Speciale » Andrea
Fotaq Andrea: Pena të arta franceze për shqiptarët (5)
E diele, 08.10.2023, 08:34 PM
Pena të arta franceze për shqiptarët (5)
Nga
Fotaq Andrea
PORTRETE TË SKËNDERBEUT
Dorëshkrim
anonim [1899]
Fakti
që Muzeu i Vienës zotëron shumë portrete të lashta të Skënderbeut i ka shtyrë dijetarët
e këtij Muzeu të bëjnë një studim lidhur me këto portrete1,
nga ku janë marrë të dhënat e mëposhtme :
Ka
shumë të ngjarë që gjatë vizitës së Skënderbeut në Venecie më 1466 portreti i
tij të jetë bërë nga piktori i famshëm Gentile Belini. Ky portret është
zhdukur, por botimi i parë i veprës së Marinus Barletusit « De vita e
rebus gestis Scanderbegi », botuar në Romë përmban një gravurë në dru
25.8x17.4 cm me prejardhje nga Venecia dhe firmosur BV (Bernardinus Venetus de
Vitalibus) që ka qenë gdhendur pak a shumë më 1500 në bazë të skicimeve të
Gentile Bellinit.
Një
nga portretet e Skënderbeut që ndodhen në Muzeun e Vienës me mbishkrimin
SCANDERBEGVS duhet të jetë kopje e këtij stampimi të vitit 1500 të Bernardinus
Venetusit. Ai e tregon heroin shqiptar në profil nga ana e majtë, flokët e
prera rrafsh, me një mjekër të gjatë ; kryet i ka të veshura me takije të
përhime ngjeshur mirë pas koke, përbërë nga cohë e stolisur, mbi takije ka një
kapë të kuqe pa bordurë, ku shfaqet vetëm pjesa e sipërme. Coha e mantelit
paraqet llojin e vizatimit që ishte në përdorim në fund të shekullit XV dhe
është e veshur me gëzof.
Muzeu
i Vienës zotëron po ashtu një portret të dytë me mbishkrimin GEROGIVS •
CASTRIOTVS • SCANDERBEGVS, me kokën e kthyer në anën e djathtë ; fytyra
dhe kostumi kanë pak përngjasë me portretin e parë të ardhur nga Venecia ;
ky portret i dytë është një kopje e vjetër që duhet të jetë bërë në Firence,
por kjo kopje është më e re nga ajo e Veneciës, dhe daton nga mesi i dytë i
shekullit XVI. Në galerinë e Firencës gjendet një portret i Skënderbeut i
ngjashëm me kopjen e mësipërme.
Ky
portret është i njohur në Shqipëri, sepse françiskani Leonard De Martino e ka
fotokopjuar dhe shpërndarë në shumë kopje.
Më
në fund, portrete të Skënderbeut pak a shumë fantaziste janë riprodhuar në
botime të ndryshme ; përkthimi gjermanisht i veprës së Barletit botuar në
Frankfurt më 1533 nga Joannès Pincianus ilustrohet me një portret ku veshja
është krejt e ndryshme ; një botim i mëvonshëm i së njëjtës vepër botuar më
1577 përmban mbi frontespic një portret të kthyer më të majtë, me kapë me pendë
dhe një tunikë me gajtane, Skënderbeu duke mbajtur më të djathtë një
« buzdogan » ; ky portret është riprodhuar në frontespicin e
librit « T’nodhunat e Shcypnis », botuar më 1898.
Ballina e një prej botimeve të
Barletit, shek. XVI.
Më në fund, Imzot Doçi, i ndjeri abat i Mirditës dhe
personazh shumë patriot solli rreth vitit 1897 nga Italia një portret, ku asgjë
e saktë nuk njihet ; nuk dihet nëse kemi të bëjmë me një kopje të ndonjë
portreti tjetër apo me një vepër fanteziste. Paraqet një njeri me hundën
shkabë, mjekrën të gjatë e të përhime, kryet mbuluar nga kapë me xhufkë, veshur me
mantel të qëndisur e jakë të gëzoftë. Mbi kornizën e portretit është vendosur
një pllakë që mban mbishkrimin Vera Regis Skanderbeg effigies, ex
portioritus A. Urbis2
documentis (Portreti i vërtetë i mbretit Skënderbe, sipas dokumenteve të
lashtë të...).
Portretet
e Skënderbeut në Muzeun e Vienës bëjnë pjesë në koleksionin me portrete të
njerëzve të shquar që arkiduka Ferdinand, guvernator i Tirolit i kishte
mbledhur rreth vitit 1560 ; ky princ i pëlqente objektet e artit dhe ishte
një koleksionist i madh ; veprimtarët e tij ose i kanë blerë ose i kanë
porositur këto portrete në Itali ; prej gati 400 vjetësh, ato gjenden në
Austri dhe mund të konsiderohen si portretet më autentike të heroit të madh
shqiptar. Pjesa më e madhe e portreteve orientale, përfshirë edhe portretin e
Skënderbeut që gjenden në koleksionin e arkidukës Ferdinand janë mbledhur nga
shkrimtari Pirris që jetonte në Komo të Italisë në gjysmën e parë të shekullit XVI.
Les
portraits de Skanderbeg conservés au Musée national de Vienne
(Portretet
e Skënderbeut të ruajtura në Muzeun kombëtar të Vienës)
AQSH,Tiranë,
F.18, D. 4, fl.18-22.
Caton R . Woodeville, Lule për Skënderbeun,1910
Léon
CHARPENTIER
Leon
Sharpentier (1859-1945), publiçist e shkrimtar, deputet në vitet 1914-1919,
senator në vitet 1920-1930 si dhe dy herë zgjedhur në postin e Kryetarit të
Bashkisë së Sedanit.
FESTA E LULEVE PËR
HEROIN KOMBËTAR SHQIPTAR
Festa
e Luleve* për nder të Skënderbeut bëhet në fillim të
Bajramit, domethënë të pashkëve myslimane. Është mjaft e veçantë tek
shqiptarët, për të kremtuar pikërisht kujtimin dhe kreshnikëritë e Heroit të
madh Kombëtar që çliroi Shqipërinë nga zgjedha e turqëve.
Gjatë
natës që i paraprin Festës së Luleve, burrat e Shqipërisë, të gjithë
luftëtarë mblidhen dhe pleqtë zënë e u tregojnë të rinjve historinë e
Skënderbeut, e cila përcillet nga brezi në brez. [...]
Pasi
luftëtarët kanë kaluar gjithë natën duke i kënduar lavdisë së Heroit Kombëtar,
gratë, me të zbardhur agu i mëngjesit, ngjiten në ballkone e tarrraca, duke
mbajtur në duar shporta plot lule, të cilat nisin e i hedhin simbolikisht drejt
tokës e drejt diellit.
Ndër
këngët e vjetra, që janë të shumta në Shqipëri e Maqedoni, njëra jep shpjegimin
e krejt këtij simbolizmi kaq poetik :
“
Ti ishe i ri si trëndafil i kuq, gjithë nur e dritë, si vetë agimi, o Heroi
ynë, kur u shfaqe ngadhnjimtar para motrave e nënave shqiptare, ishe gjithë
çiltërsi, si vetë vesa e mëngjesit dhe gjithë fuqi si vetë ky diell që po
ngrihet në qiell. I dhe dritë e shkëlqim natës së errët që kish pllakosur në
vend. Foshnjat në djep u drodhën nga gëzimi, vogëlushët gjithë bëlbëzime nisën
të këndojnë këngët çlirimtare, dhe vetë varret plot shpresë zunë e u drodhën.
Kurse sot, foshnjat në djepe rënkojnë dhe varret s’po bëzajnë. Lule, o lule,
bini ëmbël në zemër të Shqipërisë, në zemër të Heroit !”
Nuk
ka vajzë a grua në Shqipëri që të mos i dhurojë lule Kastriotit të madh.[...]
Journal
des Voyages, n° 710, 10 korrik 1910.
LE
SIEUR DU LOIR
TË VETMIT NJERËZ QË RUAJTËN LIRINË
Udhëtimet
e Fisnikut të Luarës, në bazë të shumë letrave shkruar prej tij nga Levanti, me
shumë të veçanta, që nuk kanë qenë njohur më parë dhe që kanë të bëjnë me
Greqinë dhe me sundimin e Sulltanit të Madh, me fenë, doket dhe zakonet e
shtetasve të tij…Me relacionin për rrethimin e Babilonit më 1639 nga sulltan
Murati*.
[…]
Ecëm dy orë të mira përgjatë bregut të detit dhe nuk hasëm veçse një fermë
rreth një milje larg Avlisit, deri tek një kasolle arnautësh, që ishte larg saj
dy a tre lega.
Me
siguri në fjalën arnaut ju do ndaleni, dhe do çuditeni që ka popuj në
Greqi që nuk i njihni. Kjo lloj popullsie përbën sot një pjesë të madhe të
banorëve të saj dhe për ta shtuar edhe më shumë habinë tuaj, do t’ju thoja se
pavarësisht nga robëria e përgjithshme që i rrethon, janë të vetmit njerëz që
ruajnë në mënyrë të pamposhtur këtë liri, për të cilën janë goditur aq shumë,
për të cilën kanë bërë aq shumë, duke zhvilluar tërë ato luftra. Janë
shpërndarë fshatrave të Greqisë dhe mbahen për të krishterë, e megjithatë nuk
dinë asgjë për fenë tonë, në mos vetëm emrin dhe nuk praktikojnë asnjë rit
tjetër veç bërjes së kryqit. Nuk e di nga e ka origjinën ky popull dhe, megjithëse
i quajnë edhe shqipëtarë, nuk besoj se vijnë nga Shqipëria : por duket
lehtë që janë të huaj.** Përveç
gjuhës së vendit, kanë edhe një tjetër që është e veçantë, dhe që të tjerë veç
tyre nuk e mësojnë kurrë. Veshja e tyre është e ndryshme nga ajo e grekëve, dhe
ngjason më shumë me veshjen e fshatarëve të Francës, dhe mbi kokë, që e mbajnë
të rruar, mbajnë një kapuç të bardhë në të përhimë e me majuc, që është aq i
vogël sa mezi mbulon çafkën ; por dallimi më i madh, më duket mua, është
ai që ka të bëjë me vetë njerëzit ; janë më të gjatë e më të fuqishëm se
grekët. Jetojnë zakonisht së bashku, si
në një manastir, ku çdo familje ka banesën e vet.
Gratë
e tyre, prej të cilave pashë mjaft të bukura, i zbukurojnë hijshëm kryet dhe
mbajnë në kokë dy rrathë prej druri, njëri që vendoset si kurorë dhe tjetri që
u zbret gjer tek mjekra. Gjerdani, apo si të thuash vargareja është e përbërë
nga lëndë e drunjtë, apo nga fije liri veshur me pëlhurë, në të cilën varin
monedha të ndryshme, nga më të huajat e më të rrallat, si më të vlerësuarat, ku
më ra në sy një Teston nga Franca. Kur ato rrinë në shtëpi për të bërë gjalpin
dhe djathin, burrat dalin e rrinë në fshat, në pritje për të marrë produktet e
për t’i shitur zonave përreth gjatë ditëve të pazarit, ose pastaj ruajnë
kopetë. […]
Dielli
po perëndonte tashmë dhe nuk po shihnim ende vend ku mund të ndaleshim për të
kaluar natën.
Frika
që kishim nga arnautët** na
bënte që as mos e shkonim ndër mend të fushonim nën pemë, aq shumë ishim të
vendosur të udhëtonim për tërë natën, nëse nuk do kishim dalluar shumë për së
largu një dritë pishtari që na shërbeu si vetë fanari për ata që lundrojnë. Na
shpuri në një strehë arnautësh ku mbërritëm më në fund, pas tre orësh udhëtimi
që kishim bërë. Porta ishte e barrikaduar dhe të lehurat e qenëve që nga
brenda, ngritën disa djelmosha që e ruanin dhe që në fillim nuk pranuan të na
fusnin brenda, megjithë urdhrin e jeniçerit për ta hapur.
Në
fillim, nga frika dhe pasiguria, gratë u tërhoqën nëpër kthinat e tyre, por
kërshëria nxiti njady prej tyre të afroheshin me një qiri. Donin të na shihnin,
ashtu sikurse edhe ne e kishim të njëjtën dëshirë për t’i parë dhe, pasi i
përshëndetëm me mirësjellje dhe u thamë ca fjalë të mira, e panë edhe vetë që
nuk ishim njerëz për t’u patur frikë.
Hymë
më në fund brenda, dhe na shpunë në kthinën më të bukur të banesës së tyre. Nuk
është nevoja t’ju themi që nuk kishte tavan të praruar ; por as do ta
merrnit po ashtu me mend se ishte më shumë një stallë sesa një kthinë pa oxhak,
ku lypsej të mbanim kuajt me vete, sipas mënyrës së njerëzve të parë.
Dy
a tre rrogozë të vjetër që shërbenin për shtrojë mobilonin atë hyrje të
shkëlqyer, dhe sapo kishim hyrë brenda kur tërë njerëzit e shtëpisë erdhën tek
ne për të na nxjerrë, gjithsecili, me ngrohtësi të jashtëzakontë, diçka për të
ngrënë.
Dikush
na vinte përpara ullinj, një tjetër na sillte vezë, një tjetër prodhime
bulmeti ; por çka ia vleu më shumë ishte kur dy gra na sollën bukë e
sallatë, me një kaposh të madh që e poqëm në çast për darkë. [...]
Udhëtimet
e Fisnikut të Luarës…
Paris,
1654, Avec privilège du Roy.
Le
Comte de CHOISEUL-GOUFFIER
Konti
dë Shuazël – Gufie (1752-1817), Kalorës i Legjionit të Nderit, Anëtar i
Akademisë së Mbishkrimeve, ambasador i Francës në Konstandinopojë dhe më pas
Drejtor i Akademisë së Arteve të Bukura e të Bibliotekave në Rusi, Per i
Francës dhe ministër shteti. Botoi veprën e tij trevëllimshe “Udhëtim piktoresk
në Greqi”, që njohu sukses të madh për vizionin romanesk me të cilin përshkruan
Greqinë nën sundimin otoman, të dëshiruar për të rigjetur lirinë. Në tekstin e
mëposhtëm komenton gravurën “Ushtarë shqiptarë”, që në mjaft raste i njihet
edhe atij vetë autorësia.
USHTARË
SHQIPTARË
Jean Baptiste Hilaire, « Ushtarë shqiptarë », 1782
Ky
vizatim është bërë duke patur parasysh një truprojë shqiptare, që komandanti i
Koronit me paturpësi e paguante për t’u mbrojtur nga ushtarë të tjerë të po
këtij kombi, të cilët, shpërndarë fshatrave, vinin dhe godisnin turqit e
garnizonit gjer tek muret ku mbroheshin. Këta shqiptarë krenarë do kishin qenë
sërish heronj nëse do kishin pasur një Skanderberg në krye; por nuk janë veçse kaçakë, pamja e jashtme e
të cilëve flet për ashpërsi. Janë të gjithë shtatlartë, të dobët, të shkathët
dhe gjithë nerv. Veshja përbëhet nga poture tepër të gjera, një fustanellë mbi
gjunjë, një krahol zbukuruar me shumë radhë sumbullash të sermëta sa një kokërr
ulliri, me pllakëza e varganë; mbajnë mbathina lëkure lidhur me lidhëse që
shpesh ngjiten gjer tek gjunjtë, për të shtrënguar mbi pulpa e në kërcë
pllakëza në formë të këmbës, duke i mbrojtur kështu nga fërkimi gjatë kalërimit
; zhguni i tyre, gajtanuar e shirituar në shumë ngjyra i jep tërë asaj veshjeje
një pamje të përkryer, tepër piktoreske; mbi krye, nuk kanë mbulesë tjetër veç
një takije me cohë të kuqe, që e mbajnë gjatë gjithë kohës, veç në mos u rëntë
tek rendin në luftim. Me shumë guxim arrita të bëj vizatimin që po paraqes :
ishin myslimanë, dhe dihet me sa fanatizëm e shohin versetin e fesë së tyre që
ua ndalon figurimin e pamjes. Një nga ata të mjerë, që për një kacidhe do kish
vrarë dhjetë vetë, ma ktheu se “për tërë arin e botës nuk do pranonte ta linte
veten t’i mirrej fytyra për vizatim dhe se unë vetë do tmerrohesha ditën e
gjykimit qiellor, kur gjithë ata njerëz të vegjël që prodhonte lapsi im do
vinin e do më kërkonin shpirtrat e tyre.”[...]
Udhëtim
piktoresk në Perandorinë otomane,
në
Greqi, Troadë,... Paris, 1782.
CHARLES-JOSEPH
DE LIGNE
Princi
Sharl Zhozef i Linjës (1735-1814), autor dramaturg, romacier, moralist e
memoralist, ka luajtur një rol të rëndësishëm në këmbimet midis kulturave
latine e gjermanike, dhe është një nga përfaqësuesit më origjinalë të traditës
së moralistëve klasikë. Letrat e tij dhe “Fragmente nga historia e jetës sime” një
përmbledhje kujtimesh, janë të mbushura me anekdota e personazhe që ka njohur
gjatë udhëtimeve e shërbimeve të shumta ushtarake në vende të ndryshme, ku ka
ndeshur edhe shqiptarët.
BATALIONI I SHQIPTARKAVE
Nga
Kafa, apo Theodosia e lashtë.
Magjepsja
ende vazhdon, megjithëse jemi gati në mbarim [të udhëtimit]. Ja një qytet i
shkëlqyeshëm me xhamitë e veta, hamamet, tempujt e lashtë, dyqanet e vjetra,
porti, dhe më në fund gjithçka tjetër nga një madhështi në përtëritje. Hyra në
shumë kafene e dyqane. Pashë aty të huaj nga vendet më të largëta : grekë,
turq të Azisë, fabrikues armësh nga Persia dhe Kaukazi. Nuk ka gjë më civile
nga njerëzit që nuk janë të civilizuar, thashë me vete duke i parë. Kanë pamje
të butë dhe pak a shumë të respektueshme kur u afrohesh. Gjuha është fisnike,
si greqishtja apo spanjishtja : nuk ka as fishkëllimën, as rëndomësinë, as
zvarritjen, as të kënduarën, as neverinë e gjuhëve të Evropës. Një tartar do
shqyente sytë, ndodhur në një qytet të mirësjelljes e të nderimit të veçantë,
sikur të dëgjonte në bulevard një karrocier duke u folur kuajve të vet, apo, në
sheshin Mobert, një zonjë në mes të tregut duke biseduar me fqinjen. Çfarë
krahasimi gjithashtu midis harbutësisë, kopracisë dhe pisllëkut të kombeve të
Evropës me shpirtmirësinë dhe pastërtinë e atyre për të cilët po flasim !
Asgjë nuk bëhet pa u paraprirë nga blatime dhe pa u shoqëruar nga përkushtime.
Blatimi që u bëjnë berberët klientëve të tyre është disi i jashtëzakontë :
ua marrin kokën dhe ua fusin mes gjunjëve, duke derdhur mbi kokë një nga gjymet
e tyre me ujë.
Nuk
pashë veçse një grua : ishte një princeshë për nga gjaku, mbesa e
sulltanit të fundit Selim-Xheraj. Perandoresha, para së cilës vajza u zbulua, më
fshehu në fakt prapa një perdeje : ishte yll e bukur, dhe kishte më shumë
diamante nga ç’kanë tërë gratë e Vienës së bashku, dhe kaq është pak të thuash.
Por
nga ana tjetër, pashë, dhe e kam fjalën për fytyrën e zbuluar, vetëm ato të
një batalioni shqiptarkash të
një kolonie të
vogël maqedonase vendosur
në
Balakllava :
dyqind gra apo vajza bukuroshe, me dyfekë, bajoneta e heshta, me gjokse
amazonash, dhe me flokë të gjatë e gërshetuar hijshëm, kishin ardhur me rastin
e vizitës sonë për të na nderuar, por aspak nga kërshëria. As që ka sehirxhinj
në këtë vend : ngeshmëria i përket qytetërimit, ashtu sikurse paturpësia e
lajka. Askush s’rendi pas nesh e askush s’ia mbathi kur ishim të
pranishëm ; na shihnin thjesht me mospërfillje, pa përbuzje, madje me
njëfarë dashamirësie, kur ne ndaleshim për të bërë ndonjë pyetje.
Në
krahasim me murgjit e vendeve filozofe, që bredhin derë më derë dhe lihen pa u
persekutuar nga toleranca që tregohet, do thoja se falë Perëndisë, as që ka
këtu lypësa apo përderësa. Shtroja më e keqe e më të varfërit të tartarëve, kur
asnjë prej tyre nuk kërkon dhe nuk ka nevojë për lëmoshë, është një qilim turk
disi i bukur, me shilte, nderur mbi një minder të gjerë. Popullsia e re e këtij
amfiteatri të shkëlqyer në brigjet e Detit të Zi do të jetë tepër e
lumtur ; e vjetra, që banonte në rrethinat e liqenëve të kripur, ishte e
kërcënuar papushim nga murtaja.
Nëse
mërzia që po mbërthen ngadalë shoqërinë për pasojë të njerëzve mendjendritur
dhe grave të pasura që duan të duken, nëse mërzi e tillë bëhet tepër e fortë në
Paris, qoftë edhe në sallonin tuaj, ejani me vrap këtu, e dashura
markezë ; do t’ju pres shumë më mirë nga paraardhësi im, Thaosi.
Charles-Joseph,
prince de Ligne,
Letra
për Markezën de Coigny,
Letra VII, 1787.
Jean
Claude FAVEYRIAL
Zhan
Klod Favejrial (1817-1893),“i pari dijetar që ka shkruar historinë e
Shqipërisë”në shekullin XIX. Prift në Kongregacionin e Misionit Lazarist, u
dërgua si misionar në Ballkanin e jugut, ku kaloi gati një gjysmë shekull të
jetës së tij. Studioi në thellësi historinë e etnive të ndryshme të Turqisë
evropiane, dhe u bë mik i madh i vllehëve dhe shqiptarëve. Çeli shkolla në Berat, Korçë e Prizren. Dha mësim
për gjuhën frënge e filozofinë. Vepra e tij “Historia e Shqipërisë” është
zbuluar e botuar kohët e fundit nga studiuesi i mirënjohur Robert Elsie.
GRURË NGA VLORA PËR
POPULLIN E URITUR TE PARISIT
Në
vitet 1730-1740, sikurse dhe në epoka të tjera, pati në Shqipërinë jugore, e
veçanërisht në Thesproti, rrëmuja të mëdha dhe një anarki e pafundë. Dhe kjo
për dy arsye kryesore : politika venedikase dhe patriotizmi. Për të
mbrojtur sa më mirë zotërimet e veta ishullore e kontinentale, Korfuzin,
Pargën, Buthrinton e Prevezën, Venediku jo vetëm nxiste kundërshtimin ndaj
qeverisë turke, por furnizonte edhe armë, barut e municione të tjera të
dollojshme për rebelët.
Mirëpo,
duke u kthyer në myslimanë, bejlerët dhe agallarët e vendit e kishin bërë një
gjë të tillë pikërisht për të ruajtur ndjenja patriotike në interes të ruajtjes
së pozicioneve territoriale. Kleri grek nuk u mësonte më dogmën dhe moralin e
krishterë, dhe kështu ata bënë vullnetarisht flijimin për një fe, tek e cila
nuk kuptonin asgjë. Mirëpo, interesat familjare dhe ndjenja kombëtare i bënë
armiq të një qeverie, së cilës, që në parim, nuk i ishin nënshtruar veçse për
të ruajtur ose pronat e tyre feudale, ose një ndikim të tyre në po këto prona.
Në
të njëjtën epokë, domethënë në gjysmën e dytë të shekullit XVIII, hasim në
Shqipëri pesë qytete të lulëzuara : Janinën, Mezovën, Moskopolisin
[Vokopojën], Bitkukin [Vithkuqin] dhe Skodrën. Ato ia detyrojnë, pjesërisht të
paktën, gjendjen e tyre të lulëzuar, vendosjes së konsujve e nënkonsujve të
Francës në përshkallëzimet e ndryshme të bregdetit shqiptar.
Pukëvili
na mëson se « megjithë ndalimet e Portës, eksportoheshin nga Durazzo e
Avlona me grurë, thekër, tërshërë e mil gjashtëdhjetë deri në njëqind anije
tregtare, anije të destinuara një pjesë për Francën, të tjerat për Spanjën. Në
Janinë, tregtarët francezë blinin 6 000 kuintalë dyll që vinte nga Valakia, nga
Moldavia dhe nga Bosnja, tre apo katër mijë lëkurë bualli dhe 2 000 kuintalë pambuk. Nxitur nga këto
fillime, negociatorët francezë ngritën një depo të madhe në Metzovë dhe u
krijuan kaq shumë besim vllehëve sa nuk donin që këta të negocionin me të tjerë
për transportimin e mallrave të tyre jashtë, me Mesinën, Ankonën, Raguzën e
Triesten”.
I
mbushur me cmirë ndaj Francës, Venediku shkretoi më 1701 bankën tonë të Durazzos nëpërmjet
piratëve uskokë dhe atë të Avlonës më 1742. Z. Isnard, vdekur më 1717 është
konsulli i fundit që Franca pati në Skodra. Spanja na zëvendësoi këtu për të
mbështetur misionet katolike gjer më 1804.
Charlie
W. Willie, Durazzo, litografi, shek. XIX.
Më
1699, eksportimi nga Durazzo në Francë përllogaritej 3000 kuintalë dyll, 15000
kuintalë lesh dhe 60 ngarkesa [anijesh] me drithë. Pikërisht, me negociatorët
francezë të Durazzos e të Avlonës kishin më shumë lidhje negociatorët e
Moskopolisit e të Bitkukisë*.
Më
1741, Z. Boulle, konsull i Francës në Avlonë, nisi nga ky port një sasi të
madhe gruri që ndihmoi në lehtësimin e urisë në Parisin e mbërthyer nga skamja.
Por më pas, ai ra viktimë e dështimeve dhe falimentimeve. Duke mos mundur të
shlyejë borxhet, atij iu desh të bëhej turk. Por me letrat që dërgonte nga
Tenedo më 1762, shohim se ai është i penduar. Si mbërriti në Konstandinopojë,
shleu me gjakun e tij atë skandal fatkeq që kish shkaktuar.
Më
1754, Mustafa Pasha hakmerret ndaj të krishterëve të Janinës për humbjet që i
kishin shkaktuar suljotët. Të vënë në dijeni se ishin kapur cubat e Margaritit
dhe se po i shpinin në bejlerbejin
e Rumelisë, suljotët zënë pritë në pozicion të përshtatshëm dhe i lirojnë.
Mustafai kërkon t’i ndëshkojë dhe i spraps me humbje të mëdha.
Historia
e Shqipërisë, 1884-1889,
Dukagjini
Publishing house, Pejë, 2001.
1 Shih Vëllimin XIX të Anuarit të Muzeut historik e të Arteve të Vienës (1899), f. 110 (shënim i dorëshkrimit).
2 Mos vallë A. Urbis është Actemae Urbis, domethënë Romë ?
* Nënvizuar nga autori.
* Pjesë e titullit të veprës sipas frontispicit. “Udhëtimi i Fisnikut të Luarës...” është një përshkrim mjaft i hollësishëm që i bëhet Perandorisë osmane lidhur me ritet, fenë, administrimin, gjuhën, qeveritarët dhe krizat që e karakterizojnë. Një vend i konsiderueshëm i jepet në këtë botim mjaft të vjetër të vitit 1654 përshkrimit të lashtësisë së trojeve që ai viziton, ku has edhe shqiptarët.
** Në përqasje me vendasit grekë.
** Se mos plaçkiteshin në udhë e sipër.
* Christian Gut, në studimin e tij
“Recherches albanologiques” (“Hulumtime albanologjike), paraqet një dokument të
vitit 1691, për emërimin e Jean Cumani si konsull francez në Durazzo. Po ashtu,
studjuesi Valeri Papahaxhi mbështetet në një varg dokumentesh të Arkivave të
Ministrisë së Jashtme franceze lidhur me marrëdhëniet tregtare të Voskopojës me
Venedikun e Francën. Kurse Andre Grasset de Saint Sauveur i ka kushtuar që në
shekullin XVIII një studim “Tregtisë me Shqipërinë nëpërmjet Prevezës”.
© Copyright F. Andrea, sipas librit "Pena të arta franceze për shqiptarët"
Tiranë, 2007.
Të interesuarit për të blerë librin mund t'i drejtohen autorit.