E marte, 15.10.2024, 08:30 AM (GMT+1)

Kulturë

Krijime të reja poetike nga Albina Idrizi?

E merkure, 04.03.2009, 06:09 PM


Albina Idrizi
Albina Idrizi
Albina Idrizi

ËNDRRAT NUK VDESIN KURRË

Na bartin tutje
Si fluska ,
Me zë sirene
Na joshin.
Na rëndohen,
Si gurë Sizifi
Në çaste agonie,
Kurrë për të mos tretur.
Dinake ikin
Nga shpirt i fikur,
Lavdi e vrarë
E gladiatorit në arenë.
Ngarendin vrap
Pas syve të njomë,
Kurrë për të mos vdekur.

MË SHTRËNGO DORËN

Kur dëgjon ofshamë
dhe lot të sheh syri,
dhembja del në pah
pa gjuhë,
pa ngjyrë,
më shtrëngo dorën
njeri,
ngado që të vish.

Se jeta di të jetë
edhe e tillë.

Kur kullat e shpresës
të shemben,
dhe e nesërmja duket larg
shumë larg,
të lutem
më shtrëngo dorën.
Bëhu mur i mbështetjes sime
gjer në agimin e ri.

Se jeta di të jetë
edhe e tillë.


Edhe atëherë, kur pandeh
se çdo gjë ka marrë fund
dhe fuqi s’kam për të të thirrur,
vazhdo
të më shtrëngosh dorën
gjer në pulsin e fundit.
Beso, unë do ta ndjejë
dhe do prehem i qetë.

Se jeta di të jetë
edhe e tillë.

E një ditë,
kur erërat të fryjnë drejt teje
dhe puhitë në shtrëngata të shëndërrohen,
do të të duhet
një dorë që shtrëngon
edhe tënden njeri.
Të mbështetesh nga lodhja,
të çlodhesh nga vrapi.

Se jeta di të jetë
edhe e tillë.

LETËR TITANËVE

Gjithçka është ndryshe
këtu poshtë.
Është ftohtë
e mjegull ka ngapak.
Gjërat nuk duken qartë
dhe njerëzit, pahiri
godasin njëri tjetrin.
Shkelen në thembrra,
vrahen në sy.
Pastaj lindin
zënkat, hasmëritë.
Të padurueshmit
rebelohen.
Frikacakat therrin kurbanë
në emrin tuaj.
Më të urtët presin
me sytë lart
kur do nxirrni nga goja
paqen e gllabëruar.

E PËRHITURA

Prapë ballo në sallonin mondan
Edhe një herë
E përhitura zgjohet dhe shkundet nga hiri
Ku e hodhi njerka kobzezë
Prapë kreatorë mode
          Nga mbarë bota
Sillen e pështillen
Rreth trupit të saj
Matin e çmatin
Për të kushedi të satën herë
Shtyhen, shajnë, fjalosen
Kush e kush do e qepë fustanin përfundimtar
E përhitura shtrinë trupin e drobitur
Dhe pret ne pritje jetimi
( e jetime nuk është)
Heq, copto, por kot
E vërteta nuk mbulohet
Këtu një këmbë del më e gjatë
          Atje një krah shtohet
          Teksa, ajo vetë       
          Pyetet e pyetet
          Vallë,
Do të kurorëzohet
Si i ka hije këtë herë
E asesi të shkundet
Nga hiri i mallkuar.

(shkurt 2008)


TARTUFI  ËSHTË  KËTU

Kujdes, o njerëz
          Tartufi është këtu.

          Aq i tmerrshëm
           nën maskën e tij, sa
kam frikë
ta shoh në sy,
dhe më shumë akoma
t’ia  kthej shpinën.

O njerëz, kujdes!
Ju të vuajturit,
të mashtruarit,
o më të dashurit e mij,
kujdes!

          Si nuk e ndjeni vallë
si  paturpshëm
ha në sofrën tonë,
pi nga burimet tona,
tallet, ah djalli e marrtë,
si tallet me besimin tonë.

Kam frikë
ta shoh në sy,
po dhe më shumë akoma
t'ia kthej shpinën.

Kujdes, kujdes
të vuajturit,
të mashtruarit,
të dashurit e mij.

TË JESH GRUA

Të jesh grua
Do të thotë të zgjohesh për çdo ditë
Me një fytyrë të re shenjtëreshe
Për t`u shndërruar prapë
Mbrëmjeve në të përdalë

Të jesh grua
Do të thotë të ndjellësh
Të frenosh epsh
E të aktrosh orgazma
Të flasësh më tepër
Kur s`ke asgjë për të thënë
Të qeshësh më tepër
Kur s`ka asgjë për të qeshur

Të jesh grua
Do të thotë të jetojnë në ty
Në të njejtën kohë
Nënë Terezë e Mata Hari
Lolitë e Sheherzadë
Safo e Shën Mëri.
E prapë
Të jesh vetvetja.

ATË DITË

Atë ditë
kur më gjuajte mua
vetveten vrave.
Në betejë me përbindshin
një njeri më pak.

Atë ditë
kur më gjuajte mua
vetveten vrave.
Në imazhin tënd
më të mirë.
                          
VJEN NJË KOHË

Vjen një kohë
E tallemi me
Atë që kemi thënë dje

Vjen një kohë
E rrënojmë
Atë që kemi ngritur dje

Vjen një kohë
 E urrejmë
Atë që kemi adhuruar dje

Vjen një kohë
E turpërohemi me
Atë që jemi mburrur dje

Gjithmonë,
Gjithmonë vjen një kohë…

JAM NËNË

Jam  nënë dhe
Kam durim, kam fuqi
Perëndie
Kam etje, kam dashuri
Hyjnie.

Biri im

Jam nënë dhe
Mund ta ha veten
Mund ta vjellë
Mund ta përpijë prapë

Biri im

Jam nënë dhe
Më qeshet kur gëzohesh ti
Më qahet kur dëshpërohesh ti
Më dhemb atje ku lëndohesh ti

Biri im

Jam nënë dhe
Mund të falë atë
Që s`falet
Mund të marrë atë
 Që s`merret

Se jam nënë
Vetëm se jam nënë

Biri i im.
                               
BALLË PËR BALLË ME TOKËN

Dasmë Shkurti
Ngrin e ndez dej
Me ashkun e mbledhur
Ndër shekuj,
Tek të sjell
Përballë meje, Nuse
Mbuluar nën Vellon
E përbiruar
Mes për mes palcës
Së gjakut tim
Dhe ndërron ngjyrë
Ndërron pamje.

(Le të më falin hyjnitë
Le të më ndjejnë besimtarët).

Unë të dua
Të tërën,
Të bukurën
Si dikur.

Pas të vjen
Pako e së qëndisurës pajë
Ndër mote e mote.
Dhe s’kam
Si të mos pyetem -
Thua vallë
Brenda saj
Të jenë të gjitha:
Ofshamat e nënave,
Ëndrrat e të rënëve,
Dasmat pa këngë,
Vdekjet pa vaje!?

Të jetë aty
Ai, Gjindi i përrallave tona
I ndrydhur me shekuj!?

(Oh,  prapë
Le të më falin hyjnitë,
Le të më ndjejnë besimtarët).

Ja që të dua
Njësoj si dikur,
Të tërën
Të bukurën.

Me qindra herë
Dhëmbë ukju m’u ngulën
Pabesisht në shpinë,
E prapë  qëndrova.
Me qindra herë
Ndërkëmbëz tinzare
Më rrëzoi përtokë,
E prapë u ngrita.
Acar akulli siberian
Më shpoi
Tejpërtej trupit,
Po
Prapë gjallë mbeta.

Se të dua, të dua moj
Të tërën,
Të bukurën
Si dikur.

( Edhe njëherë
Le të më falin hyjnitë,
Le të më ndjejnë besimtarët).
                                
(17 shkurt 2008)

POETI I TOKËS SIME

Poeti i tokës sime
Nuk çan kokën për
Kurorë lavdesh, hymnesh,
Panteonesh botërore. 
Vargjet e tij
Ç’rimohen nga të vocrrit Lulë
Hamej, duhanshitës
Tregjeve të ndërgjegjes.
Hije e tij bëhet njësh
Në sfond prapaskene
Spektaklesh, përurimesh koti.

Dhe, një pikë nuk i vë dot fundin
Poezisë së tij.

Poetin e tokës sime
Gjer në kockë
Gërryen laps i zi
Me dhembjen për të pagjeturit.
Gjer në palcë
I qullet e bardha letër
Me  lotë nënash.
Frymë e tij
U jep shpirt përmendoreve

Dhe, një pikëçuditje nuk tregon dot
Dëshprimin e tij.

Poeti i tokës sime
Pushtohet në vetëflijim vetjak
Nga atrofi sysh,
Atrofi zemre.
Horizonti i tij
Hapet, thellohet
Nën aureolë drite
Me sy e zemër të pavarur
Populli.

Dhe, nëpër tri pika
Ecë e nuk ndalet vargu i tij...


PANDORA

Me shpirtin baltë
çapitet nëpër botë
e bukura Pandorë.
E kush mund t’i ik
Mëkatit të ëmbël
Që të joshë e thërret
E më pastaj të vret

TË DASHUROSH

Të dashurosh
Do të thotë
Të japësh nga vetja
Gjer në dhembje
E të të mos mjaftojë
Vetja e dhënë

Të dashurosh
Do të thotë
Të marrësh nga vetja
Gjer në dhembje
E të të mos mjaftojë
Vetja e marrë.

ALARMI ËSHTË DHËNË

Shpëto ç’ të mundesh
nga vetvetja.
Është kohë stuhish,
zjarresh e
vërshimash.
Nder, dinjitet, emër
shpëto si të mundesh
e ç’të mundesh.
Alarmi është dhënë

VDEKUR KAM PA LINDUR AKOMA

Jetë
Nëse të shoh
Përpara vetes
S`kam për të lindur kurrë
Kam parë më shumë
Se që më duhet nga ti
Nëse më qëndron pas shpine
S`kam parë asgjë
Vdekur kam pa lindur akoma
Nëse ecën me mua
Pa vrapim para
Pa kthim mbrapa
Je në mua
Shtërzim, ekstazë
Ku mbarsem e pjell
Me qindra here në ditë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora