E hene, 29.04.2024, 08:10 PM (GMT+1)

Mendime

Avni Halimi: Një përmendore për tradhëtinë

E enjte, 02.12.2010, 10:58 PM


Një përmendore për tradhëtinë

 

Ideja se BDI-ja duhet të dalë nga qeveria sepse nuk arriti të ndikojë tek ortaku i vet politik për ta zgjidhur çështjen e emrit është një ide perfide e vetë strukturave të BDI-së. Nuk dilet nga qeveria për shkak të emrit por për shkak të dështimeve politike sidomos ato të rrafshit kombëtar

 

Nga Avni Halimi

 

Kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, duke rendur pas famës mitologjike të Aleksandrit të Madh, gjithnjë e më tepër po jep isharete se po përpiqet të luaj rolin e “të fortit”! Për ta dëshmuar “forcën” e vet, për t’u dëshmuar si “i pathyeshëm”, atij i duhet një armik i cili, sado që të jetë i fortë, do të gjunjëzohet para këmbëve të Gruevskit. Këtë armik ai e gjen te shqiptari! Sidomos te ai shqiptar që robërinë e ka kult, sepse vetëm në robërinë e vet ai gjen mirëqenien dhe kënaqësinë e vetëmjaftimit.

 

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, duke rendur pas famës folkloriko-historike të Skënderbeut, gjithnjë e më tepër po jep isharete se është ai që duhet ta luajë rolin e “të madhit” të kombit! Kjo logjikë irreale, irracionale dhe paranoike, gjithnjë e më shumë rritet në mentalitet religjioze me dimensione fantomike ku mund “të arrihet” vegjetimi rreth fronit të Hyjit. “I Madhi” nuk do të ishte i madh nëse nuk është mëshirëplotë, falës, altruist! Ky “I madh” ka mision që përjetë ta mbajë të gjallë porosinë me frymë biblike “Zot fali, ata nuk dinë se ç’bëjnë”! Ky mesazh në politikë do të përkthehej “lavdi atyre që ta fusin”!

 

Prej ligjit të natalitetit e deri te ai i regjistrimit

 

Në politikë është një rregull i shenjtë: kur nuk të ecin punët, kur të mund imoraliteti – tërhiqu! Opozita në Maqedoni ka shënjuar mori elementesh të dështimit politik, ekonomik, shëndetësor, social, të shitjes së interesave shtetërore e kombëtare, të tradhëtisë ndaj fuqishëm dhe parreshtur po kërkojnë dorëheqjen dhe rënien e kësaj qeverie. Disa parashikime flasin se rrënimi i këtij pushteti mund të arrihet vetëm me tërheqjen e BDI-së nga koalicionimi me VMRO-në! Zëra nga kjo parti tash e një vit flasin se do të dalin nga qeverisja nëse Maqedonia nuk do ta zgjidh problemin me emrin kontestues nga ana e Greqisë dhe nëse nuk realizohet sivjet integrimi i Maqedonisë në NATO! Kur u harxhua kjo arsye për daljen eventuale nga qeverisja, lideri i BDI-së shtroi pyetje: “Nëse dalim nga qeveria ku do të shkojmë pastaj”! Pra, gabimisht është ngritur një bindje se BDI-ja duhet të dalë nga qeveria sepse nuk arriti të ndikojë tek ortaku i vet politik për ta zgjidhur çështjen e emrit! Një përpjekje tepër perfide e strukturave të BDI-së për t’i anashkaluar të gjitha dështimet e tjera në rrafshin kombëtar, për të cilat do të duhej, jo vetëm tërheqja por edhe fshirja nga lista e partive ekzistuese.

Në qarqet e analistëve dhe të opinionbërësve shqiptarë këto ditë me të drejtë po konstatohet se që kur erdhi BDI në pushtet diskriminimi që po ushtrohet mbi shqiptarët ka arritur kulmin e vet. Fillimin e qeverisjes e shënuan me miratimin e 100 ligjeve, prej të cilave me dhjetra antishqiptare si: ligji i natalitetit, i rregullores së kuvendit, i gjuhës shqipe etj. Për këtë aventurë politike u kritikuan edhe nga shumë përfaqësues të BE-së. Qeverisjen e vazhduan me dhjetra vendime, qëndrime e aksione degraduese, vrasëse e fatale për shqiptarët e Maqedonisë, ndërsa qeverisjen po e zgjasin me miratimin e ligjit të fundit, për regjistrim, i cili, sipas të gjitha gjasave, do të jetë një nga ligjet më antishqiptare dhe me pasoja të paparashikueshme por, njëkohësisht, edhe më fitimprurëse për BDI-në. Këto janë faktet, argumentet e pamohueshme, për të cilat BDI duhet turpshëm të tërhiqet nga pozicioni i vasalit në qeverinë aktuale dhe jo për shkak të pamundësisë për ta bindur Gruevskin që ta zgjidh problemin e emrit të Maqedonisë!

 

Moratoriumi mbi çështjet shqiptare është marrëveshje VMRO-BDI

 

Veprimet fatale, vendimet, ligjet, projektet antishqiptare të cilat mbajnë edhe firmën e BDI-së, janë shumëfish më të shumta se sa projektet eventuale që shkojnë në të mirë të shqiptarëve. Kjo politikë dyvjeçare diskriminuese erdhi si pasojë e marrëveshjes Gruevski-Ahmeti për të vënë moratorium mbi çështjet shqiptare në Maqedoni, sado që këtë marrëveshje Abdulakim Ademi mundohet pacipë t’ia mveshë PDSH-së! Si mund të pranohet një idiotizëm i tillë kur dihet se PDSH-ja për gati dy vjet sa ishte në qeveri, në rrafshin kombëtar, bëri hapa gjigantë, të pashënuar ndonjëherë më parë në këtë nënqiell. Themeloi Institutin për Trashëgimi Kulturore me pesë sektorë, për të cilat kishte projekt për t’i shndërruar në pesë institucione nacionale shqiptare! Themeloi Teatrin Shqiptar të Tetovës. Themeloi Qendrën për Konservim në Gostivar (të cilën këto ditë e promovuan Abdylakim Ademi dhe Elizabeta Kançevska si vepër të kësaj qeverie!). Shtëpinë e Alfabetit Shqip, prej një qendre të degraduar në zyre partish, e ngriti në institucion muze, për meremetimin e së cilës kishte buxhet të veçantë, ndërsa, këtë vit, me rastin e 22 Nëntorit, ditës së Alfabetit, Abdulaqim Ademi pranë skulpturës së vënë në fillim të shkallëve vë buqet lulesh sikur të ishte një ceremoni mortore. Themeloi Galerinë e Arteve në Tetovë. Ngriti iniciativë dhe ndau buxhet prej miliona eurosh për ndërtimin e Bibliotekës Kombëtare në Tetovë, ndërsa asnjëherë nuk arriti të marrë leje ndërtimi nga Komuna e Tetovës të cilën e menaxhonin stukturat e BDI-së. Financoi qindra e mijëra euro për mermemetimin e Medresesë Isa Beut në Shkup dhe për rreth 30 xhamive në Maqedoni. PDSH-ja arriti që ditën e Bajramit të Ramazanit ta shpall festë shtetërore, ndërsa 22 Nëntorin si festë kombëtare. Universitetin e Tetovës e gjeti të degraduar gati deri në shuarje (në këtë pozitë e kishte sjellë vetë BDI-ja), ndërsa brenda një viti qeverisje të PDSH-së u hapën dhjetra fakultete, dhjetra degë të tjera si dhe klinika universitare! Solli vendim që të hapë shumë shkolla të mesme shqiptare si dhe të bëjë dispersimin e sërë fakulteteve nëpër qytete të banuar me shqiptarë.

Pra, janë sërë veprimesh konkrete, të pamohueshme, në të mirë të kombit që u morën në kohën e qeverisjes së PDSH-së (2006 dhe gjysma e 2008-tës)!

 

Pjetër Bogdani në një shesh me “gemixhijëve”?!

 

“I forti” i sllavomaqedonasve e bën fare të qartë faktin se është në dorën e tij se ku do të zënë vend bustet e personaliteteve historike shqiptare nga projekti “Shkupi 2014”! Natyrisht, pas të gjallëve diskriminimin politik duhet ta përjetojnë edhe të vdekurit shqiptarë! Se duhet të ketë edhe përmendore nga figurat shqiptare kjo është më se e qartë, por, përjetë do të mbetet e paqartë dëshira e flaktë e strukturave të BDI-së që këto përmendore të zënë vend skaj përmendoreve të personaliteteve maqedonase! Paramendoni Pjetër Bogdanin përskaj Goce Delçevit, apo Jane Sandanskit! Abdylakim Ademi është thellësisht i bindur se Bogdani me dëshirë do të pranonte që të rrijë pranë “gemixhijëve” të cilët historia i njeh si “organizatë sekrete terroriste e të rinjve maqedonasë”!

Përmendoret e figurave tona historike e kanë vendin nëpër vendbanime shqiptare ku mund t’ju sigurohet një pozitë dinjitoze! Se për cilat figura do të ngritet përmendore për këtë do të vendosin vetë shqiptarët ndërsa qeveria të paguaj dhe jo anasjelltas, qeveria të vendosë e shqiptarët të paguajnë! Për shembull, historia më e re e shqiptarëve të Maqedonisë nuk ka nevojë për ndonjë përmendore që do të jetë e ndonjë qeveritari shqiptar nga Maqedonia komuniste! Le të ngritet iniciativa, për shembull, për ngritjen e një përmendore me gjashtë ushtarët e vrarë pabesisht më 7 gusht 2001: Lefter Koxhaj-Komandant Teli, Arben Bajrami, Abaz Beqiri, Ndriçim Koxha, Pajtim Rroçi dhe Adem Hasani, të cilët u ekzekutuan në një shtëpi në Gazi Babë. Le të jetë kjo përmendore që përjetë do të dëshmonte për një ekzekutim në pabesi si pasojë e një tradhëtie kombëtare, qoftë kjo edhe prej bashkëluftëtarëve të tyre!

 

“I forti” i sllavomaqedonasëve fuqishëm po ndjen nevojë për ta përfunduar sa më parë “Portën e triumfit”! Maqedonasit gjithnjë e më shumë pyesin se ç’i duhet popullit maqedonas kjo “portë triumfale” e cila përveç që flet për budallallëqet e kësaj qeverie nuk flet për asnjë triumf! Ndërsa vetëm Gruevski është i bindur se ka arritur një triumf: triumfin mbi “Të madhin e shqiptarëve”!

“I madhi” tashmë ka nevojë vetëm për një gjë: për “Sheshin e Skënderbeut”! Ideja për këtë shesh, fillimisht nisi si një shaka e prillit ndërsa gjithnjë e më shumë po përkrahet madje edhe prej vetë maqedonasëve. Për këtë shesh, si projekt ideor, qeveria ndau 300 mijë euro, aq sa kushton një këmbë e njërit luan të vënë te Ura e Goces! Pavarësisht nga kjo, BDI-ja këtë shesh tashmë po e ndjen si shpëtim të vetin kombëtar! Nga cilado strategji të nisesh, nga cilido aspekt që ta kundrosh këtë projekt, qoftë nga aspekti kombëtar, qoftë nga aspekti kulturor shqiptar, apo nga ai social a ekonomik, ky shesh, në zonën shqiptare, është pa kurrfarë vlere! Absolutisht i panevojshëm, që nuk u sjell shqiptarëve kurrnjëfarë dobie. Po, dobi do të kenë vetëm ata që do të përfitojnë nga tenderat, nga përqindjet, nga shantazhimi i atyre që do të angazhohen për ta ndërtuar! Përveç këtyre përfitimeve që do të shkojnë në xhep të firmave maqedonase, arsyeja pse po përkrahet nga maqedonasit ky projekt, qëndron edhe  në faktin se Shkupi praktikisht ka ngelur pa shesh, sepse sheshin e zunë skulpturat dhe përmendoret e ndryshme maqedonase, ku do të mbahen manifestimet e ndryshme maqedonase verore, koncertet e shumta, ku do të zhvillohet jeta maqedonase e natës, protestat e ndryshme! Për të gjitha këto duhet një shesh, të cilin, strukturat e BDI-së po e parashohin në vendbanimin shqiptar! Dështimet politike e kombëtare të BDI-së nuk mund të mbulohen me platformë gjigante prej betoni! Dëshmitë historike, të cilat u kanë bërë ballë lloj-lloj kataklizmave, nuk do ta duronin dot as peshën e qiellit, sepse njerëzimi këtyre dëshmive u ka dhënë karh dhe i ka përcjellë brez pas brezi!

 

P.s.

Një propozim! Strukturat udhëheqëse të BDI-së, konkretisht Komuna e Çairit, nëse dëshiron vepër kapitale kombëtare, le ta bëjë dislokimin e pazarit të fruta-perimeve apo të “Komunalecit” që çdo ditë kundërmojnë në kërm, dhe le të ngrisë aty ndonjë qendër kulturore ose sportive që do ta mbanin të shëndoshë shqiptarin e Shkupit.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora