E hene, 04.11.2024, 01:57 PM (GMT)

Kulturë

Silke Liria Blumbach: Nje kryeveper nga prozatori me i madh danez Jens Peter Jacobsen

E shtune, 28.02.2009, 09:05 PM


Jens Peter Jacobsen
Jens Peter Jacobsen
Te dashur miq,
 
kam rigjetur ne internet nje liber qe e kam lexuar si adoleshente. Tani libri, sidomos pjesa e fundit, thjesht me ka magjepsur. Behet fjale per romanin "Zonja Marie Grubbe", nje kryeveper nga prozatori me i madh danez Jens Peter Jacobsen (1847-1875). Ky roman historik dhe psikologjik bazohet mbi nje rast te vertete nga shekulli i 17-te.
 
Protagonistja Marie Grubbe, aristokrate, nje grua sensibel ne kerkim te dashurise se vertete dhe jetes autentike, perjeton dy martesa te keqia, kur me ne fund, si bashkeshorte e aristokratit Palle Dyre, bie ne dashuri te pafrenueshme, te dyanshme me punetorin e thjeshte Soren (shkruhet me o te pershkuar nga nje vize dhe shqiptohet si ë, por e le si ne perkthimin anglisht), shume me te ri se ajo. Pjesa e fundit per dashurine dhe martesen e saj me Soren eshte pjesa me e mrekullueshme e librit dhe eshte njekohesisht historia me e bukur e dashurise qe njoh.
 
Sapo te gjej kohe, do te perkthej per ju dhe do t'ju dergoj si dhurata e SARANDA TRANSLATIONS per Krishtlindjet tri pjese te shkeputura kryesore.
 
Pjesa 1 - Si Soren dhe Marie ia shfaqin dashurine njeri-tjetrit.
Pjesa 2 - Deri ku shkon Soren per t'ia provuar Maries dashurine e tij.
Pjesa 3 - Filozofia e Maries dhe njekohesisht mesazhi i autorit.
 
Pra gezojini ne ditet qe vijne!
 
Juaja
Silke Liria


Ketu eshte pjesa e pare qe kam perkthyer nga "Zonja Marie Grubbe" prej autorit danez Jens Peter Jacobsen. Jacobsen jetonte ne shekullin XIX dhe ishte biolog. Kur u semur nga pneumonia, filloi te merrej me shkrim. Vdiq ne moshe te re nga pneumonia. Edhe pse vepra e tij eshte e vogel me dy romane dhe nje permbledhje novelash, konsiderohet si prosatori me i madh i Danimarkes. Ka ndikuar mbi gjithe letersine e mevonshme daneze dhe u la pershtypje letrareve te huaj, mes tjerash edhe poetit gjerman Rilke.
 
Marie (46), ne martese te palumtur te dyte me fisnikun Palle Dyre, dhe sherbetori i cifligut Soren (22) heshturazi kane rene ne dashuri me njeri-tjetrin. Ndersa Marie i ballafaqon keto ndjenje me lexim, Soren sheh vetem nje zgjidhje per ndjenjat e tij ...
 
        Disa ditë më vonë, Marie Grubbe ishte në shtëpinë e përgatitjes së birrës në Tjele duke përzier mjalin e fermentuar; se shumë prej zgjonjve ishin dëmtuar në natën e djegies. Ajo gjendej në qoshe pranë vatrës duke shikuar derën e hapur, ku qindra bletash, të tërhequra nga era e ëmbël e mjaltit, gëlonin, xixëllinin si ar në brezin e dritës së diellit, që e përshkonte errësirën.
        Mu atëherë erdhi Soren nëpër portën duke ngarë një karrocë me të cilin kishte përcjellë Palle Dyren në Viborg. Ai kapi një shikim të shpejtë të Maries dhe u shpejtua t'u hiqte kuajve frerët; t'i çonte në ahur dhe ta rregullonte karrocën. Pastaj u kapardis pak, me duart e futura thellë në xhepat e palltos së tij të gjatë, siç e kishin mbajtësit e kuajve, me sytë e ngulur në çizmet e tij të mëdha. Befas u kthye drejt shtëpisë së përgatitjes së birrës, duke lëkundur një krah me vendosmëri, duke rrudhur vetullat dhe kafshuar buzët, si një burrë që e detyron veten për një vendim të pakëndshëm, por edhe të pashmangshëm.
        Në fakt i ishte betuar vetes gjatë gjithë rrugës nga Viborg në Foulum se kjo duhet të mbaronte, dhe e kishte mbajtur lart guximin me një shishe të vogël, të zilin zotëriu kishte harruar ta merrte nga karroca.
        E hoqi kapelën kur hyri në shtëpi, por nuk tha gjë, vetëm gjendej atje i sekëlldisur duke kaluar gishtat përgjatë buzës së govatës së birrës.
        Maria pyeti nëse Soren kishte ndonjë mesazh për të nga bashkëshorti i saj.
        Jo.
        A donte Soren ta provonte birrën e re, apo donte një copë mjaltë sheqeri?
        Po, falëminderit – ose më mirë, jo, falëminderit – nuk kishte ardhur për këtë arsye.
        Maria u skuq dhe ndihej krejt e parehatshme.
        A mundet t’i bënte një pyetje?
        Po, mundet.
        Pra, atëherë, e gjitha që donte të thoshte ishte kjo, me lejen e saj, se ai nuk qenkej krejt me mendtë, sepse qoftë i zgjuar, qoftë në gjumë, nuk mendonte për gjë tjetër përveç për zonjën, dhe nuk kishte ç'i bënte.
        Ah, por ishte kjo që Soren duhet ta bënte tamam.
        Jo, nuk ishte aq i sigurtë për këtë, sepse nuk mendonte për zonjën në mënyrë që të kujdesej për punën e tij. Ishte krejt e ndryshme; ai mendonte për të në mënyrën që njerëzit e quajnë dashuri.
        Ai e vështroi me një shprehje të druajtur, pyetëse, dhe dukej mjaft i zemërlëshuar kur bëri jo me kokë pasi Maria iu përgjigj se kjo qenkej në rregull, ishte ajo që prifti thoshte që të gjithë duhet të bënin.
        Jo, as nuk ishte në atë mënyrë; ishte si ta thuash të dashurosh. Por patjetër nuk kishte asnjë arsye për të – ai vazhdoi me një ton të mërzitur sikur të kërkonte sherr –, me siguri një zonjë aq e lartë do të kishte frikë t'i afrohej një fshatari të rëndomtë të varfër, edhe pse në të vërtetë fshatarët ishin disi në gjysmë rrugë si njerëz po ashtu, si fisnikëria, dhe nuk kishin as ujë as uthull në damarët. E kishte të qartë se zotërinjtë mendonin se ishin një lloj me vete, por në të vërtetë ishin bërë tamam njëlloj si të tjerët, dhe ai dinte me siguri se ata hanin dhe pinin dhe flinin dhe të gjitha këto gjëra tamam si harbuti fshatar më i ulët dhe më i rëndomtë. Dhe kështu mendonte që nuk do ta lëndonte zonjën më shumë po t’ia puthte gojën se po t'ia kishte puthur një zotëri fisnik.
        Paj, nuk kishte pse ajo ta shikonte ashtu, edhe pse ishte disi i lirë në fjalët e tij, sepse nuk kujdesej më për atë që thoshte, dhe ajo ishte e mirëseardhur për t’i krijuar telashe, nëse donte, sepse kur të largohej prej saj, do të shkonte menjëherë për t’u mbytur në liqenin e mullirit ose do t’i vinte vetes një litar përreth qafës.
        Nuk duhet ta bënte këtë, sepse ajo kurrë s’kishte ndërmend t’i thoshte ndonjë krijese të gjallë ndonjë fjalë kundër tij.
        Si nuk kishte? Mirë këtë mund ta besonte çdo njeri që ishte mjaft i thjeshtë, por s’prishte punë. Ajo i kishte krijuar mjaft telashe, dhe ishte vetëm faji i saj që ishte për ta vrarë veten, se e dashuronte jashtë mase.
        Ishte ulur mbi një bankë dhe i ngulte sytë me një shikim të pikëlluar nga sytë e tij të mirë besnikë, ndërsa buzët i dridheshin sikur të luftonte me lotë.
        Ajo nuk mund të mos i afrohej dhe i vinte një dorë ngushëlluese në sup.
        Më mirë ta mos bënte këtë. Ai dinte shumë mirë se po ta prekte me dorë duke i thënë vetes disa fjalë të qeta, ajo mund t‘ia prishte kurajën, dhe këtë ai nuk do ta pranonte. Gjithsesi, ajo edhe mund të ulej pranë tij, ndonëse nuk ishte asgjë përveç një fshatari të ulët, duke pasur parasysh se para perëndimit të diellit do të ishte i vdekur.
        Maria u ul.
        Soren e shikoi anash dhe u largua pak në bank. Tani do të ishte më mirë, mendonte, të thoshte lamtumirë dhe t’i falënderonte zonjës për gjithë mirësinë e saj gjatë kohës kur kishin njohur njëri-tjetrin, dhe ndoshta ajo do t’ia përcillte përshëndetjet e tij kushërirës së tij Ana – pjatalarëses në çiflig.
        Maria ia mbajti dorën.
        Mirë, tani do të ikte.
        Jo, ai duhet të rrinte; nuk kishte njeri në gjithë këtë botë që e donte si atë.
        Ah, kjo ishte vetëm diçka që e thoshte sepse kishte frikë që ai mund t'i fanitej si fantazmë, por për këtë mund të ndihej e sigurtë; sepse nuk kishte asnjë nakar kundër saj, dhe pasi vdiq nuk to t’i afrohej kurrë; këtë do t’ia premtonte edhe do ta mbante, vetëm duhet ta lëshonte tani.
        Jo, kurrë s’do ta lëshonte.
        Pastaj, si të mos kishte më ç'i bënte - Soren tërhoqi me vrull dorën e tij dhe vrapoi jashtë shtëpisë së birrës dhe nëpër oborrin.
        Maria e ndoqi këmba-këmbës, kur ai u hodh në strehimin e burrave shërbëtorë, përplasi derën pas tij dhe e mbajti të mbyllur me kurrizin e tij.
        “Hape derën, Soren, hape derën, ose do t’i thërras shërbëtorët!”
        Soren nuk iu përgjigj, por qetësisht nxori nga xhepi një gjalm të zi dhe filloi ta mbyllte shulin me të duke mbajtur derën të mbyllur me gjurin dhe supin. Kërcënimi i saj t'i thërriste shërbëtorët e tjerë nuk e alarmoi, sepse dinte që ata të gjithë ishin në fushat e largëta duke kositur barin.
        Maria goditi derën me sa fuqi kishte.
        “Zot i mëshirshëm!” thirri. “Pse nuk del! Të dua aq shumë sa mundet një qenie njerëzore ta duajë një tjetër! të dua, dua, dua - o, ai nuk më beson! Ç’të bëj – korba e zezë që jam!”
        Soren nuk e dëgjoi, sepse kishte kaluar nëpër dhomën e madhe të përbashkët në dhomën e vogël të pasme, ku zakonisht flinin gjumë ai dhe rojtari i pyllit. Këtu donte të realizonte atë që kishte ndërmend, por atëherë kujtoi se do të ishte gjynah për rojtarin e pyllit; do të ishte më mirë ta vriste veten në dhomën tjetër, ku flinin disa sherbëtorë. Doli prapë në dhomën e madhe.
        “Soren, Soren, lermë të hyj, lermë të hyj! O, të lutem hape derën! Jo, jo, ah, po e var veten, dhe këtu jam unë. O, në emër të Zotit të madh, Soren, hape derën! Të kam dashur prej çastit të parë kur të pashë! A s’më dëgjon? Nuk ka asnjë njeri që e dua aq shumë se ty, Soren, asnjërin – asnjërin në botë, Soren!”
        “Në të vërtetë?” iu përgjigj zëri i Sorenit, i ngjirur dhe i panjohshëm, pranë derës.
        “O, lavdi Zotit përgjithmonë! Po, po, po, në të vërtetë, në të vërtetë! Betohem me benë më të fortë që ka në botë që të dua me gjithë shpirtin tim. O Zot, qofsh i lavdëruar përgjithmonë …”
        Soren e zgjodhi gjalmin, dhe dera befas u hap. Maria u vërsul në dhomë dhe u hodh në gjoksin e tij, duke dënesur dhe duke qeshur. Soren dukej i ngatërruar dhe pothuaj s’dinte si ta merrte.
        “O, lavdi Qiellit që të kam përsëri!” thirri Maria. “Por ku doje ta bëje? Ma thuaj!” Me kureshtje shikoi nëpër dhomën dhe pa shtretërit e parregulluar, ku jastëkë të zbërdhulët, rrogoza kashte dhe çarçafë të pista lëkure gjendeshin në grumbuj të parregullt.
        Por Soren nuk u përgjigj; e vështroi Marien me inat.
        “Pse nuk ma the më parë?” tha dhe ia goditi krahun.
        “Më fal, Soren, më fal!” qau Marie duke e shtrënguar fort. Sytë e saj kërkuan të tijtë duke lutur.
        Soren u përkul me habi dhe e puthi. Ishte tërësisht i çuditur.
        “Dhe as nuk luan as nuk shoh vizione?” pyeti përgjysëm për veten.
        Marie buzëqeshi dhe bëri jo me kokë.
 
JENS PETER JACOBSEN

Pak para Krishtlindjeve, Palle Dyre u kthye në shtëpi dhe qëndroi atje, gjë që u dha fund takimeve të Sorenit me Marien. Me qëllim që shërbëtorët e tjerë të besonin që e gjitha mbaroi, të mos i vinin zotëriut me thashetheme, Soren filloi të bënte sikur dashuronte Ana Trinderupin, dhe i mashtroi të gjithë, duke përfshirë bile Marien, ndonëse i kishte treguar për planin e tij.
        Në ditën e tretë të Krishtlindjeve, kur shumica e njerëzve ishin në kishë, Soren gjendej pranë krahut të banesës feudale duke luajtur me njërin nga qentë, kur papritmas dëgjoi zërin e Maries, që e thirri, i dukej që vinte nga nëntoka.
        U kthye dhe e pe Marien në qepengun e ulët që çonte në bodrumin e kripës. Ajo ishte e zbehtë dhe kishte qarë, dhe sytë e saj dukeshin të egër dhe të përhumbur nën vetulla që ishin të vizatuara me dhembje.
        “Soren”, tha, “çfarë kam bërë, që ti nuk më do më?”
        “Por unë të dua! A nuk sheh dot që duhet të kem kujdes, se të gjithë vetëm mendojnë se si mund të më krijojnë telashe dhe të më vrasin. Mos më fol; më le të iki nëse nuk dëshiron të më shohësh të vdekur!”
        “Mos më gënjej, Soren; unë mund të shoh se çfarë ke në zemrën tënde, dhe nuk të uroj asgjë të keqe, as nuk për një orë të vetme, sepse nuk jam njëlloj me ty sa i përket rinisë, dhe ti ke pasur gjithmonë një simpati për Anën, por është gjynah që ta bësh para syve të mi, Soren; nuk duhet ta bësh këtë. Mos mendo që të lyp të më marrësh, sepse e di shumë mirë në çfarë rreziku do të të çoja, dhe gjithë mundimi dhe lodhja që do të ishin të nevojshme po të bëheshim një çift për vete, dhe kjo është diçka që thuajse nuk mund të dëshirohet as për ty as për mua, edhe pse këtij mendimi nuk mund t’i shmangem”.
        “Por nuk dua Anën as tani as kurrë, gërdallë fshatare që është! Të dua ty dhe asnjë tjetër në botë, le të të quajnë plake dhe të keqe dhe çfarë dreqi ta kanë qejf”.
        “Nuk të besoj dot, Soren, për më shumë që dëshiroj”.
        “Ti nuk më beson?”
        “Jo, Soren, jo. E vetmja dëshirë që kam është që kjo të jetë varri im, pika ku po gjendem. E mbyllsha derën mbi mua dhe u ulsha atje poshtë për të fjetur përgjithmonë në errësirë”.
        “Do të të bëj të më besosh!”
        “Kurrë, kurrë! nuk ka asgjë në gjithë botën që mund të bësh për të bërë që të të besoj unë, se nuk ka arsye për të”.
        “Ti më çmend me fjalët e tua, dhe do të pendohesh gjithë jetën, sepse do të bëj të më besosh, edhe më djegshin gjallë ose më vrafshin për këtë”.
        Marie bëri jo me kokë dhe e shikoi me trishtim.
        “Atëherë duhet të jetë, ardhtë ç’duhet të vijë”, tha Soren dhe iku me vrap.
        U ndal në derën e kuzhinës, pyeti për Ana Trinderupin dhe iu tha se ishte në kopsht.
        Pastai ai doli dhe shkoi në shtrehimin e burrave sherbëtorë, mori nga dhoma e rojtarit të pyllit një pushkë të vjetër të ngarkuar dhe u sul në kopsht.
        Ana priste lakërjeshile kur Soren e pa. Ajo kishte mbushur përparësen e saj me lëndën e gjelbërt dhe mbante gishtat e një dore para gojës për t’i ngrohur me frymën e saj. Dalëngadalë Soren u përvodh drejt saj me sytë e ngulur në buzën e fustanit të saj, sepse nuk donte të shihte fytyrën e saj.
        Befas Ana u kthye dhe pa Sorenin. Shikimet e tij të zymta, pushka dhe afrimi i tij tinëz e alarmuan, dhe i thirri: “O mos, Soren, mos!” E ngriti pushkën, dhe Ana u turr nëpër dëborë me një klithmë të egër çjerrëse.
        Pushka krisi; Ana vazhdoi së vrapuari, pastai vuri dorën në faqen e saj dhe ra në tokë me një britmë të llahtarshme. Soren hodhi pushkën poshtë dhe vrapoi në anën tjetër të shtëpisë. E gjeti qepengun të mbyllur. Pastaj në hyrjen kryesore, në dhe nëpër të gjitha dhomat, derisa gjeti Marien.
        “Mbaroi krejt!” pëshpëriti, i zbehtë si kufomë.
        “A të ndjekin, Soren?”
        “Jo, e kam pushkatuar”.
        “Anën? A, çfarë do të na bëhet! Vrapo, Soren, vrapo – hipi një kali dhe ik, shpejt, shpejt! Merr kalin gri!”
        Soren u zhduk. Një çast më vonë iku me galop nga porta.

Shume vite kane kaluar. Pas divorcit te Maries nga Palle Dyre dhe pas kohes se pare plot varferi dhe mundime, Soren dhe Marie posedojne tragetin e lumit si dhe nje han. Me gjithe veshtiresite, Marie eshte me e lumtur se kurre. Nje dite, Soren vret pa dashje nje njeri dhe burgoset. Ne kete kohe shperthehet murtaja ne Kopenhagen. Njeri nga refugjatet e murtajes eshte intelektuali Holberg, qe rri ne hanin e Maries. Mes te dyve zhvillohet kjo bisede:
 
        Një mbrëmje pas konsolidimit të shoqërisë së tyre, Marie ia tregoi historinë e saj dhe mbaroi me një ofshamë sepse ia kishin marrë Sorenin.
        “Duhet të pranoj”, tha Holberg, “që jam krejt i paaftë të kuptoj se si mund t’ia preferosh një burrë të rëndomtë, një fshatar të shëmtuar, një zotëriu aq të rafinuar sa Lartësia e Tij, Nënmbreti, i cili lavdërohet nga të gjithë si njëri nga mjeshtrat e vjetër sa u përket të gjitha mirësive të zakoneve, jo, si modeli i gjithçkaje që është elegante dhe e këndshme”.
        “Edhe pse mund të ketë qenë aq i plot me ato sa libri që e quajnë ‘librin e vjetër të zakoneve’, nuk do të kishte rëndësi as për një çast, sepse një herë e përgjithmonë kisha krijuar për të një neveri dhe urrejtje aq të madhe që vetëm me zor duroja të isha në prezencën e tij – kështu që nëse njëri ka virtytin dhe parimet e një engjëlli, kjo neveri vetëm do të shtohej. Nga ana tjetër, bashkëshorti im i tanishëm i varfër ka zgjuar brenda meje një prirje aq të menjëhershme dhe të pakërkuar saqë mund t’ia atribuoj vetëm një tërheqjeje të natyrshme, që do të ishte kot t’i bëja ballë”.
        “Ha! Ky ishte vërtet një arsyetim i mirë! Atëherë duhet vetëm të mbledhim të gjitha parimet morale në një shportë të fortë dhe ta dërgojmë në Hekkenfel dhe të vazhdojmë të jetojnë sipas dëshirave të zemrave tona, sepse atëherë asgjë nuk mund të quhet paturpësi, por mund ta veshim si tërheqje të natyrshme dhe të papërmbajtshme; dhe në të njëjtën mënyrë nuk ka asnjë virtyt, por mund t’i shmangemi lehtë zbatimit të tij. Se njëri mund të ketë një neveri për vetëpërmbajtje, tjetri për ndershmëri, tjetri për modesti, dhe do të thoshte që një neveri e tillë është krejt e pafrenueshme, kështu që njeriu që e ndien është krejt i pafajshëm. Por ju keni një botëkuptim tepër të qartë, zonjë, kështu që duhet të dini se të gjitha këto nuk janë asgjë përveç koncepteve të këqia dhe biseda të çmendura”.
        Marie nuk dha asnjë përgjigje.
        “Por ju besoni te Zoti, zonjë”, vazhdoi usta Holberg, “dhe në jetën e amshuar?”
        “Po, lavdi Zotit, besoj. Besoj në Zotin tonë”.
        “Por dënimi i përhershëm dhe shpërblimi i përhershëm, zonjë?”
        “Besoj se çdo qenie njerëzore jeton jetën e vet dhe vdes vdekjen e vet; këtë e besoj unë”.
        “Por kjo nuk është fe; a besoni se do të ringjallemi nga të vdekurit?”
        “Si të ringjallem? Si fëmija e re dhe e pafajshme që isha kur dola për herë të parë në shoqëri, ose si favoritja e nderuar dhe e lakmuar e mbretit dhe stolia e oborrit, ose si Marie e varfër plake pa shpresë e trapaxhiut? Dhe a duhet të përgjigjem unë për mëkatet e të tjerave, të fëmijës dhe të gruas në plotësimin e jetës, ose duhet të përgjigjet për mua njëra prej tyre? A mund të ma thuash, usta Holberg?”
        “Por ju keni vetëm një shpirt, zonjë!”
        “Në të vërtetë?” pyeti Marie dhe u zhyt për pak kohë në mendimet. “Më lini t’ju flas hapur, dhe përgjigjuni vërtet ashtu siç mendoni. A besoni se njëri që gjatë gjithë jetës së tij ka mëkatuar rëndë kundër Zotit në qiell dhe që në çastin e tij të fundit, kur lufton me vdekjen, pranon mëkatet e tij nga një zemër e sinqertë, pendohet dhe i dorëzohet mëshirës së Zotit pa frikë dhe pa dyshim, a mendoni që një njeri i tillë i pëlqen Zotit më shumë se një tjetër njeri, që po ashtu ka mëkatuar kundër Zotit, por pastaj për shumë vite të jetës së saj është munduar të kryejë detyrën e saj, ka mbajtur çdo ngarkesë pa pëshpëritur ndonjë fjalë, por që nuk ka qarë kurrë për jetën e saj të mëparshme në lutje ose në pendim të hapur, a mendoni që ajo, që ka jetuar ashtu siç mendonte që ishte jeta e drejtë, por pa shpresë për ndonjë shpërblim të mëvonshëm dhe pa lutje, a besoni se Zoti do ta shtyjë larg tij dhe ta largojë, meqë nuk i ka shqiptuar asnjë fjalë lutjeje?”
        “Kjo është më shumë se ndonjë njeri mund të guxojë të thotë”, u përgjigj usta Holberg dhe iku.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora