E merkure, 01.05.2024, 08:14 PM (GMT+1)

Mendime

Kastriot Myftaraj: Muhameti e keqpërdori Abrahamin si Lenini Marksin (I)

E marte, 30.11.2010, 10:58 PM


MUHAMETI E KEQPËRDORI ABRAHAMIN SI LENINI MARKSIN (1)       

   

Nga Kastriot MYFTARAJ, Gazeta Sot

 

Profeti biblik, Abrahami (Ibrahimi në Kuran) ishte për Muhametin ashtu si ç' ishte Marksi për Leninin. Muhameti praktikisht e quante veten Ibrahimist, ashtu si Lenini e quante veten marksist. Por, ashtu si Lenini shpiku një Marks të vetin, sipas konvenimit të vet,

 

edhe Muhameti shpiku një Abraham (Ibrahim) sipas konvenimit të vet. Ashtu siç bëri Lenini me Marksin, Muhameti ruajti anën sipërfaqësore të Abrahamit, aspektin teatral të veprimeve të tij, duke abandonuar krejt thelbin e Abrahamit. Lenini shpiku një Marks të vetin. Në mënyrë krejt të paturpshme, sipas traditës ruse të vjedhjes së kuajve, Lenini mori nga marksizmi çka i duhej dhe shpërfilli çka nuk i konvenonte. Doktrina leniniste, të cilën ai e quante një zbulesë të bërë duke zbatuar ligjet e materializmit dialektik dhe historik, ishte krejt e ngjashme me Kuranin sa i përket metodologjisë.

Lenini ruajti frazeologjinë e Marksit, në trajtë liturgjike, por abandonoi krejt thelbin e mendimit Marksist, determinizmin historik, i cili nuk i konvenonte Leninit. Determinizmi historik do të thoshte se shoqëria ishte e destinuar nga vetë veprimi i forcave ekonomike dhe sociale që të shkonte kah socializmi dhe komunizmi nëpërmjet një procesi evolucioni. Ky proces nënkuptonte se një vend duhej të industrializohej dhe të urbanizohej që të përgatitej për revolucionin proletar, i cili do ta çonte nga kapitalizmi në socializëm dhe komunizëm. Leninit nuk i konvenonte ky postulat marksist se Rusia ishte një vend kryesisht fshatar, dhe ndjekja rigjide e marksizmit do të thoshte që të arkivohej idea e revolucionit proletar. Leninit i duhej Marksi si instancë legjitimimi ideologjik, si dekor, por më tutje ai do të devijonte krejt nga Marksi.

Edhe Muhameti e përvetësoi Abrahamin në teologjinë islame, si instancë legjitimimi, madje në një mënyrë krejt të paturpshme, duke e projektuar në Mekë historinë e tij biblike, të udhëtimit në Malin Morah, sipas urdhërit të Zotit, i cili e vuri në prove Abrahamin, duke i kërkuar që të flijonte djalin, në shenjë bindjeje. Muhameti deklaroi se Allahu e urdhëroi Ibrahimin që së bashku me gruan, Hagarin dhe fëmijët, të shkonte nga Palestina në Mekë, për ta bërë flijimin. Pastaj, djali i tij Ismaili (Ismaeli) mbeti atje dhe pasardhësit e tij janë kurejshit e arabët e tjerë. Haxhi, shtylla e pestë e Islamit, është një performancë e udhëtimit të supozuar të Ibrahimit në Mekë, ku është projektuar historia e veprimeve të tij për kryerjen e ritit të flijimit të djalit, si shenjë besimi ndaj Zotit. Në Haxh, çdo pjesëmarrës bën një imitim të veprimeve që supozohet të jenë kryer prej Ibrahimit (Abrahamit) dhe familjes së tij gjatë udhëtimit në Mekë. Me shkathtësinë e tij karakteristike, Muhameti e përdori projektimin në Mekë të historisë së Abrahamit edhe për të inkorporuar ritet idhujtare në Islam, ashtu që ta lehtësonte pranimin e Islamit prej idhujtarëve. Arabët idhujtarë kishin ritualin e bërjes së kafshëve fli. Muhameti e ruajti këtë rit. Një nga dy ditët më të shenjta të Islamit, Eid al-Adha, ndryshe Eidi i Madh (Bajrami), i cili zgjat katër ditë pas Haxhit, pretendohet se ka të bëjë me përkujtimin e gjestit të Abrahamit që iu bind Zotit kur ky i kërkoi flijimin e djalit, si dëshmi bindjeje. Në vend të djalit Zoti vuri një dash. Muhameti e ruajti këtë rit mbi bazën e flijimit që bëri Abrahami, pasiqë Zoti i vuri një dash në vend të djalit. Në Kuran, në suren El Hajj (Haxh), Allahu i urdhëron shprehimisht muslimanët që të flijojnë deve:

"Ne i kemi caktuar çdo populli vendin e flijimit të kafshëve dhe që ta përmendin emrin e Allahut si falenderim që i furnizoi me kafshë... E therjen e deveve për flijim e kemi bërë një prej urdhëresë të Allahut, prej të cilave ju keni dobi, prandaj përmendeni emrin e Allahut kur i përgatisni për therje dhe ato janë në këmbë. E kur të shtrihen ato në tokë dhe të kenë ngordhur, hani prej mishit të tyre, ushqeni nevojtarët dhe ata që lypin".( Kuran, Al Hajj: 22/ 34-36)

Arabët idhujtarë gjatë pelegrinazhit në Kaaba e kishin si pjesë të ritualit që të vinin shtatë herë rrotull saj, çka kishte të bënte me adhurimin e Al-Uza, siç e kam shpjeguar më lart. Sipas ritualit islamik që krijoi Muhameti, në ditën e parë të Haxhit pjesëmarrësit bëjnë Tawaf, do të thotë hyjnë në oborrin e xhamisë ku është Kaaba e vijnë shtatë herë rrotull saj, në kah të kundërt të lëvizjes së orës, që përkon me lëvizjen e Hënës. Rrotullimi fillon nga Guri i Zi, në qoshe të Kaaba. Muslimanët duhet të bëjnë lutjen Takber ("Allahu Akbar"), çdo herë që i afrohen Gurit të Zi gjatë rrotullimit. Pra për ta shpirti i Allahut është i ndryrë tek Guri i Zi. Muhameti pretendoi se Tawaf në Kaaba ishte një imitim i Tawaf që bëhet mbi Jannat al Firdaws, në Qiellin e Shtatë, ku gjendet Arshi (froni i Allahut) dhe ku engjëjt bëjnë tawaf papushim rreth Arshit.

Në kohën paraislamike, arabët idhujtarë, pas rrotullimit rreth Kaaba, shkonin tek Pusi Zamzam dhe pinin ujë prej tij. Pusi ishte pjesë e adhurimit idhujtar të arabëve, në mitologjinë e të cilëve edhe puset kishin shpirt. Muhameti e ruajti edhe këtë ritual idhujtar dhe në përfundim të rrotullimit rreth Kaaba, haxhinjtë shkojnë tek vendqëndrimi i Ibrahimit për të lutur dy Rak' ahs dhe provojnë të pijnë ujë nga Pusi Zamzam. Them provojnë se kjo është një gjë shumë e vështirë në kohën e haxhit kur dyndja e njerëzve është shumë e madhe.

Gjithashtu, Muhameti pretendoi se Allahu i tha Ibrahimit që të ndërtonte një tempull gjatë udhëtimit në Mekë, që është Kaaba, ose më saktë ta rindërtonte, se sipas Muhametit ky tempull kishte qenë atje. Muhameti pretendonte se Abrahami shkoi në Mekë jo vetëm për të kryer ritin e flijimit, por edhe për të ndërtuar shtëpinë e Zotit, tempullin e adhurimit. Por Abrahami gjendej në Tokën e Premtuar, do të thotë në Izraelin e sotëm dhe nuk mund të shkonte në Mekë për tre ditë, në mënyrën e udhëtimit të asaj kohe, me deve dhe kuaj, madje edhe në këmbë. Madje tradita islame pretendon se gjurma e këmbës së tij gjendet në një gur jashtë Kaaba, në Mekë. Kurani nuk flet për ndonjë udhëtim të veçantë, mbinatyror të Abrahamit. Muhametit i ka shpëtuar ky detaj që e përmbys krejt ngrehinën e tij abrahamike.

Në Kuran është kopjuar profili biblik i Abrahamit si krijues i monoteizmit. Abrahami përmendet në 25 nga 114 suret e Kuranit, duke qenë i dyti person që përmendet më shumë, pas Moseut. Abrahamit (Ibrahimit) i atribuohet dhënia e emrit "musliman", të nënshtruarit tek Zoti. Ibrahimi (Abrahami) në Kuran quhet Hanif, ai që krijoi monoteizmin. Por, ashtu si ka bërë Lenini me Marksin, duke ruajtur formën dhe abandonuar substancën e mendimit të tij, edhe në Kuran në rastin e Muhametit mungon një gjë që shfaqet tek profetët pasardhës, Moseu dhe Jezus Krishti, të cilët Kurani thotë se i njeh, si Musa dhe Isa, mungon pakti me Zotin. Zoti i ofroi Abrahamit paktin se nëse njihte vetëm atë për Zot, do të krijonte prej tij një nacion të madh dhe do t' i jepte një tokë të gjerë e të begatë si atdheun e tij, nga Nili në Eufrat. Abrahami e pranoi paktin dhe me këtë u bë themeluesi i monoteizmit, ati i nacionit hebre. Zoti e përsërit paktin me profetët e tjerë, pasardhës të Abrahamit, duke e zhvilluar paktin. Kështu që duhej pritur që të kishte një pakt mes Allahut dhe Muhametit, gjë që nuk ndodh. Në Kuran Allahu nuk i ofron asnjë pakt Muhametit. Arsyeja përse ka ndodhur kjo është se Muhameti e identifikon veten me Allahun. Zoti kuranik nuk është gjë tjetër veçse alter ego e Muhametit. Zoti Kuranik flet sipas konvenimit të njeriut Muhamet. Njeriu Muhameti kishte ambicje për t' u bërë zot i Mekës dhe i Hexhazit, dhe Zoti vihet në shërbim të këtyre ambicjeve, duke u bërë një instancë mbinatyrore legjitimuese e tyre.

Në Kuran mungon gjithashtu edhe vënia në provë e Muhametit nga ana e Zotit, ndryshe nga ç' ndodhi me Abrahamin. Allahu nuk i kërkon asnjë lloj prove besimi Muhametit. Prova e besimit që Zoti i kërkoi Abrahamit, duke e urdhëruar që të flijojë djalin e tij, i dha Abrahamit të drejtën që të kërkonte prova besimi nga njerëzit e tij, duke e ndjekur atë në ndërmarrjen e vështirë. Flijimi përsëritet edhe në rastin e Krishtit, ku është Zoti ai që bën Birin e vet fli për njerëzit. Abrahami që ofron djalin si fli, u pa nga Shën Pali si paralajmërim i flijimit të Birit të vet nga ana e Zotit. Përndryshe, Muhameti, i cili vetë nuk ka kaluar nëpër asnjë provë besimi, u kërkon parreshtur njerëzve të vet prova besimi tek Allahu, do të thotë tek ai vetë, Muhameti!

E pra, ajo që të habit është se muslimanët, në një nga dy ditët më të shenjta të Islamit, në Eid ul Udha, imitojnë gjestin e Ibrahimit, dhe flijojnë një kafshë, një dash, një qingj, një dele. Por muslimanët nuk mund të përmendin asgjë të ngjashme sa i përket Muhametit. Derisa flijimi qenka një gjë kaq e rëndësishme për Allahun, sa Haxhi, riti më i shenjtë islamik, është pikërisht një imitim i veprimeve të një profeti gjatë një rituali flijimi, si është e mundur që Muhameti nuk u vu në provë me diçka të tillë? Derisa Muhameti, pavarësisht se ishte i përzgjedhur si i dërguar i Zotit, nuk ishte veçse një njeri, ashtu si dhe Abrahami, atëherë ishte dashur që Muhameti të vihej në një provë të ngjashme me atë të Abrahamit. Por kjo nuk ndodhi se Muhameti e njësonte veten me Allahun, dhe për të Allahu nuk ishte gjë tjetër veçse avokati i tij, i krijuar prej tij. Është ironi e madhe se, Muhameti që e shpalli veten si armik të idhujtarisë, e ndërtoi Allahun në trajtën e një idhulli të cilin idhujtarët kurejshë nuk kishin guxuar kurrë që ta krijonin. Muhameti e ndërtoi Allahun në trajtën e një idhulli personal të tij, i cili shpallte sundimin e Muhametit mbi njerëzit e tjerë. Kurani nuk e pranon Krishtin si Biri i Zotit që flijohet për njerëzit me anë të kryqëzimit, duke e quajtur këtë idhujtari. Por a ka idhujtari më të madhe se ajo që Muhameti del si i dërguari i Zotit pa kaluar në asnjë provë besimi, çka e bën atë të barabartë me Zotin? Zoti në Kuran përsërit vazhdimisht se atij nuk duhet t' i bëjnë shoqërues, por a nuk del Muhameti si shoqëruesi i tij, madje edhe më tepër se kaq?

Në Kuran të krishterët fajësohen si idhujtarë për shkak se ata besojnë që Krishti është Biri i Zotit, Zoti- njeri, mishërim i Zotit tek njeriu, si dhe për shkak se besojnë tek Triniteti, do të thotë Ati, Biri e Shpirti i Shenjtë. Kalendari i krishterë fillon nga lindja e Krishtit, për shkak se të krishterët besojnë që ai është Zoti-njeri. Por çka duhet të mendohet kur kalendari islamik fillon me largimin e Muhametit nga Meka në Yathribë (Medinë)? Derisa kalendari duhet të fillonte me një ndodhi, atëherë nëse imperativi i Islamit është adhurimi i Allahut, a nuk duhej që kalendari të fillonte me shpalljen hyjnore që iu bë Muhametit? Derisa kalendari fillon me një veprim të Muhametit, kjo tregon se në fakt adhurimi i përket Muhametit dhe jo Allahut.

 

kastriotmyftaraj@sot.com.al

 

Vijon...



(Vota: 10 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora