E shtune, 14.03.2026, 10:57 PM (GMT)

Speciale » Andrea

Fotaq Andrea: Beteja gjuhësore historike e Sotir Koleas kundër gjuhëtarit Antoine Meillet

E shtune, 14.03.2026, 07:00 PM


Beteja gjuhësore historike e Sotir Koleas

kundër gjuhëtarit Antoine Meillet

Ekskluzive nga Fotaq Andrea

E theksojmë që në fillim se me këtë shkrim, nuk kemi assesi për qëllim të ulim sadopak vlerat e njohura të gjuhëtarit kryesor francez Antoine Meillet (Antuan Meje) gjatë dhjetëvjeçarëve të parë të shekullit XX, dijetar që rroku me veprën e tij fusha të tëra të gjuhësisë së përgjithshme, e sidomos të gjuhësisë së krahasuar. Jo, nuk na takon neve të masim e të peshojmë rëndësinë e veprës së tij, rolin që ai luajti historikisht sidomos në njohjen e gjuhëve indoeuropiane, ku përfshihet domosdo edhe gjuha e lashtë shqipe.

Veçse, nuk ka si të mos rreshtohemi përkrah rilindasit tonë të shquar Sotir Kolea në betejën e tij gjuhësor kundër pikëpamjeve, sidomos politike, të Antuan Mejesë në kulmin e Luftës I-rë Botërore më 1915, kur në Ballkan e Europë luhej me fatet e Shqipërisë, të lirisë dhe pavarësisë së saj.

Nga ana tjetër, duke mbështetur Sotir Kolean tonë në “duelin” e tij gjuhësor kundër gjuhëtarit francez, e shohim me vend të vëmë në dukje rrezikun e madh që i vjen shkencës kur një dijetar, i angazhuar politikisht me frymën e kohës, del me konkluzione politike të gabuara, në mbështetje të shovinizmave, gjë që Shqipërisë i ka ndodhur mëse një herë në Histori, konkretisht kur kombi i lashtë shqiptar e ka parë veten viktimë të interesave dhe politikave të Fuqive të mëdha, në mbështetje të politikave antishqiptare serbo-greke.

Asgjë të përbashkët nuk ka dhe nuk mund të ketë midis shkencës dhe politikës, si të papajtueshme me njëra-tjetrën që janë. Për fat të keq, një gjë të tillë e shohim si dje, me lingustin francez Antoine Meillet, ashtu dhe sot, me linguistin amerikan Noam Chomsky, tezat e të cilit kundër UÇK-së dhe ndërhyrjes së armatosur të OKB-së në Kosovë “përbëjnë thjesht një mashtrim për të relativizuar krimet e spastrimit etnik serb”, apo gjenocidin e ushtruar ndaj popullsisë kosovare, siç është shprehur me të drejtë eseisti dhe shkrimtari zvicerian Yves Laplace.

Le të përmbledhim shkurtazi tezat e francezit Antuan Meje në shkrimin e tij të vitit 1915 për kombin shqiptar dhe gjuhën shqipe, shkrim që përbën vetë objektin e reagimit të ashpër të Sotir Koleas ndaj tij nëpërmjet një analize gjuhësore erudite. A. Meje, as më shumë e as më pak, shprehet arbitrarisht:

1) Shqipëria e vitit 1915 është shtet artificial, i krijuar nga administrata austriake;

2) Shqipëria është e paaftë për të krijuar unitet kombëtar, e përçarë nga feja;

3) Shqiptarët asnjëherë nuk u organizuan në njësi kombëtare;

4) Vendosja e Princ Vidit në Shqipëri ishte zhgënjim, dështim;

5) Kombi shqiptar ekziston, por është amorf, pa shpirt, pa ndjenjë kombëtare;

6) Kombësia shqiptare ka qenë e vogël në tërë kohërat, nuk ka ushtruar ndikim të jashtëm;

7) Shqipja, si gjuhë më vete, është një dialekt i gjuhëve lindore, derivat apo mbetje nga tërësi e gjuhëve indo-europiane, nga ku kanë dalë gjuhët e mëdha, galikja, gotikja, gjermanishtja, anglishtja, irlandishtja, sllavishtja, armenishtja, etj.; shqipja mbetet gjuhë e vogël;

8) Shqipja nuk ka monumente të saj (nënkupton të shkruara) para shekullit XVII, nuk ka tekste shqipe para epokës së krishterë;

9) Asgjë nuk të bën të mendosh që shqipja të ketë qenë gjuhë e një kombi të madh, të ketë qenë gjuhë perandorake;

10) Shqipja nuk ka ushtruar asnjëherë veprim mbi një gjuhë tjetër, por ka huazuar nga gjuhë të tjera; shqipja është e mbushur me fjalë latine, etj. etj.

Konkluzioni i A. Meje, si një pretencë antishqiptare është: gjuha shqipe nuk e përligj krijimin e një shteti autonom shqiptar.

Për fat të mirë, vetë Historia e po atyre viteve hodhi poshtë tezat e tij të gabuara, “kompetencat politike” që ai i veshi vetes me konkluzionin rokambolesk që i shoqëronte, kundër ekzistencës së gjuhës shqipe dhe kombit shqiptar. Në fund të fundit, vendimet e Konferencës së Paqes në vitet 1919-1920, as që morën parasysh “argumentet” e Antuan Mejesë me shokë që Shqipëria të vihej nën suazën e Italisë, të bashkohej me të, gjë që do të thoshte thjesht aneksim i Shqipërisë nga Italia. Nuk mund të zhdukej me një të rënë të lapsit - se kështu ia donte mideja Mejesë -, historia e lashtë e shqiptarëve dhe e shqipes, vitaliteti i tyre i fuqishëm, përpjekjet titanike të kombit shqiptar për liri e pavarësi, që nga koha e Ilirisë së lashtë deri më 1912 me shpalljen e pavarësisë. Nuk mund të harroheshin periudha të tëra mbijetese shqiptare të ethshme, por të guximshme, nga kohët romake e bizantine deri në epokat e sllavëve të Jugut e të osmanëve, kur do shkëlqente epopeja kastriotine në mbrojtje të Europës. Nuk mund të fshihej si me gomë periudha e artë e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, fryt i së cilës ishte vetë pavarësia dhe krijimi i shtetit shqiptar të lirë e të mëvetësuar.

Përballë pretencës së Mejesë kundër shqipes, shohim të lartohet pleduaria e Sotir Koleas, me argumente të themelta historiko-shkencore dhe gjuhësore që ai parashtron me guxim, tek konkludon pa asnjë mëdyshje: “Antuan Meje nuk e njeh shqipen!” Dhe me të drejtë, përderisa gjuhëtari francez i ilustron tezat e tij vetëm me 12 fjalë të gjuhës shqipe për të ndëshkuar një komb të tërë. Nëse albanologu i njohur gjerman Gustav Mayer “nuk arriti, sipas shprehjes së Eqerem Çabejit, ta kapë shqipen nga rrënjët, por nga degët”, francezi Meje nuk arriti dot, siç do e shohim më poshtë, ta kapë shqipen as nga maja e gjetheve.

110 vjet më vonë, pas Sotir Koleas, edhe historiani i sotëm zvicerian i gjuhësisë Dr. Sebastien Moret arrin po në këtë përfundim: “... që shqipja ishte e vetmja gjuhë indoeuropiane që ai (Meillet) nuk e njihte, ... që ai kishte një ndjenjë hedhjeje poshtë të shqipes, njëlloj si me atë të hungarishtes, të cilën, po ashtu Meillet nuk e njihte”.

Prof. Kolec Topalli i ka kushtuar veprës së gjuhëtarit francez studimin e tij “Gjuha shqipe në veprat e A. Mejesë”, botuar në vëllimin “Dijetarët francezë për gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare”, botim i Universitetit “Luigj Gurakuqi”, Shkodër 2005. Pasi nxjerr në pah vlerat e veprës së tij në gjuhësi të përgjithshme, prof. K. Topalli, ndalet edhe në tre punime të veçanta gjuhësore të A. Mejesë në vitet 1919-1934, në të cilat trajtohet problemi i gjuhësisë ballkanike dhe i zhdukjes së paskajores në to. Këtë radhë, mes krahasimeve të gjuhëve indoeuropiane, A. Meje e shton inverntarin e tij të fjalëve të lashta shqipe, nga 12 fjalë fillimisht, në 30 fjalë të tjera, duke i krahasuar ato etimologjikisht me latinishten, greqishten, gotishten, trakishten e irlandishten. Po përsëri, siç vë në dukje prof. K. Topalli me frymë kritike, A. Meje vazhdon të këmbëngulë në idetë e tij steriotipe se “gjuha shqipe është shkruar pas shekullit XVII”, se “shqipja nuk u ka dhënë asgjë gjuhëve që e rrethojnë” dhe se “ajo është e mbushur me huazime”. Këto teza ishin hedhur poshtë me kohë gjatë shekujve XIX-XX nga mjaft albanologë e gjuhëtarë të huaj, veprat e të cilëve A. Meje ose nuk i njihte, ose i mohonte qëllimisht. Por merita e parë dhe e pakrahasueshme gjer më sot kundër tezave të A. Meje për shqipen dhe shqiptarët i takon plotësisht dhe pa ndërdyzje rilindasit Sotir Kolea, studimin e të cilit po e japim të plotë për herë të parë.

Gjithë tezat antishqiptare të Mejesë përbëjnë shigjeta vrasëtare për kombin shqiptar, por nga ana tjetër, janë teza të prirura për të dështuar. Nëse shteti shqiptar u krijua më 1912 dhe do vinte duke u forcuar përmes tallazesh historike, kjo përbën një të vërtetë të madhe realizuar falë qëndresës heroike shqiptare përgjatë shekujsh si një faktor i brendshëm themeltar, si dhe “falë vullnetit të të gjitha Fuqive, e sidomos të Fuqive të mëdha liberale, përfshirë edhe Rusinë kundërshtare”, siç argumenton politikisht Sotir Kolea në studimin e tij lidhur me faktorin e jashtëm. Dhe kjo nuk u arrit aspak a thjesht falë vullnetit të Austrisë apo Italisë, të cilat i kanë ndenjur më afër Shqipërisë në radhë të parë për interesat e tyre gjeo-politike.

Në tërë betejën e S. Koleas ndaj A. Mejesë, kryesorja, themelorja dhe thelbësorja mbetet argumentimi i fuqishëm gjuhësor që rilindasi shqiptar parashtron me erudicion, tek nxjerr në pah vitalitetin e gjuhës së lashtë shqipe si gjuhë më vete, e pakrahasuar me asnjë tjetër, duke qenë se shqipja “është pasardhëse e të folmeve iliro-trake-maqedone, që kanë qenë të shkruara që prej Lashtësisë më të hershme”. Ky vitalitet, - lartuar nga Kolea, që gjuha shqipe, me rrënjë të thella mes gjuhëve ballkanike vjen si degë më vete e gjuhëve indoeuropiane -, është shembull origjinal në Histori për një komb me zanafillë të hershme. Një e vërtetë kjo historiko-shkencore e vendit të veçantë që zë gjuha shqipe në pemën e gjuhëve idoeuropiane, kur është vërtetuar tashmë nga albanologë vendas e të huaj se substrati para-proto-shqiptar është me prejardhje ballkanike, mbështetur drejtpërdrejt në substratin gjuhësor para-indoeuropian, dhe kur prejardhja e proto-shqipes është e lidhur drejtpërdrejt me ilirishten.

Nga ana tjetër, duke iu kundërvënë A. Mejesë, që shprehet se e shkuara e shqipes është e panjohur, Kolea e sheh shqipen si të mbijetuarën energjike të pellazgjishtes, që njihet historikisht nën dëshmitë e Herodotit, Demostenit, Tukiditit, Strabonit, Diodorit, Polibit, Plinit, Ptolemeut e me radhë. Po ashtu, ai e vendos shqipen në krye të grupit greko-latin, shumë më afër sanskritishtes se asnjë gjuhë tjetër, duke e parë si gjuhë me pasuri leksikore, zgjedhime e lakime gramatikore të zhdërvjellta, me rregulla morfologjike e ndërtime të veçanta sintaksore e stilistikore. Dhe jo vetëm kaq, por e trajton atë si gjuhë me kulturë të lashtë, ku elementë të shumtë parakrishtërues ekzistojnë mirë e bukur dhe dëshmojnë për zanafillën paleo-ballkanike pagane të vetë mitologjisë dhe folklorit shqiptar.

Me studimin e tij etno-gjuhësor, rilindësi shqiptar hedh poshtë pretendimet e Mejesë kur shprehet se “e shkuara e shqipes është e panjohur”. Në fakt, “e panjohur” nuk do të thotë asgjë, sepse nuk mund të zhdukësh nga Historia një gjuhë dhe një komb ngaqë s’njeh apo nuk dashke të njohësh të shkuarën e tyre. Nuk ishte faji i gjuhës shqipe të hidhej poshtë ngaqë mbart në vetvete lashtësi përherë vitale, dhe që mbijetoi mrekullisht deri në kohët e sotme si një fosil i gjallë përpunuar hijshëm në rrjedhë të kohës, me pasuri të veçantë fonemash e fuqishmëri tejet shprehëse. Nuk ishte faji a fati i mbijetesës së shqiptarëve të ndëshkoheshin aq rëndë nga A. Meje, veshur kësisoj gjuhëtari me petkun e politikanit. Dhe nëse medët e persët si dy popuj iranianë ishin “vëllezër të një race me helenët”, siç thotë Antuan Meje më 1930 (në Revue des Sciences Religieuses, t. 12, fashikull 4, 1932), po aq ishin vëllezër të një race me ta edhe iliro-shqiptarët me gjuhën e tyre të lashtë shqipe, që mbart e pasqyron trashëgimi të përbashkët me familjen e gjuhëve indo-europiane.

Edhe pse janë parashtruar teza e hipoteza të ndryshme rreth origjinës së kombit shqiptar, Sotir Kolea këmbëngul, si gati tërë rilindësit shqiptarë, në teorinë e pararendësve pellazgë si banorët më të hershëm të Ballkanit, ku përfshiheshin trakët, frigasit, iliro-maqedonët, qipriotët, etruskët. Nga ana tjetër, vetë shkronjat e quajtura fenikase, Kolea i sheh me prejardhje pellazgo-ilire. Dhe jo vetëm kaq, por Kolea sfidon deri edhe shkencën e epigrafistëve, kur bën thirrje me guxim që të vendoset shqipja në themel të mbishkrimeve të padeshifruara për të zbuluar sekretet e tyre shekullore.

Është e vërtetë, që edhe sot e kësaj dite e kërkojnë origjinën e hershme të gjuhës shqipe në teorinë pellazgjike por me argumente parashkencore, ashtu siç kanë dashur ta shohin zanafillën e saj në malin e gjuhëve në Kaukaz, në një gjuhë romake a italiane të paidentifikuar apo thjesht si derivat i një gjuhe dako-trake. Teza të tilla janë hedhur tashmë poshtë, kur origjina paleo-ballkanike e shqipes është e lidhur historikisht drejtpërdrejt me ilirishten dhe para-ilirishten në trevën ballkanike. Megjithatë, nuk ka pse flitet me rezerva a dorashka për lashtësinë pellazgo-ilire të shqipes, ngaqë ende duan të thonë se “të merresh me pellazgjinë do të thotë të merresh me gjuhët e vdekura që kanë pasur lidhje me të”, “të merresh me parahistorinë”, “me të pashkruarën”, “me të pavërtetuarën”, “me të panjohurën”, me mundin kot! Dhe “harrohet” kësisoj se “E para ishte fjala”, evolucioni i saj fonetik determinues, që prej onomatopeizmave, se një pemë, si indo-europianishtja, po aq sa është e tillë sot mbi tokë, është edhe pemë nën tokë, me rrënjët e thella si degë të fuqishme nëntokësore që kanë prodhuar lëngun jetësor të pemës në ajër.

Me studimin e tij polemizues “Gjuha shqipe”, Sotir Kolea, i njohur me pseudonimin SOKOL, themelues i Bibliotekës së parë kombëtare shqiptare, hartues i mjaft fjalorëve dygjuhësh e shumëgjuhësh, kryeredaktor i revistës patriotike “L”Albanie”, botuar në Lozanë në vitet 1915-1920, ky sokol i gjuhës shqipe dhe ky mjeshtër i penës, me epistolar të pasur arkivistik, zë një vend të nderuar mes dijetarëve albanologë klasikë dhe rilindësve shqiptarë, të cilët frymëzuan e ushqyen me idetë e tyre dritëdhënëse Lëvizjen partiotike kombëtare deri në arritjen e saj më të shkëlqyer: pavarësinë e Shqipërisë dhe themelimin e konsolidimin e shtetit shqiptar.

Fjala e tij historike, në mbrojtje të gjuhës shqipe, mbetet përherë frymëzuese, shembull dinjiteti të lartë kombëtar, sikurse tërë vepra madhore e madhështore e plejadës së Rilindësve shqiptarë.

Fotaq Andrea,

Strasburg, 9 mars 2026.

GJUHA SHQIPE

Nga Sotir Kolea

La «Nouvelle Albanie» (Shqipërija e Re), n° 316 e 317 e prillit të shkuar, botoi nën firmën e Z. I.N.Duployen dhe nën titullin e mësipërm një pjesë të artikullit që me po atë titull kishte shkruar A. Meillet për Revue Hebdomadaire të Parisit, n° 32 e 7 gushtit 1915.

T’i rikthehesh subjektit në largësi prej trembëdhjetë vjetësh, mund t’i duket shumëkujt fare e kotëi; mirëpo, duke qenë se ribotimi nga ana e Z. Duployen, i jep artikullit në fjalë tone nderimi me aktualitet, na lejohet në këtë rast t’i parashtrojmë lexuesve të “Shqipërisë së Re” shkrimin e plotë të Z. A. Meillet, ashtu siç është botuar në revistën parisiane.

[Antoine Meillet shkruan si më poshtë]

“Shpesh është thënë se një shtet si Austria ishte i dobishëm për të organizuar kombet e ndryshme, të detyruara të bashkëjetonin dhe të paafta për t’u vetëgrupuar. Ngjarja përkundrazi, sapo tregoi se në një Europë të sunduar nga parimi i kombësive, një shtet që – thjesht nisur nga një parim i zakontë në Mesjetë, por i huaj në botën moderne –, është agregati i vendeve që i përkasin një familjeje mbretërore, një shtet i tillë ka arsye për shkrirje; dhe pikërisht nga Austria erdhi lufta e madhe e sotme, e dëshiruar pa dyshim nga shumë njerëz në Gjermani, por që u provokua nga Austria.

“E mësuar të jetojë me luftëra midis kombësive që orvateshin të krijoheshin apo të rikrijoheshin, administrata austriake ngjalli në Shqipëri një shtet artificial me shpresë për ta sunduar. Kurrë shqiptarët nuk ia kanë dalë mbanë të krijojnë për vetvete dhe nga vetvetja një unitet kombëtar. Edhe pse janë në numër mjaft të kufizuar, ndoca dy milionë individë, janë megjithatë të përçarë në “tri besime fetare”: një pjesë myslimanë, të tjerë ortodoksë dhe të tjerë katolikë. Austriakët, falë organizimit të fortë të misioneve katolike, të cilat ata i drejtonin, duke e bërë grupin katolik të vetmen qendër të mundshme bashkimi, mendonin kësisoj të drejtonin Shqipërinë. Por nuk është rastësi që shqiptarët asnjëherë nuk u organizuan në njësi kombëtare; dhe minoriteti katolik hasi kësisoj në armiqësinë e krejt pjesës tjetër të popullsisë; mjaftoi fakti që princi i caktuar nga Austria të ishte përfaqësues i kësaj pakice, që krejt vendi të ngrinte krye kundër tij. Ky zhgënjim, tek i bashkëngjitet dështimeve të tjera të politikës së saj ballkanike, u shkaktua për shumëkënd nga angazhimi i Austrisë për të fituar me anë lufte atë që nuk mund të arrinin intrigat e administratës dhe të misioneve të saj.

“E megjithatë, ka vërtet një komb shqiptar, por amorf. Gjuha shqipe, që është krejtësisht e mëvetësuar, jep një ide të karakterit të kombit dhe ia vlen ta marrim në shqyrtim.

Antoine Meillet  (1866-1936).

* * *

“Gjuha shqipe nuk njihet veçse që prej një kohe mjaft të shkurtër. Nuk kemi monumente të saj para shekullit XVII. Dhe kjo është tashmë domethënëse. Nuk ka pse të na çudisë që nuk ka tekste shqipe para epokës së krishterë; shumë pak gjuhë janë shkruar në Europë në një periudhë më të lashtë. Por, nga dita kur u përhap krishterimi, përgjithësisht u ndie nevoja të fiksoheshin me anë të shkrimit gjuhët që kishin njëfarë rëndësie kombëtare. Përhapja e krishterimit, që përdori gotiken gotishten, gjermanishten, anglishten, irlandishten, sllavishten, armenishten, e la pas dore shqipen.

“Edhe pse u shkëput nga epoka e bashkësisë indoeuropiane prej një periudhe të gjatë shndërrimesh të thella, shqipja u njoh shumë shpejt si gjuhë indoeuropiane. Paraqet ende mjaft veçanti gramatikore që janë mbetje të tipit indoeuropian, dhe format indoeuropiane lejojnë të shpjegohet tërësia e gramatikës së saj. Një numër i konsiderueshëm termash të fjalorit që përmban, janë me burim indoeuropian dhe shqyrtimi i këtyre fjalëve lejon të përcaktohet kalimi nga sistemi fonetik indoeuropian në sistemin shqip: teoria e përputhshmërive fonetike midis indoeuropianishtes dhe shqipes shfaqet në linjat më të përgjithshme.

“Që tani dihet se ndër gjuhët indoeuropiane shqipja i përket grupit të dialekteve lindore, me sllavishten, armenishten, iranishten dhe sanskritishten. Por kjo ka vlerë thjesht për një periudhë të lashtë, përpara shpërndarjes së dialekteve indoeuropiane.

“Pas kësaj shpërndarjeje, asgjë s’të bën të mendosh, në asnjë çast, që shqipja të ketë qenë gjuha e një kombi të madh. Nuk ka gjurmë të saj askund në lashtësi. Dhe grupi nuk përfaqësohet tashmë veçse nga një numër i kufizuar të folmesh që dallojnë ndjeshëm nga njëra-tjetra, megjithëse përngjashmëritë midis këtyre të folmeve lokale janë ende shumë të mëdha, dhe kur tërë individët që flasin shqip arrijnë me pak përpjekje të merren vesh mes tyre. Krahasimi me keltishten është i dobishëm; ashtu sikurse shqipja, edhe keltishtja nuk përfaqësohet sot veçse nga grupe mjaft të vogla popullsish. Por, pa përmendur çka na mëson historia për perandorinë gale, dhe duke bërë abstragim për krejt letërsinë e lashtë irlandeze e gale, larmia e sotme e të folmeve kelte, ato të tipit gaelik nga njëra anë, në Irlandë e në Skoci, ato të tipit britonik, nga ana tjetër, në vendin e Galëve dhe në Amerikën franceze, tregon se të folmet kelte të përdorura sot janë mbetje gjuhësh më të mëdha, përdorimi i të cilave shtrihej më larg. Asgjë e tillë për shqipen: ajo thjesht përbën një grup të vogël, me pak larmi, me një të shkuar të panjohur dhe që kurrë nuk ka qenë perandorake.

“Deri vitet e fundit, ajo nuk ishte shndërruar në gjuhë letrare të shkruar, të përbashkët për tërë shqiptarët. Duke qenë në pjesën më të madhe nën ndikimet e huaja, dhe konkretisht nën ndikimin e misioneve, u arrit të organizohej një gjuhë e tillë, por rëndësia e saj mbeti e papërfillshme. Ortografia e kësaj gjuhe letrare filloi të fiksohej para tridhjetë vjetësh dhe një kongres i mbajtur në Manastir më 1908 vendosi ndoca rregulla. Por shihet qartë se sa e tërë kjo është e kohëve të fundit dhe artificiale.

* * *

“Tipari sundues i historisë së shqipes është se nuk shihet të ketë ushtruar ndonjëherë një veprim të dukshëm mbi një gjuhë tjetër, ndërkohë që vetë si gjuhë ka huazuar prej të tjerave me duar të shtrira gjithandej. Shqipja sillet nga kjo pikëpamje si gjuha baske, që është tërësisht e depërtuar nga fjalë të huaja dhe që ka ruajtur megjithatë mes të folmeve romane që e rrethojnë një karakter krejtësisht të vetin, por pa dhënë ajo vetë elemente fjalori për këto të folme.

“Ndonëse qëndrueshmëria e elementeve vendase, e në mënyrë të veçantë e një gramatike që e dallon nga gjuhët e tjera, vërteton vijimësinë e një jete kombëtare, janë pikërisht huazimet e fjalëve që përcaktojnë ndikimet qytetëruese.

“Fakti që shqipja është, ndër idiomat indoeuropiane, një gjuhë tërësisht më vete, dhe që nuk lidhet me asnjë tjetër, dhe po aq e pavarur nga sllavishtja e nga armenishtja sa ç’mund të jenë sanskritishtja e iranishtja, ky fakt provon se, kombësia shqiptare, megjithëqë ka qenë e vogël në tërë kohërat, përherë ka pasur karakterin e vet të veçantë dhe të pavarur. Ka aty një komb të vogël që nuk ka lejuar të përthithet nga asnjë tjetër, të paktën atje ku karakteri malor i vendit lejonte t’i bëhej qëndresë absorbimit nga një kombësi tjetër më e zhvilluar.

“Por shqipja, nga sa duket, nuk u ka dhënë asgjë gjuhëve të tjera në asnjë epokë. Gjuhët fqinje të shqipes nuk i detyrohen asaj pothuaj asnjë huazim, dhe kjo tregon se kombësia shqiptare nuk ka ushtruar ndikim jashtë. Si në të shkuarën, ashtu edhe sot, ajo është përbërë nga individë shpesh energjikë dhe të vështirë për t’u asimiluar, por që nuk u nënshtrohen disiplinave që kërkon qytetërimi dhe që nuk kanë shërbyer si model për askënd.

“Në të kundërt, shqiptarët, më pak të qytetëruar se shumica e fqinjëve të tyre, u kanë marrë këtyre shumë fjalë.

“Nga greqishtja e lashtë asgjë nuk duket se u ka shkuar; është një fakt i shquar që greqishtja e vjetër nuk ka vepruar mbi gjuhët e ndodhura në veri të fushës së saj. Ndoshta greqishtja kishte vepruar mbi maqedonishten, që u zhduk herët dhe nga e cila nuk dihet pothuaj asgjë. Por nuk i ka dhënë asgjë shqipes, e po ashtu edhe sllavishtes apo germanikes para periudhës së krishterë. Gjuhë e rajoneve bregdetare, greqishtja e vjetër nuk ka rrezatuar në Europën kontinentale.

“Në të kundërt, pushtimi romak vendosi latinishten në provincat romake të Dalmacisë, Panonisë, Moesisë e të Dakisë. Rumanishtja, që zë ende një vend të rëndësishëm në Gadishullin Ballkanik dhe në perëndim të Karpateve, dëshmon për një zgjerim të tillë të domenit latin. Ishujt dalmatë, që janë sot të gjuhës serbo-kroate, pra sllave, dikur kanë pasur të folme latine, të gjitha tani të zhdukura; por të fundit syresh reshtën së përdoruri vetëm në kohë të vonë. Ende në vitet e fundit të shekullit XIX Z. Bartoli ka mundur të vjelë në ishullin Veglia, nga goja e një plaku, mbetje të rëndësishme nga e folmja e vjetër romake e ishullit. Në rajonin ku flitej në epokën e Perandorisë Romake ajo gjuhë që u bë shqipja – e nga e cila kuptohen sigurisht kufizimet, po edhe vendosja e saj, por assesi kufijtë aktualë të Shqipërisë – latinishtja nuk e zëvendësoi gjuhën vendase, siç bëri në rajonin ku u fol dialekti latin që përfundoi në rumanisht. Veçse ndikimi romak u ndje shumë fuqishëm dhe fjalori shqip u mbush me fjalë latine. Kur diplomacisë i lindi ideja mjerane për t’i dhënë Shqipërisë një unitet politik, dhe me këtë unitet politik, një mbret, ky, veç kur mori emrin mbret. Mirëpo, mbret është thjesht forma që mori në shqip fjala latine imperator. Terma aq të zakonta si fjalë (paroles), flas (je parle), janë me zanafillë latine; është fjala për termin latin abella (italisht favella), fabulare, (spanjisht hablar). Le “chien” quhet qen (latinisht canis). Shqipja është aq e mbushur me fjalë latine, sa romanistët janë të detyruar në punimet e tyre mbi latinishten vulgare t’i konsiderojnë gati si gjuhë romane. Huazimet nga latinishtja në epokën perandorake janë më të vjetrat që njihen në shqipe. Tregojnë nga ç’anë kanë ardhur ndikimet e para të mëdha qytetëruese që vërehen mbi kombin shqiptar.

“Por, megjithëse krejt ditët e saj janë mbi Adriatik dhe rrjedhimisht, ajo ka orientim drejt Italisë, Shqipëria, duke qenë pjesë e Gadishullit Ballkanik, ka pësuar ndikime ballkanike dhe fjalori shqip përmban një numër të madh fjalësh të greqishtes moderne dhe po ashtu fjalësh sllave. Jo vetëm fjalë si fron “siège” (greqisht thronos), por edhe shprehje si lypset “il faut” (greqisht eleipsa “j’ai laissé”) papsem “je me repose” (greqisht epafsa) janë greqisht. Huazimet nga sllavishtja zënë një vend më të vogël, ngaqë prestigji i qytetërimit sllav ishte më i paktë. Nuk mungojnë megjithatë fjalë të tilla si zakon “habitude”, fjalë sllave që për më tepër e ka përshtatur edhe greqishtja moderne.

“Sundimi turk i solli shqipes shumë fjalë “islamike”: arabe, perse apo thjesht turke. Kështu, sikurse pothuaj kudo ku u shtri ndikimi i Islamit, “l’heure” [ora] thuhet sahat, “le temps” [koha], thuhet zaman, fjalë perse që ka marrë po ashtu përhapje të gjerë, etj.

“Por ndikimi i madh qytetërues ka mbetur ai që vjen nga Italia dhe, pasi mori shumë lashtësisht fjalë latine të epokës perandorake, shqipja mori edhe një mori fjalësh nga italishtja; kështu “le gain”, “le profit” (italisht profitto) thuhet në shqip fit. Mbiemri fortë “fort” dhe folja e prejardhur forcoj “force” nuk janë tjetër veçse italishtja forte, forzare; shqipja pagoj “je paye” është italishtja pagare; shembujt janë kësisoj të panumërt.

“Kudo nga kanë ardhur, huazimet që ka bërë shqipja nga gjithfarë gjuhësh janë asimiluar dhe kanë marrë pamjen e fjalëve vendase. Kjo nuk do të thotë se shqipja na paskësh apo paskërka ende një forcë përvetësuese të veçantë, por thjesht ngaqë këto huazime janë bërë në gjuhën e folur nga njerëz që as e shkonin nëpër mend ta shkruanin gjuhën e tyre.

“Nga ana tjetër, nuk bëhet fjalë përgjithësisht për terma teknike apo për ato grupe shprehjesh që huazohen sistematikisht nga jashtë, duke kërkuar t’u mbahet tipari i tyre i huaj. Duke folur gjuhën e tyre, ngaqë këmbëngulin të ruajnë karakterin e tyre të veçantë, shqiptarët nuk kanë kërkuar të riprodhojnë forma të huaja. Nëse kanë përshtatur terma të huaj, kjo ngaqë ndienin nevojën për to, dhe ngaqë idioma e tyre nuk u jepte barasvlerësin përkatës. Mirëpo e huaja nuk ka pasur mbi ta aq forcë tërheqëse sa të përshtasnin huazime të tilla nga gjuhë të tjera, dhe fjalët e shumta që morën nga jashtë ia nënshtruan idiomës së tyre.

“Gjuha shqipe jep kështu një ide të saktë të atij kombi të vogël që nuk ka bërë asgjë për t’i dhënë vetes një unitet e për të vepruar mbi fqinjët si komb, që ka pasur e ka të qenët e tij më vete, pa ndikim të jashtëm, por që, për aq sa pëson ndikime, e përshtat çka huazon dhe ruan në gjithçka një karakter të veçantë; ky karakter nuk përmban as shumë inovim, as shumë origjinalitet; por që s’plekset me asgjë. Shqipja nuk i shton kurrgjësend asaj që shfaqet gjetiu; thjesht është tjetër gjë.

“Forca e qëndresës që i kundërvënë shqiptarët asimilimit shihet në Itali, ku kolonitë shqiptare vazhdojnë të jetojnë prej kohësh, pa u shkrirë me popullatat përreth. Hasim koloni të tilla në Abruzzo, Kalabri e Sicili, me zanafillë që nga shekulli XV. Gjetiu shqiptarët kanë rezistuar shumë më pak, dhe dihet se në mbretërinë e Greqisë, dhe konkretisht në Atikë, shumë njerëz që sot flasin greqisht, janë shqiptarë të helenizuar.

“Mbijetesa e një gjuhe të vogël si shqipja është e të njëjtit karakter si ngulmi i gjuhës baske, ajo nuk e përligj krijimin e një shteti autonom. Partikularizmi i një gjuhe që nuk ka asnjë rrezatim për së jashtmi, që nuk ka qenë organ i asnjë letërsie, i asnjë mendimi të ri, dhe që ka mbetur e kufizuar thjesht brenda një kombi të vogël, zhveshur nga qytetërimi i vet nuk jep shkak për krijim artificial të një shteti.”

MEILLET.

* * *

[Dhe Sotir Kolea që i përgjigjet si më poshtë.]

Autori i artikullit që sapo lëçitëm nuk tregohet zemërbutë ndaj kombësive të vogla; këto, për mendimin e tij, shumë-shumë lypset të fshihen përgjithnjë nga faqja e dheut.

Ky shenjtërim i ri i parimit të forcës - që vihet përpara së drejtës, ardhur nga një qytetar francez, e për më tepër që është profesor në Kolegjin e Francës -, ka çuditur në mënyrë të dhembshme tërë ata që e kanë dashur dhe e duan përherë Francën e Lirisë, Barazisë e të Vëllazërisë, Francën e të Drejtave të Njeriut.

As që e vëmë në dyshim se tashmë, në kohën kur u botua artikulli në fjalë, shumë francezëve u është dashur të ngrenë fuqimisht zërin e të reagojnë.

Fakti që nën nxitjen e Francës, Areopagu i Versajës u interesua aktivisht për fatin e të gjitha kombësive, edhe për ato më të voglat, është një provë e shkëlqyer që teoria e predikuar nga Z. Meillet nuk pati jehonë në mendjet dhe ndjenjat e shumicës dërrmuese të francezëve.

Sidoqoftë, nuk është më çasti të rrimë e të trajtojmë subjektin në vetvete.

Le të përpiqemi të shohim qartë në tymnajën e thënieve pa baza që Z. Meillet ka lëshuar katrahurazi në artikullin e tij dhe le të përpiqemi të nxjerrim në pah pasaktësitë e shumta, si dhe të hedhim poshtë, për aq sa na lejojnë mundësitë tona të pakta, tezën për të cilën ai mbahet kampion lidhur me gjuhën dhe kombësinë shqiptare, sepse duke u ngritur pikërisht kundër saj, Z. Meillet lëshon shigjetën e parë në luftën kundër kombeve të vogla.

Duke qenë se argumentet mbi të cilat mbështetet autori për të vajtuar shumë herë “idenë e dëmshme që patën Fuqitë e Mëdha për t’i dhënë Shqipërisë një unitet politik” janë të karakterit gjuhësor, me digresione në fushën e historisë dhe të moralit politik, jemi të detyruar ta ndjekim atë në tërë këto fusha, duke i bërë njëkohësisht thirrje zemërgjerësisë së lexuesve të paanshëm, po qe se parashtrimi i fakteve do të na detyrojë të zgjerohemi më shumë nga sa e kishim dëshiruar.

* * *

Le të shfaqim fillimisht, ndër kontradiktat e shumta në të cilat bie autori, çka u intereson më nga afër kombësive të vogla.

Ndërsa që në fillim Z. Meillet pranon se “Europa moderne sundohet nga parimi i kombësive”, ai, prapëseprapë, as që merakoset të mbështesë në artikull ide diametralisht të kundërta me këtë premisë.

Pasi pranon se “ka realisht një komb shqiptar”, dhe se ky komb “përherë ka pasur karakter të vetin e të pavarur, dhe kurrë nuk ia ka lejuar vetes të asimilohet nga askush tjetër”; dhe më tej, se “përbëhet nga individë shpesh energjikë, të vështirë për t’u asimiluar, e që flasin gjuhën e tyre ngaqë ngulmojnë të ruajnë karakterin e tyre më vete”; dhe më tej akoma, se ky komb shqiptar “ka pasur të qenët e tij më vete dhe ruan në gjithçka një karakter të veçantë”, Z. Meillet përfundon se e tërë kjo “nuk përligj krijimin e një shteti autonom”.

E çfarë atëherë, do t’u dashkësh më shumë për të përligjur në sytë e tij krijimin e një shteti autonom shqiptar në një Europë të sunduar, siç thotë ai, nga parimi i kombësive?

* * *

Z. Meillet pretendon se është Austria ajo që ka “ngjallur në Shqipëri një shtet artificial”. Nuk është pika e vetme ku ai përbuz historinë; do të shohim edhe mjaft të tjera më pas.

Duke përkrahur një hop pikëpamjen e tij, do thoshim se ai, ja ku harron Italinë, e për më tepër Italinë, e cila prej shekujsh ka pasur shkolla e seminare ku të rinjtë shqiptarë, qoftë me origjinë nga Shqipëria, qoftë të lindur në kolonitë shqiptare të Italisë arsimoheshin në gjuhë të tyre. Nga këto shkolla e seminare doli një plejadë e tërë shkrimtarësh patriotë shqiptarë të cilët, qytetarë apo banues në një vend të lirë, mund të shkruanin e të vepronin lirisht për të lartësuar patriotizmin shqiptar e për të çelur udhët drejt pavarësisë së Shqipërisë.

Asgjë e tillë në Austri.

Kjo, duke ndjekur nga afër thjesht pikëpamjen e Z. Meillet. Sepse, në fakt, e vërteta historike është krejt tjetër.

Shteti shqiptar u krijua falë vullnetit të të gjitha Fuqive.

Edhe pse Austria besonte se kishte aty interes të veçantë, përsëri kishte në anën tjetër të barrikadës një kundërpeshë aspak shpërfillëse; ishte Rusia e carëve, e cila shihte interesin e saj, ose më mirë atë të klientëve të vet ballkanikë: thjesht zhdukje të kombësisë shqiptare. Vendimi pra, varej në radhë të parë nga Fuqitë e Mëdha liberale!

Mirëpo, Anglia, Franca e Italia nuk mund, nuk duhej të lejonin krimin kundër njerëzimit të dëshiruar nga Z. Meillet, pa hequr dorë nga parimet që Europa moderne i kishte shpallur të shenjta e të paparashkrueshme.

Ka raste kur diplomacia lypset megjithatë të mbajë parasysh peshën e opinionit publik.

Europa mbase edhe mund të mos kujtohej për qëndresën heroike që shqiptarët, për një çerek shekulli, të udhëhequr nga Georges Castriote Skanderbeg, prijësi i tyre i pavdekshëm, i kundërvunë vërshimit të sulltanëve, qëndresë që i dha mundësi qytetërimit perëndimor të mblidhte veten; futur në rrugë të gabuar nga një propagandë e guximshme dhe e turpshme, Europa sikur u qorrollis në vlerësimin e karakterit të vërtetë të luftërave që po ata shqiptarë nuk reshtën së ndërmarri me guxim përgjatë shekujve në vazhdim kundër turqve, udhëhequr nga prijës të cilët, pavarësisht nga bindjet e njëjta fetare me ato të pushtuesve, u treguan jo më pak trashëgimtarë të denjë nga vëllezërit e tyre të mëparshëm në urrejtje kundër sundimit të huaj. E megjithatë, opinioni publik europian nuk mundej assesi të harronte aq shpejt fakte nga më të fundit, si Lidhja shqiptare e Prizrenit dhe kryengritjet e shumta shqiptare kundër absolutizmit hamidian dhe më pas, kundër veprimeve panturkiste të xhonturqve.

Ishin tërë këto, prova të pakundërshtueshme të vitalitetit të pamposhtur kombëtar shqiptar, dhe sa për revoltat e armatosura, ato ishin nga ana e tyre goditje të fuqishme vendimtare që u bënë shkaku kryesor i shembjes së Turqisë.

Nëse profesorë të llojit Meillet kujtojnë se tërë këto fakte mund të fshihen me një të rënë të lapsit, diplomatët e Londrës, nga ana e tyre, e ndjenë më së miri se autonomia e Shqipërisë ishte në rend të ditës, pa qenë as nevoja e një ndërhyrjeje të Austrisë, “duke i dhënë kështu kombësisë shqiptare një unitet politik”, me gjithë kundërshtinë e Rusisë.

* * *

Z. Meillet thotë: “Gjuha shqipe nuk njihet veçse që prej një kohe mjaft të shkurtër. Nuk kemi monumente të saj para shekullit XVII. Dhe kjo tashmë është domethënëse.”

Z. Meillet gabon. Pothuaj menjëherë pas zbulimit të artit të shtypshkrimit botohet një libër i parë shqip. Është libri i lutjeve i D. Gjon Buzukut, shtypur më 1555 në 4°, me dy kolona. Ekzemplari, që kemi pasur rastin ta shfletojmë, përbëhet nga 188 faqe të pacenuara, nga shumë copa fletësh, veç atyre që mungojnë plotësisht.

Pak kohë më pas, më 1592, doli “Doktrina Arbërisht” e Lluk Matrangës dhe, më 1621, libri i Pjetër Budit, peshkop shqiptar me origjinë nga Kruja, nën titullin “Pasqyra e të rrëfyemit” (Speculum confessionis).

Më 1635, botohet sakaq në Romë fjalori shqip i Frano Bardhit (Franciscus Blancus), peshkop shqiptar nga Mati, që i referohet shkrimeve para vitit 1500.

Vëmë në dukje po ashtu se autorë shqiptarë të shekujve XVI e XVII përmendin dorëshkrime shumë më të hershme nga koha e tyre, që i kanë parë e konsultuar, apo për të cilat kanë dëgjuar të flasin vëllezërit e tyre të mëparshëm.

Kjo, thjesht sa për të saktësuar gjërat, pa prekur në asgjë kritikën që Z. Meillet i bën shqipes se nuk ka qenë e shkruar në një epokë shumë më të lashtë, dhe sidomos në epokën kur “krishterimi u përhap dhe kur u ndie përgjithësisht nevoja për të fiksuar me anë të shkrimit gjuhët që kishin njëfarë rëndësie kombëtare”.

Me shikim të parë, kjo mund të duket krejt e vërtetë. Po të kishte qenë me të vërtetë kështu, shqiptarët megjithatë edhe mund të ngushëlloheshin deri në njëfarë mase duke menduar se nuk janë të vetmit në rastin konkret. Shumë popuj të tjerë, dhe jo nga të vegjlit, nuk e kanë shkruar gjuhën e tyre veçse shumë vonë.

Për shqipen megjithatë, ky qortim nuk duket krejt e përligjur. Ka tregues – dhe shumë filologë janë të bindur për këtë – se shqipja e sotme, dhe para saj të folmet iliro-thrako-maqedone, prej të cilave ajo ka mbijetuar pa kundërshti të mundshme, kanë qenë të shkruara që prej lashtësisë më të hershme.

Vetë gjendja e sotme e gjuhës shqipe, pasuria e fjalorit të saj, zgjedhimet dhe lakimet gramatikore që përmban, të pasura e të larmishme në mënyrë të jashtëzakontë, rregullat e morfologjisë së fjalëve dhe të ndërtimit të fjalive, janë, të tëra këto, një provë e mjaftueshme se bëhet fjalë për një gjuhë jo plotësisht e zhveshur nga kultura.

Po ku janë provat e dukshme? Ku janë dokumentet e shkruara? Në kanë ekzistuar, ç’u bë me to?

E pra, këto prova, këto dokumente ekzistojnë, dhe nëse nuk janë aq të shumta sa do ta dëshironte shkenca, shkenca e vërtetë, shkaku duhet kërkuar në përmbysjet që ka njohur Shqipëria dhe trojet e stërgjyshërve të shqiptarëve të sotëm.

Në fakt, një vështrim i shpejtë hedhur në histori mjafton për të treguar se që prej kohësh parahistorike dhe deri në ditët tona, këto troje, të marra në tërësinë e tyre ose veç e veç kanë qenë teatër tronditjesh të tilla, që pak rajone të tjera kanë njohur. Bulevard nga ku zinin fill tërë invadimet e mëdha, viseve shqiptare u është dashur të mbanin krejt peshën e tyre. Në intervale pothuaj periodike prej 4–5 shekujsh, këto vise janë përmbysur me themel dhe çdo gjurmë mundi e përpjekjesh të popullatave gjatë intervalesh paqësore e qetimi do bëheshin pluhur e hi.

Veprat letrare shqipe – në ka pasur të tilla – përqendruar në një rreze relativisht të ngushtë, duke qenë se nuk bëhej fjalë për një gjuhë perandorake si greqishtja e latinishtja, kanë njohur fatin e keq të zhduken lehtë e përgjithnjë nën rrënojat e qytezave të rrafshuara gjatë fushatash rrënuese të pushtuesve. Dhe për këtë, shembujt për fat të keq janë të shumtë në historinë e popujve. Nuk ka pra këtu asgjë të çuditshme a të papranueshme; madje e kundërta do duhej të çudiste e të konsiderohej si një mrekulli. A nuk ndiejnë njerëzimi dhe shkenca keqardhje të thellë për humbjen e pandreqshme të pjesës më të madhe të letërsive greke e latine, megjithëse perandorake e të përhapura anë e kënd botës?

E megjithëkëtë, le të përpiqemi të nxjerrim në dritë disa tregues, qoftë edhe për të nxitur të rinjtë të ndërmarrin hulumtime e studime që mbase do të ishin të frytshme.

Le t’ia nisim nga Shqipëria e sotme.

Është tashmë pothuaj jashtë çdo dyshimi se në rajonet e Veriut (Iliri e Dalmaci), gjuha kombëtare ka qenë shkruar që herët.

Duke qenë se jeta intelektuale në ato kohë të shkuara ka qenë në duar të klerit, del rrjedhimisht se shumica e shkrimtarëve parapëlqenin të përdornin latinishten, ose ngaqë kishin bërë studimet në këtë gjuhë nëpër seminare, ose pastaj ngaqë donin t’i referoheshin një numri më të madh leximesh. Autorët shqiptarë që kanë shkruar në latinisht janë të shumtë.

Po prapë, popullsitë e këtyre rajoneve nuk e kanë lënë plotësisht pas dore idiomën e tyre kombëtare, për të cilën përshtatën që herët sisteme shkrimi sipas nevojave të saj fonetike.

Kemi fillimisht shkrimin glagolitik, shpikja e të cilit i njihet Shën Jeronimit, që sidoqoftë është shumë më i lashtë nga shkrimi cilirik. Marrë nga sllavët, pas shkombëtarizimit të krejt Dalmacisë dhe të një pjese të Ilirisë, shkronjat glagolitike u konsideruan si shkrim sllav, por gabimisht, sepse ato janë më të hershme nga zbritja e sllavëve në këto rajone; për më tepër, filologët, sllavë pikërisht, e kanë pranuar se shkrimi glagolitik është një alfabet i vjetër shqip.

Por ka edhe një shkrim të dytë kombëtar shqip përdorur deri edhe kohët e fundit në Shqipërinë e Veriut, të cilin e njohin si alfabeti i Skutarit (Shkodrës), për ta dalluar nga shkronjat që janë sot në përdorim.

Ky shkrim i përket një periudhe para shekullit XV, dhe librat e parë shqip të njohur, dorëshkrime të të cilëve datojnë nga shekulli, XIV janë shkruar me shkronja skutarine. Filologë arbëreshë na sigurojnë se dorëshkrime të tjera të së njëjtës periudhë, por ende të pabotuara ndodhen në Bibliotekën e Vatikanit.

Le të vijmë tani në Shqipërinë e Jugut e në Epir.

Popullsive të këtyre viseve me siguri u është dashur të ndjekin shembullin e vëllezërve të tyre të Veriut. Por, a përdorej shkrimi skutarin, apo ai i quajtur më pas glagolitik? Apo mos vallë kishin përshtatur një alfabet të veçantë? Përgjigja është shumë e vështirë, sepse dokumentet mungojnë plotësisht gjer më sot.

Të nënshtruara politikisht që prej shekullit III nga perandoria e Orientit dhe të varura nga pikëpamja shpirtërore nga patriarkati grek i Kostandinopojës, këto rajone kanë qenë pika drejt së cilës konvergjonin përpjekjet e propagandës greqizuese të ndërmarra nga politika bizantine shumë më herët nga shekulli VII. Nën perandorin Konstandin Koproni, kjo propagandë, ngritur në sistem politik, e intensifikoi fushatën shkombëtarizuese ndaj alogjenëve nëpërmjet vendosjes së kolonive greke në Traki, Maqedoni e Epir. Pasuesit e këtij perandori ndoqën të njëjtat rrugë.

Marrja e Kostandinopojës nga turqit as që e ngadalësoi veprimtarinë e një propagande të tillë; përkundrazi, u gjetën forca të reja për rrënim të mëtejshëm. Gjithë përpjekjet që bënin popullsitë vendase për t’u ringritur nëpërmjet kulturës së gjuhëve të tyre kombëtare, shtypeshin pa mëshirë nga kleri grek, mbështetur nga qeveria turke që s’njihte as interesat e saj të vërtetë.

Tërë shkrimet e vjetra shqipe u zhdukën sistematikisht; shkrimi i gjuhës ishte i ndaluar, nën kërcënimin e shkishërimit, dhe gjithçka u vu në zbatim për t’i bërë popullsitë e krishtera të harronin gjer edhe të folurën e tyre kombëtare.

Dorëshkrimet shqipe, të ruajtura në disa kuvende myslimane janë të periudhës turke; sa për ato të zbuluara në gjysmën e dytë të shekullit të shkuar, në Shqipërinë Qendrore, asgjë nuk lejon të përcaktohet origjina e tyre para shekullit XV, ndonëse për nga forma e germave duken se kanë lidhje me shkrimin pellazgjik.

I vjen radha tani të folmeve parashqipe, kur vetë shqipja është pa mëdyshje e mbijetuara e tyre.

Nuk ka më njeri në botë, për mendimin tonë, që mund të vërë në dyshim se pellazgët (trakët, frigasit, iliro-maqedonët, qipriotët, etruskët, etj.) nuk e kanë pas shkruar gjuhën e tyre që prej kohëve më të lashta.

Autorët grekë na mësojnë se shkronjat e quajtura fenikase kishin prejardhje pellazge dhe se prej kohësh këto shkronja njiheshin si pellazgjike.

Për më tepër që dokumentet nuk mungojnë; mbishkrime të shumta kanë dalë në dritë, një pjesë e të cilave janë deshifruar, por që ka qenë deri më sot e pamundur për t’i interpretuar.

A do të na e merrnin për mendjemadhësi sikur ne të guxonim t’u sugjeronim epigrafistëve të përpiqeshin të zbulonin sekretin shekullor të këtyre monumenteve duke u mbështetur te shqipja?

Kjo mund të sillte të papritura në fushën e linguistikës, e ndoshta edhe në mjaft fusha të tjera.

Z. Dr. Thomopoulos i Athinës, me ndihmën e shqipes ka mundur të gjejë, me sa duket, zgjidhje shumë të pranueshme për problemet që parashtrojnë shumë mbishkrime, për të cilat nuk ka qenë e mundur të kishte një interpretim të arsyeshëm me rrugë të tjera.

Studimet e Z. Ibrahim Grandi, mbetur mjerisht të pabotuara deri më sot, janë të orientuara në të njëjtin drejtim.

Nga ana tjetër, ka vend të shpresohet se kërkimet e ndërmarra në Shqipëri nga misione të ndryshme dijetarësh, të cilave qeveria mendjendritur e Republikës Shqiptare u jep krejt ndihmesën e vet, mund të nxjerrin nga thellësi e tokës monumente të reja për të folmen e lashtë të vendit. Po ashtu, një studim më i thelluar i palimpsesteve dhe dorëshkrimeve të tjera që përgjumen skutave të kuvendeve apo në fondet ende të paekpsloruara siç duhet të bibliotekave publike mund të nxjerrin edhe ato në dritë dokumente të tjera të çmuara për të pasuruar fushën e glosologjisë pellazgjike.

* * *

Pema e gjuhëve indo-europiane. Gjuha shqipe - degë e parë më vete, ndër gjuhët më të lashta

Duke pranuar që shqipja i përket familjes së madhe të gjuhëve indogjermanike, Z. Meillet e klasifikon atë në grupin e dialekteve orientale, përkrah sllavishtes, armenishtes, iranishtes dhe sanskritishtes, dhe pretendon se “në asnjë çast shqipja nuk ka qenë gjuha e një kombi të madh. Nuk ka gjurmë të saj askund në lashtësi”.

Që shqipja është një e folme indogjermanike, këtë askush nuk mund ta kundërshtojë; por që u lidhka në mënyrë të veçantë me grupin oriental, siç e vendos Z. Meillet, kjo duket si diçka e re.

E dimë se të tjerë, më modestë ndoshta, nuk e kanë parë veten në gjendje për të dhënë një mendim të caktuar për çështjen. Por ka megjithatë gjuhëtarë që kanë bërë studime të thelluara në këtë fushë dhe që kanë vërtetuar se shqipja, e mbijetuara e pellazgjishtes, vjen në krye të grupit greko-latin, shumë më afër sanskritishtes se asnjë idiomë tjetër e këtij grupi.

Z. Meillet parashtron se “e shkuara e shqipes është e panjohur”. Përsëri është një thënie krejt pa baza.

E shkuara e shqipes njihet për bukuri; historia, të paktën ajo që nuk mund të deformohet më sipas dëshirave, apo sipas interesave, është kategorike në këtë pikë.

Herodoti deklaron se ilirët, epirotët, maqedonët, trakët, nuk ishin grekë; mes tyre, ata formonin një familje të vetme. Diku gjetkë, si për të vënë më në dukje këtë dallim, shton se grekët kishin themeluar koloni në Maqedoni, sidomos përgjatë bregdetit.

Zotër të krejt lëvizjes tregtare, grekët ia arritën t’i sigurojnë gjuhës së tyre njëfarë epërsie në zonat bregdetare; kështu ka ndodhur pak a shumë kudo; në Azinë e Vogël, në Itali, në Sicili, në Francë, në Iliri, në Detin e Zi, në Libi e gjetkë. Fakti ripërsëritet edhe në kohët e mëvona në bregun e Maqedonisë e të Trakisë; qytetet, në shumicën e tyre, u helenizuan, ndërkohë që fshati dhe hinterlandi mbetën siç ishin.

Demosteni, në Filipiket e veta ngre zërin kundër mbretit të Maqedonisë, Filipit barbar.

Një stërgjysh i Filipit, Aleksandri I, që u kishte bërë tërë ato shërbime grekëve gjatë luftërave medike, nuk u pranua në Lojërat Olimpike si i huaj që ishte, dhe vetëm pas ndërhyrjesh të fuqishme u pranua në cilësinë e filohelenit, që iu njoh për nevoja të rastit.

Aleksandri i Madh asnjëherë nuk arriti të shprehej rrjedhshëm në greqisht dhe në çaste zemërimi lëshonte zakonisht sharje në gjuhën e vendit të vet.

Pas fitores së Granikës, dhe për të çoroditur mendjet e grekëve, Aleksandri u dërgoi tempujve të Athinës 300 cjep të lidhur me përkushtimin “Aleksandri, i biri i Filipit, me bashkëpatriotët e tij dhe grekët, pa spartanët”.

Ezumeni, sekretar i Filipit, dhe më pas po ashtu i Aleksandrit, që ishte me origjinë greke, shihej me sy të keq nga trupat maqedone, të cilat ua dorëzuan më në fund kundërshtarëve të tyre.

Tukididi, Straboni, Polibi, Diodori, Ptolemeu, Plini e të tjerë janë të gjithë në një mendje për unitetin etnik të ilirëve, maqedonëve e trakëve; mirëpo, këta të fundit, për mendimin e krejt lashtësisë ishin kushërinj të afërm me frigasit, me bitynët, etj. të gjithë të racës pellazgjike.

Dihet nga ana tjetër se teogonia helenike është pothuaj e gjitha me origjinë trako-frigase dhe arkadine; mirëpo, pjesa më e madhe e emrave të perëndive të Olimpit grek kanë përngjashmëri me rrënjët e ruajtura në shqipen moderne.

Një pafundësi emrash të përveçëm, emërtimesh gjeografike dhe të tjera, prejardhur nga vise frigo-ilirike, dhe shumica e fjalëve të idiomave të tyre të veçanta, ardhur gjer tek ne, përmbajnë rrënjë, gjurmë të të cilave i hasim në gjuhën e folur prej shqiptarëve.

Në fjalët që Aristofani vë në gojën e një perëndie tribale gjejmë, pa vështirësinë më të vogël fjalët dhe ndërtimin e tyre në shqipen e folur të ditëve tona; një shqiptar nuk do mund të shprehej ndryshe; dhe kjo daton që prej 24 shekujsh.

Platoni thotë se grekët e morën nga frigasit fjalën PYR (= zjarr); po të jetë kështu, vërejmë se fjala frigase ekziston në gjuhën e folur nga shqiptarët. A mos vallë këta e paskan huazuar nga grekët? Apo e kanë të trashëguar nga të folme stërgjyshore? Pas gjithë kësaj që thamë, përse të mos pranohet kjo alternativë e fundit?

A mund ta përmbledhim gjithë sa më sipër?

Për aq sa parashtruam shkurtimisht – dhe nuk bëhet fjalë këtu për kurs historie a gjuhësie – mendojmë se dalin qartë:

1° që shqiptarët janë stërnipërit e ilirëve, maqedonëve, trakëve, frigasve dhe popujve të tjerë të së njëjtës familje, idiomat e të cilëve nuk ndryshojnë mes tyre veçse në nuanca dialektore.

2° që shqipja moderne është e mbijetuara e gjuhës që flisnin këta popuj të paktën para 24 shekujsh.

3° që, rrjedhimisht, e shkuara e saj nuk është e panjohur, siç e do Z. Meillet.

4° që, ashtu si keltishtja, ajo ka qenë e folur nga një numër i madh popujsh, gjë që, për mendimin tonë, e plotëson më së miri postulatin e “kombit të madh” që parashtron Z. Meillet.

Z. Meillet shton se “Deri vitet e fundit, ajo nuk ishte shndërruar në gjuhë letrare të shkruar, të përbashkët për tërë shqiptarët.”

Besojmë se vërtetuam mjaftueshmërisht se u krijua një e tillë: veprat e shumta letrare, të botuara që prej shekullit XVI janë të tilla që i heqin çdo vlerë kësaj thënieje, dhe se kjo gjuhë ishte mirë e bukur “e përbashkët për të gjithë shqiptarët”, duke qenë që vetë autori e pranon shprehimisht se “përngjashmëritë midis këtyre të folmeve lokale janë ende shumë të mëdha, dhe se tërë individët që flasin shqip arrijnë me pak përpjekje të merren vesh mes tyre”.

Nëse lëvizja letrare nuk ka mundur të arrijë në një zhvillim më të madh, faji nuk mund të kërkohet veçse në kushtet politike në të cilat, gjatë shekujve, është përpëlitur kombi shqiptar, nën zgjedhën e dyfishtë tiranike të qeverive bizantine e turke nga njëra anë, dhe e patriarkatit grek, nga ana tjetër.

* * *

Z. Meillet sigurisht që gabon për sa thotë lidhur me kongresin e mbajtur në Manastir më 1908. Nuk bëhej fjalë aty “për të përcaktuar ortografinë e shqipes”, por për të unifikuar sistemet e ndryshme të shkrimit të gjuhës.

Deri në atë kohë, atyre që shkruanin shqip u ishte dashur t’u përshtateshin mundësive dhe burimeve që u jepnin rrethanat dhe mjedisi në të cilin ishin të detyruar të punonin, nga ku dhe larmia e shkronjave alfabetike sipas vendeve nga shkruanin, nga Amerika, Bullgaria, Egjipti, Franca, Italia, Rumania apo gjetiu.

Kongresi i Manastirit, i mbajtur në rrethanat e shpresës që kishte ushqyer në një çast të caktuar ardhja në fuqi e xhonturqve, vendosi pikërisht t’i jepte fund kësaj shumësie sistemesh të shkrimit.

* * *

Duke ndjekur pretencën e tij kundër shqipes, Z. Profesor A. Meillet deklaron se kjo idiomë “nuk shihet të ketë ushtruar ndonjëherë një veprim të dukshëm mbi një gjuhë tjetër, ndërkohë që vetë si gjuhë ka huazuar prej të tjerave me duar të shtrira gjithandej”.

Asgjë e jashtëzakontë dhe e çuditshme në faktin – nëse është e vërtetë – se shqipja nuk ka ushtruar ndikim në gjuhët e tjera.

E tërhequr përherë e më shumë në një qoshk të vogël të territorit të gjerë që zotëronin stërgjyshërit e tyre në agim të kohëve historike; e rrethuar dhe e shtrënguar të luftojë pa pushim kundër fqinjësh përherë e më shumë gllabërues që nuk reshtnin së lakmuari deri edhe copëzën e fundit të trashëgimisë së tyre, shqiptarët nuk mund të kishin, në rrjedhë të shekujve, as kohën, as qetësinë shpirtërore, as mjetet materiale të nevojshme për zhvillimin intelektual e letrar dhe për rrezatimin tregtar, të vetmet mundësi për të ushtruar ndikim mbi të tjerët.

E tani, le të shtojmë se nuk e shohim pa vend t’i këshillojmë të gjitha ata që ndajnë të njëjtat mendime me Z. Meillet të studiojnë me më shumë paanësi greqishten moderne. Mund të ndodhë të gjejnë në të, qoftë në fushën fonetike, qoftë në atë të ndërtimit të fjalive, elemente që ndoshta do t’i bënin të ndërronin mendim në këtë çështje; kjo, pavarësisht nga tërë fjalët pellazgjike të pranuara si të tilla në greqishten e vjetër, dhe tërë fjalët shqipe, depërtuar në greqishten popullore dhe që kanë aty përdorim të gjerë, pavarësisht përpjekjeve që bëjnë për pastrim të tyre.

Që shqipja ka huazuar nga gjuhë të tjera, më të përparuara se ajo nga pikëpamja politike apo letrare e tregtare, kjo është e pamohueshme; dhe në këtë çështje, nuk është as e para, as e fundit në krahasim me të tjerat.

Megjithëkëtë, këto huazime nuk duket se kanë rëndësinë që pëlqen t’u japë Z. Meillet, i cili flet vetëm me sa ka dëgjuar; sepse shihet qartë që ai nuk e njihte shqipen.

Pavarësisht nga kjo padije, autori nuk ka ngurruar aspak t’u hyjë hulumtimeve etimologjike për gati dhjetë fjalë që, siç shihet më së miri, i janë paraqitur nga të tjerë, të interesuar për denigrimin sistematik të shqiptarëve e të gjuhës së tyre.

Amatorët e barcaletave e të shakave do vinin tellallin sikur një politikani me mend në kokë e vlerë të veçantë t’i mjaftonin vetëm dy rreshta përshkrim thjesht për të gjykuar e ndëshkuar një njeri. Z. Meillet, profesor gjuhësh në Kolegj të Francës nuk është se kërkon më shumë se kaq: me dymbëdhjetë fjalë pa rëndësi, jep ndëshkim kundër një populli të tërë.

Nga ana jonë, ne do kishim dashur të ndaleshim këtu, sepse çka pason, domethënë argumentet etimologjike të rreshtuara nga Z. Meillet nuk janë veçse vogëlsira të kota. Por prapëseprapë, duke marrë parasysh cilësinë e autorit, meqë mund të qëllojë t’u kushtohen këtyre vogëlsirave më shumë vlerë nga sa mund të kenë në realitet, jemi të detyruar të mos lëmë në heshtje as këtë pikë të fundit.

Mbret (= roi), është thjesht forma që ka marrë në shqip fjala latine imperator”, thotë Z. Meillet.

Vërejmë kalimthi se mendimet janë të ndara rreth zanafillës së kësaj fjale.

Disa mendojnë se: imperator (= perandor) nuk ka veçse një përngjashmëri homografike me termin imperator (që komandon, e rrjedhimisht, gjeneral ngadhënjimtar). Dihet se vetë romakët nuk e honepsnin fjalën mbret (rex); andaj, kur u ndodhën përpara domosdoshmërisë të shprehnin dinjitetin mbretëror, e plotësuan këtë nevojë duke huazuar termat e përshtatshme nga të folmet e lashta italioteii. Kështu, nga sa thuhet, e morën nga oskët termin embratur apo mbratur (mbret, e përafërt me greqishten e vjetër Pratos) që gramatikanët do ta kenë përshtatur për ta pleksur e shkrirë fonetikisht me fjalën latine. Kështu do ndodhte edhe për fjalën Caesar përshtatur nga gjuha etruske: Kaesar (= mbret), fjalë që falë një përkimi jo krejt e rastit, duke qenë se etruskët ishin pellazgë, haset në shqipe: këzar (= ai që vë në kokë kurorë).

Po kjo thjesht sa për kujtesë.

Z. Meillet gati sa nuk ua quan krim shqiptarëve se na paskan përshtatur këtë fjalë; por ç’ka në këtë mes gjë të jashtëzakontë? Shqiptarët nuk i njohën perandorët veçse me sundimin romak; nga ai çast, ishte krejt e natyrshme që ta merrnin fjalën në përdorim nga sunduesit; kjo është parë kudo e në tërë kohët.

Sidoqoftë, shtojmë se në shqipe nuk mungojnë kurrsesi termat barasvlerës si: kren, rregjë, prenn, (dhe prent), prekë (dhe prenk), çelë, cekë, dhe ndoshta të tjera të barasvlershme me mbret, prijës, fisnik etj., disa syresh të përafërta me termat me të njëjtin kuptim të grecitetit parahistorik dhe të galishtes pararomake.

Fjalë dhe flasij “terma po aq të zakontë, janë me origjinë latine; bëhet fjalë për latinishten fabella, italisht favella, fabulare (spanjisht hablar)” – parashtron Z. Meillet.

Sipas kësaj, na dalka se shqiptarët paskan pritur pushtimin romak – dhe pse jo edhe formimin e italishtes moderne e të spanjishtes? – që të arrinin të shprehnin ide nga më të thjeshtat e më të përdorshmet në tregtinë e çdo shoqërie njerëzore, qoftë edhe primitive!

E vërteta lumturisht është krejt tjetër. Kishte në bagazhin indogjermanik rrënjë si fly, flo, fle, fel, fol, të cilat grekët i bënë të tyret: flyso (flas), e njëgjinishme ndoshta me latinishten flo me të njëjtin kuptim dhe e përngjashme me shqipen fjalë (për flalë), dhe flasij (fola, flet, flit, fliste). Këtu i afrohemi rrënjës indogjermanike: faf ( f- ja e fundit për digama) dhe fah (h-ja për digama si shenjë diakritike), nga e cila grekët nxorën : faoo dhe femi, latinët: fari (nga ku fabula, me zvogëluesin fabella, ndërkohë që shqiptarët e ruajtën tek them (thënë, thashë, thuaj, thoshte, theshte, etj.).

Qen, nga latinishtja “canis”- sipas Z. Meillet; mirëpo canis është e njëjtë me greqishten kyoon dhe me sanskritishten çvan (apo svan) dhe kvan, që haset edhe te shunah, çunas, shuni. Për fjalën greke kyoon (gjinorja kynos), Platoni thotë se “grekët do ta kenë marrë nga frigasit, që e shqiptojnë me një dallim të vogël”.

Sidoqoftë, shqiptarët, që prej parahistorisë, rrisnin qentë e tyre molosë, zotëronin në gjuhën e tyre fjalët qën, qen dhe çen, të prejardhura, me sa duket, nga një rrënjë e përbashkët indogjermanike.

Por, duke pranuar se – gjë e pamundur – fjala qen qenka huazuar nga latinishtja canis, kjo nuk përbën aspak një provë të varfërisë së gjuhës, siç pandeh Z. Meillet; shqipja ka ruajtur gjer në ditën e sotme sinonimet: shak dhe për femrën shagë, e po ashtu, bicë, becë, buçe, bushtër, mecë, gore, kute, e të tjera.

Fron, nga greqishtja thronos. Shkëlqyeshëm; por përkrah kësaj fjale, që është njëfarësoj e specializuar, ka në shqip edhe sinonimet: shkam e selijë të një përdorimi shumë më të gjerë. Por në fakt, a është e drejtë të qortohen shqiptarët për këtë huazim, i imponuar nga sundimi bizantin dhe nga kisha greke, ndërkohë që kombe të tjera, dhe ndër më të përparuarit i kanë huazuar greqishtes, pa qenë aspak të detyruar, të njëjtën fjalë?

Lypset (dhe lipset), ”nga greqishtja eleipsa = kam lënë”, thotë Meillet. Shënojmë se për greqishten, kuptimi është: mungon, duhet.

Sidoqoftë, shqipja zotëron foljet: lypij e lipij, së bashku me të prejardhurat e tyre, kuptimi i të cilave, pothuaj i ngjashëm, është: kam nevojë, kërkoj, ngulmoj, dua, lutem, përgjërohem, shtrij dorën, etj.

A do të ishte e guximshme, pas tërë këtyre, të parashtrohej se shqiptarët as që kishin nevojë të huazonin nga fqinjët e tyre të Jugut termin në fjalë, të përafërtit e të cilit do duhej të kërkoheshin në fakt në një fond të përbashkët indogjermanik?

Papsem (= prehem), “nga greqishtja epafsa”. Krejtësisht e panjohur në shqip, kjo fjalë mbase është në përdorim te kolonitë shqiptare të Greqisë.

Për të shprehur idenë e prehjes, shqiptarët kanë: pushoj, qetem, çlodhem, prëhem, mërxej, e të tjera sinonime.

Zakon. Fjalë, në fakt sllave, me përdorim shumë të gjerë në Shqipëri.

Megjithatë, gjuha zotëron edhe më shumë sinonimet: dokë, xajë, ojtnijët, sull, e ndoshta edhe të tjera.

Sahat. Fjalë e futur gjatë sundimit turk, dhe si e tillë, e treguar me gisht nga shqiptarët. Barasvlerësit shqip herë e herëzë pothuaj e kanë zëvendësuar plotësisht.

Zaman. Fjalë po ashtu e ardhur gjatë sundimit turk. Z. Meillet siguron se “është gjerësisht e përhapur”. Qofshim të lejuar për ta vënë në dyshim. Në Shqipëri është dëgjuar prej kohësh e kudo fjala kohë; mund të qëllojë, dhe rrallë e në raste të veçanta, shqiptarë të turqizuar apo turq, duke e njohur jo mirë shqipen, të përdorin termin zaman. Le të shënojmë se termi në fjalë është në përdorim të zakontë edhe në vende të tjera ballkanike.

Fitim (dhe jo fit) nga italishtja proffitto, mendon Z. Meillet. Do të josheshim drejt së kundërtës, se ç’do thuhej sikur të shpreheshim që nga një fitim italisht të mund të përftohej një profitto shqip; po ja që nuk shkojmë gjer aty.

Vëmë thjesht në dukje që profitto vjen nga folja latine proficio, vetë kjo e përbërë nga pro dhe facio, nga ku pamundësia që fitim të rrjedhë prej këtej, e po ashtu, edhe fjalët e tjera të së njëjtës familje në shqip.

Por nëse këmbëngulet absolutisht në atë që fjalët e shqipes vijnë nga latinishtja, pse të mos orientojmë hulumtimet nga ana e vincere dhe victoria?

Domosdo, ne nuk e përkrahim një lidhje të tillë. Ne thjesht priremi të themi se fjala shqipe [fitim] është mirë e bukur shqip, dhe lidhet me një rrënjë indogjermanike, që rihaset në latinishtet: vigor, victoria, e të tjera, e ndoshta edhe në greqishtet ishys, ygjeia etj.

Fortë, “dhe folja e prejardhur forcoj (fortësoj më mirë), nuk janë veçse italishtja: forte, forzare”, pohon doktoralisht Z. Meillet. Gabimi i tij vjen ngaqë nuk ka mbajtur parasysh latinishtet: fortis, fortesco (= bëhem i fortë); greqishtet ferteros, fertatoz, sfodhra; gotishten hart; sllavishten vreden, si dhe të tjera. Shqipja zotëron nga ana tjetër fjalët: fërtymë dhe vërtik, që në rast nevoje do të mjaftonin për të provuar se Z. Meillet gabon të paktën portën e hyrjes. Pagoj, “nga pagare e italianëve”. Mirëpo, kjo e fundit me sa duket vjen nga një pacare (= qetësoj) latine, ashtu sikurse franko-romaket: payer, poyër, paiar, pagar, paguar, etj., spanjisht pagar, dhe anglisht to pay; të paktën për një herë, ja që shqiptarët na qenkan mes një shoqërie të shkëlqyer; do t’u mbetej qejfi sikur t’i shkëpusnin. E u takon linguistëve, që njohin gjithashtu latinishten: placare, dhe rrënjët sllave plat, plak plaq, të cilat hasen gjithashtu, në mos lajthitemi, në rumanishte, të na thonë nëse po gabojmë.

S. KOLEA

Tiranë, 30 qershor 1928.

Përktheu nga origjinali frëngjisht Fotaq Andrea.

Redaktoi prof. Emil Lafe.

© Fotaq Andrea

© Zemra Shqiptare


i Një keqinformim i rëndë në qershor 1928, kur është shkruar ky artikull, e ka shtyrë Sotir Kolean ta konsiderojë gabimisht të vdekur gjuhëtarin francez Antoine Meillet (1866-1936), tek shkruan konkretisht në hyrje të studimit të tij: “La « Nouvelle Albanie » (Shqipërija e Re) n°316 e 317 e prillit të shkuar, botoi nën firmën e Z. I.N.Duployen dhe nën titullin e mësipërm një pjesë të artikullit që me po atë titull kishte shkruar i ndjeri A. Meillet për Revue Hebdomadaire të Parisit, N° 32 të 7 gushtit 1915. T’i rikthehesh subjektit në largësi prej trembëdhjetë vjetësh, e sidomos pas vdekjes së autorit, mund t’i duket shumëkujt fare e kotë” (nënvizimi ynë – F.A.).

ii Sipas Wikipedias, termi Italiotes ( greqishte të lashtë : Italiotikoi) përrcaktonte kolonët grekë të Greqisë së madhe, duke i dalluar këta nga banorët jo grekë të Italisë së Jugut dhe nga grekët që banonin gjetiu, në Siçili.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Fotaq Andrea: Pena të arta franceze për shqiptarët - Ismail Kadare (3) Fotaq Andrea: Pena të arta franceze për shqiptarët - Ismail Kadare (2) Fotaq Andrea: Pena të arta franceze për shqiptarët - Ismail Kadare (1) Ekskluzive nga Fotaq Andrea & Dritan Muka: Shpatat e “Skënderbeut” në Vjenë nuk janë të Gjergj Kastriotit Ekskluzive nga Fotaq Andrea & Dritan Muka: Misteret e Kokës së prerë të «Skënderbeut» Ekskluzive nga Fotaq Andrea & Dritan Muka: Figura e Skënderbeut sipas një kompozimi në gravurë në vitin 1631 Fotaq Andrea: Botohet antologjia ''Faik Konica – Për një Shqipëri Europiane'' Fotaq Andrea: Pena të arta franceze për shqiptarët (8) Fotaq Andrea: Pena të arta franceze për shqiptarët (7) Fotaq Andrea: Pena të arta franceze për shqiptarët (6) Fotaq Andrea: Pena të arta franceze për shqiptarët (5) Fotaq Andrea: Pena të arta franceze për shqiptarët (4) Fotaq Andrea: Pena të arta franceze për shqiptarët (3) Fotaq Andrea: Pena të arta franceze për shqiptarët (2) Fotaq Andrea: Pena të arta franceze për shqiptarët (1) Fotaq Andrea: Shën Pali në Durrës Fotaq Andrea: Faik Konica me dy romanet e tij – ‘Martesa e Lejlës’ dhe ‘Sotiri e Mitka’ (3) Fotaq Andrea: Faik Konica me dy romanet e tij – ‘Martesa e Lejlës’ dhe ‘Sotiri e Mitka’ (2) Fotaq Andrea: Faik Konica me dy romanet e tij – ‘Martesa e Lejlës’ dhe ‘Sotiri e Mitka’ (1) Fotaq Andrea: Faik Konica lartohet përmbi shablonizmat, dogmat dhe paragjykimet e së shkuarës

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx