Speciale » Andrea
Ekskluzive nga Fotaq Andrea & Dritan Muka: Misteret e Kokës së prerë të «Skënderbeut»
E shtune, 21.06.2025, 05:00 PM
Triptik – Pjesa e Dytë
Misteret
e Kokës së prerë të «Skënderbeut»
Ekskluzive nga Fotaq Andrea & Dritan Muka
Titulli i këtij shkrimi është vërtet makabër,
të ngjeth mishtë, por fatmirësisht - po e themi hapur dhe me bindje që në
fillim -, nuk ka të bëjë kurrësesi me Heroin Kombëtar shqiptar Gjergj
Kastrioti. Kjo kokë e prerë e quajtur « Skander Beeg » sipas tekstit
që përmban vetë ilustrimi, është cilësuar në mediat shqiptare, plot eufori, si
një zbulim i rrallë i « Skënderbeut të vdekur », ardhur nga
arkivat kroate dhe shoqëruar me tituj bombastikë. Edhe sot e kësaj dite i bëhet
jehonë kësaj « koke të prerë », si të mbante në vetvete, në mënyrë të
mistershme e të pakuptimtë, ndonjëfarë magjie a krenarie kryeneçe që guxon palé
të sfidojë studimet më serioze në fushën e skënderbegologjisë !
Në nëntor 2021, te portali i mirënjohur
« Zemra shqiptare », me studimin tonë « Skënderbeu i Gentile
Belinit, me diellin në ballë e në sy, simbol i krenarisë sonë kombëtare »[i],
ne kishim tërhequr tashmë vëmendjen e publikut për pesë kategoritë kryesore ku
ishim munduar të përmblidhnim krejt ikonografinë kastriotine ndër shekuj, duke
u ndalur posaçërisht edhe tek kjo « Kokë e prerë e Skander Beeg-ut të
Bossega-s (Pozhegës)», të cilën e përfshinim në kategorinë e fundit të
portreteve pa kurrfarë lidhjeje me figurën historike të Kastriotit të Madh »,
duke përmendur madje edhe shkrimin e prof. Musa Ahmetit « Një Grafikë e
Panjohur e Gjergj Kastriotit »[ii].
Në fakt, më 2005, te Gallica e
famshme franceze, ne kishim rënë tashmë në gjurmë të kësaj gravure realizuar
nga piktori austriak Hans Paumgartner (v.1580) dhe gravuruar nga hungarezi Rudolf
Hoffhalter, ndërkohë që referencën e plotë për këtë ilustrim, ne do ta botonim
vite më pas në « Bibliografinë e pjesshme dhe katalogun e veprave nga
autorë të huaj për figurën e Skënderbeut », në kuadrin e
Projekt-Antologisë sonë « Skënderbeu, Hero Kombëtar shqiptar, Atlet i
Krishtit, Mbrojtës i Europës, 2017 ».[iii]
Ende nuk e kishim parë konkretisht me sy këtë gravurë, kur një shkrim titulluar
« Në Vatikan zbulohet grafika e Skënderbeut – shkruan dr. Musa
Ahmeti », botuar në media më 17 maj 2005 » me rastin e 600 vjetorit
të lindjes së Heroit tonë Kombëtar[iv],
na tërhoqi vëmendjen për pështjellimin e plotë që përmbante që në fillesën
burimore, kur që nga titulli « Në Vatikan zbulohet… kalohej në Arkivin
shtetëror kroat të Zagrebit » ! Vërtet i bëhej aty përshkrim
« Kokës së prerë të Skënderbeut », por pa e dhënë çuditërisht as vetë
ilustrimin, si për ta bërë, me sa duket, më intrigues shkrimin dhe zbulimin e
tij. Apo si për të kërkuar ndoshta një miratim të heshtur të publikut, në formë
të prerë : « Ja, Skënderbeu ynë, ja zbulimi » !
Me t’u botuar në mediat sociale gjithë
bujë e eufori ky ilustrim i « Kokës së prerë të Skënderbeut », ne u
bindëm që s’kishte aty asgjë nga Kastrioti ynë i madh dhe çështjen e
kalsifikuam « të arkivuar » për një studim të mëvonshëm.
Tek këqyrim sot me vëmendje gravurën e
kokës së prerë me emrin «Skander Beeg», vërejmë konkretisht një kokë
tullace, me mjekrën klasike të derdhur të tipit « legjendar », me
kapakët e syve mbyllur frikshëm, për t’i dhënë të zbarët e të venitur, një
hundë disi e kërrutë dhe… asgjë më shumë. Është e vërtetë që vazhdimisht ndër
shekuj, portretin e Skënderbeut e kemi parë të ilustruar me kryet mbuluar : ose
me kësulën klasike veneciane, ose pasandaj me përkrenaren e tij në kokë duke
filluar që nga viti 1631, sikurse na shfaqet në foton 2, që e botuam në pjesë e
parë të këtij Triptiku. Megjithatë, theksojmë se nuk kanë munguar piktorë të
guximshëm që e kanë paraqitur figurën e Gjergj Kastriotit pa kapë dhe pa
përkrenare mbi krye, madje me leshra gjithë krela, siç na shfaqet konkretisht
Skënderbeu që në gjallje të tij në medaljonin venecian me onyks të bardhë e
konture ari të viteve 1450. Më tej, po me leshra të krelëta, e shohim pamjen e KryeHeroit
tonë në vitin 1658 për ilustrimin e veprës « Scanderbegus poema »
nga piktori francez Jean Anisson, si dhe në mjaft botime të mëvonshme (foto 3).
Foto 3, Portret i
Skënderbeut i vitit 1453 dhe portrete të tjera me leshra të krelëta.
Dhe kulmi i portretit të Skënderbeut me
kryet zbuluar, gjithë leshra të dendura, do të arrihej gjatë Rilindjes
shqiptare me veprat artistike të Mikel Trotës, Theohar Gjinit, etj., ndërkohë
që më 1954, artisti gjeorgjian Akhaki Khorava me filmin « Skënderbeu »
jo vetëm do ta bënte të pavdekshëm, të dashur dhe popullore figurën e Heroit
tonë Kombëtar me kryet zbuluar, por do të frymëzonte deri edhe kohët e fundit
artistë të tjerë shqiptarë, si piktorin Parim Çarçani (foto 4) me punimin e tij
artistik mëse të arrirë për Skënderbeun tonë.
Foto 4 Mikel Trota Theohar Gjini Akhaki Khorava Parim Çarçani
Ndonëse ne kemi regjistruar mbi katërqind vepra artistike, klasike e moderne që përbëjnë bazën portretuale të figurës së Skënderbeut, vetëm në një rast studiuesi Ilia Karanxha, duke u mbështetur te studiuesja greke Harula Economopoulos[v] hipotizon të shohë te vepra e Vittore Carpaccio-s « Pagëzimi i Selenëve » (rreth v. 1507) figurën e Skënderbeut tonë me kokën tullace, mjekrën legjendare, rënë në gjunjë dhe me çallmën anash në tokë. Tek e vendos këtë personazh përballë ksilografisë së njohur të portretit të Skënderbeut te botimi i parë i Barletit « Histori e Skënderbeut » në latinisht më 1508-1510, studiuesi Karanxha arrin në përfundimin e dyshimtë se « Shëmbëlltyra më e hershme e Skënderbeut është ky personazh i Carpaccio-s i vitit 1507[vi]. Pa dashur këtu të polemizojmë, sepse ky nuk është qëllimi ynë, rikujtojmë dy portretet e njohura tashmë origjinalë të Skënderbeut që në gjallje të tij, në vitet 1465 dhe 1467, duke mos përmendur medaljonin e Skënderbeut nga Pisanello në vitet 1460, apo skulpturën e KryeHeroit shqiptar nga Andrea Aleksi në Shebenik të Kroacisë në vitet 1450.
Por, pa u larguar nga tema jonë, shohim
konkretisht brenda tekstit që përmban në vetvete stampa « Koka e prerë
Scander Beeg, 1580 »[vii]
(foto 5) shumë elementë domethënës e orientues për të zbërthyer këtë personazh
me emrin « Skënderbe ». Dhe, duke i besuar prof. Musa Ahmetit për vështirësinë
e përkthimit nga gjermanishtja e vjetër në shqip të diçiturës së kësaj gravure,
po e japim përkthimin e saj të plotë edhe në studimin tonë :
« Kontrafakturë e vërtetë e
Skënderbeut në provincën e Pozhegës, të cilën [e kishte me vete] zoti kont
Gjergj Zrinski, oficer i lartë kur udhëtoi si i tillë më 30 shtator. Në vitin
1580 ishte bashkë me shumë turq të tjerë të shquar. Ata ishin mbi 4.000, nga të
cilët ai vrau dhe zuri rob mbi 400 ».
I përkthyer në këtë mënyrë, ky tekst
paraqet, siç vihet re, disa elementë domethënës, dhe konkretisht :
Kontrafakturë e
vërtetë (d.m.th. paraqitje në kopje e kokës së prerë) të Skënderbeut të
Bossega-s (Pozhegës - Kroaci) ;
Konti Gjergj Zrinski
(graf Gerog Zv Serin) ishte oficer i lartë më 30 shtator 1580.
« Ishte bashkë
me shumë turq të shquar » – thuhet në diçiturë. Ne pyesim :
Kush ishte ? Skënderbeu i Pozhegës ? Apo konti Gjergj Zrinski ?
Ai vrau dhe zuri rob
mbi 400. Kush « ai » ? Skënderbeu
i Pozhegës ? Apo konti Gjergj Zrinski ?
Me një fjalë, nisur nga vetë
tekst-diçitura jo fort e qartë e kokës së prerë të « Skënderbeut », si
dhe nga pyetjet që parashtrohen, na shfaqet, të themi, në këtë tekst njëfarë
dykuptimësie. Dhe pikërisht këtu qëndron, për mendimin tonë, gabimi në
interpretimin fillestar të kësaj gravure të « Kokës së prerë të
Skënderbeut » te cilido që ka dashur të kërkojë te kjo « kokë e
prerë » një portret të Gjergj Kastrioti shqiptarit në betejë me
turqit. Dhe ku, pale, Skënderbeu ynë na paska zënë robër 400 syresh ! E, për
më tepër, duke ndjekur këtë logjikë absurde, u dashka të pranojmë se këtë
gravurë « me kokë të prerë » na e ruante si të shenjtë konti hungarez
Gjergj Zrinski !...
Jo! Me bindje e themi se asgjë e tillë nuk
përligjet nga tekst-diçitura e « Kokës së prerë tullace Scander Beeg,
1580 ». Sepse jo çdo « Skënderbe » është Gjergj Kastriot! Jo çdo pemë
është lis! Jo çdo zog është shqiponjë! Çdo interpretim sipas të cilit u dashka
të shohim këtu Skënderbun shqiptar është absurd, ireal, i pamundur dhe i
papranueshëm, jashtë çdo konteksti logjik e historik. Dhe më tej, një
interpretim i tillë për të kërkuar në këtë gravurë një portret të Skënderbeut
tonë është një qëndrim thjesht artificial, në emër të
« patriotikes », në emër të « Eurêka-s », shoqëruar me
duartrokitje e eufori. Për fat të keq, ndoca studiues, edhe sot e kësaj dite
nuk bëjnë dot dallimin midis fantazistes së ndezur ndër vite nga figura madhore
e Skënderbeut dhe objektives e shkencores që karakterizon skënderbegologjinë si
shkencë. Përgjatë Historisë, shumë personazhe janë vetëquajtur dhe kanë dalë me
emrin « Skënderbe », ku përfshihen edhe aventurierë, sharlatanë, batakçinj
e bankierë që nuk kanë kurrfarë lidhje me Gjergj Kastriotin shqiptar. Pas
synetllëkut për « pagëzim », sulltani i jepte titullin
« Iskander-bej » gjithkujt që jo domosdoshmërisht mbante emrin
katolik « Gjergj ».
Për të qenë sa më objektivë e
shkencorë, ne, nga ana jonë, që në fillim të studimit, u munduam të shohim të
kundërtën e interpretimit të tekstit-diçiturë të kësaj stampe, dhe konkretisht:
që ky « Scander Beeg i Pozhegës » është një tjetër personazh historik
më 1580. Që, po këtë vit, po ky « Scander Beeg » » ishte bashkë
me 4000 turq në Pozheg (Bossega) të Kroacisë. Që konti Gjergj Zrinsky është
edhe ky figurë historike, i cili ka vrarë dhe ka zënë robër 400 turq. Dhe më në
fund, që për « kokën e prerë Scander Beeg të Pozhegës » dëshmon vetë
konti Gjergj Zrinsky, i cili e mbante këtë grafikë me vete më 1580 për arsye
simbolike e heroizmi, siç do shohim më pas.
Shfaqen kështu këtu, më 1580, ngjarje historike
krejt të ndryshme të « Scander Beeg të Bossega-s » nga ngjarjet e
vdekjes reale të Skënderbeut tonë më 1468.
Le të ndalemi më hollësisht në analizën
tonë:
Në fakt, për herë të parë më 1580,
vërejmë, jo pa habi, një mënyrë të veçantë të të shkruarit të emrit :
« SCANDER BEEG », kur nuk do vononte dhe më 1610 do ta shohim këtë
ofiq të shkruar në mënyrën « SCANDER BERG »[viii],
ku Faik Konica do të shihte këtu shi patronimin BERG të fisnikërisë gjermane.
Nisur thjesht nga emri « « Skënderbe »,
duke ditur që, pas shekullit XVI, ky ofiq do të ruhej brez pas brezi në linjë
femërore nga të gjithë pasardhësit e Gjergj Kastriotit kryesisht në Italinë
jugore, hulumtimet tona se kush është në të vërtetë ky personazh
« Skënderbe me kokë të prerë » i përqëndruam në zonat përtej
Shqipërisë, dhe konkretisht në Mal të Zi, Serbi, Kroaci, Slloveni, deri në
Hungari, në krejt atë rajon që përfshihej, së bashku me Bosnjen dhe
Transilvaninë, në « Turqinë Europiane » të Ballkanit, copëzuar
nga Perandoria osmane në sanxhake të shumta.
Dhe vërejmë se tek historiani Pierre
Coquille, në studimin e tij « Dy Skënderbejtë »[ix]
- pasi shohim të trajtuar hollësisht jetën dhe veprën e Kryetrimit shqiptar
Gjergj Kastriotit -, titullin « Skënderbe » e mban, po me ferman
sulltanor, edhe djali i dytë i Ivanit të Zi që quhej Etien II Maksim Çernoviç,
lindur më 1455 dhe vënë në shërbim të Turkut të Madh që në moshën 30 vjeçare.
Ky « princ malazez siç thotë Coquille, që nuk përmendet në asnjë
vepër të madhe historike », e kaloi rininë në malet e Zentës e të
Shqipërisë dhe « bëmat » e tij si rënegat, me fe të ndryshuar - tek
iu vërdallis e i shërbeu Oborrit sulltanor -, u kënduakan edhe në pesmat serbe,
ndërkohë që rrënjët e origjinës së tij familjare P. Coquille i kërkon tek
Kastriotët shqiptarë, konkretisht te « Vojsava Tribalda nga dinastia e
Topiajve » siç shprehet ai, pra, nga e ëma e Skënderbeut tonë. Ky
« Skënderbe 2 Çernoviç » përmendet po ashtu nga historiani dhe
albanologu Auguste Dozon,[x]
i cili vë në dukje se nëntë çifligjet që atij ia bëri « dhuratë »
sulltani, ai i këmbeu me një pashallëk, duke i vënë emrin
« Skanderbeg ». Kurse historiani malazez Andritch nuk mungon të
nënvizojë emërimin e tij nga sulltan Bajaziti për kontroll të Shkodrës dhe
Luginës së Ulët të Zentës e më pas të Bojanës (Bunës). Në fund të shekullit XV
(v. 1496), me ndihmën e ushtrisë osmane, ai dëboi nga trojet e veta vëllain e
tij më të madh Georges IV që u strehua në Venedik, duke i lënë kështu rënegatit
dorë të lirë për zotërimin e krejt luginës dhe të qytetit të Zentës (Zetës), së
bashku me një pjesë të Liqenit të Shkodrës. Dhe në këtë mënyrë
« Pashallëku Skanderbeg » do të fillonte të quhej që nga ajo kohë
« Pashallëku i Malit të Zi ».[xi]
Mirëpo, duke pasur për pikë referimi
tekstin e diçiturës së « Kokës së prerë Scander Beeg », del se viti
1580, që na shfaqet në gravurën e saj nuk përkon aspak me « Skënderbeun
2 », duke qenë se ky personazh historik e përfundon jetën para viteve
1530, sipas P. Coquille, i cili vë në dukje gjithashtu se « ky Skanderbeg
2 Çernoviç nuk i ngjasonte në asgjë homonimit të tij - Heroit të ndritur
shqiptar. Nuk kishte kurrësesi karakterin e tij të fuqishëm e të paepur… Dhe
vetëm ambicia e shtyu atë (Skënderbeun 2) drejt kampit të turqve ».[xii]
Nga ana tjetër, shohim të shfaqet
tërthorazi një tjetër figurë historike në tekst-diçiturën « Koka e
prerë Scander Beeg e Pozhegës » : konti Gjergj Zrinski (graf
Gerog Zv Serin), oficer i lartë më 30 shtator 1580.[xiii]
I njohur ndryshe me emrin Juraj IV Zrinski apo Georges IV Zrinski
(1549-1603), ai është i biri i banit (nënmbretit) kroat Nikolas IV Zrinski, heroit të famshëm të betejës së Sigetvar-it kundër turqve,
të cilit osmanët, sipas zakonit të kohës, ia prenë kokën në shtator 1566,
ngjarje së cilës ne do t’i rikthehemi. Dhe, nëse Georges IV Zrinski e kishte me
vete gravurën « Koka e prerë Skander Beeg » në shtator
1580, siç thuhet në diçiturë, kjo thjesht për faktin se ai zotëronte që nga
viti 1570 një nga shtypshkronjat e para
kroate në Nedelshice pranë ?akovec-it dhe është pikërisht ai botuesi i stampës
« Scander Beeg » që po analizojmë.
Hulumtimi ynë drejt së vërtetës për
këtë gravurë bëhet edhe më interesant dhe historikisht më pranë konktekstit të
saj kur, tek udhëpërshkruesi dhe diplomati francez Pierre Lescalopier, hasim
një të dhënë të veçantë datuar më 1574 në dorëshkrimin e tij « Nga
Venediku në Kostandinopojë », ku lexojmë :
"Nëpërmjet Cluaz e
Curita-s, ata mbërriten në Çernicë, ku Assan Bassa (Hasan Pasha)… i
furnizoi me ushqime dhe ndërhyri që ata të shkonin deri në Konstandinopojë.
Ishte një kapedan i moçëm, të cilin e kishin shpërblyer me postin e
guvernatorit të Servisë dhe Bossinës (Bosnjës), vise të bukura që i
përkisnin Skanderbisë (nënvizimi ynë F.A. e D.M.), domethënë
në turqisht Fisnikut Aleksandër. Trashëgimtari i Skanderbegut, emri i të
cilit i tmerronte fëmijët turq, i humbi këto provinca dhe ia mbathi për në
Venedik, ku thuhet se raca e tij vazhdon ende të ekzistojë me mënyra të
ndershme, arritur deri në rangun e fisnikëve venecianë".[xiv]
Edhe pse autori nuk zgjatet më
tej me të tjera të dhëna përshkruese e historike, përsëri, ky paragraf i vetëm
na duket kuptimplotë për faktin se e tërë zona veri-perëndimore e Turqisë
europiane - Bosnje-Serbi-Kroaci - quhej ende « Skanderbi »
(1570-1580) dhe qeverisej në atë kohë nga bejlerbeu serb (a ndoshta valak)
Hassan Predojevi?, i mbiquajtur Telli Hasan (Assan) Pasha (1530-1593).
Megjithatë, vërejmë se ka në këtë mes një pështjellim të plotë historik nga ana
e udhëpërshkruesit francez Lescalopier, i cili pleks në një të tërën kujtimin e KryeHeroit
shqiptar Skanderbeg (shek. XV), me kujtimin e « Skanderbeg 2 Çernoviçit » (fillimi i shek. XVI), pa harruar këtu as
personazhin e tretë misterioz të gravurës « Skander Beeg të kokës së
prerë » (v. 1580). Po ashtu, kur autori i lartpërmendur përmend
« trashëgimtarin e Skanderbegut… që ia mbathi për në Venedik »,
ndoshta duhet të kujtojmë në këtë episod historinë e Georges IV Çernoviç,
vëllai i madh i rënegatit « Skanderbeg 2 » që ishte aleat me
Venedikun dhe martuar me vajzën e Antonio Erizzo-s, prokuratorit të Shën
Markut.[xv]
Të tre historianët sllavistë frëngj, A. Dauzon, C. Robert e P. Coquille në
veprat e tyre shfaqin me hollësi luftërat e përgjakshme me shoshoq të dy
vëllezërve Çernoviç, kur « Scanderbeg 2 », i vogli që shfronësoi të
madhin, u detyrua t’ia mbathte në fund të shekullit XV për në Bushat të
Shkodrës[xvi].
Duke iu rikthyer pikë-referimit tonë, grafikës « Koka e prerë Scander Beeg », vërejmë se me diçiturën që përmban, ajo nuk është thjesht gravurë apo vepër arti, por është shumë më tepër se kaq : është dëshmi dhe dritare drejt një të dhëne me vlerë historike ; dhe jo vetëm, por shohim edhe një lidhje të ngushtë organike të kësaj vepre, në kohë dhe hapësirë, me veprën tjetër artistike portretin e kontit hungarez Boldizsar Batthyany (Batiani) bërë në dy kopje nga piktor anonim i shek. XVII, kur në diçiturën e këtij portreti lexojmë në latinisht :
« Mgnif.
Balthasar de Batthyan vixit a. 1590 dapiferorum regium magis: isignis generalis
bellicum, dice taliter ad examen fortificandae: Canisae delectus, Scanderbegum
turcam 1581 trucidat. Fit indigena regn: Bohemiae studuit etiam Parisiis » :
Përkthejmë : « I
mrekullueshmi Boldizsár Batthyány jetoi gjer më 1590, magjistër (mjeshtër)
shërbimesh në Oborrin mbretëror, gjeneral i shquar lufte, urdhëroi ndërtime
fortifikimesh : iu besua mbrojtja e Kanizsa-s, vrau Scanderbegum-in turk
më 1581, u bë fisnik (baron) i mbretërisë së Bohemisë ; studioi gjithashtu
në Paris. »
Kemi kësisoj në këtë diçiturë një të dhënë me shumë vlerë historike, konkretisht : « një Skënderbe turk në vitin 1581 », vrarë nga konti Boldizsár Batthyány ! Dhe pikërisht, këtë « Scanderbegum turk » mund ta shohim tanimë në përqasje të drejtpërdrejtë e të plotë me « Kokën e prerë Scander Beeg » të vitit 1580. Në këtë mënyrë shohim të gjejë kuptim më të qartë edhe vetë teksti në gjermanisht i gravurës së saj përkthyer nga Musa Ahmeti. Dhe nga kjo përqasje, pavarësisht nga viti 1580 apo 1581 i vrasjes së « Scander-Beeg-ut turk » apo « Scanderbegum-it » (gabimi i viteve ishte mëse i zakonshëm) [xvii], na rezulton se « Skënderbeu turk i Bossega-s » me 4000 trupat e veta është ndeshur më 1580 me trupat kroato-hungareze udhëhequr nga Boldizsar Batthyany. Dhe Georges IV Zrinski e botoi dhe e përjetësoi këtë gravurë të « kokës së prerë Scander Beeg » si dëshmi të qëndresës heroike kroato-sllovene-hungareze gjatë shekullit XVI dhe në kujtim të një beteje të veçantë kur do ziheshin robër 400 turq.
Nga ana tjetër, sikurse vumë në dukje
që në fillim të studimit tonë, piktori i « Kokës së prerë Scander Beeg,
1580 » është Hans Paumgartner, i cili, në vitin 1592 na del se ka
realizuar edhe një gravurë-medalje titulluar « Balthasar »[xviii],
që nuk është tjetër, për mendimin tonë, veçse Balthasar apo Boldizsar Batthyany
(foto 8).
Me sa duket, « Koka e prerë e
Skënderbeut turk të Pozhegës (Pozhekut) », prerë nga Batthyany dhe
pasqyruar artistikisht me gravurë, ka bërë jehonë jo të vogël. E në këtë
mes, duke e thelluar mendimin dhe hulumtimin tonë, na vjen në ndihmë studiuesja
e sotme hungareze Dora Bobory[xix],
e cila na jep të dhëna të reja interesante dhe konkretisht :
Hungarezi Balthasar Batthyany është
dhëndër i banit kroat Nicolas Zrinyi[xx]
(martuar me vajzën e këtij Heroi të shquar kroato-hungarez), duke qenë kështu
edhe kunati i George IV Zrinyi që ka botuar « Kokën e prerë të Skënderbeut
të Bossega-s » më 1580.
Balthasar Batthyany ka varrosur në Cakovec – Kroaci, me nderime të mëdha kokën e vjehrrit të tij, banit Nicolas Zrinyi, prerë nga turqit pas betejës së njohur të Sigetvar-it në shtator 1566.[xxi]
Tre figura të ndritura
kroato-hungareze, konkretisht kontët George IV Zrinyi (Zrinski në kroatisht),
Balthazar Batthyany (të dy këta kunetër) dhe Ferenc
I Nádasdy vepronin fuqimisht
në fushën ushtarake në Slloveni, Kroaci e Hungari në vitet 1570-1590, kundër
turqve, duke i shndërruar këto tre shtete të tyre në zonë të ndërmjetme (tampon)
për të penguar përparimin osman në kërthizë të Europës, drejt Vjenës dhe
Perandorisë së Habsburgëve. Ishin shtete nën kërcënimin e përhershëm të
Perandorisë osmane - që udhëhiqeshin nga familje të mëdha fisnike të elitës
kroato-hungareze, me rol të rëndësishëm në fushat ushtarake, politike,
ekonomike dhe kulturore -, të shndërruara kësisoj në shtete rrufepritëse të
përparimit turk,[xxii] ashtu sikurse dikur kreshniku Huniad së
bashku me të birin Mathias Corvin, bashkëluftëtarë të Gjergj Kastriotit, që i
thanë sulltanëve otomanë : « Ndalu beg se ka hendek » !
Nuk është Balthasar Batthyany, vëren
studiuesja Dora Bobory, ai që ka vrarë « Skanderbeun turk të
Bossega-s », ndonëse ajo vetë më pas i referohet me shënim burimit
« Arnold Magyar », ku përmblidhen bëmat ushtarake të Balthazar
Batthyany-t, dhe përmendet edhe fitorja e tij ndaj « Skander Bej më
1580 ».[xxiii]
Le t’i shohim më nga afër këto të
dhëna, për të paraqitur një kuadër sa më të gjerë historik dhe për të kuptuar
më mirë të pranishmen, por sidomos të pastajmen e studimit tonë, në kërkim jo
vetëm të « Skënderbeut turk të Bossega-s », por edhe më përtej tij.
Te libri « Magyar Mukingser –
Chef d’œuvres d’art de la Hongrie » i Eugene de Radisic,[xxiv]
flitet me hollësi për vdekjen heroike të kontit Nikolas Zrinyi lindur më 1518.
U bë tmerri i turqve të cilët i mundi në luftëra të shumta. Mbrojti qytetin e
Pesthit gjatë rrethimit dhe mbreti Ferdinand e emëroi Bauns (Ban) të Kroacisë
me 1543. Më 1556 u shqua në luftë kundër Ali Pashës dhe beu i Verozës,
magjepsur krejt nga trimëria e kontit Nicolas i kërkoi të dinte se me kë po
luftonte. Nuk e tha emrin për modesti, por iu lut beut t’i paraqiste nderimet
nga ana e tij vetë pashait Ali dhe ky i shkroi një letër për ta falënderuar,
një hollësi kjo karakteristike e kohës kur respektohej edhe vetë trimëria e
armikut !
Pas një qëndrese të fuqishme prej pesë
vitesh në kalanë e pamposhtur të Szigetvarit, më 1566, sulltan Sulejmani i
sulet banit N. Zrinyi me 100 000 trupa, kur garnizoni i këtij të fundit numëronte
jo më shumë se 2500 vetë. Rrethimi zgjati një muaj, dhe Ali Petrevi (Hasan
Predojeviç) sulmoi drejt e tek pika e fortë e kështjellës, pasi thau kënetën që
e rrethonte dhe shtroi tokën për sulmin fatal.
Konti kroato-hungarez Nikolas Zrinyi mori
atëherë një vendim suprem : të çante rrethimin veshur me kostumin e tij
gjithë luks, me shpatë në dorë në krye të 600 ushtarëve që i kishin mbetur.
Trupi i tij u bë shoshë nga plumbat e turqve, që shkarkuan njëherësh batare të
fuqishme. Veziri i madh Mustafa Sokolliu Pasha, sipas zakonit të kohës, dha
urdhër t’i prihej koka, të cilën ia dërguan Mustafa Bej të Banja Lukës. Ky e
mori kokën, e mbështolli me shami mëndafshi dhe e dërgoi tek mbreti Maksimilian
në Györ. Balthasar de Batthyany, dhëndri i Kontit Nicolas Zrinyi e çoi më pas kokën
në Csaktornya për ta varrosur në një kishëz, kurse trupi iu varros në Szigetvar
nga turqit, « të cilët i bënë nderime të mëdha », siç shprehet
historiani Radisiç.
Çfarë respekti për trimin, për Heroin,
edhe nga vetë armiku turk!
E ndërsa kokës së prerë të nënmbretit Nicolas
Zrinyi i bënin tërë atë ceremoni varrimi me nderime të mëdha më 1566, siç i ka
hije një heroi të vërtetë, shohim, nga ana tjetër, të ilustrohet e memorizohet
me gravurë më 1580 « Koka e prerë e Scander Beeg-ut të Bossega-s »,
që na shfaqet kësisoj si një trofe, relikte, shpagim, për gëzimin e syve dhe të
shpirtit që merr hak të qëndrestarëve dhe ngadhënjimtarëve kroato-hungarezë
ndaj pushtuesit turk.
Por fundja, kush është konkretisht ky
« Skander Beeg turk », që përmendet herë-herë edhe si
« Pashai i Bossegës » ? Në ç’rrethana është vrarë dhe kush ia ka
prerë kokën ? E për më tepër, ç’mistere të tjera mbart me vete kjo
kokë e tij e prerë, sidomos për ne shqiptarët ?
Shumë historianë me emër i kanë
kushtuar vepra të tëra Perandorisë osmane, duke derdhur shumë bojë për këtë
superfuqi, e cila forcën e saj e mbështeste kryesisht në epërsinë e madhe
numerike dhe në pushtetin centralizues sulltanor, në ashpërsinë e drejtuesve të
saj ushtarakë dhe sidomos te elita jeniçerike e ushtrive që mobilizonte. Ishte
superfuqi e kohës në tërë drejtimet, me jetëgjatësi mbi pesëshekullore, tek
kombinonte e përdorte përparimin e teknikës dhe të drejtimit luftarak me
mbajtjen në prapambetje të theksuar nënshtruese të kombeve e popujve, që i
rripte me taksa të rënda dhe mobilizime të forta ushtarake. E ndër këta
historianë që janë marrë me Perandorinë osmane shkëlqen me veprën e tij baroni
austriak Jozef von Hammer – Purgstall (1774-1856), i cili botoi në 16 vëllime Histori e Perandorisë Osmane që prej
origjinës së saj deri në ditët tona,[xxv] dhe që shpejt do pasohej nga francezi
Alphonse de Lamartine (1790-1869) me veprën e tij Histori e Turqisë në 8
vëllime[xxvi].
Hammer, mbi bazën e dokumenteve arkivore, dhe kryesisht të
arkivave osmane, jep në veprën e tij madhore një përshkrim të hollësishëm të
ngjarjeve e betejave, pa munguar të flasë me emër qoftë edhe për një çaush të
thjeshtë, për bejlerbegë e terxhumanë, për ambasadorë e pashallarë dhe deri te
vezirë, sulltanë e sulltanesha, me hareme e me eunukë. Tërë figurat dhe
ngjarjet historike kalojnë në radioskopinë e tij për të pasqyruar objektivisht
gjendjen politike, shoqërore, ushtarake e financiare të Perandorisë osmane.
Dhe ja ku hasim konkretisht në vëllimin 7 të veprës së tij
që përfshin periudhën 1574-1600, ngjarjet në Hungari në vitin 1580.[xxvii] Lexojmë :
« Pas vdekjes së Sokolliut,[xxviii] veziri i ri i madh Ahmedi i ndryshoi pothuaj krejt
bejlerbegët e kufijëve [europianë], që kishin lidhje farefisnore me
paraardhësin e tij… Ambasadori perandorak Sinzendorf kishte bërë përpjekje të
kota për të penguar pushtimin e Berzenzës [komunë në Hungari] që sapo ishte
shpallur sanxhak nga turqit ; e për më tepër pashai i Ofenit, sapo kishte
propozuar t’u imponoheshin taksa të rënda 359 fshatrave hungareze. Tërë këtyre
arsyeve për grindje e përplasje, u shtoheshin edhe ngjarjet në Hatwan e në Sambëk,
ku hungarezët morën mirë hak ndaj turqve për inkursionet dhe plaçkitjet që këta
u kishin bërë më parë. Pas një mësymjeje të ndërmarrë nga trupat perandorake në
rrethinat e Hatwan-it, më 3 prill 1580, Shehzuvari i sanxhakut të Zolnokut, u
mund keq nga hungarezët më 17 korrik të të njëjtit vit në fushën e Nadudwarit,
ku pati treqind vetë të vrarë dhe katërqind robër, dhe kur vetë Shehzuvari u
plagos rëndë… Pas pak kohësh [në fillim të shtatorit 1580], Balthazar
Bathyany, George Zrini dhe François Nadasdy, tre emra të tmerrshëm për
turqit, rrafshuan krejt zonën e Poschega-s [Pozhegës]. Sanxhakbeu i Pozhegës, Iskander,
i biri i Persianit Ulama [nënvizimi ynë F.A. e D.M.], marshoi për t’i
ndalur me dy a tre mijë trupa ; por para se të përplasej me ta, ai i
largoi të bijtë me një nga besnikët e vet, për të mos i përfshirë në luftim.
Fitorja, e diskutueshme për një kohë të gjatë, më në fund u shpall kundër Iskënderit,
i cili ra në shesh të betejës shpuar tejpërtej në gjoks nga një heshtë ;
zëvendësi i tij Kalenderi, agai i spahinjëve, bashkë me Osmanin dhe komandantin
e kështjellës së Athinës Huseini, si dhe me katërqind e tridhjetë vetë, ranë
robër në duart e armikut [hungarezëve], së bashku me njëzetë flamurmbajtësit,
burizanët dhe daullexhinjtë ; dyqind e dyzet e nëntë koka u prenë aty për
aty ; trupi i Iskënderit, me kokën e prerë, u zhvesh, u mbulua me qylym
dhe u la në vend. Kjo ngjarje e rëndë i shtoi edhe më shumë përshpëritjet
në Konstandinopojë… ».[xxix]
Mbas këtij përshkrimi të hollësishëm të
historianit gjerman Hammer, çdo koment tashmë për Skënderbeun real të Pozhegës është
i tepërt. Ecce Homo Skander Beegus me kokën e prerë ! Ja pra njeriu
Skënderbe i 1580-ës, që e kërkuam si një gjilpërë në mullarin Histori. Dhe që
vazhdoi e vazhdon të sfidojë Historinë shekuj me radhë, duke ruajtur e
ngatërruar dynjanë sidomos me misterin e shpatës së tij gjithë « njolla
gjaku »! Sepse doemos, edhe ky Skander-Beeg i Pozhegës na e kishte
një shpatë të vetën ! Të shënuar madje edhe me emrin e tij…
Me origjinë nga Persi e largët, Iskënder
Ulama, i tëri e i bëri, emëruar në krye të sanxhakut të Pozhegës, menjëherë
do të njihej me emrin Iskander-Beeg apo Skënder-bej, kur prej kohësh, me
ferman sulltanor, titulli beg, bej (fisnik) i bashkëngjitej detyrimisht
çdo emri për cilindo funksionar osman që vihej në krye të një sanxhaku apo
pashallëku. Iskënder Ulama i kokës së prerë është kështu, as më shumë e
as më pak, Scander Beeg-u apo Skënderbeu i Pozhegës.
Duke e thelluar hulumtimin tonë për
persianin Iskanderbeg Ulama, në veprën « Histori e Perandorisë
osmane » të viskontit De la Jonquière, Paris 1914,[xxx]
mësojmë se gjyshi i tij Ulama i Madh, ka qenë guvernator i Azerbajxhanit në
vitet 1520-1533, që u rebelua ndaj pushtetit sulltanor, dhe kundër tij u dërgua
Sherif Bej në krye të një ushtrie persiane që mposhti guvernatorin rebel. Koka
e tij e prerë iu dha të birit, Shems-Udinit, më 1533. I biri i Shems-Udin
Ulama-së është kësisoj, mirë e bukur, vetë pashai Iskënder-Beeg Ulama,
ardhur nga Persia, për të lënë tashmë kokën e tij të prerë në Bossega-Pozhek më
1580, në kërthizë të Europës. Kur, në të njëjtën kohë, e kundërta do
ndodhte : Veziri i madh shqiptar Sinan Pasha, do të dërgohej në Persi nga
sulltani për të shtypur revoltat e atjeshme me gjak e prerje kokash të tjera të
të rebeluarve lokalë. E tillë ishte djallëzisht politika klasike mizore sulltanore.
Dhe, më në fund, për të qetësuar
ndërgjegjen tonë duke zhbiriluar më tej shtresëzimet e ngurtësuara historike,
mësojmë në zërin « Balthasar III i Bathyani-së » të « Fjalorit
të Bashkëbisedimit dhe Lëçitjes » Paris, 1861, se « Ky
gjeneral i famshëm hungarez u shqua në luftërat kundër turqve, konkretisht më
1580 kundër Skënderbegut, pashait të Posegas (Sic!) Mbante
përherë pranë vetes, me shpenzimet e veta, 1200 trupa këmbësorie dhe 500
kalorës ».[xxxi]
E, për më shumë vërtetësi të pranisë
historike të Skënderbeut të Pozhegës të vitit 1580, po japim një tjetër
variant të « Kokës së tij të prerë », gravurë e panjohur nga publiku
shqiptar, ardhur kohët e fundit nga arkivat britanike, shoqëruar me tekst
diçiturë në gjermanishten e vjetër gotike.
Jepet edhe këtu tërë historiku që
parashtruam sa më sipër, historia e trishtë e pashati turko-pers të Pozhekut, i
thyer në betejë nga trimat magjarë Balthazar Bathyany, George Zrini dhe
François Nadasdy.32
Duke e përfunduar këtë pjesë të dytë të
Triptikut tonë lidhur me « Misteret e kokës së prerë të
Skënderbeut », nuk ka si të mos na bjerë në sy në ikonografinë kastriotine
një dukuri mëse e veçantë në veshjen dhe portreturën e Heroit Kombëtar shqiptar
nën ndikimin e drejtpërdrejtë të ngjarjeve në Kroaci-Slloveni-Hungari në vitet
1570-1580, kur do të vritej pikërisht ky « Skënderbe i Pozhegës », që
analizuam me hollësi.
(foto 11). Portrete të Gjergj Kastrioti Skënderbeut në shekujt XVI-XVII nën ndikimin e ikonografisë hungareze
Ndikimi hungarez në ikonografinë
kastriotine pas shekullit XVI, do të ishte i tillë që do të zhvillonte edhe një
prirje të re : për ta shfaqur tashmë Skënderbeut shqiptar të stilizuar,
ose me pamje ballore, ose me pamje tre të katërtat. Po ashtu, me mustakun e
gjatë horizontal tipik hungarez, me veshjen karakteristike të fisnikërisë
hungareze dhe me kapën zbukuruar me pendë ballore, e sidomos me tunikën gjithë
thile të kryqëzuara (foto 11).
Siç dihet, mustaku i gjatë horizontal
është edhe vetë tipari kryesor i Janosh Huniadit, bashkëkohësit dhe bashkëluftëtarit
të Skënderbeut në Hungari e Transilvani. Në këtë drejtim, portrete të tjera të
fantazuara të Skënderbeut shqiptar do të vazhdonin të lulëzonin në shekujt
XVI-XVII, të ndikuara nga stili hungarez i portreturës, aq sa ndonjë gravurë do
t’i njihej gabimisht Gjergj Kastriotit, kur në fakt paraqet Balthazar
Bathyany-n (foto 12).
(foto 12) J. Huniadi,
B.Bathyany dhe G. Castrioti, shek. XVI. Në
rrjedhë të kohës, ngatërresat në ilustrime ishin jo të rralla.
Me sa duket, vrasja dhe koka e prerë
pashait Skander-Beeg Ulama të Pozhekut në shekullin XVI, nën ndikimin e
kuptimit literal të emrit « Skënderbe », jashtë kontekstit të vet
historik, shpejt do të pleksej me kujtimin e Skënderbeut të Madh të Shqipërisë
të shek. XV, të cilin e shohim tashmë, në kapërcyell të shekujve XVI-XVII
stilizuar artistikisht me pamje prej « fisniku hungarez », siç
dëshmon edhe ilustrimi i një botimi anglisht i shekullit XVII (foto 12).
Të Mëdhenjtë bashkohen në Histori edhe
me pamjet e tyre ilustrative, siç bashkohen Bëmat e tyre të mëdha dhe misionet
e tyre të shenjta, mbrojtja e Atdheut dhe Kombit,
Mbrojtja e Krishtërimit.
Veçse homonimia e Skënderbeut shqiptar
të shekullit XV dhe Skënderbeut turko-pers të shekullit XVI nuk do ndalet këtu,
në tërë këtë maratonë misteresh që paraqitëm, por, për fat të keq, me të tjera
mistere do vijojë…
(Vijon)
[i] https://www.zemrashqiptare.net/news/58815/fotaq-andrea-dritan-muka-skenderbeu-i-gentile-belinit-me-diellin-ne-balle-e-ne-sy-simbol-i-krenarise-sone-kombetare.html?skeyword=belini
[ii] Po aty, shënimi 55.
[iii] Korrespondencë F. Andrea - D. Muka, Arshivë personale, 2008. Fotaq Andrea, Album-Antologji për Skënderbeun, Tiranë, nëntor 2017.
[iv] Shih në : https://264517.forumromanum.com/member/forum/forum.php?action=std_tindex&USER=user_264517&threadid=2&page=81
[v] Economopoulos, Harula, (1997), Prosopografia di un eroe: Giorgo Castriota Scanderbeg nel "Battesimo dei Seleniti" di Vittore Carpaccio, in « Storia del arte », vëll. 89, f. 27-36.
[vi] Ilia Karanxha, « Shëmbëlltyra më e hershme e Skënderbeut në një vepër të V. Carpaccio-s », https://www.zemrashqiptare.net/news/29433/ilia-s-karanxha-shembelltyra-me-e-hershme-e-skenderbeut-ne-nje-veper-te-v-carpaccio-s.html
[vii] Në veprën e mirënjohur « Le peintre-graveur » të Adam von Bartsch në 21 vëllime (Wien, 1802-1821), David Johann Passavant prezanton piktorin austriak Hans Paumgartner me gravurën « Koka e prerë Scander Beeg » duke botuar edhe tekst-diçiturën e kësaj gravure, e cila përmban 8 ndryshime të vogla, por mbi të gjitha vetë emrin « Scander Beeg », që e bën Scender Beegs ».
[viii] Për herë të parë e shohim emrin Skanderbeg ndryshuar në Skanderberg në veprën e Pierre Matthieu « Histoire de Louys 11. Roy de France. Et des choses memorables aduenuës en l'Europe… », Paris, 1610.
[ix] P. Coquille, në Revue de la Société des Etudes Historiques, 1896, Paris, f. 137-169.
[x] A. Dozon, « L’Epopée Serbe… », Paris, 1888, f. 5.
[xi] P. Coquille, vep.cit. f. 158-159.
[xii] Po aty, f. 164-169.
[xiii] Sipas romanistit Emile Picot, një numër familjesh dalmate në shekullin XII u vendosën në Hungari. Përmendet konkretisht familja Prebir nga ku zbresin kontët Zrinyi. (« Les Serbes de Hongrie, Prague 1873, f. 19).
[xiv] « Le voyage de Pierre Lescalopier « Parisien », De Venise à Constantinople, l’An 1574 », Revue d’Histoire Diplomatique », f. 21-31. Ky diplomat (f.24 e raportit të tij) vë në dukje nga ana tjetër se në qytetin e Zarës, « qytet i madh e i fortë, kryesori në Esklavoni, ka shumë puse dhe cisterna, ushqime dhe municione lufte me bollëk për të duruar një rrethim të gjatë dhe ka zakonisht aty një garnizon të madh, përbërë nga këmbësorë e kalorës. Shqiptarët e garnizonit shpesh mbërthehen me turqit, edhe pse është vendosur paqja, ose ndeshen me trupa të vogla për arsye mosmarrëveshjesh a mosmbajtje fjale, ose me anë duelesh a ndeshjesh të tjera prej dy a tre apo tre me tre vetë »..
[xv] P. Coquille, vep. cit.f.162.
[xvi] Auguste Dauzon, Cyprien Robert e Pierre Coquille i shohin pasardhësit e « Skënderbeut 2 Çernoviç » në zanafillë të familjes së madhe fisnike shkodrane Bushatlliu, kur historiografia shqiptare i sheh Bushatllinjtë me origjinë nga familja Sumej-Begaj.
[xvii] Viti i luftimeve dhe i vrasjes së « Skënderbeut të Pozhekut » duhet të jetë 1580 sipas diçiturës në gravurën e kokës së tij të prerë, dhe jo viti 1581 sipas diçiturës në portretin e kontit Balthasar apo Boldizsar Bathyany.
[xviii] Sipas Katalogut « Munzen und Medaillen », Wien, 1904, nr. 1920, « Balthasar, 1592 ».
[xix] Dora Bobory, « Boldizsár Batthyány (C.1542 – 1590), Erudition, Natural Sciences, Patronage and Friendship in the Life of a Sixteenth-Century Hungarian Nobleman » Budapest, 2007.
[xx] Po aty, f. 68.
[xxi] Po aty, f. 61.
[xxii] Po aty, f. 19.
[xxiii] Po aty, f. 184.
[xxiv] Eugene de Radisicis, « Magyar Mukingser – Chef d’œuvres d’art de la Hongrie », vëll. 2, Budapest 1899, f. 70, 124-128.
[xxv] « Histoire de l’Empire Ottoman depuis son origine jusqu ‘ànos jours », nga J. de Hammer, përkthyer nga gjermanishtja nga J.-J. Hellert, Paris 1835, vëll. 6 e 7.
[xxvi] « Histoire de la Turquie », nga A. de Lamartine, Paris, 1862.
[xxvii] Hammer, vep. cit. f. 135-137.
[xxviii] Mehmet Pashë Sokolliu (1505-1579), me origjinë nga Bosnje-Hercegovina, vezir i madh i mbretërimit të sulltan Sulejmanit të Mrekullueshëm.
[xxix] Hammer, vep. cit., f. 136-137. Lamartini nuk ndalet në këtë episod të « Skënderbeut të Pozhegut », duke qenë se trajton me hollësi ngjarjet e mëparshme të korrikut 1580, kur « Fisnikët e mëdhenj Zryni, Nadasdi, Bathiany e Palfi morën hak për robërit e shumtë hungarezë që dërgoi Ibrahim Pasha në Konstandinopojë (prill 1580) të lidhur me zinxhirë dhe kur çdo rob mbante në duar dy kokë të prera të shokëve të tyre rënë në fushë të betejës. Manjatët [fisnikët e mëdhenj] hungarezë vranë dhe masakruan në korrik 1580 tre mijë turq të pashait Shehzvar në Kanischa. Dhe vetë pashai do të shpëtonte nga vdekja tek ia mbathi me kalin rervan që dha shpirt nga lodhja dhe pashai u detyrua atëherë të endet kënetave të bregut të Danubit, i detyruar të mbështjellë këmbët me gëzofin prej lëkure tigri të kaftanit të vet. E mbajti frymën drejt e në Konstandinopojë ku i dhuroi sulltanit tërë pasurinë e vet për ta falur, dhe duke parë që ditët i kishte të numëruara, u vetëhelmua nga turpi që e kishte zënë dhe nga dhimbja për ushtarët e vet të masakruar ».
[xxx] Histoire de l’Empire Ottoman, par Vte de la Jonquière, vëll. 1, Paris, 1914, f. 168-169.
[xxxi] Dictionnaire de la Conversation et de la Lecture, hartuar nga një Shoqëri Dijetarësh dhe Njerëz të Letrave, Partis 1861, f. 618.
32 Warhafftige Contrafactur
des Türkischen Pascha / Scenderbeck genant, The British Museum.