E hene, 29.04.2024, 06:43 PM (GMT+1)

Mendime

Teki Dervishi: Asnjë parti nuk ka program për çlirimin e Kosovës

E premte, 03.12.2010, 10:23 PM


Asnjë parti nuk ka program për çlirimin e Kosovës

 

Shkruan: Teki Dervishi

 

Është koha definitive që shqiptarët e Kosovës, që megjithatë do të dalin në zgjedhjet e 12 dhjetorit, të kuptojnë se kjo klasë politike në tërësinë e saj konceptualisht nuk është asgjë tjetër pos një instrument në duart e okupatorit ndërkombëtar, i cili po e instalon hap pas hapi administratën zyrtare të Serbisë në Kosovë, derisa shqiptarët po i deshtetëzon dhe denacionalizon.
Indoktrinimi i opinionit nga renegatët
Në kohën e okupimit klasik të Kosovës ekzistonin lëvizjet çlirimtare shqiptare që rezistonin sistemin e shtetit policor terrorist të Serbisë me mjete paqësore, por edhe me sfida të aksioneve të armatosura. Pastaj na "çliruan" të huajt, dhe ne nuk patëm më nevojë të rezistojmë, dhe që është më keq ndërpremë kontinuitetin e lëvizjes çlirimtare shekullore. Që nga qershori 1999 administrata zyrtare e Serbisë, e quajtur UNMIK, me makinerinë propagandistike të saj në medien shqip dhe me të gjithë liderët renegatë të UÇK-së dhe liderët gjysmanalfabetë politikë të LDK-së (ish-aktivistë të Lidhjes Socialiste të Serbisë), arritën ta indoktrinojnë opinionin e Kosovës, kinse Kosova tashmë është çliruar me ndihmën e "miqve" ndërkombëtarë. Pastaj administrata e Serbisë, e quajtur UNMIK (OKB), instaloi "pushtete" kuislinge vendore dhe medie që armëpushimin e dhunshëm ta konvertonin si çlirim i Kosovës. U nevojitën 8 vjet që administrata e UNMIK-ut (me nëpunësit dhe policët ekskluzivisht të Evropës) ta krijonin një komb jonacional në Kosovë, i cili jo vetëm që do të hiqte dorë nga trashëgimia e tij historike, por do të pajtohej që Kosovën ta kushtetutizojë si trashëgimi serbe; do të hiqte dorë edhe nga nacionaliteti. Në emër të një shteti "multietnik" në Kosovë, dhe në emër të mbrojtjes së serbeve nga hakmarrja e shqiptarëve, UNMIK-u me direktivat e Brukselit, hap pas hapi, e ktheu pushtetin e Serbisë në Kosovë duke spekuluar një pushtet joekzekutiv të shqiptarëve në shtetin të cilin nuk do ta pranojë as OKB-ja, as BE-ja.
Tranzicioni ndërkombëtar, kohë që Serbia ta rikolonizonte Kosovën
Pas bombardimeve (1999) që në elitën e lartë të fuqive të mëdha u quajt "humanitare" (sepse vetëm gabimisht janë vrarë 10-12 persona, shumica shqiptarë, në Korishë, etj.) Milosheviqi ka pranuar një marrëveshje paqësore me NATO-në për ndërprerjen e bombardimeve. Kështu pasoi Marrëveshja Ushtarake Teknike (jopolitike) e NATO-s me Serbinë në Kumanovë të Maqedonisë. I parapriu kësaj marrëveshjeje "biseda" e Ahtisarit dhe Çernomirdinit me Milosheviqin në Beograd. Marrëveshja rrudhet vetëm në paragrafët e kushteve të "armëpushimit" midis NATO-s dhe Serbisë (dhe i përjashton shqiptarët si faktorë historikë dhe politikë) me garanci që gjatë armëpushimit, forcat e NATO-s do ta demobilizojnë dhe defaktorizojnë politikisht UÇK-në, kurse faktori politik ndërkombëtar (që në të vërtetë është vetëm faktor i BE-së) do të angazhohet që të instalojë një administratë të re shtetërore (UNMIK-KOSOVO), e cila do ta zbatojë denacionalizimin e shqiptarëve dhe kthimin e serbëve nacionalë në bazë të statistikave të banorëve serbë paralufte. Serbia nuk do të kërkojë falje për gjenocidin, kurse as shqiptarëve nuk do t'u lejohet të insistojnë që Serbia të kërkojë falje! Kjo ishte "marrëveshja" e tyre në të cilën nuk morën pjesë shqiptarët. Prandaj, kjo marrëveshje e turpshme e elitës brukseliane anti-NATO dhe anti-Rendit të Ri Botëror, as nuk u botua dhe nuk doli në opinion, sepse ata pretendonin të talleshin me shqiptarët, sepse shqiptarët kujtonin se "paqeruajtësit" janë çlirimtarë. Paqen e shfrytëzuan që Serbia ta rikolonizojë Kosovën, si dhe e shfrytëzuan për krijimin e "komunave" etnikisht të pastër serbe në tërë territorin e shtetit "multietnik".
Propaganda e brendshme antishqiptare
Pas tetë vjetëve (1999-2007) gjenocid kulturor dhe ekonomik që ushtroi UNMIK-u (Brukseli) në Kosovë, filloi të politizohej në opinionin ndërkombëtar dhe vendor pengesa e hapur "ndërkombëtare" për krijimin e shtetit të Kosovës dhe për suprimimin e shtetit UNMIK-KOSOVO, faktikisht suprimimin e administratës shtetërore të Serbisë në Kosovë. Pasi që u gjet një çelës që shqiptarët të kënaqen me një shpallje formale "pavarësie" të mbikëqyrur, e cila nuk do të pranohet ndërkombëtarisht, atëherë spekulantët antishqiptarë të Brukselit, e hapen intrigën se pas "pavarësisë" nuk ekziston më shteti UNMIK-KOSOVO dhe se UNMIK-u nuk është më faktor në Kosovë. Këtë propagandë do ta bëjnë vetë pushtetarët, opozita dhe shoqëria civile, mediat shqip të Kosovës, pasi që nevojitej opinioni i brendshëm, kurse për opinionin e jashtëm ndërkombëtarë, dihet zyrtarisht se të gjitha misionet evropiane në Kosovë janë pikërisht nën ombrellën e UNMIK-ut, që do të thotë me protokolle zyrtare nën administratën e shtetit të Serbisë në Kosovë.
Mungesa e strategjisë diplomatike
Megjithatë Kosova është ndihmuar nga dy-tre aleatë të sinqertë, me vetë faktin se është disejnuar juridikisht baza e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, jo nga Parlamenti i Kosovës, por nga të Zgjedhurit e Popullit. Në këtë linjë ka ardhur edhe verdikti i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, që konstaton se Pavarësia e Kosovës nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare. Por siç pohon edhe Xhejms Huperi, Kosova do të duhej ta kishte strategjinë e vet diplomatike menjëherë pas opinionit të GJND-së! Por nuk e ka këtë strategji, sepse asaj NUK i mjafton njohja e dy tre shteteve më të fuqishme në botë, por sharlatanizohet politikisht duke kërkuar ta pranojnë shtetet aleate të Rusisë, Serbisë dhe Brukselit, në vend se t'i refuzonte njohjet e tyre edhe po t'i vinin, siç nuk do t'i vijnë kurrë.
KFOR-i dhe EULEX-i (BE-ja) e kanë instaluar Serbinë
Nëse megjithëkëtë klasa politike kuislinge e Kosovës do të provonte ta ndryshonte statusin e situatës reale në Kosovë, e jo të kënaqët vetëm me statusin formal politik të "pavarësisë", atëherë, siç pohon edhe Huper, Brukseli do t'u kërcënohej shqiptarëve duke u thënë se - serbët janë të gatshëm për dhunë, janë gati të luftojnë, sepse ata besojnë në qëndrimin e BE-së se Kosova është Serbi. Spiunët e Brukselit thonë se "serbët janë të gatshëm për dhunë", pasi që janë të bindur se shqiptarët nuk janë të gatshëm për dhunë, sepse hëpërhë duan vetëm komfor dhe komoditet "pushteti" të mbikëqyrur nga aleatët e Serbisë, dhe herë pas here deklarojnë se "koha e luftës ka mbaruar njëherë e përgjithmonë"! Serbët në "jug", sipas po këtij analisti të njohur, kanë vendosur "të jenë një pjesë" e Kosovës dhe ata pranojnë "situatën" për të jetuar në "komunitetin e ligjeve" (Huperi mendon për "ligje" të Kosovës). Por, unë them se ata nuk shërbehen me "komunitetin e ligjeve "të Kosovës "në jug", pasi që "në jug" nuk përfillen ligjet e Kosovës, dhe ata (serbët) "në jug" shërbehen me ligjet (dhe me dokumentet) e Serbisë që janë valide dhe të lejueshme në Kosovë në saje të dyshtetësisë së tyre dhe sipas Kushtetutës. Pra fjala është për një Kosovë jo të enklavizuar (decentralizuar) siç mëtojnë të na bindin spekulantët politikë të Brukselit brenda ombrellës së UNMIK-ut, por Kosova në këto "enklava" është e Serbisë zyrtare republikane, e jo krahinore enklavore, madje as si në kohën kur Kosova ishte autonomi nën Serbinë. Pra ligjërisht, siç e pranon KFOR-i dhe EULEX-i (BE-ja) në Kosovë e ka instaluar Serbinë territoriale legjislative. Serbinë e njohin në Kosovë misionet duke pasur protokolle zyrtare me të, kurse shqiptarëve në Kosovë u mbetet "pavarësia" politike e jo juridike, "pavarësia" të cilën nuk e njohin misionet e BE-së, pra u mbetet pavarësia vetëm politike. Huper thotë: "Kjo është situata dhe kështu e kanë vendosur ndërkombëtarët". Me fjalën "ndërkombëtarët" Huper spekulon përdorimin propagandistik të statusit të OKB-së nga ana e BE-së dhe Rusisë.
Mos i votoni partitë pro okupatorit
Votoni për atë parti, e cila gjatë fushatës elektorale do ta pranojë para jush faktin se Kosova është e okupuar! Nëse asnjë parti nuk do të guxojë të thotë këtë të vërtetë, atëherë ju mos votoni për asnjërën! Po qe se votoni, dijeni se po votoni për ekzekutorin e pushtetit të huaj në Kosovë.



(Vota: 6 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora