E premte, 25.07.2025, 04:19 PM (GMT+1)

Speciale » Andrea

Ekskluzive nga Fotaq Andrea & Dritan Muka: Figura e Skënderbeut sipas një kompozimi në gravurë në vitin 1631

E enjte, 05.06.2025, 07:00 PM


Triptik – Pjesa e parë

Figura e Skënderbeut sipas një kompozimi në gravurë

në vitin 1631

- Skënderbeu dhe shtabi i tij – Trimi i mirë me shokë shumë

Ekskluzive nga Fotaq Andrea & Dritan Muka

I

Kohët e fundit, historiania amerikane e artit Louise Rice, profesore në New York University, falë studimit të saj « Kuptimi brenda kuptimit sipas një vizatimi të Jacques Stella-s »1 që ndodhet në muzeun Ashmolean të Oksfordit, ka arritur të zbërthejë, në mënyrë të meritueshme, një enigmë që ka tërhequr vëmendjen e historianëve të artit që prej gati katër shekujsh: kush personazh historik qëndron prapa figurës qendrore të vizatimit të piktorit të shquar francez Jacques Stella (1596-1657), realizuar gjatë kohës kur ai ka jetuar në Itali. Është fjala për një vepër artistike të vitit 1631, në përmasat 29,1 x 41,9 cm punuar kryesisht me teknikën pendë dhe lavis, apo ngjyrosje e lëngshme e të kafenjtës me guash të bardhë. Një princ - apo një mbret -, me shpurën e vet, shfaqet në një çast fushimi. Dhe, për nga vetë përkrenarja me kokën e dhisë përsipër, që ky personazh historik mban mbi krye, Louise Rice, me të drejtë, dallon që në fillim figurën e Skënderbeut, Heroit Kombëtar shqiptar.

Veçse, siç do vërejmë më poshtë, vëzhgimet e saj në disa rrafshe dhe në disa pista hulumtimi e çojnë studiuesen Louise Rice në konkluzionin se prapa figurës historike të një Skënderbeu “me veshje moderne” qëndron figura e lashtë e Pirros së Epirit(!) Një konkluzion ky për të cilin detyrohemi të shprehim rezervat tona që në fillim. Sepse, duke u përqëndruar në shumë elementë të tjerë përbërës të kompozimit të veprës, dhe sidomos në kontekstin historik të realizimit të saj, shohim këtu, para së gjithash e mbi të gjitha, përtej aluzioneve e analogjive, thjesht dhe vetëm figurën madhore të kombit shqiptar, Heroin tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeun.

Për më tepër që, pas analizës që i bën Louise Rice vizatimit të Jacques Stella-s, një tjetër historian bashkëkohor i artit, Sylvain Kerspern, vëren me të drejtë se, prapëseprapë, “subjekti i veprës mbetet enigmatik”2. Që do të thotë se ka vend për studim edhe më të thelluar, me zbërthime të mëtejshme elementësh përbërës, pra, me prurje të reja, të cilat ne do përpiqemi t’i parashtrojmë mbi bazën e skënderbegologjisë, si degë e rëndësishme e shkencave albanologjike.

Por le të shohim fillimisht më nga afër, në mënyrë të përmbledhur, vëzhgimet, analizat dhe përfundimet e studimit të Prof. Louise Rice, si dhe të dhënat e reja plotësuese të hulumtuesit dhe studiuesit francez Dr. Sylvain Kerspern.

Prof. Rice sheh pra, në këtë vizatim të piktorit Jacques Stella, “një mbret me oficerët e tij, mbledhur përpara një kampi ushtarak, paraqitur me veshje ekzotike që të bën të mendosh për një vend me përkatësi nga Lindja, por ndoshta edhe nga Perëndimi”. Në të majtë, qëndron flamur-mbajtësi, me shqiponjë shpalosur e të kurorëzuar, në të djathtë, në shatër në moshë të re tek mban para vetes një mburojë me emblemë, si dhe në plan të parë një qen që rend drejt një zone të pyllëzuar. Në të djathtë, shihen tre ushtarë duke kuvenduar dhe në plan të dytë, tumpetistë, që japin alarmin për mbledhje të trupave. Një shirit i shndritshëm në formë harku ylberor është i mbushur me personazhe të kapur dorëpërdore, duke u ngjitur drejt qiellit.

Si bën këtë paraqitje të elementëve kompozicionalë të vizatimit, Louise Rice jep një historik të përmbledhur të studimeve të para lidhur me këtë vizatim, dhe konkretisht:

“... I pari që ka bërë një interpretim serioz të përmbajtjes, thotë ajo, është ikonografi i madh francez Jean Seznec, i cili më 1954 sheh këtu një skenë të përqëndruar në Hungari; mbreti është Mathias Corvinus dhe shatri i tij është Ippolito d’Este”, domethënë nipi i mbretit hungarez. Dhe Rice që shton: “Veshja gjysmë-orientale e mbretit dhe e shërbenjësve të tij të krijon përshtypjen se ngjarja po ndodh në Hungari, kurse flamuri me shqiponjën bën aluzion për Ippoliton, duke qenë se shqiponja ishte emblemë e parapëlqyer e familjes Este...”.3 Veçse, kundërshton menjëherë Prof. Rice, teoria e Seznec nuk jep shpjegim për shumicën e aspekteve të tjera të vizatimit”. Për më tepër që nuk i përgjigjet realitetit të gjërave, kur në mburojën e shatrit nuk shfaqet as emblema e Mathias Korvinit, as emblema e familjes Este. “Dhe përse flamuri me shqiponjë mban mbi krye një kapë kardinali? – pyet prof. Rice, që vijon: “Përse (për më tepër), shfaqet në plan të parë një qen duke rendur? Dhe ç’përfaqësojnë, nga ana tjetër, figurat, burra e gra, në ngjitje drejt qiellit përmes një shiriti të shndritshëm?”4. Ja do pyetje, konkludon ajo, për të cilat studjuesi francez Seznec nuk jep kurrfarë shpjegimi bindës.

E njëjta gjë me shpjegime të pështjella ndodh edhe me historianin hungarez të artit Sandor Baumgarten (1864-1928), i cili kishte vërejtur më herët në këtë vizatim të Stella-s, një skenë që paska lidhje jo vetëm me historinë e Hungarisë, por edhe me figurën e veçantë të kardinalit Ippolito d’Este. Dhe çuditërisht, ai e sheh këtë personazh të realizuar te figura madhore e mbretit, si figura kryesore, dhe jo te figura e shatrit djaloshar! Domosdo që, për prof. Rice, edhe ky argument i Baumgarten bie poshtë si i pakuptimtë, tek shmang kësisoj të dy këto interpretime të para të gabuara të mesit të shek. XX mbështetur mbi “tematikën hungareze”.

Në këtë mënyrë, sekreti i vizatimit të Jacques Stella-s do të mbisundonte deri kohët e fundit, kur Louise Rice, më 2021, do të kërkojë para së gjithash të zbulojë arsyen themelore të realizimit të kësaj vepre. Dhe arsyeja, si për mjaft vepra të tjera të kësaj gjinie, qëndron në dukurinë e kohës: kur në Itali, por edhe në Francë, studentë që mbronin teza doktorale publike i ilustronin punimet e tyre shkencore me vepra artistike, shpesh me tematikë të huazuar nga Lashtësia, por edhe nga Orienti ekzotik. Shfaqen kësisoj në këto ilustrime elementë ikonografikë përkushtues, ku veçanërisht bien në sy emblema të figurave historike apo të familjeve të mëdha fisnike. Dhe në rastin tonë, kompozimi i Jacques Stella-s shfaq konkretisht emblemën e kardinalit Desiderio Scaglia (1567-1639), i njohur ndryshe me emrin Kardinali i Kremones.

(foto 2) Kardinali Desiderio Scaglia (1567-1639) dhe emblema e tij.

Nuk mungojnë elementët përbërës të kësaj embleme qoftë në shqytën e shatrit, qoftë edhe të shpërndarë në gravurë: konkretisht, qeni duke rendur mbi një pjerrësirë tokësore apo shqiponja me një krye, kurorëzuar me kapë kardinali dhe mbajtur nga katër engjëj ajërorë, mu në mes të ilustrimit. Këtë shpjegim të prof. Rice lidhur me emblematikën e tablosë së Stella-s e shohim mëse të drejtë dhe të mirargumentuar.

Veçse më pas, Prof. Rice do të kërkojë shtresëzimet kuptimore të elementëve përbërës të veprës artistike, duke lexuar vëmendshëm “kuptimet brenda kuptimeve”, siç e titullon ajo esenë e saj, duke u ndalur në detajet e shumta të kompozimit. Për studiuesen amerikane të artit, “detaji më i çuditshëm (apo i pazakontë), siç thotë ajo, është kurora e mbretit, një element gati i papërmendur në komentet e bëra rreth këtij vizatimi”. Pra, shkurt dhe saktë: vetë  përkrenarja me kokën e dhisë i zbulon prof. Rice figurën historike të Skënderbeut shqiptar! Me një dallim të dukshëm: që ajo sheh në këtë përkrenare “një kokë cjapi me brirë të gjatë” (!) Në fakt, jo një herë, ne, në analizat tona, kemi vënë në dukje se është e vështirë të përcaktohet me përpikmëri gjinia e kafshës falë brirëve të saj: është dhi apo është cjap ?!5 Por nga ana tjetër, shënojmë kalimthi se në heraldikë, zakonisht, dallimi i gjinisë bëhet këtu duke e paraqitur për shembull cjapin me brirë më të gjatë e të përthyer fort, madje edhe të rrumbullakosur një a dy herë rreth vetes, si në përkrenaren e Aleksandrit të Madh.

Rrjedhimisht, konkludon me të drejtë prof. Rice, shfaqet këtu “një kurorë (përkrenare) paraqitur krejt ndryshe nga ajo e mbretërve të Hungarisë a Polonisë, apo krejt ndryshe nga çfarëdo simboli tjetër heraldik brenda kufijëve të Perandorisë së Shenjtë germano-romake. “Dhe duket qartë, vijon ajo, se kemi të bëjmë thellësisht me një objekt të lidhur ngushtë me historinë heroike të një rajoni tjetër të Europës së Lindjes, konkretisht me Shqipërinë” (nënvizimi ynë F.A. & D.M.). “Sepse Stella - nënvizon Rice -, e ka modeluar atë kurorë mbi bazën e përkrenares të udhëheqësit të madh shqiptar të shekullit XV dhe mbrojtës i Europës kundër turqve osmanë Gjergj Kastriotit, i njohur më mirë me emrin Skanderbeg (1405-1468)”.

“Përkrenarja e Skënderbeut, si dhe dy nga shpatat e tij, shpjegon ajo, u çuan në Itali nga e veja Donika Kastrioti, dhe më pas u morën në zotërim nga arqiduka Ferdinand i Tirolit, një koleksionist i apasionuar armësh e armaturash, që i ruajti ato si objektet më të çmuara të tij në Scholss Ambras të Insbrukut, ku qëndruan deri në shpërnguljen e tyre në Vjenë në fillim të shek. XIX”. Ja një shpjegim i qartë e i bindshëm nën penën e prof. Rice.

Më tej, për të përforcuar tezën e saj, ajo i referohet drejtpërdrejt ikonografisë kastriotine të kohës së piktorit francez J. Stella, dhe vëren se nuk mungojnë assesi veprat artistike që paraqesin Skënderbeun dhe përkrenaren e tij me kokën e dhisë përsipër. Përmend kështu “Skënderbeun” e piktorit italian Giovanni Baptista Fontana (1541-1587), me gravurim të Dominicus Custos në vitin 1601, duke parë në këtë portret të Heroit shqiptar modelin që i ka shërbyer J. Stella-s për realizimin e veprës së tij.

Madje, me shumë mprehtësi, studiuesja amerikane vëren se këndi i paraqitjes së përkrenares së Skënderbeut te vepra e Custos, është po ai i përkrenares së vendosur mbi kryet e Heroit te vepra e Stella-s. Nga ana tjetër, Prof. Rice përcakton me shumë të drejtë si modelin më të përafërt të “Skënderbeut” të Stella-s gravurën e realizuar për Heroin shqiptar nga Hieronymus Henninges në veprën “Theatrum Genealogicum6, ku Gjergj Kastrioti nuk shfaqet me mjekrën e gjatë legjendare të Custos, por thjesht me mustak të rëndë, veshur me veladon të gjatë gjithë motive e thile, tek mban në dorë të djathtë flamurin shqiptar me shqiponjën dykrerëshe dhe në krahun e majtë shpatën në brez. Përngjasa e madhe e dy portreteve të Skënderbeut realizuar njeri nga Henninges (v.1598) dhe tjetri nga Stella (v.1631) e bindin prof. Rice të shohë këtu, pa kurrfarë dyshimi, të njëjtin portret të KryeHeroit shqiptar. Dhe me të drejtë (shih foto 9).

Pasi jep një përshkrim të shkurtër biografik të Skënderbeut dhe rendit vlerësimet për KryeHeroin shqiptar “si mbrojtës i guximshëm i kishës katolike romane dhe i kristianizmit europian në përgjithësi, cilësuar “tmerr i turqve dhe fshikullues i të pabesëve”, “kur vetë emri i tij, Iskander bey do të thotë lordi Aleksandër, ose më mirë Aleksandri i Madh”, Louise Rice kërkon të tërheqë vëmendjen se Skënderbeu, siç thotë ajo, “nuk ishte figurë mbretërore, as madje figurë princërore”, por thjesht një “prijës shqiptar” (!).7 Dhe, pikërisht, kjo zhbërje e papritur (me/pa paragjykim), kjo “rezervë” e saj, apo më mirë teza që ajo parashtron sipas së cilës “në Lashtësi nuk ka pasur një Shqipëri me emër të tillë, por as komb, as popull shqiptar”, (tezë plotësisht e kontestueshme dhe e qartësuar nga historiografia shqiptare), e bën studiuesen amerikane të kërkojë prapa figurës së Skënderbeut “kuptimin e kuptimit”, domethënë: Kush qëndron pas personazhit “Skënderbe”? Dhe përgjigja nuk do vonojë nga ana e saj, tek shprehet: “Rajoni njihej në Lashtësi me emrin e Epirit dhe kulturalisht e politikisht ishte i lidhur pas Greqisë, duke krijuar provincën më veri-perëndimore të vendit, kufirin gjysmë barbar të tij. Epiri, thotë ajo, qeverisej nga mbretër dhe më i famshmi syresh ishte Pirroja, që mbretëroi në vitet 297-272 para J.K., sidomos i njohur për luftërat që ndërmorri për të mbrojtur Magna Graecia-n kundër Romës grabitqare dhe ekspansioniste.”

Në këtë mënyrë, studiuesja amerikane e artit Louise Rice nuk bën gjë tjetër veçse njëjëson figurën e Pirros së Epirit me figurën e Skënderbeut, i bashkëngjit të dyja figurat, duke  përmendur madje edhe fjalët e njohura të Heroit shqiptar në letrën që ky i dërgon dukës së Tarentes kur i shkruan se ai (Skënderbeu) “udhëheq një racë njerëzish që zbresin prej tij”, (domethënë prej Pirros së Epirit). Dhe Rice nxiton të japë shpjegime të mëtejshme, sikur “vetë Skënderbeu ka porositur te armatori i tij përkrenaren me kokën e cjapit (dhisë)”, për të imituar, thotë ajo, përkrenaren e Pirros, që, siç shkruan Plutarku, njihej që larg nga luftëtarët e vet për kreshtën e lartë me brirët e cjapit.”8 Po ashtu, këmbëngul ajo, “fakti që të dy ishin mbretër të Epirit, të jashtëzakonshëm në artin e luftës, karakterizuar nga forcë fizike e pamatë, veshur me lavde e nderime, asgjë nuk mund të ilustrojë më mirë përngjashmërinë e Giorgio Castrioto të quajtur Skënderbe nga turqit me mbretin e lashtë Pirro”. Dhe konkludon: “... duke pasur parasysh tërë këto përngjashmëri e ndërthurje ideore, mbreti i paraqitur nga Stella nuk mund të jetë tjetër veçse Pirroja i Epirit”(!) – (nënvizimet tona). Tek argumenton: “Edhe pse mund të duket e çuditshme që artisti francez e paraqet këtu Pirron me veshje jo klasike, përsëri gjëja është e përligjur në pikturë, po të mbahet parasysh tabloja e Ferdinand Bol e vitit 1656 ku Pirroja mban në krye kurorën e tij mbi një çallmë të praruar” (!)9

Me një fjalë, Prof. Rice, në këtë rast, e tejkalon idenë e saj të njëjësimit të dy figurave historike, të Pirros dhe Skënderbeut, për të parë tashmë në këtë ilustrim artistik thjesht dhe vetëm Pirron e Lashtësisë!

Një konkluzion ky, siç vumë në dukje, aspak bindës, për të mos thënë për më tepër i gabuar, nëse ajo do kishte njohur edhe më nga afër historinë e Shqipërisë dhe të KryeHeroit të saj.

Nga ana tjetër, tërë shpurën shoqëruese të Pirros (Skënderbeut), ajo e sheh me kapa apo kokore të fantazuara, gjithë ornamente stolish e pendësh, për t’i paraqitur ata sa më ekzotikë e gjysmë-orientalë. “Por fundja, pranon ajo, pikërisht kështu europianët e Perëndimit i përfytyronin shqiptarët”.10 Dhe me këtë rast, nuk mungon të japë vlerësime historike për shqiptarët, të njohur për soldateskën e tyre mercenare “të egër”, kur mbushën - “të detyruar me forcë” thekson ajo, - radhët e jeniçerëve, apo radhët e kalorësisë së lehtë europiane, të njohur me emrin “stradiotë”, tek i shërbyen ushtrive të Europës me veshjen e tyre krejt të veçantë.

E detyruar kështu - falë elementëve përcaktues dhe dëshmues të vetë veprës së J. Stella-s - të “shmangë” njëfarësoj Lashtësinë e Pirros së Epirit, studiuesja Rice i përavitet ndrojazi, do thoshim, jehonës së kohëve post-skënderbegiane, kur fakti historik është se në Europën Perëndimore të shekullit XVI dhe në Turqinë osmane si një superfuqi e kohës u “shfaqën” dhe bënë bujë stradiotët dhe jeniçerët shqiptarë, drejtpërdrejt pasardhës të gardës elitare të Skënderbeut, ata që cilësoheshin në krejt Europën “Fiers comme des Albanais” (Krenarë si shqiptarët), siç është shprehur i pari Jean Marot, shkrimtari frëng i shekullit XV-XVI.11

Dhe jo vetëm kaq, por Prof. Rice, në esenë e saj shfaqet e prerë, kategorike, arbitrare në konkluzionin e saj: “Stella, pohon ajo - as më shumë e as më pak -, e ka pikturuar Pirron si një Skënderbe”(!), duke u dhënë madje edhe ushtarëve të tij pamje të orientalizuar si të mercenarëve shqiptarë. Me një fjalë, ajo sikur kërkon të “zbulojë” vetëm identitetin e një protagonisti mbretëror, atë të Pirros së Epirit, për ta shmangur, zbehur apo për të vënë në plan të dytë protagonistin kryesor të veprës, Skënderbeun! Dhe tërë kjo, gjoja me anë të metaforës dyfishe që ajo përdor nëpërmjet termave “kuptimi i kuptimit”. Gjë që e çon edhe më tej, tek mban parasysh qenin e Stella-s në qendër të vizatimit. Ky element - heraldik në vetvete - e nxit prof. Rice të parashtrojë si argument historinë e Pirros dhe të qenit të tij të zgjuar, rrëfyer nga Plutarku dhe Elieni, histori të cilën ajo e jep të plotë në esenë e saj: se si qeni i Pirros arriti të zbulojë vrasësit e të zotit të vet të mëparshëm (!)12.

(foto 6). Qeni i Pirros, Qeni i Perëndisë, Qeni në Statutet e Shkodrës.

Po ashtu, ajo mbështetet edhe tek elementi i dytë heraldik i tablosë: shqiponja në qendër të vizatimit, si dhe te shqyta e shatrit, kur nënvizon se edhe vetë Pirroja thërritej nga populli i tij me nofkën “shqipe”. Por pa harruar të nënvizojë nga ana tjetër se shqiponja me dy krerë ishte edhe në flamurin e luftës të Skënderbeut.

Duke përfunduar, studiuesja amerikane Rice nxjerr në pah edhe dy aspekte të tjera të veçanta:

Së pari, se kardinali Scaglia ishte domini-kan, i njohur si ndëshkues fajtorësh, nga ku emblematika dhe loja e fjalëve “Domini canis” (qeni i Perëndisë - i Zotit të Madh), simbolizuar me qen që mban në gojë një urë zjarri të ndezur flakë, tek shton se edhe “qeni i Pirros njohu dhe ndëshkoi vrasësit e të zotit të tij të mëparshëm, një subjekt më vete në këtë gravurë - vëren Rice -, që i përshtatet një kardinali me profil profesionist”.

Së dyti, Rice shpjegon rrugën diagonale, apo shiritin e shndritshëm me një mori personazhesh, burra e gra, që ngjiten në qiell, duke supozuar kështu se mund të jetë një devizë e Kolegjit Clementino, ku studion doktoranti i filozofisë që ka porositur vizatimin tek piktori Jacques Stella.

Kësisoj, prof. Louise Rice dekripton sipas mendimit të saj, një për një tërë elementët përbërës të vizatimit të piktorit Stella, për të dhënë “një histori klasike nëpërmjet një morali të virtytshëm”, duke bashkëngjitur te një “protagonist pagan” (Pirroja i Epirit) një kampion modern të Katolicizmit (Skënderbeun) dhe për ta pajisur tërë skenën me nënkuptime ngadhënjyese fetare. “Kujtojmë, thekson prof. Rice, se subjekti kryesor i vizatimit të Jacques Stella-s nuk është, në fund të fundit, mbreti Pirro dhe qeni i tij, por se subjekti kryesor është shenjuesi abstrakt i personit që nderohet nëpërmjet emblemës së tij – pra kardinali Desiderio Scaglia.” Një përfundim ky, të cilin ne, nga ana jonë, e marrim me rezerva në raportin abstraktja/konkretja: sepse, referenti fizik e konkret, pika apo strumbullari ku konvergojnë shumica e elementëve kompozicionalë është personazhi i lavdishëm shqiptar Skënderbe në një çast të duhur historik. Në fund të fundit, kujt i përkushtohet vepra është referenti formal apo abstrakt, njëra anë e medaljes, e shprehur me elementët e vet heraldikë; por ana tjetër e medaljes është, siç theksuam, referenti konkret, apo vetë përmbajtja e veprës në qëllimin themelor të saj: të shfaqë Skënderbeun shqiptar si një personazh të fuqishëm historik. Këtu qëndron edhe fuqia artistike e piktorit frëng Jacques Stella për të kombinuar, ndërthurur dhe pasqyruar tërë elementët kompozicionalë të veprës në një kontekst historik të paracaktuar qartë e të paramenduar më së miri.

Le të ndalemi, paksa përmbledhazi, edhe në studimin e dytë kushtuar kësaj vepre artistike të francezit Jacques Stella. Është fjala konkretisht për studimin që ka bërë Dr. Sylvain Kerspern – i cili, që në mars 2016, domethënë disa vjet përpara studimit të prof. Louise Rice, iu referua fillimisht kësaj vepre bazuar te katalogët ekspozues të Sylvain Laveissière - Lyon-Toulouse 2006, dhe të J.P. Thuiller, po më 2006.13 Sigurisht, edhe Dr. Kaspern do t’i drejtohej pikësëpari historianëve të artit Senzec dhe Baumgarten për të hulumtuar “drejt pistës hungareze” të interpretimit të tablosë. Por, pas vitit 2021, duke i njohur studiueses amerikane prof. Louise Rice të drejtën e zbulimit të sekretit të veprës së Stella-s nëpërmjet përkrenares së Skënderbeut, ai iu rikthye kohët e fundit për të dytën herë këtij vizatimi për të parë tashmë mjaft elementë të rinj përbërës të kompozimit.14

Në këtë mënyrë, ai e nuancon njëfarësoj konkluzionin e Prof. Rice, e cila sheh në mënyrë të prerë si personazh kryesor të tablosë vetëm Pirron e Epirit. Jo vetëm që ai do të ndalet më gjerësisht te figura historike e Skënderbeut tonë, por mbi të gjitha do t’i referohet ilustrimeve të njohura gravuriale të J. Amman (botuar më 1578), ku shfaqen tiparet e KryeHeroit shqiptar dhe veshja e tij karakteristike.15 E megjithatë, Karspern e mbështet prof. Rice kur thekson se “Është mëse e sigurt se rrëshqitja drejt luftëtarit antik (Pirros) do ketë bërë të mundur që historianes së artit [Louise Rice] t’i çelet rruga për të zgjidhur enigmën e subjektit lidhur me legjendën”.

Kësisoj, edhe Dr. Kerspern i përmbahet në njëfarë mënyre dualizmit apo binomit “Phyrrus/Scanderbeg”, njëjësimit apo shkrirjes së këtyre dy personazhve historikë dhe sheh tek piktori Jacques Stella “artistin që historizon heraldikën... “Domosdo, theksoi ai, subjekti ka të bëjë me artin e emblemës, por është mjaftueshmërisht i personifikuar e simbolizuar duke i çelur udhën shumë studimeve, kur të gjitha, deri tani kërkonin një përmbajtje narrative, e cila, me sa duket, falë mprehtësisë së Louise Rice, po arrin të shfaq dukshëm kuptimin e vet metaforik. Dhe këtu kuptohet, konkludon Kerspern, talenti i pamohueshëm i Stella-s për t’i dhënë formë, nëpërmjet një paraqitjeje të thjeshtë, një mendimi kompleks”.16

II

Duke u mbështetur në analizën dhe konkluzionet e studiueses amerikane Louise Rice dhe duke vlerësuar kontributin e saj të rëndësishëm në identifikimin e figurës së Skënderbeut paraqitur në qendër të gravurës së piktorit Jacques Stella, ne, nga ana jonë, të bindur që kemi të bëjmë drejtpërdrejt dhe vetëm me figurën e Heroit kombëtar shqiptar, e shohim të arsyeshme të ndalemi në disa elementë të tjerë të veçantë - dhe ende të patrajtuar -, të kësaj vepre artistike, duke i parë tërë elementët të lidhur organikisht mes tyre, me përmbajtje thellësisht shqiptare dhe aspak “metaforike”, “alegorike” apo thjesht “analogjike”, kur kemi parasysh mbi të gjitha të dhënat e shkencës së albanologjisë dhe më konkretisht të skënderbegologjisë.

Po ashtu, mbi bazën e katalogimit kronologjik që ne i kemi bërë ikonografisë skanderbegiane, sidomos asaj të periudhës klasike të shekujve XV-XVII, por edhe më tej deri në shekullin XX, vëmë re se tabloja kompozicionale e piktorit Stella përbën një pikënisje dhe burim prurjesh të reja me mjaft interes lidhur me paraqitjen e figurës së Skënderbeut në një kuadër tashmë mjaft natyror e të natyrshëm, përtej pozicionit klasik të portretit, tek e shohim Heroin tonë kombëtar të rrethuar nga shpura e tij kalorsiake, apo më konkretisht nga shtabi i tij udhëheqës. Andaj guxojmë ta emërtojmë këtë vepër ilustruese “Skënderbeu me shtabin drejtues - Trimi i mirë me shokë shumë”, në idenë madhore “bashkimi bën fuqinë”.

Të ndërgjegjshëm që tabloja na shfaqet në disa rrafshe të mbishtresëzuara, me elementë të shumtë kompozicionalë, theksojmë se ky ilustrim përbën - para së gjithash dhe për vetë kohën kur është realizuar - një risi apo një prurje artistike me rëndësi të veçantë madhore në ikonografinë kastriotine, dhe konkretisht për këto arsye:

Së pari, kemi të drejtë të pohojmë me plot gojën se tematika e përzgjedhur në këtë kompozim grafik të J. Stella-s është kryekëput shqiptare, aspak hungareze, polake a tjetër, aspak aluzive. Djali, apo “shatri” siç është cilësuar, që qëndron në krah të Skënderbeut, nuk është tjetër veçse djali i vetë KryeHeroit shqiptar, është Gjon Kastrioti II rreth moshës 11-12-vjeçare, qytetar nderi i Republikës së Venedikut.

(foto 7) J. Stella,  Gjon Kastrioti II në moshën 11-12 vjeçare. Skënderbeu rrethuar nga Shtabi i tij ushtarak

Rrjedhimisht, për nga vetë mosha e djaloshit (lindur më 1456), piktori Stella shfaq përafërsisht periudhën kohore 1467-1468, apo, të themi, vitin e fundit të jetës së Skënderbeut. Ndalet posaçërisht në këtë periudhë historike për ta veshur me lavdi Gjergj Kastriotin, duke rikujtuar e rikurorëzuar kësisoj Bëmën e tij heroike, kur për një çerek shekulli me radhë ai luftoi pareshtur hordhitë osmane, ushtri të tëra mbi 100 mijë vetëshe udhëhequr nga dy sulltanë, Murati II dhe Mehmeti II, të cilët i theu me dorë të hekurt. Jacques Stella, për mendimin tonë, ngre fuqishëm në piedestal Heroin Kombëtar Shqiptar cilësuar “Atlet i Krishtit”, “Mbrojtës i Europës”, që do komandonte madje edhe kryqëzatën e krishterë kundër Turqisë osmane, superfuqisë së kohës, e cila prej dekadash, po kërcënonte Europën mbarë. Thelbi i përmbajtjes së këtij kompozimi është kësisoj lavdia skanderbegiane, jeta dhe vepra e Heroit shqiptar si shembull frymëzimi i qëndresës së krishterë ndaj Turqisë ekspansioniste të fillimit të shekullit XVII, e cila, përherë e më shumë vazhdonte agresivitetin e vet ndaj Perëndimit, duke shënjestruar qendën e Europës, Vienën17.

Së dyti, nëse piktori Stella vendos në krahun e djathë të Skënderbeut djalin e tij, nuk kemi të bëjmë këtu me një rastësi: djaloshi kastriotin shfaqet si një element i ri, që simbolikisht përfaqëson të ardhmen dhe vazhdimësinë e Bëmës së t’Et. Dhe jo më kot Stella i vë në duar armët e kohës, shqytën dhe shtizën sëpatë, në idenë se të tërë, të rritur e të vegjël janë të armatosur, janë të bashkuar si një trup. Po ashtu, shohim që djaloshi me leshra të gjata mban në qafë një gjerdan me rruzuj (ndoshta ari a argjendi), dhe në krye jo kapë, por një biçim kurore metalike, dy elementë këto që dëshmojnë njëfarësoj për origjinën e tij princërore dhe aspak të një “shatri” të thjeshtë, siç u ka pëlqyer studiuesve të kësaj vepre.

Prania e Gjonit djaloshar në këtë skenë të fantazuar e shkëput krejt tablonë nga çdo lloj alegorie lidhur me Pirron e Epirit. Është njëfarësoj vetë Skënderbeu që prezanton të birin si pasardhës të shtetit të tij të Arbrit, por edhe përpara vetë Historisë. Në këtë mënyrë spostohet, do thonim, qendra e analizës studimore, nga qeni në qendër të tablosë - ku Louise Rice merr shkas për të përmendur historinë e qenit të Pirros së Epirit -, te djaloshi Gjon Kastrioti II, figurë po aq qendrore në tablo sa dhe vetë Skënderbeu, strumbullari i krejt kompozimit.

Në fakt, pak është folur në historiografinë skanderbegiane për Gjon Kastriotin II në periudhën e tij adoleshente si “Qytetar Nderi i Sinjorisë”. Ky nuk ishte një titull formal, thjesht me karakter garancie për jetën e tij. Por ishte në radhë të parë titull funksional, në kuadër të marrëdhënieve komplekse të Venedikut me Skënderbeun dhe shtetin e tij të Arbrit. Siç dihet nga Historia, ka pasur jo pak raste mbretërish në moshë adoleshente dhe përgjithësisht, kjo moshë nuk përbënte aspak pengesë në veprimtaritë drejtuese, politike a diplomatike të të rinjve adoleshentë, me misione të caktuara, kur prapa tyre qëndronin sigurisht edhe këshilltarë të posaçëm, tutorë, etj. Në rastin konkret, kryepeshkopi Pal Engjëlli do të ishte mëse i pranishëm në krah të djaloshit Gjon Kastrioti II në lëvizjet e tij të herëpasherëshme, si përfaqësues i t’Et në Venedik apo Raguzë. Prof. Luan Malltezi ka vënë në dukje se “Në tetor [1467], Skënderbeu dërgon në Venedik Gjon Kastriotin (të birin) dhe Pal Engjëllin për të kërkuar që t’i dërgoheshin ndihma ushtarake e financiare, si dhe të furnizohej Kruja me rezerva ushqimore”.18 Po ashtu, në veprën “Raguza és Magyarorszag19, një dokument i 15 dhjetorit 1467 nënvizon se djali i Skënderbeut me 30 kalorës po kthehej nga Venediku për në atdhe nëpërmjet Raguzës dhe se caktohej Rektori së bashku me Këshillin e ngushtë të merrnin masa për të emëruar dy të dërguar të posaçëm që ta prisnin djaloshin kastriotas me nderim dhe të kujdeseshin për mbarëvajtjen dhe ushqimin e shpurës.20 Gjon Kastrioti II shfaqet kështu në tablo në krah të t’Et si një personjazh real historik, gjë që dëshmon se Stella e ka njohur nga afër Historinë dhe Bëmën e Kastriotit të Madh.

Së treti, krejt trupa shoqëruese, vendosur mbi një kodër, dhe që ka vënë në mes Skënderbeun me të birin, shfaqet me madhështi fisnikërore jo vetëm në qëndrimin e tyre hijerëndë e krenarë, grusht-bashkuar rreth Heroit për ta ndjekur atë pas gjer në fund, por edhe me veshjet e tyre karakteristike, ku bien në sy sidomos kapat apo mbulesat e kryeve, veç manteleve dhe armëve që mbajnë mbi trup. Nuk ka si të mos dallojmë mes tyre kapelen shqiptare apo albanojën, me/pa majuc, për të cilën kanë folur mjaft kronikanë të kohës.21 Domosdo, vërehen në kompozim edhe kapa të tjera me forma të çuditshme, zbukuruar me tufë pendësh (panache) apo me shirita mëndafshi. Është i njohur në këtë drejtim në ikonografinë kastriotine portreti i Skënderbeut me kapën zbukuruar me pendë struci botuar në veprën “Icones Diversorum” në vitin 1591, pra katër dekada më parë se kompozimi i piktorit Stella22 (shih foto 14). Por, mund të themi pamëdyshje se Stella, sikurse mjaft piktorë bashkëkohorë, mpleks qëllimisht në tablonë e tij veshje me stile të kohës, sidomos te kapat. E bën këtë për një paraqitje sa më ekzotike të personazheve, duke i dhënë një ngjyrë disi orientale krejt kompozimit të tij, gjë që e shohim të shfaqet jo vetëm te disa mbulesa të kryeve në formë çallme, por edhe te vetë simboli i gjysmëhënëzës mbi shatorren kryesore të fushimit të ushtrisë, paraqitur në sfond.

Veçse, duke u përqëndruar tek personazhet fisnikë arbër që kanë vënë në mes Kapedanin e tyre, si dhe në fizionomitë që paraqesin, shohim të na shfaqen mosha të ndryshme, nga krerë të moçëm deri tek më të rinj. Kemi të drejtë të mendojmë se ndodhemi këtu përpara “Shtabit drejtues të Skënderbeut” në një çast fushimi të ushtrisë së tij. E në këtë rast, mendja na shkon te fisnikët kryesorë arbër që Skënderbeu i bashkoi me dorë të hekurt më 1444 në Besëlidhjen e Lezhës, të quajtur gjithashtu “Kuvendi i Krerëve Arbër”, ku ishin të pranishëm Gjergj Arianit Komneni, Andre Topia, Pal e Nikollë Dukagjini, Lekë Dushmani, Lekë Zaharia,  Pjetër Spani, Gjergj Stresi, Teodor Muzaka, etj. Dhe Kapedani apo Kapiteni i tyre nuk do të ishte tjetër për 25 vjet me radhë veçse Gjergj Kastrioti Skënderbeu, që njihte me përpikmëri e mjeshtëri artin e luftës dhe cilësohej “Trim mbi Trimat”.

Nga ana tjetër, gjithë këta fisnikë e prijës arbër – nëntë personazhe, ku bie në sy figura e flamurmbajtësit – i shohim të bashkuar si një trupë e vetme, si një entitet apo bashkësi e plotë politike-ushtarake, që në zanafillë do të përbënte bërthamën e fuqishme të shtetit të parë arbër në Histori, të Albanisë së ardhme ekzistenciale, tezë e hedhur poshtë fatkeqësisht nga prof. Louise Rice, siç e vumë re gjatë studimit të saj. Tek shohim tërë këta krerë kreshnikë përreth KryeHeroit, të vendosur në plan të parë të tablosë, shfaqet në dritë të diellit jo vetëm ideja madhore e qëndresës historike shqiptare kundër hordhisë osmane, por edhe ideja po aq madhore e dashurisë për trojet arbërore, e më tej për vatanin e kombin, në kuptim edhe më të gjerë etnik, si një formacion i plotë politik kombëtar. Në këtë dashuri, që forca e gjuhës shqipe e shfaq me dy termat e saj të barasvlefshëm mëmëdhe e atdhe, konvergojnë krejt vullnetet e bashkuara të krerëve arbër si një forcë e vetme dhe e gjithfuqishme që asgjë nuk e ndal dhe s’ka si ta ndalë. Buthton e lulëzon këtu edhe ideja e një populli të tërë të bashkuar, pa kurrfarë dasie që, në emër të lirisë kombëtare, i shkon pas kapedanëve të vet, dhe që shfaqet simbolikisht në tablo tek një ushtri në çast fushimi, para një sulmi rrufe.

Që kemi të bëjmë për më tepër në tablo me një shtab luftarak, dëshmojnë edhe grupet e truprojave me kapa albanojë vendosur në lartësi për të vrojtuar lëvizje të mundshme të armikut. Po ashtu, shatorrja e madhe në qosh të tablosë dëshmon për ushtrinë e përhershme të Skënderbeut prej 15 mijë luftëtarësh të regjur, që luftonin për mbrojtjen e trojeve arbërore, duke pasur për aleat jo vetëm malësinë e Krujës dhe malet e Shqipërisë, por edhe pyjet e dendur në fushat e Tiranës, Fushë-Krujës e Mamurrasit,23 nëpër të cilat ata njihnin tërë shtigjet dhe manovronin bukur për të zënë në befasi armikun dhe sidomos prapavijat e tij. Do të ishte po kjo ushtri dhe krejt garda e Skënderbeut që, pas vdekjes së tij, do të përhapej dhe do të përbënte, e detyruar – siç pohon vetë Louise Rice –, jo vetëm ajkën e jeniçerëve sulltanorë, por sidomos ajkën e Kalorësisë së lehtë europiane dhe të gardave perandorake e mbretërore në mbarë Europën perëndimore, nga Spanja deri në Vendet e Ulta e më tej. “Skënderbeu, ka thënë Fan Noli, ka qenë pa dyshim komandant i madh dhe meriton të çmohet lart për kryqëzatën e tij heroike kundër turqve, por s’duhet harruar se edhe ushtarët e tij kanë pjesë në këto merita”.24

Në këtë mënyrë, vërejmë në tablo se të dy krahët e kompozimit artistik në plan të parë janë mëse të baraspeshuara në personazhe, duke na shfaqur figura të gjalla arbërish, për t’ia lënë vendin ballor e qendror elementëve hieraldikë e simbolikë, engjëjve, e më tej shiritit të shndritshëm apo udhës së jetës së amshuar drejt parajsës së premtuar me mori personazhesh në miniaturë, burra e gra, që ngjiten në qiell. Tërë këta elementë, për mendimin tonë, shfaqen njëfarësoj në rrafsh dytësor a tretësor, dhe nuk përbëjnë thelbin e tablosë.

Së katërti, për herë të parë në ikonografinë kastriotine, kjo tablo e francezit Jacques Stella na e shfaq Skënderbeun më 1631 me përkrenaren e tij emblematike mbi krye, dhuratë e shenjtëruar nga Papa Pali II më 1466. Është një risi tepër e veçantë, po të kemi parasysh se deri në atë kohë, në artet figurative, përkrenarja e Skënderbeut vendosej në tokë, pranë këmbës së tij, si një element në plan të dytë, për të lartësuar krahun e fuqishëm të Skënderbeut me shpatën e tij shndërruar në legjendare. Kujtojmë këtu shprehjen e famshme të Skënderbeut në letrën drejtuar sulltan Mehmetit II, “të dhashë shpatën, por jo krahun”. Shumë shpejt që nga ajo kohë, dhe sidomos me idenë gjeniale të Stella-s për ta vendosur këtë helmetë mbi krye të Skënderbeut, shohim në ikonografinë kastriotine se kjo përkrenare do zërë vendin e saj të merituar. Të merituar sepse, në zanafillë, kjo përkrenare duhet të ketë pasur domosdo përdorim funksional, e bekuar siç ka qenë nga Papa, (nënvizimi ynë) e dalë nga duart e artizanëve artistë të Vatikanit. Ishte pra një përkrenare nderi dhe nderimi bashkë, simbol i shenjtë krishtërimi i vetë Papatit. Dhe përtej funksionit të saj të mbrojtjes së kryeve, kjo përkrenare do të na shfaqet më pas edhe si një element i fuqishëm e i veçantë identifikues, që vetëm Skënderbeu ynë e ka mbajtur me krenari, dhe askush tjetër. Nuk ishte assesi një “lodër” papale, kur sot, ajo përkrenare, “e zvetënuar” nuk futet dot as në kokën e një fëmije! Nuk ishte as e porositur nga vetë Skënderbeu, siç shprehet Louise Rice, për t’i përngjasuar Pirros së Epirit. Historia dëshmon qartë në këtë drejtim me dokumentacionin e duhur bashkëkohor.

Kësisoj, përkrenarja mbi kryet e Skënderbeut të Jacques Stella-s do të zinte tani e tutje një vend parësor, po aq sa dhe shpata e tij legjendare dhe, me kohë, ajo do të shfaqej si element heraldik i mëvetësuar. Stella, me këtë tablo të tij, ka meritën e padiskutueshme se është i pari piktor në rang europian që e vendos përkrenaren me brirët e dhisë mbi kryet e Skënderbeut. Sigurisht që ai e bën këtë për sa më shumë ekzotizëm. Sigurisht që kërkon me ngulm të tërheqë sa më shumë vëmendjen tek një personazh i veçantë ballkanas, tek Heroi i Shqipërisë, një vend që ndodhet brenda Europës, pranë gadishullit Apenin dhe republikave italiane, të cilat vazhdimisht kërcënoheshin me pushtim nga Perandoria osmane, për hegjermoni tokësore e detare.

Nga ana tjetër, duke u shkëputur nga përkrenarja, dhe duke u fokusuar në fizionominë e Skënderbeut të Stella-s, vërejmë po ashtu se kemi këtu një dallim të dukshëm nga portreti klasik i Heroit tonë, që na shfaqej kryesisht me profil nga e majta: këtë radhë, te Stella, Heroi ynë na paraqitet me pamje treçerek djathtas, pa mjekrën e tij të derdhur karakteristike, por vetëm me mustak të gjatë e të përveshur, me faqe, nofull e mjekër të mirëdukshme, portret i cilësuar, për nga pamja e veshja, i “stilit hungarez” të shekujve XVI-XVII. Dhe kjo paraqitje e ka një arsye të thellë në konteksin e vet të caktuar historik. Ja pse historiani hungarez i artit Sander Baumgarten hulumtoi drejt “pistës hungareze” për zbërthimin e përmbajtjes së tablosë të Stella-s: ai u nis thjesht nga paraqitja e personazheve historikë hungarezë me mustak dhe “nga kapat me pendë të këtyre personazheve”, siç shprehet studiuesi Sylvain Kaspern.25 Por, pa mundur të gjithë këta studiues të identifikojë te tabloja e Stella-s kapelen shqiptare albanoja, siç vumë tashmë në dukje. Dhe, që jemi kokë e këmbë brenda tematikës shqiptare, këtë e shpreh më së miri për herë të parë ilustrimi Georgius Castriotus, gravurë në dru, botuar në Theatrum Genealogicum, më 1598, të cilin e nënvizon edhe vetë Louise Rice (foto)26. Kemi këtu kështu një paraqitje tepër të veçantë të Skënderbeut në “stilin hungarez”, pra thjesht dhe vetëm me mustak. Dhe po ky “stil hungarez” i portretit të Skënderbeut do të shfaqet edhe herë të tjera, deri vonë te ilustrimi i tragjedisë të Thomas Whincop “Scanderbeg, or Love and Liberty” i vitit 1747. Veçse, dy elementë thelbësorë na shfaqen në përqasjen e “Skënderbeut” të Theatrum Genealogicum me “Skënderbeun” e Stella-s, pa i rënë në sy Rice:

(foto 10) J. Stella, Albanoja, Kapuçi shqiptar me majë.

te Theatrum, Skënderbeu ynë mban mbi krye albanojën e famshme të stradiotëve shqiptarë të kohës zbukuruar me pendë (foto 9), kur edhe vetë mbreti i Francës Henri IV na shfaqet në po atë periudhë me po atë kapele shqiptare në kokë, vërtetuar nga kronikanë të kohës27;

(foto 11) Shqiptarë me kapelen albanoja dhe mbreti francez Henri IV me po atë kapele shqiptare.

Albanoja është më e vjetër se Kapotini anglez i vitit 1590 që solli kapelen cilindrike angleze.

b) po te Theatrum, kemi për më tepër, si rrallë herë në atë kohë, edhe tablonë gjenealogjike të Skënderbeut dhe të birit të tij quajtur në latinisht Johannes Castriotus II (Gjon Kastrioti II). Kuptojmë kështu që Stella jo vetëm i është përmbajtur në paraqitje gravurës së Skënderbeut të kësaj vepre, por ka njohur nga afër edhe gjenealogjinë e saktë të Skënderbeut: që ka pasur një djalë të vetëm, gjenealogji e mbështetur te Barleti.

Në fakt, tematika hungareze do të luante në Histori e ikonografi një rol të rëndësishëm sidomos gjatë shekullit XVI, kur banët hungarezë, në vazhdimësi të veprës heroike të Huniadit dhe birit të tij Mathias Corvin do të viheshin në pararojë të qëndresës së fuqishme antiosmane. Kjo tematikë hungareze nuk kish si të mos ushtronte ndikimin e vet mbisundues edhe në ikonografinë kastriotine, kur shohim tanimë një shndërrim të dukshëm të një pjese të portreturës kastriotine.

(foto12) Stili hungarez në paraqitjen e Skënderbeut, duke filluar me piktorin J. Amman, 1577.

Dy portretet e fundit përmbajnë diçiturën « Skanderbeg princ i Shqipërisë dhe Mbret i Epirit ».

Ngjarjet në Hungari duke filluar nga mesi i shekullit XVI, që do t’i analizojmë në veçanti në pjesën e dytë të këtij triptiku, do të shkaktonin jo vetëm njëfarë devijimi e deformimi të portreturës kastriotine klasike, por do të trazonin urat edhe në vetë burimet dokumentare e arkivore duke i lënë vend në disa raste pështjellës dhe inkoherencës. Veçse, nga ana tjetër, po në këtë periudhë - rreth viteve 1630 -, kjo portreturë kastriotine fantaziste do të lulëzonte dhe do të arrinte kulmin me portretin e Skënderbeut nga Rembrand, ku Heroi shqiptar jepet nga Mjeshtri i famshëm holandez me kostum ushtarak, pamje të rreptë luftarake, fytyrmprehtë, hundë të drejtë, mustak fijehollë, dhe me tërë atë floknajë të derdhur fuqimisht, një paraqitje me forcë gjeniale, që nderon ikonografinë skënderbegiane (foto).28

Së pesti e më në fund, tek i japim të drejtë prof. Luise Rice kur shprehet për tablonë e Stella-s se “Duke shpjeguar pjesët përbërëse të ilustrimit, mund të humbasësh nga shikimi të tërën,”29 nuk ka pse të kërkojmë më thellë se kush fshihet pas personazhit të Skënderbeut. Vetë emri i Skënderbeut, i njohur me këtë llagap nga sulltan Murati II (Iskander –Aleksander dhe Béj – Fisniku i Madh), është bërë historikisht epiqendër e shumë burimeve dokumentare, por edhe e shumë ilustrimeve që e paraqesin KryeHeroin shqiptar me vetitë më të shquara të heronjve të Lashtësisë, Pirros së Epirit dhe Aleksandrit të Madh. Për më tepër do të ndodhte që ndonjë autor ta shihte krejt fisin e Kastriotëve me “origjinë nga Maqedonia e dikurshme, të lidhur me perandorët e lashtë grekë”, dhe vetë Gjergj Kastriotin ta konsideronte si “Princin e fundit që mbretëroi në Shqipëri apo Heroin e fundit të Maqedonisë, duke e parë gjenealogjinë e tij të prejardhur drejtpërdrejt nga një motër e Aleksandrit të Madh, kur Aleksandër do të thotë në greqishten e lashtë Mbrojtës i Njerëzimit.”30 Madje, edhe më shumë, do ndodhte që historiani i shquar francez Jules Michelet, të bënte një interpretim të mahnitshëm dhe krejt të kundërt duke parë një “Skënderbe të Antikitetit” (nënvizimi ynë) tek “i furishmi Pirro I, dhëndër i Agatoklit të Sirakuzës, Kapedan i Epirotëve.”31 Por edhe më tej, shkrimtari dhe akademisti francez Charles Nodier do të shprehej për Kapedanin e Madh shqiptar: “Ja Skënderbeu – Pirrua i ilirëve modernë”32, ndërkohë që Pukëvili, konsulli francez te Ali Pashë Tepelena, i sheh të njëjësuara apo të bëra një trup i vetëm figurat historike të Aleksandrit, Pirros dhe Skënderbeut, me një origjinë të vetme të përbashkët, Epirin, tek shihte te banorët e saj doket, zakonet dhe vetitë më të mira të këtyre Kapedanëve të Mëdhenj të Historisë.33 Andaj, kemi të drejtë të themi se s’ka pse të shkrihen identitetet sepse janë të shkrira tërë vetitë dhe cilësitë më të mira luftarake tek Kapedanët e mëdhenj të Historisë. Për më tepër që në “binomin Pirro/Skanderbeg” parashtruar nga Rice, nuk ka pse të shohim të parin “fshehur” pas të dytit, kur në fund të fundit, dihet që mbreti Pirro bëri fushata ushtarake kundër vetë Romës së lashtë, gjë që nuk mund të thuhet për Skënderbeun shqiptar, kur luftërat e tij kundër Turqisë osmane kishin vetëm karakter mbrojtës për kombin e tij dhe Krishtërimin. Një tezë e tillë e Rice për të “ndriçuar” Pirron e Epirit “agresor” ndaj Romës dhe për të “zbehur” Skënderbeun e Arbërisë dhe të Epirit, mbrojtës i Arbërisë dhe Europës e sikur nuk do t’i shkonte fort për shtat vetë kardinalit Desiderio Scaglia, të cilit i përkushtohej vepra e Stella-s.

Dhe, për t’u inkuadruar sa më shumë në periudhën kur piktori Stella realizoi tablonë e tij me Skënderbeun në qendër të kompozimit, pa ndarë të njëjtin mendim me prof. Rice në analizën që ajo i bën kësaj tabloje përsa i përket Arbërisë (Albanisë) së hershme, vërejmë te kronisti dhe historiani Jean Zuallart, më 1608, se Albanie (Shqipëri) “quhej Epiri i të Lashtëve dhe pjesa e së famshmes Maqedoni, sunduese e botës nën Aleksandrin e Madh, të cilin ajo e ushqeu dhe e rriti duke e bërë mbret; shohim “atë rajon të Epirit që përfshin në vetvete Akarnaninë dhe Etolinë e të Lashtëve, e që shtrihet përgjatë një pjese të Gjirit të Venecias dhe të Detit Jon, ku futet Durazzo, deri te lumi Akelou, që e ndan me Akaiën, dhe ku emri i Epirit shndërrohet në Albanie (sipas Eusebit dhe shumë autorëve të tjerë).”34

Në mënyrë shumë domethënëse, po në atë periudhë, konkretisht më 1591, në veprën Icones Diversorum” të Jean-Jacques Boissard shohim të realizuar mjeshtërisht nga Theodore de Bry dhe të gravuruar nga Alexandre Vallée, portretin e Skënderbeut me profil djathtas, me mjekër të kreltë dhe me kapë veneciane zbukuruar në ballor me pendë. Çka shfaq këtu më shumë interes është vetë teksti në latinisht që shoqëron këtë ilustrim titulluar Scanderbego: “Quid Pyrrhum Epirus, priscum quid inacta Achillem, Pelide et Pyrrho maior at iste fuit. Robore Pharsalico Geticas vexare cohortes Perge: tua patria est libera facta manu”. (Skanderbeg: Ja Pirro i Epirit, si Akili, Pelide dhe Pirroja i dikurshëm, por ishte edhe më i madh se ata (nënvizimi ynë). Nuk rreshti së godituri hordhitë getike me fuqi farsalike: vendi yt, i lirë mbeti nga dora tënde)”. Një lartësim mëse i denjë e i bukur për KryeHeroin Shqiptar!

Sigurisht, kemi në këtë kohë mjaft portrete të Skënderbeut që janë vënë në dukje edhe nga vetë prof. Rice dhe dr. Sylvain Kerspern në studimet e tyre të larpërmendura, sidomos portretet e realizuara nga Giovanni Batista Fontana dhe gravuruar nga Dominic Custos më 1601 për “Armamentorium-in” e famshëm të Arqidukës Ferdinand të Austrisë. Por nuk mund të mos përmendim këtu gravurimet e shumta të shekullit XVI nga Jorg Breu, At e Bir, Jost Amman, Hans Leonhard Schauffeleinard etj., që ilustrojnë “Historinë e Skënderbeut” të Barletit në edicionet gjermane, etj. të kohës. Veçse Custos jep mbi të gjitha jo vetëm portretin e Skënderbeut klasik me mjekër të derdhur, por edhe titullin e plotë që mbante KryeTrimi shqiptar: Princeps Georgius Castriot Scanderbegus, Epiri et Albaniae (Princ Gjergj Kastrioti Skënderbeu i Epirit dhe i Shqipërisë (foto 14, portreti në mes). Sigurisht Rice nuk ka si ta shmangë një titull të tillë të Kastriotit të Madh si Princ i Epirit në shekullin XV. Por, duke e thelluar analizën e saj drejt Pirros së Epirit të shekullit II p.e.s., ajo sikur ngulmon të nxjerrë në pah këtë gjeneral të Lashtësisë, për të kaluar në plan të dytë Jetën dhe Veprën historike 25-vjeçare të Gjergj Kastriotit në mbrojtjen e Europës.

Nga ana tjetër, duke ndjekur më pranë kuadrin historik, më 1631, kur piktori frëng Stella kompozoi veprën e tij artistike për Skënderbeun dhe Trimat e tij, shprehim bindjen se ky piktor duhet të ketë njohur tashmë nga afër jetën e Skënderbeut shqiptar në bazë të shumë botimeve të huaja, sidomos ato të Barletit e të Lavardinit. Mjaft të ndjekim Petrovitch, por edhe K. Biçoku e J. Kastrati në veprat e tyre lidhur me bibliografinë skanderbegiane, për të vënë re se në vitet 1600-1631, periudha e lulëzimit të piktorit Stella, janë botuar rreth 20 vepra biografike e letrare për Heroin Shqiptar në disa gjuhë të huaja, nga Sansovino, Shreneck, Luccari, Funcius, Sarrochi, e deri te Pontanus, Franco Demetrio shqiptari, Artus, Aubigné, Malvezzo, etj. Por sidomos bien në sy disa autorë që janë botuar gjatë kësaj periudhe nga dy a tri herë, dhe konkretisht francezi Lavardin (botuar më 1604 dhe 1621), italiania Margarita Sarrochi dhe Dhimitër Frangu. Mendojmë se vepra e Lavardinit në frëngjisht, e vitit 1621, bazuar te Barleti, do ta ketë frymëzuar drejtpërdrejt piktorin frëng Stella për kompozimin e tij artistik, tek ndiqte nga afër edhe jehonën e Bëmës kastriotine, ende e gjallë dhe e fuqishme në mjedisin italian dhe arbëresh të kohës. Po në këtë periudhë, vërejmë që lulëzuan edhe mjaft portrete të Skënderbeut, kur familjet arbëreshe dhe figurat kryesore të fisnikërisë italiane e kishin për nder të porosisnin portrete të tij për t’i pasur në koleksionet e tyre apo në ballë të salloneve fisnikërore.

Në këtë drejtim, vetë Kardinali i Kremones Desiderio Scaglia nuk kishte si të mos njihte Bëmën kastriotine njëçerekshekullore, të atij që ishte cilësuar nga Papati “Atlet i Krishtit – Mbrojtës i Europës”. Dhe piktori Stella, me tablonë e Skënderbeut që i përkushtohej Kardinalit, nuk bënte gjë tjetër veçse e nderonte këtë vetë në maksimum. Përndryshe analogjitë, “kuptimi i kuptimit” te Louise Rice, se kush fshihej prapa Skënderbeut shqiptar, nuk do bënin gjë tjetër veçse do ta zbehnin krejt forcën përkushtuese të tablosë së Stella-s.

Në të njëjtën linjë interpretimi, mund të themi se nuk ka pse “stili hungarez” i portreturës kastriotine të asaj kohe të bëhet objekt pështjellimi, kur e kundërta shfaqet më bindëse: që kujtimi i Skënderbeut shqiptar, i Bëmës së tij të lavdishme e të pavdekshme do të ishte në vazhdimësi burim frymëzimi edhe për vetë revoltat hungareze antiosmane të çerekut të fundit të shekullit XVI. Kujtojmë këtu thënien e shkëlqyer të akademistit francez Leonce Mazoïer në shkurt 1836 për KryeHeroin shqiptar: “Një shqiptar, duke ringjallur mrekullitë e Greqisë së lashtë, e bëri të dridhej gjysmëhënëzën, kur po kjo gjysmëhënëz e bëri të dridhej Europën; ai u bë qëndrestari trim majë shkëmbit [Shqipëri] për dhjetë vjet me radhë, duke e turpëruar për më tepër ngadhënjimtarin e Konstandinopojës”35. Dhe ky shqiptar nuk ishte tjetër veçse KryeTrimi ynë Skënderbe paraqitur në tablonë e piktorit francez Jaques Stella.

*    *    *

Në përfundim, dy fjalë për piktorin francez Jacques Stella (1596-1657) : është piktor i Oborrit mbretëror të Luigjit XIII, nderuar nga Luigji XIV me titullin « Kalorës i Urdhrit të Shën Mikelit » më 1645. Ka trajtuar me mjeshëri tematikat historike, fetare e mitologjike, duke punuar fillimisht në Oborrin e Cosme II Medicis në Firence dhe më pas në Romë, duke punuar për Papën Urbine VIII. Pas vitit 1634, si la Italinë ku punoi 11 vjet, fillon të bëjë dekoret e mjaft kapelave në Francë, dhe sidomos të Pallatit të Kardinalit Rishëlieu. Është përfaqësues i rrymës së klasicizmit francez, mik i ngushtë i N. Poussin, me të cilin ka bashkëpunuar gjatë. Veprat e tij, që shpesh janë shitur si punime të Poussin, dallohen për kompozime të ajruara, plot frymëmarrje, me rrafshe të mirëdukshme diferencialë, si dhe për stil tepër të zhdërvjelltë gjithë kolor mahnitës. 36

Është nder i madh për ikonografinë kastriotine që një vepër kompozicionale e Jacques Stella me personazh kryesor Skënderbeun vihet sot në qendër të studimeve albanologjike. Por një nder edhe më i madh do t’i bëhet mbarë kombit shqiptar kur pas monumentit të Skënderbeut në Tiranë – në pjesën e pasme dhe rrethbashkuar, mund të projektohen e vendosen monumente të “Trimave të Skënderbeut”, sipas shprehjes së bukur shqipe “Trimi i mirë me shokë shumë”, tërë Kapedanët fisnikë të Skënderbeut, që nga Gjon Kastrioti I dhe II, Mamica e Donika gjer te Lekë Dukagjini, Arianiti, Topia, Muzaka, Moisiu, Vrana Konti, etj. etj. Këtë propozim, ne e kemi bërë më 2017 (pika 6) krahas dhjetë propozimeve të tjera tonat dhe botuar te forumi “Zemra Shqiptare – Zemra Jonë” në shkrimin “Figura e Skënderbeut, Flamuri dhe Simboli ynë kombëtar mbetet përherë aktuale dhe e përjetshme »37.

Do Zoti, një ditë, mos ngelet Skënderbeu ynë vetëm në shesh të Tiranës, por ta shohim Atë të pasuar nga shpura e tij famëmadhe që bëri emër në Histori tek mbrojti Arbërin dhe Europën mbarë. Të skalitur në gur a të derdhur në bronz ata Trima të Kastriotit të Madh do të jenë Krenaria dhe Dinjiteti ynë shqiptar në shkallën më të lartë të Lavdisë së përjetshme kastriotine.



1 Louise Rice, " Meaning within meaning in a drawing by Jacques Stella », botuar në revistën « Close Reading » Kunsthistorische Interpretationen vom Mittelalter bis in die Moderne, De Gruyter, f. 290.  2021, Walter de Gruyter GmbH, Berlin/Munich/Boston.

2 Sylvain Kerspern, « dhistoire-et-dart.com, Jacques Stella » – Catalogue, Rome, œuvres datées de 1631-1632, Vendosur në linjë interneti më 29 mars 2016 dhe retushuar në nëntor 2021.

3 Louise Rice, vep.cit. ibid.

4 Ibidem. Po ashtu edhe citimet e tjera nga prof. Louise Rice ndodhen në të njëjtiun burim referencial.

5 F. Andrea, Enigma e shpatës së tretë “ensis” të Skënderbeut e më tej ; burimi : Zemra shqiptare, 16 tetor 2018.

6 Hieronymus Henninges Lunaeburgensis, Theatrum Genealogicum Ostentas Omnes Omnium Aetatum Familias, botues Kirehner, 1598,  Magdeburg.

7 Tezë plotësisht e kontestueshme kur Skënderbeu njihet tashmë si princ i Shqipërisë e i Epirit. Shih për më shumë : J.Drançolli, A ishte kurorëzuar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu për mbret?, ku autori, mbi baza dokumentare vërteton se Skënderbeu njihej si  princ « principis Croye et aliarum partium Albanie », si dukë, « Duca dell’ Albania », dhe si mbret në emërim e sipër nga Papa Piu II (te Dh. Frëngu) « Re de Epyrro e di tutta provinciad’Albania ». https://www.ballikombetar.info/a-ishte-kurorezuar-gjergj-kastrioti-skenderbeu-per-mbret/.

8 Edhe kjo një tezë plotësisht e kontestueshme, kur dihet historikisht që përkrenarja me kokën e dhisë iu bë dhuratë Skënderbeut nga Papa Pali II në dhjetor 1466.

9 Nuk mendojmë se ky argument mund të përligjë tezën e prof. Rice për të parë te figura e Skënderbeut të Stellas një Pirro të Lashtësisë me « veshje moderne ». Nëse Ferdiand Bol (1616-1680), nxënës i Rembrandit, e ka paraqitur Pirron e Epirit në tablonë e tij « Fabritius dhe Phyrrus » me çallmën tipike sulltanore, kjo flet jo vetëm për ekzotizmin oriental në paraqitjen e personazheve të këtij piktori, por edhe për njëfarë ironie që përpara kërcënimit të pushtimit osman, një ditë mund të shiheshin edhe vetë Papa dhe mbretërit e Europës perëndimore me çallmën turke majë kaptine, në një kohë kur qëndresa hungareze pas viteve 1560 po shndërrohej në parapritë të pushtimit osman, ashtu sikurse në shek. XV qëndresa arbërore me Skënderbeun ishte bërë parapritë e fuqishme ndaj pushtimit osman të republikave italiane dhe Europës.

10 Shumë kronikanë dhe udhëpërshkrues të shekullit XVI, kanë folur me hollësi dhe kanë bërë përshkrim fizik të stradiotëve shqiptarë nëpër Europë, me kapelen e tyre të famshme albanojën, duke filluar që nga shkrimtari i shquar francez François Rabelais. Ata nuk përbënin aspak një soldateskë mercenare « të egër », siç thotë Rice, po të kemi parasysh mbi të gjitha se « Traktatin e Kalorësisë së Lehtë Europiane » e hartoi shqiptari Gjergj Basta, Kryegjeneral i Ushtrisë së Perandorisë së Shenjtë, ndërkohë që një nga komandantët më të shquar të Kalorësisë së Lehtë europiane ishte Mërkur Bua Shpata, të tërë me prejardhje të drejtpërdrejtë nga Garda e përhershme e Skënderbeut. Shih F. Andrea, Gjurmime shqiptare në Letrat franceze, vëll. 1, bot. EDFA, Tiranë 2016, f. 65-113.

11 Për herë të parë këtë shprehje « Krenar si një shqiptar » të poetit frëng Jean Marot (1450-1526) e ka botuar prof. Ferid Hudhri në albumin e tij Shqipëria dhe Shqiptarët në veprat e piktorëve të huaj, Shtëpia Botuese 8 Nëntori, Tiranë 1987, f. 52. J. Marot e përdor këtë shprehje në veprën e tij Sur les deux heureux voyages de Gênes et Venise, Paris, 1509, kur flet për stradiotët albanois (shqiptarë) Vode si roide sorte qu’il semble bien que tempête les porte (janë aq të shpejtë sa duket sikur i mbart stuhia - sikur fluturojnë).

12 Vëmë në duke se figura e qenit ne heraldiken shqiptare nuk ka munguar, konkretisht është e pranishme te Stema e Balshajve dhe te Statutet e qytetit të Shkodrës të shek. XIV-XV.

13 Sylvain Kerspern, vep. cit.

14 Po aty.

15 Te piktori dhe gravuristi zvicerian Jost Amman (1539-1591), që ilustron « Historinë e Skënderbeut » të Barletit në botimin gjermanisht (1577), bie në sy portreti i Skënderbeut jo vetëm në « stilin hungarez » me mustak, por edhe në stilin klasik me mjekër të gjatë, madje kur Skënderbeu kthehet në qytetin e tij të Krujës, vëmë re portret të tij tek mban mbi krye një çallmë.   

16 Sylvain Kerspern, vep. cit.

17 Në veprën « Panorama historique ancien et moderne », botuar në Paris më 1830, ndër 450 portretet e personazheve kryesorë e më të famshëm të historisë renditet edhe Skënderbeu, pas Saint Simon. Po ashtu, në album-antologjinë tonë « F. Andrea, Skënderbeu, Heroi Kombëtar Shqiptar, Atlet i Krishtit, Mbrojtës i Europës », projekt, ne kemi përmbledhur rreth 150 autorë të huaj dhe po aq ilustratorë e piktorë që ia kanë përkushtuar penën dhe penelin e tyre figurës së madhërishme të Gjergj Kastriotit Skënderbeut.

18 Luan Malltezi, « Venetian » Albania and Scanderbeg, Studia Albanica, 2018/2.

19 Gelcich Jozsef dhe Thallozy Lajos, Raguza és Magyarorszag, Dilomatarium Relationum Republica Raguzanae cum Regno Hungariae, Budapest, 1887. 

20 Po aty, f.786 : « Libertatem rectori et suo minori consilio, mittendi duos nobiles ad visitandum filium Schenderbeghi Veneciis redeuntem, et ad honorandum in rebus cibariis ab ipperperis 30 infra ».  

21 Kapeles shqiptare, ne i kemi kushtuar një studim të veçantë titulluar « Albanuaja, kapela historike shqiptare dhe stradiotët shqiptarë në shekujt XV-XVII », botuar në « F. Andrea, Gjurmime shqiptare në Letrat Franceze », shkrime, përkthime, vëll. 1, bot. EDFA, Tiranë, 2016, f.65-82.   

22 Ky portret i Skënderbeut me profil nga e djathta dhe me mjekër tërë krela - pra jo të derdhur -, si dhe me kapën venedikase mbi krye zbukuruar me pendë, ishte botuar fillimisht më 1584 në veprën Gli illustri et gloriosi Gesti del Sig. D. Giorgio Castriota.

23 Do të ishte interesante te njihej etimologjija e vërtetë emrit të qytetit Mamurras, kur gojëdhana popullore nuk mungon ta dekriptojë këtë emër nëpërmjet grupfjalëve « ma me u rras ! », si shprehje në gojën e turqve osmanë që ngrinin shatorret në fushën e Mamurrasit,  për të mësyrë drejt Krujës me ushtri mbi 100-mijë vetëshe.

24 Fan Noli, Shënim për Faik Konicën , revista Mapo, 2012.

25 Sylvain Kaspern, vep. cit. D’histoire & D’art. dhistoire-et- dart.com/Stella/Stella_cat_Rome1631_32.html

26 Portreti i Skenderbeut nga autor anonim, te vepra « Theatrum Genealogicum Ostentans Omnes Omnium Aetatum Familias », i Hieronymi Henninges, vëll. 1, f.606, Madeburg, 1598.

27 F. Andrea, Albanuaja, kapelja historike shqiptare dhe stradiotët shqiptarë në shekujt XV-XVII, në Gjurmime shqiptare në letrat franceze, vëll. 1, f.65,  bot. EDFA, Tiranë 2016. Në revistën « Magasin Pittoresque", 1856, në shkrimin « Historia e kostumit francez, f. 54 vihet në dukje » »Kapa e quajtur moda Henri IV ishte në atë kohë kapelja franceze. Duhet parë në atë kujtimi i kohës së shkuar, një ringjallje e kapeles albanois (albanojës – kapeles shqiptare), të cilën e kishin ngarkuar me panashë (xhufkë) dhe e kishin përveshur në pjesën e përparme.

28 F. Andrea, Gjurmime shqiptare, vep.cit. f.156.

29 Louise Rice, vep cit. : « But sometimes in explaining the parts, we can lose sight of the whole ».

30 Sipas Jules Tréfouel « Souvenirs », Librarie Universelle, Paris, 1883, f. 291.

31 Jules Michelet, Histoire romaine, dokument elektronik, pjesa e parë, Republika, 1997, riprodhim sipas BNF, Paris, Hachette, 1831. 

32 F. Andrea, Album-antologji « Skënderbeu », projekt botimi, f. 144.

33 Boucher de la Richarderie, Bibliothèque universelle des voyages, vëll. 2 Paris, 1808, f. 262.

34 Jean Zuallart, Le très devot voyage de Jesrusalem, Anvers, MDCVIII, kreu VI, De la province d’Albanie et des peuples albanois, f. 104-124.

35 Recueil de l’Académie des Jeux Floriaux, Toulouse, 1836, Semonce prononcé en Séance publique le 21 Février 1836, de la Patrie, (Qortesë në seancë publike më 21 shkurt 1836 nga Z. Mazoïer, Ç’është Atdheu), f 98.

36 Vëmë në dukje se një tjetër bashkëkohor dhe bashkëpatriot i piktorit Stella, Gabriel de Ribes ka pikturuar dhe ekspozuar në qytetin e Tuluzës më 1608 portretin e « Georges Castriota Scanderberg » të titulluar « Libérateur de l’Albanie au XVe siècle (Çliruesi i Shqipërisë nbë shek. XV). Sipas Robert Mesuret në studimin « Piktorët tuluzianë të shek. XVII, artistë, vepra e të cilëve nuk është e njohur », botuar në revistën « L’Auta », n° 256, maj 1956, f. 71. Me gjithë përpjekjet tona nuk kemi mundur ta gjejmë një portret të tillë të Skënderbeut. 



(Vota: 16 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Fotaq Andrea: Botohet antologjia ''Faik Konica – Për një Shqipëri Europiane'' Fotaq Andrea: Pena të arta franceze për shqiptarët (8) Fotaq Andrea: Pena të arta franceze për shqiptarët (7) Fotaq Andrea: Pena të arta franceze për shqiptarët (6) Fotaq Andrea: Pena të arta franceze për shqiptarët (5) Fotaq Andrea: Pena të arta franceze për shqiptarët (4) Fotaq Andrea: Pena të arta franceze për shqiptarët (3) Fotaq Andrea: Pena të arta franceze për shqiptarët (2) Fotaq Andrea: Pena të arta franceze për shqiptarët (1) Fotaq Andrea: Shën Pali në Durrës Fotaq Andrea: Faik Konica me dy romanet e tij – ‘Martesa e Lejlës’ dhe ‘Sotiri e Mitka’ (3) Fotaq Andrea: Faik Konica me dy romanet e tij – ‘Martesa e Lejlës’ dhe ‘Sotiri e Mitka’ (2) Fotaq Andrea: Faik Konica me dy romanet e tij – ‘Martesa e Lejlës’ dhe ‘Sotiri e Mitka’ (1) Fotaq Andrea: Faik Konica lartohet përmbi shablonizmat, dogmat dhe paragjykimet e së shkuarës Fotaq Andrea: Selenica - Madona e Arit të Zi Fotaq Andrea: Kasaphana ukrainase - Një realitet sipas 'enigmës' së François Rabelais Fotaq Andrea: Figura e Skënderbeut, Flamuri dhe Simboli ynë kombëtar mbetet përherë aktuale dhe e përjetshme Fotaq Andrea: Këtë ditë të të dashuruarve të Shën Valentinit, poezia “Bashkimi i Lirë” i Andre Breton-it në gjuhën e bukur shqipe Fotaq Andrea: Emri i Skënderbeut, i njohur, i dashur e i vlerësuar në landet dhe baladat skoceze të shekullit XVII Fotaq Andrea & Dritan Muka: Figura e Skënderbeut në një baladë angleze të shekullit XVII

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx