E shtune, 27.04.2024, 11:17 PM (GMT+1)

Speciale » Andrea

Fotaq Andrea: Pena të arta franceze për shqiptarët (8)

E diele, 17.12.2023, 09:05 PM


Pena të arta franceze për shqiptarët (8)

Nga Fotaq Andrea

Abati Charles GEUNOT

BETIMI*

Ishte pragu i Krishtlindjes, kësaj feste të madhe të Krishtërimit. Skënderbeu donte që ajo ditë të përjetësonte kujtimin e kthimit të tij nga mërgimi, si dhe ditën e pavarësisë kombëtare të rifituar. Hamzai,  rritur nga mjeshtrit myslimanë, nuk ishte pagëzuar ; dhe vetë Kastrioti, prej një kohe të gjatë kishte ndjekur ritet e Islamizmit. Vendosi pra ta shpinte Hamzanë në pagëzore, si dhe shumë shokë të djaloshit, që kishin praktikuar së bashku me të fenë myslimane. Peshkopi i Kroiës, plak i shenjtë, njeri i besuar i amaneteve të Gjon Kastriotit, udhëzoi si të vepronin Hamzai dhe shqiptarët e tjerë. U vendos që ditën e Krishtlindjes, mes ceremonisë më solemne, ata të shkruanin emrat e tyre në familjen e pavdekshme të Kishës katolike. Skënderbeu dha urdhër të bëheshin përgatitje të mëdha, me qëllim që festa të ishte sa më madhështore.

Mëngjesin e asaj dite të madhe, ushtarët e garnizonit morën armët dhe u radhitën, në rreshta të gjatë gjithë spitullimë, nga pallati te kisha e madhe e Krujës. Degë pishash e dafinash mbulonin rrugët nga do kalonte kortezhi : qilimat më të bukur vishnin faqet e shtëpive. Si u bënë gati të gjitha këto, u çelën portat e pallatit ; princërit, kryetarët e fiseve, ecnin në këmbë, me armët më të bukura ngjeshur në trup. Pasandaj, u shfaq Skënderbeu, mbisundues ndaj gjithçkaje që e rrethonte, shoqëruar nga të kunetërit, nga Hamzai dhe nga shokët e këtij të fundit. Madhështia e forcës mbretëronte mbi ballë të heroit dhe krejt tiparet shprehnin një qetësi të kulluar ; vështrimi i tij depërtues prehej gëzueshëm mbi turmë ; vetëm ai dhe Hamzai ishin pa armë.

Si mbërriti në sheshin para tempullit, ndërtuar nga stërgjyshi i vet, Skënderbeu u prit nga Peshkopi, i cili e drejtoi për nga altari zbukuruar si jo më mirë. Në altar, shiheshin, mbi një  shilte kadifeje të kuqe, silahu dhe shpata e tmerrshme e Princit shqiptar.

Jost Amman, 1577, Kthimi i Skënderbeut në Krujë.

Peshkopi dhe Princi ranë në gjunjë, dhe populli iu përgjigj lutjes që u bë me zë të lartë. Peshkopi u ngjit mbi altar, veshur me zbukurimet e shenjta. Kastrioti qëndronte mbi gjunjë, zhytur në mendim të thellë. Aherë, Peshkopi kthehet nga ai :

- Princ, i thotë, a e lëshoni anatemën kundër fajeve të Islamizmit, kundër kultit të profetit të rremë ?

- Anatemë kundër Islamizmit, anantemë kundër kultit të profetit të rremë - u përgjigj Kastrioti me zë të fortë.

- A betoheni se do jeni gjithnjë besnik ndaj zotimeve të këtij pagëzimi, se do jetoni e do vdisni për Krishtin, Atin tuaj ?

- Betohem se do të jem besnik ndaj zotimeve të këtij pagëzimi, se do jetoj e do vdes për Krishtin, Atin tim, - u përgjigj sërish Princi.

E theksoi këtë formulë të fundit të betimit me një ton më të fuqishëm, që buçiti, fort, nën kubetë e tempullit.

- Ashtu qoftë ! - ia ktheu Peshkopi - dhe Perëndia u ndihtë !

Në çast, mori mbi altar shpatën dhe silahun, ia dorëzoi Princit, duke i thënë :

- Kjo shpatë, që e keni nxjerrë për Perëndinë, për Kishën dhe altarët e atdheut ; kjo shpatë, me anën e së cilës u arrit shpëtimi ynë, qoftë përherë e tmerrshme mbi armiqtë tanë ! Emrin tuaj gjithashtu, atë emër të Skënderbeut, përjetësuar në jetë të jetëve nga Ngadhnjimi, Feja dhe Kisha po e bëjmë që sot të shenjtëruar.

Pasi Skënderbeu ngjeshi armët e tij të bekuara, Peshkopi zbriti shkallët e altarit, dhe u drejtua, i shoqëruar nga Princi drejt pagëzores, pranë së cilës qëndronin Hamzai dhe shokët e tij.  Kastrioti u bë nun i Hamzait ; të kunetërit dhe prijësit e tjerë u bënë nunër për të rinjtë shqiptarë.

Si përfunduan ceremonitë e pagëzimit, filloi flijimi madhështor. Princi dhe krejt shtëpia e tij u afruan për të marrë pjesë në misteret e shenjta, mes një emocioni të përgjithshëm. Një shfaqje e tillë kishte kohë që nuk qe parë në bazilikën madhështore. Gjon Kastrioti, në vitet e para të mbretërimit të tij, vërtet kishte vajtur aty t’i falte Perëndisë hire solemne, për një fitore të arritur kundër të pabesëve ; por sa ankthe, mjerisht, kishin pasuar, dhe të tjera e të tjera hire ishin nevojitur ! Që  atëherë,  ky vend i shenjtë qe vaditur me lotët e të shtypurve, nuk kish rreshtur së dëgjuari ankimet, rënkimet e viktimave të tiranisë ; ndërsa atë çast, përkundrazi, gëzimi qe i pafund, i përgjithshëm. Dje, myslimani përdhoste tokën e atdheut, shante tempullin ku breza të tërë qenë lutur, ku bashkoheshin gjërat e çmuara me ritet fetare. Sot,  një nderim i shkëlqyer i bëhej kultit të atdheut ; toka e vendlindjes kish larë papastërtitë me gjakun e të pabaesëve ; liria çelte sërish krahët e vet mbi malet e Shqipërisë. Krahu i pamposhtur i një luftëtari armatosej për mbrojtjen e territorit kombëtar dhe të fesë së Krishtit !

Nuk do vononte çasti kur do kërkohej t’u jepej një ndëshkim i ri këtyre betimeve solemne. Amurati, tek mësoi dezertimin e Skënderbeut, njollën poshtëruese që morën emblemat e tij, dëbimin e ushtarëve turq nxjerrë në mënyrë të turpshme jashtë Shqipërisë, apo të masakruar pa mëshirë, Amurati pra, u pushtua i gjithë nga zemërim i tërbuar. Urdhëroi të bëheshin përgatitje të mëdha për pranverë me qëllim që të hakmerrej për dështimin e armëve të tij.

Skënderbeu e kuptoi se duheshin bërë përpjekje të fuqishme dhe të shfrytëzoheshin gjithë burimet e vendit për të prapsur dyndjen myslimane. Andaj, hartoi planin të mblidhte në kuvend të gjithë princët e Epirit dhe të Maqedonisë, me qëllim që të binte në marrëveshje me ta si t’i kundërviheshin armikut të papajtueshëm të emrit të krishterit.

Duke dashur të shmangë çdo shkak lëndimi, çdo vështirësi, zgjodhi për vendin e mbledhjes qytetin e Alesios, në një territor që i përkiste Venedikut.

Dërgoi pra lajmësa për të thirrur në këtë Kuvend luftarak prijësit dhe kryetarët e fiseve ; u bëri të ditur se kishte nevojë për mendjen dhe ndihmën e tyre, për të përkryer shëlbimin e atdheut, dhe për të përkrahur luftën për pavarësi. Shumica kishin luftuar në krah të atit të tij, apo qenë rritur tok me vëllezërit e tij, dhe ishte pra kënaqësi të ndodheshe mes tyre pas një mungese aq të gjatë. E tillë ishte grishja e njerëzishme që u bënte Kastrioti.

Kjo ndodhi në fillim të pranverës së vitit 1441*. Arianita Topios iu përgjigj i pari thirrjes patriotike të Skënderbeut. Prej kohësh kishte luftuar në krah të Gjon Kastriotit, dhe guximi i tij ishte vlerësuar me cilësimin I Madhi. Duke u bërë haraçpagues tek Amurati, kur fati e braktisi Shqipërinë, ai kishte pësuar mbi kurriz zgjedhën, duke u dridhur i tëri nga inati. Krahinat që shtriheshin nga Voiusa në gjirin e Artës i nënshtroheshin autoritetit të tij, dhe në gji i ziente dëshira më e zjartë për t’i parë të çliruara nga tirania e huaj. Ndonëse i moshuar tanimë, Arianiti ruante pothuaj krejt fuqitë e mëparshme ; ishte ende në gjendje të duronte stërmundime të gjata ; askush nuk kishte aq shkathtësi, fuqi sa ai në gjuetinë e kafshëve të egra. Fytyra e tij, e çelët dhe gjithë shprehi, zbukurohej nga një mjekër e gjatë bardhëllore, që i shtonte, në mund të themi, edhe më shumë nderim atij të moçmi. Pasohej nga një numër i madh prijësish, mes të cilëve dallohej Andrea Topia, i vëllai, dhe Tanusios, i nipi. Kishin ardhur gjithashtu Stresi, kunati i Skënderbeut, tri Muzakët, Gjini, Gjergji dhe Aidini : më i riu, u bë shok i pandarë i Princit, për të cilin ai kishte një admirim e një dashuri pa kufi. Pas tyre, erdhën Nikolla e Pal Dukagjini, luftëtarë me famë. Me një fjalë, të gjithë ata që kishin bërë emër, apo gëzonin detyrën e prijësit, rendën në Lezhë. Shqipëria e tërë ishte aty e përfaqësuar.

