E hene, 29.04.2024, 08:13 PM (GMT+1)

Mendime

Miranda Haxhia: Ju lutem, të jeni të indinjuar

E premte, 03.12.2010, 10:59 PM


Refleksion?

 

Ju lutem, të jeni të indinjuar

 

Nga Miranda Haxhia

 

Sikur ai të mos ishte i vrarë, sikur të ishte në krye të njerëzve që kërkonin ende të drejtat e tyre themelore, sikur marshimi të ishte në bulevardin Dëshmorët e Kombit, Martin Luter Kingu do përsëriste shprehjen e tij të famshme:

 

-Ju lutem, të jeni të indinjuar!

 

Dhe kjo, jo për zezakët, afrikanët, amerikano-veriorët, të shtypurit dhe gjithë njerëzit që ëndërronin të jetonin të barabartë në shtetin amerikan, por për qytetarët shqiptarë, për të gjithë shqiptarët që u fyen në festën më të madhe, në festën kombëtare- 28 nëntorin.

Mes 28 dhe 29 nëntorit të gjithë rreken të dallojnë se më shumë janë majtas apo

djathtas, pa kuptuar se duke u marrë me kohën e ndërmjetme mes këtyre dy datave

dhe ngjarjes që i bën të dallueshme si njërën dhe tjetrën, harrojnë t’i kushtojnë rëndësinë e duhur asaj që ndodh e që na shpëton nga duart, asaj të cilës nuk duhet t’i shmangemi, rrjedhës dhe ngjarjes së ditës e cila shumë pak herë ka mundësi të jetë pjellë e çastit dhe jo derivat i një ambienti social të lënë pas dore dhe jashtë vëmendjes, sidomos të shoqërisë dhe opinionit publik.

Historia është shkruar sipas njerëzve që kanë pasur në dorë pushtetin politik dhe aq shumë është zgjatur ky lloj pushteti në vendin tonë, saqë tashmë është e vështirë të dimë se cila është data e vërtetë e çlirimit të Shqipërisë. Më shumë se kujtdo do t’i besoja xhaxhait tim ish- partizan, por ai tashmë nuk jeton më prej kohe. Në kujtimet e tij, ndjesë pastë, të kohës kur qe gjallë, megjithatë, ai udhëtonte vit për vit për të festuar çlirimin e Shkodrës, të Shqipërisë, merrte dhuratë një shall të kuq me shkronja të verdha në anët e tij, por asnjëherë nuk e kapërceu kufirin për të vazhduar festën bashkë me vëllezërit

jugosllavë në Jugosllavi.

Do të doja t’i besoja, por mungonte rrëfimi i palës që iu mohua fjala, iu mohua

jeta, jo për një vit a dy, por për gjysmë shekulli, përgjatë gjithë sundimit të diktaturës komuniste.

Është koha kur duhet vështruar pa frikë historia e vërtetë, që megjithëse kaloi

pothuaj gjysmë shekulli plot indoktrinim, fshirje, sajesa, nuk u zhbë dot.

Në faqen 17 të v. I të librit të At Zef Pllumit “Rrno vetëm për me tregue”, lexoj: 29 nandori gdhini një ditë e zymt dhe e ftohtë. Në orën 10.30-11 nëpër rrugët kryesore të qytetit hyni brigada partizane e prime prej Major Gjin Markut... gjatë muejit dhetor u vendos pushteti i ri i Shqipnisë, që nuk kuptohej mirë nëse ishte ushtarak apo civil: të gjithë ishin të mldhej e kurrkush nuk kishte gja në dorë, përveç komandantëve partizanë, nga ma të ndryshmit, të cilët ishin vendosë kush në nji shtëpi, kush në nji tjetër.

Menjiherë mbas asaj dite të 29 nandorit 1944 në rrugën Shkodër-Podgoricë filloi qarkullimi si kurrë ma parë, në një kohë që komunikacioni me Tiranën ishte tepër i vështirë për shkak të prishjes së urave. Kështu malazezë e shqiptarë qarkullojshin mes vedit pa kufi. Kush ishte sundimtari i vërtetë i Shqipnisë? Përgjigjen e jepte trobojnica flamujt e shumtë tringjyrësh jugosllavë valaviteshin në çdo rrugë, në çdo ndërtesë shtetnore e në çdo shtëpi.

Ku u gjetën aq shpejt e aq shumë ata flamuj që populli i kqyrte me inat, sepse shënjojshin një robni të re të kombit shqiptar! Posa u hapën shkollat, ndër të gjitha, pa përjashtim, erdhën me mësue që të këndohej Hymni i atij flamurit të huej: “Ei sllovenski joshte zhivi, o bajrak ne vijë, zhivi zhivi, jugosllovenski, si dhe Ide druzhe Tito preko Albanie...preko Albanie (unë nuk dij as kuptimin e tyne, as se si shkruhen, por kshtu më kanë mbetun në vesh qysh në atë kohë me gjithë meloditë e tyne). Hymnet tona të flamurit uk ndigjojshin ma..

28 nëntori i vitit 2010 erdhi i ftohtë, me opinionin e radhës së liderit të opozitës që më shumë se kurrë i ngjason opinionit të ish ministrit të jashtëm të Napoleonit, Taylleirandit, njeriut me pamjen dhe sjelljen tipike të kameleonit. Cili është opinion im?- thotë Taylleirandi, Kam një në mëngjes, një tjetër pasdite dhe në mbrëmje nuk kam as edhe një.

Nuk ka më asnjë opinion të besueshëm dhe serioz të opozitës me sjellje Taylleirande, sjellje së cilës nuk i shpëton as ndëshkimi i datës 28 nëntor.

Opinioni i opozitës në datën 28 nëntor 2010, ishte nxirosja ashtu si përpara gjashtëdhjetë vjetësh, ideja për të përçarë, për të ndarë, për të përçarë atë që shikon majtas me atë që shikon djathtas, për të kryqëzuar e për të shpëtuar vetë prej kryqëzimit të përgjegjësive me një pamje pikëlluese dhe dëshpëruese të mbledhur për datën e mëpastajme- 29 nëntor, që nuk thotë më shumë nga sa përshkruan At Zef Pëllumbi në librin e tij, fundin e Shqipërisë e të ëndrrës së shqiptarëve për të jetuar të lirë në vendin e tyre.

E si çdo dhunim, njeriu apo date, historie apo politike, edhe kjo ditë ka nevojë për t’u gjykuar, ose është ditë e marrë, ose është ditë e vrarë!

Refuzimi që të mos kuptosh është një trajtë e luftës së klasave, shkruan historiani Eric John Hobsbawn. Nuk ka asnjë shpjegim tjetër refuzimi për të nderuar një ditë historike për Shqipërinë. Nuk ka asnjë shpjegim tjetër, pamja e zymtë e kryeqytetit në ditën e Pamvarësisë. Mohimi i kësaj date për hir të interesave të ngushta, të athtësisë që krijon ideja se nuk je në pushtet, është një luftë e mirëfilltë klasash, një gjenerim i urrejtjes mes njerëzve që mendojnë ndryshe, punojnë ndryshe, kuptojnë ndryshe. Edhe pse flasim të njëjtën gjuhë, edhe pse kemi të njëjtin flamur, edhe pse jetojnë në të njëjtin vend...

përçohet urrejtje dhe ndarje e vullnetshme.

Në njëzetë e tetë nëntor Tirana u gdhi e tulatur, pa ngjyrë, pa optimizmin e festës kombëtare. Një pamje që të kujton një ditë pas ndëshkimit të armiqve të radhës në kohën e diktaturës. Zymtësia e pamjes së tribunës; cili është dhe cili nuk është; cili buzëqeshi dhe cili qëndroi i ngrysur.

Nuk e meriton Tirana një dëshpërim të sajuar. Nuk e meriton Tirana një mohim të së drejtës për të festuar, pikërisht sivjet, kur liria e saj, kur zhvillimi i saj matet me kilometrat europianë; kur pamvarësia e arrirë në vitin 1912, mori kuptimin e saj më të plotë, me lëvizjen e lirë të shqiptarëve në vendet e Bashkimit Europian. Nuk e meriton Tirana paragjykimin e pamend dhe të prapambetur, atë paragjykim që e përkëdhelin më shumë se kurrë komunistët dhe derivatet e tyre, diktaturën. Ju lutem, jam dhe qofshi të indinjuar!

Dashamirësisht, Miranda H.



(Vota: 10 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora