Speciale » Andrea
Fotaq Andrea: Botohet antologjia ''Faik Konica – Për një Shqipëri Europiane''
E shtune, 15.03.2025, 05:59 PM
BOTOHET ANTOLOGJIA
“FAIK
KONICA – PËR NJË SHQIPËRI EUROPIANE”
Përgatitur
nga Fotaq Andrea
Me
rastin e 150 vjetorit të lindjes së Faik Konicës, më 15 Mars 2025,
falë
ndihmës bujare të Federatës Panshqiptare "Vatra",
të
Kryesisë së Degës së Vatrës -Boston dhe
nën
përkujdesin dhe drejtimin e Prof. Ass. Dr. Thanas L. Gjika.
FAIK
KONICA - IDEATOR I SHQIPËRISË MODERNE
Parathënia e librit
Kjo
antologji, me mbi 900 faqe, e ilustruar edhe me rreth 50 foto e dokumente nga
Jeta dhe Vepra e Faik Konicës, përfshin krejt korpusin e shkrimeve në
frëngjisht të përlindësit shqiptar hartuar gjatë viteve 1897-1909 dhe botuar në
revistën Albania. Pasuar nga artikuj,
recensa, ese, promemorie, prozë, etj., si dhe mori letrash të nxjerra nga
epistolari i gjerë i tij, këto shkrime përbëjnë një vëllim më vete dhe,
përgjithësisht, janë prurje të reja, ose pak të njohura nga lexuesi. Shfaqet në
to gjithçka e bukur, e fuqishme dhe patriotike nën penën koniciane, ku del në
pah forca e mendimit dhe e stilit të tij sintetik, me atë karakteristikë të
veçantë që shkrimet i drejtohen plot kulturë, dije e dinjitet rilindësve
shqiptarë, publikut të gjerë që ndiqte Albania-n,
si dhe personaliteteve të shquara me të cilët ai mbante letërkëmbim.
Nga ana tjetër, shkrimet e kësaj antologjie, me tituj
herë-herë evazivë te Albania (për
t’iu shmangur rrezikut të përhershëm të censurës së huaj e sidomos asaj turke)
përmbajnë një kronologji ngjarjesh historike për Shqipërinë në fazën e
qëndresës së saj epike drejt formimit të shtetit të ri, kur perandoria osmane
po përjetonte vitet e saj të fundit dhe kur shtetet fqinje ballkanike, në lojën
antishqiptare politiko-diplomatike të Fuqive të mëdha, orvateshin të copëtonin
e të zhduknin krejt kombin shqiptar. Gjëmon në këto shkrime ideali përlindës
shqiptar, ndjenja e fuqishme kombëtare, thirrja e shpirtit konician për zgjim e
lartësim të ndërgjegjes kombëtare, për atë “stërvitje mendore të popullit”, siç
shprehej ai në kuptimin e emancipimit shoqëror e kulturor, për të ecur në
Histori gjithmonë përpara, drejt progresit.
Dhe s’ka si të mos theksojmë që në fillim që, menjëherë
pas shpalljes së Pavarësisë, më 4 dhjetor 1912, Faik Konica, në emër të
Federatës PanShqiptare “Vatra” të Amerikës i drejton mesazh kuptimplotë
Asamblesë kombëtare shqiptare të Vlorës, për të lartuar – në formë thirrjeje –, idealin për “themelimin e një Shqipërie të
re e të lirë europiane, me model shtete të tilla si Norvegjia, Danimarka,
Holanda e Belgjika”. “Mos e bani Shqipniën nji shtet oriental, si Khiva,
Bukhara, Afganistani e Tunisia” – paralajmëron ai, tek kërkon një Shqipëri
moderne, me orientim e zhvillim pro perëndimor, europian, ashtu siç dëshmojnë
vetë lidhjet historike të vendit tonë me kontinentin e lashtë.
Me këtë pikësynim, duke hulumtuar për lidhjet
tradicionale të Shqipërisë me Europën,
Konica përfshin tek Albania e
tij shkrime nga kronistët francezë me portrete kapedanësh të famshëm shqiptarë
të Kalorësisë së lehtë europiane themeluar nga stradiotët albanoi, flet për
gjakun dhe kontributin shqiptar në Europë dhe në kulturën europiane, krenohet
me emrat e artë të kombit tonë që kanë lënë gjurmë në Histori, nga Pirro Burri
te Ali Tepelena e Bushatllinjtë, dhe domosdo i thur himn “Babait të Kombit”,
siç e quan ai Heroin tonë Kombëtar Gjergj Kastriotin, mbrojtësin e Europës dhe
të Krishtërimit. Gjithçka të mirë, të
bukur, të vyer që Shqipëria ka pasur tradicionalisht, ajo ia ka përcjellë
historikisht Europës, që nga virtytet, traditat, zakonet, doket, deri te vetë
shpirtërorja e popullit pasqyruar në folklorin e pasur kombëtar, te proverbat
shqipe që Konica i përkthen për të shfaqur thelbin e mendimit estetik të
urtësisë popullore shqiptare. Jo pa qëllim, krejt numri i parë i Albania-s i prezanton shqiptarët si bij
të shqipes në dy kuptimet e saj: si gjuhë e lashtë me bukuri e forcë shprese,
dhe si shqipe mali – emblemë qëndrese, kur Bajroni u këndonte për herë të parë
bijve të saj, duke i krahasuar shqiptarët me skocezët dhe duke i shfaqur ata si
europianë të kahershëm e të denjë, me vendin e tyre të nderuar në Europë e
Histori. “Shqiptarët, thotë Konica që në faqen e parë të Albania-s, kanë shkruar me gjakun e tyre më tepër se një faqe në
Histori të Europës”.
Shqipëri europiane, Shqipëri moderne, Shqipëri e
përparuar – ja ideali i Konicës me përkushtim rilindës kombëtar, që e nisi dhe
e vazhdoi me Albania-n në Bruksel e
Londër, për dymbëdhjetë vjet rresht, në moshën më të bukur rinore 20-30
vjeçare, për ta përfunduar, gjithnjë në rolin e kryeredaktorit, me Diellin e “Vatrës” shqiptare në Amerikë,
ku shpërthyen, me rrezatim të fuqishëm patriotik, erudicioni dhe mendimi i tij
proteiformë, që i rezervuan edhe një vend të nderuar mes intelektualitetit të
kohës. Dhe domosdo, përderisa vetë kjo antologji shfaq lidhjet e Përlindësit
modern në rrafsh europian e më tej, me emra të njohur botërisht, që nga
shkencëtari Elisée Reclus, te Apollinaire e Remy de Gourmont, duke kaluar
nëpërmjet personalitetesh të tilla të mirënjohura, si L. Benloew, E. Legrand,
H. Gaidoz, De Harlez, V. Herny, J. Jarnik, M. Müller, A. Fouillée, E.
Verhaeren, S. Reinach, L. Cahun, A. Benedicksen, P. Nocquet, De Waleffe, A.
Bauer, Opert, Jensen, Pedersen, Jokl, De Casseres, etj. etj. madje tek i
shkruan kartë plot guxim edhe vetë kryeministrit plak të Anglisë, Gladstone,
(katër herë kryeministër) që do t’i përgjigjej me respekt atij djaloshi
shqiptar 21 vjeçar Faik Konitza, që dinte aq mirë të mbronte të drejtat e
Shqipërisë.
Kampion dhe atlet për modernitet shqiptar, Konicës nuk i
mungoi as fryma novatore për të “ndriçuar mendjet”, siç shprehej ai, as
fshikullimi për “mendjepalarët e pshatarakët e trashë e të paditur”, për
“turçelinjtë” dhe “moravesët” e “çipit të palaçove”. Tek e kërkoi modernen në
radhë të parë në ndryshimin botëkuptimor shqiptar, ai ideoi dhe projektoi një
shoqëri shqiptare të përparuar e lulëzuar.
Ndonëse që në fillim Konica e shfaqi Albania-n me karakter gjithëpërfshirës, letrar, linguistik,
folklorik, historik e sociologjik, nuk do vononte që ai, pas pesë numrave të para,
ta shpallte publikisht revistën e tij edhe me orientim të qartë politik, gjë që
do të përbënte boshtin e krejt shkrimeve polemizuese të revistës, në mbrojtje
të të drejtave të Shqipërisë e shqiptarëve. Ishte një veprim i guximshëm nga
ana e tij për ta bërë kësisoj Shqipërinë faktor dhe pikë referimi në qarqet
politiko-diplomatike të kohës, sidomos në botën e ndjeshme të Letrave, ku Albania, organi i parë shumëpërmasor
shqiptar në dy gjuhë, do të bënte përshtypje të thellë për vetë përmbajtjen dhe
paraqitjen e saj serioze. Në fakt, që në numrin e parë të Albania-s, që në artikullin përurues të saj “Armiqtë e Shqipërisë”,
shfaqet toni i rreptë denoncues i Konicës për armiqtë e brendshëm e të jashtëm
të kombit dhe, në këtë drejtim, nuk do vonojë të shpaloset vetë misioni
rilindës i Albania-s: “Ne, që
shkruajmë të përkohshmen, që të tunden shqiptarët nga gjumi, ne bëjmë
propagandë”, thekson ai pa kurrfarë ngurrimi në artikullin “Propaganda” (Albania 2).
Duke e faktorizuar Shqipërinë në arenën ndërkombëtare,
duke e shfaqur Albania-n si mbrojtëse
të aspiratave të kombit shqiptar për liri e pavarësi, si platformë e program të
gjerë pune për zgjim e ndërgjegjësim kombëtar, Konica do t’i hynte kështu
realizimit të një prej objektivave madhore të Rilindjes: fuqizimit të propagandës me penë në dorë, në shërbim të
lëvizjes së armatosur, në emër të dashurisë për kombin dhe përkushtimit ndaj
atdheut. Kësisoj, botimi i Albania-s
në kapërcyell të shekujve XIX-XX, në periudhën kulmore të zgjimit të vetëdijes
kombëtare dhe të organizmit të lëvizjes së armatosur drejt shpalljes së
Pavarësisë përbën pamëdyshje Aktin Madhor të ndërkombëtarizimit të çështjes
shqiptare, përbën zërin timbrues të vitalitetit të kombit tonë për të demaskuar
lojën e Fuqive dhe për të penguar shtetet fqinje në synimet e tyre kundër
Shqipërisë. “Albania, vë në dukje Konica, po afirmohet jo thjesht si një
gazetë, por si një gazetë nacionaliste par
excellence... Ne i qëndrojmë ... besnikë idealit për një Shqipëri nacionaliste plot entuziazëm dhe të
vetëdijshme për të ardhmen dhe për lidhjet e saj me botën perëndimore”
(nënvizimi ynë – F.A.).
Dhe që kombi shqiptar të ndihej i gjallë e plot vitalitet
në rrafsh europian, Konica, që në fillim nuk do ngurrojë të nënvizojë se “në
pjesën e vet politike, Albania
shfaqet si organ i partisë autonomiste”, parti të cilën Konica e quan
konkretisht “Lidhja për pavarësinë e Shqipërisë”, në emër të së cilës ai do t’i
drejtohej edhe vetë kryeministrit britanik, plakut Gladstone, duke kërkuar
kështu përkrahje e mbrojtje të atdheut tek personalitetet e larta të kohës. Ai
e ka të qartë se “Lëvizja shqiptare”, siç e cilëson ai vetë Rilindjen
Kombëtare, në fazën e parë të saj drejt pavarësisë, dhe përballë rrezikut të
egër të lëvizjes xhonturke, do të jetë lëvizje autonomiste, me të drejta të
plota vetadministruese për kombin shqiptar, për zhvillim shoqëror, ekonomik e
kulturor. “Partia nacional shqiptare, vë në dukje Konica, është i vetmi element
progresi”. Dhe më tej, “lëvizja nacional shqiptare është parti moderne,
përparimi të vërtetë”.
I përballur me realitetin e brendshëm shqiptar, Konica dënon
“dritëshkurtrit”, siç i quan ai të gjithë ata që janë të lidhur pas së djeshmes
e së tashmes, duke depërtuar kështu në thelbin e patriotizmit të vërtetë, për
ta dashur Shqipërinë ashtu siç është, “vend i njerëzve të varfër, që ka
nevojë për ajër [liri] e për drejtësi”. Ai fshikullon patriotizmin e
njëanshëm që përkundet e përgjumet me të shkuarën e lavdishme, pa hedhur
vështrimin drejt së ardhmes, pa ndërmarrë hapa konkretë për ndryshim të këtij
realiteti. “S’kemi nevojë për shkëlqime të kota, të punojmë në heshtje e me
dinjitet për zgjim të plotë të kombit tonë”, këshillon Konica me këtë rast,
duke lëshuar njëkohësisht një nga aforizmat e tij të para, me bukuri të rrallë
e vlerë përherë aktuale: “Të duash Shqipërinë, do të thotë të kalitësh
vullnetin për ta lulëzuar përjetë
Shqipërinë”.
I ndërgjegjshëm dhe i bindur për lulëzimin e një
Shqipërie moderne dhe europiane, Konica përcakton qartë synimet madhore që
duhet të realizojë “Lëvizja shqiptare”, të cilën ai e do dhe e kërkon me
funksion emancipues e gjithëpërfshirës në rrugën drejt progresit, për të zënë
kështu me dinjitet vendin e saj të nderuar në bashkësinë ndërkombëtare, përkrah
kombeve të zhvilluara. Ai vë përpara “faktesh lakuriq, mendime lakuriq” dhe
shpall açik kontrastin brutal në Shqipëri: “mjerimin më të tmerrshëm në më të
pasurin e vendeve”, siç shprehet konkretisht ai, në kushtet e sundimit osman,
kur vendi vuante prapambetjen e theksuar mesjetare, dhe kur shqiptarëve u
ndalohej me ligj deri edhe gjuha e tyre dhe hapja e shkollave shqipe. E në këtë
rast, ai e shpall hapur se “Shqiptari e ka një dyfek... dhe se “ideali më i
lartë i Drejtësisë e kërkon që ai ta shkrehë kundër tiranisë së turkut e të
fqinjëve zaptues”. Revolta dhe forca shkojnë kështu bashkë, paralelisht,
nën penën e Konicës, janë të përligjura e të domosdoshme për arritjen e të
drejtave më elementare që i janë mohuar kombit shqiptar. “Shqiptarët, vëren
Konica, kanë të drejtë të fitojnë me anë të forcës atë që nuk ua japin sipas së
drejtës që u takon”. Dhe nuk do vonojë kur Konica, përherë realist e
objektiv, do të shprehë entuziazmin dhe optimizmin e tij, në prill 1899, duke
deklamuar fuqimisht: “Ora më në fund po bie për shqiptarët: një lëvizje e
thellë kombëtare po trondit Shqipërinë... Rinia e sotme shqiptare, brenda një
dhjetëvjeçari do të na japë një brez patriotësh të etur për drejtësi e përparim.”
Por, duke e parë mjerisht, Shqipërinë, në kushtet e
prapambetjes më të thellë, kur ai është i detyruar të pranojë se “shqiptarët do
të jenë ende për një kohë të gjatë vend i Mesjetës” me plagë të tilla si
gjakmarrja dhe kanunet, dhe nga ana tjetër, duke shfaqur merakun e tij për
përparim kombëtar, Konica nuk mungon të japë një mësim të madh kur deklaron se
“shqiptarëve nuk u mungon ndjenja kombëtare, por u mungon vetëdija e pastër,
aq e domosdoshme për përparim”.
Është
e qartë se misioni më fisnik i Albania-s
koniciane, nga fillimi në fund, është “ribërja e fuqishme e Kombit dhe e
Gjuhës” në kuptimin më gjithëpërfshirës të ripërtëritjes dhe riorganizimit të
tyre. Vetë fjalia e parë e faqes së parë të Albania-s
përbën një himn dashurie e bukurie për gjuhën e lashtë shqipe, tek shprehet : “E
ashpër, e vrazhdë, si populli i fuqishëm që e flet, por edhe plot shije e
hijeshi, si frutat dhe lulet e malit ku flitet, gjuha shqipe – ndonëse e
varfëruar nga një moslëvrim shumë herë shekullor – është e aftë të shprehë, me
një ndjenjë të mrekullueshme, nuancat, konceptimet më të holla e të mprehta të
mendimit njerëzor”. Konica i ngre kështu, me të drejtë, monument gjuhës
shqipe, duke e ditur më së miri, si një dijetar poliglot se gjuha është vetë
“çekani që farkëton mendjen e zhvilluar” është susta që i jep shtysë “edukimit
intelektual të popullit dhe dashurisë për kombin”, që “zhvillimi i saj i çel
udhë vetë zhvillimit të Idesë” (Mendimit), vetë jetës intelektuale, botës së
dijes e të Letrave.
Konica e do me shpirt gjuhën amtare, dhe iu përkushtua
tërë jetën bukurisë dhe zhvillimit të saj. Gjuhëtar, letrar, përkthyes,
poliglot, me aftësi polivalente në fushën e filologjisë, aftësi që i ka venë në
dukje më së miri miku i tij europian Apolineri kur e ka cilësuar Konicën tonë “një
enciklopedi lëvizëse” duke e krahasuar me një Argus (me njëqind palë sy) dhe
një Briare (me njëqind palë krahë e pesëdhjetë koka) kryeredaktori i Albania-s e rroku gjuhën shqipe nga
rrënjët duke i njohur e përdorur edhe vetë bukurisht të dy dialektet e saj,
toskërishten e gegërishten. Vazhdimisht ai kërkoi e punoi për gjuhën e pastër
letrare shqipe, mbi bazën e një alfabeti unik latin, që të shfaqte krejt bazën
fonetike të shqipes. Ai e ka të qartë se gjenia e gjuhës shqipe, të cilën ai e
ngriti lart, është se mbajti gjallë e të fuqishëm shpirtin shqiptar në shekuj,
me tërë atë bukuri e pasuri fonetike e folklorike.
Në këtë fushë të gjuhësisë, dhe më gjerësisht të
filologjisë shqiptare, antologjia “Faik Konica – Për një Shqipëri Europiane”
shfaqet si një pasqyrë kristaline e dashurisë dhe e mundit konician për
zhvillimin e gjuhës shqipe mbi bazën e ligjeve të gjuhësisë. Me kompetencën e
gjuhëtarit, falë një morie shkrimesh titulluar “Shënime gjuhësore”, dhe mbi
bazën e punimeve shkencore të gjuhëtarëve shqiptarë e të huaj (nga
Kristoforidhi te G.Meyer), të cilëve ai u referohet shpesh, Konica ngulmon – në
bashkëpunim me tërë albanologët vendas e të huaj –, për zgjidhjen e detyrave parësore që shtron
gjuha shqipe e kohës së tij. Kërkon kështu të hedhë bazat e shkencës gjuhësore
shqipe, për të përcaktuar rregullat drejtshkrimore themelore, duke u ndalur në
probleme të sintaksës, morfologjisë, fonetikës, etj. Por, kryesorja në këtë
drejtim është këmbëngulja dhe paepuria e tij për ta parë gjuhën shqipe një dhe
të vetme, me shkrirje dhe njësim të dy dialekteve të saj, si faktor absolut
të bashkimit dhe fuqizimit të kombit shqiptar.
Ai është i ndërgjegjshëm se “shqipja ka mbetur e
palëvruar qëkurse është krijuar”, se është e zhveshur nga terminologjia
abstrakte, duke qenë kështu “e paaftë për të rrahur ide”; andaj dhe detyra
urgjente për mbarë shkrimtarët e gjuhëtarët është ta lëvrojnë, ta shkathtësojnë
e pasurojnë shqipen, për ta bërë gjuhë letrare të përpunuar, gjuhë standardi,
të aftë për përballur forcën shprehëse të gjuhëve të zhvilluara dhe krejt
Letrat klasike e moderne. Përshtatja e një alfabeti modern të gjuhës shqipe,
për të zhdukur 40 variantet e alfabeteve që përdoreshin deri në atë kohë,
mbështetja e alfabetit të Shoqërisë “Bashkimi”, si dhe krijimi i
vazhdueshëm i neologjizmave mbi bazën e ligjeve të zhvillimit fonetik të
shqipes ishin këto detyra parësore, ku Konica dha kontribut të fuqishëm tek
mori për model gjuhën frënge, gjuhën e tij të punës, të cilën ai e njihte me
themel dhe e përdorte me bukuri të veçantë. Jo vetëm kaq, por ai depërtoi edhe
në hershmërinë e shqipes dhe hyri në polemikë me gjuhëtarë të huaj, si rumunin
Hasdieu, për të treguar se shqipja ka vendin e vet origjinal në familjen e
gjuhëve indo-europiane, pa kurrfarë prejardhjeje nga dakishtja a gjuhë të
tjera.
Është një mision i lartë fisnik i Konicës që zhvillimin e
gjuhës ai e pa të lidhur ngushtë me hapjen e shkollave shqipe, duke e shtruar
këtë çështje si kërkesë dhe nevojë urgjente për shoqërinë shqiptare, në një
kohë kur administrata turke dhe loja ballkanike antishqiptare punonin për
përhapjen në masë të gjerë të shkollave greke, serbe e italiane në Shqipëri,
vetëm e vetëm dhe si e si që të zhdukej gjuha shqipe dhe të asimilohej kombi
shqiptar. Ai bashkëpunoi ngushtë në këtë drejtim, në rrafsh të brendshëm e të
jashtëm, me tërë patriotët dhe rilindësit që aspironin dhe punonin për liri e
pavarësi, shtypi dhe botoi abetare e libra shqipe në shtypshkronjën e tij “Përlindja
e Shqipërisë”, ndër të tjera edhe Hartën e Shqipërisë, botuar për herë të parë
në shqip, si dhe “Kalendarin e Maleve”, që botohet këtu për herë të parë që nga
botimi i tij origjinal.
Polemist par
excellence, “polemist i penës”, siç thotë ai vetë, me logjikë të rreptë, të
ashpër e asgjësuese, me argumente historike, estetike, morale e shkencore, për
më tepër me ironi të goditur dhe gjithë nerv e impuls të fuqishëm, Konica i
shpalli luftë mediokritetit, sharlatanizmit, “turçëlisë”, mendjeve të mykura,
“honxhobonxhove, xhuxhubocëve e xhixhillimëve”, krejt kopukërisë, siç cilësonte
ai elementin retrograd e të prapambetur shqiptar, shërbëtorin lëpirës,
puthadorasin, pështirakun, servilin, që pengonin e frenonin “me mendësi
primitive” zhvillimin dhe përparimin e shoqërisë. Polemist po ashtu në plan të
jashtëm, sikurse shfaqet ai në faqet e kësaj antologjie, Konica nuk rreshti së
demaskuari synimet dhe planet e shteteve fqinje për copëtimin e kufijve të
Shqipërisë, duke e konsideruar çdo pëllëmbë tokë të saj të shenjtë, nuk e ndali
luftën kundër propagandës antishqiptare me kancelaritë, me revista në zë të
kohës, si La Revue des Deux Mondes
apo me tellallë të paguar nga qarqe të huaja. “Kush të shan një herë, shaje një
herë e gjysmë – A insulteur, insulteur et
demi”, përdor Konica shprehjen e vjetër frënge, në kuptimin e ligjit të
Talionit, dhëmbë për dhëmbë, duke i
nxjerrë ujë të zi gjithkujt që shan Shqipërinë e tij apo vepron në dëm të saj.
Dhe nuk mungojnë në këtë drejtim cilësimet për Turqinë europiane, duke tipizuar
vetë shtetet ballkanike në mënyrë mjeshtërore: “Rumania, – e urtë”; “Greqia, – urtësuar
me dajak”; “Serbia, – Mbretëri e Kafeneve të Bashkuara » ;
« Bullgaria, – Principatë e Kafeneve të Bashkuara » ; “Mali i
Zi, – kasolle e fshatrave malazeze » ; « Maqedonia, – shtet
inekzistent me shumicë dërrmuese shqiptare » ; dhe më në fund, vetë
Turqia, – shtet mongol, hordhi parahistorike e endacake e Azisë së
Vogël ». Por alarmi konician për kombin shqiptar në rrezik dhe drejt
zhdukjes me anë copëtimi është aleanca e sllavizmit (“sllavja
tartaro-serbe-malazeze”) me “grekajën” dhe “italianajën, apo primadonën
italiane”. Është e kuptueshme që, përballë këtij rreziku iminent, Konica të
zgjidhte aleaten e jashtme më të sigurt për Shqipërinë, që do të ishte gjatë
tërë kohës që botoi Albania-n
Perandoria austro-hungareze, vetë Austria. Dhe argumentet “pse pikërisht
Austria”, që derdhte “ergjendin” për çelje të shkollave shqipe dhe ndihmonte
lëvizjen nacional shqiptare për autonomi e vetëvendosje janë të shumta tek Albania dhe tek epistolari i gjerë i
Konicës me personalitete të larta austriake. Që më 1897 në fakt, Konica e
kishte parashikuar këtë rol përkrahës e mbështetës të Austrisë në zhvillimet
progresiste shqiptare, duke u lidhur me kancelarinë e Perandorisë
austro-hungareze, konkretisht me baronin diplomat Zwiedinek. Ai vlerëson
lidhjet tradicionale të Austrisë me Shkodrën, me shkollën franciskane,
mbështetjen e saj për fenë katolike, ndihmën financiare për propagandën dhe
botimet në gjuhën shqipe, si dhe kontributin e madh në fushën e gjuhësisë,
historisë dhe të filologjisë nga ana e albanologëve të shquar austriakë.
Por tehu i polemikës së tij në këtë vëllim – që ndjek
tërë intrigat e vendeve ballkanike, dhe që shkon nga “grekaja”, në kuptimin
“kopukëria e leadershipit grek”, te “sllavja” dhe te planet bullgare për
krijimin artificial të “Maqedoninë”, në kurriz të kombit shqiptar –, do të
drejtohet ashpër edhe kundër arbëreshëve apo shqiptarëve të Italisë, duke pasur
parasysh lojën e tyre për mbrojtjen e interesave italiane, lojë që shkon shumë
larg, deri te pretendimi për sundim të Italisë në bregun lindor të Adriatikut,
për aneksim dhe “bashkim” me “Italinë çizme”. Ai godet me artileri të rëndë
arbëreshët, që kërkojnë, sipas tij, të bëhen “primadona e propagandës shqiptare
gjoja në emër të mbrojtjes së interesave të Shqipërisë”, si dhe planet
aventureske të Ricciotti Garibaldit të Riut për “Federatën ballkanike”.
Sigurisht, Parimi i tij në polemikë, që ai e zbatoi me
përpikëri është se “e vërteta është përvëluese”, se “e vërteta nuk ka nevojë
për t’u shprehur me stil gjarpërues, të yndyrshëm të shkrimeve akademike”, nuk
ka nevojë për gjuhë me dorashka, me spërdredhje, me lulka apo me “fryrje
panaireske”, sipas fjalëve të tij. Dhe në këtë kuptim, ai shpall hapur që Albania e tij “nuk është shtëpi ku të
kurvërohen të vërtetat”. Përballë akuzës “i shitur”, tek cenohet rëndë në nder
- akuzë që edhe sot e kësaj dite e përdor ndonjë “xhuxh studiues” antikonician
nën ndikimin e diktatit ideologjik komunist -, Konica përdor tërë fuqinë e
argumentimit, logjikën e rreptë, por edhe ironinë e tij mjeshtërore për të
fshikulluar denigrimin, poshtërimin dhe mediokritetin, me sulmin e tij të
papërmbajtshëm verbal. “Të gjithë shqiptarët tashmë e dinë mirë se ne heqim
nga goja për t’i shërbyer një ideje, për t’iu kushtuar një vepre, ku humbasim
shumë dhe nuk kemi se ç’fitojmë për vetvete. Paska pra karabushë të tillë që as
e ndjejnë frymën krenare të revoltës dhe të lirisë që karakterizon fund e krye
revistën tonë”.
Dhe duhet thënë se polemika, politika dhe pragmatizmi
janë një trinom i pashpërbërë te Konica që përshkon krejt veprën e tij si një
fill i kuq, sidomos Albania-n, me
aftësinë e tij të veçantë për të qenë realist e objektiv, për të kapur me
nuhatje e largpamësi drejtimin e një evolucioni apo të një qëndrimi të caktuar
dhe për të bërë përpjekje drejt arritjes së një zgjidhjeje të kënaqshme, tek ka
përherë parasysh kompleksitetin e rrethanave, kohën e veprimit, forcat ndihmëse
e aleate, etj.
Në faqet e kësaj antologjie, me shumë interes janë, nga
ana tjetër, edhe qëndrimet e Konicës ndaj fesë dhe shtetit laik, çështjet për
ekonominë, sociologjinë, kulturën shqiptare, e sidomos vlerësimi që ai i bën
rinisë, si e ardhmja e Shqipërisë, të cilën e sheh të lulëzuar, të dhënë pas
punës e kulturës, me botëkuptim perëndimor të zhvilluar. Sepse Faik Konica,
ideator i Shqipërisë moderne, ngulmoi e punoi që rruga e përparimit të kombit,
me ligje dhe ekonomi të zhvilluar, me shoqëri të emancipuar e të kulturuar, të
shkojë përherë paralelisht me zhvillimin dhe forcimin e shtetit me të “drejta
njerëzore”, siç thotë ai për shtetin e së drejtës, me shoqëri civile e laike,
me harmoni fetare, si element bashkimi i kombit, me zhdukje të krejt
mentalitetit anadollak, për një botëkuptim të shëndoshë, të përparuar,
perëndimor e modern. Është kjo, kërkesa koniciane me vlerë përherë aktuale, që
qëndron në themel të kësaj antologjie shpalosur nën penën e tij për Shqipërinë
europiane, siç e donte i dituri dhe i ndrituri Faik Konica, i pagëzuar nga
Vatranët “Kampion i Përlindjes Shqiptare – Princ i Gjuhës Shqipe”.
Fotaq Andrea,
Janar 2025.
Portret
i Faik Konicës realizuar nga studioja
Harris
Ewing 20-gusht 1927.
Portret
i Faik Konicës nga piktori amerikano-polak Joseph Sigall, 1934.
Origjinali
i këtij portreti ndodhet në sallën qendrore të Federatës Pan-Shqiptare të
Amerikës “Vatra”, New York.
Artikulli
i parë i Faik Konicës 20 vjeçar me pseudonimin Tepeleni dhe
me
titull “Shqipëria dhe Turqit” botuar në një ndër gazetat kryesore parisiane
“La
Libre Parole,” më 26 dhjetor 1895.
Lazar
Taçi, Ilustrim me ngjyra të ballinës së revistës “Albania”,
përgatitur
nga artisti belg Paul-Ange Nocquet, mik i ngushtë i Faik Konicës.
Anastas
Kostandini (Taso), Faik Konica në Boston
me
kostum kombëtar, pastel 2015.
Faik
Konica është zbuluesi i flamurit të Skënderbeut.
Kartë
postale e botuar nga Faik Konica.
dërguar
Mis Edith Durham, e konsideruar nga shqiptarët si
“Mbretëresha
e Maleve të Shqipërisë”.
Kartë-postalja
është zbuluar në Arkivat e Londrës
nga
studiuesi Bejtullah Destani.
Albania
e Vogël, 1899-1903, gazetë shoqëruese e revistës Albania.
Nr.
19 i saj, 15 Tetor 1900, doli me dy tituj: “Shqipnia” a “Albania e Vogël”
dhe
botoi Thirrjen e parë të Ismail Qemalit drejtuar kombit shqiptar.
Ballina
e librit “Ese për gjuhët natyrale dhe gjuhët artificiale
të
Faik Konicës, alias Pyrrhus Bardyli,
Bruksel, 1904. Fotomontazh.
Ballina
e librit “Ese për gjuhët natyrale dhe gjuhët artificiale
të
Faik Konicës, alias Pyrrhus Bardyli,
Bruksel, 1904.
Foto
e viteve 1912-1913.
Dy
romane të Faik Konicës, “Martesa e Lejlës dhe “Sotiri e Mitka”,
shkruar
më 1909 dhe botuar më 1911 në Paris nga Aladro Kastrioti.
Zbuluar
e studiuar në dhjetor 2011 dhe botuar për herë të parë
në
nëntor 2016, nga F. Andrea.
Fan
S. Noli, Sotir Peci, Kristo Kirka rrethuar nga bashkëpatriotët, Boston 1908.
Misioni historik i Vatrës fillon me themelimin e saj, me 31 Mars 1912. Faik Konica dhe Kristo Floqi punuan për hartimin e Kanunores dhe Rregullores të Federatës Panshqiptare të Vatrës.
Delegacioni
shqiptar në Kongresin e Triestes, mars, 1913. Faik Konica pas Flamurtarit.
Purje
nga Aurel Kaculini, Botimet Jozef, Durrës, 2015.
Vatranë,
vitet 1920.
Delegatë
të Kuvendit të Vatrës më 1926.
Në
mes të këtyre delegatëve ndodhet fotografi me famë botërore shqiptari Gjon Mili
i
cili e ka shkruar këtu emrin e tij “John Toti Mili”. Në bazë të kujtimeve të
tij,
Faik Konica i propozoi në këtë kohë të ruante emrin e tij të origjinës “Gjon”
dhe
sot ai njihet me këtë emër: “Gjon Mili”.
Kujtojmë
se “Gjoni i Krujës” është edhe edhe vetë pseudonimi i Faik Konicës
te
dy romanet e tij në frëngjisht ” Marttesa e Leilës” dhe “Sotiri e Mitka”, 1909.
Faik
Konica në bibliotekën e tij në Mayflower, prill 1939.