Ditën e caktuar, më 30 mars*, anëtarët e kuvendit u mbodhën në kishën e madhe të Lezhës. Iu drejtuan lutje të zjarrta Perëndisë të të krishterëve, me qëllim që ajo vetë të frymëzonte vendimet e kuvendit të ndritur. Pastaj, u çel, po në kishë, diskutimi për interesat e mëdha të kohës. Vendi ishte i shenjtë, zgjedhur në mënyrë të përkryer : çlirimi i një kombi, që ishte bërë pre e të pabesëve, është një vepër sa fetare aq edhe patriotike.

Skënderbeu, mbi të cilin qenë ngulur tërë vështrimet, u ngrit për të marrë fjalën. E nisi duke i kujtuar kuvendit vuajtjet që kish hequr shtëpia e tij dhe Gjon Kastrioti, i ati, nga mizori e turqve ; tregoi për robërinë e tij, tradhtinë e Amuratit, vrasjen e të vëllezërve, skllavërimin e kombit, turpin e një zgjedhe të tillë ; rrëfeu se si prej kohësh ndrydhte mendimet më të fshehta, se si prej kohësh dukej sikur kish mbyllur veshët ndaj klithjeve të dhimbshme të bashkëqytetarëve të tij, duke përgjuar pa u lodhur çastin e favorshëm ; vuri në dukje se kish gjetur çastin e volitur për kryengritje, sepse do kish qenë e paradokohshme më parë një rebelim, që mund të bëhej shkak për shkatërrimin e plotë të Shqipërisë. Kishte pra bindjen se kishte vepruar në çastin e përshtatshëm. Atëherë, ripërsëriti me fjalë të thjeshta e modeste çka kish bërë, rezultatet që kish arritur, çlirimin e vendit, kthyer në identitetin e tij. Pasi iu fal me nder shokëve të tij të luftës, shtoi :

- Në praninë e një gjendjeje të tillë, shihni, prijësa të Shqipërisë, ç’ju mbetet për të zgjedhur : ose t’ju mbajnë të mbërthyer me hekur, ose ju t’u shpallni luftë vdekjeprurëse armiqve tanë. Nëse merrni këtë anë të fundit, gjë të cilën s’e vë në dyshim, lypset që një prjës të zgjidhet prej jush për t’ju drejtuar ; zgjidhni një njeri që të gëzojë besimin tuaj dhe të jetë i përvëluar nga dashuria për atdheun.

Ky fjalim, i dëgjuar në heshtjen më të thellë, bëri një përshtypje të madhe në tërë kuvendin. Ato fjalë të dala nga gojë e ëmbël e Kastriotit, ai  theks me të cilin i shqiptoi, ende gjëmonin nën kubetë e tempullit, kur i nderuari Arianiti u ngrit e foli :

- Princër të Shqipërisë, tha ai, këtë ditë që na mblodhi në këtë tempull e fortesë, prej kohësh e kam kërkuar me gjithë shpirt. Duhet të jepet këtu një mendim fisnik, i çiltër dhe i ndershëm ; dhe këtë do ta merrni nga goja e një plaku. Dikur, unë kam luftuar në krah të Gjon Kastriotit ; shpesh kam admiruar zotësinë dhe vlerën e tij ; unë vetë e kam shpallur të denjë për të na prirë. E pra ! ja tani, biri i tij, kapedan i shquar dhe i regjur në artin e luftës ; ju vetë, jeni dëshmitarë të guximit e gjenisë së pazakontë që ai tregoi kohët e fundit, dhe është në forcën e moshës, me një famë që ka marrë dhenë ; u bëftë pra prijësi ynë, i denjë siç është për atë rang të lartë !

Atëherë plaku, duke u kthyer nga ana e Skënderbeut, u përkul thellë para tij.

- Princ, i tha, haraçin që i paguaja Amuratit, tani po ta jap ty ; gjithë pasurinë time, njerëzit e mi dhe veten time po i vë në dispozicionin tënd, gjithçka të takon ty, meqë është fjala për atdheun tonë. Jam i lumtur që i pari po të përshëndes si sovranin e Shqipërisë.

Këto fjalë, të shqiptuara me zë të dridhur, e bënë gjithë kuvendin të drithërohej e të ngrihej në këmbë. Tërë anëtarët e tij, më këmbë, u përkulën me nderim përpara heroit, bënë të njëjtat premtime dhe e shpallën Skënderbeun princ të Shqipërisë, prijës të mbarë vendit.

Skënderbeu e priti këtë brohoritje të njëzëshme, që e pranonte për autoritet të lartë, me aq modesti, sa u vlerësua edhe me shumë. Pasandaj, duke zënë vend me dinjitet sovrani në fronin e sapongritur, foli për herë të dytë mbi domosdoshmërinë për të qëndruar të bashkuar e për të sakrifikuar gjithçka për të mirën e përgjithshme, me një gojëtari e forcë të tillë sa anëtarët e kuvendit, duke u çuar edhe një herë në këmbë, u betuan me dorën nderur mbi altar, se do t’i lëshonin armët vetëm kur Shqipëria të ishte e siguruar. Kastrioti provoi kështu se ishte mjeshtër i madh në artin e gojëtarisë, po aq sa ishte gjeneral i madh në fushën e betejës.

Me të dalë nga ky kuvend i paharruar, Skënderbeu u kthye në Krujë, i shoqëruar nga një numër i madh të bashkuarish në konfederatë ; të tjerët shkuan në krahinat e tyre për t’u përgatitur për ngjarjet e mëvonshme. […]

Skënderbeu apo heroi i krishterë,

Paris, 1862.

Ilustrim që shoqëron frontispicin e romanit « Skënderbeu, apo një hero i krishterë »,  i abatit Gharles Guenot, 1864. Në diçiturë:

Ata i premtuan ta ndjekin nga pas gjer në vdekje, në lypsej, për çlimirim e Shqipërisë.

Guillaume DEPPING

Gijom Deping (1829-1901), studjues, anëtar i Shoqërisë së Gjeografisë së Parisit dhe korrespondent shoqatash gjeografike, autor i disa teksteve për historinë e ekspeditave detare, për figurat e shquara në lashtësi e në kohët moderne, etj. Në veprën e tij “Mrekullitë e forcës dhe të shkathtësisë, ushtrimet e trupit tek të Lashtët dhe tek Modernët”, e rëndit Skënderbeun ndër personazhet historike madhore, karakterizuar për forcë e shkathtësi trupore, shpejtësi, mprehtësi, e të tjera cilësi fizike.

NJË NJERI I AFTË PËR BËMA HERKULIANE

Në kohën kur këto lojra veneciane*, që vijuan deri në fundin e shekullit XVIII ishin në kulmin e tyre, jetonte, jo shumë larg zotërimeve të Republikës së Laguneve, një njeri i aftë të kryente i vetëm të gjitha bëmat e Herkulit. Pak njerëz e kanë tejkaluar për nga forca fizike këtë hero të Mesjetës që u bë tmerri i turqve, kur më parë kishte qenë miku i tyre.

Ky është i famshmi Skanderbeg, mbreti i Shqipërisë, me emrin e vërtetë Zhorzh Kastriot. Lindur më 1404 apo 1414, u dha për peng nga i ati, një sovran i vogël i Shqipërisë dhe i Epirit, tek sulltan Murati II, që e rriti në oborrin e tij. Zhorzhi, që dallonte për nga pamja e hijshme, shkëlqente për kërcime në kalë, për përdorim të shpatës dhe për gjuajtje me hark ; kënaqësi e tij ishte të matej me fisnikët e rinj turq në dyluftime e gara, dhe pothuaj gjithnjë fitonte çmimin e parë.

Ushtrimet trupore kanë qenë në të gjitha kohërat mjaft të përhapura tek turqit. Me t’u bërë zotër të Konstandinopojës, sulltanët tërhiqnin në oborrin e tyre ndeshës profesionistë, guresitë, rreth dyzetë vetë, që i vinin herë pas here të ndesheshin në prani të tyre.

Guresitë ishin njerëz të fortë e të fuqishëm dhe vinin nga shtetet barbareske të Indisë e të Tartarisë. Nuk qenë skllevër, si shërbëtorët e tjerë të Fisnikut të Madh, por në gjendje të lirë. Hynin në shërbim të tij me bonne vogle, siç thuhej atëherë, « sepse e tillë qe dëshirë e tyre ». Në luftime, ata përdornin tërë dredhitë e atletëve antikë, me qëllim që të mposhtnin kundërshtarin; por përdornin gjithashtu edhe armë të tjera që nuk lejoheshin tek grekët ; sepse vinin në përdorim edhe thonjtë dhe kafshonin hundë e veshë ; shpesh i merrnin me vete copërat e shkulura ; me një fjalë, bënin të mundur të shkaktonin të keqen më të madhe, duke u lëshutur mbi prenë e tyre si qen mbi egërsirë. Ajo çka i ndizte për një gjë të tillë nuk ishte dhe aq dëshira për fitore, sesa karemi, ose siç thoshin historianët e shekullit XVI sheqerka që vinte më pas, disa dukate ari që Turku i Madh ia vërviste ngadhnjyesit, dhe ndonjëherë të dy luftëtarëve, kur qe i kënaqur nga përpjekjet e gjithsecilit. Guresitë luftonin zhveshur, duke mbajtur në trup vetëm gregët, lloj tirqesh apo çidikësh prej lëkure, ngjitur tek kofshët, që shkonin nga mesi deri poshtë gjunjëve ; këto kofsharë, si dhe gjithë trupi lyheshin me vaj, me qëllim që kundërshtari ta kish të vështirë të bënte kapjet e tij. […] Lëviznin në grup prej dhjetë a dymbëdhjetë vetësh, të gatshëm për t’u matur me cilindo që i ndalte në rrugë e sipër ; dhe do ishte marrëzi të kërkoje sherr me ta, jo vetëm për tërbimin me të cilin të sulmonin, por edhe për përvojën që kishin në dyluftime, duke qenë se ishin rritur enkas për zanat të tillë që në vegjëli ; dhe ishin « aq të shkathët, sa rrallë mund të gjendej ndokush që të mund t’i tejkalonte apo që të barazohej me ta ».

Kjo trupë e guresive organizonte sulme të egra thjesht për të zbavitur sulltanin, kur Shkëlqesia e Tij nuk kish gjë tjetër më të mirë për të parë ; mirëpo, në atë kohë kalorësish të tillë kreshnikë e endacakë, këto shfaqje luftarake qenë nga më fisniket dhe më zbavitëset.

Një ditë, për shembull, mbërrin në Andrinopol një skit me shtat kolosal, për të sfiduar në luftim të veçantë tërë oborrtarët e vendit.

Paul Conard Balthasar, Skënderbeu në dyluftim, 1686.

Askush nuk guxonte të shfaqej për t’i bërë ballë sfidës së tij me dorezën që lëshoi përtokë. Aventurieri po krekosej duke treguar forcën e vet, kur befas Skënderbeu, që qëndronte për nga sëra dhe origjina shumë më lart se një kundërshtar i tillë, i del përpara, duke lënë gojëhapur krejt oborrin që po dridhej nga frika se mos pësonte gjë djaloshi i tyre i ri. Mirëpo, s’do vononte dhe do ta mblidhnin veten ; e panë tek iu vërvit armikut, tek mbërtheu me dorën e majtë krahun e djathtë të gjigandit, me aq saktësi e forcë në çastin kur do goditej, dhe po në të njëjtën kohë tek i nguli kamën në fyt.

Mbas ca kohe, dy kalorës persianë, hipur në kuaj të mrekullueshëm, u paraqitën para Muratit, i cili e kish zhvendosur oborrin në atë periudhë në Pruse të Bitinisë ; kërkuan të hynin në shërbim të tij, duke pranuar të viheshin në provë aftësitë e tyre. Skënderbeu pranoi të ndeshej i vetëm kundër të dy të huajve, me kusht që këta ta sulmonin veç e veç. Dyluftimi sapo kish nisur kur kalorësi tjetër, duke shkelur betimin, lëshohet me heshtë mbi Skënderbeun, i cili, kur e pa si po turrej, nuk priti më të mbrohej, por vërsulet mbi të me frerët e kalit krejt të lëshuara dhe, me një goditje të fuqishme, e bën tjetrin të paguajë shtrenjtë atë tradhti të turpshme. Si e hoqi qafe atë kundërshtar, kthehet menjëherë, me shpatë në dorë kundër kalorësit tjetër që kish mbetur, e prek fillimisht në shpatullën e djathtë, shi pranë qafës dhe aty-aty, i rras hekurin në trup, aq thellë sa burri çahet më dysh gjer në mes. Pastaj, princi i ri shkon e i dhuron sulltanit kokat e tyre. « Ai u prit, thotë R.P. Du Poncet, i Kompanisë së Jezusit, historian i Skënderbeut – me të gjitha nderimet që meritonte ngadhnjimi i tij, duke fituar një shkallë të re vlerësimi ». (Histori e Skënderbeut, Paris 1709). Vlerësimi i mbretërve jepej në atë kohë vetëm për bëma të këtij lloji.

Pas këtyre kreshnikë-rive, turqit i dhanë atij emrin Skander apo Iskanderbeg : fisniku Aleksandër.

Ishte me shtat të lartë, krahun me fuqi mahnitëse, gjithmonë të zhveshur, dimër e behar, në gjendje për të asgjësuar çdo pengesë. Skënderbeu përdorte një shpatë të bërë enkas për shtatin e tij, pothuaj aq

Afishe e Procinex për filmin “Skënderbeu i pathyeshëm”,

të Serge Jutkeviç, 1953, prodhim ruso-shqiptar.

legjendare sa dhe Durandali i Rolandit, duke mbajtur përherë brenda një milli të gjerë një shpatë të dytë të ngjashme me të. Kujdesi për një gjë të tillë nuk ishte pavend, po të kihen parasysh sprovat e tmerrshme që duhej të përballte ajo shpatë. Historianët anglezë flasin për një fisnik të Courcy-së, kontin Ulster, në shekullin XIII, i cili, përpara mbretit të Anglisë, çau më dysh një ditë me një goditje shpate një përkrenare çeliku ; arma depërtoi brenda drurit ku qe vendosur përkrenarja, dhe aq thellë sa askush, përveç kontit, nuk mund ta shkulte dot.

Sprova të tilla nuk do kishin qenë veçse një lojë për Skënderbeun, i cili, në shumë raste, siç thuhet, arrinte të çante më dysh njerëz të armatosur nga koka në këmbë.

Sulltan Mehmeti II, që shkonte mirë me të në atë kohë, i kërkoi një ditë të famshmen shpatë që kushdo e mburrte dhe falë së cilës Skënderbeu bënte mrekullira. Heroi nuk ngurroi dhe ia dërgoi sovranit. Vetë Mehmeti e provoi, ua dha edhe luftëtarëve më të fuqishëm të oborrit. Por kur pa se ajo nuk dha rezultat të jashtëzakontë, e ktheu tek i zoti, duke u shprehur se ai vetë kishte shumë të tilla me po atë kalitje të mirë, në mos edhe më të mirë. Skënderbeu mori shpatën pa u vrenjtur ; e vuri në përdorim para syve të të dërguarit perandorak në mënyrë të tillë që ky të bindej për forcën e tij të jashtëzakontë ; pasandaj e përcolli atë me këto fjalë : « Thuaji Ytzoti se i dërgova shpatën, dhe jo krahun. »

Aftësia e tij për të fluturuar një kokë me një goditje ishte bërë proverbiale. Kështu, vrau një dem të egër e të tërbuar që rrafshonte tokat e princeshës Mamica, së motrës, dhe bëri të njëjtën gjë në Pulja me një derr të llahtarshëm që ishte bërë tmerri i gjithë vendit. Skënderbeu e kishte bërë be se do ndëshkonte rreptë njëfarë Ballabani, i bindur për mizoritë e tij ndaj shqiptarëve. I shpunë një ditë të lidhur së bashku, të vëllanë dhe nipin e këtij armiku; i tërbuar tek i pa, me dorën e tij i preu në mes me një goditje, apo, siç thotë një nga historianët e tij me gjuhë energjike1, « i cungoi në mes të trupit me një të goditur. »2

Mrekullitë e forcës dhe të shkathtësisë, Kreu VIII,

Skënderbeu dhe turqit,Paris, 1886.

Charles DIDIER

Sharl Didie (1805-1864), letrar e gazetar, autor romanesh dhe udhëpërshkrues, bashkëpunëtor i revistës së mirënjohur franceze Revue des Deux Mondes. Ka vizituar shpesh Italinë, së cilës i ka kushtuar disa libra, dhe gjatë udhëtimeve të tij në këtë vend, ka njohur nga afër kolonitë arbëreshe, për të cilat flet me simpati.

I VETËM HERO,

NDËRMORI LUFTËN E EVROPËS KUNDËR AZISË…

[…] San-Demetrio është kryeqendra e një rajoni shqiptar. Pesë apo gjashtë fshatrat që e përbëjnë janë të grupuara përreth tij. San-Giorgio është më i madhi dhe Vacarizzo ai ku luksi fshataresk i grave është më i kërkuari. Ka miniera të ndryshme në male, por askush s’e ka mendjen për t’i shfrytëzuar, e qeveria akoma më pak  nga njerëzit.

Prania e këtyre kolonive shqiptare është një dukuri historike që meriton vëmendje dhe pothuaj është e panjohur. Shfaqja e parë e shqiptarëve në Itali ka ndodhur rreth dhjetë vjet pas marrjes së Konstandinopojës.

Kjo ngjarje e madhe, prej së cilës u desh të ndryshohej faqja e Evropës, ndërkohë që përmbyste një perandori shekullore e të drobitur, i jepte goditjen vdekjeprurëse një shteti të ri e të fuqishëm që vetëm energjia e një njeriu e kishte ngritur.

Gjergj Kastrioti, i njohur me emrin Skënderbe (Fisniku Aleksandër) u dha peng nga i ati tek sulltan Murati. I rritur, por jo i squllur në seraj, doli nga duart e grave si një zog shqiponje që kish çelur mes pëllumbash, dhe më 1443, shpalosi flamurin e pavarësisë, të hakmarrjes ndaj uzurpatorit të vendit dhe vrasësit të familjes së tij.

Lindur fisnik i Shqipërisë, dha kushtimin për luftë ndër fiset luftarake, dhe në krye të trimave e besnikëve të tij mirëditas, ndërmori një luftë të padërprerë për njëzet e tre vjet me radhë kundër të gjitha forcave të perandorisë otomane : një shembull i ri se ç’mund të bëjë vullneti i paepur dhe i qëndrueshëm i një minoriteti energjik, sikurse kishin bërë dikur stërgjyshët e tyre maqedonas nën udhëheqjen e një tjetër Aleksandri , duke e bërë këtë radhë të dridhej Murati në qytetet e veta dhe duke i sfiduar ushtritë e tij në mbi njëzet ndeshje luftarake.

Murati vdiq nga tërbimi ; Mehmeti II u ngjit mbi fron dhe mori Konstandinopojën. Postrojë e përparuar e Krishtërimit, Ushtari i Jezu Krishtit, sipas titullit që mori Skënderbeu, u lëshoi princërve të Evropës një thirrje alarmi ; por ata qenë të goditur nga tmerri dhe atëherë Skënderbeu, i vetëm hero, ndërmori luftën e Evropës kundër Asisë.

U rendit, me qëndresën e tij, ndër figurat e mëdha historike të shekullit XV, dhe shkëputet gjithë shkëlqim nga tabloja e zymtë e Mesjetës, duke u shuar si një nga njerëzit e paracaktuar në thirrje të shekullit të ardhshëm për lartësime të mëtejshme.

Alfonsi i Aragonës mbretë-ronte atëherë në Napoli. Politikan i shkathët dhe kapiten i madh, ky princ u alarmua nga marrja e Bizantit ; ai shihte tek kolosi në lindje një armik të natyrshëm, dhe iu përgjegj i vetëm thirrjes së Skënderbeut. I dërgoi (më 1454) disa forca nën urdhrat e Raymond d’Ortaffa-së.

Pas vdekjes së Alfonsit, fati ndërroi. Ferdinandi, i biri i tij, pati nevojë për krejt forcat që kishte për të luftuar ndaj dukës Jean i Anzhuinëve, një kundërshtar i fuqishëm, dhe ndaj princit të Tarentes, një rebel mosmirënjohës e i tmerrshëm.

I rrethuar në Barleta nga kondotieri Jacques Piccinino, vënë në shërbim të Anzhuinëve, kurora e tij do kishte marrë fund, kur u panë në horizont të zbardhëllenin velat. Skënderbeu,

Portret i Skënderbeut në një nga botimet e Lavardinit, shek. XVI.

po aq mirënjohës sa dhe i palodhshëm, duke përfituar nga një armëpushim që kish kërkuar mendjemadhi Bajazit, i nisi ndihma djalit të aleatit të tij të vjetër. E nxori nga rrethimi, mori Tranin dhe duke përshkuar fushat e gjera të Pulias në krye të kalorësisë së vet, rrafshoi tokat e princit të Tarantes, mundi Piccinon dhe ndihmoi në fitoren vendimtare të Troias, që u siguroi kurorën aragonasve.

Historiani napolitan Summonte na ka ruajtur një korrespondencë të çuditshme të fisnikut të Shqipërisë me princin e Tarantes. « E ç’të bëra, i shkruante ky i fundit, që erdhe e më sulmove në tokat e mia ? Mos vallë pandeh se ke të bësh me turqit e tu qullashë ; e pra, ja që gabon. I shohim shqiptarët e tu si bagëti (come pecore), dhe na hipën tërbimi nga armiq të tillë kaq të poshtër. S’arrin do të mbrosh shtëpinë tënde, dhe vjen e pushton këtë tonën. Po këtu, veç varrin tënd do gjesh ».

Përgjigja e Skënderbeut është e bukur dhe energjike. Ai e qorton princin e Tarentes për mosmirënjohje ndaj shtëpisë së Aragonës dhe i thotë se mirënjohja për të është një detyrë e shenjtë që i jep të drejtën t’i shkojë në ndihmë të birit të një mbreti, i cili e ka pasë ndihmuar edhe ai më parë. « Ti nuk je më pak turk nga turqit, i thotë ai ; për më tepër, siç thuhet, ti nuk ke asnjë fe. Sa për shqiptarët e mi, ti s’i njihke ata ; ne jemi pasardhës të epirotëve që i kanë dhënë për armiq romakëve Pirron dhe maqedonasit, që kanë dhënë për ngadhnjyes të Indisë Aleksandrin. E për cilët më flet ti, për tarantinët e tu, racë e rrëmbyer, që më mbrokan shtëpinë tënde, të mirë veç për të zënë peshq. E nëse do gjej atje varrin tim, Zoti, që m’i njeh tashmë mendimet në kokë, le të më gjykojë ».

Skënderbeu mori për dhuratë nga Ferdinandi (1461) qytetin e vogël të Pulias, San-Pietro-in-Calatina ; është kolonia e parë shqiptare në mbretërinë e Napolit. Më vonë, mori Tranin dhe disa qyteza të malit Gargano.

Ky princ nomad vdiq më 1467. I biri i tij, Gjon Kastrioti, nuk ish në gjendje të luftonte kundër Bajazitit ; pas disa luhatjesh, sulltani arriti të pushtojë krejt Shqipërinë, dhe armët shkatërruan veprën e ndërtuar nga armët.

Sulltani ndërmori hakmarrje mizore, duke i vënë shqiptarët në mes të apostazisë dhe mërgimit ; pikërisht në këtë kohë ndodh emigrimi i tyre i madh në Itali. Vetë Gjon Kastrioti u strehua në Napoli dhe mbreti mori në shërbim të tij një numër të madh shqiptarësh. Nën emrin e regjimentit mbretëror maqedon, krijoi një korpus këmbësorie që mbijetoi gjer në kohën e revolucionit.

Sa për të tjerët, dhe i madh ishte numri i atyre që parapëlqyen mërgimin para apostazisë, të paaftë për bujqësi, si të gjitha popullatat luftarake, ata u vendosën në malin Gargano, të cilën gati e konsideronin si pronë kombëtare. Prania e atyre të huajve të pavarur i shqetësoi autoritetet ; zakonet e tyre të zhurmshme i alarmuan fqinjët përreth, dhe mali Gargano do qe kthyer për ta ndoshta siç u bënë më vonë Alpuksarret për maurët e Spanjës.

I përndanë, u shpërndanë toka djerrë, dhe kështu ata e panë veten të hapërdarë në krejt mbretërinë, gjer në Siçili, ku ngritën, mes malesh, katër fshatrat e mëdha të quajtura me emrin e tyre Casali dei Greci, dhe konkretisht : Palazzo-Adriano, Mezzojuso, Contessa e Piana-dei-Greci.

Çdo ditë, vinin parreshtur të rinj. « Të bëhet zemra plagë, i shkruante papa Pavli II Filipit, dukës së Burgonjës, të bëhet zemra plagë të shohësh ata të mjerë pa bukë, pa atdhe, që përshkojnë Adriatikun me barka të brishta dhe vinë në brigjet e Italisë të kërkojnë strehim kundër barbarisë të të pabesit ».

Tre shekuj më vonë, parginotasit, të shitur nga lakmia angleze tek një armik më mizor nga Bajaziti, u endën tërë lotë në të njëjtat vende, duke kërkuar breg më breg një strehë në dhe të huaj. Historia nuk ka asgjë më të prekshme nga këto katastrofa të mëdha kombëtare. Të ardhurve të rinj iu desh atëherë t’ia nënshtronin karakterin e tyre të çlirët e luftarak zakoneve të jetës bujqësore. Por te bujku, shfaqej ushtari dhe përherë dallohej te dora që drejtonte parmëndën dora që kishte vringëllitur kordhën. Ata që kishin përfunduar në brigjet e përtejme të Adriatikut shihnin të kaltëronin në horizont ato male të Shqipërisë, ku dikur përhapeshin shatorret e tyre ngadhnjyese, dhe ku ata preheshin pas luftimit nën rrezet e diellit ku kishin lindur. Tashmë, pa atdhe, ëndërronin me lotë në sy për ditët e fitores ; përshëndesnin me vështrim tejmajat atërore, dhe të përkulur trishtueshëm mbi atë parmendë që aq shumë kishin urryer, këndonin baladat kombëtare, i vetmi monument i lavdive të dikurshme, e vetmja trashëgimi e stërgjyshërve. [...]

Shqiptarët në Kalabri,

“Raccolta”, Zakone siçiliane e kalabreze,

Revue des Deux Mondes, vëll. III-IV, 1831.



* Nëntitulli i kreut VI të romanit historik “Skënderbeu, apo heroi i krishterë” shkruar nga abati Sharl Geno (Guénot), për të cilin nuk kemi të dhëna konkrete lidhur me jetën e tij.

* Kuvendi i Lezhës siç dihet është mbledhur më 2 mars 1444.

* Të ushtrimit trupor.

1 Histoire de George Castriot, surnommé Scanderbeg, roi d’Albanie, nga J. de Lavardin, fisnik i Plessis-Bourrot. 1621, in-4°.

2 Shekspiri gjithashtu ka përdorur një shprehje po aq energjike. Ka thënë tek Makbethi (akt I sk.II) : “Till ho unscamed him from the nare to the chops ( u largua nga armiku i vet pasi i bëri një të shqepur trupit nga barku gjer tek nofullan domethënë çarë më dysh)”. shënime të autorit.

© Copyright F. Andrea, sipas librit "Pena të arta franceze për shqiptarët"

Tiranë, 2007.

Të interesuarit për të blerë librin mund t'i drejtohen autorit.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Fotaq Andrea: Pena të arta franceze për shqiptarët (7) Fotaq Andrea: Pena të arta franceze për shqiptarët (6) Fotaq Andrea: Pena të arta franceze për shqiptarët (5) Fotaq Andrea: Pena të arta franceze për shqiptarët (4) Fotaq Andrea: Pena të arta franceze për shqiptarët (3) Fotaq Andrea: Pena të arta franceze për shqiptarët (2) Fotaq Andrea: Pena të arta franceze për shqiptarët (1) Fotaq Andrea: Shën Pali në Durrës Fotaq Andrea: Faik Konica me dy romanet e tij – ‘Martesa e Lejlës’ dhe ‘Sotiri e Mitka’ (3) Fotaq Andrea: Faik Konica me dy romanet e tij – ‘Martesa e Lejlës’ dhe ‘Sotiri e Mitka’ (2) Fotaq Andrea: Faik Konica me dy romanet e tij – ‘Martesa e Lejlës’ dhe ‘Sotiri e Mitka’ (1) Fotaq Andrea: Faik Konica lartohet përmbi shablonizmat, dogmat dhe paragjykimet e së shkuarës Fotaq Andrea: Selenica - Madona e Arit të Zi Fotaq Andrea: Kasaphana ukrainase - Një realitet sipas 'enigmës' së François Rabelais Fotaq Andrea: Figura e Skënderbeut, Flamuri dhe Simboli ynë kombëtar mbetet përherë aktuale dhe e përjetshme Fotaq Andrea: Këtë ditë të të dashuruarve të Shën Valentinit, poezia “Bashkimi i Lirë” i Andre Breton-it në gjuhën e bukur shqipe Fotaq Andrea: Emri i Skënderbeut, i njohur, i dashur e i vlerësuar në landet dhe baladat skoceze të shekullit XVII Fotaq Andrea & Dritan Muka: Figura e Skënderbeut në një baladë angleze të shekullit XVII Fotaq Andrea & Dritan Muka: “Skënderbeu” i Gentile Belinit, me diellin në ballë e në sy, simbol i krenarisë sonë kombëtare Fotaq Andrea: Tablotë e Izanos, paradigma ekzistenciale të një “Prilli të Thyer” kadarean

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora