Speciale » Andrea
Fotaq Andrea: Pena të arta franceze për shqiptarët (4)
E diele, 17.09.2023, 07:59 PM
Pena të arta franceze për shqiptarët (4)
Nga
Fotaq Andrea
Guillaume DEPPING
Gijom Deping
(1829-1901), studjues, anëtar i Shoqërisë së Gjeografisë së Parisit dhe
korrespondent shoqatash gjeografike, autor i disa teksteve për historinë e
ekspeditave detare, për figurat e shquara në lashtësi e në kohët moderne, etj.
Në veprën e tij “Mrekullitë e forcës dhe të shkathtësisë, ushtrimet e trupit
tek të Lashtët dhe tek Modernët”, e rëndit Skënderbeun ndër personazhet
historike madhore, karakterizuar për forcë e shkathtësi trupore, shpejtësi,
mprehtësi, e të tjera cilësi fizike.
NJË NJERI I AFTË PËR BËMA HERKULIANE
Në kohën kur këto lojra veneciane*, që vijuan deri në fundin e shekullit
XVIII ishin në kulmin e tyre, jetonte, jo shumë larg zotërimeve të Republikës
së Laguneve, një njeri i aftë të kryente i vetëm të gjitha bëmat e Herkulit.
Pak njerëz e kanë tejkaluar për nga forca fizike këtë hero të Mesjetës që u
bë tmerri i turqve, kur më parë kishte qenë miku i tyre.
Ky është i famshmi Skanderbeg, mbreti
i Shqipërisë, me emrin e vërtetë Zhorzh Kastriot. Lindur më 1404 apo
1414, u dha për peng nga i ati, një sovran i vogël i Shqipërisë dhe i Epirit,
tek sulltan Murati II, që e rriti në oborrin e tij. Zhorzhi, që dallonte për
nga pamja e hijshme, shkëlqente për kërcime në kalë, për përdorim të shpatës
dhe për gjuajtje me hark ; kënaqësi e tij ishte të matej me fisnikët e
rinj turq në dyluftime e gara, dhe pothuaj gjithnjë fitonte çmimin e parë.
Ushtrimet trupore kanë qenë në të gjitha
kohërat mjaft të përhapura tek turqit. Me t’u bërë zotër të Konstandinopojës,
sulltanët tërhiqnin në oborrin e tyre ndeshës profesionistë, guresitë,
rreth dyzetë vetë, që i vinin herë pas here të ndesheshin në prani të tyre.
Guresitë ishin
njerëz të fortë e të fuqishëm dhe vinin nga shtetet barbareske të Indisë e të
Tartarisë. Nuk qenë skllevër, si shërbëtorët e tjerë të Fisnikut të Madh, por
në gjendje të lirë. Hynin në shërbim të tij me bonne vogle, siç thuhej
atëherë, « sepse e tillë qe dëshirë e tyre ». Në luftime, ata
përdornin tërë dredhitë e atletëve antikë, me qëllim që të mposhtnin kundërshtarin;
por përdornin gjithashtu edhe armë të tjera që nuk lejoheshin tek grekët ;
sepse vinin në përdorim edhe thonjtë dhe kafshonin hundë e veshë ; shpesh
i merrnin me vete copërat e shkulura ; me një fjalë, bënin të mundur të
shkaktonin të keqen më të madhe, duke u lëshutur mbi prenë e tyre si qen mbi
egërsirë. Ajo çka i ndizte për një gjë të tillë nuk ishte dhe aq dëshira për
fitore, sesa karemi, ose siç thoshin historianët e shekullit XVI sheqerka
që vinte më pas, disa dukate ari që Turku i Madh ia vërviste ngadhnjyesit, dhe
ndonjëherë të dy luftëtarëve, kur qe i kënaqur nga përpjekjet e gjithsecilit. Guresitë
luftonin zhveshur, duke mbajtur në trup vetëm gregët, lloj tirqesh apo
çidikësh prej lëkure, ngjitur tek kofshët, që shkonin nga mesi deri poshtë
gjunjëve ; këto kofsharë, si dhe gjithë trupi lyheshin me vaj, me qëllim
që kundërshtari ta kish të vështirë të bënte kapjet e tij. […] Lëviznin në grup
prej dhjetë a dymbëdhjetë vetësh, të gatshëm për t’u matur me cilindo që i
ndalte në rrugë e sipër ; dhe do ishte marrëzi të kërkoje sherr me ta, jo
vetëm për tërbimin me të cilin të sulmonin, por edhe për përvojën që kishin në
dyluftime, duke qenë se ishin rritur enkas për zanat të tillë që në
vegjëli ; dhe ishin « aq të shkathët, sa rrallë mund të gjendej
ndokush që të mund t’i tejkalonte apo që të barazohej me ta ».
Kjo trupë e guresive organizonte sulme
të egra thjesht për të zbavitur sulltanin, kur Shkëlqesia e Tij nuk kish gjë
tjetër më të mirë për të parë ; mirëpo, në atë kohë kalorësish të tillë
kreshnikë e endacakë, këto shfaqje luftarake qenë nga më fisniket dhe më
zbavitëset.
Një ditë, për shembull, mbërrin në Andrinopol një skit me shtat kolosal, për të sfiduar në luftim të veçantë tërë oborrtarët e vendit.
Askush nuk guxonte të shfaqej për t’i bërë
ballë sfidës së tij me dorezën që lëshoi përtokë. Aventurieri po krekosej duke
treguar forcën e vet, kur befas Skënderbeu, që qëndronte për nga sëra dhe
origjina shumë më lart se një kundërshtar i tillë, i del përpara, duke lënë
gojëhapur krejt oborrin që po dridhej nga frika se mos pësonte gjë djaloshi i
tyre i ri. Mirëpo, s’do vononte dhe do ta mblidhnin veten ; e panë tek iu
vërvit armikut, tek mbërtheu me dorën e majtë krahun e djathtë të gjigandit, me
aq saktësi e forcë në çastin kur do goditej, dhe po në të njëjtën kohë tek i
nguli kamën në fyt.
Mbas ca kohe, dy kalorës persianë, hipur në
kuaj të mrekullueshëm, u paraqitën para Muratit, i cili e kish zhvendosur
oborrin në atë periudhë në Pruse të Bitinisë ; kërkuan të hynin në shërbim
të tij, duke pranuar të viheshin në provë aftësitë e tyre. Skënderbeu pranoi të
ndeshej i vetëm kundër të dy të huajve, me kusht që këta ta sulmonin veç e veç.
Dyluftimi sapo kish nisur kur kalorësi tjetër, duke shkelur betimin, lëshohet
me heshtë mbi Skënderbeun, i cili, kur e pa si po turrej, nuk priti më të
mbrohej, por vërsulet mbi të me frerët e kalit krejt të lëshuara dhe, me një
goditje të fuqishme, e bën tjetrin të paguajë shtrenjtë atë tradhti të
turpshme. Si e hoqi qafe atë kundërshtar, kthehet menjëherë, me shpatë në dorë
kundër kalorësit tjetër që kish mbetur, e prek fillimisht në shpatullën e
djathtë, shi pranë qafës dhe aty-aty, i rras hekurin në trup, aq thellë sa
burri çahet më dysh gjer në mes. Pastaj, princi i ri shkon e i dhuron sulltanit
kokat e tyre. « Ai u prit, thotë R.P. Du Poncet, i Kompanisë së Jezusit,
historian i Skënderbeut – me të gjitha nderimet që meritonte ngadhnjimi i tij,
duke fituar një shkallë të re vlerësimi ». (Histori e Skënderbeut,
Paris 1709). Vlerësimi i mbretërve jepej në atë kohë vetëm për bëma të këtij
lloji.
Pas këtyre kreshnikë-rive, turqit i dhanë
atij emrin Skander apo Iskanderbeg : fisniku Aleksandër.
Ishte me shtat të lartë, krahun me fuqi mahnitëse, gjithmonë të zhveshur, dimër e behar, në gjendje për të asgjësuar çdo pengesë. Skënderbeu përdorte një shpatë të bërë enkas për shtatin e tij, pothuaj aq legjendare sa dhe Durandali i Rolandit, duke mbajtur përherë brenda një milli të gjerë një shpatë të dytë të ngjashme me të. Kujdesi për një gjë të tillë nuk ishte pavend, po të kihen parasysh sprovat e tmerrshme që duhej të përballte ajo shpatë. Historianët anglezë flasin për një fisnik të Courcy-së, kontin Ulster, në shekullin XIII, i cili, përpara mbretit të Anglisë, çau më dysh një ditë me një goditje shpate një përkrenare çeliku ; arma depërtoi brenda drurit ku qe vendosur përkrenarja, dhe aq thellë sa askush, përveç kontit, nuk mund ta shkulte dot.
Sprova të tilla nuk do kishin qenë veçse një
lojë për Skënderbeun, i cili, në shumë raste, siç thuhet, arrinte të çante më
dysh njerëz të armatosur nga koka në këmbë.
Sulltan Mehmeti II, që shkonte mirë me të në
atë kohë, i kërkoi një ditë të famshmen shpatë që kushdo e mburrte dhe falë së
cilës Skënderbeu bënte mrekullira. Heroi nuk ngurroi dhe ia dërgoi sovranit.
Vetë Mehmeti e provoi, ua dha edhe luftëtarëve më të fuqishëm të oborrit. Por
kur pa se ajo nuk dha rezultat të jashtëzakontë, e ktheu tek i zoti, duke u
shprehur se ai vetë kishte shumë të tilla me po atë kalitje të mirë, në mos
edhe më të mirë. Skënderbeu mori shpatën pa u vrenjtur ; e vuri në
përdorim para syve të të dërguarit perandorak në mënyrë të tillë që ky të
bindej për forcën e tij të jashtëzakontë ; pasandaj e përcolli atë me këto
fjalë : « Thuaji Ytzoti se i dërgova shpatën, dhe jo krahun. »
Aftësia e tij për të fluturuar një kokë me
një goditje ishte bërë proverbiale. Kështu, vrau një dem të egër e të tërbuar
që rrafshonte tokat e princeshës Mamica, së motrës, dhe bëri të njëjtën gjë në
Pulja me një derr të llahtarshëm që ishte bërë tmerri i gjithë vendit.
Skënderbeu e kishte bërë be se do ndëshkonte rreptë njëfarë Ballabani, i bindur
për mizoritë e tij ndaj shqiptarëve. I shpunë një ditë të lidhur së bashku, të
vëllanë dhe nipin e këtij armiku; i tërbuar tek i pa, me dorën e tij i preu në
mes me një goditje, apo, siç thotë një nga historianët e tij me gjuhë energjike1, « i cungoi në mes të
trupit me një të goditur. »2
Mrekullitë e forcës dhe të shkathtësisë, Kreu
VIII,
Skënderbeu dhe turqit,Paris, 1886.
Charles DIDIER
Sharl
Didie (1805-1864), letrar e gazetar, autor romanesh dhe udhëpërshkrues,
bashkëpunëtor i revistës së mirënjohur franceze Revue des Deux Mondes.
Ka vizituar shpesh Italinë, së cilës i ka kushtuar disa libra, dhe gjatë
udhëtimeve të tij në këtë vend, ka njohur nga afër kolonitë arbëreshe, për të
cilat flet me simpati.
I VETËM HERO,
NDËRMORI LUFTËN E EVROPËS KUNDËR
AZISË…
[…] San-Demetrio është kryeqendra e një
rajoni shqiptar. Pesë apo gjashtë fshatrat që e përbëjnë janë të grupuara
përreth tij. San-Giorgio është më i madhi dhe Vacarizzo ai ku luksi fshataresk
i grave është më i kërkuari. Ka miniera të ndryshme në male, por askush s’e ka
mendjen për t’i shfrytëzuar, e qeveria akoma më pak nga njerëzit.
Prania e këtyre kolonive shqiptare është një
dukuri historike që meriton vëmendje dhe pothuaj është e panjohur. Shfaqja e
parë e shqiptarëve në Itali ka ndodhur rreth dhjetë vjet pas marrjes së
Konstandinopojës.
Kjo ngjarje e madhe, prej së cilës u desh të
ndryshohej faqja e Evropës, ndërkohë që përmbyste një perandori shekullore e të
drobitur, i jepte goditjen vdekjeprurëse një shteti të ri e të fuqishëm që
vetëm energjia e një njeriu e kishte ngritur.
Gjergj Kastrioti, i njohur me emrin Skënderbe
(Fisniku Aleksandër) u dha peng nga i ati tek sulltan Murati. I rritur, por jo
i squllur në seraj, doli nga duart e grave si një zog shqiponje që kish çelur
mes pëllumbash, dhe më 1443, shpalosi flamurin e pavarësisë, të hakmarrjes ndaj
uzurpatorit të vendit dhe vrasësit të familjes së tij.
Lindur fisnik i Shqipërisë, dha kushtimin për
luftë ndër fiset luftarake, dhe në krye të trimave e besnikëve të tij mirëditas,
ndërmori një luftë të padërprerë për njëzet e tre vjet me radhë kundër të
gjitha forcave të perandorisë otomane : një shembull i ri se ç’mund të
bëjë vullneti i paepur dhe i qëndrueshëm i një minoriteti energjik, sikurse
kishin bërë dikur stërgjyshët e tyre maqedonas nën udhëheqjen e një tjetër
Aleksandri , duke e bërë këtë radhë të dridhej Murati në qytetet e veta dhe
duke i sfiduar ushtritë e tij në mbi njëzet ndeshje luftarake.
Murati vdiq nga tërbimi ; Mehmeti II u
ngjit mbi fron dhe mori Konstandinopojën. Postrojë e përparuar e Krishtërimit,
Ushtari i Jezu Krishtit, sipas titullit që mori Skënderbeu, u lëshoi princërve
të Evropës një thirrje alarmi ; por ata qenë të goditur nga tmerri dhe
atëherë Skënderbeu, i vetëm hero, ndërmori luftën e Evropës kundër Asisë.
U rendit, me qëndresën e tij, ndër figurat e
mëdha historike të shekullit XV, dhe shkëputet gjithë shkëlqim nga tabloja e
zymtë e Mesjetës, duke u shuar si një nga njerëzit e paracaktuar në thirrje të
shekullit të ardhshëm për lartësime të mëtejshme.
Alfonsi i Aragonës mbretë-ronte atëherë në
Napoli. Politikan i shkathët dhe kapiten i madh, ky princ u alarmua nga marrja
e Bizantit ; ai shihte tek kolosi në lindje një armik të natyrshëm, dhe iu
përgjegj i vetëm thirrjes së Skënderbeut. I dërgoi (më 1454) disa forca nën
urdhrat e Raymond d’Ortaffa-së.
Pas vdekjes së Alfonsit,
fati ndërroi. Ferdinandi, i biri i tij, pati nevojë për krejt forcat që kishte
për të luftuar ndaj dukës Jean i Anzhuinëve, një kundërshtar i fuqishëm, dhe
ndaj princit të Tarentes, një rebel mosmirënjohës e i tmerrshëm.
I rrethuar në Barleta nga kondotieri Jacques Piccinino, vënë në shërbim të Anzhuinëve, kurora e tij do kishte marrë fund, kur u panë në horizont të zbardhëllenin velat. Skënderbeu, po aq mirënjohës sa dhe i palodhshëm, duke përfituar nga një armëpushim që kish kërkuar mendjemadhi Bajazit, i nisi ndihma djalit të aleatit të tij të vjetër. E nxori nga rrethimi, mori Tranin dhe duke përshkuar fushat e gjera të Pulias në krye të kalorësisë së vet, rrafshoi tokat e princit të Tarantes, mundi Piccinon dhe ndihmoi në fitoren vendimtare të Troias, që u siguroi kurorën aragonasve.
Historiani napolitan
Summonte na ka ruajtur një korrespondencë të çuditshme të fisnikut të
Shqipërisë me princin e Tarantes. « E ç’të bëra, i shkruante ky i fundit,
që erdhe e më sulmove në tokat e mia ? Mos vallë pandeh se ke të bësh me
turqit e tu qullashë ; e pra, ja që gabon. I shohim shqiptarët e tu si
bagëti (come pecore), dhe na hipën tërbimi nga armiq të tillë kaq të
poshtër. S’arrin do të mbrosh shtëpinë tënde, dhe vjen e pushton këtë tonën. Po këtu, veç varrin tënd do gjesh ».
Përgjigja e Skënderbeut është e bukur dhe
energjike. Ai e qorton princin e Tarentes për mosmirënjohje ndaj shtëpisë së
Aragonës dhe i thotë se mirënjohja për të është një detyrë e shenjtë që i jep
të drejtën t’i shkojë në ndihmë të birit të një mbreti, i cili e ka pasë
ndihmuar edhe ai më parë. « Ti nuk je më pak turk nga turqit, i thotë ai ; për
më tepër, siç thuhet, ti nuk ke asnjë fe. Sa për shqiptarët e mi, ti s’i njihke
ata ; ne jemi pasardhës të epirotëve që i kanë dhënë për armiq romakëve Pirron
dhe maqedonasit, që kanë dhënë për ngadhnjyes të Indisë Aleksandrin. E për
cilët më flet ti, për tarantinët e tu, racë e rrëmbyer, që më mbrokan shtëpinë
tënde, të mirë veç për të zënë peshq. E nëse do gjej atje varrin tim, Zoti, që
m’i njeh tashmë mendimet në kokë, le të më gjykojë ».
Skënderbeu mori për dhuratë nga Ferdinandi
(1461) qytetin e vogël të Pulias, San-Pietro-in-Calatina ; është kolonia e parë
shqiptare në mbretërinë e Napolit. Më vonë, mori Tranin dhe disa qyteza të
malit Gargano.
Ky princ nomad vdiq më 1467. I biri i tij,
Gjon Kastrioti, nuk ish në gjendje të luftonte kundër Bajazitit ; pas disa
luhatjesh, sulltani arriti të pushtojë krejt Shqipërinë, dhe armët shkatërruan
veprën e ndërtuar nga armët.
Sulltani ndërmori hakmarrje mizore, duke i
vënë shqiptarët në mes të apostazisë dhe mërgimit ; pikërisht në këtë kohë
ndodh emigrimi i tyre i madh në Itali. Vetë Gjon Kastrioti u strehua në Napoli
dhe mbreti mori në shërbim të tij një numër të madh shqiptarësh. Nën emrin e regjimentit
mbretëror maqedon, krijoi një korpus këmbësorie që mbijetoi gjer në kohën e
revolucionit.
Sa për të tjerët, dhe i madh ishte numri i
atyre që parapëlqyen mërgimin para apostazisë, të paaftë për bujqësi, si të
gjitha popullatat luftarake, ata u vendosën në malin Gargano, të cilën gati e
konsideronin si pronë kombëtare. Prania e atyre të huajve të pavarur i shqetësoi
autoritetet ; zakonet e tyre të zhurmshme i alarmuan fqinjët përreth, dhe mali
Gargano do qe kthyer për ta ndoshta siç u bënë më vonë Alpuksarret për maurët e
Spanjës.
I përndanë, u shpërndanë toka djerrë, dhe
kështu ata e panë veten të hapërdarë në krejt mbretërinë, gjer në Siçili, ku
ngritën, mes malesh, katër fshatrat e mëdha të quajtura me emrin e tyre Casali
dei Greci, dhe konkretisht : Palazzo-Adriano, Mezzojuso, Contessa e
Piana-dei-Greci.
Çdo ditë, vinin parreshtur të rinj. « Të
bëhet zemra plagë, i shkruante papa Pavli II Filipit, dukës së Burgonjës, të
bëhet zemra plagë të shohësh ata të mjerë pa bukë, pa atdhe, që përshkojnë
Adriatikun me barka të brishta dhe vinë në brigjet e Italisë të kërkojnë
strehim kundër barbarisë të të pabesit ».
Tre shekuj më vonë, parginotasit, të shitur
nga lakmia angleze tek një armik më mizor nga Bajaziti, u endën tërë lotë në të
njëjtat vende, duke kërkuar breg më breg një strehë në dhe të huaj. Historia
nuk ka asgjë më të prekshme nga këto katastrofa të mëdha kombëtare. Të ardhurve
të rinj iu desh atëherë t’ia nënshtronin karakterin e tyre të çlirët e luftarak
zakoneve të jetës bujqësore. Por te bujku, shfaqej ushtari dhe përherë dallohej
te dora që drejtonte parmëndën dora që kishte vringëllitur kordhën. Ata që
kishin përfunduar në brigjet e përtejme të Adriatikut shihnin të kaltëronin në
horizont ato male të Shqipërisë, ku dikur përhapeshin shatorret e tyre
ngadhnjyese, dhe ku ata preheshin pas luftimit nën rrezet e diellit ku kishin
lindur. Tashmë, pa atdhe, ëndërronin me lotë në sy për ditët e fitores ;
përshëndesnin me vështrim tejmajat atërore, dhe të përkulur trishtueshëm mbi
atë parmendë që aq shumë kishin urryer, këndonin baladat kombëtare, i vetmi
monument i lavdive të dikurshme, e vetmja trashëgimi e stërgjyshërve. [...]
Shqiptarët në Kalabri,
“Raccolta”, Zakone siçiliane e kalabreze,
Revue des Deux Mondes, vëll. III-IV, 1831.
* Të ushtrimit trupor.
1 Histoire de George Castriot, surnommé Scanderbeg, roi d’Albanie, nga J. de Lavardin, fisnik i Plessis-Bourrot. 1621, in-4°.
2 Shekspiri gjithashtu ka përdorur një shprehje po aq energjike. Ka thënë tek Makbethi (akt I sk.II) : “Till ho unscamed him from the nare to the chops ( u largua nga armiku i vet pasi i bëri një të shqepur trupit nga barku gjer tek nofullan domethënë çarë më dysh)”. – shënime të autorit.
© Copyright F. Andrea, sipas librit "Pena të arta franceze për shqiptarët"
Tiranë, 2007.
Të interesuarit për të blerë librin mund t'i drejtohen autorit.