E hene, 29.04.2024, 07:24 PM (GMT+1)

Mendime

Fadil Lushi: Morali i një feste

E premte, 03.12.2010, 10:58 PM


MORALI I NJË FESTE

 

Nga Fadil LUSHI

 

Sa herë kur njerëzve do t’u mungojë pavarësia e gjykimit, sidomos atyre që nuk kanë gjë të vërtetë për të thënë, njerëzve që kërkojnë një sebep për të bërë naze dhe krekosje, aq herë ata do të mëtojnë të fusin kokën nën strehën e nacionalizmit të ashtuquajtur provincial-ballkanas, qoftë ai nacionalizëm primitiv maqedonas, serb, grek, bullgar, madje në instancë të fundit edhe nacionalizëm shqiptar. Demokratët e moderuar evropianë kësaj i thonë: “NACIONALIZMI  ËSHTË STREHA E FUNDIT E HORRAVE”!

      Nëse shkrimtari kosovar, Sabri Hamiti, sot e gjithë ditën e Perëndisë ka të drejtë të thotë:”Dukuritë përsëriten dhe prapë përsëri përsëriten”!, atëherë edhe unë në këtë shkrimin tim të radhës duhet të kem të drejtë të përsëris ndodhi nga retrospektiva jonë. Njerëzit që merren me çështje nga psikanaliza thonë: të shfrysh dufin histerik ndaj armikut, është njerëzore, por ama të katandisesh që atë ta shfrysh ndaj sojit tënd, gjithsesi se është mungesë e dhuntisë morale dhe arsyes së shëndoshë.

      Dhe një e tillë shfryrje e radhës gjeti shprehje pikërisht në muajin nëntor, në NËNTORIN e gjithë shqiptarëve, në një nëntor që na iku pa u vënë re, ashtu heshtazi, si një mysafir i paftuar.  Ishte mu ky NËNTORI ynë i shenjtë që karakterizohet me një sërë festash, qofshin ato kombëtare, fetare ose kulturore, festa këto që duhej njëherë e përgjithmonë shqiptarët t’i vënë në sprovë se si duhet ndërtuar dhuntia e unitetit vëllazëror. Kjo dhunti e unitetit shqiptar, respektivisht e të festuarit bashkë, si për inat,  edhe kësaj radhe nuk “ndodhi” këtej dhe përtej kufirit në Tiranë, në Shkup e besa as në qytetin e këtij artikullshkruesi të vockël që mëton kohë pas kohe të na “shes mend”! Kjo mosndodhje ndoshta është pjellë e “ boshësisë intelektuale ose e demokracisë së injorancës sonë”! Kushedi.

     Kjo katrahurë u shfaq në vaktin kur institucionet relevante të shtetit amë iu dhanë vrapit për të abuzuar motet tona të shenjta, mu atëherë kur dolën të viktimizojnë me hir apo pa hir datat kombëtare që kanë lidhje të ngushtë me njerëz të viktimizuar, ndonëse zelli dhe puna e tyre, që në fillim ishte me zarar. Humbëse do të jenë edhe aktivitetet në shenjë manifestimi të 102 vjetorit të Kongresit të Manastirit, asaj kryefjalës së historisë sonë kombëtare, atij mexhlisi burrash shqiptarë ku asnjëherë (si për inat të shqiptarëve myslimanë, ortodoksë dhe pak katolikë) nuk u duk Faik Bej Konica!

      Edhe  përkundër paralajmërimeve kinse kjo festë do të shënohet toptan nga shqiptarët, kjo nuk ndodhi dhe, lëre që nuk ndodhi, por u konceptua si një “plaçkë tregu”, madje edhe si një luftë brenda llojit për pushtet. Manastirasit, paksa të “zhgënjyer”, do të thonë se në ditën e manifestimit të tyre atypari nuk u dukën figura eminente nga Tirana, Prishtina po edhe nga diaspora. “Mysafirët” vendorë, si për herë, ishin të përçarë! Ishte një festë që u festua ashtu ndaras, ishte një përvjetor që meritoi më shumë vëmendje dhe më shumë dashuri, nga shqiptarët pak të vëmendshëm dhe me pak dashuri ndaj vatanit.

     Se edhe kësaj radhe shqiptarët do të ngatërroheshin me njëri-tjetrin, kjo u hetua  

gjatë ceremonisë zyrtare për Ditën e Pavarësisë në Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë,  ku njerëz të kryeministrisë tok me ata të presidencës festuan 28 Nëntorin. (Po në ditën e festës së pavarësisë, Edvini sikur deshi t’i thotë doktorit: ore qerrata ç’kërkove te Varrezat e Dëshmorëve, a mos vallë harrove se ato i kishte ndërtuar Enveri, siç ishte ndërtuar piramida në Tiranë!?)

 

      Opozita politike shqiptare tejet e inatosur atë e bëri, si përherë, më 29 nëntor. Krejt në fund, për inat të dy institucioneve të sipërpërmendura, Balli Kombëtar datën 28 ose edhe 29 Nëntor (kur gjermani dhe italiani i fundit kishin braktisur tokat shqiptare) do ta kontestojë e do ta denigrojë duke e konsideruar si një datë të shtrembëruar, një datë që rikujton pushtimin e Shqipërisë nga ana e komunistëve në krye me Enver Hoxhën, diktatorin dhe dhunuesin më të madh të të drejtave dhe lirive të njeriut. Balli dhe ballistët kanë plotësisht të drejtë në këtë mesele, pavarësisht se nuk kanë një festë të tyre institucionale. Thjeshtë, ata nuk duan të jenë pjesë e ndasive, sidomos kur është fjala te 28 ose 29 Nëntori!? Megjithatë, doktori do të thotë se socialistët tok me ballistët i paskëshin “ngatërruar reqatet”!??

     Në ditën kur politikanët e ndërgjegjshëm duhej t’i binin në gjunj kësaj feste të shenjtë, ata “ harrojnë” se kanë rënë në grackën e doktorit, disa në grackën e Ilir Metës dhe të Fatos Nanos, alias “Tosit”, këtij të ringjallurit politik. Ndërkaq, këta këtej Sharrit, si përherë në grackën e kryeministrit zotit Nikollë dhe premtimeve shterpe gjegjësisht jomashkullore të tij dhe, të tjerët, në grackën e Edvin Kristaq Ramës, me nuse të re, i cili, sipas një gazetari “namqor” të TV-Klan-it  kishte “harruar” t’i nxjerrë flamujt kombëtarë rrugëve të Tiranës, një Tironë që në vigjiljen e 28 Nëntorit ngeli e  zymtë si në vaktin e diktatorit, në grackën e  Kryetarit të kryeqytetit që “zotëron autoritetin suprem dhe vendimmarrës” një (nën) kryeqytet që me autoritetin që ka, shqiptarëve jashtë anit nuk u lejon të kolliten kur t’u teket?

     E gjithë kjo të lë përshtypjen se shqiptarët e Shqipërisë londineze, qofshin ata shehërlinj a katundarë (me pak përjashtime të kosovarëve sidomos të prishtinasve të cilët kryeqendrën e tyre të lënduar e “shndërruan në Tiranë”, ndërkaq Kosovën e konceptuan si Shqipëri, si pjellë e Lidhjes së Parë dhe të Dytë të Prizrenit) nuk ishin të denjë që denjësisht t’i organizojnë festat në fjalë, thjeshtë, ata (edhe kësaj radhe) duke u tallur dhe inatosur me njëri-tjetrin, në vend që këtij Dekallogu, (festës) t’i jepnin lirinë e frymëmarrjes, ia morën atë, thjeshtë ia vunë kleçkën.

      Se shqiptarët e kanë humbur sensin për rëndësinë e Ditës së Alfabetit dhe Ditës së Flamurit tregoi edhe ky përvjetor i radhës, një përvjetor ku ata shpresuan se ndoshta bashkërisht do t’i festonin këto ditë historike (me përjashtim të ballistëve). Megjithatë edhe kësaj radhe do të  instrumentalizohet skajshëm edhe Flamuri, po edhe Kongresi i Manastirit. Për këtë dhe arsye të tjera politikanët, po edhe intelektualët shqiptarë, nuk japin as një të vetmin shpjegim, po qoftë edhe racional ndaj kësaj katrahure.

     Dhe në mungesë të një shpjegimi të tillë, shqiptarëve u ngel që edhe pas kushedi sa qindra vitesh të jetojnë dhe të veprojnë politikisht me dilema dhe me alternime. Ndoshta  mungesën e këtij shpjegimi do ta mbështesim edhe në faktin se në ditën e manifestimeve gjithandej trojeve shqiptare, asnjë politikan shqiptar (pos Albin Kurtit dhe Presidentit të vendit, Bamir Topit) nuk lanë asnjë mesazh të qëndrueshëm, të qartë po edhe optimist sa i përket rolit të festave kombëtare, pavarësisht se mesazhet e tyre ishin (jo) identike, të sinqerta, amorfe, (pseudo) patriotike dhe të rreme!??

     Dhe duke i denigruar këto festa, mund të përfundojmë se këto më shumë ishin festa provinciale, festa këto që më shumë i përngjanin një “sfilate mediale”, sesa një evenimenti institucional, kombëtar, historik dhe po aq edhe kolektiv.

     Përkundër këtij opinioni të lartpërmendur, shqiptarët katolikë kanë lënë një thënie të tyre ,sa filozofike po aq edhe sociologjike: “KUR TË BËHET FMIJA ME MBAJT SHPI, KOLA IM I MBAN TRI”! Kush thotë se shqiptaria është një komb i vockël, me shumë festa nacionale, që konceptohen vetëm si numra e jo si trashëgimi kulturore dhe historike, kush thotë se shqiptari nuk mban tri shtëpi, i vdektë plaka!!

     Gojëkëqijtë sot e gjithë ditën e Perëndisë do të parashtrojnë pyetjen se vallë këto festa a meritojnë që përreth tyre të lëvizin njerëz të gabuar, apo njerëz jo të denjë, se vallë këto festa merituan të festohen ndaras, vallë këtyre festave ua dhanë rolin  përçarës apo festa që na hiqen zvarrë!?

     Megjithatë, edhe në këtë mot motesh, kambanat e Manastirit, Shkupit dhe Tiranës ngelën të heshtura. Për këtë, shqiptarët sot e kësaj dite nuk gjejnë dot forcën që të ballafaqohen me realitetin nga njëra anë dhe me patriotizmin dhe nihilizmin e tyre të pamatur, nga ana tjetër. Kurse haxhi baba i mëhallës sonë që njihet me shovinizmin e tij mashkullor, do të propozojë që femra ta udhëheqë kombin. Ndoshta ka të drejtë, sidomos nëse ke parasysh atë urimin shkodran tej mase të çmuar, ku pos të tjerash thuhet se festa e Flamurit është e bukur sa femra shqiptare, është e bukur sa atdheu i saj, respektivisht sa Shqipëria, dhe nëse vërtet është e bukur, atëherë ky vështrimi im gazetaresk, nuk duhet të jetë vetëm një shprehje që del nga ca leksione të zbehta politike! 



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora