| E diele, 17.12.2023, 09:05 PM |
Pena të arta franceze për shqiptarët (8)
Nga
Fotaq Andrea
Abati
Charles GEUNOT
BETIMI*
Ishte
pragu i Krishtlindjes, kësaj feste të madhe të Krishtërimit. Skënderbeu donte
që ajo ditë të përjetësonte kujtimin e kthimit të tij nga mërgimi, si dhe ditën
e pavarësisë kombëtare të rifituar. Hamzai,
rritur nga mjeshtrit myslimanë, nuk ishte pagëzuar ; dhe vetë
Kastrioti, prej një kohe të gjatë kishte ndjekur ritet e Islamizmit. Vendosi
pra ta shpinte Hamzanë në pagëzore, si dhe shumë shokë të djaloshit, që kishin
praktikuar së bashku me të fenë myslimane. Peshkopi i Kroiës, plak i
shenjtë, njeri i besuar i amaneteve të Gjon Kastriotit, udhëzoi si të vepronin
Hamzai dhe shqiptarët e tjerë. U vendos që ditën e Krishtlindjes, mes
ceremonisë më solemne, ata të shkruanin emrat e tyre në familjen e pavdekshme
të Kishës katolike. Skënderbeu dha urdhër të bëheshin përgatitje të mëdha, me
qëllim që festa të ishte sa më madhështore.
Mëngjesin
e asaj dite të madhe, ushtarët e garnizonit morën armët dhe u radhitën, në
rreshta të gjatë gjithë spitullimë, nga pallati te kisha e madhe e Krujës. Degë
pishash e dafinash mbulonin rrugët nga do kalonte kortezhi : qilimat më të
bukur vishnin faqet e shtëpive. Si u bënë gati të gjitha këto, u çelën portat e
pallatit ; princërit, kryetarët e fiseve, ecnin në këmbë, me armët më të
bukura ngjeshur në trup. Pasandaj, u shfaq Skënderbeu, mbisundues ndaj
gjithçkaje që e rrethonte, shoqëruar nga të kunetërit, nga Hamzai dhe nga
shokët e këtij të fundit. Madhështia e forcës mbretëronte mbi ballë të heroit
dhe krejt tiparet shprehnin një qetësi të kulluar ; vështrimi i tij
depërtues prehej gëzueshëm mbi turmë ; vetëm ai dhe Hamzai ishin pa armë.
Si
mbërriti në sheshin para tempullit, ndërtuar nga stërgjyshi i vet, Skënderbeu u
prit nga Peshkopi, i cili e drejtoi për nga altari zbukuruar si jo më mirë. Në
altar, shiheshin, mbi një shilte
kadifeje të kuqe, silahu dhe shpata e tmerrshme e Princit shqiptar.
Jost
Amman, 1577, Kthimi i Skënderbeut në Krujë.
Peshkopi
dhe Princi ranë në gjunjë, dhe populli iu përgjigj lutjes që u bë me zë të
lartë. Peshkopi u ngjit mbi altar, veshur me zbukurimet e shenjta. Kastrioti
qëndronte mbi gjunjë, zhytur në mendim të thellë. Aherë, Peshkopi kthehet nga
ai :
-
Princ, i thotë, a e lëshoni anatemën kundër fajeve të Islamizmit, kundër kultit
të profetit të rremë ?
-
Anatemë kundër Islamizmit, anantemë kundër kultit të profetit të rremë - u
përgjigj Kastrioti me zë të fortë.
-
A betoheni se do jeni gjithnjë besnik ndaj zotimeve të këtij pagëzimi, se do
jetoni e do vdisni për Krishtin, Atin tuaj ?
-
Betohem se do të jem besnik ndaj zotimeve të këtij pagëzimi, se do jetoj e do
vdes për Krishtin, Atin tim, - u përgjigj sërish Princi.
E
theksoi këtë formulë të fundit të betimit me një ton më të fuqishëm, që buçiti,
fort, nën kubetë e tempullit.
-
Ashtu qoftë ! - ia ktheu Peshkopi - dhe Perëndia u ndihtë !
Në
çast, mori mbi altar shpatën dhe silahun, ia dorëzoi Princit, duke i
thënë :
-
Kjo shpatë, që e keni nxjerrë për Perëndinë, për Kishën dhe altarët e
atdheut ; kjo shpatë, me anën e së cilës u arrit shpëtimi ynë, qoftë
përherë e tmerrshme mbi armiqtë tanë ! Emrin tuaj gjithashtu, atë emër të
Skënderbeut, përjetësuar në jetë të jetëve nga Ngadhnjimi, Feja dhe Kisha po e
bëjmë që sot të shenjtëruar.
Pasi Skënderbeu ngjeshi armët e tij të bekuara, Peshkopi
zbriti shkallët e altarit, dhe u drejtua, i shoqëruar nga Princi drejt
pagëzores, pranë së cilës qëndronin Hamzai dhe shokët e tij. Kastrioti u bë nun i Hamzait ; të
kunetërit dhe prijësit e tjerë u bënë nunër për të rinjtë shqiptarë.
Si
përfunduan ceremonitë e pagëzimit, filloi flijimi madhështor. Princi dhe krejt
shtëpia e tij u afruan për të marrë pjesë në misteret e shenjta, mes një
emocioni të përgjithshëm. Një shfaqje e tillë kishte kohë që nuk qe parë në
bazilikën madhështore. Gjon Kastrioti, në vitet e para të mbretërimit të tij,
vërtet kishte vajtur aty t’i falte Perëndisë hire solemne, për një fitore të
arritur kundër të pabesëve ; por sa ankthe, mjerisht, kishin
pasuar, dhe të tjera e të tjera hire ishin nevojitur ! Që atëherë,
ky vend i shenjtë qe vaditur me lotët e të shtypurve, nuk kish rreshtur
së dëgjuari ankimet, rënkimet e viktimave të tiranisë ; ndërsa atë çast,
përkundrazi, gëzimi qe i pafund, i përgjithshëm. Dje, myslimani përdhoste tokën
e atdheut, shante tempullin ku breza të tërë qenë lutur, ku bashkoheshin gjërat
e çmuara me ritet fetare. Sot, një
nderim i shkëlqyer i bëhej kultit të atdheut ; toka e vendlindjes kish
larë papastërtitë me gjakun e të pabaesëve ; liria çelte sërish krahët e
vet mbi malet e Shqipërisë. Krahu i pamposhtur i një luftëtari armatosej për
mbrojtjen e territorit kombëtar dhe të fesë së Krishtit !
Nuk
do vononte çasti kur do kërkohej t’u jepej një ndëshkim i ri këtyre betimeve
solemne. Amurati, tek mësoi dezertimin e Skënderbeut, njollën poshtëruese që
morën emblemat e tij, dëbimin e ushtarëve turq nxjerrë në mënyrë të turpshme
jashtë Shqipërisë, apo të masakruar pa mëshirë, Amurati pra, u pushtua i gjithë
nga zemërim i tërbuar. Urdhëroi të bëheshin përgatitje të mëdha për pranverë me
qëllim që të hakmerrej për dështimin e armëve të tij.
Skënderbeu
e kuptoi se duheshin bërë përpjekje të fuqishme dhe të shfrytëzoheshin gjithë
burimet e vendit për të prapsur dyndjen myslimane. Andaj, hartoi planin të
mblidhte në kuvend të gjithë princët e Epirit dhe të Maqedonisë, me qëllim që
të binte në marrëveshje me ta si t’i kundërviheshin armikut të papajtueshëm të
emrit të krishterit.
Duke
dashur të shmangë çdo shkak lëndimi, çdo vështirësi, zgjodhi për vendin e
mbledhjes qytetin e Alesios, në një territor që i përkiste Venedikut.
Dërgoi
pra lajmësa për të thirrur në këtë Kuvend luftarak prijësit dhe kryetarët e
fiseve ; u bëri të ditur se kishte nevojë për mendjen dhe ndihmën e tyre,
për të përkryer shëlbimin e atdheut, dhe për të përkrahur luftën për pavarësi.
Shumica kishin luftuar në krah të atit të tij, apo qenë rritur tok me
vëllezërit e tij, dhe ishte pra kënaqësi të ndodheshe mes tyre pas një mungese
aq të gjatë. E tillë ishte grishja e njerëzishme që u bënte Kastrioti.
Kjo
ndodhi në fillim të pranverës së vitit 1441*.
Arianita Topios iu përgjigj i pari thirrjes patriotike të Skënderbeut.
Prej kohësh kishte luftuar në krah të Gjon Kastriotit, dhe guximi i tij ishte
vlerësuar me cilësimin I Madhi. Duke u bërë haraçpagues tek Amurati, kur
fati e braktisi Shqipërinë, ai kishte pësuar mbi kurriz zgjedhën, duke u
dridhur i tëri nga inati. Krahinat që shtriheshin nga Voiusa në gjirin e
Artës i nënshtroheshin autoritetit të tij, dhe në gji i ziente dëshira më e
zjartë për t’i parë të çliruara nga tirania e huaj. Ndonëse i moshuar tanimë,
Arianiti ruante pothuaj krejt fuqitë e mëparshme ; ishte ende në gjendje
të duronte stërmundime të gjata ; askush nuk kishte aq shkathtësi, fuqi sa
ai në gjuetinë e kafshëve të egra. Fytyra e tij, e çelët dhe gjithë shprehi,
zbukurohej nga një mjekër e gjatë bardhëllore, që i shtonte, në mund të themi,
edhe më shumë nderim atij të moçmi. Pasohej nga një numër i madh prijësish, mes
të cilëve dallohej Andrea Topia, i vëllai, dhe Tanusios, i nipi. Kishin ardhur
gjithashtu Stresi, kunati i Skënderbeut, tri Muzakët, Gjini, Gjergji dhe
Aidini : më i riu, u bë shok i pandarë i Princit, për të cilin ai kishte
një admirim e një dashuri pa kufi. Pas tyre, erdhën Nikolla e Pal Dukagjini,
luftëtarë me famë. Me një fjalë, të gjithë ata që kishin bërë emër, apo gëzonin
detyrën e prijësit, rendën në Lezhë. Shqipëria e tërë ishte aty e përfaqësuar.
Ditën
e caktuar, më 30 mars*,
anëtarët e kuvendit u mbodhën në kishën e madhe të Lezhës. Iu drejtuan lutje të
zjarrta Perëndisë të të krishterëve, me qëllim që ajo vetë të frymëzonte
vendimet e kuvendit të ndritur. Pastaj, u çel, po në kishë, diskutimi për
interesat e mëdha të kohës. Vendi ishte i shenjtë, zgjedhur në mënyrë të
përkryer : çlirimi i një kombi, që ishte bërë pre e të pabesëve, është një
vepër sa fetare aq edhe patriotike.
Skënderbeu, mbi të cilin qenë ngulur tërë vështrimet, u
ngrit për të marrë fjalën. E nisi duke i kujtuar kuvendit vuajtjet që kish
hequr shtëpia e tij dhe Gjon Kastrioti, i ati, nga mizori e turqve ;
tregoi për robërinë e tij, tradhtinë e Amuratit, vrasjen e të vëllezërve,
skllavërimin e kombit, turpin e një zgjedhe të tillë ; rrëfeu se si prej
kohësh ndrydhte mendimet më të fshehta, se si prej kohësh dukej sikur kish
mbyllur veshët ndaj klithjeve të dhimbshme të bashkëqytetarëve të tij, duke
përgjuar pa u lodhur çastin e favorshëm ; vuri në dukje se kish gjetur
çastin e volitur për kryengritje, sepse do kish qenë e paradokohshme më parë
një rebelim, që mund të bëhej shkak për shkatërrimin e plotë të Shqipërisë.
Kishte pra bindjen se kishte vepruar në çastin e përshtatshëm. Atëherë,
ripërsëriti me fjalë të thjeshta e modeste çka kish bërë, rezultatet që kish
arritur, çlirimin e vendit, kthyer në identitetin e tij. Pasi iu fal me nder
shokëve të tij të luftës, shtoi :
-
Në praninë e një gjendjeje të tillë, shihni, prijësa të Shqipërisë, ç’ju mbetet
për të zgjedhur : ose t’ju mbajnë të mbërthyer me hekur, ose ju t’u
shpallni luftë vdekjeprurëse armiqve tanë. Nëse merrni këtë anë të fundit, gjë
të cilën s’e vë në dyshim, lypset që një prjës të zgjidhet prej jush për t’ju
drejtuar ; zgjidhni një njeri që të gëzojë besimin tuaj dhe të jetë i
përvëluar nga dashuria për atdheun.
Ky
fjalim, i dëgjuar në heshtjen më të thellë, bëri një përshtypje të madhe në
tërë kuvendin. Ato fjalë të dala nga gojë e ëmbël e Kastriotit, ai theks me të cilin i shqiptoi, ende gjëmonin
nën kubetë e tempullit, kur i nderuari Arianiti u ngrit e foli :
-
Princër të Shqipërisë, tha ai, këtë ditë që na mblodhi në këtë tempull e
fortesë, prej kohësh e kam kërkuar me gjithë shpirt. Duhet të jepet këtu një
mendim fisnik, i çiltër dhe i ndershëm ; dhe këtë do ta merrni nga goja e
një plaku. Dikur, unë kam luftuar në krah të Gjon Kastriotit ; shpesh kam
admiruar zotësinë dhe vlerën e tij ; unë vetë e kam shpallur të denjë për
të na prirë. E pra ! ja tani, biri i tij, kapedan i shquar dhe i regjur në
artin e luftës ; ju vetë, jeni dëshmitarë të guximit e gjenisë së
pazakontë që ai tregoi kohët e fundit, dhe është në forcën e moshës, me një
famë që ka marrë dhenë ; u bëftë pra prijësi ynë, i denjë siç është për
atë rang të lartë !
Atëherë
plaku, duke u kthyer nga ana e Skënderbeut, u përkul thellë para tij.
-
Princ, i tha, haraçin që i paguaja Amuratit, tani po ta jap ty ; gjithë
pasurinë time, njerëzit e mi dhe veten time po i vë në dispozicionin tënd,
gjithçka të takon ty, meqë është fjala për atdheun tonë. Jam i lumtur që i pari
po të përshëndes si sovranin e Shqipërisë.
Këto
fjalë, të shqiptuara me zë të dridhur, e bënë gjithë kuvendin të drithërohej e
të ngrihej në këmbë. Tërë anëtarët e tij, më këmbë, u përkulën me nderim
përpara heroit, bënë të njëjtat premtime dhe e shpallën Skënderbeun princ të
Shqipërisë, prijës të mbarë vendit.
Skënderbeu
e priti këtë brohoritje të njëzëshme, që e pranonte për autoritet të lartë, me
aq modesti, sa u vlerësua edhe me shumë. Pasandaj, duke zënë vend me dinjitet
sovrani në fronin e sapongritur, foli për herë të dytë mbi domosdoshmërinë për
të qëndruar të bashkuar e për të sakrifikuar gjithçka për të mirën e
përgjithshme, me një gojëtari e forcë të tillë sa anëtarët e kuvendit, duke u
çuar edhe një herë në këmbë, u betuan me dorën nderur mbi altar, se do t’i
lëshonin armët vetëm kur Shqipëria të ishte e siguruar. Kastrioti provoi kështu
se ishte mjeshtër i madh në artin e gojëtarisë, po aq sa ishte gjeneral i madh
në fushën e betejës.
Me
të dalë nga ky kuvend i paharruar, Skënderbeu u kthye në Krujë, i shoqëruar nga
një numër i madh të bashkuarish në konfederatë ; të tjerët shkuan në
krahinat e tyre për t’u përgatitur për ngjarjet e mëvonshme. […]
Skënderbeu
apo heroi i krishterë,
Paris,
1862.
Ilustrim që shoqëron frontispicin e romanit « Skënderbeu, apo një hero i krishterë », i abatit Gharles Guenot, 1864. Në diçiturë:
Ata i premtuan ta ndjekin nga pas gjer në vdekje, në lypsej, për çlimirim e Shqipërisë.
Guillaume DEPPING
Gijom Deping (1829-1901), studjues, anëtar i Shoqërisë së
Gjeografisë së Parisit dhe korrespondent shoqatash gjeografike, autor i disa
teksteve për historinë e ekspeditave detare, për figurat e shquara në lashtësi
e në kohët moderne, etj. Në veprën e tij “Mrekullitë e forcës dhe të
shkathtësisë, ushtrimet e trupit tek të Lashtët dhe tek Modernët”, e rëndit
Skënderbeun ndër personazhet historike madhore, karakterizuar për forcë e
shkathtësi trupore, shpejtësi, mprehtësi, e të tjera cilësi fizike.
NJË NJERI I AFTË PËR
BËMA HERKULIANE
Në
kohën kur këto lojra veneciane*, që
vijuan deri në fundin e shekullit XVIII ishin në kulmin e tyre, jetonte, jo
shumë larg zotërimeve të Republikës së Laguneve, një njeri i aftë të kryente i
vetëm të gjitha bëmat e Herkulit. Pak njerëz e kanë tejkaluar për nga
forca fizike këtë hero të Mesjetës që u bë tmerri i turqve, kur më parë kishte
qenë miku i tyre.
Ky
është i famshmi Skanderbeg, mbreti i Shqipërisë, me emrin e vërtetë Zhorzh
Kastriot. Lindur më 1404 apo 1414, u dha për peng nga i ati, një sovran i
vogël i Shqipërisë dhe i Epirit, tek sulltan Murati II, që e rriti në oborrin e
tij. Zhorzhi, që dallonte për nga pamja e hijshme, shkëlqente për kërcime në
kalë, për përdorim të shpatës dhe për gjuajtje me hark ; kënaqësi e tij ishte
të matej me fisnikët e rinj turq në dyluftime e gara, dhe pothuaj gjithnjë
fitonte çmimin e parë.
Ushtrimet
trupore kanë qenë në të gjitha kohërat mjaft të përhapura tek turqit. Me t’u
bërë zotër të Konstandinopojës, sulltanët tërhiqnin në oborrin e tyre ndeshës
profesionistë, guresitë, rreth dyzetë vetë, që i vinin herë pas here të
ndesheshin në prani të tyre.
Guresitë ishin njerëz të fortë e
të fuqishëm dhe vinin nga shtetet barbareske të Indisë e të Tartarisë. Nuk qenë
skllevër, si shërbëtorët e tjerë të Fisnikut të Madh, por në gjendje të lirë.
Hynin në shërbim të tij me bonne vogle, siç thuhej atëherë, « sepse
e tillë qe dëshirë e tyre ». Në luftime, ata përdornin tërë dredhitë e
atletëve antikë, me qëllim që të mposhtnin kundërshtarin; por përdornin gjithashtu
edhe armë të tjera që nuk lejoheshin tek grekët ; sepse vinin në përdorim
edhe thonjtë dhe kafshonin hundë e veshë ; shpesh i merrnin me vete
copërat e shkulura ; me një fjalë, bënin të mundur të shkaktonin të keqen
më të madhe, duke u lëshutur mbi prenë e tyre si qen mbi egërsirë. Ajo çka i
ndizte për një gjë të tillë nuk ishte dhe aq dëshira për fitore, sesa karemi,
ose siç thoshin historianët e shekullit XVI sheqerka që vinte më pas,
disa dukate ari që Turku i Madh ia vërviste ngadhnjyesit, dhe ndonjëherë të dy
luftëtarëve, kur qe i kënaqur nga përpjekjet e gjithsecilit. Guresitë
luftonin zhveshur, duke mbajtur në trup vetëm gregët, lloj tirqesh apo
çidikësh prej lëkure, ngjitur tek kofshët, që shkonin nga mesi deri poshtë
gjunjëve ; këto kofsharë, si dhe gjithë trupi lyheshin me vaj, me qëllim
që kundërshtari ta kish të vështirë të bënte kapjet e tij. […] Lëviznin në grup
prej dhjetë a dymbëdhjetë vetësh, të gatshëm për t’u matur me cilindo që i
ndalte në rrugë e sipër ; dhe do ishte marrëzi të kërkoje sherr me ta, jo
vetëm për tërbimin me të cilin të sulmonin, por edhe për përvojën që kishin në
dyluftime, duke qenë se ishin rritur enkas për zanat të tillë që në
vegjëli ; dhe ishin « aq të shkathët, sa rrallë mund të gjendej
ndokush që të mund t’i tejkalonte apo që të barazohej me ta ».
Kjo
trupë e guresive organizonte sulme të egra thjesht për të zbavitur
sulltanin, kur Shkëlqesia e Tij nuk kish gjë tjetër më të mirë për të
parë ; mirëpo, në atë kohë kalorësish të tillë kreshnikë e endacakë, këto
shfaqje luftarake qenë nga më fisniket dhe më zbavitëset.
Një
ditë, për shembull, mbërrin në Andrinopol një skit me shtat kolosal, për të
sfiduar në luftim të veçantë tërë oborrtarët e vendit.
Paul
Conard Balthasar, Skënderbeu në dyluftim, 1686.
Askush
nuk guxonte të shfaqej për t’i bërë ballë sfidës së tij me dorezën që lëshoi
përtokë. Aventurieri po krekosej duke treguar forcën e vet, kur befas
Skënderbeu, që qëndronte për nga sëra dhe origjina shumë më lart se një
kundërshtar i tillë, i del përpara, duke lënë gojëhapur krejt oborrin që po
dridhej nga frika se mos pësonte gjë djaloshi i tyre i ri. Mirëpo, s’do vononte
dhe do ta mblidhnin veten ; e panë tek iu vërvit armikut, tek mbërtheu me
dorën e majtë krahun e djathtë të gjigandit, me aq saktësi e forcë në çastin
kur do goditej, dhe po në të njëjtën kohë tek i nguli kamën në fyt.
Mbas
ca kohe, dy kalorës persianë, hipur në kuaj të mrekullueshëm, u paraqitën para
Muratit, i cili e kish zhvendosur oborrin në atë periudhë në Pruse të
Bitinisë ; kërkuan të hynin në shërbim të tij, duke pranuar të viheshin në
provë aftësitë e tyre. Skënderbeu pranoi të ndeshej i vetëm kundër të dy të
huajve, me kusht që këta ta sulmonin veç e veç. Dyluftimi sapo kish nisur kur
kalorësi tjetër, duke shkelur betimin, lëshohet me heshtë mbi Skënderbeun, i
cili, kur e pa si po turrej, nuk priti më të mbrohej, por vërsulet mbi të me
frerët e kalit krejt të lëshuara dhe, me një goditje të fuqishme, e bën tjetrin
të paguajë shtrenjtë atë tradhti të turpshme. Si e hoqi qafe atë kundërshtar,
kthehet menjëherë, me shpatë në dorë kundër kalorësit tjetër që kish mbetur, e
prek fillimisht në shpatullën e djathtë, shi pranë qafës dhe aty-aty, i rras
hekurin në trup, aq thellë sa burri çahet më dysh gjer në mes. Pastaj, princi i
ri shkon e i dhuron sulltanit kokat e tyre. « Ai u prit, thotë R.P. Du
Poncet, i Kompanisë së Jezusit, historian i Skënderbeut – me të gjitha nderimet
që meritonte ngadhnjimi i tij, duke fituar një shkallë të re vlerësimi ».
(Histori e Skënderbeut, Paris 1709). Vlerësimi i mbretërve jepej në atë
kohë vetëm për bëma të këtij lloji.
Pas
këtyre kreshnikë-rive, turqit i dhanë atij emrin Skander apo Iskanderbeg :
fisniku Aleksandër.
Ishte
me shtat të lartë, krahun me fuqi mahnitëse, gjithmonë të zhveshur, dimër e
behar, në gjendje për të asgjësuar çdo pengesë. Skënderbeu përdorte një shpatë
të bërë enkas për shtatin e tij, pothuaj aq
Afishe
e Procinex për filmin “Skënderbeu i pathyeshëm”,
të
Serge Jutkeviç, 1953, prodhim ruso-shqiptar.
legjendare
sa dhe Durandali i Rolandit, duke mbajtur përherë brenda një milli të gjerë një
shpatë të dytë të ngjashme me të. Kujdesi për një gjë të tillë nuk ishte
pavend, po të kihen parasysh sprovat e tmerrshme që duhej të përballte ajo
shpatë. Historianët anglezë flasin për një fisnik të Courcy-së, kontin Ulster,
në shekullin XIII, i cili, përpara mbretit të Anglisë, çau më dysh një ditë me
një goditje shpate një përkrenare çeliku ; arma depërtoi brenda drurit ku
qe vendosur përkrenarja, dhe aq thellë sa askush, përveç kontit, nuk mund ta
shkulte dot.
Sprova
të tilla nuk do kishin qenë veçse një lojë për Skënderbeun, i cili, në shumë
raste, siç thuhet, arrinte të çante më dysh njerëz të armatosur nga koka në
këmbë.
Sulltan
Mehmeti II, që shkonte mirë me të në atë kohë, i kërkoi një ditë të famshmen
shpatë që kushdo e mburrte dhe falë së cilës Skënderbeu bënte mrekullira. Heroi
nuk ngurroi dhe ia dërgoi sovranit. Vetë Mehmeti e provoi, ua dha edhe
luftëtarëve më të fuqishëm të oborrit. Por kur pa se ajo nuk dha rezultat të
jashtëzakontë, e ktheu tek i zoti, duke u shprehur se ai vetë kishte shumë të
tilla me po atë kalitje të mirë, në mos edhe më të mirë. Skënderbeu mori
shpatën pa u vrenjtur ; e vuri në përdorim para syve të të dërguarit
perandorak në mënyrë të tillë që ky të bindej për forcën e tij të
jashtëzakontë ; pasandaj e përcolli atë me këto fjalë : « Thuaji
Ytzoti se i dërgova shpatën, dhe jo krahun. »
Aftësia
e tij për të fluturuar një kokë me një goditje ishte bërë proverbiale. Kështu,
vrau një dem të egër e të tërbuar që rrafshonte tokat e princeshës Mamica, së
motrës, dhe bëri të njëjtën gjë në Pulja me një derr të llahtarshëm që ishte
bërë tmerri i gjithë vendit. Skënderbeu e kishte bërë be se do ndëshkonte
rreptë njëfarë Ballabani, i bindur për mizoritë e tij ndaj shqiptarëve. I
shpunë një ditë të lidhur së bashku, të vëllanë dhe nipin e këtij armiku; i
tërbuar tek i pa, me dorën e tij i preu në mes me një goditje, apo, siç thotë
një nga historianët e tij me gjuhë energjike1,
« i cungoi në mes të trupit me një të goditur. »2
Mrekullitë
e forcës dhe të shkathtësisë, Kreu VIII,
Skënderbeu
dhe turqit,Paris, 1886.
Charles
DIDIER
Sharl Didie (1805-1864), letrar e
gazetar, autor romanesh dhe udhëpërshkrues, bashkëpunëtor i revistës së
mirënjohur franceze Revue des Deux Mondes. Ka
vizituar shpesh Italinë, së cilës i ka kushtuar disa libra, dhe gjatë
udhëtimeve të tij në këtë vend, ka njohur nga afër kolonitë arbëreshe, për të
cilat flet me simpati.
I VETËM HERO,
NDËRMORI LUFTËN E
EVROPËS KUNDËR AZISË…
[…]
San-Demetrio është kryeqendra e një rajoni shqiptar. Pesë apo gjashtë fshatrat
që e përbëjnë janë të grupuara përreth tij. San-Giorgio është më i madhi dhe
Vacarizzo ai ku luksi fshataresk i grave është më i kërkuari. Ka miniera të
ndryshme në male, por askush s’e ka mendjen për t’i shfrytëzuar, e qeveria
akoma më pak nga njerëzit.
Prania
e këtyre kolonive shqiptare është një dukuri historike që meriton vëmendje dhe
pothuaj është e panjohur. Shfaqja e parë e shqiptarëve në Itali ka ndodhur
rreth dhjetë vjet pas marrjes së Konstandinopojës.
Kjo
ngjarje e madhe, prej së cilës u desh të ndryshohej faqja e Evropës, ndërkohë
që përmbyste një perandori shekullore e të drobitur, i jepte goditjen
vdekjeprurëse një shteti të ri e të fuqishëm që vetëm energjia e një njeriu e
kishte ngritur.
Gjergj
Kastrioti, i njohur me emrin Skënderbe (Fisniku Aleksandër) u dha peng nga i
ati tek sulltan Murati. I rritur, por jo i squllur në seraj, doli nga duart e
grave si një zog shqiponje që kish çelur mes pëllumbash, dhe më 1443, shpalosi
flamurin e pavarësisë, të hakmarrjes ndaj uzurpatorit të vendit dhe vrasësit të
familjes së tij.
Lindur
fisnik i Shqipërisë, dha kushtimin për luftë ndër fiset luftarake, dhe në krye
të trimave e besnikëve të tij mirëditas, ndërmori një luftë të padërprerë për
njëzet e tre vjet me radhë kundër të gjitha forcave të perandorisë
otomane : një shembull i ri se ç’mund të bëjë vullneti i paepur dhe i
qëndrueshëm i një minoriteti energjik, sikurse kishin bërë dikur stërgjyshët e
tyre maqedonas nën udhëheqjen e një tjetër Aleksandri , duke e bërë këtë radhë
të dridhej Murati në qytetet e veta dhe duke i sfiduar ushtritë e tij në mbi
njëzet ndeshje luftarake.
Murati
vdiq nga tërbimi ; Mehmeti II u ngjit mbi fron dhe mori Konstandinopojën.
Postrojë e përparuar e Krishtërimit, Ushtari i Jezu Krishtit, sipas titullit që
mori Skënderbeu, u lëshoi princërve të Evropës një thirrje alarmi ; por
ata qenë të goditur nga tmerri dhe atëherë Skënderbeu, i vetëm hero, ndërmori
luftën e Evropës kundër Asisë.
U
rendit, me qëndresën e tij, ndër figurat e mëdha historike të shekullit XV, dhe
shkëputet gjithë shkëlqim nga tabloja e zymtë e Mesjetës, duke u shuar si një
nga njerëzit e paracaktuar në thirrje të shekullit të ardhshëm për lartësime të
mëtejshme.
Alfonsi
i Aragonës mbretë-ronte atëherë në Napoli. Politikan i shkathët dhe kapiten i
madh, ky princ u alarmua nga marrja e Bizantit ; ai shihte tek kolosi në
lindje një armik të natyrshëm, dhe iu përgjegj i vetëm thirrjes së Skënderbeut.
I dërgoi (më 1454) disa forca nën urdhrat e Raymond d’Ortaffa-së.
Pas vdekjes së Alfonsit, fati ndërroi. Ferdinandi, i biri
i tij, pati nevojë për krejt forcat që kishte për të luftuar ndaj dukës Jean i
Anzhuinëve, një kundërshtar i fuqishëm, dhe ndaj princit të Tarentes, një rebel
mosmirënjohës e i tmerrshëm.
I rrethuar në Barleta nga kondotieri Jacques Piccinino,
vënë në shërbim të Anzhuinëve, kurora e tij do kishte marrë fund, kur u panë në
horizont të zbardhëllenin velat. Skënderbeu,
Portret i Skënderbeut në një nga botimet e Lavardinit, shek. XVI.
po aq mirënjohës sa dhe i palodhshëm, duke përfituar nga
një armëpushim që kish kërkuar mendjemadhi Bajazit, i nisi ndihma djalit të
aleatit të tij të vjetër. E nxori nga rrethimi, mori Tranin dhe duke përshkuar
fushat e gjera të Pulias në krye të kalorësisë së vet, rrafshoi tokat e princit
të Tarantes, mundi Piccinon dhe ndihmoi në fitoren vendimtare të Troias, që u
siguroi kurorën aragonasve.
Historiani napolitan Summonte na ka ruajtur një
korrespondencë të çuditshme të fisnikut të Shqipërisë me princin e Tarantes.
« E ç’të bëra, i shkruante ky i fundit, që erdhe e më sulmove në tokat e
mia ? Mos vallë pandeh se ke të bësh me turqit e tu qullashë ; e pra,
ja që gabon. I shohim shqiptarët e tu si bagëti (come pecore), dhe na
hipën tërbimi nga armiq të tillë kaq të poshtër. S’arrin do të mbrosh shtëpinë
tënde, dhe vjen e pushton këtë tonën. Po këtu, veç varrin tënd do gjesh ».
Përgjigja
e Skënderbeut është e bukur dhe energjike. Ai e qorton princin e Tarentes për
mosmirënjohje ndaj shtëpisë së Aragonës dhe i thotë se mirënjohja për të është
një detyrë e shenjtë që i jep të drejtën t’i shkojë në ndihmë të birit të një
mbreti, i cili e ka pasë ndihmuar edhe ai më parë. « Ti nuk je më pak turk nga
turqit, i thotë ai ; për më tepër, siç thuhet, ti nuk ke asnjë fe. Sa për
shqiptarët e mi, ti s’i njihke ata ; ne jemi pasardhës të epirotëve që i kanë
dhënë për armiq romakëve Pirron dhe maqedonasit, që kanë dhënë për ngadhnjyes
të Indisë Aleksandrin. E për cilët më flet ti, për tarantinët e tu, racë e
rrëmbyer, që më mbrokan shtëpinë tënde, të mirë veç për të zënë peshq. E nëse
do gjej atje varrin tim, Zoti, që m’i njeh tashmë mendimet në kokë, le të më
gjykojë ».
Skënderbeu
mori për dhuratë nga Ferdinandi (1461) qytetin e vogël të Pulias,
San-Pietro-in-Calatina ; është kolonia e parë shqiptare në mbretërinë e
Napolit. Më vonë, mori Tranin dhe disa qyteza të malit Gargano.
Ky
princ nomad vdiq më 1467. I biri i tij, Gjon Kastrioti, nuk ish në gjendje të
luftonte kundër Bajazitit ; pas disa luhatjesh, sulltani arriti të pushtojë
krejt Shqipërinë, dhe armët shkatërruan veprën e ndërtuar nga armët.
Sulltani
ndërmori hakmarrje mizore, duke i vënë shqiptarët në mes të apostazisë dhe
mërgimit ; pikërisht në këtë kohë ndodh emigrimi i tyre i madh në Itali. Vetë
Gjon Kastrioti u strehua në Napoli dhe mbreti mori në shërbim të tij një numër
të madh shqiptarësh. Nën emrin e regjimentit mbretëror maqedon, krijoi
një korpus këmbësorie që mbijetoi gjer në kohën e revolucionit.
Sa
për të tjerët, dhe i madh ishte numri i atyre që parapëlqyen mërgimin para
apostazisë, të paaftë për bujqësi, si të gjitha popullatat luftarake, ata u
vendosën në malin Gargano, të cilën gati e konsideronin si pronë kombëtare.
Prania e atyre të huajve të pavarur i shqetësoi autoritetet ; zakonet e tyre të
zhurmshme i alarmuan fqinjët përreth, dhe mali Gargano do qe kthyer për ta
ndoshta siç u bënë më vonë Alpuksarret për maurët e Spanjës.
I
përndanë, u shpërndanë toka djerrë, dhe kështu ata e panë veten të hapërdarë në
krejt mbretërinë, gjer në Siçili, ku ngritën, mes malesh, katër fshatrat e
mëdha të quajtura me emrin e tyre Casali dei Greci, dhe konkretisht :
Palazzo-Adriano, Mezzojuso, Contessa e Piana-dei-Greci.
Çdo
ditë, vinin parreshtur të rinj. « Të bëhet zemra plagë, i shkruante papa Pavli
II Filipit, dukës së Burgonjës, të bëhet zemra plagë të shohësh ata të mjerë pa
bukë, pa atdhe, që përshkojnë Adriatikun me barka të brishta dhe vinë në
brigjet e Italisë të kërkojnë strehim kundër barbarisë të të pabesit ».
Tre
shekuj më vonë, parginotasit, të shitur nga lakmia angleze tek një armik më
mizor nga Bajaziti, u endën tërë lotë në të njëjtat vende, duke kërkuar breg më
breg një strehë në dhe të huaj. Historia nuk ka asgjë më të prekshme nga këto
katastrofa të mëdha kombëtare. Të ardhurve të rinj iu desh atëherë t’ia
nënshtronin karakterin e tyre të çlirët e luftarak zakoneve të jetës bujqësore.
Por te bujku, shfaqej ushtari dhe përherë dallohej te dora që drejtonte
parmëndën dora që kishte vringëllitur kordhën. Ata që kishin përfunduar në
brigjet e përtejme të Adriatikut shihnin të kaltëronin në horizont ato male të
Shqipërisë, ku dikur përhapeshin shatorret e tyre ngadhnjyese, dhe ku ata
preheshin pas luftimit nën rrezet e diellit ku kishin lindur. Tashmë, pa atdhe,
ëndërronin me lotë në sy për ditët e fitores ; përshëndesnin me vështrim
tejmajat atërore, dhe të përkulur trishtueshëm mbi atë parmendë që aq shumë
kishin urryer, këndonin baladat kombëtare, i vetmi monument i lavdive të
dikurshme, e vetmja trashëgimi e stërgjyshërve. [...]
Shqiptarët
në Kalabri,
“Raccolta”,
Zakone siçiliane e kalabreze,
Revue
des Deux Mondes, vëll. III-IV, 1831.
* Nëntitulli i kreut VI të romanit historik “Skënderbeu, apo heroi i krishterë” shkruar nga abati Sharl Geno (Guénot), për të cilin nuk kemi të dhëna konkrete lidhur me jetën e tij.
* Kuvendi i Lezhës siç dihet është mbledhur më 2 mars 1444.
* Të ushtrimit trupor.
1 Histoire de George Castriot, surnommé Scanderbeg, roi d’Albanie, nga J. de Lavardin, fisnik i Plessis-Bourrot. 1621, in-4°.
2 Shekspiri gjithashtu ka përdorur një shprehje po aq energjike. Ka thënë tek Makbethi (akt I sk.II) : “Till ho unscamed him from the nare to the chops ( u largua nga armiku i vet pasi i bëri një të shqepur trupit nga barku gjer tek nofullan domethënë çarë më dysh)”. – shënime të autorit.
© Copyright F. Andrea, sipas librit "Pena të arta franceze për shqiptarët"
Tiranë, 2007.
Të interesuarit për të blerë librin mund t'i drejtohen autorit.