E diele, 01.12.2024, 08:38 PM (GMT)

Speciale » Andrea

Fotaq Andrea: Pena të arta franceze për shqiptarët (2)

E diele, 09.07.2023, 06:59 PM


Pena të arta franceze për shqiptarët (2)

Nga Fotaq Andrea

Antoine DE LA MOTTE

François FRANCŒUR

François REBEL

Antuan Hudart DË LA MOT (1672-1731), letrar i njohur në fundin e shekullit XVII dhe fillimin e shekullit XVIII, poet e kritik, anëtar i Akademisë franceze. Fransua Frankër dhe Fransua Rebel, kompozitorë të Dhomës Mbretërore.

OPERA « SKËNDERBEU »

Tragjedi në pesë akte, me libert të nisur nga Antuan Hudar dë la Mot e të përfunduar (prologu dhe akti i pestë) nga Zhan-Lui-Injas dë la Ser, Fisniku i Angladës (1662-1756) pas vdekjes së La Mot.

Shfaqur në Akademinë Mbretërore të Muzikës, më 27 tetor 1735, me dekor të Servandonit.

Komente nga personazhe në zë të kohës:

« Zotërinjtë Rebel dhe Frankër u zgjodhën për të bërë muzikën nga autori, i cili na u shkëput nga jeta para se të bënte Prologun e Operas dhe të përpunonte Aktin e fundit, për të cilin nuk ishte i kënaqur ; La Ser u ngarkua atëherë për ta zëvendësuar ; kështu Prologu dhe Akti i fundit janë të La Serit. Prologu zhvillohet midis Melpomenës, Polimnisë, Dashurisë dhe Magjisë. Servandoni hartoi një dekor për Aktin e Pestë të kësaj Opere, që pasqyron një xhami me një pasuri dhe madhështi të tillë sa të paktë janë shembujt për t’u krahasuar ; andaj dhe u desh një mbështetje mjaft e gjerë. Kjo Operë nuk është rishfaqur më » (Leris – 1763).

« Publiku që frekuenton shfaqjet është sot më shumë se kurrë në shijen e Korexhios*. I duhet dashuri dhe ndjenjë. Pikërisht këtë aktorët e interpretojnë më së miri. U desh pra që unë vetë t’u nënshtrohem dokeve të kohës dhe të nis vonë të flas për dashurinë » (Volter).

« Muzika është e Zotërinjve Rebel dhe Frankër… Këngët e tyre janë të ëmbla e të natyrshme. Shprehja është e drejtë, fisnike dhe patetike. Recitativi është në shijen e Lully dhe Z. Destouches, por pa qenë kurrkund huazim nga këta mjeshtër të mëdhenj. Lojshmëria është tipizuar më së miri. Instrumentat flasin me po aq forcë sa dhe pastërti, e duket sikur thonë përherë përse është fjala, sepse simfonitë karakterizojnë çdo pjesë të baletit. Të gjitha ariet janë të kënduara, të lehta për t’u mbajtur mend, gjithë nerv e aspak ekstravagante, të thjeshta, pa kurrfarë rëndomtësie, të natyrshme, pa kurrfarë banaliteti. Ata që duan ndjenjë dhe talent, do mund të gjejnë në të ; dashamirësit e zanatit, njohësit e muzikës, me kërkesa ndoshta të tjera, pranojnë se në shumë pjesë [të veprës] ka kombinime të fuqishme. Njohja e thellë ndihet sidomos gjatë shoqërimeve dhe koraleve. Më në fund, gjithçka është e dekoruar ; nuk kemi të bëjmë aspak me bukuri rastësore a tekanjoze ; ndihet aty entuziazëm dhe mendim i përpunuar, asgjë nuk stonon, përkundrazi gjithçka është me vend, e peshuar. Nuk është fjala aspak për një punë shterpë, të ashpër, pa vend, është fjala për një art gjithë brishtësi, që fshihet përbrenda, që përngjet me natyrën dhe që e zbukuron. Ky kombinim i gjenisë, kërkimit dhe vetë shijes është misteri i muzikës teatrore » (Pierre-François Guyot-Desfontaines).

« Po flitet shumë për operën Skënderbeu, ekzekutuar në Fontenblo më 22 të këtij muaji me shkëlqimin më të madh. Dekorimi i xhamisë e tejkalon gjithçka që mund të thuhet ; kolonadat janë të zbukuruara me diamante dhe shkaktojnë një efekt nga më të çuditshmit. Pretendohet se është në miniaturë përngjasim i asaj të Shën-Sofisë. Kjo dramë i njihet Zotit  Dë la Mot. Por ai nuk e përfundoi dot. Akti i pestë është nga dorë e huaj, kur u luajt më 1735. I njëjti akt është ndryshuar në fjalë e në muzikë : janë shtuar po ashtu në trupin e veprës pjesë kënge e simfonie ». (Bachaumont, Louis Petit).

Opera « Skënderbeu »

Aktorët interpretues : MURATI, perandor i turqve ; ROKSANA, sulltaneshë favorite ; SKËNDERBEU, mbret i Shqipërisë ; OSMANI, bostanxhibash ; MYFTIU ; AGAI i jeniçerëve ; RUSTANI, oficer i perandorit ; Një greke ; Një aziatike ; Sulltanesha ; Bostanxhinj ; Grekë dhe greke si shpura e Servilisë ; Veziri ; Jeniçerë ; Oficerë të sarajeve ; Skllevër nga kombësi të ndryshme dhe sekse të ndryshme ; Popullsi turke ; Imamë ; Oficerë madhorë të Portës ; Shërbëtorë e shërbëtore, si shpurë e Servilisë ; Shqiptarë e shqiptare, si shpurë e Skënderbeut.  (Ngjarja zhvillohet në Andrinopol).

AKTI I PARË.

Skena paraqet një pjesë të Kopshteve të Sarajit dhe një shpellë.

Skena e parë.

SKËNDERBEU, OSMANI.

SKËNDERBEU.

Më në fund, Osman, dita po na zbardh,

Të jetë vallë ditë e fundit e robërisë sime ?

OSMANI.

Planet tuaja, Princër, shpjet komplotohen ;

Por unë, çmos bëra, çastin e lirisë për ju të afroj.

Ky popull, lidhur me zinxhirë të fajit,

Pandeh se sot ligjet nga Qiejt po i zbresin.

Në festat që sjell kjo ditë,

Zallahi e madhështi u kanë veshur sytë :

Me të rënë nata, ejani në çast këtu,

Si Zot i këtyre kopshteve ; që këtej, pastaj, ikni,

Sa më shpejt largojuni këtyre anëve.

SKËNDERBEU.

O natë ! Nxito të ngadhnjesh ndaj ditës !

Ja ku po dëgjoj lavdinë të më thërrasë ;

Ah ! sa e madhërishme që shfaqet !

Fitorja shpaloset me krahë përreth saj ;

Shoh famën në hapat që ajo hedh ;

Për të merituar atë mirësi të pavdekshme,

Njëmijë vdekje do shkoj të përballoj.

Ja ku po dëgjoj lavdinë të më thërrasë ;

Ah ! sa e madhërishme që shfaqet !

OSMANI.

Ju fare mirë lavdisë mund t’i vini kufi,

Kur shihni Dashurinë t’ju plotësojë çdo dëshirë ;

Por zemra jua përbuz një fitore të ëmbël,

Që ka për çmim veç psherëtima.

SKËNDERBEU.

Ah ! njihe pra, i dashur Osman, Princin e Shqipërisë.

Më vjen turp për atë prehje që lavdinë ma zbehu ;

Më kot gjithë mirësi për mjerimet që më solli,

Murati pret që nga mirënjohja për të,

Të harroj krejt marrëzitë e tij :

Froni që m’u përmbys kërkon shpagim ;

Vetë Dashuria më ndez tërbim në zemër.

OSMANI.

Dashuria ! E kush ka arritë t’ju prekë në shpirt ?

A do mundnit vallë të ndanit sëbashku

Tërë zjarrin që ndjen Roksana për ju ?

SKËNDERBEU.

Në sy edhe më të përflaktë shpirtin e kam të skllavëruar :

Ajo princeshë e shquar me të cilën gjaku më lidh,

Zemrën ma ka zaptuar dhe krahun lypset të më armatosë.

OSMANI.

Si kështu ! Vetë Princesha e Sevisë ?

SKËNDERBEU

Shoqëroja hapat e Muratit të gëzuar,

Kur Princeshës ai i sulmoi babanë ;

E pashë, e dashurova, dita t’i hyj në sy :

Sot që Murati shtetet po ia shkreton,

Po shkoj t’i ndihë, ose vdekjen të kërkoj.

OSMANI.

Derisa të bjerë nata, mos e jepni veten,

Për gjithçka përgjigjem unë, ju vetëm binduni.

Skena e dytë.

SKËNDERBEU.

Ah, sa i gëzuar ndihem këto çaste,

Kur Osmani besnik flakë të shpirtit më ngacmoi ;

Ah, sa i gëzuar po pres !

Qetësia po rilind në shpirtin tim.

Sa e këndshme kjo ditë, sa të bukura këto vise !

Shpresë e ngjallur, veç më shumë i hijeshon.

Këngë Zogjsh të dashuruar,

Freski Flladesh, që lulet çelin,

Murmurimë mikluese ujrash të qeshura,

Gjithçka, gjithçka këtu Agun nderon.

Sa e këndshme kjo ditë, sa të bukura këto vise !

Shpresë e ngjallur, veç më shumë i hijeshon.

Skena e tretë.

ROKSANA, SKËNDERBEU.

ROKSANA.

Po ju kërkoja gjithandej; ja që s’mundem dot më

Veten të zotëroj me krenari boshe ;

Vij t’ju besoj dhimbjet e fshehta :

Deri tani, dashamirëse jam treguar,

Rrethuar siç isha nga tërë mirësitë.

Ditët, të dënuara i kishit, po unë dita t’jua mbroj ;

Për ju mposhta krejt ashpërsinë tek ai që më dashuron ;

Dhe gjithë psherëtimat, gjithë vuajtja ime,

Në i kini ndjerë e dëgjuar, nga zemra

Kërkesë kanë qenë për gjë më të shtrenjtë.

SKËNDERBEU.

Mos vallë Dashuria, mbi ne u dashka të korrë fitore ?

Vepra më të denja kërkojnë dëshirat tona ;

Vuajtjet e mia dhe vetë lavdi e juaj

Lypset të na mbrojnë nga forcë zjarrmish të tilla.

ROKSANA.

Mjaft më, e quajtët dobësi

Flakën e një zemre të përvëluar ;

Rreziku në këto anë e kërcënon parreshtur,

Dhe e bën të denjë për zemër të madhe.

SKËNDERBEU.

Muratit ziliqar po ia tradhtoni, pra, flakë të dashurisë…

ROKSANA.

Po, Shpërnjohës, e bëj që jetën t’ju shpëtoj ;

Sikur t’ju kish vrarë, mbase dashurinë time

Do kish siguruar, po dhe vetë qetësinë në shpirtin tim.

Ç’them dhe unë ! Sa e mjerë që jam !

Ku po më shpie kështu e imja barbari ?

Jo, Princ, kurrsesi nuk e dua vdekjen tuaj,

Kur jetën gjithë dhembshuri jua shpëtova ;

Dhe në më urreni, aspak nuk ndiej pendesë.

SKËNDERBEU.

Jo, unë nuk urrej veç veten që ju hyra në zemër.

Për këtë ditë të sotme që ju detyrohem,

U dashka vallë që ju të përballni tani krejt tërbimin…

ROKSANA.

Shpërnjohës, tregohu pak më i ndjeshëm,

Dhe s’ke pse dridhesh për mua.

Ardhtë sa më parë këtu kundërshtari juaj,

Me të marrë vesh dashurinë që më verbon për ty.

Hak le të marrë mbi gjoksin tim tradhtar,

Shi me atë kordhë që desh ngriti ndaj teje ;

Nën goditjen vdekjeprurëse, të lumtur do më shihje,

Me zemrën time shpuar, vetë zemra juaj do shpaguhej :

Jo, mizor, vdekja aspak nuk më tmerron,

Por thjesht përbuzja juaj.

(Shfaqen sulltaneshat.)

Bukuritë e këtij vendi po na tërheqin edhe ne.

SKËNDERBEU.

Detyra po më thërret të largohem që këtej.

ROKSANA.

Rrini e shihni tek lodrojmë, gjithçka këtu

Ju bën të harroni detyrat aq të rënda të Oborrit ;

Dashamirësia e Muratit, mungesa e tij, vetë pushteti im,

Princ, le t’ju dhurojnë, krahas lodrimeve tona,

Krejt dashurinë që prania juaj më frymëzon !

Skena e katërt.

ROKSANA, SKËNDERBEU, SULLTANESHAT.

ROKSANA.

Sa e bukur kjo guvë,

Sa i bukur ky burim,

Shatërvanet kur shpërthejnë,

Sa shumë e hijeshojnë.

Vetë Jehona bashkohet me zërat tona,

Dhe kënga jonë ëmbël dëgjohet.

KORI I SULLTANESHAVE.

Sa e bukur kjo guvë, etj.

(Vallëzojnë)

(Hapen shatërvanet dhe guva shfaqet si një Pallat uji).

ROKSANA.

Shkëlqe Agim i praruar.

KORI.

Mbretëroni Fllade të këndshëm.

ROKSANA.

Shpërtheni krejt ngjyrimet tuaja lule të qeshura.

KORI.

Ejani zogj të qiellit, këngës ia merrni.

ROKSANA.

Gurgulloni ujra të kristalta,

Ëmbëlsoni më shumë vetë këngën tonë.

KORI, me Roksanën.

Kush dëshiron, natyrën nderon

Së bashku me ne këtë ditë të re. (Vallëzojnë.)

Skena e pestë.

ROKSANA, SKËNDERBEU, OSMANI, SULLTANESHAT,

BOSTANXHINJTË.

ROKSANA e mënjanuar.

O qiell i drejtësisë !

SKËNDERBEU.

Ah ! Princeshë !

Cili do jetë fati yt ? Po shpresa ime, ku do vejë vallë ?

OSMANI.

Gjithë populli ka dalë për të pritur atë,

Për të treguar sa shumë e do.

Po shkoj dhe unë, aty ku më thërret detyra.

ROKSANA, duke u larguar.

Sa i trembem dashurisë së tij plot smirë !

Duhet parandaluar tërbim i tij me vend.

KORI I BOSTANXHINJVE DHE I SULLTANESHAVE.

Ardhtë plot lavdi,

Vetë Dashuria atë po  mirëpret :

Mbushur me Fitore,

Veç gëzim të dashurisë ai do ketë.

Fundi i Aktit të Parë

Shfaqur nga Akademia Mbretërore e Muzikës,

Paris, 27 tetor 1735.

François Marie Arouet, VOLTAIRE

Volter (1694-1778), shkrimtar e mendimtar i famshëm, konsideruar si “njeriu universal i shekullit të vet” dhe si “kampion i tolerancës”, Drejtor i Akademisë Franceze. Lëvroi të gjitha gjinitë e letrave dhe temat shoqërore. Është autori i parë që i ka bërë vend qëndresës shqiptare kundër pushtimit otoman në një histori të përgjithshme të njerëzimit në veprën e tij “Sprovë mbi doket dhe frymën e kombeve”, botuar më 1756, ku përfshihet krejt historia e botës nga koha e Karlit të Madh gjer te koha e Luigjit XIII.

PO TË KISHIN QENË SKËNDERBEJ PERANDORËT GREKË,

PERANDORIA E ORIENTIT DO ISH RUAJTUR

Një tjetër luftëtar jo më pak i famshëm, që nuk e di në duhet ta quaj osmanli, apo të krishter, i ndali përparimet e Muratit, dhe u bë për shumë kohë një mburojë e të krishterëve kundër fitoreve të Mehmetit II ; e kam fjalën për Skënderbeun, lindur në Shqipëri, pjesë e perandorisë, vend i shquar në kohërat që quhen heroike, dhe në kohërat me të vërtetë heroike të romakëve. Emri i tij është Jean Castriot*. Ishte i biri i një despoti apo mbreti të vogël të atyre viseve, domethënë një princ vasal, sepse këtë kuptim ka despot, dhe është e çuditshme që fjala despotik u vishet sovranëve të mëdhenj që janë bërë absolutë.

Gjon Kastrioti ishte ende fëmijë kur Murati shumë vite para betejës së Varnës, për të cilën fola tashmë, kishte shtënë në dorë Shqipërinë pas vdekjes së babait të Kastriotit. E rriti atë që fëmijë, mbetur i vetëm nga katër vëllezërit. Analet turke nuk thonë asgjë që këta katër princër u flijuan me qëllim që Murati të hakmerrej. Nuk del që këto barbari të kenë qenë në karakterin e një sulltani, i cili hoqi dy herë dorë nga kurora dhe nuk është aspak e vërtetë që Murati t’i ketë dhënë ngrohtësinë dhe besimin e vet një njeriu nga i cili nuk priste gjë tjetër veçse urrejtje të pamëshirshme. Ai thjesht e donte, e mbante pranë vetes në luftime. Gjon Kastrioti u dallua aq shumë, sa sulltani dhe jeniçerët i dhanë emrin Skanderbeg, që do të thotë fisniku Aleksandër.

Përfundimisht, miqësia fiton mbi politikën. Murati i besoi atij komandën e një ushtrie të vogël kundër despotit të Servisë, që ish renditur në anën e të krishterëve dhe luftonte sulltanin, dhëndrin e vet. Kjo gjë, përpara se të linte fronin. Skënderbeu, që nuk ishte ende në atë kohë njëzet vjeç, hartoi planin për të mos patur më zot mbi krye dhe për të mbretëruar.

Mësoi se një sekretar që mbante vulat e sulltanit, po kalonte pranë fushimit të tij. E ndal, e vë nën hekura, e detyron të shkruajë e të vulosë një urdhër për guvernatorin e Krujës, kryeqytet i Epirit, për t’i dorëzuar Skënderbeut qytetin dhe kështjellën. Pasi nis urdhrin, vret sekretarin së bashku me shpurën e tij. Marshon mbi Krujën ; guvernatori i dorëzon kështjellën pa vështirësi. Po atë natë, u jep urdhër të përparojnë shqiptarëve, me të cilët ishte në lidhje. Shkon në thikë guvernatorin dhe garnizonin. Përkrahësit e tij i sigurojnë krejt Shqipërinë. Shqiptarët cilësohen si ushtarët më të mirë të atyre viseve. Skënderbeu i udhëhoqi aq mjeshtërisht, diti të përfitojë aq mirë nga vendosja e terrenit të ashpër e malor sa me pak trupa ndali vazhdimisht ushtritë e shumta turke. Myslimanët e shihnin si të pabesë : po ai nuk kish mashtruar veçse armiqtë e tij. Kish rimarrë kurorën e të atit, dhe e meritonte me guximin që kishte.*

Sprovë mbi historinë e përgjithshme dhe mbi doket e frymën

e kombeve, që prej Karlit të Madh gjer në ditët tona,

Kreu 77, Paris, 1756.

Kështjella e Skënderbeut në Krujë, nga Ludwig Hesshaimer



* Piktor i shquar italian (1489-1534), një nga mjeshtrit e mëdhenj të Rilindjes së hershme italiane. Në veprat e tij monumentale shprehet vullneti për të sintetizuar një sitil të ri, të ngrohtë, të fillimit të shekullit XVI.

* Autori ka vënë këtu gabimisht emrin Jean (Gjon), që në fakt është i ati i Skënderbeut, dhe jo emrin Gjergj (Georges). E njëjta gjë në krejt tekstin.

* Pas këtij kreu, në vepër pason kreu 78 “Mbi marrjen e Konstandinopojës nga turqit”, që ka konkretisht për nëntitull: Po të kishin qenë Skënderbej perandorët grekë, perandoria e Orientit do ish ruajtur. Në këtë kapitull, autori flet përsëri për Skënderbeun dhe thotë : “Kishte në Evropë vetëm dy princë, të denjë për të sulmuar Mehmetin II. Njëri ishte Huniadi, princi i Transilvanisë, por që mezi arrinte të mbrohej; dhe tjetri, ky i famshmi Skanderbeg, që mund të mbrohej vetëm në malet e perandorisë, pak a shumë si dikur Don Pelajo në malet e Asturive, kur muhamedanët robëruan Spanjën.”

© Copyright F. Andrea, sipas librit "Pena të arta franceze për shqiptarët"

Tiranë, 2007.

Të interesuarit për të blerë librin mund t'i drejtohen autorit.



(Vota: 4 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Fotaq Andrea: Pena të arta franceze për shqiptarët (1) Fotaq Andrea: Shën Pali në Durrës Fotaq Andrea: Faik Konica me dy romanet e tij – ‘Martesa e Lejlës’ dhe ‘Sotiri e Mitka’ (3) Fotaq Andrea: Faik Konica me dy romanet e tij – ‘Martesa e Lejlës’ dhe ‘Sotiri e Mitka’ (2) Fotaq Andrea: Faik Konica me dy romanet e tij – ‘Martesa e Lejlës’ dhe ‘Sotiri e Mitka’ (1) Fotaq Andrea: Faik Konica lartohet përmbi shablonizmat, dogmat dhe paragjykimet e së shkuarës Fotaq Andrea: Selenica - Madona e Arit të Zi Fotaq Andrea: Kasaphana ukrainase - Një realitet sipas 'enigmës' së François Rabelais Fotaq Andrea: Figura e Skënderbeut, Flamuri dhe Simboli ynë kombëtar mbetet përherë aktuale dhe e përjetshme Fotaq Andrea: Këtë ditë të të dashuruarve të Shën Valentinit, poezia “Bashkimi i Lirë” i Andre Breton-it në gjuhën e bukur shqipe Fotaq Andrea: Emri i Skënderbeut, i njohur, i dashur e i vlerësuar në landet dhe baladat skoceze të shekullit XVII Fotaq Andrea & Dritan Muka: Figura e Skënderbeut në një baladë angleze të shekullit XVII Fotaq Andrea & Dritan Muka: “Skënderbeu” i Gentile Belinit, me diellin në ballë e në sy, simbol i krenarisë sonë kombëtare Fotaq Andrea: Tablotë e Izanos, paradigma ekzistenciale të një “Prilli të Thyer” kadarean Fotaq Andrea & Dritan Muka: Portreti i vërtetë i Skënderbeut nga Belini, pasuri e çmuar e mbarë kombit shqiptar Fotaq Andrea & Dritan Muka: Gjergj Kastrioti Skenderbeu - figura qe sintetizon dashurine dhe unitetin kombetar Andrea & Muka: Më në fund, Skënderbeu i Belinit mes shqiptarëve, zbulim i rrallë historik Fotaq Andrea e Dritan Muka: Ikonografi skënderbegiane - Portretet origjinale të Heroit Kombëtar Fotaq Andrea: Këta shqiptarë me vlerë proverbiale... Fotaq Andrea: Shqipëria, vend i denjë për të qenë shtet perëndimor

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora