Speciale » Andrea
Ekskluzive nga Fotaq Andrea & Dritan Muka: Shpatat e “Skënderbeut” në Vjenë nuk janë të Gjergj Kastriotit
E shtune, 16.08.2025, 12:00 PM
Triptik – Pjesa e Tretë
Shpatat e “Skënderbeut”
në Vjenë nuk janë të Gjergj Kastriotit
- Mit e realitet -
Ekskluzive nga Fotaq Andrea & Dritan Muka
Domosdo, është një pohim
i guximshëm nga ana jonë, për të shpallur sot, pa drojë, se shpatat e «
Skënderbeut » në Vjenë nuk janë të Heroit Kombëtar Shqiptar Gjergj Kastriotit.
Ky përfundim, siç do vëmë re, nuk është marramendje apo i rastësishëm, nuk
është një apriorizëm, por rezultat i një analize të hollësishme të mjaft të
dhënave dokumentare, përtej çdo sofizmi e mitizimi klasik që u është bërë gjer
më sot “Armëve të Skënderbeut në Vjenë” duke filluar nga treçereku i fundit i
shekullit XVI.
Jo pa qëllim, këtë studim
për « Shpatat e Skënderbeut » po e përfshijmë në Pjesën e Tretë përfundimtare
të Triptikut tonë. E kemi një arsye. Fakti është se me Pjesën e Parë të këtij
Triptiku ne nuk synuam të bënim thjesht një kritikë arti apo një polemikë me
Profesoren amerikane të Artit Louise Rice lidhur me veprën artistike të
piktorit francez Jacques Stella që e titulluam Figura e Skënderbeut sipas një kompozimi në
gravurë në vitin 1631. Po ashtu, as me Pjesën e Dytë të Triptikut ne nuk u nisëm thjesht për të gjetur se cila
figurë historike qëndron prapa grafikës së v.1580 « Koka e prerë e
Skënderbeut » me tërë ato të dhëna misterioze që ajo kokë mbarte me
vete. Jo. Pikësynimi ynë kryesor ishte si e si të kapnim që në fillim fillin e
mëndafshit që lidhte tërë Triptikun njëherësh : atë ndikim të fuqishëm
dalmato-hungarez që ka lënë gjurmë të dukshme jo vetëm në ikonografinë kastriotine
në kapërcyell të shekujve XVI-XVII, por edhe në krejt shkencën e
skënderbegologjisë, sidomos lidhur me shpatat e vërteta të Skënderbeut
shqiptar. Sepse, siç kemi vërtetuar tashmë, në jetën e gjatë pesëshekullore të
Perandorisë Osmane, ka pasur mjaft « Skënderbenj » historikë.
Pa mëdyshje, pa dy pjesët
e para të këtij Triptiku, ky fill i mëndafshit i ndikimit hungarez që u munduam
të shpështjellim, na shfaqej fillimisht si një nyje gordiane e pazgjidhshme.
Lypsej një rezultante, një emërues i përbashkët themeltar i mbarë studimit tonë
për të vërtetuar përse Gjergj Kastrioti Shqiptari i piktorit Stella më 1631, me
kokën e dhisë mbi përkrenare paraqitej me pamje e veshje hungareze, me mustak
dhe pa mjekrën klasike. Duhej vërtetuar me hulumtim të imët tek historiani
Hammer prania e figurës historike të pashait turko-pers Iskander
Beeg i Bossega-s (Pozhekut), vrarë nga heronjtë
hungarezë, për të çelur shtegun e hulumtimit drejt së vërtetës së madhe lidhur
me shpatat e Skënderbeut në Vjenë. Ajo « Kokë e prerë e këtij Skënderbeu të
Bossega-s » e vitit 1580 do të bëhej burimi i tërë koklavitjes dhe
pështjellimit historik që do pasonte për shekuj me radhë. Ngaqë, « edhe
turko-persi Skënderbe i Ulama-s e kishte një shpatë », siç e
kemi nënvizuar qëllimisht që në pjesën e dytë të Triptikut. Dhe shpatë madje të
dhuruar…
Është fakt se, që në
dhjetor 1897 tek revista Albania, në shkrimin « Armët e Skënderbeut
në Muzeun e Vjenës », Faik Konica shpreh për herë të parë dyshimin për
vërtetësinë e shpatës së Skënderbeut ekspozuar në atë kohë në Muzeun
Perandorak, shpatë e gjatë, e harkuar dhe me përdorim dyduarsh, e cilësuar si «
shpatë boheme », 121 cm e gjatë, me peshë 3 kile e 300 gram.
« Përkrenarja, shkruan ai, është domosdo e Skënderbeut; sa për
shpatën, ka një dyshim, siç e vë në dukje edhe etiketa e saj […][i]. Por
me sa duket, edhe pse nuk ka prova të sigurta, (nënvizimet
tona, F.A & D.M.) ka në të kundërt gjasa të forta për të besuar se kjo
kordhë është mirë e bukur ajo që ka vënë në përdorim krahu i fuqishëm i Gjergj
Kastriotit. »[ii] Me
fjalë të tjera, Konica thotë : neve na e ka ënda ta cilësojmë si shpatë e
Skënderbeut, por prova për zotërim të saj nga KryeHeroi ynë nuk ka !
Në mars 1901, Fak Konica
shkon vetë në Vjenë dhe viziton Muzeun për të parë me sytë e tij armët që i
njiheshin Skënderbeut. Artikulli që ai shkruan përsëri në frëngjisht te Albania e
tij, titulluar « Hulumtime për armët e Skënderbeut »[iii],
i kushtohet këtë radhë shpatës së dytë më të shkurtër, 88 cm e gjatë, që
shoqëronte atë vit në muze përkrenaren me kokën e dhisë. (Vërejmë në parantezë,
se vetë kjo lëvizje në muze - herë njëra, herë tjetra shpatë, ose të dyja
bashkë, që i njihen Skënderbeut shqiptar për të shoqëruar përkrenaren e tij -
është mjaft kuptimplote). As në këtë shkrim nuk mungon dyshimi i Konicës
lidhur me vërtetësinë e shpatës së dytë të shkurtër të Skënderbeut tek shprehet
: « Çdo shqiptar do bëjë pyetjen : a janë këto armë të vërteta, a kanë
qenë me të vërtetë në zotërim të Skandërbegut dhe a ka prova për vërtetësinë e
tyre ? »[iv] Kemi
kështu këtu një pasiguri të plotë problemore, për më tepër që kjo shpatë e dytë
e shkurtër përmban në faqe të saj shkruar me germa arabe formulën « Kampionit
të Allahut Skënderbeut », ku Konica pikat se emri i Heroit është shkruar «
gabim ». Dhe jo vetëm, por i vunë në dukje se shpata ishte e inventarizuar në
vitin 1590 me prejardhje nga Bosega dhe se ajo « mbante ende njolla gjaku mbi
vete » !
Do të ishin kjo pasiguri
e Konicës dhe mjaft elementë të gjymtë e të dyshimtë të këtyre dy shpatave të
njohura si të Skënderbeut shqiptar që, ndër vite, do të bëheshin strumbullari i
koncepteve dhe i komenteve të shumta, nga ku do zinin fill edhe vetë
mistifikimi e mitizimi, sidomos kur shpata e dytë më e shkurtër (që po e quajmë
« Shpata Bosega » për lehtësi leximi), do shoqëronte të parën, cilësuar «
Shpata Boheme ». Dhe që të dyja shpatat, në intervale të ndryshme kohore, do «
mbronin » stoikisht në muze përkrenaren e Skënderbeut me kokën e famshme të
dhisë. Kësisoj, postulati « armët vijnë nga kohë të mugëta, të turbullta! » do
të vishte gjithçka me tis habie e admirimi bashkë, për t’i shndërruar
përfundimisht « Shpatat e Skënderbeut në Vjenë » në simbole të fuqishme
kombëtare për të cilat kishin aq shumë nevojë Rilindja shqiptare, periudha e totalitarizmit
dhe vetë trazicioni demokratik. Shumë piktorë rilindës shqiptarë, nën ndikimin
e romantizmit francez etj., nuk do mungonin të shfaqnin Skënderbeun mbi kalë me
shpatë a kordhë në dorë dhe në mënyrë të hovshme sulmi.
111 vjet më vonë që nga
koha e F. Konicës, dhe konkretisht më 19 nëntor 2012, dy « Shpatat e
Skënderbeut », së bashku me përkrenaren, vijnë nga Vjena në Tiranë, për t’u
ekspozuar për herë të parë para publikut shqiptar admirues që mezi priste t’i
shihte fizikisht e t’i fotografonte me radhët 40 mijë vetëshe në ditë. Dhe me
të drejtë, kur Heroi ynë Kombëtar njihej si « Njeriu
i Shpatës »[v], luani i Shqipërisë, ai që kishte asgjësuar me dorën e tij në beteja tremijë osmallinj, që e kishte çarë më dysh një ka me një të rënë të kordhës, apo prerë në duel kundërshtarin nga koka në këmbë dhe mespërmes trupit, ai që ndeshej me gjigandin skitin si gladiatori i fundit i Mesjetës dhe që i dhuronte Mehmetit II shpatën e vet, por jo krahun e fuqishëm. Me ato shpata magjike, me një fjalë, ishin bërë Bëma të Mëdha, si Kreshniku francez Rolan me Dyrendalin e vet, shpatën mitike që çau shkëmbin më dysh apo si shpata Ekskalibur e mbretit Artus që as deti nuk e përpiu.
E megjithatë, hija e
dyshimit për vërtetësinë e « Shpatave të Skënderbeut në Vjenë » rëndonte mbi
Tiranën zyrtare si një re e mbarsur me pavërtetësi edhe ditën e parë të
ekspozimit të tyre në Muzeun Historik Kombëtar, kur drejtori i këtij
institucioni, Prof. Luan Malltezi do detyrohej të pohonte se « Vetë
Konica ka qenë një ndër të parët dyshues » (nënvizimi ynë), dhe
se « Në opinionin e përgjithshëm ato [shpatat] trajtohen si armët e
Skënderbeut. Edhe ne kemi dëshirë t’i shohim të tilla këto armë. Specialistët,
e veçanërisht historianët, përfundon prof. Malltezi, e kanë për detyrë të
shpjegojnë karakterin e vërtetë të këtyre armëve ».[vi] Dhe
përtej kësaj dëshire e detyre, për t’i bërë edhe më të besueshme shpatat,
gjithçka do vishej me autoritetin e Faik Konicës, i cili i kishte parë me sy
armët e Skënderbeut në Muzeun Perandorak që në fillim të shekullit XX, duke
konsultuar madje edhe literaturën përkatëse për to[vii].
Veçse, lypset të
nënvizojmë gjithashtu se Konica, me të drejtë, shkon më tej në skepticizmin e
tij për vërtetësinë e shpatave të Skënderbeut, kur shkruan : « … për të pasur
tërësisht provën bindëse, do duhej ditur ku dhe nga kush Arqiduka Ferdinand i
ka marrë këto armë, dhe në zotërim të kujt ato kanë qenë që prej vdekjes së
Skanderbegut gjer në çastin kur u përfshinë në koleksionin e tij. Por,
ka mjaft të ngjarë që këto pyetje të mos mund të zbardhen kurrë »,
përfundon Konica mosbesimin e vet[viii].
Dhe pikërisht këtu, do thonim, fle lepuri, dhe mbase një lepur i madh fshehur
në ferrë të vogël. Ky është thelbi i çështjes nëse do ishte e mundur të
ndërtohej një historik i plotë i rrugëtimit të atyre armëve që nga princesha
Donika që i mori ato me vete më 1468 deri te Irena Kastrioti, stërmbesa e saj,
që i trashëgoi gjithë dashuri e përkujdesje armët e stërgjyshit të pacenuara
deri ditën kur ajo ndërroi jetë në vitin 1565[ix].
Themi « ferrë e vogël », duke pasur parasysh « Testamentin » që ka lënë Irena
Kastrioti, ajo grua tejet e emancipuar që zë vend nderi në parinë italiane të
kohës, siç e përshkruan me plot ngrohtësi e madhështi prof. Lutfi Aliaj.[x]
Nga ana tjetër, duhet të
nënvizojmë se me Faik Konicën fillon publikisht jo vetëm dyshimi për
vërtetësinë e shpatave të Skënderbeut, por edhe një lloj dykuptimësie e
adhurimi i verbër për to. Gjë që do çelte sigurisht udhën e dëshirës së ethme
për t’i parë « Shpatat e Vjenës » si një nevojë e domosdoshme e Rilindjes
shqiptare, për t’i shndërruar në simbole të ringjalljes dhe bashkimit të popullit
shqiptar rreth figurës së Heroit Kombëtar. Dhe, ja Konica që shkruan : « Këto
armë përfshihen, me një fjalë, 130 vjet pas vdekjes së heroit në po atë
koleksion që janë edhe sot ; ky fakt, edhe pse nuk është një provë
absolute e vërtetësisë së tyre, të paktën i bën ato fort të
mundshme për të qenë të vërteta… ».[xi] Me
fjalë të tjera, kjo do të thotë se ndjejmë vërtet dhembje që armët mund të mos
jenë të vërteta, por neve na e ka ënda që t’i trajtojmë ato si të tilla. Këtu
nis udhën e vet edhe vetë mitizimi kur kemi përballë njëra-tjetrës dy gjëra të
skajshme: mossiguri e dëshirë. Janë pikërisht fjalët gjithë rezerva, por edhe
joshëse të Konicës që do përdoreshin herë pas here për fetishizimin dhe
legjendarizimin e shpatave, kur për më tepër, herë njëra, herë tjetra,
shoqëronin në Muze të Vjenës përkrenaren e Skënderbeut, vërtetësia e së cilës
as që mund të vihej në dyshim. Dhe argumentimi me këtë rast nuk do mungonte : «
Përderisa ekziston përkrenarja e vërtetë e Skënderbeut në koleksionin
perandorak të Austrisë, përse të mos jenë të vërteta edhe shpatat që mbajnë
emrin e tij (!) »
Në fakt, më 1901, vërejmë
se Faik Konica ishte në kulmin e marrëdhënieve të ngushta miqësore me
autoritetet austriake që financonin botimin e Albania-s së tij
dhe mbështesnin e ndihmonin aktivisht rilindasit shqiptarë. Duke qenë figurë
erudite e mirënjohur e kohës, Konica nuk kish si të mos diskutonte hapur me
autoritetet e Muzeut Perandorak për vërtetësinë a pavërtetësinë e shpatave,
duke iu kërkuar dokumente dhe inventare për historikun e tyre, duke pyetur
ndoshta me mprehtësinë që e karakterizonte se si ka mundësi që emri i
Skënderbeut të ishte shkruar « gabim » në njërën shpatë dhe ç’punë kishin
fjalët « Kampionit të Allahut », shkruar në të ! Pale edhe
origjina e kësaj shpate nga « Bossega », përcaktuar në
inventarizimin e saj ! Pale edhe « njollat e dukshme të gjakut » në të !
E marrim me mend në kësi rasti një « ngritje supesh » nga ana e autoriteteve muzeore për të mos dhënë që në atë kohë një përgjigje të drejtpërdrejtë për « vërtetësinë » e shpatave të Skënderbeut dhe për t’i lënë gjërat « në hava », në ambiguitet të plotë. Gjë që shfaqet dukshëm në krejt shkrimin e Faik Konicës të marsit 1901. Por fundja, gjithçka mund të përligjej me idenë se aq ishte caku i njohjes në atë kohë për « vërtetësinë » e shpatave. Pa përjashtuar në të kundërt as idenë se ndoshta qëllimisht nuk jepej në këtë mes një përgjigje e prerë dhe e rëndë mohuese, e cila veç t’i asgjësonte nga Koleksioni i Vjenës ato shpata të njohura që prej tre shekujsh si të Skënderbeut shqiptar. Kësisoj çdo përgjigje « shtyhej në kohë », duke u majisur miti e duke ua bërë qejfin shqiptarëve me një përkëdheli të lehtë të sedrës së tyre romantike për armët e Skënderbeut.
E megjithatë, derisa «
Shpatat e Skënderbeut » të vinin në kryeqytetin e Shqipërisë, shumë ujë do të
rridhte në Lanën e Tiranës me urat e veta më të gjera se të gjata në botë.
I magjepsur nga « Armët e
Skënderbeut » në Vjenë, Ahmet Zogu, me dëshirën për t’u vetëshpallur «
Skënderbeu III »[xii],
do t’i kërkonte Vjenës zyrtare reliktet e Heroit Kombëtar Shqiptar në shkurt
1929, duke dërguar aty një të deleguar për të sjellë shpatën dhe përkrenaren e
Skënderbeut në atdhe. I kërkoi me dëshirën e zjarrtë që të vendoste mbi krye
përkrenaren e Skënderbeut dhe të ngjeshte në mill shpatën e tij « të vërtetë »
me rastin e ceremonisë në prill të atij viti për kurorëzimin e tij « Mbret i
Shqipërisë » në Krujën legjendare, shpallur në atë kohë kryeqytet i Shqipërisë.
Dhe ishte i gatshëm të paguante një shumë tepër të madhe të hollash vetëm e
vetëm të zotëronte « Armët e Skënderbeut ».[xiii] Një
« Jo » e mirësjelltë e qeverisë austriake, ku përmblidheshin ndoshta edhe «
arsye të tjera të pathëna rreth vërtetësisë së shpatave » rrënoi krejt ëndrrën
e mbretit të ri të Shqipërisë për të ngjeshur në trup armët « origjinale » të
Heroit. Por prapë, Vjena zyrtare nuk mungoi t’i « dhuronte » me këtë rast
mbretit të ri shqiptar një kopje të përkrenares së Skëndebeut, por jo të
shpatave, edhe kjo një diçka tepër domethënëse për « rezervën » që ruanin
specialistët vjenezë lidhur me origjinat dhe vërtetësinë e tyre![xiv]
Në mars 1932,
gazeta Besa, organ qendror gjatë mbretërimit të Zogut, jep për herë
të parë të dhëna konkrete për « Armët e Skënderbeut në Vjenë », duke bërë një
historik të tyre që nga koha e Ferdinandit II, Arqidukës së Tirolit, në vitet
1570-1580, kur ai koleksiononte në kështjellën e tij të Ambrasit në Innsbruck
armë dhe armatura princërish dhe prijësish ushtarakë të shquar. Vëmë në dukje
se këto të dhëna të gazetës Besa që vijnë sot nën penën e Dr.
Dorian Koçit[xv] përbëjnë
në thelb po ato që na ka përcjellë në vitet 1930 ish konsulli austriak për
Shqipërinë Leo Alexander Freundlich, i cili u mbështet për historikun e tij
kryesisht në studimin e Dr. August J. Gross, në atë kohë konservatori i Muzeut
të Vjenës - Kunsthistorisches Museum.
Ne kërkuam në Arkivin
Shtetëror të Tiranës, në Dosjen « Skënderbeu », dokumentin e Leo Alexander
Freundlich përkthyer në shqip nga Xhaferr Belegu nën titullin « Gjanat e Shejta
të Heroit Kombëtar Shqiptar ».[xvi] Ky
dokument, i vetmi që jep një historik të përmbledhur të Armëve të Skënderbeut
në Vjenë do të shndërrohej gradualisht ndër vite si akti themeltar ku do të
mbështeteshin tërë studjuesit tanë, të cilët nuk arritën një herë të dalin
jashtë kornizave të tij, nuk vunë një herë në pikëpyetje pështjellimin dhe
vërtetësinë e të dhënave që ai mbart me vete. Megjithëse, lypset të themi se në
atë dokument bëhet njëfarë përpjekje për të përshkruar shkurt rrugëtimin e
gjatë të armëve nga vitet 1570-1580 deri në fund të viteve 1880, ku përfshihen
deri diku shpërnguljet e tyre në kohë nga një kështjellë në tjetrën dhe
inventarizimet e tyre ndër vite, por me boshllëqe e pasaktësira. Nuk mungojnë
as përshkrimet e shpatave, as hollësitë dytësore. Por që, në fakt, tërë këto do
bënin edhe një efekt të kundërt, të padëshiruar. Sepse, siç do vëmë re,
zbulohet tërthorazi falsiteti për vërtetësinë e shpatave, edhe pse ato « pasaportizohen
» si të vërteta e të besueshme, si të mbështetura gjoja mbi një bazë shkencore
historike, duke dashur t’i jepet njëfarësoj përgjigje edhe vetë kërkesës së
Faik Konicës më 1901 kur parashtronte pyetjen : « nga dhe si kanë ardhur që në
fillim të dy shpatat dhe përkrenarja në kështjellën e Ambrasit ?»
Në këtë mënyrë, historiku
që u bën Freundlich shpatave të njohura si të Skënderbeut do funksiononte e
lulëzonte mrekullisht dhe njëanshmërisht në terrenin shqiptar, do t’u vinte për
osh mbarë zemrave kombëtare, do t’i ngazëllonte për gati një shekull. Por nga
ana tjetër, do të mpinte krejt mendjet e studiuesve, pa mundur këta të
thellohen më shumë në vërtetësinë dhe rrugëtimin e gjatë të këtyre shpatave
ardhur që nga Mesjeta.
Dhe pasoja do të ishte e rëndë, sepse me këtë historik do ushqehej e ndërzehej edhe vetë miti për dy shpatat, nën hijen e vërtetësisë së përkrenares së Skënderbeut. Gjithçka do bazohej - as më shumë, as më pak -, në faktin se « Shpata Bosega », mbante të shkruar në faqe të saj emrin e « Skënderbeut » me germa arabike dhe nën ortografinë « Scander Beeg » ; kurse në mill me bojë të kuqe e në gjuhën e vjetër germanike mbante të shkruar emrin « Scänderwech ». « Shpata Boheme », në të kundërt mban në teh forma të gdhendura dhe një kryq, asgjë më shumë. Sidoqoftë, karakteristikat thelbësore të tyre na qenkeshin se njëra shpatë na paskësh njolla gjaku mbi vete dhe tjetra na qenkësh bërë për dorë gjigandi, që vetëm Skënderbeu shqiptar mund ta vërviste mbi krye të turqve osmane. Gjë që i hiqte faktikisht kësaj shpate « kaba të rëndë » prakticitetin e saj, por edhe plasticitetin e krahut të fuqishëm të Skënderbeut shqiptar, kur ai njihej për lëvizje të shpejta e të zhdërvjellta të shpatës së tij mbi koka osmanësh.
Në maj 1937, motrat e
Zogut do vizitonin gjithë kureshtje e krenari Koleksionin e Armëve në Muzeun e
Arteve historike të Vjenës. Çuditërisht, ato panë aty vetëm shpatën e madhe të
harkuar Boheme dhe përkrenaren ngjitur me të, por jo shpatën e
shkurtër Bosega. Sepse, sipas autoriteteve muzeore, shkruan prof.
Kristo Frashëri, « ekzistonin ende dyshime nëse ajo i përkiste ose jo Heroit
shqiptar. Por, pas Luftës së Dytë Botërore, vazhdon prof.
Frashëri, dyshimet për shpatën e dytë u davaritën (nënvizimi
ynë, F.A & D.M).[xvii] Por,
si u davaritën ? Asnjë përgjigje, asnjë argument, duke lënë të kuptohet se kemi
të bëjmë me një çështje që është nën « juridiksionin » dhe përgjegjësinë e
autoriteteve dhe studiuesve austriakë.
Me sa duket, vizita e
motrave të Zogut në Kunsthistorisches Museum do të shkaktonte njëfarë reagimi nga
ana e autoriteteve muzeore të Vjenës në mbështetje të një politike të re
mikluese dhe afrimi të Austrisë me shtetin e vogël shqiptar buzë Adriatikut dhe
me shqiptarët kudo në Ballkan, që adhuronin dhe krenoheshin me të drejtë me KryeHeroin
e tyre. Sepse, siç vë në dukje Dr. Dorian Koçi në një shkrim të tij të dytë për
shpatat e Skënderbeut, « Me porosi të qeverisë shqiptare të paraluftës, një
kopje identike e përkrenares së Skënderbeut, punuar më 1937 nga një mjeshtër i
talentuar austriak u ekspozua në Muzeun Historik të Tiranës. Me iniciativën e
Dr. Karl Paç, vijon ai, si edhe të mjaft intelektualëve të kohës, u ngrit një sallë e veçantë kushtuar Heroit
Kombëtar të shqiptarëve Gjergj Kastrioti Skënderbeut. Ata i kërkuan Ministrisë së Arsimit të
caktonte mjetet e duhura financiare për të paguar përgatitjen e kopjeve të
objekteve origjinale të Skënderbeut, që gjendeshin në Muzeun e Oborrit
Perandorak të Vjenës. Falë parave të mbledhura me këtë rast, kopja e shpatës
dhe kopja e përkrenares së Skënderbeut u ekspozuan në muze”.[xviii]
Duke qenë në rolin e të
deleguarave, miss-et mbretërore të 1937-ës e luajtën për bukuri rolin e tyre
historik për të sjellë në Shqipëri kopjet e armëve të Skënderbeut që ndodheshin
në muze të Vjenës, “vërtetësia” e të cilave do merrte kështu një
ringjallje të hovshme deri në vitin 1941, kur “sipas një dokumenti të Arkivave
të Shtetit, Ministria e Punëve të Jashtme njoftonte Luogotenencën e Përgjithshme
Mbretërore se shpata dhe përkrenarja e Skënderbeut që ruhen në Vjenë nuk
janë origjinale. Ato ka dashur t’i emërojë ashtu pronari i tyre Arqipeshkëvi
Ferdinand (ndoshta nëpunësi ka dashur të thotë ‘Arqiduka’) [Ferdiand
II i Tirolit] për t’u rritur vlerën.”[xix]
Më pas, “Në tetor 1942,
Sekretari i Partisë Fashiste Shqiptare, Kolë Bibë Mirakaj, i propozon Drejtorit
të Institutit të Studimeve Shqiptare, Mustafa-Merlika Krujës që me
rastin e festimit të 500 vjetorit të kthimit të Skënderbeut në Shqipëri (1943)
t’i kërkohet Führerit, përmes Duçes që në shenjë homazhi për popullin shqiptar
t’i dhurojë shpatën dhe përkrenaren e Skënderbeut”, të cilat ruhen në Vjenë.”[xx]
E megjithatë, entuziazmi
për vërtetësinë e armëve të Skënderbeut në Vjenë nuk do shuhej as para, as pas
viteve të luftës së dytë botërore, përderisa dyshimin për vërtetësinë e
shpatave e asgjësonte në çast prania e përkrenares së vërtetë të Gjergj
Kastriotit në krah të tyre. Dhe kulmi do arrihej më 1968, në 500 vjetorin e
vdekjes së Skënderbeut, ngjarje tejet e shënuar, kurorëzuar me shumë sukses nga
Konferenca e Dytë e Studimeve Albanologjike (Tiranë, 12-18 janar 1968).
Kështu, tri dekada të
plota (1937-1968) do përforconin ndër shqiptarët idenë se dy shpatat e
Skënderbeut, së bashku me helmetën ekzistojnë shëndoshë e mirë në Vjenë, ngaqë
nuk paska më pikë dyshimi për vërtetësinë e tyre ! Një fait accompli i
plotë, por tejet i heshtur dhe enigmatik gjatë gjithë Konferencës së Dytë të
Studimeve Albanologjike, kur nuk iu kushtua të paktën një kumtesë e thjeshtë
armëve të Skënderbeut, ndërkohë që do merrnin pjesë në atë Konferencë të
bujshme mbi 60 studiues të shquar shqiptarë e të huaj, raportet dhe kumtesat e
të cilëve do të zinin mbi 800 faqe libër.
Arsyeja e kësaj heshtjeje
varri për armët ishte e thjeshtë : një top sekret i lutjes që i kishte bërë
Vjenës zyrtare qeveria shqiptare e kohës për t’i kërkuar asaj riatdhesimin e
armëve të Skënderbeut në Shqipëri « në formë dhurate » ! Por, pasuar nga një «
Jo ! » e prerë, kategorike, nga pala austriake, mbështetur në « arsye parimore
». Një shuplakë e fortë kjo, për regjimin monist, që nuk pranonte kurrfarë
disfate. Për më tepër që afishohej gjithandej me krenari e bujë thënia e Enver
Hoxhës, shndërruar në fjalë të urtë, se « Populli shqiptar e ka çarë rrugën e
Historisë me shpatë në dorë ». Hollësitë dhe përplasjet e të dy palëve,
shqiptare e austriake, një çështje kjo sa historike aq edhe politike e
diplomatike, i pasqyron të plota sudjuesi i mirënjohur Ylli Polovina në
shkrimin e tij « Armët e Skënderbeut nuk ua japim dot » - kërkesa top sekret e
Mehmet Shehut për kancelarin austriak ».[xxi] Dosja
e kësaj kërkese të qeverisë shqiptare të kohës nxjerr në pah acarimin e
marrëdhënieve midis dy vendeve, përmbledhur e tëra « ironikisht » në stilin
gazetaresk : « Ne po ju kërkojmë një përkrenare dhe dy shpata, jo topa dhe
tanke… ».[xxii]
Një tjetër « Jo ! »
austriake do vijonte në mesin e viteve 1990, kur drejtori i Muzeut historik
kombëtar të Krujës Z. Mehdi Hazisi do lëshonte thirrjen : « Ka ardhur koha që
armët e strategut shqiptar Skënderbeut, t’i kthehen muzeut që mban emrin e tij
Gjergj Kastrioti Skënderbeut ».[xxiii] Veçse,
sa më shumë këmbëngulej në pozicionet hermetike të të dyja palëve, shqiptare
dhe austriake lidhur me armët e Skënderbeut në Vjenë, aq më shumë nxitej
dëshira dhe fantazma e shqiptarëve për të zotëruar « origjinalet » joshëse të
këtyre armëve që po shndërroheshin në « frute të ndaluara biblike » ; aq më shumë
shtohej, nga ana tjetër, vlera e tyre në Vjenë, por me një gëlltitje të zorshme
të pështymës për « pavërtetësinë » e shpatave. Ngaqë mitizimi i tyre po
shndërrohej gradualisht në pengesë, në sfidë të vërtetë sidomos për botën
studimore shkencore me arritjet e pakufijshme të informatikës dhe internetit.
Nuk do vononte dhe në
shkurt të vitit 2005, në gazetën Shekulli, studiuesi i ri
Dritan Egro do guxonte të dilte hapur në opinionin publik shqiptar në favor të
idesë që « shpatat e Vjenës nuk janë të Skënderbeut ». Si të kishte bërë mëkat,
shkrimi i tij u zhduk shpejt dhe krejt nga faqja e internetit, pa lënë të
paktën një gjurmë për ta patur si pikë referimi. Asgjësimi i kësaj ideje,
cilësuar « antishqiptare » dhe « antishkencore », do kërkonte drejtpërdrejt
angazhimin e prof. Kristo Frashërit, me autoritet absolut si njohësi më i mirë
i « Historisë së Skënderbeut ». Kësisoj, argumentimet e studiuesit Egro na
vijnë tërthorazi nga vetë përgjigjet që jep prof. K. Frashëri në studimin
« Skënderbeu dhe shpatat e tij. Si qëndron çështja e shpatave të
Skënderbeut? »[xxiv]
Faksimile
e fillimit të studimit të Leo Alexander Freundlich, që ruhet në AQSh.
Vërejmë paraprakisht se
pikëmbështetje e studimit të prof. K. Frashërit do të jetë historiku i « Armëve
të Skënderbeut » hartuar nga ish konsulli austriak për Shqipërinë Leo
Alexander Freundlich në vitet 1930. Në mënyrë të përmbledhur,
po parashtrojmë « kundër argumentet » e prof. K. Frashërit për të hedhur
poshtë studimin e Dritan Egros:
1. Kush na siguron se
Skënderbeu nuk ka përdorur shpatë të tipit bohemian ose islam ?
2. Nuk është sjellë
dëshmi se kjo apo ajo shpatë ka qenë pronë e filan princi ose luftëtari
bohemian ;
3. Nuk është sjellë dëshmi
se kjo shpatë nuk është përdorur nga Skënderbeu, por nga filan sulltan apo
kalif islam ;
4. Askush deri më sot nuk
ka thënë se kjo apo ajo shpatë është e tipit shqiptar ose e tipit
skënderbegian. Është thënë vetëm se atë shpatë e ka përdorur Skënderbeu (« Është
thënë » nuk përbën argument – F.A. & D.M.) ;
5. Sipas Dhimitër
Frëngut, shpata e Skënderbeut ishte një pallë e harkuar me tehe shumë të holla
dhe me damaskine me shumë hijeshi, e cila për cilindo dukej e rëndë, kurse për
të ishte e lehtë. Shpata që ndodhet në Muzeun e Vjenës i përgjigjet njoftimit
të Dh. Frëngut edhe nga ornamentet damaskine që ka. (Vërejmë në parantezë se ka
në këtë thënie të prof. Frashërit një ngatërresë : ornamentet damaskine apo me
arabeska janë te shpata e vogël e drejtë, ose « Shpata Bosega » dhe jo te
shpata e rëndë e harkuar ose « Shpata Boheme » – F.A. &.D.M.) ;
6. Skënderbeu dihet se ka
blerë mëse një herë armë nga Evropa ;
7. Cilësimi se shpata
është e tipit bohemian nuk është argument për të thënë që ajo nuk është shpatë
e përdorur nga Skënderbeu ;
8. Skënderbeu ka qenë i
familjarizuar më tepër me shpatat turke me trup të harkuar se sa me shpatat me
trup të drejtë ;
9. Sipas Faik Konicës,
mbishkrimi turqisht, ndonëse me gabime lexohet : « LibehadurAllah
Iskanderbeg », që ai e ka përkthyer « Kampioni i Perëndisë
Skënderbeu » ; (Jo, - nënvizojmë ne : Konica e ka përkthyer mëse
saktë formulimin me germa arabike në shpatë : « Kampionit të Perëndisë
Skënderbeut.”[xxv]
10. Nuk është faji i
Skënderbeut që emri i tij është shkruar gabim në shpatë, por i kovaçit, i cili
nuk është e thënë që të ishte njohës i shkëlqyer i shkrimit osmanisht ;
11. Ne kemi shembull vetë
vulën e Skënderbeut (vulën e madhe), në të cilën emri i Skënderbeut është
shkruar gabimisht « Skanderbig » në vend të « Skanderbeg » - vetëkuptohet që
gabimi është i artizanit që prodhoi vulën ;
12. Tre shpatat që
prodhoi mjeshtri i shkëlqyer italian, që vajti në Krujë me kërkesë të
Skënderbeut – sipas dëshmisë së Dhimitër Frëngut – shpata që prisnin edhe
hekurin, duhet të kenë pasur të shkruar (në tehe) emrin e Skënderbeut me
mbishkrim turqisht, dhe njërën syresh Skënderbeu ia dërgoi Mehmetit II. (Lihet
të kuptohet kështu me këtë hamendësim të prof. K. Frashërit se një tjetër nga
këto tri shpata, duhet të jetë ajo e Vjenës : Shpata Bosega) ;
13. Pikëpamja
se Skënderbeu ka luftuar për mbrojtjen e Krishtërimit, nuk është e saktë –
Skënderbeu asnjëherë nuk ka thënë se luftonte për të mbrojtur fenë e krishterë…
rrjedhimisht, fare mirë mund të përdorte kundër hordhive osmane një shpatë me
emrin e Perëndisë shkruar në të. (E megjithatë, s’duhen harruar këtu vlerësimet
papale të Skënderbeut tonë si « Atlet i Krishtit », « Luftëtar i Jezu Krishtit
», « Kapiten i përgjithshëm i Selisë së Shenjtë », si dhe vajtja e Skënderbeut
në Selinë e Shenjtë dhe dhuratat e shenjta në emër të Vatikanit që
iu bënë atij nga vetë Papa Pali II, shpata e nderit dhe përkrenarja me kokën e
dhisë) ;
14. « Më 30 tetor 1590[xxvi], shpata
e Skënderbeut prej Bosega (sic!) e lyer me argjend, hyri në
koleksionin e armëve” (të muzeut të Gratzit) – tërheq vëmendjen prof. K. Frashëri,
mbështetur te historiku i Leo Alexander Freundlich.
Sikurse shihet nga tërë
këto kundër-argumenta të prof. K. Frashërit që i përmblodhëm në formë tezash,
synohet njëfarësoj të mbahet gjallë miti me çdo kusht, se « shpatat janë të
vërteta, janë të Skënderbeut shqiptar », se « populli ka nevojë për simbole »,
dhe rrjedhimisht « ne i duam si të tilla » ! U krijua kështu bindja se
përderisa foli historiani i regjur i jetës së Skënderbeut, neve të tjerëve s’na
mbetet veç të ngazëllehemi e të fërkojmë duart, jemi në rregull dhe ja ku iu
mbyll goja edhe një studiuesi të ri që del me « konkluzione fëmijërore », sipas
fjalëve që përdor prof. K. Frashëri në adresë të D. Egros.
Edhe pse duket qartas se
tezat e prof. Frashërit janë si nga halli, me lojë të hollë sofizmash, me
kundër-argumente « joshëse » të formës kategorike, kaq do mjaftonte që «
Shpatat e Skënderbeut në Vjenë » të rifitonin një pasaportizim të dytë
vërtetësie edhe më të fuqishëm, përtej çdo dyshimi, që do t’i tulaste sërish
autoritetet muzeore të Vjenës të cilat, të ndërgjegjshme për falsitetin e gjërave,
e shihnin me sytë e tyre si po trashej miti i shpatave në emër të «
patriotizmit të flaktë » shqiptar. Sepse, nga referimet që u bën D. Egro «
kolegëve të muzeut të Vjenës » të krijohet përshtypja sikur janë këta të fundit
që e mbështesin dhe e nxisin studiuesin e ri shqiptar Egro në argumentet e tij
dyshuese për të dalë hapur publikisht në opinionin shqiptar se shpatat nuk janë
të Skënderbeut.
Por, ja që nuk pinë ujë,
as këtë radhë, sinjalet e dyshimit për vërtetësinë e shpatave, kur e kundërta
do ndodhte : tezat e prof. Kristo Frashërit të vitit 2005 do të përbënin bazën
« shkencore » për të veshur me « vërtetësi » të re shpatat. Dhe, me rastin e
ngjarjes së madhe të 100 vjetorit të Pavarësisë, nuk do mungonte dëshira
shpirtërore dhe kërkesa e domosdoshme e palës shqiptare për sjelljen e Armëve
të Skënderbeut në Shqipëri në nëntor 2012. Dhe armët erdhën, donin a s’donin
specialistët austriakë.[xxvii]
Le të shohim nga afër
konkretisht, duke u mbështetur kryesisht në vëllimet prestigjioze të Kunsthistorisches Museum[xxviii] se ku qëndron pavërtetësia e
shpatave që i janë njohur Skënderbeut, nisur thjesht nga fakti që njëra na
mbaka të shënuar në teh a në mill emrat Scanderbeeg dhe Scänderwech
dhe tjetra na paska në faqe të saj një kryq dhe qenka e bërë për dorë
gjigandi !
Shpata
Bosega dhe Shpata Boheme.
« Shpata Bosega »
Në Pjesën e dytë të
Triptikut tonë, ne nxorëm në pah praninë e figurës historike të turko- persit
Iskander-Beeg Ulama, pashait të Bossega-s/Pozhekut, i quajtur ndryshe
edhe Scanderbeeg, vrarë nga heronjtë hungarezë në shtator
1580. Dhe menjëherë, në tetor të atij viti kemi edhe grafikën e kokës së prerë
të këtij pashai persian në dy variante[xxix].
Por jo vetëm kaq, kemi mbi të gjitha, po këtë muaj, inventarizimin e shpatës që
ai zotëronte, të cilën po e japim të plotë e të saktë : « Më 30 tetor
të vitit 1580[xxx],
shpata e Scanderbeeg të Bossega-s, e larë në argjend, iu dorëzuar armatorëve »
[të Ferdinandit II të Tirolit]. [xxxi] Gjë që do të thotë qartë se kjo shpatë hyri përfundimisht
që nga kjo datë në koleksionin e arqidukës Ferdinandi II në kështjellën e
Ambrasit.
Me fjalë të tjera, shpata
në Vjenë, që i është njohur historikisht dhe që vazhdon t’i njihet edhe sot e
kësaj dite Skënderbeut shqiptar nuk është e tij. Ajo shpatë e ka, mirë e bukur,
një pronar historik : Skënderbe Ulama-në, pashain e Bossega-s
(Pozhekut) shpuar
tejpërtej në gjoks me heshtë nga heroi hungarez George Zriny, që krenar mbante me vete
edhe grafikën e kokës së prerë të këtij pashai.
I jepet kështu përgjigje
e drejtpërdrejtë deklarimit të prof. Frashërit, i cili parashtronte : « Nuk
është sjellë dëshmi se kjo shpatë nuk është përdorur nga Skënderbeu, por nga
filan sulltan apo kalif islam. » Dhe dëshmia që kjo shpatë është e «
Skënderbeut » të Pozhekut dhe jo e Skënderbeut shqiptar vërtetohet nga vetë
fakti që « Shpata Bosega » u fut në koleksionin e Ferdinandit vetëm një muaj
pas vrasjes së këtij pashai turko-pers duke u inventarizuar më 30 tetor 1580.
Merr kuptim kësisoj edhe prania e njollave të freskëta të gjakut në shpatë pas
një muaji të koleksionimit të saj, njolla gjaku për të cilat ishte vënë në
dijeni Faik Konica më 1901 nga autoritetet e Muzeut të Vjenës, në bazë të
regjistrit të inventarit historik. Sepse është jashtë çdo logjike që njollat e
gjakut në këtë shpatë të na qenkëshin ruajtur për 112 vjet me radhë që nga koha
e vdekjes së Skënderbeut shqiptar më 1468.
Inventarizimi
i parë i Shpatës Bosega, 30 tetor 1580 dhe gabimi i inventarizimit të saj me
emrin Geörg
Scanderbeeg
i Possega-s (Bossega), inventare nr. 4597, 5556, Kunsthistorische Sammlungen,
vëll.7, 1888.
Por mbi të gjitha, ky inventar i 30 tetorit 1580 do të zbulonte edhe gabimin e rëndë trashanik kur emri i Skënderbeut të Pozhekut nuk u regjistrua Ulama por Geörg (Gjergj) : Scanderbeeg Geörg aus Pozsega[xxxii], duke lënë kështu të hapur shtegun për gjithë pasaktësitë që do të ndodhnin në të pastajmen, gjer në ditët tona : që « Shpata Bosega » i është njohur në mënyrë të padrejtë Gjergj Kastrioti shqiptarit, dhe jo zotëruesit të saj të vërtetë turko-persit Iskanderbeeg Ulama. Kjo bie dukshëm në sy edhe në inventarin e 30 majit 1596, me nr. 5556, ku përkrenarja dhe dy shpatat (ajo e Bosegës dhe ajo Boheme) bashkohen në një triadë të hekurt dhe do t’i njihen për herë të parë « zyrtarisht » e « historikisht », por krejt gabimisht, Heroit shqiptar Geörg Scanderbegg.[xxxiii]
Dhe domosdo, gabimi do të
vijonte rregullisht në krejt inventarët që do pasonin[xxxiv],
dhe jo vetëm në inventarë, por edhe në vetë gravurën që do realizohej më 1601
nga Dominic Custos, sipas vizatimeve të Giovanni Battista Fontana, ku
Skënderbeu shqiptar me përkrenaren te këmbët paraqitet me shpatën e
turko-persit Ulama në dorë[xxxv].
Dhe çka na siguron nga
ana tjetër për vërtetësinë e shpatës së Skanderbeg Ulama-së është fakti shumë
domethënës që inventarizimi i 30 tetorit 1580 mban të regjistruar edhe shpata e
armë të tjera që janë futur në atë kohë në koleksionin e Ambrasit, ku bien në
sy shpata e Cassan (Hasan) Beut, doreza e hekurt e parakrahut të sulltanit
Sulejmanit, helmeta e Mehmet Pashës, krahas relikteve të tjera nga Gjergj
Zhiska, Barbarossa, Andre Doria, Joann de Medicis, nga mbreti
Steffan i Polonisë, nga mbreti Filip i Spanjës, nga Ferdinandi i Kastiljas,
etj., etj.[xxxvi]
Arrijmë këtu në një
çështje edhe më delikate, kur Prof. Kristo Frashëri citon Faik Konicën sipas të
cilit emri i Skënderbeut është shkruar « gabim » në shpatë dhe ku lexohet «
Kampioni i Perëndisë Skënderbeu » : Libehadur Allah Iscanderbeg.
Jo, na siguron Faik
Konica, por edhe përkthyes profesionistë të persishtes e të arabishtes,[xxxvii] është
përdorur këtu - dhe pa gabime - shkrimi arabik i vjetër (me arabeska a me
zbukurime damaskine), për të shprehur ndoshta në osmanishte të vjetër të
shekullit XVI një përkushtim të lartë të shpatës, ku lexohet : « Kampionit
të Allahut Skënderbeut » në rasën dhanore, ose « Për Kampionin
e Allahut Skënderbeun », në kallzore. Ka një ndryshim të madh midis dy
shprehjeve, atij të cituar nga prof. K. Frashëri në rasën emërore « Kampioni
i Perëndisë Skënderbeu », që jep zotëruesin e armës dhe « Kampionit
të Allahut Skënderbeut », që shfaq një përkushtim të bërë nga dikush
që dhuron shpatën.[xxxviii]
Pa u ndalur në termat
« Perëndi » e « Allah », që nuk shprehin
veçse një paragjykim mbi besimet, dhe pa e cytur më tej tezën sipas së cilës «
sikur nuk shkon që Skënderbeu shqiptar të ketë luftuar turqit osmanë me shpatën
e Allahut »,[xxxix] kur
ndërkohë mbante edhe shpatë nderi nga Selia e Shenjtë, tërheqim vëmendjen se në
atë periudhë sulltani i osmanëve ishte Sulejmani i Mrekullueshëm (1495-1566).
Dhe ka të ngjarë që shpata t’i jetë dhënë që në moshë të re turko-persit
Iskanderbeg Ulama si dhuratë nga ky sulltan, për ta nderuar për bëmat e tij
heroike në luftë kundër « giaurëve » (kaurëve). Njëlloj sikurse ka vepruar
historikisht Papati në Vatikan që prej shekujve XIII-XIV me « Shpatat e
Nderimit (Eppées d’Honneur) për Figurat e larta historike dhe luftarake të
katolicizmit.
Shpata Bosega ku është shkruar me germa
arabike emri Iscanderbeeg (Ulama) dhe vula ku është shkruar emri Scendarbico.
Bie poshtë po ashtu edhe
teza se në shkrimin arabik paska gabim « kovaçi », sikurse na paska gabim edhe
te vula e madhe, ku emri i Skënderbeut është shkruar « Scendarbico » në vend të « Skanderbeg ». Jo, as këtu nuk ka gabim skribi apo artizani, se
për të tilla gabime në objekte me vlerë të lartë, në atë kohë të fluturonte
koka ; në vulën e madhe thjesht është shkruar emri « Scendarbigo », ndoshta në dalmatishten
e vjetër të Raguzës, ku mund të jetë prodhuar vula. Deri më sot, ne kemi
listuar mbi 70 mënyra të ndryshme shkrimi të emrit të Skënderbeut, që shprehin
zanafilla të larmishme dialektesh, gjuhësh, lokalizimesh, personazhesh
historikë, etj. Dhe, këtu na vjen në ndihmë edhe prof. Kasem Biçoku, emër i
nderuar në historiografinë shqiptare dhe veçanërisht në shkencën e
skënderbegologjisë, i cili thekson lidhur me trajtën « Scendarbico » të emrit
të Skënderbeut në vulën e madhe se kjo trajtë « nga ana gramatikore është e
saktë, por edhe nga ana grafike », duke u mbështetur madje ky studiues, me
objektivitet të lartë, dy herë edhe në vëzhgimet e studiuesit Dritan Egro.[xl]
« Shpata Boheme »
Kjo shpatë, me përdorim
dy duarsh, e madhe 121 cm dhe e rëndë 3,3 kg, i është njohur historikisht
Skënderbeut shqiptar pa ndonjë arsye të veçantë, por thjesht sepse duhet të
jetë ndër të parat shpata mbresalënëse gjuetie të tipit bohem, që e ka bërë prof.
K. Frashërin të shprehet se « Skënderbeu blinte armë nga tërë Evropa » ! Nëse
do siguroheshim se Heroi ynë - që ka thyer qindra shpata për 25 vjet në beteja
-, e ka bërë vërtet një gjë të tillë, ai duhet të ketë blerë të tilla armë jo
thjesht për vete - për të mos rënë në egocentrizëm -, por edhe për kreshnikët e
vet që e shoqëronin në beteja për një çerek shekulli me radhë! Kur ai, në fakt,
nuk mbante dot me pagë a nozullim 5 apo 10 mijë kalorësit e vet heroikë.
Nuk kemi asnjë dëshmi
përse kjo shpatë boheme, « vepër
gjermano-austriake e viteve 1490 », siç cilësohet në faqen digjitale të Kunsthistorisches Museum « i është njohur historikisht
Skënderbeut tonë. Veçse sigurohemi që disa herë përmendet në
inventare dhe burime dokumentare, që prej dhjetëvjeçarit të fundit të shekullit
XVI, e njohur si shpatë e Geörg Scänderwech, nisur thjesht nga
madhësia dhe sidomos nga « madhështia » e shpatës. « Kjo shpatë – shprehet Leo
Alexander – të jep të besosh, nga pesha e randë dhe nga gjatësia se
Kastrioti me një të sjellme i ndante në dy pjesë trupat e armiqve ».[xli] Veçse
shprehja « të jep të besosh » nuk përbën as këtu argument.
Ashtu sikurse edhe përshkrimi mitik e romantik i kësaj shpate nga ish
konservatori i Muzeut historik të Vjenës Dr. August J. Gross në vitet 1930 : «
Dhe kjo shpat ! Kush mundet me e mbajtë kët shpat ! Kush asht i zoti dhe i
fuqishëm me e rrotullue kët armë kundër armikut të tij ? Vetëm një hero,
pajisun me fuqi të nji gjigandi e me nji krahë e cila të jetë vetë prej çeliku
! »[xlii] Shumë
mitike dhe romantike këto cilësime, asgjë më shumë ! Dhe ndoshta kjo paraqitje
impresionuese e kësaj shpate mund të shpjegojë karakterizimin e saj si shpatë e
denjë për krahun herkulian të Skënderbeut shqiptar, e tipit apo e nivelit të
tij. Dhe nuk mungojnë në këtë drejtim as ilustrimet për bëmat herkuliane të
Heroit tonë mbështetur te Barleti, aty ku e ka zanafillën më të hershme, në
shumë raste, edhe vetë mitizimi i heroit tonë.
Skënderbeu
gladiator, ilustrime të veprës së Barletit në gjuhë të ndryshme.
Veçse, del qartë nga
historiku i mësipërm që i bën Dr. Gross armëve të Skënderbeut nën penën e Leo
Alexander, një detaj me rëndësi kur ai shprehet, gjithnjë sipas përkthimit
shqip të Belegut : « Arqiduka i Tirolit Ferdinandi… ishte i pajisun me një
kultuer humaniste dhe n’atë kohë, kur [ai] ishte qeveruesi i Bohemisë
më 1544-1566 në Pragë mirresh me arte dhe mbledhëte gjana me vlerë
artistike dhe historike » (nënvizimi ynë F.A. & D.M). Pyesim : të jetë
vallë një rastësi që pikërisht po në atë kohë « Shpata Boheme » e Skënderbeut
tonë, të ketë pasur « fatin » për të hyrë në koleksionin e Ferdinandit II në
kështjellën Ambras[xliii] ?
Dhe a është një rastësi e dytë, fakti që edhe Jacob Schrenekh von Notzing,
sekretari personal i Ferdinandit II që u mor përmbi tri dekada drejtpërdrejt me
koleksionin e armëve të Ambrasit, ishte me origjinë nga Bavaria? Dhe a kemi të
drejtë të hamendësojmë në këtë rast që kjo « Shpatë Boheme » të jetë cilësuar e
koleksionuar si e KryeHeroit shqiptar thjesht për nder të tij, thjesht për të
plotësuar ndonjë boshllëk apo për të zëvendësuar ndonjë shpatë origjinale
kastriotine të humbur ? Sepse, vetë fakti që vetë shpata nuk mban të shkruar në
faqe të saj emrin e Skënderbeut shqiptar, tregon se ajo nuk është prodhuar assesi
enkas për të. Për më tepër që tipologjia e saj nuk shpreh kurrëgjë të veçantë
që të ketë lidhje historike me Skënderbeun tonë, ndërkohë që seria e shpatave
boheme të husardëve çekë, hungarezë a austriakë është gati një shekull më vonë
nga vdekja e « Atletit të Krishtit ».
Sakaq, studiuesit e sotëm
« na sigurojnë » se lidhur me këtë « Shpatë Boheme » që i është njohur Gjergj
Kastriotit, kemi të bëjmë këtu me « shpatë gjuetie », « shpatë duelesh tipike
nga Bohemia », « shpatë e përdorur në luftërat husite në Çeki », etj. Sot kjo
kordhë është cilësuar edhe si shpatë e madhe husardi e trupave hungareze të
fillimit të shekullit XVI. « Për arsye datimi, vëren eksperti në armatologji
Nicolas Baptise, ne nuk e konsiderojmë të mundur ta shohim këtë shpatë të
lidhur me personazhin [Skënderbe] pavarësisht nga mendimet kundërshtuese. »[xliv]
Rrjedhimisht, ka të
ngjarë që kjo shpatë e madhe boheme, pallë e harkuar, të ketë hyrë në vitet
1570 në koleksion të arqidukës Ferdinandi II si shpata e parë që i është njohur
Skënderbeut tonë, ndërkohë që shpata e dytë, më e shkurtër, e njohur si «
Shpata Bosega » do të hynte në koleksion 10 vjet më vonë, më 30 tetor 1580. Kjo
periudhë e viteve 1565-1580 përbën periudhën fillestare të ngritjes në këmbë të
koleksionit të Ambrasit, por edhe periudhën kur zë fill menjëherë vetë
pavërtetësia e të dy shpatave të njohura si të Gjergj Kastriotit. Ndërsa
studiuesit e armëve të Skënderbeut janë mbështetur kryesisht në periudhën
1578-1590 si pikënisje e historikut të këtyre armëve në koleksionin e Ambrasit.
Lart :
Shpatë boheme me përdorim dy duarsh, ose shpatë gjuetie.
Poshtë :
Shpata Boheme që i është njohur gabimisht Skënderbeut shqiptar.
Pas daljes hapur të
studiuesit Dritan Egro më 2005, që shpatat e Vjenës nuk janë të Skënderbeut,
prof. Olivier Jens Schmitt boton më 2008 veprën e tij « Skënderbeu », ku disi
kalimthi vë në dukje se armët e Skënderbeut janë të mbështjella me legjendë, se
« në rastin e shpatës gjatoshe, kemi të bëjmë me një shpatë duelesh tipike nga
Bohemia, e cila zor se mund të ketë qenë në zotërim të Kastriotit.
Kurse arma më e vogël… është një punim tejet elegant e i çmuar, siç
mund të gjenden të tilla vetëm në koleksionet e sulltanëve në Topkapi Saraj »
(nënvizimet tona).[xlv] Mesazhi
ishte i qartë, por askujt nuk ia kishte ënda ta gëlltiste, pale ta treste.
Në shtator 2012, para se
armët e Skënderbeut të vinin në Tiranë nga Vjena, përsëri u ngritën dyshime për
origjinalitetin e tyre, këtë radhë nga studiuesi Frederik Stamati, « duke lënë
të kuptohet se [ai] po punon për të zbuluar nëse është apo jo e vërtetë shpata
që u mbajt në dorë nga heroi ynë kombëtar. »[xlvi] Veçse,
pavarësisht se u bëhet edhe një herë përshkrim armëve të Skënderbeut,
pavarësisisht se citohet Faik Konica i vitit 1901, si dhe prof. Schmitt i vitit
2008, përsëri në diskurin e Stamatit « dyshimi » mbetet në hava, flitet për një
konferencë në Vjenë, por me sa duket sërish «top sekret», sepse asgjë nuk
pipëtiu pas saj. Nga ana tjetër, Stamati premton për një studim, « por që ende
nuk e kam përfunduar » - siç shprehet ai – duke i bërë njëkohësisht të ditur
publikut se « Muzeu i Vjenës disponon dokumentacionin e blerjes së këtyre
armëve të Skënderbeut dhe si janë trashëguar ».[xlvii] Dhe
më në fund, njofton se studiuesi hollandez Frederik de Jong, njohës i
osmanishtes, ka marrë përsipër të bëjë « deshifrimin e shkrimit arab në dy
shpatat që i janë njohur Skënderbeut shqiptar », domethënë në « Shpatën Bosega
» dhe në « Shpatën Boheme ». Por edhe në këtë rast, asgjë, asnjë rezultat,
asnjë studim, që nga shtatori 2012. U la miti të majiset, me rrezikshmërinë e
madhe që mbart me vete, tek e zhvesh nga vlerat reale, origjinale dhe njerëzore
Gjergj Kastriotin. Dhe domosdo, shpatat e Vjenës do zbarkonin trumfalisht në
Tiranë në nëntor 2012 mes euforisë së përgjithshme, ngjarjes së pazakontë të
shekullit. Ngaqë « i do populli, ia ka qejfi t’i shohë si të vërteta », por JASHTË
KUADRIT TË SË VËRTETËS SHKENCORE, që mbështetet vetëm mbi fakte e dokumente
arkivore, jashtë realitetit me këmbë në tokë.
Megjithatë, një gjë vlen
të theksohet në këtë mes : si ka mundësi që armët e Skënderbeut të lëshonin
istikamin e tyre në Vjenë për të ardhur në Tiranë ? Kur prej gati një shekulli
autoritetet e Muzeut të Vjenës u ishin përgjigjur negativisht kërkesave
përsëritëse të palës shqiptare për t’i huazuar, duke u treguar të prera e të
palëkundura në qëndrimet e tyre. Përse ky qëndrim i zbutur më 2012 ? Kaq forcë
bindëse të kishte vallë tek autoritetet austriake argumenti i 100 vjetorit të
Pavarësisë, i themelimit të shtetit shqiptar ? Ndërkohë që, më 2005, i ndjeri
Moikom Zeqo -, i shkëlqyer në penë e erudicion, -, vinte në dukje se drejtori i
përgjithshëm i Muzeut të Artit Historik të Vjenës Eilfries Sejpel e kishte
siguruar atë (Moikomin, në rolin e tij të drejtorit të Muzeut
Historik të Tiranës), se ishte e pamundur që armët e Skënderbeut të huazoheshin
për t’u ekspozuar gjetiu, qoftë edhe nëpërmjet bashkëbisedimesh
presidenciale. Sepse fati i armëve të Skënderbeut ishte si fati i Mona
Lizës : « … që nuk është ekspozuar kurrë në Itali, edhe pse atje e ka
vendlindjen e saj » kjo kryevepër botërore që gjendet në Luvër të Francës.[xlviii]
Me sa duket, ndjenja e
fuqishme kombëtare për t’i parë shpatat si idolum, si simbole
historike të pamohueshme (në të kundërt, do të ishte mëkat t’i mohoje !), si të
barasvlefshme me « Mona Lizën », vazhdonin e merrnin përparësi të çuditshme
brenda kuadrit të tyre po aq të fuqishëm të mitizimit, apo legjendarizimit. Të
kuptohemi : e kemi fjalën këtu vetëm për dy shpatat e Vjenës që i janë njohur
Skënderbeut tonë historikisht, dhe assesi për përkrenaren e tij, që është mëse
origjinale dhe dhuratë nga papati. Por rrugëtimi i kësaj përkrenareje nga
Italia në Vjenë është tjetër histori, me enigmat që e shoqërojnë dhe që
kërkojnë të zbërthehen.
Në revistën
shkencore Palaver, nr 4, 2015, drejtori dhe historiani i
Kunsthistorisches Museum Wien, dr. Matthias Pfaffenbichler boton për të
dytën herë[xlix] një
studim në gjermanisht titulluar « Përkrenarja dhe shpata e Gjergj Kastriotit,
të quajtur Skënderbe », përkthyer në shqip me shumë mjeshtëri nga Genc Lafe. Që
në titull bie në sy se bëhet fjalë vetëm për njërën shpatë, që e kemi cilësuar
« Shpata Bosega » dhe aspak për shpatën e dytë apo « Shpatën Boheme ». Pas «
vizitës » së kësaj shpate në Tiranë më 2012, erdhi duke u përforcuar nga
studiuesit teza se kjo shpatë e madhe boheme nuk ka qenë në zotërim të
Skënderbeut tonë, gjë që bëri që ajo të lihet gradualisht mënjanë, në heshtje,
në folenë e vet, pa etiketimin klasik që njihej si e Skënderbeut.
Si flet kalimthi për
inventarizimin e shpatës së shkurtër dhe të përkrenares në vitet 1593 dhe 1596
- kur ne, në të kundërt vumë në dukje vitin 1580 të invetarizimit të parë -,
Dr. Pfaffenbichler bën një historik të shkurtër të tyre, ndalet në vitet 1601
dhe 1603 kur ato u botuan në Armamentarium Heroicum[l] dhe
flet në linja të përgjithshme për historinë e Skënderbeut dhe të armëve të tij,
duke përmendur historianët O.J. Schmitt, Thomas Bruno e Gamber Ortwin, të cilët
kishin hedhur tashmë dyshime lidhur me vërtetësinë e këtyre armëve. Nuk po
ndalemi në përshkrimin dhe historinë që ai i bën përkrenares së Skënderbeut,
por në studimin e tij na tërheq vëmendjen teza e Jakob Schrenck von Notzing te
botimi gjermanisht i Armamentarium Heroicum, sipas së cilës
Gjergj Kastrioti synonte të kurorëzohej nga Roma, dhe konkretisht :
« Në vijim, Skënderbeu
udhëtoi drejt Romës dhe argumentoi se gjendja e rëndë e bënte të nevojshme një
Lidhje të princave të krishterë kundër turqve nën drejtimin e papës. Ai
vetë u ofrua ta udhëhiqte ushtrinë e krishterë. Papa synonte ta bënte
jo vetëm mbret të Shqipërisë por edhe të Maqedonisë. Por Skënderbeut iu pre kjo
shpresë për shkak të armiqësisë dhe grindjeve ndërmjet princave të krishterë.
Ai u kthye në atdhe e më pas nuk kreu bëma të mëdha, por as edhe bëma që të
ishin në lartësinë e emrit të tij të deriatëhershëm » (nënvizimi ynë).[li]
Kjo tezë, për
domosdoshmërinë e një Lidhjeje të princërve të krishterë kundër turqve osmanë,
pavarësisht nga fjalia e fundit paragjykuese që vë në dyshim bëmat e mëdha të
Skënderbeut në vitet e fundit të tij, meriton, për mendimin tonë, një studim të
veçantë në shkencën e skënderbegologjisë, në është Skënderbeu ynë dhe jo Papa
Piu II ideatori dhe nismëtari i kryqëzatës së krishterë mbetur në letër si
projekt.
Me këtë rast, Dr.
Pfaffenbichler nënvizon në studimin e tij dyshimin e madh për vërtetësinë e
armëve të Skënderbeut tek shprehet: « Është e vështirë të besohet se arkiduka
[Ferdinandi II] ka shtënë në dorë relika të princit shqiptar [Skënderbeut],
sepse një sërë shkaqesh thelbësore dhe formale [zyrtare], lënë të mendohet se
këtu kemi të bëjmë me një falsifikim. »[lii]
Po ashtu, Dr. Pfaffenbichler pohon se « Një njeri me formim të tillë të thellë, madje edhe me arsimim letrar si Gjergj Kastrioti, vështirë të kishte pranuar një shpatë me mbishkrim [arabisht] të palexueshëm » ; se « Vështirë të besohet që Gjergj Kastrioti, në pritje për kurorëzimin e tij si mbret i krishterë i Shqipërisë të përdorte shpatë me « aludime » të tilla… që të sjellin ndër mend kundërshtarin e madh të Kastriotit, sulltanin osman »[liii]. Dhe më në fund, ai del me konkluzionin se « Si shpata dhe përkrenarja duhet të jenë prodhuar në fund të shekullit XVI ».[liv] Një konkluzion, për mendimin tonë, gjysmë i gabuar, kur i japim të drejtë vetëm përsa i përket « Shpatës Bosega » që ai analizon, por jo për përkrenaren dhuratë papale, e cila është prodhuar në shekullin XV në punishten e Vatikanit nga mjeshtër të përsosur, por që është « masakruar » tri herë radhazi (çmontuar e montuar keq), pas përfshirjes së saj në koleksionin e Ambrasit.
Nga ana tjetër, lypset të
themi se këto argumente të Dr. Matthias Pfaffenbichler të krijojnë përshtypjen
se i janë servirur pak a shumë që më 2005 studiuesit Dritan Egro, tek i gjejmë
kalimthi edhe më 2008 në librin « Skënderbeu » të O. Schmitt, i cili nuk mungon
të nënvizojë madje - me anë shënimi - bashkëbisedimin e tij gojor me Dr.
Pfaffenbichler për çështjen e këtyre armëve. Nga hipotezat e parashtruara në
studimin e këtij të fundit del se Ferdinandi i Tirolit « ka blerë nga Duka i
Urbinos armë të falsifikuara nga tregtarë [italianë]
mashtrues, se vetë tregtari i përkrenares, « që ishte njëkohësisht edhe falsifikues,
me sa duket është përpjekur që me pjesë të veçanta… të prodhonte një « pasticcio që
të njihej [përkrenarja] si e heroit shqiptar… »[lv].
Ne ruajmë rezervat tona
hëpërhë lidhur me këtë « gatesë pastiço » të përkrenares së famshme të
Skënderbeut, por lypset të nënvizojmë se Irena Kastrioti e ruajti atë si sytë e
ballit të pacenuar gjer më 1565, si një vlerë e çmuar historike trashëguar nga
stërgjyshi i saj që u dha emrin e lartë dhe të nderuar fisnik « Kastrioti »
tërë breznive të djeshme e të sotme në Itali.
Veçse, një e dhënë me
shumë rëndësi e Dr. Matthias Pfaffenbichler, që hedh dritë të fuqishme në
rrugëtimin e armëve të vërteta të Gjergj Kastriotit drejt Vjenës është fakti se
« Bashkë me përkrenaren, Ferdinandi II i Tirolit mori edhe dy shpata, të cilat
në Inventarin e Ambrasit të vitit 1596 njihen si të Skënderbeut. Njëra
duhet të ketë qenë një shpatë e shkurtër e hollë armaturëshpuese dhe sot ka
humbur » (nënvizimi ynë).[lvi] Për
fat të keq, Dr. Pfaffenbichler nuk jep burimin nga e ka marrë të dhënën për
këtë shpatë « të humbur » të Skënderbeut, e shkurtër, e hollë, por e aftë për
të shpuar edhe metalin ! Kjo e dhënë dëshmon mjaftueshëm se përkrenarja papale
e Skënderbeut ka hyrë në koleksionin e Ambrasit e shoqëruar nga kjo shpatë e
tij e vërtetë, pikërisht dy armët që duhet të ketë trashëguar origjinale dhe të
paprekura Irena Kastrioti gjer në vitin e vdekjes së saj më 1565.
Duke folur për dy shpatat
e rreme të Skënderbeut shqiptar, për « Shpatën Bosega » dhe « Shpatën Boheme »,
ne vumë në dukje se kjo e fundit duhet të ketë hyrë në koleksionin e Ambrasit
para vitit 1580 kur u vra pashai i Bosegës dhe u koleksionua shpata e tij në
mënyrë të falsifikuar.
Në fakt, një relacion i
hershëm, datuar më 26 qershor 1577 i ambasadorëve venecianë për dozhën
Sebastian Venier[lvii] -
dokument i parë zyrtar deri më sot, tepër i rëndësishëm -, vë në dukje se
Arqiduka Ferdinand II është takuar me ambasadorët Giovanni Michiel, Lunardo
Donado dhe Sigismondo di Cavalli për t’i vënë në dijeni se dëshiron të pasurojë
Muzeun e tij në Ambras duke koleksionuar armë të figurave të shquara historike
nga tërë bota, dhe se me këtë rast, dëshiron të ketë në koleksionin e vet armët
e « të famshmit Sebastiano Venier ». Dhe për t’i joshur ambasadorët që të
binden, por pa zënë në gojë emra konkretë të princërve e mbretërve, vetë arqiduka
përmend si karem a si karotë, të themi, vetëm armët e Skënderbeut shqiptar në
koleksionin e tij. Në dokument thuhet :
« … che
havendo ella mesi insieme in una stantia ordinata a questo effetto come
un’armaria le proprie armature di piu imperatori, re, principi et signori et
capitanei et guerieri di ogni natione segnalati nella guerra, …raccontandoci di
haverne fino ad hora raccolte molte et d’imperatori et di re con altri
principal signori et capitani tanto di Germania, Francia, Spagna, Hungaria,
Inghilterra, Polonia et fino d’Albania, nominado il Scanderbeg, quanto d’Italia
».[lviii]
Kemi kësisoj provën
bindëse se armët e Skënderbeut, shpatë dhe sidomos përkrenare, kanë hyrë në
koleksionin e Ambrasit që para qershorit 1577, « come un trofeo et un vivo
testimonio ».[lix] Është
e vërtetë se nuk e dimë për cilën shpatë konkretisht bëhet fjalë, por duke i
besuar arqidukës dhe duke shmangur « Shpatën Boheme » dhe « Shpatën Bosega » si
false, nuk mbetet tjetër veçse shpata origjinale e Skënderbeut, e shkurtër, e
hollë dhe tejshpuese, për të cilën Dr. Pfaffenbichler thotë se ka humbur. Që
kjo shpatë dhe përkrenarja janë futur në koleksionin e Ambrasit nuk ka pikë
dyshimi, sepse vetë Ferdinandi II i Austrisë e shpreh qartë se armët (domethënë
përkrenare plus shpatë) kanë hyrë në koleksion të tij. Sikur të kishte pasur
dyshimin më të vogël për pavërtetësinë e armëve të Skënderbeut, arqiduka i
famshëm i Tirolit nuk do guxonte të përmendte dhe mburrte këto armë tek
venecianët dhe te dozhi Venier. Në fund të fundit, nuk do të ishte në nderin e
tij të fisnikërisë së lartë të mashtronte dhe të binte aq poshtë me armë të
falsifikuara në koleksionin e vet. Por, se çfarë ka ndodhur më tej me këtë
shpatë origjinale, është tjetër punë, kur dimë që armët shpesh përziheshin e
lëviznin nga një kështjellë në tjetrën në formë tokmaku për të humbur gjurmët,
dhe kur inventarët jo gjithmonë kanë qenë të saktë, sidomos kur muzeumet
plaçkiteshin pas luftërash dhe pushtimesh, pa zënë në gojë që armët
çmontoheshin e montoheshin me njëra-tjetrën për tekat e ndonjë princi.
Veçse, një gjë është e
sigurt nga sa parashtruam : relacioni i 26 qershorit 1577 është një datë e
shënuar në katalogët e Kunsthistorischen Muzeum, që vërteton
pikërisht gjurmët dhe praninë e këtyre armëve të vërteta të Gjergj Kastriotit
në koleksionin e famshëm të Ambrasit. Dhe jo siç pretendohet sot se armët e tij
janë të falsifikuara, madje edhe përkrenarja.
Një dëshmi tjetër që përforcon relacionin e 26 qershorit 1577 është fakti se arqiduka Ferdinand, siç thotë ndër të tjerë Dr. Pfaffenbichler, i ka blerë armët e Skënderbeut në Itali dhe « ka të ngjarë në Urbino ».[lx] Është edhe kjo një e dhënë me shumë rëndësi, për arsye se jo vetëm që ai nuk bie në gabimin e gjithë studiuesve që nga vitet 1930 me Dr. Auguste J. Gross, të cilët i referohen gabimisht dukës Marius Sfroza – në fakt, një figurë historike kjo e mesit të shekullit XVII[lxi] – por çel udhën e një ideje të madhe origjinale se Ferdinandi II i Tirolit nuk i ka blerë armët e Skënderbeut të modifikuara a bastarduara nga tregtarë italianë, por i ka blerë origjinale dhe të pacenuara drejtëpërdrejt nga Duka sovran i Urbinos, që në atë kohë ishte Francesco Maria II i Roverës (1549-1631), anëtar i Lidhjes së Shenjtë kundër Perandorisë osmane dhe pjesëtar i betejës së famshme të Lepantos më 1571. Edhe në këtë rast, është jashtë logjike dhe pothuaj e pamundur që një dukë i mirënjohur i kohës së tij të blente armët e KryeHeroit shqiptar te tregtarë italianë mashtrues a falsifikatorë, dhe akoma më keq armë të cenuara e modifikuara prej tyre. Ai duhet t’i ketë blerë ato drejtpërdrejt nga Irena Kastrioti në vitet e fundit të saj rreth viteve 1560. Kur dihet tashmë se arqiduka Ferdinand II i Tirolit, pasi qeverisi Boheminë në vitet 1548-1563, e nisi veprimtarinë e tij për Muzeun e armëve në Ambras të Innsbrukut në vitin 1564.[lxii] Me fjalë të tjera, guxojmë të pohojmë se në kështjellën e Armbrasit kanë hyrë armët e vërteta origjinale të Skënderbeut, përkrenare dhe shpatë e shkurtër (e humbur) që në vitet e para të koleksionit të Ferdinandit të Tirolit. Dhe nëse Irena Kastrioti ka vdekur në vitin 1565, pa mëdyshje armët origjinale të Gjergj Kastriotit duhet të kenë hyrë në koleksionin e Ambrasit që në vitin 1564, ndër të parat armë origjinale të koleksionuara. Andaj dhe Arqiduka Ferdinand II mburrej me të drejtë me to për të joshur dozhën Sebastiano Venier dhe tërë figurat e shquara të Europës.
Vërejmë më në fund, se në
fillim të vitit 2018, eksperti francez në armatologji Nicolas P. Batiste boton
në revistën shqiptare « Studia Albanica » nr. 1, studimin në frëngjisht « Një
shpatë e Giorgio Castriota të quajtur Skanderbeg dhe armët «
shqiptare » në koleksionet e armëve të Venedikut ». Ajo çka na intereson
në shkrimin e tij është fakti se dy shpatat e Vjenës që i janë njohur
Skënderbeut tonë, « për arsye datimi, janë - siç thotë autori - të
tipeve dhe të modeleve specifike dhe à priori, të vështira që t’i
shohim të lidhura me veprimtaritë ushtarake teknike të një komandanti si
Giorgio Castriota ». Teza e parashtruar prej tij është se shpata e madhe me
përdorim dy duarsh të çon tek armë të tipologjisë që gjuetisë, si ato që ruhen
në Oborrin e Maksimilianit I, ose si pallë husardi në trupat hungareze të fillimshekullit
XVI ; kurse shpata e shkurtër - thotë ai - « të kujton shpatën turke, doreza e
së cilës është e ngjashme me shpatën me faqe të harkuar të quajtur e Mehmetit
II dhe që ruhet në Topkapi Saraj. »[lxiii] Bie
në sy se Baptiste, përtej dyshimit për vërtetësinë e shpatave të Vjenës që i
janë njohur Skënderbeut tonë, sikur kërkon të shprehë, tërthorazi, një mohim të
heshtur, por duke u treguar njëkohësisht mjaft i rezervuar. Nga ana tjetër, veç
analizës që ai u bën shpatave që i njihen Skënderbeut tonë në Vjenë e në
Venecie, ai përmend kalimthi edhe një shpatë kastriotine në Kapodimonte të
Napolit, të cilën ne e kemi quajtur « Shpata Ensis » dhe i kemi kushtuar më
2018 studimin « Enigma e shpatës së tretë “ensis” të Skënderbeut, e më
tej… »[lxiv]. Këtë
shpatë të një bukurie të veçantë, me disa elementë kompozicionalë përbërës,
prof. Lutfi Aliaj, mbështetur tek studiuesit austriakë Ludwig von Pastor dhe
Eduard von Sacken (të cilët i referohen shënimeve të kardinal Gonzagas)[lxv] e ka vlerësuar - mbase me të drejtë, por
është koha që do ta vërtetojë -, si dhuratën papale që shoqëronte përkrenaren
me brirët e dhisë, duke e cilësuar, në bazë të literaturës përkatëse si
armë thjesht dekorative apo
ceremoniale, pa përdorim funksional.[lxvi]
E përfshirë në gjininë e
quajtur “Shpata Nderi” (Eppées d’Honneur), që dhuroheshin rregullisht çdo vit
nga Papati duke filluar që nga shekulli XIII dhe e bekuar nga duart e Papës ajo
assesi nuk varrosej me trupin e luftëtarit. Prof. Aliaj ka paraqitur të dhëna
të veçanta për këtë shpatë të Skënderbeut, duke theksuar se ajo iu bë
Kastriotit të Madh dhuratë nga Papa Pali II më 25 dhjetor 1466 (ditën e
Krishtlindjes), së bashku me përkrenaren tashmë emblematike.
Lidhur me këtë shpatë,
studiuesi frëng Baptiste, vë në dukje se në realitet, ajo është një objekt që
ka dalë shumë vonë në skenë, “un objet beaucoup trop tardif”, objekt, me
një fjalë, që nuk është marrë në konsideratë sa dhe si do duhej.
Edhe kjo shpatë reale dhe origjinale e Skënderbeut përbën një enigmë më vete, ashtu sikurse shpata e Skënderbeut në Venecie, hulumtuar nga
Lucia Nadin, zbuluesja
dhe studiuesja e suksesshme e mjaft vlerave historike të epokës së ndritur
kastriotine, ashtu sikurse shpata tjetër që përmendet si e Skënderbeut nga shkrimtari
dhe poeti i madh frëng Théophile Gautier, shpatë të cilën ai e kishte parë më
1855 në kishën e lashtë të Shën-Irenës në Kostandinopojë, e ekspozuar krahas
shpatës së Mehmetit II me mbishkrim germash të arta dhe krahas pancirit të artë
të Timurlengut. Sipas autorit frëng, ajo është “një shpatë hekuri me teh të
copëtuar e të ngrënë, dhe me dorezë në formë kryqi, që është shpata e
Skënderbeut (sic!), e heroit atletik”.[lxvii]
Nuk ka dyshim se Donika
Kastrioti kur u largua nga Arbëri, mori me vete edhe armët e Skënderbeut.
Domosdo përkrenaren dhe krejt arsenalin e shpatave të KryeHeroit. Nuk bëhej
fjalë këtu për një a dy të tilla, por për krejt serinë e shpatave të tij
cilësore, pa harruar shpatat dhuratë dhe armët trofe, që zbukuronin të gjitha
sallonin e tij princëror në kështjellën e Krujës, ku vendin kryesor e zinin
pamëdyshje portreti origjinal i Skënderbeut nga Gentile Bellini,[lxviii] përkrenarja
e famshme me brirët e dhisë dhe shpata dhuratë e papa Palit II, e cilësuar
“ensis”.
Në mars 2024, ne vizituam
Muzeun kombëtar të Kapodimontes në Napoli ku ndodhet kjo shpatë “ensis”. Salla
e armëve dhe armaturave ishte e mbyllur, në restaurim. Dhe kur ne shprehëm
interesimin tonë te punonjësit e muzeut për shpatën e Skënderbeut që ndodhet
aty, na vunë në dijeni, për çudinë tonë, se “shpata i ishte bërë dhuratë
Skënderbeut nga mbreti Alfonsi V”, por pa ditur si kishte mbërritur ajo shpatë
në atë muze të famshëm. Për më shumë informacion, na sugjeruan librin e Umberto
Bile-s “Le armi del cavaliere giostrante” ku, në fakt, nuk është përmendur kjo
shpatë e Skënderbeut.[lxix] Për
fat të mirë, një foto e kësaj shpate është botuar më 1940 te libri i Angiolo
Bianchotti-t “Giorgio Castriota detto lo Scanderbeg”.
Në mungesë të një
informacioni minimal për rrugëtimin e kësaj shpate të famshme “ensis” të
Skënderbeut nga Donika Kastrioti në Muzeun e Kapodimontes, parashtrohen me të
drejtë shumë pikëpyetje e hipoteza. Por e sigurt është se, deri më sot, kjo
shpatë është dëshmia e vetme që ka qenë në zotërim të Gjergj Kastriotit dhe
shkëlqen mes errësirës së kohërave. Prania e saj sot në Napoli mbase e ka një
shpjegim për mendimin tonë: me shpërnguljen e saj në kryeqytetin e Italisë së
Jugut më 1468, Donika Kastrioti duhet ta ketë bërë këtë shpatë “ensis” -
ndoshta të bekuar nga papa -, dhuratë te Ferdinandi II i Aragonës, djali i
Alfonsit V, në shenjë mirënjohjeje të veçantë që ai e mirëpriti Zonjën e Madhe
të Arbërit dhe familjen e saj gjithë bujari në atdheun e saj të dytë. Është një
hipotezë që ne guxojmë ta parashtrojmë për të shpjeguar njëfarësoj praninë e
kësaj shpate në muze të Napolit.
Pas shpatave të
falsifikuara të Vjenës, ajo Boheme dhe ajo e Pozhekut, që i janë njohur
gabimisht Skënderbeut tonë, me shpatën origjinale kastriotine në Napoli të një
bukurie të rrallë, ashtu si ka qenë e pacenuar dhe e madhërishme edhe vetë përkrenarja
e dikurshme e Vjenës, mbyllim këtu ciklin e Triptikut tonë, por duke lënë të
hapur shtegun e një studimi të plotë për armët e vërteta të Kastriotit të Madh,
me të papriturat që do sjellë koha për të korrigjuar, saktësuar e vërtetuar
tezat dhe hipotezat që parashtruam në këtë studim dhe në krejt Triptikun tonë.
Në përfundim, me një
mesazh pozitiv, nuk ka si të mos shprehim besimin tonë se edhe shpata apo
shpatat e vërteta e të shenjta të Skënderbeut tonë ekzistojnë mirë e bukur të
dokumentuara dhe ndoshta të pranishme fizikisht, përderisa vetë Providenca na
ruajti, ndër të tjera objekte, dy portretet të tij në natyrë dhe katër kodikët
e bibliotekës së tij, të cilat përbëjnë të gjitha së bashku vlera të larta për
mbarë kombin shqiptar, e më tej.
Për pjesën e parë të
këtij Triptiku, klikoni këtu:
Për pjesën e dytë të
këtij Triptiku, klikoni këtu:
Tekst i rishikuar
© Fotaq Andrea e Dritan Muka
© Zemra Shqiptare
[i] Vijon
në tekst etiketa në gjermanisht : « Zweihändiges
Krummschwert angeblich von Georg Castriota, Fürsten von Albanien, genannt
Skanderbeg » - « shpatë e harkuar me përdorim dy duarsh që duhet të jetë
përdorur nga Gjergj Kastrioti, princ i Shqipërisë, i quajtur Skanderbeg ». Ky
artikull është ribotuar kohët e fundit në Antologjinë « Faik Konica – Për një
Shqipëri Europiane », përgatitur nga F. Andrea, botimet Jozef, 2025, f. 96-97.
[ii] Po
aty.
[iii] « Faik
Konica – Për një Shqipëri Europiane », f. 259-260.
[iv] Po aty.
[v] Cilësimi
“Skënderbeu - Njeriu i Shpatës” vjen nën penën e prof. Aleks Budës në
Konferencën e II të Studimeve Albanologjike, kur ai thekson:”Historiografia deri
me sot i ka dhënë zakonisht luftëtarit, “njeriut të shpatës” Skënderbeut,
vendin kryesor para burrit të shtetit [...]. Bëhet fjalë këtu për dy aspekte të
të njëjtit personalitet”. (Konferenca II e Studimeve Albanologjike (12-18 janar
1968) Tiranë 1969, f. 38.
[vi] Intervistë
me prof. Luan Malltezin, “Armët e Skënderbeut false? Malltezi: Ta vërtetojnë
historianët”, gazeta Shqiptarja.com, 20 nëntor 2012. (Më kujtohet
fare mirë ajo ditë nëntori 2012, kur mbajta radhë në Muzeun Historik për të
parë armët e Skënderbeut së bashku me kritikun e njohur të artit Agim Janina, i
cili më tërhoqi vëmendjen për të parë rrethin e ngushtë të përkrenares,
ndërkohë që më shfaqej në mendje koka e prerë e “Skënderbeut” dhe më buçisnin
në vesh fjalët “Bossega, Bossega”, tek shihja shpatën e dytë të shkurtër
vendosur vertikalisht në vitrinë).
[vii] Po aty.
[viii] F.
Konica, “Për një Shqipëri Europiane”, vepër e cituar, f. 260. Nënvizimi
ynë, F.A.& D.M.
[ix] Për vitin e vdekjes së Irena Kastrioti Skënderbeut jemi
bazuar te blogu Geneatorg (Irene Castriota Scanderbeg dceased
September 15, 1565) https://gw.geneanet.org/genroy?lang=en&n=castriota+scanderbeg&p=irene Prof.
Lutfi Aliaj jep dy vite të vdekjes së saj : 1561 dhe 1565. Është një çështje me
rëndësi për të kërkuar fillimet e lidhjes së Irena Kastriotit me Dukën e
Urbinos, e më tej me Ferdinandin e Tyrolit për historikun e Armëve të
Skënderbeut deri në Vjenë.
[x] Përpjekjet
tona për të pasur një kopje të dixhitalizuar të Testamentit të Irena Kastriotit
që ndodhet në arkivin e shtetit në Salerno deri më sot kanë dalë të
pasuksesshme. Prof. Lutfi Aliaj i ka kushtuar Irena Kastriotit shkrimin “Irena
Kastrioti Skënderbeu, dukesha II e Shën Pietro-s në Gallatina dhe
Princesha Bisinjano”, Forumi “Zemra Shqiptare”, 26.11.2023.
[xi] F. Konica, vepër e cituar, ibid.
[xii] Skënderbeu II i Shqipërisë ishte vetëshpallur Princ
Vilhelm Vidi më 1913.
[xiii] Correspondance d’Orient, 21 Année,
nr. 374, shkurt 1929.
[xiv] Gjurmuesi i rregullt e i apasionuar i bibliotekës së
dixhitalizuar « Gallica » të Francës Aurenc Bebja, ka botuar në blogun e
tij Darsiani.com në tetor 2018, një shkrim të gazetës « Le
Temps » datuar më 31 gusht 1928, ku vihet në dukje : « “Një zyrtar i Muzeut të
Arteve Historike në Vjenë raporton se Ahmet Zogu dhe dy persona të tjerë
shqiptarë […], shkuan të shihnin përkrenaren e Skënderbeut që ruhet nga ky muze
në koleksionin e mrekullueshëm të armëve të vjetra.
Ahmet Zogu kërkoi që t’i hapnin vitrinën dhe
ta lejonin të prekte përkrenaren e heroit kombëtar të vendit të tij. Ai e mori
reliktin në duar dhe, duke u përkulur me respekt, e afroi pranë buzëve me një
gjest të madh nderimi.
Muzeu i Arteve Historike ka gjithashtu
shpatën e Skënderbeut. Besohet se këto objekte vijnë nga një trashëgimi, sepse
gjatë shekullit XVII e XVIII Habsburgët kryen dy martesa me anëtarët e
familjes së Skënderbeut.” (nënvizimi ynë F.A. dhe D.M. - Mendojmë, me
këtë rast se martesat, nëse janë bërë, duhet të jenë lidhur në shekujt
XVI-XVII. Megjithatë, ky burim nuk na duket fort i besueshëm, duke qenë i
pambështetur në dokumente).
[xv] Dorian Koçi, « Armët e Skënderbeut në Vjenë » 13.10. 2023
https://gazetadielli.com
[xvi] Falënderojmë me këtë rast punonjësit e Arkivit Armando
Boçe dhe Mariana Shehi për ndihmën e çmuar që na kanë dhënë për këtë studim.
[xvii] Kristo
Frashëri, “Skënderbeu dhe shpatat e tij. Si qëndron çështja e shpatave te
Skënderbeut?, 11 Mars 2005,
https://albforumi.com/threads/skenderbeu-dhe-shpatat-e-tij.1726/
[xviii] Dr. Dorian
Koçi, Shpata që iu dhurua Skënderbeut në
Krishtlindjen e vitit 1466, Gazeta Shqiptare, 15.01.2019.
[xix] Gazeta Panorama, 12 janar 2018, « A janë origjinale
shpata dhe përkrenarja e Skënderbeut në Vjenë ?
https://www.panorama.com.al/a-jane-origjinale-shpata-dhe-perkrenarja-e-skenderbeut-ne-vjene-arkivat-nxjerrin-dokumentet-dhe-thone-se/
[xx] Po aty.
[xxi] Ylli
Polovina, « Armët e Skënderbeut nuk ua japim dot » - kërkesa top sekret e
Mehmet Shehut për kancelarin austriak », gazeta Tema, 9 shkurt 2020.
[xxii] Po aty.
[xxiii] “Përkrenarja dhe shpata e Skënderbeut në Muzeun Historik »
sipas blogut Durrës lajm, 22/12/2012
https://durreslajm.al/perkrenarja-dhe-shpata-e-skenderbeut-ne-muzeun-historik/
[xxiv] Kristo
Frashëri, Ibid., 11 Mars 2005.
[xxv] F.
Konica, vep. cit. f. 259. Gabimi vjen sipas historikut të Leo Alexander Freundlich.
[xxvi] Po aty. Është një e dhënë e gabuar përsa i përket vitit,
sepse nga inventari i botuar në Anuaret e
Koleksioneve të Historisë së Artit të Shtëpisë së Lartë Perandorake del viti
1580. Shih më pas shënimin nr. 30.
[xxvii] Nisur nga përvoja e suksesshme që kishim pasur në pranverë
të vitit 2012 në Muzeun Historik Kombëtar për çeljen e ekspozitës « Arbreshët e
Italisë në shekuj », në shtator të po atij viti i propozuam prof. L.Malltezit
çeljen e ekspozitës me 400 portrete të hershme të Heroit Kombëtar Skënderbeut.
Pasi na falënderoi për propozimin, Prof. Malltezi na njoftoi me entuziazëm se
do vinin në Shqipëri, për herë të parë, Armët e Skënderbeut nga Vjena dhe se
Ekspozimi i këtyre armëve do të bëhej në Muzeun Historik. Për këtë arsye, na
shpjegoi ai, « nuk mund të pranohej propozimi ynë, nuk mund të kishte dy
ekspozita paralele në të njëjtën periudhë në Muzeun Historik, sepse njerëzit do
humbisnin më shumë kohë në sallën e 400 portreteve », dhe do na dilte, sipas
fjalëve të profesor Malltezit « bishti më i rëndë se sopata ». I vumë në dukje
me këtë rast dyshimin tonë që në atë kohë për shpatat « origjinale » të
Skënderbeut, sidomos per « Shpatën Bosega », duke theksuar se Skënderebeu në
luftën e tij 25 vjeçare kundër turqve « kishte përdorur e thyer po aq shpata sa
stilolapse kish perdorur vetë prof. Malltezi në jetën e tij profesionale ». Na
buzëqeshi me shumë nënkuptim (F.A.).
[xxviii] Jahrbuch
der Kunsthistorischen Sammlungen des Allerhöchsten Kaiserhauses (Anuare të
koleksioneve të historisë së artit të Shtëpisë së Lartë Perandorake), vëllimet e viteve 1888, 1894, 1911, etj. ku përfshihen
inventarë e relacione të ndryshme digjitalizuar nga Universitätsbibliothek,
Heidelberg.
[xxix] Ekskluzive nga Fotaq Andrea & Dritan Muka: Misteret
e Kokës së prerë të «Skënderbeut»,
https://www.zemrashqiptare.net/news/68258/ekskluzive-nga-fotaq-andrea-dritan-muka-misteret-e-kokes-se-prere-te-skenderbeut.html
[xxx] Duke u mbështetur te historiku i kësaj shpate nga Leo
Alexander Freundlich, prof. K. Frashëri, përsërit gabimisht vitin 1590 në vend
të vitit 1580, një ngatërresë jo e vogël, po të kemi parasysh se Iskanderbeg
Ulama, pashai i Bossega-s ishte vrarë në shtator 1580 nga hungarezi Georg
Zryni. Përveç këtij gabimi në datim, theksojmë se te historiku i Leo Alexander
ka ngatërresa edhe në përshkrimin e shpatave, kur të dhënat e njërës i vishen
shpatës tjetër. « Armët e Skanderbegut, Gjanat e shejta të Heroit
Kombëtar Shqiptar », përkthyer nga gjermanishtja prej Xhaferr Belegut,
AQSh, Dosja Skënderbeu.
[xxxi] Jahrbuch
der Kunsthistorischen Sammlungen des Allerhöchsten Kaiserhauses, VII Band.
Wien, 1888. Urkunden, Acten und Regesten Aus Dem Archiv Des K.K. Ministerium
des Innern, hartuar nga Heinrich Zimerman, faqe XXIX.
Në faqen XVII të kësaj vepre, me nr. rendor 4597 jepet inventari i bërë në Graz
më 1 nëntor 1590, ku përfshihet brena këtij inventari data e 30 tetorit 1580,
kur « Shpata Bosega » u fut në koleksionin e arqidukës Ferdinandi II.
[xxxii] Po aty, Personen – Register zum II, Theil,
CCCXXXIX.
[xxxiii] Po aty, nyja 321, ku bie dukshëm në sy për herë të parë
ndryshimi i emrit, nga Scanderbeeg (i pashait pers Uluma), në Scanderbegg, i
Skënderbeut shqiptar. Në këtë nyje, përshkruhet përkrenarja « e bardhë me kokën
e dhisë e dy brirët », si dhe dy shpatat, njëra e rëndë « që, për këtë
shkak është quajtur e Skënderbeut », dhe tjetra që « mban emrin e tij
në teh, ku duken edhe njollat e gjakut ». Përkthim i lirë i përshkrimit nga
gjermanishtja e vjetër nga ana jonë (F.A. & D.M.- nënvizimi ynë).
[xxxiv] Inventarët
e viteve 1588, 1590, 1593-1596, etj. ku vazhdimisht shënohet Scanderbeeg
Bossega apo Poszega. Vërejmë se inventari i vitit
1596, 30 maj, Innsbruck, me nr. 5556, f. 56, është pjesë e kapitullit punuar
nga Wendelein Boeheim dhe jo nga Zimmermann, 1888, CCXXII, - shënimi
2, siç vë në dukje kuratori Matthias Pfaffenbichler. (Archiv des k.k.
Ministerium des Innern).Vërejmë po ashtu se edhe inventari i vitit 1765, 23
prill, me numër 19320, e ndryshon emrin e zotëruesit të Shpatës Bossega,
nga Scanderbeeg në Scanderbegg, si në inventarit e
30 majit 1596, me numër 5556. Jahrbuch
der Kunsthistorischen Sammlungen des Allerhöchsten Kaiserhauses, Wien –
Leipzig, 1903, f. XII, nr. 186.
[xxxv] Botuar në « Armamentarium Heroicum » apo « Ambras Armory
of Heroes », 1601-1603 për koleksionin e Arkidukës Ferdinand II i Tirolit, që
çeli Muzeun e Armëve dhe Armaturave në kështjellën Ambras pranë Innsbrukut.
[xxxvi] Jahrbuch
der Kunsthistorischen Sammlungen des Allerhöchsten Kaiserhauses, VII Band.
Wien, 1888, vep.cit., faqe
CCLXXII.
[xxxvii]Jemi
bazuar këtu në shpjegimet që na kanë dhënë Znj. Djemali Nahid dhe Z. Noori Naser
Ahmad, të cilët na sigurojnë se shkrimi në Shpatën Bosega nuk është në persisht
apo në farsi, sepse gërma “L” në këto gjuhë nuk është nistore për të dhënë një
përkushtim, por fundore. I falënderojmë kolegët tanë persianë në Strasburg
për ndihmesën që na dhanë me mjaft kompetencë.
[xxxviii] Tek Faik Konica kemi përkthimin mëse korrekt të shkrimit
arabik të shpatës : Kampionit
të Allahut Skënderbeut. F. Konica,
vep. cit. f. 259.
[xxxix] Oliver Jens Schmitt, në veprën e tij « Skënderbeu »,
tërheq vëmendjen se « mbishkrimi arab i atyshëm [te shpata e vogël] është me
gabime, ndaj nuk mund të mendohet se Skënderbeu, me njohje shumë të mirë të
gjuhëve, të ketë pranuar një falsifikim të tillë. Kurse shpata e shkurtër është
një punim tejet elegant e i çmuar, siç mund të gjenden të tilla vetëm në
koleksionet e sulltanëve në Topkapi Saraj ». O.J. Schmitt, « Skënderbeu »,
Botimet K&B, Tiranë 2008, përkthyer nga Ardian Klosi, f. 123.
[xl] Kasem Biçoku, « Aleksandri i Madh në kujtesën historike
të Skënderbeut dhe Shqipërisë », prurje nga K. Farka, 16-18 shkurt 2018, Shqipëria.com.
[xli] Leo
Alexander Freundlich, « Armët e Skanderbegut, Gjanat e shejta të Heroit
Kombëtar Shqiptar », përkthyer nga gjermanishtja prej Xhaferr Belegut, AQSh,
Dosja Skënderbeu.
[xlii] Po
aty.
[xliii] Po aty, f. 2 e tekstit shqip të daktilografuar, ku flitet
për Ferdinandin II të Tirolit që ngriti në Ambras më 1564-1567 koleksionin e
Armëve.
[xliv] Nicolas Baptiste, Une éppée de Giorgio Castriota dit
Scanderbeg et les Armes « albanaises » dans les collections d’armes de Venise, Studia
Albanica 2018/1, f .218. Po ashtu, O. Schmitt, « Skënderbeu »,
vep.cit. 123.
[xlv] Oliver Jens Schmitt « Skënderbeu », përkthim shqip nga
Ardian Klosi, bot. 2008, K&B, f. 123. Krejt të
dhënat e tij për armët e Gjergj Kastriotit, prof. Schmitt i mbështet në
informacionin gojor të Dr. Matthias Pfaffenbichler, drejtorit të Armerisë
perandorake dhe Muzeut të historisë dhe Artit të Vjenës.
[xlvi] Frederik Stamati, “Në kërkim të mistereve të shpatës së
Skënderbeut”, “Ndodh edhe kjo: 500 vjet jemi gënjyer? Nuk janë të Skënderbeut
armët në Vjenë?!“ https://www.facebook.com/watch/?v=388331158267096
[xlvii] Agjensia
kombëtare e lajmeve “Presheva Jonë”, 13 shtator 2012. Në fillim të majit 2022,
ne iu drejtuam prof. Frederik Stamatit me mesazh për ta pyetur nëse kishte
pasur mundësinë të shihte apo ndiqte nga afër pasaportën dokumentare të armëve
të Skënderbeut, nëse dinte diçka konkrete për prejardhjen e këtyre armëve apo
historikun e tyre se si shkuan armët në Vjenë, kush i kishte zotëruar në Itali
dhe kush i dorëzoi ato për t’u ruajtur në Vjenë. Në përgjigjen e tij prof.
Stamati, që e kishte mbajtur në duart e veta “Shpatën Bossega” të Skënderbeut
na përgjigjet: “Nuk kam pasur rast të shoh kartelën e armëve të Skënderbeut në
muzeun e Vjenës. Lidhur me këtë, mund të konsultoni një shkrim të
Kasem Biçokut në botimet e tij për Skënderbeun. Ai ka shkruar për këtë
çështje”.
[xlviii] Moikom Zeqo, « Fati i armëve të Skënderbeut, si fati i
Mona Lizës », Forumi Shqiptar, 17.10.2005.
[xlix] Studimi
i tij ishte botuar për herë të parë në Jarhbuch des Kunsthistorisches Museum Wien, vëll. 10 (2008) dhe përkthyer në shqip nga Genc Lafe në të njëjtin vit. Pas
ardhjes së armëve të Skënderbeut në Tiranë më 2012, botimi për herë të dytë i
këtij studimi te revista shkencore italiane Palaver 2015 ishte
një sinjal tjetër nga autoritetet muzeale të Vjenës për dyshimin e
tyre të madh lidhur me vërtetësinë e armëve të Skënderbeut.
[l] Katalog i
koleksionimit të armëve të arqidukës Ferdinandi II në kështjellën Ambras të
Innsbrukut. Shih dhe shënimin 33.
[li] Palaver
2015, nr. 4, f. 36.
[lii] Po aty, f. 37.
[liii] Po aty, f. 38.
[liv] Po aty f.39.
[lv] Po aty.
[lvi] Po aty. Një shpatë që ka lënë gjurmë, përmendur në ndonjë
dokument, ka arsyet e veta për t’u shpallur « e humbur » : ose i është njohur
një tjetri gabimisht ; ose është hequr nga koleksioni si e çregjistruar ; ose
është çmontuar dhe pjesët e saj janë montuar te një shpatë tjetër ; ose më në
fund është grabitur nga individ a plaçkitur gjatë luftërash e pushtimesh.
[lvii] Relacion
i 26 qershorit 1577 me numër 11929, botuar në Urkunden Und Regesten aus
dem K.U.K. Haus – Hof – und Staats Archiv in Wien, Herausgegeben Dr. Hans Von
Voltelini [2] (Dokumente dhe regjistra të Arkivave perandorake dhe
mbretërore në Vjenë botuar nga Dr. Hans Von Voltelini), faqe LXXVIII. Digitalisierung:
Universitätsbibliothek Heidelberg. Relacioni është marrë nga Vjetari
nr. 15 i vitit 1894, korrespondencë e hulumtuar prej Dr. Hans Von Voltelini.
Bëhet fjalë për një relacion të ambasadorëve venecianë në Austri për dozhën
Sebastian Venier, ku përmenden armët e vërteta të Gjergj Kastriotit
më 26 qershor 1577.
[lviii] Ne
kemi mbledhur në një vend [kështjellë], posaçërisht të ngritur për këtë qëllim
si një arsenal, armët e shumë perandorëve, mbretërve, princërve, fisnikërve,
kapitenëve dhe luftëtarëve të të gjitha kombeve që janë shquar në luftëra,...
deri tani, ne kemi mbledhur shumë armë të tilla nga perandorë, mbretër, fisnikë
e kapitenë të mëdhenj të Gjermanisë, Francës, Spanjës, Hungarisë, Anglisë,
Polonisë, madje edhe të Shqipërisë, konkretisht armët e Skënderbeut, si dhe të
Italisë”.
[lix] Po
aty, “si një trofe dhe dëshmi e gjallë”.
[lx] Dr.
Matthias Pfaffenbichler, Përkrenarja dhe shpata e Gjergj
Kastriotit... revista shkencore italiane Palaver 2015, f.
33.
[lxi] Me
sa duket, te historiku i Dr. Gross dhe Leo Alexander Freundlich në vitet
1930, për armët e shenjta të Skënderbeut, emri i Dukës së Urbinos
Francesco Maria II i Roverës i shekullit XVI ka dhënë
emrin Marius Sforza, në fakt, ky i fundit, një figurë
historike e shekullit XVII. Lapsuse të tilla janë të shpeshta në studimet e
mjaft autorëve që i referohen historisë.
[lxii] Pierre
Julien, Les curieuses collections du château d’Ambras..., në
revistën Revue d’histoire de la pharmacie, viti 56, nr.
196, 1968, f. 27-30.
[lxiii] Nicola
P. Baptiste, vepër e cit. f. 218.
[lxiv] Fotaq Andrea, Enigma e shpatës së tretë “ensis”
të Skënderbeut, e më tej… botuar në forumin « Zemra shqiptare », 20
tetor 2018,
https://www.zemrashqiptare.net/news/48875/fotaq-andrea-enigma-e-shpates-se-trete-ensis-te-skenderbeut-e-me-tej-.html?skeyword=a
[lxv] Lutfi
Alia, Medaljoni i Gjergj Kastriotit me nr. 67, Zemra Shqiptare, 4 gusht 2018,
https://www.zemrashqiptare.net/news/48719/lutfi-alia-medaljoni-i-gjergj-kastriotit-me-nr-67.html?skeyword=a
[lxvi] Eugene Müntz, Les éppées d’honneurs distribuées
par les papes (Shpatat e nderimit shpërndarë nga papët). Revista La
revue de l’art, ancient e moderne, Paris 1901, nr. 49, tome 9, viti V, f.
253-262.
[lxvii] Fotaq
Andrea, Skënderbeu, heroi kombëtar shqiptar, bot. Zenit, 2017, f.
186.
[lxviii] F.
Andrea e D. Muka, Më në
fund, Skënderbeu i Belinit mes shqiptarëve, zbulim i rrallë historik
https://www.zemrashqiptare.net/news/57165/andrea-muka-me-ne-fund-skenderbeu-i-belinit-mes-shqiptareve-zbulim-i-rralle-historik.html?skeyword=bellini
[lxix] F. Andrea, vizitë në Muzeun e Kapodimontes, Napoli, 14 mars 2024 ; korrespondencë me Dritan Mukën, 12 prill 2024, arkivë personale.