Speciale » Andrea
Fotaq Andrea: Shën Pali në Durrës
E premte, 02.09.2022, 08:00 PM
Shën Pali në Durrës
Libri i Prof. Thanas L. Gjikës « Disa
korrigjime në shënimet sqaruese dhe hartat e Dhiatës së Re » – një kontribut me vlerë për historiografinë
shqiptare
Nga Fotaq
Andrea
Këto ditë doli nga shtypi libri më i ri i
Prof. Thanas L.Gjikës « Disa
korrigjime në shënimet sqaruese dhe hartat e Dhiatës së Re ». Është
libri i tij i tretë me tematikë të mirëfilltë shkencore në fushën e
shpirtërores ungjillike, bazuar drejtpërdrejt te Dhiata e Re, tek ka botuar
tashmë me sukses “Kur dhe ku u shkrua Dhiata e Re” më 2007, dhe “Shën Pali
punoi dhe në brigjet e Adriatikut” më 2014. Vepra këto që përbëjnë sot që të
trija një korpus unik dhe një risi të veçantë për historiografinë shqiptare, të
lidhura ngushtë siç janë me udhëtimet misionare të Shën Palit, sidomos në
trevat iliro-shqiptare të Ilirikumit të lashtë dhe me fillimet e përhapjes mes
tyre të krishtërimit, Frymës së Shenjtë.
Me bagazh të rëndë si studiues i mirëformuar
para viteve të demokracisë, kur kish punuar tashmë për 26 vjet me radhë në
Institutin e Gjuhë-Letërsisë, prof. Gjika vjen me këtë libër të ri, i një
veçantie të dukshme, për të vërtetuar sërish se edhe në fushën e Shkrimeve të
Shenjta, përtej dogmave dhe vendimeve historike të Koncilit, përtej
paragjykimeve në rrafsh të brendshëm e të jashtëm, ka vend përherë për studime
të thelluara shkencore, të cilat e vendosin sot prof. Gjikën në radhën e
studiuesve dhe biografëve më të njohur sidomos të jetës apostolike të Shën Palit,
madje, do thoshim pa ndrojë, në pararojë të tyre, me prurje përherë të reja,
përmes vështrimesh dhe analizash shkencore nën filtrin e kritikës konstuktive.
Dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe
përderisa këto vepra janë fryt i një pune këmbëngulëse 25 vjeçare filluar nga
prof. Gjika që më 1997 në Amerikë, kur me përpjekje të vazhdueshme shkencore ai
rrok fuqishëm e guximshëm një tematikë me përmasa botërore dhe me rëndësi madhore
për vetë forcën e shpirtërores njerëzore. Kësisoj, tek bën objekt të punës së
tij shkencore këtë fushë mjaft të vështirë e delikate, si ajo Frymës së Shenjtë
përhapur nëpërmjet apostujve të saj, prof. Gjika ka meritën e padiskutueshme se
ia del mbanë të flasë me sukses, në rrafsh ndërkombëtar, për kundërthëniet apo
përplasjet nga një studim te tjetri të Dhiatës së Re, për kontradiktat dhe
pasaktësitë që hasen në këto studime dhe në hartat historike shoqëruese të
tyre, sidomos lidhur me jetën dhe veprën e apostujve të Jezusit. Duke
respektuar traditën shekullore të Kishës së krishterë dhe doktrinën e saj të
shenjtë, Prof. Gjika guxon dhe korrigjon me forcën e besimit shkencor tërë
pasaktësitë që përmbajnë studimet historike lidhur me Shkrimet e Shenjta. Sepse
ai e zotëron plotësisht lëndën biblike, di ta ndajë dhe ristrukturojë atë në
mënyrë të saktë shkencore, për t’i trajtuar veçmas dhe hollësisht pikërisht katër
Udhëtimit misionare të Shën Palit. Dhe e tërë kjo domosdo mbi bazën e hulumtimit
këmbëngulës, tek ka vëzhguar, qëmtuar, krahasuar, arsyetuar me analiza të
thella faktet dokumentare në shënimet dhe hartat e Dhiatës së Re, gjë që e
lejon atë të sjellë saktësimet dhe korrigjimet e duhura, me probabilitet të
pashmangshëm historiko-shkencor.
Njohës i thellë, i përpiktë, i kujdesshëm,
specialist i veçantë në fushën e shpirtërores sipërpore, Prof. Gjika nxjerr fuqishëm
në pah krijimin e bashkësive të para të krishtera arbërore në Iliri, krahas
bashkësive greke e maqedone, si dhe rolin e madh që luante Kisha e krishterë
themeluar në Durrës nga Shën Pali. Ashtu si në librat e tij të këtij korpusi të
veçantë, edhe në këtë vepër të re, prof. Gjika i përmbahet me besnikëri dhe
frymë krijuese ndër të tjera dy burimeve kryesore bibliografike me tematikë
shqiptare, konkretisht: veprës madhore të Barletit nga njëra anë, i cili jep të
dhënën e rëndësishme se “në Shtëpinë princërore të Pal Dukagjinit, në TejDrinën
e Sipërme, vërehen përmendore prej mermeri, ku shihen emra perandorësh romakë...
dhe gjurmë se këtu apostulli Pal u ka predikuar njerëzve besimin e Krishterë”
(f.79); dhe nga ana tjetër, të dhënën burimore të jezuitit dhe historianit
Daniele Farlati në veprën e tij madhore “Illyricum Sacrum”, sipas së cilës Shën
Pali themeloi në Durrës në v.56 bashkësinë e parë me të krishterë dhe Kishën e
saj. Dhe, pikërisht aty, në Durrës – ku ishte
bërë në fushën e saj edhe përplasja historike Cezar-Pompe për fatet e botës pas
kalimit të Rubicon-it dhe zbarkimit të Cezarit në gjirin e Palasës sonë –, po aty,
në Dyrrahiumin historik, Shën Pali shkroi Letrën e famshme kanonike drejtuar
romakëve. Nuk mungon me këtë rast, dhe me të drejtë, propozimi i prof. Th.
Gjikës, me shumë largpamje dhe ndjenjë krenarie kombëtare që të ngrihet shi në
Durrës përmendorja e Shën Palit duke shkruar këtë letër kanonike. E mbështesim
fuqimisht këtë propozim të tij me besimin se së shpejti koha do ta bëjë
realitet.
Udhëtimi i tretë misionar (UM3) dhe Udhëtimi i katërt misionar (UM4) i Shën Palit në trevat shqiptare përbëjnë kështu objekt studimi të hollësishëm për Prof. Gjikën, i cili, pasi parashtron tërë toponiminë me emrin e Shën Palit në trevat shqiptare, propozon edhe korrigjimet e tij të nevojshme të hartave zyrtare UM3 për lëvizjet e Shën Palit në këto treva shqiptare, si dhe kohëzgjatjen e këtyre udhëtimeve në vitet 52-57 (f. 92). Po ashtu, edhe për UM4, prof. Gjika nxjerr në pah sërish lëvizjet e Apostullit Pal në trevat iliro-shqiptare, gjithnjë duke pasur për bazë qytet-portin e Durrësit dhe rrugën Egnantia gjatë periudhës mars 62 - qershor 63. Dhe e jep me përpikmëri tërë këtë udhëtim: Romë – Puteoli – Brindisi – Durrës – Nikopol – Lasca – Cezara – Milet – Peloponez, etj dhe përsëri kthimin nga qyteti i Durrësit (f. 114-115).
Është e njohur se kryesisht gjatë shekullit
XIX, studiues dhe dijetarë të huaj ishin të parët që trajtuan shkencërisht të
dhënat historiko-gjuhësore për Shqipërinë dhe shqiptarët, sikurse ndodh edhe me
këtë të dhënë të akademistit francez Jacques Bourcart (1891-1965) për udhëtimin
e Shën Palit në Shqipëri tek nënvizon: “Shën Pali e predikoi atë
(kristianizmin) mbi kodrën e Dyrrahut” (sipas librit F.Andrea, Pena të arta
franceze për shqiptarët, f. 509-516). E megjithatë, baza e shkencave
albanologjike do fillonte mrekullisht me kontributin e figurave të ndritura të
Rilindjes shqiptare dhe do themelohej shkencërisht në mesin e shekullit XX, kur
do të ishin tanimë dijetarët shqiptarë, historianë, arkeologë, gjuhëtarë, etj. që
do të thoshin me vendosmëri e vërtetësi dokumentare fjalën e tyre shkencore që
frymëzon sot dijetarët e huaj për thellime të mëtejshme në shkencat
albanologjike. Dhe në këtë mes, prof. Thanas Gjika, me kompetencë studiuesi
serioz flet bukurisht e ndërkombëtarisht, për të na e sjellë figurën e Shën
Palit tepër njerëzor dhe tepër përkushtues për kauzën e tij të shenjtë
apostolike. E paraqet këtë figurë me dashuri, vërtetësi, me tërë cilësitë e
larta njerëzore e mbinjerëzore (misionare e hyjnore), duke parashtruar të dhëna
të reja, saktësime e korrigjime, me frymë novatore, përtej çdo ndjenje
inferioriteti, kur popuj të vegjël kanë nxjerrë dhe nxjerrin përherë figura të ndritura
historike si Nënë Tereza, shenjëtorja shqiptare.
Por, që të studiuesit shqiptarë të flasin sot
ndërkombëtarisht dhe në mënyrë dinjitoze në tërë fushat e albanologjisë, e
sidomos në këtë fushë të shpirtërores supreme, siç bën prof. Gjika me librat e
tij, lypset para së gjithash e mbi të gjitha një strategji e tërë kombëtare për
punë të mirëfilltë përkthimore të veprave madhore albanologjike. E më tej me
revista shkencore dhe deri te dokumentarë shkencorë. Lypset popullarizimi i
figurave dhe vendeve historike shqiptare me tabela e shënjues në gjuhë të
huaja, me lapidare e përmendore, me tregues historikë e katalogë, si dhe me
punë të vijueshme krijuese nga autorët dhe artistët shqiptarë, nga piktorët e
skulptorët tanë të talentuar.
Shqipëria po hapet përherë e më shumë për
vizitorin dhe turisitin e huaj, Shqipëria ka se çfarë t’i tregojë denjësisht
njerëzimit pasuritë e veta historiko-kulturore, traditat e saj të famshme në
mikëpritje dhe dashuri të shenjtë njerëzore. Dhe këtë dashuri të shenjtë për
figurën e Shën Palit dhe misionin e tij historik e shpreh fuqimisht libri më i
ri i prof. Thanas L. Gjikës « Disa
korrigjime në shënimet sqaruese dhe hartat e Dhiatës së Re ».
Duke përshëndetur daljen në dritë të kësaj
vepre të re, po sjellim në vëmendje të lexuesit një hartë të vitit 1886 nga
gjeografi dhe kartografi i njohur gjerman Richardf Andrée që shfaq bukurisht
nisjen e udhëtimit të Shën Palit pikërisht nga Durrësi ynë historik, siç e
vërteton po ashtu edhe një hartë tjetër e dytë që paraqet të plota katër
udhëtimet e famshme misionare të Shën Palit për të realizuar shërbimin e tij të
shenjtë të përhapjes së Krishtërimit.