Speciale » Andrea
Fotaq Andrea: Pena të arta franceze për shqiptarët - Ismail Kadare (1)
E enjte, 29.01.2026, 07:00 PM

Shkrime për Ismail Kadarenë nga libri ''Pena të Arta Franceze për Shqiptarët'' i autorit Fotaq Andrea
(1)
Robert
ESKARPIT
Robert
Eskarpit (1918-2000), shkrimtar i njohur, gazetar, sociolog e historian,
bashkthemelues i Shoqatës së Miqësisë Francë-Shqipëri, Kalorës i Legjionit të
Nderit, specialist i letërsisë angleze dhe autor i rreth 50 veprave, kryesisht
ese letrare, sociologjike e romane.
NJË SHQIPTAR PËRMBAN
GJITHË SHQIPËRINË
Çdo
vend ka të paktën dy fytyra, atë të legjendës dhe atë të vërtetësisë. Shqipëria
ka fytyrën që i japin sytë që e vështrojnë, por kjo fytyrë është përherë edhe
vërtetësi, edhe legjendë. Jep përherë pak më tepër, shumë më tepër se ç’i
kërkohet.
Vendosni
pushtimin në vështrimin tuaj dhe do të keni luftën e pamëshirshme. Vendosni në
të ngrohtësi dhe do të keni miqësinë më të pathyeshme në botë. Vendosni në të
mosbesimin dhe do të keni një gardist të kuq pas çdo guri, një polic pas çdo
dere, një mister të egër në kthesën e çdo rruge. Vendosni në të besimin dhe do
të ketë muzikë në tarracat e kafeneve të vogla të Tiranës, do të ketë ngjyrime
ëndrrash mbi qilimat e Korçës, do të ketë aroma të vjelash në rakinë e
Përmetit. Vendosni në të përbuzje, fyerje, mëshirë, dhe do të ndjeni të
rëndojnë mbi ju sy guri të ashpër të malësorit mustaqepërpjetë që gërryejnë
faqet e tij të mendueshme, tek tërheq fort mbi cigar të vet dhe ju gjykon, ju
zhvesh, ju shfryn të tërin, sikundër bën Ismail Kadarea me gjeneralin e tij
eshtrambledhës.
Ai
është atje që prej kohëve neolitike, kurrizmbështetur pas shkëmbit të vet, i
gatshëm të qëllojë me dyfek, me ushtë, me gur mbi gjithçka që vjen nga deti apo
që brenda grykave. Çdo shkëmb lind një të tillë dhe toka e thatë poshtë tyre
është e mbarsur me eshtrat e ushtrive ngadhnjyese që kanë pushtuar, robëruar,
torturuar, sakatuar, masakruar këtë popull, pa mundur asnjëherë ta mposhtnin e
ta shkatërronin. Është një popull i ngjashëm me gjuhën e vet, më e lashtë nga
ajo e heronjve të Homerit, depërtuar, njollosur nga të folmet e tërë pushtuesve
të saj, por e pacënuar në strukturat e veta. Në shqip, nga dy deri në pesë
numërimi bëhet sipas latinishtes së ulët, më tej sipas turqishtes, më tej sipas
sllavishtes, por një thuhet gjithmonë si para tremijë vjetësh.
Dhe kjo është e mjaftueshme : një shqiptar përmban gjithë Shqipërinë. Në romanin e Ismail Kadaresë, malësori Nik Martini që hap zjarr kundër gjithë ushtrisë italiane përhapur gjatë bregut ranor, është sa i vetëm dhe i panumërt.
Varrmihësi
plak Reiz, vrarë nga eshtrat e një armiku vdekur që prej njëzet vjetësh,
përfaqëson në vetvete dhimbjen e pamatë dhe zemërimin e pamatë të një populli
me histori tragjike.
Midis
këtyre dy vdekjeve të vetmuara, gjenerali që mbledh divizionet dhe ushtritë e
veta skeletike, ndjehet më i mundur nga paraardhësit e tij të luftës. Vallëzon
një kuadril* të çuditshëm midis
varreve së bashku me gjeneralin krahëcung të një ushtrie tjetër të vdekur, me
një politikan batakçi dhe një prift të dyshimtë. Nga ky vend mesdhetar, gjatë
dy vjetëve zhvarrimesh poshtë e përpjetë, ai nuk sheh veç baltërat e vjeshtës
dhe borërat e dimrit. Nëpërmjet kronologjisë së ashpër e dramatike të tregimit
të vet, Ismail Kadarea ia mohon atij pranverën, sikurse ia mohon buzëqeshjen.
Gjithçka fillon me shiun e me borën, gjithçka mbaron me erën.
E
megjithatë, buzëqeshja dhe pranvera janë përherë aty, pothuaj në çdo faqe.
Buzëqeshje humori e patrazuar, që sheh te armiku i dikurshëm një shtazë të
çuditshme, por pa e dërrmuar, që është madje e gatshme për t’u bërë e
përzemërt, mjaft që tjetri të japë shenjën e parë, buzëqeshje tepër njerëzore,
mbrujtur me guxim, ndershmëri, kujtesë të gjatë dhe durim të shkurtër.[...] Për
njëzet e pesë vjetorin e çlirimit të saj, Ismail Kadare i jep lexuesve francezë
një roman me përmasa botërore, gjë që tashmë është shumë, por që është edhe më
shumë, një roman që është vetë zëri i Shqipërisë mijëvjeçare duke u folur
njerëzve për shekullin e përtëritjes së saj.
Robert
ESCARTPIT, 28 nëntor 1969.
Parathënie
e romanit të Ismail Kadaresë
“Gjenerali i ushtrisë së vdekur”,
Botimet
Albin Michel, Paris, 1970.
Alain
BOSQUET
Alan
Boske (1919-1998), poet i njohur, gazetar, përkthyes, shkrimtar e kritik
letrar, Anëtar i Akademisë mbretërore të Gjuhës dhe Letërsisë frënge të
Belgjikës dhe i Akademisë së Letrave të Kebekut, ish Kryetar i Akademisë
evropiane të Poezisë në Luksemburg.
SHPIRTI I SHQIPËRISË
GJENDET NË POEZITË E SAJ
Çdo
ese filozofike apo letrare është një zotim. Çdo roman apo tregim është një
përzgjedhje. Çdo pjesë teatrore është një kontratë shoqërore. Si këtu, dhe
atje, zotërojnë vullneti dhe njëfarë objektiviteti. Po jo e njëjta gjë mund të
thuhet për poezinë : në çastin e kristalizimit, ajo rrok pavetëdijën.
Poema është kësisoj një e vërtetë mbartur nga mahnitja, dhe jo nga ndonjë
mendim i paraforumar. Një shpirt – për ta quajtur me emrin e vetë disi të braktisur
– shfaqet përmes saj. Andaj nuk e teprojmë po të themi e rithemi këtë mendim të
zakontë : shpirti i një populli gjendet në poezinë e tij, shumë më tepër
nga çdo formë tjetër e artit.
Shpirti
i Shqipërisë gjendet në poezitë e saj më të mira. Ky popull nuk është për ne më
i njohuri, as edhe më i studjuari : jemi ende shumë larg. Për këtë vend,
ne kemi njohuri ose të gabuara ose të copëzuara ose, në më të mirën e rasteve,
disi abstrakte. Shpesh, – dhe këtu e ndjej veten po aq fajtor sa të tjerët – ato
përmblidhen në ndoca përgjithësime, të forta, të thekshme, por pothuaj në skaj
të gabimit. Na duhet ta pranojmë. Për dikur, një tokë aty, buzë Greqisë, dhe që
i jepte kësaj një si tyftajë ajri të egër, qëndrueshmërie, fuqie të
ashpër : por të mjaftueshme për të korrigjuar drejtpeshimin e padurueshëm
helen dhe pretendimin e papërligjshëm të lumturisë së saj aq mirë të
profilizuar.
Për
Mesjetën, një heroizëm veshur me veprime verbuese, gjithë rreziqe të mëdha,
vrasje, nga ato që kryente verbazi mbarë Evropa : nga dëshpërimi në
dëshpërim, po shkohej drejt shprehjes së një individualiteti, që teksa
dërrmohej, rilindte sërish. Edhe më pranë nesh : sundimi i gjatë osman, me
vijimësinë e tij të mizorive e të qullepsjeve, me korrupsionin si vatër prehëse
e tiranisë, gjë që i lejonte popujt e shtypur të mbijetonin nën çizme : e
po mirë, të paktën kjo tirani s’pati kurrë peshën vendimtare të shfarosjes.
Lashtësia, mesjeta e turbullt, turqit : kur s’ke liri, ke te paktën lirinë
për të krijuar legjendat e tua. Të jetosh, a është vallë e vështirë ? Po
ja që jetoke edhe me epopera e bestytnira.
Gjatë
shekullit, pavarësia, tek paraqitej shpesh si një formë mjaft e varfër e
lirisë, gjatë së cilës Migjeni i madh mundi të
shkruajë : « Mjerimi punon ditë e natë ». Më në fund, republika
popullore, izolimi, shembulli i vetëm dhe transformimi rrënjësor i një kombi
stërvitur në kohën e tij, por i aftë për të jetuar në shekullin XV nëpërmjet
përfytyrimit, sikurse në shekullin XXI nëpërmjet shpresës. Satira, hutesa,
solidariteti i ngrohtë, ca marrëzi, një nevojë gati e përkujdesshme për të
thënë të vërtetën e vet qoftë individuale qoftë kolektive, a nuk është
pikërisht kjo që po na tregon sot Shqipëria nga natyra e saj e thellë ?
Mjaft të lëçitësh prozën dhe poezinë e Kadaresë për të bindur vetveten, prapa
tërë maturive : ah ! ajo maturi e gurëve të lashtë që nuk pranon
kollaj çdo lloj bari.
Sigurisht,
duhet vajtur në uzinë. Po poeti korrigjon : « Uzina e prodhimit të
vargjeve ». Sigurisht, duhet të zësh qoshen tënde në këtë planet të vogël.
Por poeti na paralajmëron që « Ta pastrojmë këtë planet ». U dashka
nënshtruar në kohën tonë ndaj tërë rreziqeve. Por poeti shqiptar na
siguron : « Radioaktiviteti s’do djegë endërrat e tua ».
Parathënie
e librit « Ismail Kadarea dhe
poezia e re shqipe », bot. frëngjisht,
P.J. Oswald, Paris, 1973.
Eric
FAYE
Erik
Faj (1963), romancier e tregimtar, një nga penat më të ndritura të brezit të
sotëm të shkrimtarëve francezë, që ka nisur të shkruajë që nga mosha njëzet
vjeç. I numërohen mbi njëzet vepra gjer më sot, esse, fiksione, tregime, ndër
to librat “Ismail Kadare – Biseda me Erik Faj” dhe “Ismail Kadare, Promete zjarrsjellës”, nga ku
është marrë teksti i mëposhtëm.
PREJ GURI E SHIU
Këta
personazhe arkitipikë integrohen në një ansambël të gjerë që mund ta quajmë Universi
Kadare. Vetë spektatori i magjepsur i Makbethit e i Hamletit i fut romanet
e veta në atmosferën që përfshin kështjellat e Skocisë dhe Danimarkës. Universi
Kadare dallohet nga konstante gjeografike e klimatike shumë të
theksuara : skeda e tij sinjalizuese na mëson para së gjithash se në të bie
jashtë mase shi. Shiu është te Kadarea një element pothuaj i kudogjendur. Shi i
ftohtë, që nuk bie në formë shtrëngate të fuqishme, por në mënyrë të rregullt,
të imët dhe monoton, gjatë një stine shumë të ztërgjatë, që nis në tetor për të
vijuar gjer në prill. Një dimër i madh përshkon romanet e tij, çdo rrebesh
është një faqe më vete e kthyer. Kjo stinë e gjatë njeh herë-herë faza
nxitimi : klima bëhet më e ashpër sa më shumë ngjitesh lartësive apo
depërton në Rusi. Por përgjithësisht, shi e mjegull mpleksen rreth personazhesh
të mësuar me atë fshikëz lagështie si londonezët me fog-un.
Rrallë,
shumë rrallë kam lexuar një shkrimtar që të ketë lënë në veprën e tij gjurmën e
peizazheve të veta të brendshme. Ismail Kadarea bën pjesë në atë rreth të
ngushtë autorësh, mendimi i të cilëve aq shumë përmban një « ikonografi
intime », sipas shprehjes së Zhyljen Grakut, saqë krejt shkrimet e tyre
nuk janë gjë tjetër veçse reflektim besnik e i përhershëm i saj. Pena e autorit
bëhet skllave e vegimeve të tij. Ekziston një territor i krijuar nga Ismail
Kadarea, sikundër që ekziston një Gracoland, si dhe një vend ku janë stacionuar
utopitë e Ernst Jüngerit, një zonë ku fryjnë erërat e Sent-Xhon-Persit. Kadaria
është një territor dimërimi ku janë strehuar njerëz të pamësuar me verën.
Periudhat verore që duken aty-këtu në veprën e Kadaresë (konkretisht te Daullet
e shiut* ) janë kohë pritjeje.
Në pritje të ardhjes së shiut, rikthimit të jetës ; sepse personazhi
kadarean është sisor jo i zakontë, ngaqë dimëron në verë. E ç’të thuash atëherë
për pranverën në veprën e tij. Faqet e rralla të Kronikës në gur që
përmendin stinën e ngrohtë paraqesin njerëz, një qytet të tërë, në topitje të
plotë. Është, ndër dy dimra të zgjatur, një rënie në koma.[...]
Pritja
e dimrit është paraqitur si jo më mirë
tek Daullet e Shiut. Shiu, a më mirë uji, është personazhi
kryesor i veprës, dhe është i pranishëm në krejt mendjet, i kërkuar me ngulm a
i parë me frikë. Ai është Uliksi, është një spektër që duhet të ribëjë shfaqjen
e tij. Çështja është kur konkretisht? Ai kushtëzon, për të rrethuarit, mbijetesën e
tyre, dhe mbërritja e tij përfundimare do të thotë dështim për osmanllinjtë. Me
një fjalë, ai është burim ngjarjesh, dhe për më tepër në këtë shtjellë
tregimore, ku ujët mungon aq mizorisht, Kadarea, nëpërmjet metaforave, krijon
mori detrash, përrenjsh e rrjedhash të tjera uji. Det të tërbuar, det të errët,
det të valëzuar, det të zhurmshëm ! Taborret kthehen herë në dallgë, herë
në lumenj të gjallë, herë në përrenj të rrëmbyeshëm. Njeriu ka nevojë për ujë,
gjer aty sa e rikrijon në përfytyrimin e vet ; pashai ëndërron për të, po
atë natë kur nisin e bien daullet e shiut, shenja e fundit…
Kur
shkrimtari përmend një territor si Saharaja, që i nënshtrohet diktaturës së
diellit, këtë e bën për të kujtuar para së gjithash, me nostalgji, kohën e
bekuar kur ka qenë një « mbretëri e pafundme pjellore e dikurshme ».
Shfaqja e thatësirës dhe e verës së përjetshme i kanë dhënë një goditje fatale
poezisë ; ylberët dhe vetëtimat, dukuri të volitura për metaforat, u
tërhoqën drejt Veriut :
« Njëri
pas tjetrit vdisnin shirat,
Dhe
iknin retë me karvane.
Si
ura që pas ikjes shemben,
Me
rrapëllimë ylberët ranë. »1
Kështu,
shiu shfaq forcën e vet në tërësinë e fushës hulumtuese të Ismail Kadaresë.
Është e vërtetë se shumica e romaneve dhe poezive të tij kanë për sfond vetë
vendin e tij, që dimër e vjeshtë bën pjesë në zonat më të lagështa të Evropës.
Më në fund, në qytetin e tij të gurtë, që është gjithashtu qyteti i shirave, ai
ka jetuar në një fshikëz mjegullnajash të ftohta dhe kreun e parë të kronikës
së tij e nis me fjalët :
« Përjashta,
nata dimërore kishte mbështjellë çdo gjë me ujëra, mjegull dhe erë. Duke futur
kokën nën jorgan, unë dëgjoja mbyturazi zhurmën monotone të pikave të shiut mbi
çatinë e madhe të shtëpisë sonë ».
Pikat
e shiut bëhen personazhe kryesorë në fillim të kronikës. Shkrimtari rrëfen
odisenë e tyre nga qielli drejt çative, pastaj në sterna, ku këto entitete,
duke u bërë të mendueshme, humbasin lirinë e tyre në ato kurthe që u ka ngritur
qyteti.
Nëse do pikturonte, me siguri Ismail Kadarea do pëlqente të mbetej në stadin e skicimit, apo të shprehej si impresionistët, duke shmangur konturet, duke kapur ndryshimet që i sjell natyrës moti i keq, duke u dhënë përparësi ndjesive në intelekt, aq shumë, në shkrimet e tij, shiu, mjegulla dhe përfytyrimi mjaft i veçantë zhdukin kufijtë ndarës midis reales e fantastikes. Atmosfera e Gjeneralit të ushtrisë së vdekur, e Dosjes H apo e Prillit të thyer është e ngjashme. Është ajo e një fundosjeje graduale brenda një stine që s’i duket fundi.[...]
Ismail
Kadarea nuk tregon veçse silueta në një dekor vegimor. Dhe nga ana tjetër, nëse
i vendos përgjithësisht romanet e tij gjatë « stinës së shirave », ai
parapëlqen po ashtu që fillimi i tyre të përkojë me mbërritjen e vjeshtës, apo
me mësymjet e fundit të dimrit në mars,
madje dhe në prill. Pas një kapitulli të parë kaluar në shtratin e verës
baltike në Dubulti, studenti shqiptar kthehet në Moskë nën shiun e fillimit të
vjeshtës dhe Muzgu i perëndive të stepës do të përpihet ngadalë nga
dimri rus. Po ashtu, gjenerali e nis misionin e vet në Shqipëri në mes të
vjeshtës dhe elementi klimatik luan aty rol mbisundues :
« Ishte
vjeshtë dhe shiu kishte kohën e tij. Gjenerali e dinte këtë. Para se të nisej,
kishte mësuar midis të tjerave edhe diçka për klimën e Shqipërisë. Ajo periudhë
e vitit ishte aty e lagët dhe me shi »1.
Kjo
as që e çudit gjeneralin, që gjithmonë ka menduar se misioni i tij mund të
kryet me sukses vetëm në kohë të keqe.
Çështja Doruntina po ashtu shpërthen në vjeshtë. Një kometë shfaqet në qiellin vjeshtor të Vitit të mbrapshtë që në faqen e parë. Dimri i madh fillon me një furtunë ekinoksi në shtator, Koncerti nis në mes të vjeshtës, ashtu sikurse Pallati i ëndrrave, në të cilin bie, që në faqet e para, e njëjta borë e shkrirë që pret gjeneralin në Shqipëri.
Një
admirim i tillë për stinën e rreshjeve do dilte jashtë rregullit shkrues nëse
disa romane do bënin përjashtim. Kamarja e turpit, Ura me tri harqe, Kronikë
e një qyteti të gurtë* fillojnë në mes të dimrit ose në fund të
stinës së keqe. Sido që të ndodhë, gjithmonë bëhet fjalë për periudhën e
shirave e të mjegullave, dhe aq shumë bie në sy një gjë e tillë, sa shkrimet e
Kadaresë shpesh shkrihen me ngjarjet që kanë ndodhur në stinën e ftohtë. Historia duket pronë e vjeshtës dhe e dimrit,
dhe vera, nga ky çast, përkon me një letargji ngjarjesuese. Në Nëntorin e
një kryeqyteti, shkrimtari paraqet çlirimin e Tiranës nga partizanët në
nëntor 1944. Muaji i nëntorit rishfaqet te Dimri i madh, me konferencën
e 81 partive komuniste në Moskë që vulos përçarjen e kampit socialist. Kur jeta
pra ngadalësohet në shumë vende me mbërritjen e shirave dhe të ftohtit, ajo
rilind në Kadari, për t’u shuar më pas në pranverë, stinë para së cilës
shkrimtari as përmallet, as mrekullohet. Një konceptim i tillë i ritmit të
jetës të kujton fjalët e asaj kënge të vjetër të ushtarëve zvicerianë,
përmendur nga Kadarea : « Jeta jonë është udhëtim nëpër dimër,
udhëtim nëpër natë ».1
Kadaria është përgjithësisht
një vend pafundësie e lartësie, lagur nga det, të cilin e përbuz me krenari,
sepse krijuesi i saj është sërish brenda diapazonit të bashkëpatriotëve të vet,
të cilët, gjatë gjithë historisë së tyre kanë jetuar në male, për t’u mbrojtur
nga pushtuesit që vinin nëpërmjet detit. Të rralla janë madje qytetet shqiptare
buzë detit, dhe është për t’u çuditur tek sheh, kur i bie përgjatë me anije
rivierës shqiptare, që shumë fshatra janë ngritur në faqe të maleve. Më 1939,
pushtuesit italianë zbarkojnë në brigjet shqiptare, dhe vetëm në këtë rast
Kadarea pranon të përmendë detin. Prifti që shoqëron gjeneralin në misionin e
vet ka, nga ana tjetër, në gojë fjalë therëse lidhur me këtë :
« Shqiptarët
janë si ato qeniet që i tremben ujit. Ata kanë qejf t’u qepen shkrepave dhe
maleve. Atje e ndjejnë veten të sigurtë »2.
Për
të gjithë këta malësorë, shpjegon Kadare, « e keqja dilte gjithmonë nga
deti dhe duhej shfarosur mu në breg të detit ».3 Në të kundërt, shpesh
shkrimtari përmend plazhet – në një roman si Muzgu i perëndive të stepës,
apo në shumë poema – por përgjithësisht këtë e bën për t’u tallur me detin dhe
për ta injoruar. Autori i poemave të tilla si « Plazh një mëngjes
vere » apo « Buzë detit » nuk mendon veç për rërën e dunave dhe nuk
shfaq gjë tjetër veç moskokëçarje për ujin ; në këtë përbuzje për detin,
« Dallgë », poemë e shkruar më 1959, gjatë qëndrimit në BRSS, bën
përjashtim, dhe nuk është veçse një anomali tek ai njeri shumë më tepër i
merakosur të zbulojë « Përse mendohen këto male ».
Shiu
kadarean bie, para së gjithash, mbi gurë. Kadaria është një vend djerr,
tërësisht mineral. Kuptohet që godinat janë aty të gurta, sipas shëmbëlltyrës
së vetë qytetit të lindjes të shkrimtarit, që ka frymëzuar fillimisht disa
pjesë të Gjeneralit të ushtrisë së vdekur, më pas novelën Qyteti i
jugut dhe Kronikë e qytetit të
gurtë. A mund të ketë vallë elementë më të ftohtë nga guri për t’ia
bashkëngjitur dimrit kadarean ? Kullat* e Prillit të thyer,
ura në ndërtim mbi Ujanën e mallkuar, sheshi ku është ngritur kamarja e turpit,
janë prej guri. Vetë Shqipëria i shfaqet kërcënuese dhe minerale gjeneralit, me
të mbërritur në tokën e huaj :
« Tokë
e pjerrët kudo. Pllaja të zymta që rrëshqisnin me shpejtësi poshtë mjegullës.
Në ato hone e pjerrësira dhe në gjithë rrafshnaltën dimërore, dergjej, nën shi,
ushtria që ai po vinte ta zhvarroste ».1
Guri
dëshmon fortësinë, pavdekësinë e gjërave. Në Stamboll, sheshi i kamares së turpit
të jep një përshtypje qëndrueshmërie « të paarritshme ». Alekasndër
Zotos2 vë në dukje se valët e
tërbuara të Ujanës së mallkuar nuk arrijnë kurrsesi ta tundëllojnë urën me tri
harqe, duke qenë se është e pajisur me një taban guri, ndërkohë që zakoni e
kërkonte të ishte prej druri gjer në atë kohë. Dhe, nga ana tjetër shënon ai,
shkrimtari nderon kësisoj mitin e qëndresës* , të asaj qëndrese të
Shqipërisë ndaj goditjeve të fuqishme të pushtuesve gjatë historisë së
saj : romakët, venedikasit, kryqëzatat, bullgarët e serbët, më pas,
osmallinjtë, austriakët, francezët, italianët, grekët e gjermanët… pa
përjashtuar më afër në kohë synimet hegjemoniste të jugosllavëve, sovjetikëve
dhe kinezëve. Më prozaikisht, Kadarea ka përfshirë në këto peizazhe të brendshme
ato të një Shqipërie malore, pastruar nga erërat dhe larë nga shirat. Kineasti
Kujtim Çashku ka ditur ta rikrijojë këtë Kadari në përshtatjen e tij të Prillit
të thyer. Por s’ka pse
gabojmë : Kadaria nuk është pikërisht Shqipëria. Është domosdo një
lëmë e Ballkanit, por rindërtuar sipas dëshirave të krijuesit të saj, zhveshur
nga cilësimet që do lejonin ta identifikoje përnjëherësh, me synimin që ky
territor të marrë një vlerë universale dhe një përmasë poetike, gjë që vetë
realiteti e përjashton : magjikja, fantastikja dhe ndjesia e një
pafundësie janë të dhënat e saj bazë.
Gjeografia
kadareane paraqitet disi sipas shëmbëlltyrës së Tiranës : pa tabela
sinjalizuese, pak tabela rrugësh, pa numra në dyert e banesave, pa plan
qyteti ! Universi Kadare është një labirint, ku rrallë e tek një detaj
lejon të orientohesh, krijon një iluzion. Kuptohet se kjo gjeografi e misterit
sundon para së gjithash në atë çka e quaja « vepra të përjetshme »,
në të cilat Ismail Kadarea jep krejt aftësinë e tij për të krijuar një botë më
vete, por nuk ndodh kështu në një roman si Dimri i madh, domosdoshmërisht
veshur me piketime kohore e gjeografike. Tek Kush e solli Doruntinën ?, e
vetmja referencë për në vend ka të bëjë me hanin e dy Robertëve, çelur nga
Kadarea për t’i shërbyer e për të strehuar një përmasë të konsiderueshme
personazhesh. E dimë që ngjarja zhvillohet në Shqipëri, por autori vendos një
pikëtakim për shpërqëndrim të lexuesit. Jo larg hanit, rrjedh Ujana e mallkuar,
mbi të cilën ka qenë hedhur në Mesjetë një urë guri. Hani dhe rrjedha e ujit,
ura që ajo përshkon, si dhe rruga e vjetër romake Egnatia bëjnë pjesë, së
bashku me trevën e Vlorës, ndër vendet kryesore që Kadarea ka dëshirë t’i
përdorë si skena. Këto qendra shfaqen si gjatë Mesjetës së hershme tek Kush e solli
Doruntinën ?, ashtu dhe në shekullin XIV tek Ura me tri harqe, në
shekullin XIX te Komisioni i festës, në fillim të shekullit XX te Viti i
mbrapshtë, më pas në vitet 30 te Dosia H. I përfytyruar, hani i dy Robertëve
nuk vendoset kurrë gjetiu përveçse në afri të një lumi, i përfytyruar
gjithashtu, dhe sikur ta ka ënda në këtë rast një farë loje, të themi, për të
gjetur vendndodhjen e tërë këtyre krijimeve të mirëfillta të mendimit, sepse pa
thënë asgjë asnjëherë, Kadarea lë piketa, madje kontradiktore. Tek Dosj a H, ai e vendos hanin e tij në qendër
të vendit.[…] Një përmendje e hanit tek Pallati i ëndrrave lejon gjithashtu të
përcaktohet vendndodhja e tij në Shqipërinë qendrore, por në të kundërt, një
frazë e Urës me tri harqe e vë në dyshim këtë orvatje të parë lokalizimi :
« Një murg venedikas që shkonte në Bizant solli lajme të tjera të këqia
nga baza e Vlorës »1. Duke e ditur që hani i dy Robertëve dhe ura e
Ujanës së mallkuar ndodhen gjatë kalimit të udhës së vjetër romake Egnatia,
mund të mendohet se itinerari i ndjekur nga murgu që prej Vlorës shkon disi
drejt Veriut, duke ndjekur rrugën Egnatia, që zinte fill nga njëra anë në
Durrës dhe nga ana tjetër në Apollonia, për të ngjitur luginën e Shkumbinit.
Kjo rrugë romake lidhte në fakt bregun shqiptar me Selanikun, më pas me
Bizantin, duke përshkuar fillimisht këtë luginë shqiptare, dhe ka shumë të
ngjarë që të lokalizohet këtu ura jonë, duke qenë se udha është e gjerë dhe e
rrafshtë në fillimet e veta dhe përbën rrethinat e Urës me tri harqe… Jemi pra
më së miri në Shqipërinë qendrore. Dhe ka pak ngjasë që murgu venedikas,
ndërkohë që vinte nga Vlora, të ketë përvijuar një kthesë të tillë nga ana e
Veriut, për të vajtur në Bizant ; andaj, hani i dy Robertëve duhet
vendosur më në jug, ndoshta në luginën e Drinos, i sheshtë dhe i gjerë në disa
zona, si rrëzë Gjirokastrës…
Lëçitja
e Kamares së turpit të bën të mendosh po ashtu se Ujana e mallkuar
ndodhet edhe më në jug. Pas rënies së Janinës, kryeqytet i Ali Pashës, kasneci
Tunxh Hata çon në Stamboll kokën e drejtuesit rebel të mposhtur, dhe ndalet
rrugës në hanin e dy Robertëve. Nëse do shënonim një vijë Janinë-Stamboll, do
vinim re se hani misterioz ndodhet edhe më në Jug, domethënë jashtë kufijëve të
Shqipërisë së sotme, dhe konkretisht në Epir. Vendngjarjet e përfytyruara të
Kadaresë janë pra të lëvizshme dhe, për nevojat e rrëfimit, mund të rrëshqasin
nga Veriu drejt Jugut, dhe për aq kohë sa shkrimtari e ushqen dhe mirëmban këtë
lëbyrje, lexuesi domosdo s’do shohë veçse vezullima flakadanësh. Por, a nuk
përbën vallë një nga kulmet e artit pikërisht krijimi i një gjeografie të
lakueshme sipas dëshirës, si një dekor teatror ?
Për të qenë të saktë, lidhur me Kadarenë, e mira do jetë të thuhet se bëhet fjalë për vende gjysmë-imagjinare. Shkrimtari ruan ndjenjën e masës dhe krijimi i mirëfilltë anashkalon realitetin, por një realitet përfshirë në mjegullnaja. As edhe një herë qyteti i gurtë, objekt i një Kronike të gjatë nuk është përmendur me emrin e vet, Gjirokastër. As edhe një herë, kështjella e rrethuar nga osmallinjtë nuk quhet me emrin e vet në Daullet e shiut. Pa ngurrim, mund të përmendet emri i Krujës, kryeqytetit të Skënderbeut, që i bëri ballë tri rrethimeve, të gjitha të drejtuara nga sulltanët. Bëhet fjalë në rastin e romanit për rrethimin e parë, duke qenë se Ismail Kadarea përmend në fund vdekjen e pashait para se të kthehej në Stamboll, sikurse ishte konkretisht rasti i Muratit II më 1450. Por, duke qenë kundër gjinisë së romanit historik, shkrimtari ia lë në këtë rast vendin fiksionit dhe simbolit. Kështjella, titulli origjinal i botimit në frëngjisht të Daullet e shiut, mund të jetë fare mirë, sipas përfytyrimit, Athina përballë Persisë, Tirana përballë Moskës, për më tepër që libri është shkruar në çastin e ndërhyrjes së Paktit të Varshavës në Çekosllovaki, apo menjëherë më pas. “Veprat e përjetshme” të Kadaresë janë shkruar në mënyrë të tillë që kurrfarë ashpërimi nuk e cënon dot mendimin (datë e saktë, vend i saktë), sepse kjo do cënonte atëherë karakterin e tyre universal.
* *
*
Kartografitë
e Kadarisë po ashtu shfaqen shumë pak të sakta përsa u përket vendeve të
përmendura në Kamaren e turpit. Ali Pasha i Tepelenës, para rënies së
tij përfundimtare, ishte i rrethuar në kryeqytetin e tij Janinën, por as edhe
një herë nuk përmendet emri i qytetit. Krahinat e përshkuara nga Tunxh Hata
midis kufijëve rebelë dhe qendrës së perandorisë nuk përmbajnë as ato emra, gjë
që është edhe më e logjikshme duke qenë se janë nënshtruar nga turqit gjatë
proçesit të “shkombtarizimit,” e barabartë me mohimin e indentitetit të tyre.
Maqedonia, e ndodhur faktikisht në itinerarin Janinë-Stamboll, u hamendësua një
çast në përbërje të këtyre zonave, andaj dhe kritikat ndaj librit nuk
munguan...
Kadarea
pëlqen po ashtu të mos ia përmendë emrin as qyteteve të tjerë (emri i qytetit
të Dosies H dhe i mikro-shoqërisë së saj groteske nuk jepet veçse me
inicialin N.), ndërkohë që nuk i mongojnë saktësitë lidhur me vende larg
aksionit, që na shfaqen apo përshkohen nga ana e personazheve; kështu për
malet, shpellat a parregullsitë e tjera të natyrës, apo për rrugët, të
zhveshura edhe këto nga emrat e tyre krahinorë, në mënyrë të tillë që i
shpëtojnë çdo orvatjeje për t’i lokalizuar në hartë. Një turbullsi e tillë bën
pjesë në Universin Kadare, ashtu sikurse vendet fiktive. Edhe këtu, në emrat që
u jep trojeve natyrore, ai shfaq peizazhe të përbashkët në shumë romane :
Lugjet e zeza përmenden te Dimri i madh sikurse te Prilli i thyer, ku
në një çast ecet nëpër “ rrugën e madhe që shpie drejt majave të mallkuara” (të
mallkuara po aq sa Ujana). Këto maja shfaqen periodikisht nëpër mjegullnajat e Dosies
H, ku përmendet gjithashtu emri i
Lugjeve të zeza, troje të mitologjisë shqiptare. Kadaria ngjason kësisoj me
Skocinë; malet aty shfaqen veshur me mjegullina, ngjasuese me fantazmat, dekori
ndjell shqetësim, dhe një ndjenjë tensioni vjen duke u rritur sa herë që kthen
faqet e librit. Do të ishte e mërzitshme të hartoje këtu një listë të përpiktë
të vendeve që përshkon mendimi i Kadaresë, por nëpërmjet saj do mund të vërenim
se sa e përzishme është vetë gjeografia e brendshme e shkrimtarit : Udha e
keqe, hani i vejushës së re, ose ato “shkorrije pa emër, apo që u ishte
harruar emri”1. Arrihet këtu në atë
çka e bën Kadarenë shkrimtar të veçantë, sepse Universi i tij nuk do mund të
ish krijuar nëse krijuesi nuk do kish pasur në vetvete një ndjenjë të
bashkëlindur të fantastikes, një pasion për pafundësinë dhe humbëtirën.
Mbretëria e tij është sa pa fund aq edhe e vogël. Të njëjtat vende rishfaqen në
intervale të rregullta, dhe personazhet i përshkojnë për javë të tëra (Prilli
i thyer, Viti i mbrapshtë), madje muaj (Gjenerali i ushtrisë së vdekur),
në atë shkallë sa hapësirat, të përshkuara nga mjete lëvizëse të ngadalta, mbi
udhë të vështira, duken të pafundme; veç në mos qoftë fjala për një vend
kuptuar si labirint, ku rikalohet shpesh në të njëjtat vende pa e vënë re.
Ismail Kadare ka krijuar kështu për armiqtë e Shqipërisë një territor
gjysmë-imagjinar, ku humbet si në Trekëndëshin e Bermudeve*. Viti i mbrapshtë
vë në skenë një plejadë të tërë bandash të armatosura që fundosen baltovinave,
humbasin, fshiken:
“Të
çorientuar nga zhvendosja delirante e francezëve, trupat austriake, që
ndodheshin jo shumë larg, bënë një ndryshim të papritur në marshimin e tyre
drejt Shqipërisë Qendrore, lanë një pjesë të qerreve me municione në llucën që
u doli befas përpara dhe, sikur të mos mjaftonte kjo, pikërisht në çastin kur
pas shumë mundimesh po e rrethonin më në fund gjysmën e bandave esadiste, u
erdhi urdhri të hiqnin dorë nga kjo”2. Gracka në të cilën
Kadare mbërthen pushtuesit e Shqipërisë kthehet kështu në farsë; grotesku
kulmon ndoshta te Gjenerali i ushtrisë së vdekur me atë kryqëzim
vajtje-ardhës të misionit italian me misionin gjerman, burim ngatërresash të
këndshme.
* *
*
Kjo
është e veçanta e artistit : që zëvendëson Perëndinë atypëraty. Shkrimtari
shqiptar, siç e pamë, e kthen rrjedhën e kohës dhe e kalon në një përmasë
tjetër, duke ia nënshtruar atë diktateve të veta, pa të cilat, për më tepër,
nuk do kish arritur atë terra incognita që çdo krijues kërkon të zbulojë
tek ai. Ai ka vënë kështu në lëvizje, sipas termit të Grakut duke folur për
Stendalin, “një epokë-vend tërësisht mënjanë kronologjisë sikurse gjeografisë”3, për të rigjallëruar
legjendat e Ballkanit, siç ka bërë Leo Perutz me ato të Pragës së tij të
lindjes, duke ia nënshtruar një aggiornamento-je në mënyrë që të mund
t’i transpozojë ku dhe kur dëshiron, qoftë edhe në shekullin XX në vende
identifikuar qartë, por që pak rëndësi ka : atmosfera dhe peizazhet, të dhënat
thelbësore të viseve që përshkon autori, të rikthejnë përherë në atë territor
fantastik, ku shtjellohen mjaft nga romanet e tij. Ujana e mallkuar, majat e
mallkuara, hani i dy Robertëve bashkohen në shpellën e Ali Babës së letërsisë
botërore me vise të tjera të
imagjinuara, nga abacia e Telemës së Rablesë tek Marina e Jüngerit.
* *
*
Disa
mendje të serta kanë kritikuar Kadarenë se nuk ka luajtur me karta të hapta,
nuk ka hyrë më herët në rebelim me regjimin, sikur tabela ligjesh misterioze të
vendoskan që shkrimtar i mirë, në Lindje, nuk na qenka veçse ai që niset për
kryqëzatë kundër sistemit në vend. Kundërshtimi kadarean shkon shumë më tej,
tek sulmon diktaturën e kohës, ashpërsinë e nocionit hapësiror, duke qenë se arti
kthehet para së gjithash në ushtrim rirregullimi të reales në të cilën
infiltrohet irealja. Shqipëria e fillimit të shekullit, dhënë për kullotë
fuqive të huaja dhe bandave të brendshme, ka njohur një gjendje të përafërt me
atë të Libanit të viteve të fundit, dhe i ka lejuar Kadaresë të vërë në veprim,
te Viti i mbrapshtë tërë aftësinë e tij, duke pikturuar një vend pa
kufij të qartë, pa ushtri kombëtare të denjë për t’u quajtur me këtë emër, pa
qeveri të respektuar, në territorin e së cilës fryjnë lirshëm katër erërat e
Evropës, që sjellin aromë baruti. Ai që e ka përshkuar sa gjatë-gjerë Kadarinë,
ruan kujtimin e një mikro-shteti që mund ta rrokësh me shikim në tërësinë e vet
që nga maja e një belvedereje. Lëçitja e veprës të krijon një përshtypje densiteti
letrar më të fortë nga hapësiror, sepse është në fakt një thurrimë e vërtetë
ndërkoneksionesh që lejojnë të kalohet nga njëri libër te tjetri. Numërohen jo
më pak se shtatëdhjetë pasarela që lidhin librat, nëse mbështetemi në tërësinë
e teksteve botuar në frëngjisht, duke shtuar këtu edhe Dasmën, datuar në
fund të 1990-ës. Ato zënë brenda një biblioteke hapësirën që ndan romanet nga
shoshoq. Paraqitur grafikisht në formë shigjetash që fluturojnë nga njëri
titull te tjetri, këto ndërkoneksione – vendngjarje të Universit Kadare,
legjenda të përbashkëta, skena apo personazhe të përbashkët – duket sikur
lidhin librat siç lidhen rrugët e qytezave të një mbretërie; tufë shigjetash
konvergojnë drejt disa titujve. Kështu Dimri i madh – por është përmasa
e romanit që ndikon në këtë konstatim – më pas Kamarja e turpit dhe më
pak Ura me tri harqe – shfaqen si qendrat nervore të Kadarisë, ku është
shumë e vështirë që t’u përcaktosh një kryeqytet. Pjesa më e madhe e
ndërkoneksioneve ndahet mes shumë romaneve, dhe nga kjo pikëpamje Kadaria
përmend më shumë një vend si Italinë apo Gjermaninë, ku bashkëjetojnë dy a tre
qytete me rëndësi të barabartë, sesa Francën, ku një kryeqytet imponon tiraninë
e vet. Ndoshta Kadarea është tashmë i mbrojtur nga rreziku për ta parë veprën e
tij përmbledhur në një titull të vetëm, siç është rasti, me të drejtë apo pa të
drejtë, për disa shkrimtarë të tjerë : Pastërnak/Zhivago, Selin/Udhëtimi,
rast kur, me peshën e vet, një tekst dërrmon pjesën tjetër të veprës në
kujtesën kolektive.
*
*
*
Nuk
ka as edhe një roman, as edhe një përmbledhje poemash të Kadaresë që të mos
lidhet me pjesën tjetër të veprës, ndryshe nga vepra e Balzakut, tek i cili
numërohen disa romane autonome (Shuanët, për shembull). Boja e Kadaresë
bëhet një gjak, i cili vadit gjithë pjesët e trupit pa dalllim, nëse mund të
krahasojmë në këtë mënyrë një vepër aq homogjene me një qenie. Tekstet e
ndryshme të Kadaresë përforcojnë shoshoqin dhe i japin çdonjërit ngarkesë
të madhe: këto pasarela përforcojnë të tërën sikurse betonarmeja një godinë.
Legjenda e murimit bashkon midis tyre Urën me tri harqe, Vitin e mbrapshtë,
Komisionin e festës, Dosien H dhe Kamaren e turpit.
Vetë
Kamarja e turpit lidhet drejtpërsëdrejti me Pallatin e ëndrrave
dhe mund të pritet që në të ardhmen, Kadarea të niset sërish nga një pjesëz
romani tashmë të botuar për të ndërtuar një tjetër. Kohezioni i veprës është
kështu rrëmbyes. Kadaria është një vend tërësisht i pavarur, por pa jetuar
megjithatë në autarki; ndërkoneksionet që lidhin veprën e shkrimtarit
shqiptar me trashëgiminë letrare botërore janë gjithashtu të shumta,
konkretisht në drejtim të Greqisë së lashtë. Këmbimet midis miteve dhe veprës
së Kadaresë janë, siç e kemi parë, thelbësore. Vepra e tij merr me anë
perfuzioni tërë lëngun organik të qytetërimeve të Greqisë së lashtë. Për më
tepër, vetë shkrimtari e vëren një gjë të tillë. [...]
Nuk
mund të mos vlerësojmë po ashtu edhe aspektin ludik të rrjetit të
ndërkoneksioneve të thurrura nga Kadarea. Ai ka ndërtuar të themi një botë si e
Herges, gjithë shkelje syri që çojnë nga një album te tjetri, duke përzier
imagjinaren me realen, duke fshehur realitetin nën emra të huazuar. Por ajo
ç’ka bërë Kadarea, e tejkalon të ndërmarrurit e Herges apo romancierë si Zola,
ngaqë ka krijuar, siç e pamë, një shkallë të kohës shumë të veçantë dhe ka
lëshuar pasarela nga një shekull tek tjetri. Libri është një mbështetës
material i papërshtatshëm për veprën e tij, që më shumë se çdo tjetër formon
një tërësi. Do duhej të shpikej një libër superior, me një konceptim
tepër elastik, disa segmentë të të cilit të mund të zhvendoseshin lehtë për
t’iu drejtuar vardarit të dy a tre teksteve dhe për t’i ndriçuar me dritën e
tyre. Por duke mos qenë një bëmë e tillë veçse një konstruksion i mendjes, na
duhet të vazhdojmë të kënaqemi së lëçituri Kadarenë nëpër libra të
mëvetësishëm, qartësisht të përcaktuar me një faqe të parë dhe një faqe të
fundit. Do na pëlqente të përfytyronim fushën zbatuese të një libri të tillë
tek një Balzak apo tek një Zolë nëse informatika, për shembull, do të mund ta
realizonte një ditë.
* *
*
Shfaqja
e personazheve nga një roman te tjetri – nga Dimri i Madh te Koncerti
– të kujton menjëherë veprën balzakiane, megjithëse Kadarea i drejtohet kësaj
mikro-shoqërie njerëzore vetëm për dy romane, fletë të një sagaje ndoshta të
papërfunduar mbi Shqipërinë bashkëkohore; Balzaku shqiptar megjithatë nuk ka
aspak për qëllim të konkurrojë gjendjen civile. Një përllogaritje e shpejtë
lejon të numërohen gjithë-gjithë rreth njëzet personazhe të rikthyeshëm. Ismail
Kadarea për më tepër nuk është se ngulmon për të na i treguar, ndryshe nga
Balzaku, të cilit i pëlqente të përshkruante me detaje veshjen e personazheve
dhe aspektet fizike të “trupës” së tij. A mund ta përfytyrojmë qartë se kush
është Gjergj Dibra? Ç’moshë ka ? A është i pashëm, esmer apo
kuqalash ? Shumë-shumë, shkrimtari mbjell sa këtu-atje ndoca treguesa, por
edhe kjo, paradoksalisht, sa për ta shtuar disi më shumë konfuzionin :
« Silueta
e Brikenës, e hollë dhe e derdhur për moshën e vet, u thye nga kuadrati i
portës »2.
Ç’moshë
ka Brikena ? Duke verifikuar elementë të ndryshëm, edhe mund të gjendet,
por krijuesi i mban të veshur me një vello misteri personazhet e veta. Ai e
lëshon projektorin mbi ta vetëm në raste të rralla, kur aspekti fizik kthehet
në kriter përcaktues : te Hua Guofeni, sepse ai vendos të përngjasojë me
Maon, koka e Ali Pashës, sepse ajo mbërthen shikimin e të gjithëve dhe
simbolizon pushtetin tiranik të perandorisë otomane. Personazhet e tij mbeten
përfundimisht pak të karakterizuar : ç’rëndësi ka qenia e tyre, janë
veprimet që i paraprijnë gjithçkaje. Humnerat e mendimit njerëzor i interesojnë
shkrimtarit sepse çojnë në veprime apo lejojnë të përcaktohen personazhet sipas
konstanteve të lartpërmendura. Si rregull i përgjithshëm, turbullsia që vesh
personazhet kadareanë bën pjesë në universin e krijuar nga shkrimtari njëlloj
si turbullsia në të cilën përfshihen vetë peizazhet e tij. Ashtu si nuk
përcaktohet saktësisht vendndodhja e urës te Ujana e mallkuar, po ashtu nuk
përshkruhet as Gjergj Dibra : janë në njëfarë Shqipërie, Kadarie, të
hijëzuar, që i përkasin njëfarë mjedisi ; gjithçka tjetër do të ishte e
tepërt. Nuk gjen pra te Ismail Kadarea kultin e detajit që të acaron apo të
magjeps tek Balzaku ; detaji thjesht ndihmon në lindjen e një klime
të përcaktuar, pa të cilën ai atëherë është i paqenë. Shkrimtari shqiptar nuk
merakoset fort për diametrin e një qiriu prej rrëshire dhe ngjyrën e tij, gjë
që, në të kundërt, i tërheq vëmendjen Balzakut. Kadarea shfaq haptas linjat e
mëdha të universit të tij. Ngjyrat, lëndët dhe siluetat janë kësisoj të
privilegjuara, por ai zgjedh një diafragmë të madhe në objektivin e kameras së
tij, vetëm e vetëm për të ruajtur të qartë një shirit të ngushtë nga realiteti, që shfaqet i rëndësishëm në çastin
e duhur. […]
“Ismail Kadare – Promete zjarrsjellës”,
Botimet
José Corti, Paris, 1991.
© Fotaq Andrea
© Zemra Shqiptare
* Lloj valleje në modë ne shek. XIX, me ekzekutime figurash të ndryshme.
* Titulli frëngjisht i romanit Kështjella të Ismail Kadaresë.
1 Ismail Kadare, Vepra Letrare 1, Tiranë, 1981, f.332.
1 Gjenerali i ushtrisë së vdekur, f.9, Vepra letrare 3, Tiranë, 1981.
* Titulli në frëngjisht i librit Kronikë në gur të Kadaresë.
1 Gjenerali i ushtrisë së vdekur, f.215.
2 Po aty, f. 139.
3 Po aty, f. 143.
* Shqip në origjinal.
1 Gjenerali i ushtrisë së vdekur, f. 10.
2 Parathënie e Aleksandër Zotos për Urën me tri harqe, botim frëngjisht i Garnier Flammarion, f. 43.
1 Ura me tri harqe, f. 128, bot. fr.
1 Prilli i thyer, f. 25.
* 300 ishujt e Bermudeve, arqipel britanik në Atlantik.
2 Viti i mbrapshtë, f. 299, “Ismail Kadare, Koha e shkrimeve”, bot. shqip, Tiranë, 1986.
3 Prust, pasuar nga Stendal, Balzak, Flober, Zola, shkruar nga Zhylien Grak, f.41, Edition Complexe.
2 Koncerti, f. 11, bot fr.










