Speciale
Vitore Stefa Leka: Në dallgët e jetës (V)
E diele, 05.04.2009, 11:30 AM
Në dallgët e jetës
Vitore Stefa Leka
/Kujtime/
Nga Vitore Stefa Leka
Në përpjeke për të marrë vizat
Me të marrë pasaportat, për të cilat akoma s’iu besoja syve, se dhe këtu përveç
mikut nuk ua mbante shumë njerëzve të kërkonin pasaporta për jashtë shtetit dhe jo më mua, që “qimja e derrit” më kish ndjekur gjithë jetën. Pasaportat sikur ia kthyen qetësinë Iskut dhe filloi të gjallërohej. I thashë:
-Ta kam dhënë fjalën për diçka, që s’di si do dalë. Po unë do t’i bëj të gjitha përpjekjet dhe do rrezikoj. O do të ikim, o në djall të vemë të gjithë!
Madi më kish treguar, si e kishin kapur dhe rrahur Iskun, mbi tridhjetë nga ata farë e hidhur, sambistat. Më tregoi, se atë natë, ishte bërë nami në Tiranë. Tamam si tha komisari. Mjerë kush ra në dorën e tyre. Isku, bashkë me vajzën, që donte kishte vajtur të flinte te e motra. Ajo u kish thënë: “ Mos u mërzisni, se do gjej unë patjetër ndonjë rrugë kur të vete në Turqi. Këtu do ndryshojnë shumë gjëra etj. etj.
Në mëngjes herët ishin nisur për të ardhur në Durrës dhe kishin ndaluar të hanin nga një pite. Sa kishte filluar të hante kafshatën e parë, sheh disa sambistë që po ziheshin dhe po tërhiqnin zvarrë një djalë të ri, aty në sy të njerëzve. Djali shante dhe bërtiste. Isku doli te dera dhe po i shikonte me urrejtje, kur njëri nga ata i tha: “He mor, trim? Do na hashe e?”
-Trima jeni ju dhe po e tregoni trimërinë para syve të popullit, por po ju vjen fundi!- i qe përgjigjur Isku.
Kaq u desh dhe iu vërsulën tim biri…Ky ishte i fuqishëm, sportist dhe aq kish mësuar në atë shkollën e fiskulturës dhe iu mbrojt sulmit duke rrëzuar në tokë dhe dy prej tyre..
Kush është nga Tirana dhe e ka jetuar atë periudhë, e ka dëgjuar këtë rast, që bëri bujë aty te “Piteria” te rruga e Elbasanit. Aty në trotuar me kafshatën e pites në dorë e shtrinë dhe iu vërsulën të gjithë sambistat, duke i gjuajtur me shkopa gome dhe shkelma ku të mundnin, në mes grumbullit të njerezve, që s'u shpërnda as kur u dëgjuan sirenat e policisë.
E hodhën gjysëm të mbaruar, si Iskun dhe atë djalin tjetër, brenda në makinë. E izoluan pastaj në një qeli duke i hedhur kova me ujë, ku siç tregonte ai, iu hidhnin ujë edhe mureve, për t’i pastruar nga gjaku dhe ai ujë e përhapte më keq atë. Isku nuk mbante mend kohën kur u përmend, po di, që dëgjonte rënkime dhe ulurima të mbytura nga të gjitha anët. Më vonë i kish hyrë një zëvendës ministër, (që më vonë ma mori të keqen, se u dënua nga ata vetë) dhe i vuri pistoletën në kokë duke i thënë: “ Do të të çojmë atje te të tjerët! Na erdhi fundi ë? Përsërite dhe njëherë ta dëgjoj unë!”
Isku edhe pse pa pikë fuqie, e kish përsëritur…
Fati i tij, që në atë kohë kishin thirrur shefat e policisë së qyteteve të ndryshme për të marrë me kamiona "zagarët", rrugaçët”, “ uliganët”.
Për të marrë ata të Durrësit, kishte ardhur komisari, që kur e pa në atë ditë Iskun dhe dëgjoi fjalët e fundit të tij, e njohu nga zëri dhe hyri menjëherë duke i thënë atij zëvendës ministrit:
-Është bërë një gabim i madh me këtë djalë.
Dhe i tregoi, se e njihte si djalë shëmbullor, sportist dhe që s’kishte asnjë të dhënë për sjellje rrugaçërie. Vazhdoi duke i treguar, se si na kishte përcjellë vetë një natë më parë te treni duke i treguar dhe arsyen pse po shkonim në Tiranë.
-Këto që po thotë këtu, vazhdoi komisari, ose që ua paska thënë dhe sambistave, po më çuditin! Ndofta është një urrejtje e çastit.
Biseda u zhvillua në prani të Iskut. Atë natë e kishin mbajtur në një dhomë më të mirë, ku të paktën kishte fjetur dhe të nesërmen e sollën në Durrës me të tjerët…
I thashë tim biri, që ta mbyllte gojën me shokët apo njerëzit, që e pyesnin kur rrinte në mbrëmje, aty para dyqaneve, kur u bë pak më mirë dhe filloi të dilte. Mos shante dhe po ta pyesnin për Artanin, të thoshte, se s’kemi punë me të dhe as duam ta dimë ku është. Mos i zinte kujt me gojë punën e pasaportave dhe të vendimit që kishim marrë për të ikur.
Ishte e vështirë t’i mbushje mendjen, po unë i spjegoja, se ishte e vetmja mënyrë, nëse donim të provonim "fatin". Pranoi mos të dalë fare nga shtëpia, sesa të thoshte këto gjëra, që nuk i perceptonte dot nga urrejtja që i ishte krijuar.
Të nesërmen duke ikur për në Tiranë, me pasaportat me vete për t'u paraqitur në ambasadën italiane, më ndaloi një djalë me bicikletë dhe më tha:
-Mama e Tanit, te ju isha nisur. Hipi biçikletës dhe eja me mua!
-Ku mor bir?
- Mos më pyet, e mer vesh kur të arrijmë.
E njihja si shok të djalit dhe më kish ardhur disa herë në shtëpi, prandaj e lashë trenin e parë dhe bëra siç më tha ai.
Më parë do të tregoj, sesa po ikën bijtë tanë , që kishin hyrë nëpër ambasadat, filluan telefonat në seri që prej jashtë shtetit. Të gjithë flisnin me bijtë e tyre “të ikur”, kurse unë dhe lajmet që me vinin nga djali, nuk i pranoja. Bëja sikur e urreja veprimin e tij dhe të tjerëve dhe largohesha.
Kështu, që kur ky djalë me çoi në një repart ushtarak, andej afër Vilës, u shtanga pak, se ç’do të thoshte kjo, pale kur më tha, se do të lidh me Tanin tani dhe fol sa të duash!...
A djalë, ishte ushtarak, ndërlidhës në atë repart dhe s’po i besoja vetes. E kishte dhe të jatin drejtorin e një ndërmarrjeje të dëgjuar.
Seç bëri me fijet e telefonit dhe pas pak dëgjova zërin e shpirtit tim, që më erdhi si nga qielli, nga hapësira nga…kushedi nga!...
-Ë me!-dëgjova nga ana tjetër e telit,- i takove?
-Fol me plakën Tano! Ta kam pru këtu!
Unë po nguroja kur ai djali ma priti:
- Mos ki frikë, se këtë s’e përgjon njeri! Ne flasim me gjithë shokët, kudo që na kanë shku. Tanin e kam shok të ngushtë!
Dhe unë fillova të flas e të flas…Çastet e emocionit më kaluan, që në minutat e para. Tani kishte dëgjuar çfarë i kish ndodhur të vëllait, Iskut. Pyeti shumë për vëllain e vogël, Mikelinon, për të motrën dhe unë ndjeja ngulçimat e mallit në zërin e tij.
Nuk e di as vetë nga më erdhi ajo forcë, që po i flisja pa emocione, ndoshta, nga pasaportat, që kisha në xhep...Më në fund i thashë:
- Deri në fund të muajit jam aty! Mbaje mend këtë që po të them!
Më tha:
- Për çdo gjë do merremi vesh me anë të këtij shoku.
Pas kësaj telefonate me Tanin, fillova të flisja me të një herë në katër ditë, në një orë të caktuar dhe dija çdo gjë për mbarëvajtjen dhe trajtimin që u bëhej bijve tanë “të ikur”. Aq gjatë flisnim, sa një herë më tha:
-Mami, po të flas nga Harku i Triumfit. E shikoj me syrin e librit me të njëtin titull. Po kërkoj “Barin”, ku pinin emigrantët. Me sytë e mendjes po shikoj Ravikun. Më parakalon para syve historia e shkruar me aq mjeshtëri nga i madhi Remark…Tani jam dhe unë emigrant… M’u kujtua Raviku. Të kujtohet? E lexonim bashkë librin…
E për çfarë s'flisnim me Artanin!...
Atë ditë, arrita vonë në Tiranë. Me të pyetur më treguan, se zyra e vizave, s'ishte te ambasada italiane, por te një dhomë prapa Radiotelevizionit shqiptar. U rrotullova ca, por s’e pata të vështirë ta gjeja, se kishte shumë njerëz që prisnin, si puna ime…
Pashë dhe nga ata, që kishin ardhur nga larg dhe flinin aty, për të marrë formularët. Aty, u informova për procedurën e paraqitjes së pashaportave. U ktheva me zemër të thyer. Me ç'pashë e dëgjova, nuk do më vinte rradha kurrë për të marrë ata modularë apo formularë. Më e keqja ishte, se Gabriela, italiania, qe merrej me këtë punë, bënte vetëm gjashtë deri në shtatë pranime në ditë.
U ktheva në shtëpi, sa e qetë, që kisha folur me djalin e madh, aq dhe e mërzitur për ato që pashë në Tiranë.
Të nesërmen me trenin e parë, shkova përsëri në Tiranë. Turma e njerëzve, që prisnin sëkur ishte shtuar më shumë.
“ Po këta këtu qenkan gdhirë?”, po mendoja me vete, kur pashë dy të njohur nga Durrësi, që po ndanin nga ato modularë duke i shitur me treqind lekë të vjetra copën, po dhe kështu nuk arrita të marrë gjë. I porosita për të nesërmen dhe përsëri u ktheva duar bosh dhe pa asnjë shpresë në Durrës. Fëmijëve nuk iu bija në sy as tim shoqi, që përsëri ngulte këmbë t’i lija këto “aventura”, qe ishin sipas tij “thika me dy presa”.
Të pasnesërmen u sorollata kot aty vërdallë dhe mendova po shkoj një herë në ministrinë e brendshme, të kërkoja një shokun e komisarit.
(Komisari më kishte thënë, që ta kërkoja dhe më tha që t’i flisja, se më kishte çuar ai, për çfarëdo nevoje që do të më dilte. Unë s’doja t’iu shihja bojën atyre vendeve, por komisarit i thashë faleminderit.)
Meqë i kisha humbur shpresat thashë: “Po vete njëherë!”
Atë ditë ishte ndërruar ministri i brendshëm, që qëndroi vetëm një ditë, nëse ju kujtohet. Një Ilir më duket, se e quanin. Në ministri ishte një kaos, që s'merrte vesh i pari të dytin. Hynin e dilnin policë. Te zyra e pritjes mora vesh dhe për këtë ministrin. Një kokë polici nga sporteli po u fliste me një zë urdhërues njerëzve, që ishin grumbulluar aty:
-Ikni! Nuk ka pritje sot!
Që aty mora rrugën për nga Sahati, kur pashë një derë të ministrisë, që ishte nga ajo anë e hapur dhe pa roje nga dolën dy policë dhe hyri një tjetër, të cilit i vajta pas.
Në katin e parë pashë një durrsake (figurë e njohur), që po fliste me një shef. Ai i thoshte :
-Të lutem ik tani shko te drejtoria e dytë, thuaj te sporteli jam ajo nga Durrësi, më dërgoi Astriti. Më parë shko në ministrinë e jashtme. Rojes, që është i yni, i thuaj, më dërgoi Astriti dhe ai ka për t’i dhënë formularët. Flasim prapa, se kam shumë punë tani. Sonte nuk vij dot të të takoj, se këtu është rrëmuje e madhe.
Në atë kohë më panë mua dhe ai m’u kthye me nerva:
-Po ti kush je ? Ç’do ktu?
-Doja tq takoja Irfanin…
-Ik moj, andej! S’ka Irfan këtu. S'pati roje atje posht që na hyn serbes ti?
Durrsakja me shikoi nga koka te këmbët dhe pasi u pershëndet me të, iku. Unë ndeja dhe ca si e hutuar dhe dola duke me sharë policët nga prapa .Që aty vajta në ministrinë e jashtme, ku përdora thëniet e Astritit, që i tha durrsakes. Aty më dhanë pesë formularë, sa kërkova unë dhe personi që m’i dha, tha nëpër dhëmbë:
-Sa durrsake do dërgojë akoma shoku Astriti këtu?
Bëra sikur s'e dëgjova dhe ika duke fluturuar. Rrugës pyeta nga binte drejtoria e dytë. Ma treguan. Nuk po ndjeja lodhjen dhe pothuaj po e bëja me vrap rrugën për nga Ekspozita Kineze, ku më thanë, që ishte drejtoria e dytë. Edhe atje kishte shumë njerëz, që lexonin nëpër mure afishet e varura me emrat e atyre, që u kishte dalë pasaporta. Aty takova dhe një nuse të kushëririt tim, që dhe ajo po shikonte mos i kish dalë emri. Ajo më ndihmoi si mbusheshin ato folmularë. Pasi mbarova dhe këtë punë iu afrova sportelit, ku me zë të ulët i thashë policit, që ishte brenda:
-Më dërgoi Astriti. Jam ajo e Durrësit.
I ngriti sytë dhe më pa mirë e mirë dhe tha:
-Sa nga Durrësi do dërgojë akoma shoku Astrit.
Foli me zë të lartë dhe si me nerva. Fillova të trembesha dhe po më dilte zemra nga vendi, kur pashë që po i binte ziles së telefonit e dikush iu përgjegj s'është këtu! U ul, u mendua pak dhe thirri një djalë të ri tip “fuksi”, që po rrinte jashtëe në mes të turmeë. Se çfarë i tha për mua me zë të ulët dhe më tha:
- Ik nga sporteli tani, se na ke bllokuar!
Sa dola jashtë m’u afrua ai “fuksi” dhe më tha:
- Ec pas meje! I ke mbushur formularët ?
-Po, po -i thashë me një frymë.
E ndoqa prapa…Te dera e Televizionit, sec foli me rojen dhe më lanë të hyja. Ngela si hu, se s’dija ç’të bëja, kur m’u afrua përsëri “fuksi” dhe më tha:
-Ec aty te ajo pjesa, që po ndërtohet. Ke një dërrasë, kaloje dhe del menjëherë te zyra e vizave.
Ashtu bëra! Të them të drejtën s’ desha veten, kur pash njerëzit që prisnin rradhën me polic, atje më tutje, të cilët sa më panë filluan të bërtasin, por policët që duket e dinin që njerëzit që hynin nga aty nuk duheshin ngacmuar, nuk më thanë asnjë fjalë…
Hyra prapa dy vetave, të cilët po prisnin rradhën te dera e zyrës së vizave dhe po rrija me gjak të ngrirë, se mos vinin policët e rrethit të dytë, se rrethi parë ishte në fillim të rrugës, ku unë dy dite përpara po sorollatesha kot. Po desh Zoti dhe policët vazhdonin punën e tyre dhe s'dëgjonin ankesat e drejta të njerëzve. Kur hyra brenda më erdhi t’i hidhesha në qafë Gabrielës dhe mos dilja më që aty pa më mbaruar punë.
Heshta dhe e shikova fort në sy sikur doja t’i flisja me to. Kisha dëgjuar aty te rradha, që e kanë sjellë zyrën e vizave afër Televizjinit, se kanë vënë aparate përgjimi dhe kamera të fshehta… E çfarë s'thoshin, po kjo m’u ngul në mendje s’di përse kështu, që kur ajo më shënoi numërin për datën 4 tetor, i shtrëngova fort gishtat dhe i thashë me atë italishten time të çalë:
-Mio figlio molto malato , ti prego presto presto!
M’i pa sytë me lot dhe e ndërroi numurin, ma bëri që të paraqitesha për në datën “26 shtator”, domethënë pas dy javësh! Kisha dëgjuar për zemërbardhësinë e saj , që kishte adaptuar dhe tre fëmijë a dy, s’më kujtohet. Një zezak të vogël e pashë aty, të veshur e të ngjeshur me lodra të bukura nëpër duar dhe më erdhi një inat i brendshem kur mendoja tim bir, që dhe bukën me sheqer e me ujë ia jepja si ushqim të privilegjuar.
Kur mora në dorë numërin, sa s’po fluturoja nga gëzimi, që më reflektohej në gjithë qenien time si dhe në ato sy që disa minuta përpara ishin plot lotë . E kapa dhe e putha atë fëmijë, që u largua i çuditur nga xhesti im. Parakalova para turmës së atyre njerëzve. Kushedi sa ditë kishin që prisnin e më shikonin sikur do më hanin. Me vehte iu kërkoja falje njëmijë herë. Ua qaja dhe hallin, po para hallit tim....
E përshkova atë rrugë në forë L-je nga zyra deri në fund, me kokën lart, sikur s’po më bënte përshtypje çfarë thoshin.
I vetmi njeri, që m’u afrua me përzemërsi ishte një durrsak, mik familje dhe sot është këtu në Itali, Ylli Islami, të cilin e kisha takuar ato ditë aty, duke i kërkuar dhe se si mund të më ndihmonte për ato formularë…
Ai më tha i habitur:
-Po ti dje po kërkoje formularët dhe tani del me punë të mbaruar! E paske pasur
mikun e fortë
“Ta dish ti, thash me vehte, që sikur të më zbulohet gjithë ky guxim prej budallai, m’u fik dera!”
-Më bëhet qefi, tha Ylli, ishallah ikën një ore dhe më parë për djalin. Ne u dogjëm prapë sot. Po do rri përsëri këtej për të qenë nesër herët këtu.
Më digjnin ato numra, që i kisha shtrënguar fort në dorë dhe frymën e mbajta me vrap te shtëpia e sime motre, që ngeli fare e habitur kur më pa me ato numëra në duar. Nuk e di po nuk e priti me enthusiazëm. Fjala e saj ishte:
-Kam frikë, se do na marrësh më qafë të gjithëve!...
Që aty me vrap te stacioni. S’di nga m’u fsheh gjithë ai gëzim i fillimit dhe vendin ia zuri një trishtim, që më pushtoi gjatë asaj një ore rruge me tren…
Nga lekët isha shkundur gjatë periudhës së spitalit me djalin. Përveç televizorit dhe një bufere, që kisha në kuzhinë nga ato trembëdhjetë mijëshet ( dhe këto i kisha blerë me ndihmën e të ndritures dhe nderuarës vjehrrës sime ), pra, veç këtyre unë s’kisha asnjë lek tjetër, as për bileta, që një biletë bënte katërmbëdhjetë mijë lekë të vjetra !
Ndërkohë mendoja, sikur ajo tezja, që ata morën adresën, të thoshte, se nuk e kam thirrur mbesën dhe nuk e pranoj, do më analloheshin vizat? Më mbysnin mendimet dhe të gjitha nuk i çoja deri në fund. Më ishte bere mendja dhallë, me kuptimin e plotë të fjalës...
Ku do ti gjeja lekët? Po sikur të më zbulonin atë dredhinë, që bëra për të marrë vizat? Me këto mendime të papërfunduara arrita në shtëpi. S'kishte nevojë për pyetje, se kuptohej nga vetë trishtimi, që më lexohej në fytyrë dhe megjithatë Iskut nuk iu durua:
-E ma, (mami) s’u bë gjë prapë?
-Jo bir, çdo gjë mendoj se është në rregull,- dhe ia tregova fill e për pe si më kishte ndodhur.
Tim shoqi po i rrinte mendja te ai telefoni i atij policit te drejtoria e dytë, ashtu si po më rrinte dhe mua! Mendoja, se mos i shkrepej ta merrte më vonë në
telefon Astritin. Ku s’më shkonte mendja!
Përsëri i porosità, që të mos flitej me asnjë për datën dhe marrjen e numrit. As me komshinjtë dhe qiraxhinjtë e mi, që kisha në shtëpi të mos hapnin gojë, sado që ata vetëm të mira më kishin bërë.
Të nesërmen shkova në Berat. E dija, që s’kishin mundësi të më ndihmonin, po vajta t’i takoja, se nuk dihej si do të më vinin punët…
Mamasë nuk i thashë gjë. S’më bënte zemra. Fola gjatë me tim vëlla të madhin, Alfredin, që ka qenë dhe mbetet idhulli im dhe gjithë jetën ka luajturr rolin e babait për të gjithë ne.
- Zoti të ndihmoftë! -më tha – Vetëm hapi sytë për të gjitha.
Kur u ndava me ta, më ngelën sytë një kohë të gjatë te dritarja, ku mamaja po ma bënte me dorë.
“ Eh, moj statujë e halleve! - thashë me vete- Ta dish ti, që ndoshta nuk do ta shikosh më kurrë çupën tënde ”të halleve”, siç më quan ti....”