E diele, 06.10.2024, 12:11 PM (GMT+1)

Kulturë

Ali D. Jasiqi: Mishërimi artistik i reales dhe imagjinatës krijuese

E marte, 03.03.2009, 06:43 PM


Ali D. Jasiqi
Ali D. Jasiqi
MISHËRIMI ARTISTIK I REALES DHE IMAGJINATËS KRIJUESE

Ibrahim Kadriu “Në Vajhall” ( Libri i parë dhe i dytë).- Botoi “Rozafa”,Prishtinë 2008

Nga Ali D. Jasiqi

Romani në dy libra “Në Vajhall” i Ibrahim Kadriut përfshinë lëndën në një hapësirë të caktuar, të pagëzuar në lokalitetin Vajhall, dhe në një hapësirë kohore që shtrihet prej fundit të Luftës së dytë Botërore dhe përfundon me mbarimin e luftës së fundit,përkatësisht me ardhjen e Batalionit  Antarktiku në Kosovë dhe largimin e forcave serbe nga Kosova. Me një fjalë është ky një pasqyrim historik i ngjarjeve që e tronditen popullin shqiptar të Kosovës në kohë e hapësira të ndryshme nën regjimin komunist. Si i këtillë ky roman mbetet vepër në të cilën mishërohen për mrekulli artistikisht realja dhe imagjinata krijuese për të dhënë kështu një pasqyrë të gjitha asaj që ka ndodhur në këto hapësira vendore dhe kohore në të njëjtën kohë.  E tërë ngjarjet e romanit zhvillohen në lokalitetin e pagëzuar Vajhall, emër ky i formuar  nga fjalët vaj dhe hall, që i kishte shqiptuar njëra nga protagonistet e romanit halla  Zylë. Sipas autori ky lokalitet më parë quhej  Rrëzëshpat, e në realitet fjala është, sipas të gjitha shenjave, për Zhegrën e Agim Ramadanit. Është kjo një prozë e gjatë, ngjarjet e së cilës përshkruhen në dy libra që përbejnë një tërësi organike dhe të plotë. Në fillim të veprën, në kapitullin e parë, të titulluar “Shëtitje në hyrje të Vajhallit”, autori e njofton lexuesin me ambientin ku do të zhvillohen ngjarjet, mandej me rrëfimtarin që quhet Balo Barku e që duhet të jetë personifikim i vetë autorit të veprës, si dhe me disa nga protagonistët tjerë, në mesin e të cilëve dallohen halla Zylë dhe  Balori  i hallës Zylë,pastaj Gojko dhe vajza e tij Stana e disa fytyra tjera që defilojnë në faqet e  romanit. Balo Barku personifikon rrëfimtarin dhe ai të thuash se i përcjellë gjithë fabulën e romanit, duke filluar nga fëmijëria e tij e hershme e gjer në përfundimin e rrëfimit, kur edhe Beka vije  si përkthyes nga gjuha angleze edhe pse në Amerikë kishte fituar titullin e mjekut dhe punonte në një spital të njohur, ku ishte shtri edhe Daut Çeli. Si i tillë ai mbete fytyra qendrore e gjithë romanit pa marrë parasysh se aty defilojnë shumë protagonistë mbi shpinën e të cilëve bien barrët e rënda të jetës dhe të peripecive që i sjell ajo në hapësirën dhe kohën e caktuar. Ai si fëmijë endet rrugëve të Vajhallit duke vërejtur ndryshimet në mes të jetës së njerëzve përkatësive të ndryshme sociale e kombëtare, që ishin të dukshme, gjë që i bie në sy edhe atij, i cili më vonë do të hetojë edhe shumë ndryshime në vendbanimin e tij dhe në mentalitetin e njerëzve që e rrethojnë. Duhet shtuar se në  realitet në kapitullin e lartpërmendur mësojmë për disa ngjarje tronditëse që u ndodhin banorëve shqiptarë fill pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, siç është aksioni i grumbullimit të tepricave, kur fshatarëve u merrej edhe thesi i fundit të miellit apo edhe lopa e vetme qumështore. Ky i ashtuquajtur aksion për grumbullimin e tepricave kishte për qellim të bënte presion ke shqiptarët që t’i përkuleshin pushtetit. Sepse ai, pushteti pra, ua merr gjithë pasurin që kishin, duke i lënë që të jetojnë të uritur, për t’i detyruar që të vjedhin miell,siç ngjet me Balorin e hallës Zylë, i cili zihet me thes dhe atë ia ngarkojnë duke e detyruar të eci nëpër fshat si shenjë ofendimi dhe përkulje. Duke u kthye nganjëherë në retrospektivë Ibrahim Kadriu e përshkruan edhe vrasjen e konsullit rus në Mitrovicë nga Ibrahim Lipovica, pasojat e së cilës vrasje do t’i vuajnë trashëgimtarët  i tij,Sjedi Muhaxheri,  disa vite më vonë, më konkretisht pas Luftës, sepse këto elemente do t’i shfrytëzojë Gojko, një fshatar që ishte një njeri i papërcaktuar por shkonte andaj nga ishte më i forti, më konkretisht fituesi. Ai është njëri ndër ata serb që me shpirt i urrenin shqiptarët.
Në një shkrim kritik ky roman është quajtur sage dhe është thënë se” kjo sage familjare është e ndërtuar pashmangshmërisht në parimin e ngjarjeve-thyerjeve  historike, pra të relacioneve të jashtme,për dallim nga sagat familjare klasike, ku kalimi i brezave nga njëri në tjetrin dalin si qëllim në vete, si diç që është e brendshme, pa u parë shumë ana e jashtme.”

Ibrahim Kadriu
Ibrahim Kadriu
Që të pasqyrojë sa më mirë, sa më realisht realitetin e kohës në të cilën i ka vendosur ngjarjet, përkatësisht fabulën e romanit Ibrahim Kadriu ka portretizuar disa personazhe. Galeria e personazheve është mjaft e madhe dhe e larmishme. Secili prej tyre ruan në vete vetitë individuale e nganjëherë edhe kolektive, që e dallojnë nga njerëzit e përkatësisë nacionale tjetër. Në realitet ka në mesin e këtyre njerëzve që janë të mirë, të drejtë dhe human pa marrë parasysh përkatësinë kombëtare. Kështu, bie fjala, derisa pjesa më e madhe e serbëve ushqejnë urrejtje ndaj shqiptarëve Acë pijaneci ndryshon nga ta ashtu siç ndryshon edhe e bija e Gojkos, Stana, e cila nuk i urren shqiptarët, bile edhe ka maradhjene intime me Balorin hallës Zylë, me të cilin e ka edhe një fëmijë,që i vishet burrit të saj, me të cilin e ka martuar i ati, me inxhinierin e ardhur nga Serbia, dhe i cili në momentin e caktuar largohet nga Vajhalli pa e pas njoftuar bashkëshorten për qëllimin e tij. Në mesin e personazheve më të dalluara të romanit janë,padyshim Balori i hallës Zylë, Acë pijaneci dhe Ajet Zadaku e ndonjë tjetër. Fati i këtyre treve është i ndryshëm, por që fundin e kanë pothuajse tragjik. Derisa Acë pijaneci vdes i vetmuar, sepse djali i vetëm i kishte vdekur më herët, Ajet Zadaku gjendet pa kohë, kurse Balori vrite në fund në kohën kur u ishte bashkuar radhëve të UÇK-es.  Këtyre duhet shtuar edhe Gojkon dhe vajzën e tij Stana, si dhe Astritin,i cili nuk dëshiron të bëhët numër,duke u larguar nga vendi në ditët e bombardimit të NATO-s mbi forcat serbe dhe vritet në Qafë Duhle,mandej Bekën , Daut Çelin dhe padyshim njeri ndër protagonistët që i di të gjitha ngjarjet, sepse bisedohet në dyqanin. Fjala është për berber Zymberin. Duke i dhënë portretet e protagonistëve të romanit Ibrahim Kadriu nuk është udhëhequr nga përkatësia e tyre nacionale për të treguar karakterin e njërit apo tjetrit, edhe pse në shumë raste kjo është evidente, por e ka dhëne karakterin individual të personit të caktuar. Kështu, bie fjala, Hasan Remniku nuk na del si vrasës edhe pse kishte vra tre serbe, por jo edhe atë të pafajshmin të cilin e kishte liruar të riun Gjorgjeviq,sepse nuk kishte bërë kurrfarë krimi kurse Acë pijaneci është një njeri zemërbardhë, një serb që nuk bënë dallime në baza kombëtare, por vetëm sipas veprimeve i klasifikon njerëzit. Andaj është fare e natyrshme kujdesi i Balorit të hallës Zylë për  rregullimin e varrit të tij ashtu siç do të angazhohet edhe për rregullimin e varrit të Ajet Zadakut. Diç e kundërt  mund të thuhet për Daut Çelin, prindi i të cilit Mal Çeli kishte qenë personalit me përcaktim të qartë kombëtar, por Dauti  bie pre e kërcënimeve nga serbet dhe bëhet vegël në shërbim të tyre duke e tradhtuar interesim kombëtar vetëm që të tregohet me “katolik se papa”. Ai bëhet bashkëpunëtori i ngushtë i njeriut të Sigurimit të Shtetit, Veliçki. Është e natyrshme që edhe fundi i tij nuk është gjithaq i mirë ani pse edhe në Amerikë do të gjejë përkujdesën e mjekut shqiptar Bekës se hallës Razë, i cili ishte detyruar të largohej nga vendlindja pas kurdisjes që i ishte bërë gjëja për dhunimin  e nuses së një serbi, çka kishte ngjarë e kundërta..
Bota e tyre intime, preokupimet dhe qëndrimi ndaj shumë çështjeve esenciale për jetën dhe njerëzit është një ndër elementet që i veçon këta protagonistë. Kadriu është përpjekur dhe me sukses ka arrijë të ndriçojë botën e tyre të brendshme. Mentalitetin e secilit veç e veç me atë që e dallon nga të tjerët, nga bashkëfshatarët dhe bashkëkombësit e vet. Kjo është edhe një cilësi që e dallon këtë vepër nga shumë vepra të tjera letrare botuar kohëve të fundit në gjuhën shqipe.
Si do që të jetë përmes këtyre fytyrave autori i romanit në shqyrtim na ka pasqyruar ambientin dhe jetën e njerëzve në këtë lokalitet nëpër valët e jetës ku i kanë hedhur furtunat dhe rrebeshet e pandërprera. Dhe ato janë të shumta dhe të llojllojshme, një numër i madhe i të cilave kanë përfundime tragjike, qoftë si vrasje apo edhe vdekje enigmatike.
Ibrahim Lipovica nuk është e  figura e vetme reale që paraqitet në roman. Në një mënyrë ose tjetër në faqet e tij aty e gjejmë edhe Hasan Alinë, përkatësisht Hasan Remnikun dhe mësuesin Mustafë, profesor Agani,mandej Agim Ramadani gjer ke Ukë Lushi i Aradhes Antarktiku. Në vepër zihet në gojë edhe vrasja e poetit Ymer Elshani bashkë me të bijtë e tij, element ky që e bënë romanin “Në Vajhall” me elemente reale për të mos thënë me sosh dokumentare, por që me mjeshtërinë e veçantë të autorit të tyre marrin ngjyrime artistike. Dhe kjo nuk është e vetmja episode reale. Ka këtu edhe shumë të tjera që mishërohen për mrekulli në rrjedhën e ngjarjeve,disa nga të cilat edhe janë përmendur më parë, siç është rasti me vrasjen e Hasan Alisë, shkuarja e Agim Ramadanit në radhët e UÇK-es në Junik apo përpjekja e profesor Fehmi Aganit për t’i qetësuar studentët në demonstratat e 1981 e të tjera.
Këto janë disa nga episodet e shumta përmes të cilave pasqyrohet realiteti i kohës që përshkruhet në vepër. Disa nga këto episode edhe pse duken të imta ato në realitet pasqyrojnë ngjarjet që u kanë shkaktuar kokëçarje banorëve të këtij lokalitet. Organet e Sigurimit të Shtetit të njohur si UDB-a kurdisnin llojlloj grackash që të tregonin se shqiptarët nuk ishin qytetarë lokalë të shtetit të quajtur Jugosllavi, disa nga të cilat as që mund të imagjinoheshin si kurdisje mjeshtërore ( vizatimi i portretit të Skënderbeut nga nxënësi për çka akuzohet mësuesi),leximi i veprave “të ndaluara” (“Shejzat” e Ernest Koliqit) e shumë të tjera. Këtyre kurdisjeve u ndihmonin edhe serbët lokalë me veprimet e tyre.
Lënda e romanit shtrihet në gjithësejt njëzetë e katër kapituj (pesëmbëdhjetë në librin e parë dhe nëntë në të dytin), që edhe janë titulluar, për t’a orientuar sa pak lexuesin në lëndën që shtrohet. Po përmendim vetëm disa nga titujt e kapitujve:”Nata e vajzave”, “Berberhane,Veliçki me çehre turke”, “Stafeta”, “Nëntoka kërkon dëshmitarë”, “Paralajmërimi i vranësirave”etj. ( të libri i parë) dhe “Rrë mujë”,”Astriti”,”Tretjet”, “Erë shkrumbi”, “Nëno moj” e të tjera ( në librin e dytë). Nga vetë titujt e këtyre kapitujve lexuesi do të kuptojë shumë gjëra që do të përshkruhen në vepër.
Marrë në tërësi kemi të bëjmë me një roman që lexohet me kureshtje dhe me një frymë përkundër gjatësisë që ka. Edhe gjuha është e rrjedhshme e pasur e këndshme për lexim.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora