E shtune, 24.02.2024, 08:06 PM (GMT)

Kulturë

Luan Rama: Sot shkrimtarët kanë pak vënd në diplomaci sepse politikanët i shmangin

E merkure, 04.03.2009, 07:28 PM


Politikanët frenojnë proçesin integrues të shoqërisë shqiptare
 
Eshtë koha që duhet guxuar, pasi vetëm shtypi ka mbetur tribuna e vetme e zbulimit të së vërtetës.
 
Diplomacia i jep mundësi shkrimtarit të udhëtojë dhe të pikëtakojë botra të tjera, të njohë kuliset e jetës dhe të politikës, kuliset e vetë botës njerëzore.

Nga Albert Zholi
 
Diplomat, publicist, studiues, ky është porterti i Luan Ramës i cili për shumë vite jeton në Francë. Njohja e rastësishme pranë Hotel “Tirana International”, ku ai po gjerbte kafenë e mëngjesit me Akademikun Xhevahir Spahiu (para disa ditësh), nuk mund të linte në hezitim dëshirën e kahershme për të bërë një intervistë. Kërkesës time ai ju përgjigj menjëherë, duke folur me thjeshtësinë e një intelektuali të sinqertë, sikur të ishim njohur prej vitesh, pasi në të vërettë na lidhte vetëm leximi i shkrimeve të ndërsjelltë nëpërmjet internetit. Në këtë bisedë eksluzive për “Telegraf” ai flet për politikën shqiptare, vendin dhe rolin e diplomacisë në imazhin e një shteti, Francën si një vënd «manjetik », për Ismail Kadarenë si gjigandi i letërsisë sonë etj…

Prej vitesh jetoni në Francë. Ç’farë është Franca për Luan Ramën ?
 
- Franca është bërë për mua një atdhe i dytë dhe kjo ka ndodhur pikërisht në sajë të asaj vlere të veçantë kulturore e shpirtërore që ngërthen Franca në historinë kulturore të Evropës dhe të botës mbarë. Franca gjithnjë ka qënë një vënd «manjetik» që i ka thithur artistët, shkrimtarët, piktorët, etj. «Ecole Française» («Shkolla franceze») në pikturë e fillimit të shekullit XX, u cilësua kështu, pasi në Francë krijonin një potpuri artistësh nga e gjithë bota: nga Amerika apo Japonia, nga Rusia apo vëndet e Lindjes evropiane. Në Paris krijonin Modigliani, Picasso, Chagall, Kandinsky, Margrite, Apollinaire, Max Ernst, etj, të cilët nuk ishin francezë.
 
A e ruan ende Parisi shkëlqimin e dikurshëm si « Kryeqytet i Kulturës botërore » ?

- Jeta pariziane nuk e ka humbur shkëlqimin e vet, edhe pse në Evropë tashmë ka dhe metropole të tjera të kulturës, siç është Londra apo Berlini, ku manifestimet artistike e letrare janë të parreshtuara. Sigurisht mund të ndodhë të jetosh në këto metropole dhe të mos kesh interesa për këtë botë vlerash, por kjo varet nga njerëzit dhe prirjet e tyre, nga pasionet që kanë. Vlerat përjetohen. Për mua ka qënë një fat i madh kontakti me kulturën franceze, gjë e cila filloi që në rininë time në Tiranë, ku librat, filmat, albumet e piktorëve francezë ishin dritare magjepëse në një botë të izoluar siç ishte Shqipëria totalitare. Në Paris, informacioni kulturor është i jashtëzakonshëm, por e rëndësishme është të përfitosh nga kjo, ta përjetosh këtë dinamikë kulturore, të ndjekësh ekspozitat e mëdha, ku autorë të mëdhenj të shfaqen me dimensionet e tyre të vërteta dhe të shoqëruar nga një vështrim kritik mbi veprën. Ky është një ballafaqim i vazhdueshëm dhe i gjithanshëm me të bukurën, ku kushdo krijon referencat e tij, pra di ku të referohesh për të gjykuar një vepër dhe vlerën e një arti origjinal.
Ka nga ata që thonë se Franca nuk është më një qëndër e kulturës botërore dhe se vlerat e vërteta janë përtej Atlantikut. Por këtë e thonë ata që nuk jetojnë në Francë. Megjithatë, po të gjykosh prurjet artistike të fundit të shekullit XX dhe fillimit të shekullit XXI, mund të konstatosh se nuk ka më një Picasso, një Matisse, ashtu siç nuk ka një Sartre, Camus, Jaspers apo Hannah Arendt, etj ; ashtu siç nuk ka më Hemingëay, Steinbeck, Mann apo Maravia. Por megjithatë vlerat nuk mungojnë. Teknologjitë e reja po i çojnë artet në drejtime të tjera ku materia konkrete, është më prezente se fryma apo mistika që krijon shpesh vepra artistike. Pastaj duhet ditur se krijimtaria njerëzore, ka oshilacionet dhe kurbaturat e saj, ngjitjet dhe zbritjet e saj dhe se ndoshta aktualisht jemi në fundin e kurbës së poshtme, duke kërkuar lartësi të tjera. Këtë do ta tregojë koha, vetë eksperienca njerëzore.
 
Ju ndjek vazhdimisht në shtypin shqiptar. Gjithmonë aktiv dhe njohës i problemeve të shumta të shoqërisë shqiptare. Cili është mendimi juaj për politikën shqiptare postkomuniste ?
 
- Politika shqiptare gjëndet në një qerthull shqetësues që vërtitet rreth vetes duke krijuar pështjellime kaotike dhe destruktive dhe ku nuk gjen rrugdalje. Mendoj se meskiniteti politik dhe grindjet e mëdha politike (tek ne zihen politikanët mes tyre dhe nuk ballafaqohen vërtet opsionet për zgjidhjen e probelemeve të përditshme dhe programet e së ardhmes. Janë ata që e kanë frenuar dhe e frenojnë proçesin zhvillues e integrues të shoqërisë shqiptare. Inisiativat private të zhvillimit apo ato të shoqërisë civile në kuadrin social ndeshen me muret e larta të politikës, e cila nuk ua ka hapur portat gjeneratës së re. Në të shumtën e rasteve, në sytë e popullit të thjeshtë apo dhe të gazetarëve analistë, qënia qeveritar, politikan, përfaqësues i popullit në pushtetin legjiskativ është kthyer në personifikim pushteti në shërbim të parasë. Të gjithë dinë të hedhin parrulla për të ardhmen, për realizimet e «mëdha», për integrimin, por në realitet, etja për pushtet ndër politikanët është aq e madhe sa që mbetet në nivelin destruktiv, jo për ata, por për shoqërinë. Dhe shoqëria është e pa aftë t’i luftojë ata. Pra gjëndemi para një pafuqishmërie dhe fataliteti që është ç’armatosës. Eshtë e habitshme që me shëmbjen e epokës totalitare nuk pati një nismë entusiazte të ndërtimit dhe emancipimit të një shoqërie të re. Politika krijoi një përçarje të re shoqërore, pasojat e së cilës ndihen jo vetëm sot por do të ndihen dhe për disa vite të tjera. Të frysh urrejtje ndaj tjetrit, të deklarosh ndasi të reja, kjo është destruktive për çdo shoqëri. Nuk është varfëria ajo që e ka penguar përparimin e shoqërisë shqiptare, pasi Shqipëria e ka potencialin njerëzor dhe resurset e begatisë, por pikërisht kjo urrejtje e injektuar nga politika në shpirtrat tanë. Ja pse ngado nderet një atmosferë pesimizmi, disfatizmi, fataliteti, sikur Shqipëria të ishte prehë e një fati të mundimshëm dhe të paracaktuar, ndërkohë që fatin e tyre janë njerëzit që e kanë në dorë. Populli ka nevojë gjithnjë për një dritë utopie, por kjo, hë për hë nuk po duket. Në epokën totalitare, siç e përshkruaj në librin Udha e gjatë në Tunelin e Platonit (të botuar në Francë), shoqëria shqiptare në fundin e atij tuneli priste dhe qëmtonte ardhjen e asaj drite. Dhe në dalje kishte një verbim të madh të ngazëlluar, siç ndodh gjithnjë kur del në dritë, në diell, pas një qëndrimi të gjatë në errësirë. Por kjo dritë shpejt do të shuhej dhe njerëzit do të jetonin në një gri të dhimbshme. Sigurisht, që shpresa ekziston, dhe kjo ka të bëjë me proçesin integrues në Evropën e Bashkuar e cila do të dojë ende kohë, por ky tranzicion i rëndë që është kaluar në gati 20 vjet, ka lënë çikatriçe të dukshme, imazhe të pashlyeshme të një njeriu të traumatizuar.

Rreth figurës së Ismail Kadaresë flitet shumë. Cili është mendimi juaj për shkrimtarin Ismail Kadare ?
 
Ismail Kadareja është gjigandi i letërsisë sonë dhe letërsisa e tij është dhe do të jetë frymëzuese për gjenerata të tëra shkrimtarësh të rinj. Madje vite më vonë referenca ndaj tij do të jetë akoma më e madhe sesa sot (ashtu siç ndodh për autorë që rivijnë rrallë nëpër shekuj si ….) Në një shkrim për nobelistin e fundit metis (franko-mauricien) Le Clezio, duke vlerësuar padyshim letërsinë e tij, shkruaja se preferenca ime do të shkonte që nobelin ta merrte Kadareja, jo se ai është shqiptar, por sepse vepra e tij i përket një arti të fuqishëm. Eshtë e habitshme dhe e turpshme që ka njerëz, letrarë e kritikë shqiptarë pa vlerë që duan ta rrëzojnë «statujën» e tij letrare, duke vënë përpara mërinë e tyre meskine e personale dhe duke harruar kontributin e madh që i ka dhënë dhe i jep Kadareja kulturës shqiptare. Eshtë e habitshme që këtë nuk e bëjnë të huajt por pikërisht vetë ne shqiptarët. Që kur kam ardhur në Francë në vitin 1991 (kohë kur e kam takuar Kadarenë e fshehur në një nga apartamentet e Claude Durand në një ndërtesë pranë Boulogne-s) dhe deri më sot, në takimet e ndryshme me francezë apo dhe të huaj të tjerë kam pikasur gjithnjë se shumica e francezëve e njihnin apo e njohin Shqipërinë përmes letërsisë së Kadaresë. Dhe kjo nuk është vetëm për francezët, pasi vepra e Kadaresë është me rezonancë botërore. Kontributi i tij është një kontribut historik, na pëlqen apo s’na pëlqen si njeri. Njerëzit kanë huqet e tyre. Jean Cocteau, kur tregonte për mikun e tij Çarli Çaplin, thoshte se Çaplini i shikonte me dyshim ata që kërkonin të rrinin pranë tij, pasi mendonte se ata donin të përfitonin nga prania afër tij. Ky aspekt, apo natyra, karakteri i autorëve, etj, s’ka përse të ngatërrohet me vlerat e tyre artistike. Askush nuk pyet se si ka qenë Shekspiri si njeri, nëse ishte zemërak, hakmarrës, etj. Ne gjykojmë Shekspirin artist. Pra në një kohë që Kadareja ka shkuar në Olimp, ne merremi me « gërr-vëret » shqiptare. Me «Pallatin e Endrrave» etj, ai tashmë është pjesë e mitologjisë moderne. I përket universalizmit artistik botëror.

Po në Paris si konsiderohët Kadare?

- Padyshim, Kadareja vazhdon të konsiderohet si një shkrimtar shumë i madh jo vetëm në Francë por dhe në gjithë botën. Nganjëherë ne kërkojmë nga autorët e mëdhenj të njëjtën lloj vepre me të cilën jemi mësuar më parë. Por kjo nuk ndodh kështu. Le të marrim tre piktorë të mëdhenj të epokave të ndryshme: Rembrandt, Goya dhe Picasso. Në fundin e jetës së tyre, që të tre kanë bërë një tjetër lloj pikture: portretet e Rembrandt-it janë të errta dhe të mjera; ato të Goya-s në afresket e «Quinta del Sordo» apo në kishën San Antonio dela Florida, janë portrete të errta dhe të frikëshme, që përbëjne dhe «periudhën e errët» të Goya-s; ndërsa portretet e Picasso-s janë portrete fëminore. Por madhështia është gjithnjë aty.
 
Libri më i dashur nga krijimtaria juaj ?

 
- Çdo autor ka raportet e tij të veçanta me librat, veçanërisht autorët e mëdhenj. Po kështu ai ka marrëdhënie të veçanta me «pjellat» e tij. Për mua, që jam veç në fillime letrare, librat që kam shkruar dhe janë botuar nuk i lexoj më, madje nuk flas më për to. Më duket se janë mbyllur në një sallon të harruar. Pra nuk mund të them se cili është libri që pëlqej më shumë nga ato që kam shkruar. Në fakt, është ai që jam duke shkruar, pasi për atë mendoj, për atë pasionohem. Ai dhe më zgjon. Kjo gjë ngjan me ata që gjithnjë janë të dashuruar, dhe në çdo dashuri të re janë pasionantë dhe nuk kanë brerje për aventurën e ndërprerë që kanë kaluar më parë. Besoj se vërtet kur të shkruaj diçka që mund të mbetet, atëherë do ta kem gjithnjë të pranishme. Kadareja i ka të pranishme shumë nga veprat e tij dhe e ka të pamundur të ndahet nga to.
 
Luani shkrimtar dhe Luani diplomat. Të veçantat dhe të përbashkëtat e dy profesioneve sa të afërta po aq dhe të largëta?

- Të jesh shkrimtar dhe të jesh diplomat është padyshim një shans. Në diplomacinë e mëparshme, veçanërisht në Francë, që u kthye dhe në një traditë të njohur, shkrimtarët e njohur ishin të preferuar në diplomaci. Lamartini ishte ambasador dhe ministër i jashtëm, Stendali ishte konsull e kështu me rradhë për të ardhur në shekullin e XX me Paul Morand, Paul Clodel, me nobelistin e mëvonshëm, poetin Saint-John Perse, apo Raman Gary e gjer tek diplomatë të sotëm, madje dhe ministri i jashtëm dhe ish kryeministri Villepinte. Diplomacia i jep mundësi shkrimtarit të udhëtojë dhe të pikëtakojë botra të tjera, të njohë kuliset e jetës dhe të politikës, kuliset e vetë botës njerëzore. Kultura e bën atë interesant dhe të këndshëm në mjedisin e ftohtë dhe mosbesues të diplomacisë. Por sot shkrimtarët duket se kanë pak vënd në diplomaci. Tashmë janë njerëzit që hyjnë në politikë që duan të bëjnë
dhe diplomacinë. Diplomacinë amerikane p.sh. e kryesojnë veç politikanët, apo ata që vijnë nga partitë që fitojnë zgjedhjet.
 
Raportet me të bukurën, femëroren ?
 
Pa një raport me të bukurën është e kotë të ulesh të shkruash. Kur them të bukurën, sigurisht ajo nuk është thjesht paraqitja e një imazhi, forme, raporti që tenton perfeksionin. E bukura është si gjetja ashtu dhe mishërimi i saj. Më ka ndodhur shpesh që në njerëz që kam njohur apo që kam ndeshur në udhëtime të largëta, ta zbuloj të bukurën atje ku ajo nuk shfaqet që në fillim, nuk spikat, është e fshehur diku, nën petkun e të zakonshmes, madje dhe në atë që dikush mund ta cilësonte jo e bukur. Dhe kjo sepse mua më pëlqen e bukura e brëndëshme, ajo e ndenjës së fshehur, të përmbajtur, që nuk thotë asnjëherë «ja ku jam», e cila kur bën diçka të jashtëzakonshme, asnjëherë nuk thotë që «e bëra unë»; kur rrezikon për diçka, kjo sakrificë, personazhit i duket si më e zakonshmja. Kjo është e bukura që na bën të themi se «kjo është e pamundur». Kjo është ajo që na frymëzon për ta bërë dhe ne. Në këtë kuptim letërsia udhëheq dhe prin shpirtrat en jerëzve. Eshtë si fakti i thjeshtë i nënës së shkrimtarit të njohur Roman Gary, autorit të romanit biografik «Premtimi i ditës», e cila gjatë kohës së Luftës së Dytë Botërore, kur i biri ishte aviator në luftë, larg në Afrikë, ajo i dërgonte çdo javë një letër. Kur Gary u kthye nga lufta dhe shkoi të takonte të ëmën, mësoi se ajo kishte vdekur që para një viti, edhe pse kishte marrë një letër para një jave. Kur e kishte ndjerë se do të vdiste, ajo kishte shkruar shumë letra, të cilat ia kishte dhënë një mikeshës së saj që t’ia postonte të birit çdo javë. Ajo nuk donte ta trishtonte të birin në atë luftë që nuk dihej nëse ai do të kthehej apo jo. Ju më pyesni për femëroren dhe padyshim nuk ka letërsi pa femrën. Adami dhe Eva, në formën e tyre moderne dhe të shumtrajtëshme, janë gjithnjë të pranishëm në veprat e letrarëve. S’mund të ketë letërsi thjesht vetëm femrore apo vetëm mashkullore. Polet nuk mund të ekzistojë pa praninë e njëri tjetrit. Por sigurisht, femra na tërheq për ta deshifruar atë, për të njohur enigmën e ngjizmës së saj, atë që është dhe sensuale, aventurën, dehjen… Kjo ka ndodhur kështu në mijra vjet dhe do të ndodhë në mijra vjet të tjerë, sado që teknologjia tenton t’i modifikojë këto marrëdhënie. Alkimia «faustiane» nuk do të mund asnjëherë ta shuajë pulsimin e shpirtrave.
 
Mjetet moderne të shkrimit…
 
Eshtë e vërtetë që çdo shkrimtar ka mënyrën e tij te të shkruarit, pasi proçesi letrar nuk është i njëjtë në autorë të ndryshëm. Shumë shkrimtarë të sotëm, madje prolifikë, punojnë me mjetet e teknologjisë së re, drejtpërdrejt në ordinator, ndërsa ka të tjerë që shkruajnë në fletore apo copa letrash, por këta po bëhen gjithnjë e më të pakët. Dorëshkrimet e veprave të mëdha tashmë janë bërë të rralla, pasi autorët përdorin elektronikën, duke mos lënë gjurmë në letër. Jacques Lacarrière, një miku im poet e filozof, që në fillimet e tij letrare shkruante në një makinë të vjetër shkrimi. Ai e kishte të pamundur të ulej para një ordinatori. Ka shkrimtarë që u diktojnë të tjerëve të cilët shtypin në ordinator. Megjithatë, letra mbetet diçka intime, edhe pse ordinatori të ndihmon të ecësh shpejt, të ndryshosh vënde episodesh, të manipulosh me tekstin shumë më kollaj sa kur e ke atë në letër. Sot pak dorëshkrime ka. Madje tashmë teknikat e reja kanë bërë të mundur që romanet të lexohen në një libër elektronik, pra në të njëjtin format si libri, ku brënda tij janë të regjistruar disa romane. Se ç’do të ndodhë me librin dy shekuj më pas nuk dihet, por një gjë është e sigurt : imazhi do të bëhet prioritar, pra paraqitja e botës, e jetës, e ndjenjave, e dramës dhe e përjetimit do të përcillet më shumë përmes imazhit.
 
Krijimtaria letarare

- Këto ditë ka dalë nga shtypi libri Pikëtakim me Jean Cocteau-në, ku pas një studimi të gjatë mbi jetën dhe veprën e këtij akademiku francez, i konsideruar «Princ i Poezisë» dhe artist i gjithanshëm, (i cili shkëlqeu dhe në teatër ashtu si dhe në kinematografi), kam bashkangjitur disa tekste të përkthyera nga krijimtaria e tij, midis të cilave, një përmbledhje poetike, disa kritika mbi artin, dramën me një akt Zëri Njerëzor, i interpretuar në skenat evropiane; skenarin e filmit surealist Gjaku i Poetit, aq të pëlqyer përtej Atlantikut; një përmbledhje të letrave të dashurisë që ai i dërgonte aktorit Jean Marais, të njohur nga publiku shqiptar, etj. Pas një jave do të dalë nga shtypi, botimi po i «Globus R», Jean Moréas, poeti nga Morea, një libër që ia kam kushtuar poetit me origjinë arvanitase Jean Moréas, (Jani Morea) themeluesit të simbolizmit francez, të vdekur në Paris në vitin 1910. Kjo figurë është e panjohur nga lexuesi shqiptar, por ai ishte një personalitet i rëndësishëm i poezisë franceze të fundit të shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX. Ishte mik i afërt me poetët e mëdhenj Paul Verlaine apo Stephane Mallarmé. Poeti i madh Guillaume Apollinaire, e mbante atë si «atin e vet shpirtëror», dhe është ai që në disa shkrime për të shkruan për familjen shqiptare Diamanti, mbiemri i paraardhësve të Jean Moréas, i cili e la Athinën që në rinninë e tij. Ndërkohë po përfundoj një libër mbi skribët e hershëm dhe dorëshkrimet e purpurta, për të cilët ka shkruar Umberto Eço në romanin e tij Në emër të Trëndafilit. Por nxitje për këtë është ajo e dy kodikëve të vjetër Beratinus 1 dhe Beratinus 2, si dhe dëshira për t’i njohur publikut të gjërë dorëshkrimet e rralla të njërëzimit, si Codex Sinaiticus, Codex Vaticanus, Codex Alexandrinus, pergamenët e hershëm të kohës të teksteve të Virgjilit, apo kohën e “Dorëshkrimeve të Detit të Vdekur”, dëshmitë më të vjetra të Biblës hebraike apo ndryshe “Testamentit të Vjetër” të Kishës së sotme.etj.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora