Kulturë
Ekspozitë e Shyqri Gjurkajt në Muzeun e Vestervikut (Västerviks Museum) në Suedi
E marte, 03.03.2009, 06:29 PM
Nga Rizah SHEQIRI
Shyqri Gjurkaj – foto Rizah Sheqiri
Në radhën e krijuesëve tanë tashmë të afirmuar në botë hyn edhe piktori ynë Shyqri Gjurkaj, me banim të përkohshëm në Suedi, i cili deri më tash ka ekspozuar qindra ekspozita në galeritë e njohura në qendra të ndryshme të Suedisë, të Evropës dhe të SHBA-së.
Në Suedi, Shyqri Gjurkaj tashmë është emër i njohur për dashmirët e arteve figurative. Është puna e tij krijuese shumë serioze që e ka bërë të njohur gjithandej. Krijimtaria e tij, për cilësinë dhe vlerat artistike që ka sjellë, është çmuar shumë nga vizitorë, ekspert të arteve figurative, po edhe nga shtypi dhe nga kritikët e artit.
Më 1 mars 2009 në orë 13.00 në të ashtuquajturën Salla e Re, në Muzeun e Qytetit në Västervik të Suedisë u bë hapja e ekspozitës me titull ”3+1 från Italienska Palatset”. Këtu janë të ekspozuara punimet e Shyqri Gjurkajt dhe të dy kolegëve të tij suedez: Remus Wilson dhe Åke Bergkvist. Me këtë rast, Tina Person, poete dhe artiste e pati një videoperformancë, e cila do të vazhdojë të shfaqet gjatë gjithë kohës sa do të zgjatë ekspozita. Kjo e kspozitë do të jetë e hapur deri më 25 mars të këtij viti dhe pritet që të vizitohet nga shumë vizitorë.
Në Webfaqen e Muzeut të Vestervikut artisti ynë është i prezentuar me këto fjalë: ”Unë notoj në një botë me art, në një botë me ëndrra, në një botë me magji. Tri botë që nuk mund të spjegohen. Nuk ka ndonjë logjikë mbi to, por kujt ia ndien për këtë. Kjo është bota e artit ku e mundura dhe e pamundura, realja dhe jorealja, racionalja dhe iracionalja mund të jetojnë bashkarisht.”.
Në fund të këtyre fjalëve është dhënë edhe një lidhje e Webfaqes së piktorit Shyqri Gjurkajt ku vizitorët e interesuar mund të mësojnë më shumë për të.
Të përmendim në fund se piktori Shyqri Gjurkaj ka të kontraktuara edhe disa ekspozita të tjera nëpër qendra të ndryshme të Suedisë dhe më gjërë.
Legjenda për gurin – Shyqri Gjurkaj