E enjte, 10.10.2024, 09:08 PM (GMT+1)

Speciale » Andrea

Fotaq Andrea: Pena të arta franceze për shqiptarët (3)

E diele, 03.09.2023, 08:10 PM


Pena të arta franceze për shqiptarët (3)

Nga Fotaq Andrea

Camille-Pierre-Alexis  PAGANEL

Kamij Paganel (1797-1859), Ish Këshilltar Shteti, historian. Vepra e tij e fundit dhe më e rëndësishmja është monografia “Historia e Skënderbeut, ose turqit dhe të krishterët në shekullin XV”.

SKËNDERBEU, USHTAR I JEZU KRISHTIT,

MBROJTËS I PAVARËSISË EVROPIANE

[…] E ndërsa vala turke, gjithnjë e më shumë e frikshme, ngrihej përherë, Zoti mbante mënjanë, nën hijen e vetë Drapërit të hënës, nën flamurin e Profetit, një mbrojtës të pavarësisë evropiane, një shpagimtar të Besimit. Atje rritej në heshtje, për të ardhmen, ai Ushtar i Jezu Krishtit, ashtu siç do quhej edhe vetë, krejt jeta e të cilit s’do qe veçse luftë e përditshme, si një fitore e përhershme e Kryqit ; për njëzet e katër vjet me radhë, në një qoshe të errët të Evropës, në krye të disa mijërave shqiptarë, ai do bënte kërdinë në trupat më të mira osmane, do godiste ashpër sulltanët, të pathyeshëm gjetiu, dhe deri në orën e fundit, do mbante të mposhtur sunduesin e egër të Konstandinopojës.

Ky njeri i Frymës së shenjtë është Gjergj Kastrioti1,  aq  i  njohur  me emrin Skënderbeu, Iskender-Bei, që do të thotë fisniku, princi Aleksandër. Këtë emër, këtë titull, mund të thuhet, ai ia detyron aftësive të veta luftarake, prirjes së tij heroike, origjinës së tij nga Epiri, atdheu i legjioneve të guximshme me të cilat i pavdekshmi Maqedonas zaptoi Azinë.

Duke përvijuar këtë Hyrje, autori jep një tablo të përgjithshme historike të Shqipërisë nga koha e mbretit Gent gjer në ardhjen në fuqi të sulltan Muratit II dhe pushtimin e trevave shqiptare, për të pasqyruar kështu atë trashëgimi epike mbi të cilën do përkryej e lartohej figura madhështore e Skënderbeut. Më pas, vëllimin e parë të veprës të tij, autori e çel në këtë mënyrë :

Në shekullin XV, mjaft feudalë të pavarur zotëronin ende Shqipërinë. Në krye të tyre, dhe më i fuqishmi nga të tërë, ishte Gjon Kastrioti, nga një racë e lashtë dhe e guximshme me origjinë nga Ematia2, në Maqedoninë e poshtme.

Bashkuar me Vojsavën, bijën e princit të Triballëve dhe at i nëntë fëmijëve, Gjoni shihte me krenari të rriteshin në krahë të tij të katër bijtë e vet, shpresa e Shtëpisë. I madhi quhej Reposh, i dyti Stanish, i treti Kostandin ; i fundit ishte pra ai Gjergji, aq i famshëm me të marrë emrin Skënderbe.

Sikur t’u zihet besë thënieve popullore, vetë çudat e kishin paralajmëruar lindjen e princit të ri, dhe kishin parashikuar një të ardhme të lavdishme.

Ndërsa e ëma qe duke e mbajtur ende në gji, një natë ajo ëndërriti se kish lindur një dragua, trupi gjigand i të cilit mbulonte krejt Epirin. Duke endur në kufijtë turq gojën e tij të përgjakshme, përbindëshi kapërdinte mori të tëra të pabesësh dhe njëmijë unazat e bishtit të tij të gjatë shtriheshin në det nga ana e të krishterëve, drejt Venedikut. Në të njëjtën mënyrë, Olimpias, nënës së Aleksandrit, i kishte vajtur në shtrat një gjarpër : mirëpo ky gjarpër qenkish vetë Jupiteri ; në të njëjtën mënyrë, një zvarranik gjigand qe shfaqur në shtratin ku do lindte Skipion Afrikani, dhe nuk kish pikë dyshimi në Romë se një perëndi qe maskuar asisoj.

Një endërr e tillë, pra, e Vojsavës, e pat mbushur gjithë gëzim Gjon Kastriotin, i cili bekonte paraprakisht të birin që do bëhej mbrojtës aq i guximshëm i dheut të lindjes e të besimit, tmerr i armiqve të Jezu Krishtit, dhe do kish njëkohësisht nderim për republikën e fuqishme të Venedikut.

Një tjetër shenjë paralajmëruese, edhe më domethënëse, përforcoi këtë shpresë të shtrenjtë : Gjergji, siç flitej, pa dritën e diellit duke mbajtur në krahun e djathtë fugurën e një shpate. A mundej atëherë të vihej në dyshim prirja e tij për luftë të pamposhtur ?

Ende pa dalë mirë nga djepi, princi i ri, që mezi mbahej mbi këmbët karthi, zvarritej drejt armëve të t’et, dhe përpiqej të ngrinte harkun, shigjetat, pallën. Lojra luftash, qoftë me të vëllezërit, qoftë me fëmijë të tjerë, ja e gjithë fëmijëria e tij. Gjithnjë më i shkathti, më i forti, më i guximshmi, Gjergji njohu që herët fitoren. Tashmë në veprimet e tij, po jo më pak edhe në fjalët që thosh, shpërthente energjia e pamposhtur e shpirtit që e karakterizonte, përshkëndijimet e para të një zgjuarsie të habitshme dhe embrionet e një besimi të thellë.

Ashtu sikurse kishte aftësi të veçantë për të mësuar, kishte edhe kujtesë të jashtëzakontë.

Kështu tek Gjergji, tek fëmija i dashur dhe krenaria e familjes, u përqëndruan krejt vështrimet. Tek ai shihej dhe përshëndetej heroi i ardhshëm i Shqipërisë.

Në këto rrethana, në vitin 1423, Murati II, tashmë sundues i Thrakës dhe i një pjese të Greqisë, i ktheu armët kundër Maqedonisë.

Turqit, sapo e kishin kaluar Vardarin*, kur zjarri që u vunë fshatrave paralajmëroi kërcënimin e Dibrave nga ana e tyre. Një çast, trimëria e mirëditasve i ndali rrëzë maleve hordhitë e pamëshirshme : por së shpejti, fise të tëra, rrethuar nga gjithë anët, sidomos qytetet, lypsej të zgjidhnin midis vdekjes, skllavërisë apo heqjes dorë nga besimi. Disa u përulën ; dhe ndoshta, sikur qëndresa të mos vijonte, apostazia** do qe bërë e përgjithshme : për fat të mirë, Zoti me fjalën e tij do tregonte mëshirë për të shtypurit. Do mjaftonte britma e një luftëtari shpëtimtar, që atyre t’u riktheheshn energjitë ; ai vend, dikur i shkretë, do mbushej me luftëtarë mbrojtës ; kështu, mirëditasit do mbeteshin të lirë, dhe të tillë do t’i gjente më pas heroi i ngritur në këmbë.

Por ato ditë lavdie ende nuk kishin ardhur.

I shtrënguar të kërkojë paqe, Gjon Kastrioti e arriti këtë me një kusht të rëndë : të japë peng të katër djemtë.

Jo pa derdhur lotët lumë, Gjoni e Vojsava iu nënshtruan fatit të zi që i ndante nga bijtë. Tek i bekoi djemtë, të cilët i donte si sytë e ballit dhe do syrgjynoseshin larg, Gjoni thërret me gjithë shpirt : « O Perëndi, merrmi djemtë nën kujdesin tënd ; mbami përherë, mes të pabesëve, nën ligjin tënd të shenjtë. » – « Dhe ti, o Gjergji im i shtrenjtë, – shtoi duke u përulur drejt tij me një ngrohtësi e dhembshuri të dyfishtë, – mos e zhgënje shpresën tonë. »

Kruja ishte në zi ; populli mbushte dhé e ajër gjithë rënkime, kur një plak doli nga turma dhe thërriti me zë profetik : « Për ty, o Gjergj Kastrioti, forcë, guxim e shkëlqim ! Për ty, o Murat, rrënim, gjëmë e mjerim ! Në vetë shtëpinë tënde, luani që do rritësh, do të kapërdijë ! »

Me t’i vënë princërit e rinj nën pushtetin e tij, sulltani i bëri synet dhe i rriti në fenë muhamedane.

E ndërsa tre më të mëdhenjtë nuk binin në sy për nga mosha, Skënderbeu sapo kishte mbushur të nëntat. Sulltani, i çuditur për natyrshmërinë e tij aq të mbarë, tregonte për të dashuri të veçantë. Falë mësonjësve të shkathët, i riu epirot mësoi gjuhët greke, turke, arabe, italiane, sklavone. Por arritje të një lloji tjetër do t’i interesonin edhe më shumë një pushtuesi si Murati : shkathtësia e Skënderbeut për të përdorur shpatën, harkun dhe heshtën, guximi i tij për të mposhtur një kalë, pasioni i tij për të gjitha lojrat luftarake, kënaqësia e tij para rrezikut. Gjithmonë fitimtar në gara, i biri i Gjonit u paraprinte kështu ngadhnjimeve edhe më të shkëlqyeshme : tashmë urrejtja e tij e hershme ushtrohej në mënyrë të tillë që të dërrmonte një ditë turqit në fusha të tjera betejash.

Nuk i kishte mbushur ende të tetëmbëdhjetat, kur i emëruar në krye të një sanxhaku të perandorisë, Skënderbeu shkoi të komandonte pesë mijë kalorës në kufijtë e Anadollit. Merita e tij e shkëlqyer, bëmat e tij të papara tërhoqën shumë shpejt tërë vështrimet dhe pa ndezur zili, u vesh me lavdi.

E gjithë ushtria në një zë, i njohu suksesin e kësaj fushate. Në kthim, Murati e mbushi me peshqeshe. Pikërisht atë kohë, e mbiquajtën Skënderbe (fisnik, princ Aleksandri) ; dhuratë e gabuar, sepse një ditë, ky emër i madh do t’i kushtonte shtrenjtë perandorisë osmane. […]

Histori e Skënderbeut,

apo Turq e të Krishterë në shekullin XV, Paris, 1855.

Jost Amman, 1577, Betejat e pamposhtura të Skënderbeut.

Abati Charles GEUNOT

BETIMI*

Ishte pragu i Krishtlindjes, kësaj feste të madhe të Krishtërimit. Skënderbeu donte që ajo ditë të përjetësonte kujtimin e kthimit të tij nga mërgimi, si dhe ditën e pavarësisë kombëtare të rifituar. Hamzai,  rritur nga mjeshtrit myslimanë, nuk ishte pagëzuar ; dhe vetë Kastrioti, prej një kohe të gjatë kishte ndjekur ritet e Islamizmit. Vendosi pra ta shpinte Hamzanë në pagëzore, si dhe shumë shokë të djaloshit, që kishin praktikuar së bashku me të fenë myslimane. Peshkopi i Kroiës, plak i shenjtë, njeri i besuar i amaneteve të Gjon Kastriotit, udhëzoi si të vepronin Hamzai dhe shqiptarët e tjerë. U vendos që ditën e Krishtlindjes, mes ceremonisë më solemne, ata të shkruanin emrat e tyre në familjen e pavdekshme të Kishës katolike. Skënderbeu dha urdhër të bëheshin përgatitje të mëdha, me qëllim që festa të ishte sa më madhështore.

Mëngjesin e asaj dite të madhe, ushtarët e garnizonit morën armët dhe u radhitën, në rreshta të gjatë gjithë spitullimë, nga pallati te kisha e madhe e Krujës. Degë pishash e dafinash mbulonin rrugët nga do kalonte kortezhi : qilimat më të bukur vishnin faqet e shtëpive. Si u bënë gati të gjitha këto, u çelën portat e pallatit ; princërit, kryetarët e fiseve, ecnin në këmbë, me armët më të bukura ngjeshur në trup. Pasandaj, u shfaq Skënderbeu, mbisundues ndaj gjithçkaje që e rrethonte, shoqëruar nga të kunetërit, nga Hamzai dhe nga shokët e këtij të fundit. Madhështia e forcës mbretëronte mbi ballë të heroit dhe krejt tiparet shprehnin një qetësi të kulluar ; vështrimi i tij depërtues prehej gëzueshëm mbi turmë ; vetëm ai dhe Hamzai ishin pa armë.

Si mbërriti në sheshin para tempullit, ndërtuar nga stërgjyshi i vet, Skënderbeu u prit nga Peshkopi, i cili e drejtoi për nga altari zbukuruar si jo më mirë. Në altar, shiheshin, mbi një  shilte kadifeje të kuqe, silahu dhe shpata e tmerrshme e Princit shqiptar.

Jost Amman, 1577, Kthimi i Skënderbeut në Krujë

Peshkopi dhe Princi ranë në gjunjë, dhe populli iu përgjigj lutjes që u bë me zë të lartë. Peshkopi u ngjit mbi altar, veshur me zbukurimet e shenjta. Kastrioti qëndronte mbi gjunjë, zhytur në mendim të thellë. Aherë, Peshkopi kthehet nga ai :

- Princ, i thotë, a e lëshoni anatemën kundër fajeve të Islamizmit, kundër kultit të profetit të rremë ?

- Anatemë kundër Islamizmit, anantemë kundër kultit të profetit të rremë - u përgjigj Kastrioti me zë të fortë.

- A betoheni se do jeni gjithnjë besnik ndaj zotimeve të këtij pagëzimi, se do jetoni e do vdisni për Krishtin, Atin tuaj ?

- Betohem se do të jem besnik ndaj zotimeve të këtij pagëzimi, se do jetoj e do vdes për Krishtin, Atin tim, - u përgjigj sërish Princi.

E theksoi këtë formulë të fundit të betimit me një ton më të fuqishëm, që buçiti, fort, nën kubetë e tempullit.

- Ashtu qoftë ! - ia ktheu Peshkopi - dhe Perëndia u ndihtë !

Në çast, mori mbi altar shpatën dhe silahun, ia dorëzoi Princit, duke i thënë :

- Kjo shpatë, që e keni nxjerrë për Perëndinë, për Kishën dhe altarët e atdheut ; kjo shpatë, me anën e së cilës u arrit shpëtimi ynë, qoftë përherë e tmerrshme mbi armiqtë tanë ! Emrin tuaj gjithashtu, atë emër të Skënderbeut, përjetësuar në jetë të jetëve nga Ngadhnjimi, Feja dhe Kisha po e bëjmë që sot të shenjtëruar.

Pasi Skënderbeu ngjeshi armët e tij të bekuara, Peshkopi zbriti shkallët e altarit, dhe u drejtua, i shoqëruar nga Princi drejt pagëzores, pranë së cilës qëndronin Hamzai dhe shokët e tij.  Kastrioti u bë nun i Hamzait ; të kunetërit dhe prijësit e tjerë u bënë nunër për të rinjtë shqiptarë.

Si përfunduan ceremonitë e pagëzimit, filloi flijimi madhështor. Princi dhe krejt shtëpia e tij u afruan për të marrë pjesë në misteret e shenjta, mes një emocioni të përgjithshëm. Një shfaqje e tillë kishte kohë që nuk qe parë në bazilikën madhështore. Gjon Kastrioti, në vitet e para të mbretërimit të tij, vërtet kishte vajtur aty t’i falte Perëndisë hire solemne, për një fitore të arritur kundër të pabesëve ; por sa ankthe, mjerisht, kishin pasuar, dhe të tjera e të tjera hire ishin nevojitur ! Që  atëherë,  ky vend i shenjtë qe vaditur me lotët e të shtypurve, nuk kish rreshtur së dëgjuari ankimet, rënkimet e viktimave të tiranisë ; ndërsa atë çast, përkundrazi, gëzimi qe i pafund, i përgjithshëm. Dje, myslimani përdhoste tokën e atdheut, shante tempullin ku breza të tërë qenë lutur, ku bashkoheshin gjërat e çmuara me ritet fetare. Sot,  një nderim i shkëlqyer i bëhej kultit të atdheut ; toka e vendlindjes kish larë papastërtitë me gjakun e të pabaesëve ; liria çelte sërish krahët e vet mbi malet e Shqipërisë. Krahu i pamposhtur i një luftëtari armatosej për mbrojtjen e territorit kombëtar dhe të fesë së Krishtit !

Nuk do vononte çasti kur do kërkohej t’u jepej një ndëshkim i ri këtyre betimeve solemne. Amurati, tek mësoi dezertimin e Skënderbeut, njollën poshtëruese që morën emblemat e tij, dëbimin e ushtarëve turq nxjerrë në mënyrë të turpshme jashtë Shqipërisë, apo të masakruar pa mëshirë, Amurati pra, u pushtua i gjithë nga zemërim i tërbuar. Urdhëroi të bëheshin përgatitje të mëdha për pranverë me qëllim që të hakmerrej për dështimin e armëve të tij.

Skënderbeu e kuptoi se duheshin bërë përpjekje të fuqishme dhe të shfrytëzoheshin gjithë burimet e vendit për të prapsur dyndjen myslimane. Andaj, hartoi planin të mblidhte në kuvend të gjithë princët e Epirit dhe të Maqedonisë, me qëllim që të binte në marrëveshje me ta si t’i kundërviheshin armikut të papajtueshëm të emrit të krishterit.

Duke dashur të shmangë çdo shkak lëndimi, çdo vështirësi, zgjodhi për vendin e mbledhjes qytetin e Alesios, në një territor që i përkiste Venedikut.

Dërgoi pra lajmësa për të thirrur në këtë Kuvend luftarak prijësit dhe kryetarët e fiseve ; u bëri të ditur se kishte nevojë për mendjen dhe ndihmën e tyre, për të përkryer shëlbimin e atdheut, dhe për të përkrahur luftën për pavarësi. Shumica kishin luftuar në krah të atit të tij, apo qenë rritur tok me vëllezërit e tij, dhe ishte pra kënaqësi të ndodheshe mes tyre pas një mungese aq të gjatë. E tillë ishte grishja e njerëzishme që u bënte Kastrioti.

Kjo ndodhi në fillim të pranverës së vitit 1441*. Arianita Topios iu përgjigj i pari thirrjes patriotike të Skënderbeut. Prej kohësh kishte luftuar në krah të Gjon Kastriotit, dhe guximi i tij ishte vlerësuar me cilësimin I Madhi. Duke u bërë haraçpagues tek Amurati, kur fati e braktisi Shqipërinë, ai kishte pësuar mbi kurriz zgjedhën, duke u dridhur i tëri nga inati. Krahinat që shtriheshin nga Voiusa në gjirin e Artës i nënshtroheshin autoritetit të tij, dhe në gji i ziente dëshira më e zjartë për t’i parë të çliruara nga tirania e huaj. Ndonëse i moshuar tanimë, Arianiti ruante pothuaj krejt fuqitë e mëparshme ; ishte ende në gjendje të duronte stërmundime të gjata ; askush nuk kishte aq shkathtësi, fuqi sa ai në gjuetinë e kafshëve të egra. Fytyra e tij, e çelët dhe gjithë shprehi, zbukurohej nga një mjekër e gjatë bardhëllore, që i shtonte, në mund të themi, edhe më shumë nderim atij të moçmi. Pasohej nga një numër i madh prijësish, mes të cilëve dallohej Andrea Topia, i vëllai, dhe Tanusios, i nipi. Kishin ardhur gjithashtu Stresi, kunati i Skënderbeut, tri Muzakët, Gjini, Gjergji dhe Aidini : më i riu, u bë shok i pandarë i Princit, për të cilin ai kishte një admirim e një dashuri pa kufi. Pas tyre, erdhën Nikolla e Pal Dukagjini, luftëtarë me famë. Me një fjalë, të gjithë ata që kishin bërë emër, apo gëzonin detyrën e prijësit, rendën në Lezhë. Shqipëria e tërë ishte aty e përfaqësuar.

Ditën e caktuar, më 30 mars*, anëtarët e kuvendit u mbodhën në kishën e madhe të Lezhës. Iu drejtuan lutje të zjarrta Perëndisë të të krishterëve, me qëllim që ajo vetë të frymëzonte vendimet e kuvendit të ndritur. Pastaj, u çel, po në kishë, diskutimi për interesat e mëdha të kohës. Vendi ishte i shenjtë, zgjedhur në mënyrë të përkryer : çlirimi i një kombi, që ishte bërë pre e të pabesëve, është një vepër sa fetare aq edhe patriotike.

Skënderbeu, mbi të cilin qenë ngulur tërë vështrimet, u ngrit për të marrë fjalën. E nisi duke i kujtuar kuvendit vuajtjet që kish hequr shtëpia e tij dhe Gjon Kastrioti, i ati, nga mizori e turqve ; tregoi për robërinë e tij, tradhtinë e Amuratit, vrasjen e të vëllezërve, skllavërimin e kombit, turpin e një zgjedhe të tillë ; rrëfeu se si prej kohësh ndrydhte mendimet më të fshehta, se si prej kohësh dukej sikur kish mbyllur veshët ndaj klithjeve të dhimbshme të bashkëqytetarëve të tij, duke përgjuar pa u lodhur çastin e favorshëm ; vuri në dukje se kish gjetur çastin e volitur për kryengritje, sepse do kish qenë e paradokohshme më parë një rebelim, që mund të bëhej shkak për shkatërrimin e plotë të Shqipërisë. Kishte pra bindjen se kishte vepruar në çastin e përshtatshëm. Atëherë, ripërsëriti me fjalë të thjeshta e modeste çka kish bërë, rezultatet që kish arritur, çlirimin e vendit, kthyer në identitetin e tij. Pasi iu fal me nder shokëve të tij të luftës, shtoi :

- Në praninë e një gjendjeje të tillë, shihni, prijësa të Shqipërisë, ç’ju mbetet për të zgjedhur : ose t’ju mbajnë të mbërthyer me hekur, ose ju t’u shpallni luftë vdekjeprurëse armiqve tanë. Nëse merrni këtë anë të fundit, gjë të cilën s’e vë në dyshim, lypset që një prjës të zgjidhet prej jush për t’ju drejtuar ; zgjidhni një njeri që të gëzojë besimin tuaj dhe të jetë i përvëluar nga dashuria për atdheun.

Ky fjalim, i dëgjuar në heshtjen më të thellë, bëri një përshtypje të madhe në tërë kuvendin. Ato fjalë të dala nga gojë e ëmbël e Kastriotit, ai  theks me të cilin i shqiptoi, ende gjëmonin nën kubetë e tempullit, kur i nderuari Arianiti u ngrit e foli :

- Princër të Shqipërisë, tha ai, këtë ditë që na mblodhi në këtë tempull e fortesë, prej kohësh e kam kërkuar me gjithë shpirt. Duhet të jepet këtu një mendim fisnik, i çiltër dhe i ndershëm ; dhe këtë do ta merrni nga goja e një plaku. Dikur, unë kam luftuar në krah të Gjon Kastriotit ; shpesh kam admiruar zotësinë dhe vlerën e tij ; unë vetë e kam shpallur të denjë për të na prirë. E pra ! ja tani, biri i tij, kapedan i shquar dhe i regjur në artin e luftës ; ju vetë, jeni dëshmitarë të guximit e gjenisë së pazakontë që ai tregoi kohët e fundit, dhe është në forcën e moshës, me një famë që ka marrë dhenë ; u bëftë pra prijësi ynë, i denjë siç është për atë rang të lartë !

Atëherë plaku, duke u kthyer nga ana e Skënderbeut, u përkul thellë para tij.

- Princ, i tha, haraçin që i paguaja Amuratit, tani po ta jap ty ; gjithë pasurinë time, njerëzit e mi dhe veten time po i vë në dispozicionin tënd, gjithçka të takon ty, meqë është fjala për atdheun tonë. Jam i lumtur që i pari po të përshëndes si sovranin e Shqipërisë.

Këto fjalë, të shqiptuara me zë të dridhur, e bënë gjithë kuvendin të drithërohej e të ngrihej në këmbë. Tërë anëtarët e tij, më këmbë, u përkulën me nderim përpara heroit, bënë të njëjtat premtime dhe e shpallën Skënderbeun princ të Shqipërisë, prijës të mbarë vendit.

Skënderbeu e priti këtë brohoritje të njëzëshme, që e pranonte për autoritet të lartë, me aq modesti, sa u vlerësua edhe me shumë. Pasandaj, duke zënë vend me dinjitet sovrani në fronin e sapongritur, foli për herë të dytë mbi domosdoshmërinë për të qëndruar të bashkuar e për të sakrifikuar gjithçka për të mirën e përgjithshme, me një gojëtari e forcë të tillë sa anëtarët e kuvendit, duke u çuar edhe një herë në këmbë, u betuan me dorën nderur mbi altar, se do t’i lëshonin armët vetëm kur Shqipëria të ishte e siguruar. Kastrioti provoi kështu se ishte mjeshtër i madh në artin e gojëtarisë, po aq sa ishte gjeneral i madh në fushën e betejës.

Me të dalë nga ky kuvend i paharruar, Skënderbeu u kthye në Krujë, i shoqëruar nga një numër i madh të bashkuarish në konfederatë ; të tjerët shkuan në krahinat e tyre për t’u përgatitur për ngjarjet e mëvonshme. […]

Skënderbeu apo heroi i krishterë

Paris, 1862.

© Copyright F. Andrea, sipas librit "Pena të arta franceze për shqiptarët"

Tiranë, 2007.

Të interesuarit për të blerë librin mund t'i drejtohen autorit.


1 Z. William Temple lartëson shtatë prijësa, që pa e pasur mbi krye kurorën e shenjtë, e kanë merituar atë : Belisari, Narsesi, Gonzalvi i Kordovës, Gijomi I, princ i Oranzhës, Aleksandri, duka i Parmës, Janosh Huniadi dhe Gjergj Kastrioti (Skënderbeu). – Ese për Virtytet heroike, vëll. III i Veprave.

Në vazhdim të këtij shënimi të autorit, theksojmë nga ana jonë se ndër këta shtatë kryekapedanë të virtyteve heroike, edhe Belisari, gjeneral bizantin (500-565) në kohën e perandorit Justinian, ishte me origjinë nga Iliria.

Po ashtu, vetë autori, Kamij Paganel, e rëndit Heroin tonë kombëtar që në fillim të veprës së tij ndër « kampionët sypatrembur të Besimit » : Huniadi, Matias Korvini, Vladislasi, Kapistrani, Konstandin Paleologu, Skënderbeu, Sobieski. 

2 Aktualisht distrikti i Moghlenës. Kjo trevë kishte për kufi : në veri-perëndim Aksiusin dhe Erigonin ; në perëndim Linkestidën ; në jug Haliakmonin. Edesa, sot Vodina, ishte qyteti kryesor i tij (shënim i autorit.). 

* Lumin Aksios.

** Ndërrimi i besimit, fesë. 

* Nëntitulli i kreut VI të romanit historik “Skënderbeu, apo heroi i krishterë” shkruar nga abati Sharl Geno (Guénot), për të cilin nuk kemi të dhëna konkrete lidhur me jetën e tij.

* Kuvendi i Lezhës siç dihet është mbledhur më 2 mars 1444.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Fotaq Andrea: Pena të arta franceze për shqiptarët (2) Fotaq Andrea: Pena të arta franceze për shqiptarët (1) Fotaq Andrea: Shën Pali në Durrës Fotaq Andrea: Faik Konica me dy romanet e tij – ‘Martesa e Lejlës’ dhe ‘Sotiri e Mitka’ (3) Fotaq Andrea: Faik Konica me dy romanet e tij – ‘Martesa e Lejlës’ dhe ‘Sotiri e Mitka’ (2) Fotaq Andrea: Faik Konica me dy romanet e tij – ‘Martesa e Lejlës’ dhe ‘Sotiri e Mitka’ (1) Fotaq Andrea: Faik Konica lartohet përmbi shablonizmat, dogmat dhe paragjykimet e së shkuarës Fotaq Andrea: Selenica - Madona e Arit të Zi Fotaq Andrea: Kasaphana ukrainase - Një realitet sipas 'enigmës' së François Rabelais Fotaq Andrea: Figura e Skënderbeut, Flamuri dhe Simboli ynë kombëtar mbetet përherë aktuale dhe e përjetshme Fotaq Andrea: Këtë ditë të të dashuruarve të Shën Valentinit, poezia “Bashkimi i Lirë” i Andre Breton-it në gjuhën e bukur shqipe Fotaq Andrea: Emri i Skënderbeut, i njohur, i dashur e i vlerësuar në landet dhe baladat skoceze të shekullit XVII Fotaq Andrea & Dritan Muka: Figura e Skënderbeut në një baladë angleze të shekullit XVII Fotaq Andrea & Dritan Muka: “Skënderbeu” i Gentile Belinit, me diellin në ballë e në sy, simbol i krenarisë sonë kombëtare Fotaq Andrea: Tablotë e Izanos, paradigma ekzistenciale të një “Prilli të Thyer” kadarean Fotaq Andrea & Dritan Muka: Portreti i vërtetë i Skënderbeut nga Belini, pasuri e çmuar e mbarë kombit shqiptar Fotaq Andrea & Dritan Muka: Gjergj Kastrioti Skenderbeu - figura qe sintetizon dashurine dhe unitetin kombetar Andrea & Muka: Më në fund, Skënderbeu i Belinit mes shqiptarëve, zbulim i rrallë historik Fotaq Andrea e Dritan Muka: Ikonografi skënderbegiane - Portretet origjinale të Heroit Kombëtar Fotaq Andrea: Këta shqiptarë me vlerë proverbiale...

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora