i cili në atë kohë ishte pushtuar nga arabët. Ai është një tekst dygjuhësh, arabisht dhe greqisht dhe ka të bëjë me mbledhjen e taksave. Vetëm 70 vite pas vdekjes së Muhametit, arabishtja u bë një gjuhë e kuptueshme, kur Al-Hajjaj ibn Jusuf (661-714) administrator gjatë Khalifatit Umajad (kur kryeqyteti i khalifatit kishte kaluar në Bagdad) futi pikat diakritike në shkrimin arab, duke evituar kështu konfuzionin që vinte nga kuptimi i ndryshëm i së njëjtës fjalë. Vetëm atëherë tekstet arabe filluan të bëhen relativisht të kuptueshme.

Që atëherë alfabeti arab nuk ka ndryshuar shumë dhe përdoret në pjesën më të madhe të vendeve muslimane, edhe atyre joarabe. Arabishtja shkruhet nga e majta në të djathtë, në sens antiorar, pra në kahje të kundërt me lëvizjen e orës, një gjë domethënëse kjo, se përputhet me lëvizjen e Hënës. Edhe vetë e shkruara arabisht është një ritual adhurimi i Zotit-Hënë, Allah-Hubal, i cili nuk ka asnjë lidhje me Zotin e Abraham.

Zoti i Abrahamit nuk bën betime idhujtare si Allahu në Kuran. Allahu betohet:

"Pasha erërat që fryjnë njëpasnjë. Që janë shumë të stuhishme e shkaktojnë fortune".(Kuran, El Murselatë: 77/ 1-2)

"Pasha qiellin që kohë pas kohe kthehen me shi. Edhe tokën që çahet për bimë".(Kuran, Et Tarik: 86/ 11,12)

"Pasha agimin. Pasha dhjetë netët! Pasha çiftin dhe pasha tekun! Pasha natën që shkon!" (Kuran, El Fexhr: 89/ 1-4)

"Pasha fikun dhe ullirin!" (Kuran, Et Tinë: 95/1)

"Pasha vrapuesit e shpejtë që hingëllojnë (kuajt-K.M.). E që me thundrat e tyre nxjerrin xixëllima zjarri nga gurët!" (Et Adijatë: 100/ 1-2)

Këto janë betime të një kryezoti të panteonit politeist, jo të një Zoti monoteist. Betimet e mësipërme i shkojnë Allah-Hubal dhe jo Zotit monoteist të Abraham.  Muhameti kopjoi kozmogoninë judeo-kristiane. Muhameti adoptoi veten në hierarkinë profetike judeo-kristiane, një gjetje gjeniale kjo. Sensi sinkretist i idhujtarëve arabë ishte i fortë tek Muhameti. Arabët nomadë u mrekulluan nga kjo gjë, se ajo bënte rezonancë me instinktin e tyre të grabitësit në shkretëtirë. Ata i ngazëllente njëlloj si vjedhja e një karvani në shkretëtirë, ashtu dhe vjedhja e një "karvani profetësh" në teologji.

Muhameti ndryshon nga profetët e tjerë abrahamikë dhe posaçërisht nga Krishti, se edhe nga vetë burimet islame, nuk del që Muhameti të ketë shkuar tek njerëzit e thjeshtë. Muhameti kudo paraqitet mes pretorianëve të vet, shokëve luftëtarë. Të vetmit njerëz që ai takon janë prijësit e fiseve. Epigrami për Muhametin do të ishte: Fëmijë i paligjshëm i despotizmit persian.

Muhameti ngjan me Leninin edhe në një gjë tjetër. Lenini edhe pse deklaronte se me anë të ligjeve marksiste të historisë, materializmit dialektik dhe historik mund të parashikoheshin zhvillimet historike, ai gjithherë befasohej nga zhvillimet e ngjarjeve, të cilat nuk arriti që t' i parashikonte kurrë. Tre vite para revolucionit të vitit 1905 në Rusi, Lenini shkruante se në Rusi revolucioni mund të ndodhte vetëm në saj të një organizate revolucionarësh profesionistë. E megjithatë revolucioni ndodhi dhe i fortë madje. Luftën e Parë Botërore as që e parashikoi fare, qoftë edhe në prag të saj. As edhe disfatën e Rusisë në këtë luftë. Edhe revolucionin e shkurtit 1917 nuk e parashikoi dot, madje as edhe në prag të shpërthimit të tij. Në janar 1917, Lenini do të deklaronte në një mbledhje në Zvicër se nuk besonte se do të jetonte aq gjatë sat ë shikonte betejat e mëdha revolucionare të proletariatit. Megjithatë revolucioni ndodhi pak javë më pas. Muhameti, edhe pse pretendonte se ishte i dërguari i Allahut, nuk arriti që të parashikonte asnjë nga ngjarjet e mëdha të konfliktit global të kohës së tij. Fakti që Allahu e nxit Muhametin për të vepruar, nëpërmjet sureve të Kuranit, tregon se Muhameti nuk besonte tek suksesi i persianëve në luftën me bizantinët, prandaj hezitonte që ta kapërcente "Rubiconin".

Ashtu si Lenini shpalli se revolucioni bolshevik në Rusi do të ishte vetëm pikënisja e revolucionit botëror, i cili do të fillonte shumë shpejt, edhe Muhameti shpalli se fitorja e Islamit në Mekë dhe Hexhaz do të pasonte fitoren e tij në gjithë botën, shumë shpejt. Në fakt, të dy qenë të vetëdijshëm se po gënjenin rëndshëm.

 

kastriotmyftaraj@sot.com.al 



(Vota: 6 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx