Intervista » Marku
Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me Prof. Nexhmije Mehmetaj – ruajtëse e gjuhës dhe identitetit kombëtar
E shtune, 07.02.2026, 04:00 PM

INTERVISTË ME PROF. NEXHMIJE MEHMETAJ – RUAJTËSE E GJUHËS DHE IDENTITETIT KOMBËTAR
EKSKLUZIVE NGA GËZIM MARKU
Nexhmije (Çupi-Thaçi) Mehmetaj ka lindur në
Kosovë – veriu i Shqipërisë, me rrënjë në Mirditë. Ajo i përket brezit të
intelektualëve shqiptarë të formësuar në rrethana historike jashtëzakonisht të
vështira, por që e shndërruan dijen, gjuhën dhe arsimin në mjete qëndrese,
emancipimi dhe shërbimi shoqëror.
Studimet universitare i ka përfunduar në
Universitetin e Kosovës në Prishtinë, Fakultetin Filozofik, dega Letërsi dhe
Gjuhë Shqipe. Që nga ajo ditë, ajo ndjeu se profesioni i saj nuk do të ishte
kurrë thjesht punë – do të ishte mision.
Në vitin 1984 filloi punën në gjimnazin
“Xhevdet Doda” në Prishtinë. Ishte një kohë e rëndë, kur mësimi në gjuhën
shqipe ishte akt guximi dhe rezistence.
Jeta e saj personale u përball shumë shpejt
me shtypjen më të rëndë. Bashkëshorti i saj, Nezir Mehmetaj, u dënua politikisht:
fillimisht me tre vjet burg për pjesëmarrje në Lëvizjen Studentore të vitit
1981 dhe më pas me tetë vjet të tjera në burgun ushtarak të ish-Jugosllavisë.
Për këtë shkak, ajo u largua nga arsimi, u diferencua nga puna dhe u izolua
shoqërisht.
Ajo dhe familja e saj përjetuan drejtpërdrejt
dhunën dhe diskriminimin e regjimit serb, thjesht për faktin se ishin
shqiptarë. Tetë vite radhazi ajo i kaloi mes rrugëve të gjata dhe udhëtimeve të
vështira me çanta të rënda nëpër trena, për të vizituar bashkëshortin në
burgjet jugosllave të Sarajevës, Zenicës (Bosnje-Hercegovinë), Zagrebit, Stara
Gradiškës dhe Lepogllavës (Kroaci). Edhe pas lirimit të tij, në vitin 1990,
presioni dhe ndjekja nuk pushuan, çka i detyroi, kundër vullnetit të tyre, ta
braktisnin Kosovën e dashur dhe të shumëvuajtur.
Në vitin 1990, Zvicra, konkretisht kantoni
Jura, u bë streha e tyre. Aty ajo nisi një kapitull të ri të jetës së saj, pa u
shkëputur kurrë nga rrënjët. Organizoi mësimin plotësues të gjuhës shqipe për
fëmijët e mërgatës përmes Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim
Frashëri”. Për mbi tridhjetë vjet punoi si mësuese e gjuhës shqipe, shpeshherë
në kushte të vështira, shpesh vullnetarisht, por gjithmonë me bindjen se çdo
fjalë shqip e ruajtur te një fëmijë është një fitore kundër harresës.
Ajo mori pjesë në dy projekte të rëndësishme.
Projekti i parë, “Tekstet shkollore për diasporën shqiptare”, u realizua nga
Ministria e Arsimit e Republikës së Kosovës dhe u udhëhoq nga pedagogu dhe
albanologu zviceran Dr. Basil Schader. Projekti i dytë, “Materiale për mësimin
në gjuhën e prejardhjes”, po ashtu u udhëhoq nga albanologu zviceran dhe solli
botimin e Doracakut “Bazat dhe arsyet”, si dhe pesë fletoreve me nxitje
didaktike: Përkrahje e të shkruarit në gjuhën e parë, Përkrahje e të lexuarit
në gjuhën e parë, Përkrahja e komunikimit gojor, Përkrahja e kompetencave
ndërkulturore, si dhe Strategji dhe teknika të të mësuarit.
Përveç autorësisë së shumë artikujve
profesionalë, ajo është autore dhe bashkautore e teksteve shkollore, të cilat
synojnë ta bëjnë mësimin e shqipes më të afërt, më bashkëkohor dhe më
funksional për nxënësit e diasporës.
Në punën e saj ajo i ka kushtuar vëmendje të
veçantë gjendjes së gjuhës shqipe në kontakt me frëngjishten: shkallës së
ruajtjes së shqipes, mënyrave të transferimit gjuhësor nga frëngjishtja në
shqip, ndryshimeve gjuhësore, interferencës dhe ndërrimit të kodit gjuhësor
(code-switching) nga shqipja në frëngjisht.
Në këtë kontekst, ajo ka botuar në gjuhën
frënge artikullin “Grandir et vivre entre l’albanais et le français” (“Të
rritesh dhe të jetosh mes shqipes dhe frëngjishtes”), ku trajtoi realitetin
gjuhësor dhe kulturor të fëmijëve dygjuhësh dhe sfidat e formimit të
identitetit të tyre. E gjithë kjo punë për të nuk ka qenë vetëm një angazhim
profesional, por një mision i ndërgjegjshëm për ta mbajtur gjallë gjuhën shqipe
në mërgatë, si bartëse e kujtesës, identitetit dhe vazhdimësisë kombëtare.
Pas çlirimit të Kosovës, ajo ndjeu dhimbje
kur pa se Shkolla shqipe nuk mori vendin që meritonte. Megjithatë, përmes
Seminareve Mbarëkombëtare për Mësimin Plotësues të Gjuhës Shqipe, pati
mundësinë të ndajë përvojën e saj, të prezantojë kumtesa dhe të kontribuojë në
përmirësimin e mësimdhënies në diasporë.
Angazhimi i saj nuk u kufizua vetëm në arsim.
Ajo mori pjesë aktive në jetën institucionale të kantonit Jura, duke shërbyer
si përfaqësuese e komunitetit shqiptar në komisione për integrim, arsim dhe
luftë kundër racizmit. Beson se integrimi nuk nënkupton asimilim, por
bashkëjetesë me identitet të ruajtur.
Rrugëtimi i saj jetësor ka mësuar se gjuha
nuk është vetëm mjet komunikimi, por kujtesë, rezistencë dhe identitet. Dhe për
sa kohë fjala shqipe jeton te fëmijët, asnjë sakrificë nuk ka qenë e kotë.
Në këtë intervistë ekskluzive për Zemra Shqiptare,
Prof. Nexhmije Mehmetaj sjell një rrëfim të thellë dhe reflektues, ku përvoja
personale ndërthuret natyrshëm me historinë kolektive. Ajo ndalet te rrënjët
familjare dhe formimi intelektual, te përjetimi i represionit dhe ndikimi i tij
në jetën personale e profesionale, si dhe te sfidat e mërgimit, të përjetuara
jo vetëm si largim nga atdheu, por si sprovë e vazhdueshme identitare.
Në qendër të këtij rrëfimi qëndron gjuha
shqipe, e konceptuar si bartëse e kujtesës, e përkatësisë dhe e vazhdimësisë
kombëtare. Prof. Mehmetaj flet me përgjegjësi dhe ndjeshmëri për rolin e
arsimit dhe të mësimit të gjuhës amtare në diasporë, për tensionin mes
integrimit dhe ruajtjes së identitetit, si dhe për detyrimin moral të brezit të
saj ndaj brezave që po rriten larg vendlindjes.
Kjo intervistë përbën një dëshmi të gjallë se
si arsimi, gjuha dhe kultura mund të shndërrohen në ura të qëndrueshme ndërmjet
atdheut dhe diasporës, por edhe në forma të qëndresës së heshtur – të
palodhshme dhe të vetëdijshme – në kohë kur ruajtja e identitetit kërkon
përkushtim, vizion dhe përgjegjësi intelektuale.
GM: A mund të na
ktheni pak pas në kohë, te rrënjët e familjes suaj në Mirditë dhe te zanafilla
e saj atje? Sipas trashëgimisë gojore dhe asaj që keni dëgjuar nga të parët
tuaj, kur ndodhi shpërngulja e tyre dhe çfarë rrethanash i shtynë ata të
vendoseshin në Kosovë?
NM: Rrënjët e familjes sime i gjejmë në
fshatin Çupjanë, një vendbanim i vjetër fisnor në hapësirën ndërmjet Mirditës
dhe Matit, prej nga kemi ruajtur edhe mbiemrin Çupi, të lidhur me fisin Thaçi.
Ky emër për ne nuk përfaqëson vetëm një pikë gjeografike, por një trashëgimi të
qëndrueshme vlerash si nderi, fjala e dhënë dhe lidhja e pashkëputshme me
prejardhjen dhe tokën amtare.
Sipas trashëgimisë gojore familjare,
shpërngulja drejt Kosovës ka ndodhur në fund të shekullit XIX ose në fillim të
shekullit XX, në një periudhë trazirash të mëdha historike për shqiptarët, kur
ende nuk ekzistonin kufijtë e sotëm administrativë mes Kosovës dhe Shqipërisë.
Të parët tanë u detyruan të largohen në kërkim të sigurisë dhe dinjitetit
njerëzor, por pa e ndërprerë kurrë lidhjen shpirtërore me vendlindjen. Kujtesa
për Mirditën u ruajt dhe u përcoll brez pas brezi si rrëfim, mall dhe krenari
familjare.
Në këtë kujtesë zë vend edhe një anekdotë
domethënëse për veshjen tradicionale mirditore. Sipas gojëdhënës, pas vdekjes
së Gjergj
Kastrioti Skënderbeut, burrat
mirditorë, si shenjë zie dhe dhimbjeje, shtuan gajtanë të zinj në tirqit e
bardhë prej shajaku. Që nga ajo kohë, gajtani i zi mbeti pjesë e pandarë e
veshjes tradicionale, jo vetëm si element estetik, por si simbol kujtese
kolektive dhe betim i heshtur që dhimbja për humbjen e Heroit Kombëtar të
mbetej e gjallë në zakon, kulturë dhe ndërgjegje brez pas brezi.
GM: Cilat ndikime
nga mjedisi familjar dhe rrethanat ku u rritët mendoni se kanë luajtur rolin më
përcaktues në formimin tuaj intelektual dhe arsimor?
NM: Lindja dhe formimi im në Kosovë kanë lënë
gjurmë të thella në identitetin dhe ndërgjegjen time. Vendlindja dhe rrethanat
në të cilat rritemi ndikojnë jo vetëm në mënyrën si mendojmë, por edhe në
shtresëzimin e karakterit tonë.
Formimi im intelektual është ndikuar fuqishëm
nga mjedisi familjar, ku fjala, dija dhe respekti për arsimin kishin vlerë
thelbësore. Shkollimi është parë gjithmonë si detyrim moral dhe jo vetëm si
rrugë për realizim personal. Që herët jam rritur me bindjen se libri, dija dhe
puna e palodhur janë forma më e qëndrueshme e lirisë.
Rrethanat historike e shoqërore, shpesh të
vështira, më kanë mësuar durimin dhe qëndrueshmërinë, duke e bërë dijen
pasurinë më të çmuar. Këto përvoja kanë ndërtuar bindjen time se arsimi është
një mision shoqëror, veçanërisht për brezat që vijnë.
GM: Cilat janë
ato momente nga fëmijëria dhe shkolla fillore që besoni se kanë lënë gjurmët më
të thella në kujtesën tuaj?
NM: Fëmijëria dhe vitet e shkollës fillore kanë lënë gjurmë
të thella në kujtesën time, veçanërisht përmes figurave frymëzuese që më
edukuan me dashurinë për dijen dhe atdheun. E kujtoj me respekt e mall mësuesin
tim, shkrimtarin Ymer Elshani, i cili më
mësoi të dua librin dhe fjalën e shkruar. Zhdukja e tij dhe e familjes, me
përjashtim një vajzë e shpëtuar nga kriminelët serbë gjatë luftës së fundit në
Kosovë mbetet një plagë e hapur në kujtesën time.
Po ashtu, një ndikim të madh pati edhe
mësuesja Nazire
Kraja, një grua e fortë dhe patriote, e përndjekur
e dënuar nga regjimi serb, por kurrë e thyer shpirtërisht. Shembulli i këtyre
mësuesve, bashkë me përvojat e para shkollore, kanë ndikuar fuqishëm në
formimin tim njerëzor dhe profesional.
GM: Si ishte jeta
juaj si nxënëse gjimnazi në atë kohë, dhe cilat sfida apo momente të
paharrueshme do të veçonit nga ajo periudhë?
NM: Unë nuk kam ndjekur gjimnazin, por, shkollën e mesme të mjekësisë në Prishtinë, në një kohë kur shkolla ishte me karakter të theksuar autoritar, ku
mbizotëronin disiplina e rreptë dhe programet e ngurta mësimore. Liria e shprehjes
ishte e kufizuar dhe mendimi kritik duhej shprehur me shumë kujdes. Megjithatë,
shkolla mbeti një hapësirë e rëndësishme formimi, ku dija shihej si mjet
mbijetese shpirtërore dhe shprese.
Sfida kryesore ishte ruajtja e
individualitetit dhe etjes për dije në rrethana të vështira shoqërore e
politike. Momente të paharrueshme ishin solidariteti mes nxënësve dhe ndikimi i
disa mësuesve që, edhe brenda kufijve të sistemit, arrinin të na frymëzonin dhe
të na mësonin të mendojmë përtej kornizave.
Gjatë shkollës së mesme kam lexuar pafund; libri ishte bota ime. Asgjë tjetër nuk më tërhiqte më shumë se fjala e shkruar. Pikërisht kjo dashuri e hershme për librin bëri që, pas përfundimit të shkollës së mesme, të vazhdoja studimet në Gjuhë dhe Letërsi, duke e kthyer leximin në rrugë jetësore.
GM: Çfarë ju
tërhoqi drejt Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe në Fakultetin Filozofik, pavarësisht
sfidave? Cilat mbeten kujtimet tuaja më të vyera studentore, por edhe ato
momente të vështira nga represioni apo kushtet e jashtëzakonshme të kohës?
NM: Ajo që më tërhoqi drejt studimeve në Gjuhë dhe Letërsi
Shqipe në Fakultetin Filozofik ishte, para së gjithash, dashuria për dijen dhe
besimi se gjuha dhe letërsia përbëjnë mjete themelore për ta kuptuar botën,
veten dhe realitetin shoqëror përreth. Në rrethana historike të vështira, libri
për mua nuk ishte vetëm instrument studimi, por edhe strehë shpirtërore dhe
formë e heshtur rezistence kulturore. Studimet në këtë fushë i perceptoja si
një përkushtim ndaj ruajtjes së identitetit dhe afirmimit të fjalës së lirë.
Kujtimet e mia studentore nuk janë thjesht
faqe të rinisë apo të formimit akademik; ato janë të gdhendura thellë në plagët
e vitit 1981, kur rinia studentore shqiptare në Kosovë u ngrit me guxim kundër
politikës koloniale të Serbisë dhe artikuloi hapur kërkesën e saj legjitime: që
Kosova të bëhej Republikë. Ishte një thirrje paqësore dhe demokratike, e lindur
nga etja për dinjitet dhe barazi, por që u përball me një urrejtje të
organizuar shtetërore. Fillimisht erdhi propaganda e egër antishqiptare, e më
pas dhuna e pamëshirshme, terrori policor dhe institucional, i shtrirë në çdo
pore të jetës shqiptare.
Kërkesat tona u shtypën me gjak e dhunë: me
vrasje e plagosje, me arrestime dhe burgosje masive, me keqtrajtime çnjerëzore,
ndjekje të vazhdueshme, thirrje të shpeshta në polici dhe “biseda informative”
që synonin thyerjen morale. Gjykimet politike dhe dënimet drastike u bënë pjesë
e përditshmërisë sonë. Terrori propagandistik dhe politik ndaj shqiptarëve ecte
paralelisht me terrorin policor, duke krijuar një klimë frike, pasigurie dhe
dhimbjeje kolektive.
Në këtë vorbull represioni, dhuna nuk mbeti
abstrakte apo thjesht historike. Ajo hyri brutalisht edhe në jetën time
personale. Arrestimi dhe dënimi i të fejuarit tim – bashkëshortit të sotëm – e
shndërroi përfundimisht rrugëtimin tim studentor në një përvojë të jetuar mes
ankthit, pritjes dhe qëndresës. Ishte dëshmi e ndërhyrjes së pamëshirshme të
shtetit jo vetëm në hapësirat arsimore, por edhe në intimitetin e jetës
private, në ëndrrat, planet dhe dashurinë tonë.
Kështu, rinia ime u kthye në një shkollë
tjetër, shumë më të ashpër se auditorët: një shkollë të rezistencës dhe të
mbijetesës shpirtërore. Formimi profesional u ndërthur me përjetimin e dhunës
strukturore, duke lënë gjurmë të pashlyeshme jo vetëm në jetën time personale,
por edhe në fatin kolektiv të brezit tonë – një brez që u rrit mes idealit,
sakrificës dhe dhimbjes, pa e humbur kurrë shpresën për liri.
Me kujtimet studentore lidhet edhe vizita ime
e parë në Shqipëri në vitin 1979, bashkë me një grup studentë e studente nga
Kosova, morëm udhën si turistë – dhe nuk di sa mund të përshkruhet ajo ndjenjë
lirie dhe gëzimi për çdo shqiptar të Kosovës. Ishte një lumturi e përzier me mall,
krenari dhe emocion të thellë.
Degët që kishin kulluar gjak po bënin udhë
për t’u ngjitur sërish te trungu prej nga ishin prerë. Afrimi i njerëzve sikur
na ndillte afrimin e trojeve. Shqipëria na shfaqej si Nëna prej së cilës ishim
ndarë me dhunë nga historia. Ajo bartte mall e dhimbje për bijtë e saj, por
edhe ngrohtësi e dashuri për t’i pritur, për t’i mbështjellë me zemrën e saj
dhe për t’u gëzuar me praninë e tyre. Kështu, ne po ecnim drejt një ëndrre – jo
vetëm për ta parë Shqipërinë, por për ta ndier atë në gjakun e përbashkët.
Ajo ëndërr na ishte afruar prej kohësh përmes
vargjeve të Naim Frashërit, shkruar në
mërgimin e tij: “Nata atje s’është tjetër natë, edhe dita
tjetër ditë; / në pyjet e gjelbëruara atje rrinë perënditë.” Shqipëria na dukej pikërisht ashtu – një vend i shenjtë,
pothuaj hyjnor. Edhe bashkëbiseduesit tanë në shtetin amë na ngjanin si pak
perëndi: liria u kishte dhënë një përmasë tjetër, një madhështi e një ngjyrim
që ne nuk e kishim njohur ende. Me këtë ndjenjë mburreshim natyrshëm, edhe
përballë sllavëve racistë, sikur t’u thoshim: ju na mbani të pushtuar, por ne
aty pranë kemi atdheun tonë.
Me këto bindje u nisëm drejt Qafës së Thanës.
Një pjesë të udhës e bëmë në këmbë, si drejt Tokës së Premtuar. Lodhja nuk na
rëndonte, sepse përkundej mbi një ndjesi të ëmbël: po shkonim tek Nëna. Dhe më
në fund, hymë në Shqipëri. Ndjemë se qemë futur në një heshtje të përgjithshme
të një shkretëtirë me frymë të rralluar! “Gjigandët” e shtetit-amë na dolën ca
njerëz të hutuar që po na shihnin të ndrojtur si peshqit në akuarium të plogët
secili në hallin e tij ! Çka ndodhur `kështu me racën tonë çka ndodhur me
Nënën? Gjatë kohës që kemi jetuar ndarë kush ka hyrë në mes dhe e ka katandisur
në këtë gjendje?! (“Ti ke pas kenë një Zoj`e randë...)!
Kënga na ra nga buzët: asaj po ia zinte
vendin monologu te secili. Atë që po përjetonim ende nuk ia thoshim dot njeri
tjetrit, jo nga frika por nga dhimbja e hutimi!...
GM: Arsimimi në
Kosovën e atyre viteve ishte një sfidë për të gjithë. Si e përjetuat ju këtë
rrugëtim si vajzë, dhe a mendoni se, përtej vështirësive të kohës, u desh të
thyenit edhe barriera shoqërore apo mundësorë për të ndjekur thirrjen tuaj
intelektuale?
NM: Po, ashtu arsimimi në Kosovën e atyre viteve përballej
me vështirësi të shumta strukturore dhe politike, por përvoja ime personale u
karakterizua nga një element thelbësor mbështetës: familja. Kam pasur përkrahje
të plotë familjare në ndjekjen e shkollimit, gjë që më ka mundësuar të arsimohem
pa pengesa të drejtpërdrejta. Në një mjedis ku arsimi i vajzave shpesh vihej në
pikëpyetje për shkak të mendësive tradicionale, kjo mbështetje përbënte një
përjashtim të rëndësishëm dhe vendimtar.
Në kontrast me këtë përvojë, shumë vajza të
gjeneratës sime nuk patën të njëjtat mundësi, pavarësisht potencialit dhe
motivimit të tyre për shkollim. Ndërprerja e arsimit për arsye shoqërore dhe
kulturore ishte një realitet i shpeshtë, i cili dëshmon për pabarazitë gjinore
të kohës. Kjo diferencë ndërmjet mundësive të mia dhe atyre të
bashkëmoshatareve të mia e ka thelluar ndërgjegjësimin tim mbi rëndësinë e
arsimit si faktor emancipues. Për rrjedhojë, rrugëtimi im arsimor nuk
përfaqëson vetëm një përvojë individuale, por edhe një reflektim mbi rolin e
mbështetjes familjare dhe të rrethanave shoqërore në formësimin e trajektores
akademike të vajzave në Kosovën e asaj periudhe.
GM: Mund të na flisni për përvojën tuaj si mësimdhënëse në gjimnazin
‘Xhevdet Doda’ të Prishtinës, në një kohë kur ky profesion shihej si një mision
i mirëfilltë kombëtar?
NM: Përvoja ime si mësimdhënëse në gjimnazin “Xhevdet Doda”
në Prishtinë lidhet me një periudhë të rëndë për arsimin dhe shoqërinë
shqiptare në Kosovë. Ishte koha kur regjimi serb, krahas propagandës së egër
antishqiptare që ushtronte terror verbal e psikologjik mbi shqiptarët, zbatonte
edhe një politikë të hapur represioni të njohur si diferencim ideopolitik. Në thelb, ky
ishte një mekanizëm brutal ndjekjeje politike dhe diskriminimi kombëtar, që
godiste pa dallim mësues, profesorë, intelektualë, punëtorë e krijues të
fushave të ndryshme.
Ky “diferencim” nuk mbeti vetëm në letra. Ai
u shndërrua në largime masive nga puna, në përjashtime nga shkollat dhe
institucionet, në mohimin e së drejtës për arsimim për fëmijë e të rinj
shqiptarë. Mësues e profesorë largoheshin me akuza absurde se po “indoktrinonin
rininë”, ndërsa kategoria e ashtuquajtur e “përshtatshmërisë morale-politike” u
përdor si mjet për të shkelur rëndë liritë dhe të drejtat e njeriut. Qëllimi
ishte i qartë: të zvogëlohej prania e shqiptarëve në arsimin shqip dhe të
nxitej largimi i tyre nga vendi.
Në këtë realitet të ashpër u ndodha edhe unë.
Pas përfundimit të studimeve, u punësova në vitin 1984 si mësimdhënëse në gjimnazin
“Xhevdet Doda”, në një kohë kur mësimdhënia nuk ishte thjesht profesion, por
mision kombëtar dhe përgjegjësi morale ndaj brezit të ri. Por shumë shpejt,
politika e diferencimit politik depërtoi edhe në jetën time profesionale. Për
shkak se bashkëshorti im ndodhej në vuajtje të një dënimi politik në Kroaci, u
largova nga procesi arsimor, duke e përjetuar drejtpërdrejt se si pushteti
ndërhynte dhunshëm edhe në hapësirën e dijes dhe të edukimit.

Nexhmije Mehmetaj me bashkëshortin Nezir Mehmetaj në kohën studentore (1978)
GM: Bashkëshorti
juaj, Neziri, u dënua politikisht dy herë nga regjimi serbo-jugosllav. Mund të
na tregoni më konkretisht për arsyet e arrestimeve dhe për gjendjen e familjes
suaj në ato vite të vështira?
NM: Po, bashkëshorti im, Nezir Mehmetaj, jurist me profesion,
u dënua politikisht dy herë nga regjimi serbo-jugosllav, duke kaluar një pjesë
të konsiderueshme të rinisë së tij nëpër burgje të rënda, larg familjes dhe
lirisë. Arrestimi i parë lidhet drejtpërdrejt me pjesëmarrjen e tij në
demonstratat studentore të vitit 1981, kur mijëra të rinj shqiptarë u ndoqën, u
arrestuan dhe u dënuan për kërkesat e tyre legjitime për liri dhe barazi. Për
këtë veprimtari politike, ai u dënua me tre vjet burg. Për shkak të numrit të
madh të të burgosurve shqiptarë, u transferua nga burgu i Pejës në burgjet e
Bosnjës, në Sarajevë dhe Zenicë, çka e bënte pothuajse të pamundur realizimin e
vizitave familjare, sidomos në kushtet e vështira ekonomike të asaj kohe.
Goditja e dytë ishte edhe më e rëndë dhe
lidhej me një praktikë të njohur të regjimit ndaj ushtarëve shqiptarë në armatën
e ish-Jugosllavisë. Pas përfundimit të shërbimit ushtarak në Kroaci, ndaj tij u
montua një proces i ri politik, ashtu siç ndodhte rëndom me shumë të rinj
shqiptarë që shiheshin si “element i dyshimtë” vetëm për shkak të përkatësisë
së tyre kombëtare dhe qëndrimit të palëkundur. Fillimisht iu kërkua bashkëpunim
me strukturat e sigurisë, dhe pas refuzimit të tij kategorik, u dënua me tetë
vjet burg. Dënimin e vuajti në burgjet e Zagrebit, Stara Gradiškës dhe
Lepogllavës, institucione famëkeqe për trajtimin çnjerëzor të të burgosurve
politikë shqiptarë.
Kjo periudhë shënoi një plagë të thellë për
familjen tonë. Jeta jonë u nda mes pritjes së gjatë, udhëtimeve drejt burgjeve,
pasigurisë dhe mungesës së vazhdueshme. Frika dhe dhimbja ishin të përditshme,
por po aq e pranishme ishte edhe qëndrueshmëria jonë morale, besimi se
sakrifica nuk ishte e kotë dhe se e vërteta, sado e shtypur, nuk mund të
burgosej përgjithmonë.
GM: Si do t’i
përshkruanit sfidat që përballoi brezi juaj i intelektualëve shqiptarë në Kosovë,
i cili u gjend mes trysnisë së egër politike dhe përgjegjësisë për të ruajtur
identitetin dhe arsimin shqip?
NM: Brezi ynë i intelektualëve shqiptarë në
Kosovë u formësua nën kushtet e një trysnie të dyfishtë: represionit të
institucionalizuar politik dhe përgjegjësisë historike për ruajtjen e gjuhës
shqipe, arsimit dhe identitetit kombëtar. Të qenët intelektual në atë kontekst
nënkuptonte ekspozim të vazhdueshëm ndaj rrezikut personal, si dhe përkushtim
të palëkundur ndaj misionit shoqëror dhe etik.
Në këtë rrethanë, arsimi në gjuhën shqipe
funksionoi si formë rezistence kulturore. Çdo veprim arsimor e intelektual
përbënte akt të vetëdijshëm të mbrojtjes së vetëdijes kombëtare përballë
politikave asimiluese. Pavarësisht sakrificave të shumta, kjo përvojë
mbështetej në bindjen se gjuha dhe dija janë kushte themelore të lirisë dhe
vazhdimësisë kombëtare.
GM: Si u formua
brenda jush vendimi se largimi nga Kosova do të ishte zgjidhja më e mirë për
familjen tuaj?
NM: Vendimi për t’u larguar nga Kosova ishte një nga më të
vështirët e jetës sime dhe nuk lindi as shpejt, as nga dëshira jonë. Pas daljes
së bashkëshortit tim nga burgu në prill të vitit 1990, ushqyem shpresën se
periudha e persekutimit kishte marrë fund. Megjithatë, kjo shpresë u shua shumë
shpejt, sepse regjimi serb rifilloi presionet, duke e thirrur vazhdimisht në të
ashtuquajturat “biseda informative”. Kjo na bëri të kuptonim qartë se rreziku
vazhdonte dhe se çdo ditë mund të sillte një arrestim të ri.
Frika e përhershme, pasiguria dhe ankthi për
të ardhmen e familjes na vendosën përballë një zgjedhjeje të dhimbshme, por të
domosdoshme. Për ta mbrojtur familjen nga më e keqja, u detyruam të largohemi
nga atdheu. Ky largim nuk ishte akt dorëzimi, por një përpjekje për mbijetesë.
Në Zvicër nuk kërkuam azil politik; përmes
punës dhe përpjekjeve tona ndërtuam jetën me dinjitet, duke ruajtur shpresën se
kjo sakrificë do të kishte kuptim. Kosova mbeti gjithmonë në zemrën tonë, por
largimi u bë rruga e vetme për të mbrojtur jetën dhe të ardhmen e familjes
sonë. Edhe në mërgim, veprimtaria jonë atdhetare dhe organizative nuk u ndërpre
kurrë, duke vazhduar deri në çlirimin e Kosovës.
GM: Si nisi jeta
juaj e re në mërgim dhe cilat ishin ndjesitë e para në një shtet të zhvilluar e
demokratik si Zvicra?
NM: Jeta jonë e re në mërgim nisi me ndjenja
të përziera: lehtësim që kishim shpëtuar nga rreziku i përhershëm, por edhe
dhimbje të thellë për ndarjen nga atdheu. Hapat e parë në Zvicër nuk ishin të lehtë. Gjithçka ishte e re: gjuha, puna,
ritmi i jetës dhe realiteti shoqëror. Megjithatë, ndjesia më e fortë ishte ajo
e sigurisë – për herë të parë pas shumë vitesh jetonim pa frikën e burgut, të
thirrjeve policore apo të dhunës.
Zvicra na u shfaq si një shtet i rregullit, i
dinjitetit dhe i respektit për njeriun. Edhe pse filluam nga e para, me punë të
ndershme dhe shumë përpjekje, ndjemë se mundësia për një jetë normale dhe të
qetë ishte reale. Malli për Kosovën nuk na u shua kurrë, por liria, siguria dhe
perspektiva për të ardhmen na dhanë forcë për ta ndërtuar jetën në mërgim pa e
humbur identitetin tonë.
GM: Na tregoni për
fillimet e rrugëtimit tuaj profesional në Zvicër: Si nisi kjo etapë e re, me
çfarë sfidash u përballët dhe cilat përvoja ju kanë mbetur në kujtesë?
NM: Fillimet e rrugëtimit tim profesional në Zvicër ishin të
vështira, por edhe formuese, sidomos për ne që kishim përjetuar shtypjen dhe
diskriminimin dhe duhej ta niste jetën dhe punën nga e para. Sfida e parë dhe
më e madhe ishte gjuha. E kuptova shumë shpejt se pa zotërimin e frëngjishtes
nuk mund të ketë as integrim të vërtetë, as zhvillim profesional. Prandaj,
mësimi i gjuhës u bë prioriteti im i përditshëm, një përpjekje e vazhdueshme që
kërkonte durim, disiplinë dhe këmbëngulje.
Paralelisht me mësimin e gjuhës, fillova të
njihem me sistemin arsimor zviceran, me rregullat shkollore dhe me realitetin
institucional të kantonit ku u vendosëm. Ky proces kërkonte kohë dhe
përkushtim, por ishte i domosdoshëm për të gjetur vendin tim në shoqërinë e re.

GM: Si lindi dhe
si u zhvillua angazhimi juaj për organizimin e mësimit plotësues të gjuhës
shqipe për fëmijët e diasporës përmes Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve
Shqiptarë (LAPSH) “Naim Frashëri”, dhe cilat ishin sfidat apo momentet më të
rëndësishme me të cilat u përballët gjatë këtij rrugëtimi?
NM: Angazhimi im në mësimin plotësues të
gjuhës shqipe në Zvicër lidhet drejtpërdrejt me rrethanat e vështira historike
dhe politike në të cilat u formua diaspora shqiptare. Nevoja për ruajtjen e
gjuhës amtare dhe identitetit kulturor të brezit të ri nxiti hapjen e shkollave
të para të mësimit plotësues të gjuhës shqipe, proces në të cilin rol të
veçantë luajtën Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë dhe Lidhja e Prindërve
Shqiptarë. Këto dy organizata, që fillimisht vepronin veçmas, u bashkuan në
vitin 1994 në një organizatë të vetme me emrin Lidhja e Arsimtarëve dhe
Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” në Zvicër.
Mbështetje e rëndësishme institucionale dhe
profesionale në këtë proces u dha nga Ministria e Arsimit e Qeverisë së Kosovës
në mërgim, nën drejtimin e ministrit dr. Muhamet Bicaj, i cili përmes
konkurseve zgjodhi kuadrin arsimor. Në fazat fillestare, mësimdhënësit
ushtronin veprimtarinë e tyre kryesisht në baza vullnetare, për shkak të
mungesës së mjeteve financiare. Paralelisht me këtë, u hartuan tre tekstet e
para mësimore të gjuhës shqipe, nën drejtimin shkencor-pedagogjik të prof. dr.
Shefik Osmanit, ndërsa procesi mësimor u zhvillua sipas planeve dhe programeve
të miratuara nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë e Republikës së
Kosovës.
Megjithatë, mungesa e qëndrueshmërisë
financiare bëri që një numër i konsiderueshëm mësimdhënësish të detyroheshin të
largoheshin nga ky angazhim, çka ndikoi që vetëm pak prej tyre ta ushtronin
profesionin deri në pension. Në këtë kontekst, edhe angazhimi im në Kantonin
Jura filloi fillimisht në mënyrë individuale dhe u formalizua më pas me vendim
zyrtar nga ministri dr. Muhamet Bicaj. Kam ushtruar këtë veprimtari për tri
dekada rresht, pa asnjë ndërprerje.
Gjatë gjithë kësaj periudhe, procesi mësimor
është përballur me sfida të shumta, si mos përfshirja e plotë e të gjithë
nxënësve shqiptarë në mësimin e gjuhës amtare, gjë që impononte organizimin e
mësimit me nxënës të moshave të ndryshme dhe në klasa të bashkuara.
Njëkohësisht, mësimdhënia zhvillohej në kushte të theksuara dygjuhësie, duke
kërkuar përshtatje të vazhdueshme didaktike dhe metodologjike për të garantuar
ruajtjen dhe zhvillimin e kompetencave gjuhësore në shqip.

Një fotografi e përbashkët e shumicës së pjesëmarrësve në punimet e Kuvendit Zgjedhor, mbajtur më 2013-06-09, Chapfschulhaus, Dohlenzelgstrasse 30, 5210 Windisch, Kantoni Argau.
GM: Keni qenë e
angazhuar në hartimin e teksteve dhe materialeve didaktike për mësimin e gjuhës
shqipe në diasporë, si në kuadër të projektit të Ministrisë së Arsimit të
Kosovës “Tekstet shkollore për diasporën shqiptare” ashtu edhe në projektin
“Materiale për mësimin në gjuhën e prejardhjes”, që solli botimin e Doracakut
“Bazat dhe arsyet” dhe fletoreve didaktike; cili ishte kontributi juaj konkret
në këto nisma, si u pritën këto materiale nga mësuesit dhe nxënësit, dhe mbi
cilat parime pedagogjike u mbështetët për ta bërë mësimin e shqipes më
bashkëkohor dhe funksional në diasporë?
NM: Një kontribut të jashtëzakonshëm në konsolidimin dhe
zhvillimin e shkollave shqipe në Zvicër ka dhënë edhe pedagogu dhe albanologu
zviceran Prof. Dr. Basil Schader. Ai ka drejtuar dy projekte dy didaktike që
synonin forcimin dhe modernizimin e mësimit të gjuhës shqipe në diasporë. Unë kam
qenë e përfshirë drejtpërdrejt në këto dy projekte didaktike. Nisma e parë, “Tekstet shkollore për diasporën shqiptare”, u realizua si bashkëpunim
ndërinstitucional ndërmjet Ministrisë së Arsimit të Kosovës dhe albanologut Schader. Brenda këtij
projekti, janë hartuar 19 tekste shkollare të ashtuquajtura Fletore tematike
për tri nivelet e mësimit plotësues të gjuhës shqipe, me theks të veçantë në
përshtatjen e përmbajtjeve didaktike me realitetin gjuhësor, kulturor dhe
social të fëmijëve shqiptarë që jetojnë jashtë atdheut. Angazhimi im konsistoi
në rolin e autores dhe bashkë-autores në 6 tekstet shkollore. https://ipe-textbooks.phzh.ch/de/albanian/.
Projekti i dytë, “Materiale për mësimin në
gjuhën e prejardhjes”, çoi në botimin e Doracakut dhe fletoreve didaktike
“Bazat dhe arsyet”, të konceptuara kryesisht për mësimdhënësit e mësimit në
gjuhën amtare. Ideja për këtë nismë lindi nga nevoja që mësimi i shqipes në
diasporë të përafrohej më shumë me parimet dhe praktikat e pedagogjisë
zvicerane. Një kërkesë e imja, e paraqitur në Seminarin e mësuesve në Gjenevë,
shërbeu si pikë orientuese dhe më pas u shndërrua në një projekt ndërkombëtar,
i udhëhequr po ashtu nga prof. Basil
Schader. Kontributi im konkret lidhej me hartimin dhe përshtatjen e materialeve
didaktike, duke u mbështetur në përvojën time shumëvjeçare praktike në
mësimdhënien e gjuhës shqipe në Zvicër. Këto materiale u pritën pozitivisht si
nga mësuesit ashtu edhe nga nxënësit, pasi ofruan një qasje më funksionale, më
fleksibilitet dhe më afër realitetit dygjuhësor të nxënësve në diasporë. Parimi
kryesor pedagogjik mbi të cilin u mbështetëm ishte ndërlidhja e gjuhës amtare
me përvojën jetësore të fëmijës, përdorimi i metodave moderne të mësimdhënies
dhe trajtimi i shqipes si një mjet komunikimi gjuhësor e identitar, e jo
thjesht si një lëndë shkollore. Për më shumë informacion, mund të konsultohet
edhe platforma: https://myheritagelanguage.com/sq/

GM: Si mendoni se
mund të përdoren teknologjitë moderne për të mbështetur mësimin e shqipes dhe
lidhjen me kulturën shqiptare te fëmijët në diasporë?
NM: Teknologjitë moderne ofrojnë mundësi të
mëdha për ta bërë mësimin e shqipes më tërheqës dhe më funksional për fëmijët
në diasporë. Platformat digjitale, materialet multimediale, librat elektronikë,
aplikacionet gjuhësore dhe mësimi online mund të ndihmojnë jo vetëm në
përvetësimin e gjuhës, por edhe në forcimin e lidhjes me kulturën, historinë
dhe traditat shqiptare.
E rëndësishme është që këto mjete të përdoren
me qasje pedagogjike të menduar mirë, duke i përshtatur për moshën, realitetin
dygjuhësor dhe përvojën jetësore të fëmijëve. Kur teknologjia bashkohet me
përmbajtje cilësore dhe identitare, ajo shndërrohet në një urë të fuqishme mes
brezave dhe atdheut.
GM: Në punën tuaj
kërkimore dhe pedagogjike i keni kushtuar vëmendje të veçantë dygjuhësisë dhe
kontaktit të shqipes me frëngjishten te fëmijët e mërgatës; cilat janë format
më të shpeshta të interferencës gjuhësore dhe ndërrimit të kodit
(code-switching) që keni vërejtur dhe si ndikojnë ato në ruajtjen e shqipes,
dhe duke pasur parasysh artikullin tuaj në frëngjisht “Grandir et vivre entre
l’albanais et le français”, cilat janë sipas jush sfidat më të mëdha që fëmijët
dygjuhësh përballin në ndërtimin e identitetit të tyre gjuhësor, kulturor dhe
kombëtar?
NM: Në përvojën time kërkimore dhe sociolinguistike
kam vërejtur se format më të shpeshta të kontaktit ndërmjet shqipes dhe
frëngjishtes te fëmijët e mërgatës shfaqen kryesisht përmes interferencës
leksikore dhe sintaksore, si dhe përmes ndërrimit të kodit (code-switching). Më
i përhapur është kod-suiçingu pragmatik ose paliativ, ku nxënësit përdorin
fjalë ose shprehje nga frëngjishtja për të kompensuar mungesën e fjalorit aktiv
në gjuhën shqipe, ndërkohë që struktura bazë e fjalisë mbetet shqipe. Kjo formë
ndërrimi ndodh zakonisht në mënyrë të pavetëdijshme dhe përfaqëson një
strategji funksionale komunikimi në një mjedis dygjuhësor asimetrik.
Një formë tjetër, më pak e shpeshtë por më e
sofistikuar, është kod-suiçingu ekspresiv, i cili përdoret kryesisht nga nxënës
me kompetenca të mira në të dyja gjuhët. Në këtë rast, përzierja e shqipes me
frëngjishten shërben si mjet shprehjeje identitare, si “lojë gjuhësore” ose si
formë e ndërtimit të një identiteti dygjuhësh brenda grupit bashkëmoshatar.
Megjithëse kjo formë nuk përbën domosdoshmërish rrezik për kompetencën
gjuhësore, ajo kërkon ndërhyrje pedagogjike të vetëdijshme për të ruajtur
normën dhe funksionalitetin e shqipes standarde.
Sa i përket ndikimit në ruajtjen e shqipes,
interferencat gjuhësore nuk janë problem në vetvete, por bëhen të tilla kur
gjuha amtare nuk përkrahet në mënyrë sistematike dhe të qëndrueshme. Në këto
rrethana, shqipja rrezikon të reduktohet në një kod të pjesshëm komunikimi, ose
të shndërrohet në një formë “hibride”, pa stabilitet strukturor dhe normativ.
Siç kam theksuar edhe në artikullin tim në gjuhën frënge «Grandir et vivre entre l’albanais et le français», sfidat më të mëdha me të cilat përballen fëmijët dygjuhësh nuk burojnë nga dygjuhësia si fenomen, por nga mungesa e një mbështetjeje institucionale të hershme dhe të mirë strukturuar të saj. Kur gjuha amtare nuk kultivohet paralelisht me gjuhën e shkollimit, fëmijët rrezikojnë të përjetojnë jo vetëm dobësim të kompetencës gjuhësore në shqip, por edhe forma të fragmentimit identitar, si në planin kulturor ashtu edhe në atë kombëtar. Prandaj, zhvillimi i hershëm, i vazhdueshëm dhe i ndërgjegjshëm i shqipes përbën një parakusht thelbësor për ndërtimin e një dygjuhësie funksionale, të balancuar dhe për një identitet të qëndrueshëm gjuhësor e kulturor.
GM: Ju keni shprehur
shqetësime se fetarizmi mund të cenojë identitetin e fëmijëve të emigrantëve
shqiptarë në Zvicër. Sot, ata përballen me një presion të dyfishtë: asimilimin
nga kultura pritëse dhe mësimin fetar që u imponohet, i cili rrezikon të
mbivendoset mbi përkatësinë etnike. Si e shihni këtë situatë dhe pasojat e saj
mbi identitetin kombëtar?
NM: Shqetësimi im lidhet me faktin se fëmijët e emigrantëve
shqiptarë në Zvicër gjenden sot përballë një presioni të dyfishtë identitar.
Nga njëra anë, ata përjetojnë procesin e natyrshëm të integrimit dhe,
herë-herë, të asimilimit në kulturën pritëse; nga ana tjetër, në disa raste
përballen me një mësim fetar të imponuar, i cili rrezikon të mbivendoset mbi
përkatësinë etnike, gjuhësore dhe kulturore.
Problemi nuk qëndron te besimi si përvojë
personale shpirtërore, por te instrumentalizimi i fesë në dëm të identitetit
kombëtar dhe gjuhësor. Kur fëmija rritet pa një bazë të fortë në gjuhën shqipe,
historinë dhe kulturën shqiptare, ekziston rreziku që identiteti i tij të ndërtohet
mbi shtresa të huaja, duke e dobësuar ndjenjën e përkatësisë kombëtare.
Prandaj, ruajtja e identitetit shqiptar në diasporë kërkon një ekuilibër të
kujdesshëm: integrim pa asimilim dhe liri besimi pa zëvendësim të identitetit
kulturor e kombëtar.
GM: Cila është
filozofia juaj për integrimin në shoqërinë zvicerane pa humbur identitetin, dhe
si e shihni rolin e gjuhës shqipe në vazhdimësinë tonë kombëtare?
NM: Filozofia ime për integrimin në shoqërinë zvicerane bazohet në parimin e bashkëjetesës së barabartë: të jesh
pjesë aktive e shoqërisë pritëse, duke respektuar ligjet, vlerat dhe kulturën e
saj, pa hequr dorë nga identiteti yt gjuhësor e kulturor. Integrimi nuk duhet
të nënkuptojë asimilim, por ndërtimin e një identiteti të hapur, të sigurt dhe
të vetëdijshëm për rrënjët e veta.
Në këtë proces, gjuha shqipe ka një rol kyç. Ajo është shtylla kryesore e vazhdimësisë sonë kombëtare dhe ura që lidh brezat me historinë, kulturën dhe kujtesën kolektive. Pa gjuhën, identiteti rrezikon të zbehet; me gjuhën, ai pasurohet dhe mbijeton, edhe në mërgim. Prandaj, ruajtja dhe kultivimi i shqipes te fëmijët e diasporës nuk është vetëm çështje arsimore, por përgjegjësi kombëtare dhe morale.

GM: Për mbi
tridhjetë vjet keni punuar si mësuese e gjuhës shqipe, shpesh në kushte të
vështira dhe mbi baza vullnetare. Çfarë ju ka mbajtur të palëkundur në këtë
mision?
NM: Angazhimi im tridhjetëvjeçar në mësimdhënien e gjuhës
shqipe në diasporë mbështetet në një bindje të konsoliduar profesionale dhe
teorike se gjuha amtare përbën një komponent themelor të ndërtimit të
identitetit individual dhe kolektiv në kontekste mërgimi. Në situata
dygjuhësie, ku fëmijët shqiptarë zhvillohen paralelisht në gjuhën e familjes
dhe në gjuhën dominuese të shkollës, ruajtja dhe zhvillimi i shqipes paraqiten
si domosdoshmëri arsimore, kulturore dhe sociolinguistike.
Në përputhje me teorinë e ndërvarësisë gjuhësore të Jim
Cummins-it, zhvillimi i kompetencës së lartë në gjuhën amtare përbën bazë të
rëndësishme për suksesin në gjuhën e dytë. Në këtë kuadër, mësimi plotësues i
gjuhës shqipe ka shërbyer si hapësirë ku gjuha e folur në mjedisin familjar
është institucionalizuar dhe transformuar në gjuhë të shkruar, duke ndërtuar
kompetenca të nxitjes në lexim, shkrim dhe mendim kritik. Ky proces ka qenë
thelbësor për shmangien e dygjuhësisë së paekuilibruar dhe për ndërtimin e një
dygjuhësie funksionale.
Nga perspektiva e sociolinguistikës së Joshua
Fishman-it, mungesa e mbështetjes institucionale të gjuhës amtare në kontekstin
e diasporës çon shpesh në marrëdhënie diglosike asimetrike, ku gjuha e shumicës
zotëron funksione formale, arsimore dhe publike, ndërsa gjuha e prejardhjes
mbetet e kufizuar në sferën private. Mësimi plotësues i gjuhës shqipe ka
luajtur një rol kompensues në këtë raport diglosik, duke i zgjeruar funksionet
shoqërore dhe arsimore të shqipes dhe duke e integruar atë gradualisht në
sistemin shkollor zviceran, krahas gjuhëve dhe kulturave të tjera të
prejardhjes.
Në përputhje me qasjen holistike të François
Grosjean-it mbi dygjuhësinë, nxënësit shqiptarë në diasporë nuk janë parë si dy
folës monolingualë në një trup, por si individë me repertor gjuhësor kompleks
dhe dinamik. Në këtë kuptim, mësimdhënia e shqipes është konceptuar si pjesë
integrale e këtij repertori shumë gjuhësor, ku të dyja gjuhët bashkëjetojnë dhe
plotësojnë njëra-tjetrën në funksion të nevojave komunikuese, njohëse dhe
identitare të nxënësit.
Pavarësisht kushteve shpeshherë të vështira
dhe faktit që mësimdhënia është realizuar jo rrallë mbi baza vullnetare,
motivimi im profesional ka mbetur i pandryshuar, pasi çdo orë mësimore është
konceptuar si një ndërhyrje pedagogjike e vetëdijshme, e orientuar drejt
balancimit të marrëdhënieve diglosike dhe forcimit të dygjuhësisë së barabartë.
Në këtë kuptim, angazhimi im nuk ka qenë vetëm praktikë profesionale, por një
mision arsimor dhe sociolinguistik afatgjatë, i orientuar drejt ruajtjes së
gjuhës shqipe dhe afirmimit të saj si pjesë përbërëse e kompetencës
shumëgjuhësore të brezave të rinj në diasporë.
GM: Ju keni qenë
aktive edhe në jetën institucionale të kantonit Jura, në komisione për
integrimin, arsimin dhe luftën kundër racizmit. Çfarë mund të na thoni mbi këto
angazhime?
NM: Angazhimi im në jetën institucionale të kantonit Jura
ishte vazhdim i natyrshëm i përkushtimit tim ndaj komunitetit shqiptar dhe
integrimit me dinjitet në shoqërinë zvicerane. Gjatë viteve 1996- 2012 kam qenë
përfaqësuese e komunitetit shqiptar në Komisionin kantonal të integrimit për të
huajt dhe luftën kundër racizmit ( Commission cantonale d'intégration des
étrangers et de lutte contre le racisme) https://www.jura.ch/bi duke mbajtur një përgjegjësi reale për të
dhënë zë një komuniteti ende pak të njohur dhe shpesh të keqkuptuar.
Në mungesë të përfaqësive shtetërore të
Kosovës në vitet ’90, këto komisione ishin hapësira ku paraqisnim kërkesat dhe
nevojat tona institucionale.

Pamje para fillimit të Kuvendit, djathtas me syza Z. Nuhi Gashi, përfaqësues nga MASHT të R. Kosovës, pranë mësuesja e bashkisë Derndingen, kantoni Solothurn, Z. Arbresha Ibraimi dhe pranë Artan Ibraimi, mysafir, 2013-06-09.
GM: Si mund të
bashkëpunojnë institucionet shqiptare, shkollat dhe organizatat e diasporës për
të mbështetur ruajtjen e identitetit kombëtar dhe për të nxitur edukimin në
gjuhën shqipe?
NM: Mendoj se bashkëpunimi mes institucioneve shqiptare,
shkollave dhe organizatave të diasporës është thelbësor për ruajtjen e
identitetit kombëtar dhe për edukimin në gjuhën shqipe të brezave të lindur
jashtë atdheut. Para së gjithash, shteti i Kosovës – por edhe institucionet
arsimore e kulturore shqiptare në përgjithësi – e kanë detyrim moral dhe kombëtar
të interesohen për bijtë e vet jashtë atdheut. Ruajtja e gjuhës shqipe në
diasporë nuk është çështje individuale e mësuesve apo e familjeve, por
përgjegjësi institucionale dhe kombëtare.
Ky bashkëpunim duhet të konkretizohet përmes
politikave të qëndrueshme arsimore për diasporën: sigurimit të teksteve
cilësore, trajnimit të mësuesve të mësimit plotësues, mbështetjes financiare
dhe krijimit të mekanizmave të vazhdueshëm komunikimi mes institucioneve të
Kosovës dhe shkollave shqipe në mërgim. Shkollat në diasporë nuk duhet të
ndihen të vetmuara apo të përkohshme, por pjesë integrale e sistemit arsimor
kombëtar.
Nga ana tjetër, organizatat e diasporës kanë
një rol të pazëvendësueshëm si ura lidhëse mes institucioneve dhe komunitetit.
Ato e njohin më së miri realitetin në terren, sfidat e integrimit dhe nevojat e
fëmijëve që rriten në një mjedis dygjuhësor e shumëkulturor. Bashkëpunimi i
ngushtë mes tyre dhe institucioneve shtetërore do të siguronte jo vetëm
koordinim më të mirë, por edhe veprime më efektive dhe të qëndrueshme.
Së dyti, gjuha shqipe duhet mbrojtur
kolektivisht. Ajo nuk i përket vetëm një brezi apo një territori, por gjithë
kombit. Familja, shkolla, shteti dhe diaspora duhet të veprojnë së bashku që
shqipja të mos reduktohet në një gjuhë emocionale të shtëpisë, por të mbetet
gjuhë e dijes, e kulturës dhe e identitetit. Vetëm përmes këtij bashkëpunimi të
ndërgjegjshëm dhe afatgjatë mund të sigurojmë që brezat e ardhshëm në diasporë
ta flasin, ta shkruajnë dhe ta ndjejnë shqipen si pjesë të pandashme të qenies
së tyre.
GM: Çfarë ndjeni
sot kur mendoni se diku, larg atdheut, një fëmijë flet dhe shkruan shqip falë
punës dhe përkushtimit tuaj?
NM: Kur mendoj se diku, larg atdheut, një
fëmijë flet dhe shkruan shqip falë punës dhe përkushtimit tim, ndiej një
emocion të thellë dhe një qetësi shpirtërore të veçantë. Është një ndjenjë që
vështirë se përshkruhet me fjalë, sepse përmbledh krenari, mirënjohje dhe një
ndjesi përmbushjeje të brendshme kombëtare. Në ato momente e kuptoj se çdo
lodhje, çdo sakrificë dhe çdo orë e dhënë vullnetarisht ka pasur kuptim.
Më duket sikur përmes atij fëmije vazhdon të
jetojë gjuha, kujtesa dhe historia jonë kolektive. Të dish se shqipja
shqiptohet dhe shkruhet saktë edhe larg vendlindjes është dëshmi se identiteti
nuk humbet, por ruhet dhe përcillet me dashuri e përkushtim. Çdo fjalë shqip e
mësuar është për mua një fitore e vogël kundër harresës dhe tretjes.
Ndjej edhe një përgjegjësi e lehtë morale,
sepse e di se këta fëmijë do ta mbartin gjuhën dhe kulturën tonë në rrethana të
reja, duke e pasuruar atë me përvoja të ndryshme. Kur i mendoj sot, si të
rritur që flasin shqip me prindërit e tyre apo ua mësojnë fëmijëve të vet,
ndiej se puna ime ka kapërcyer kohën e klasës dhe është shndërruar në
trashëgimi.
Në fund, kjo ndjenjë është shpërblimi më i
madh për një mësuese: të dish se ke ndihmuar që gjuha e kombit tënd të mos humbas,
por të vazhdojë të jetojë në zemrat dhe fjalët e brezave që vijnë, kudo që ata
ndodhen.

GM: Cilat kanë
qenë momentet më të bukura ose më prekëse që keni përjetuar si mësuese e gjuhës
shqipe, apo në jetën tuaj të përditshme në përgjithësi?
NM: Momente shumë të bukura ishin ato kur shihja përparimin
e nxënësve dhe të tim biri: kur shkruanin fjalitë e para, lexonin me zë,
recitonin poezi apo këndonin këngë shqipe me krenari. Ato çaste më bindnin se
puna ime po jepte fryt dhe se gjuha po gjente strehë në zemrat e tyre.
Por pati edhe momente të dhimbshme, sidomos
kur jo të gjithë fëmijët shqiptarë vinin të mësonin gjuhën e nënës dhe kur
dëgjoja pyetje si: “Pse të mësoj shqip?”. Këto përvoja më lënduan, por nuk më
thyen; përkundrazi, më forcuan bindjen se ruajtja e gjuhës kërkon durim,
përkushtim dhe punë të vazhdueshme me prindërit dhe komunitetin. Në këtë
ndërthurje gëzimi e dhimbjeje është formuar rrugëtimi im si mësuese e shqipes
larg atdheut.
GM: Rrugëtimi
juaj është shënjuar nga sprova të mëdha. Kur ktheheni pas në kohë, cilat janë
momentet më të vështira të jetës suaj që mbeten në kujtesë?
NM: Rrugëtimi im jetësor është i pandashëm
nga historia e Kosovës dhe nga vuajtjet e popullit tonë. Që nga koha kur Kosova
mbeti nën ish-shtetin jugosllav, shqiptarët jetuan nën shtypje dhe mohime të
vazhdueshme, ndërsa autonomia ishte e brishtë dhe e përkohshme. Një kthesë
veçanërisht e dhimbshme erdhi me suprimimin e autonomisë nga regjimi i
Millosheviqit, i cili solli dhunë të hapur, diskriminim sistematik, mbylljen e
institucioneve dhe përjashtimin e shqiptarëve nga shkollat dhe puna.
Këto rrethana u reflektuan rëndë edhe në jetën e familjes sime, mes frikës, pasigurisë dhe padrejtësive të përditshme. Kulmi i tragjedisë ishte lufta në Kosovë, me humbjen e mijëra njerëzve të pafajshëm – një plagë që ende rëndon në ndërgjegjen tonë kolektive. Përballë kësaj dhune, u detyruam të marrim rrugën e mërgimit, jo nga dëshira, por nga nevoja për mbijetesë.
GM: Cilat personalitete shqiptare ju kanë frymëzuar më shumë në jetën
tuaj dhe pse mendoni se veprat e tyre janë të rëndësishme për gjeneratat e
reja?
NM: Në formimin tim intelektual dhe
shpirtëror më kanë frymëzuar personalitete shqiptare që, përmes veprës dhe
qëndrimit të tyre, kanë ndikuar në ndërtimin e ndërgjegjes kombëtare. Në
veçanti, krijimtaria e Ismail Kadare më ka ndihmuar
të kuptoj historinë dhe shpirtin shqiptar përmes një letërsie me përmasa
universale, ndërsa mendimi kritik i Rexhep Qosja më ka
frymëzuar për angazhim intelektual të përgjegjshëm ndaj së vërtetës historike.
Po ashtu, poetë dhe shkrimtarë si Esad Mekuli, Hivzi
Sylejmani, Anton Pashku dhe Din Mehmeti e më vonë Visar Zhiti, Pjetër Arbnori, Ndue Gaspri e
tjerë kanë ndikuar në formimin e ndjeshmërisë sime letrare.
Vepra e këtyre personaliteteve mbetet e
rëndësishme për gjeneratat e reja, sepse ofron jo vetëm letërsi dhe dije, por
edhe modele mendimi, dinjiteti dhe përgjegjësie kulturore, duke i mësuar të
rinjtë se gjuha dhe kultura janë themele të identitetit dhe mjete thelbësore të
vetëkuptimit.
GM: Sa shpesh e
vizitoni Kosovën dhe si e përjetoni sot rrugëtimin e saj në liri? Si e shihni
progresin politik dhe shoqëror të vendit, duke pasur parasysh sakrificat që
brezi juaj bëri për këtë ditë?
NM: Kosovën e vizitoj sa herë që kam mundësi, zakonisht dy
deri në tri herë në vit, sepse lidhja ime me të nuk është vetëm emocionale, por
thellësisht jetësore. Çdo kthim është një përjetim i dyfishtë: gëzim për lirinë
e fituar me sakrifica të mëdha dhe mall i pashuar për ata që nuk arritën ta
përjetojnë këtë ditë. Rrugëtimi i Kosovës drejt lirisë është një arritje
historike, e paguar shtrenjtë nga brezi ynë dhe nga i gjithë populli.
Progresi politik dhe shoqëror është i
dukshëm, veçanërisht në ndërtimin e institucioneve dhe në afirmimin
ndërkombëtar të shtetit. Megjithatë, mbeten ende sfida serioze në forcimin e
drejtësisë, etikës publike dhe barazisë shoqërore. Duke pasur parasysh
sakrificat e jashtëzakonshme që u bënë për lirinë, besoj se ajo duhet të
shoqërohet me përgjegjësi të lartë qytetare dhe me një vizion afatgjatë për të
ardhmen.
Një shqetësim i veçantë lidhet me respektimin
e Kushtetutës së Kosovës si shtet laik. Pas luftës, vendi u përball me ndikime
kulturore të huaja, kryesisht nga hapësira turke dhe arabe, të cilat nuk
përputhen me traditën dhe identitetin tonë kombëtar. Ndërtimi masiv i objekteve
të kultit në tokat bujqësore dhe përhapja e veshjeve që nuk i takojnë kulturës
shqiptare përbëjnë dukuri që kërkojnë reflektim serioz shoqëror. Kosova duhet
të ecë përpara duke ruajtur identitetin e saj kulturor dhe vlerat për të cilat
u sakrifikua kaq shumë.
Po ashtu, verë pas vere, vizitojmë Shqipërinë,
pushimet i kalojmë në bregdetin shqiptar, aty ku deti dhe gjuha flasin njësoj.

LAPSH me rastin e ditëlindjes së Vaçe Zelës, 27.12. 2012, Lozanë - Zvicër
GM: Cili është
raporti juaj me artin dhe botën e kulturës në përgjithësi, dhe a ka pasur
krijues ose vepra të veçanta që ju kanë shërbyer si frymëzim ose ‘strehë’
shpirtërore gjatë rrugëtimit tuaj jetësor?
NM: Raporti im me artin dhe kulturën ka qenë
i vazhdueshëm dhe formues, veçanërisht në kontekste historike të karakterizuara
nga mungesa e lirisë politike dhe kufizimi i shprehjes kulturore. Në këto
rrethana, arti ka funksionuar jo vetëm si formë estetike, por edhe si hapësirë
rezistence shpirtërore dhe ruajtjeje identitare. Brenda kësaj përvoje, muzika
ka zënë një vend qendror në formimin tim kulturor dhe emocional.
Arti muzikor ka qenë një mjet i fuqishëm
komunikimi dhe një formë përkatësie kulturore, duke kapërcyer kufijtë politikë
dhe ideologjikë. Në këtë kuadër, krijimtaria dhe interpretimi i Vaçe Zela, Marie
Kraja dhe Tefta Tashko kanë pasur një
ndikim të veçantë dhe afatgjatë. Në Kosovë, veprat e tyre qarkullonin në mënyrë
të kufizuar dhe shpesh në mënyrë joformale, çka u jepte atyre një dimension të
shtuar simbolik dhe emocional.
Interpretimi artistik i këtyre figurave nuk
përfaqësonte vetëm vlera të larta estetike, por shërbente edhe si bartës i
kujtesës kulturore, i dinjitetit kombëtar dhe i një shprese të heshtur
kolektive. Në këtë kuptim, muzika u shndërrua për mua në një komponent të
qëndrueshëm të formimit shpirtëror dhe kulturor, duke dëshmuar rolin thelbësor
që arti luan në mbijetesën identitare dhe etike të individit dhe shoqërisë në
kushte represive.
GM: Në jetën tuaj
të përditshme dhe në kohën tuaj të lirë, cilat aktivitete ju japin më shumë
kënaqësi dhe si duket një ditë tipike për ju – cilat momente e bëjnë ditën tuaj
të veçantë?
NM: Në përditshmërinë time, libri zë një vend
qendror si mjet formimi intelektual dhe si referencë e vazhdueshme për
strukturimin e ritmit tim jetësor. Dita ime nis herët dhe orët e para i kushtoj
kryesisht leximit dhe shkrimit, në një hapësirë qetësie që krijon kushte të
përshtatshme për reflektim, përqendrim dhe ruajtje të ekuilibrit shpirtëror.
Këto veprimtari më ndihmojnë të nis ditën me qartësi mendore dhe me një
orientim të vetëdijshëm ndaj angazhimeve të mëvonshme.
Në mënyrë të veçantë, shkrimi mbi arritjet,
sukseset dhe modelet frymëzuese brenda komunitetit tonë përbën një burim
kënaqësie profesionale dhe morale, pasi krijon një lidhje të drejtpërdrejtë mes
përvojës personale dhe realitetit shoqëror. Këto momente të përqendrimit
intelektual, të zhvilluara në dialog të vazhdueshëm me librin, janë ndër
elementët kryesorë që i japin përditshmërisë sime ndjesinë e përmbushjes dhe
qëndrueshmërisë së brendshme.
Po aq të rëndësishme në strukturën e ditës
sime janë edhe shëtitjet e rregullta në natyrë me bashkëshortin, të cilat i
konsideroj si pjesë integrale të mirëqenies fizike dhe psikologjike, si dhe
koha e kaluar me mbesën dhe nipin, që përfaqëson një dimension të veçantë të
përmbushjes emocionale dhe vazhdimësisë familjare. Ky ndërthurim i qëllimshëm
mes aktivitetit intelektual, jetës familjare dhe kontaktit me natyrën krijon
një ekuilibër të qëndrueshëm, duke e bërë përditshmërinë time funksionale, të
plotë dhe kuptimplotë.
GM: Cila është
këshilla juaj për të rinjtë shqiptarë në diasporë: si ta ruajnë gjuhën,
kulturën dhe lidhjen me rrënjët, duke qenë njëkohësisht pjesë e integruar dhe e
suksesshme e shoqërisë zvicerane?
NM: Këshilla ime për të rinjtë shqiptarë në
diasporë është të mos e shohin integrimin dhe ruajtjen e identitetit si dy
rrugë të kundërta. Të jenë pjesë aktive, të arsimuar dhe të suksesshme të
shoqërisë në Zvicër, por pa e
humbur lidhjen me gjuhën shqipe, kulturën dhe historinë e tyre. Gjuha amtare
është rrënja që i mban të lidhur me veten dhe me brezat para tyre.
Ruajtja e identitetit fillon në familje,
forcohet përmes leximit, mësimit të shqipes dhe pjesëmarrjes në jetën kulturore
shqiptare. Një i ri që e njeh prejardhjen e vet është më i sigurt në vetvete
dhe më i hapur ndaj botës. Vetëm kështu dygjuhësia dhe dy-kulturat shndërrohen
në pasuri dhe forcë për sukses personal dhe shoqëror.

Nexhmije Mehmetaj, në mësimin shqip në Delemont
GM: Pas një jete
plot sakrifica për lirinë e Kosovës dhe arsimin shqip, çfarë mesazhi do t’u
jepnit bashkëkombësve tanë, brenda dhe jashtë atdheut, për rëndësinë e
bashkimit rreth rrënjëve tona të përbashkëta?
NM: Mesazhi im për të gjithë bashkëkombësit, brenda dhe jashtë atdheut,
është i thjeshtë por thelbësor: ta ruajmë unitetin rreth rrënjëve tona të
përbashkëta. Historia jonë ka dëshmuar se vetëm të bashkuar kemi mundur t’i
përballojmë padrejtësitë dhe t’i mbijetojmë kohëve të errëta.
Gjuha shqipe, kultura dhe kujtesa jonë
kolektive janë shtyllat që na mbajnë si komb, pavarësisht kufijve apo
rrethanave. Nëse i ruajmë dhe i përcjellim te brezat e rinj me dashuri e
përgjegjësi, ne jo vetëm e nderojmë sakrificën e atyre që ranë për liri, por
ndërtojmë një të ardhme më të fortë, më të denjë dhe më të bashkuar për kombin
shqiptar.
Falënderim
Një falënderim i sinqertë shkon për ju, Gëzim
Marku, për përkushtimin dhe seriozitetin me të cilin i qaseni fjalës së shkruar
dhe historisë sonë kombëtare. Përmes portalit Zemra Shqiptare, keni ndërtuar
një hapësirë të çmuar ku gjuha, kujtesa historike dhe kultura shqiptare marrin
zërin e tyre të merituar.
Kontributi juaj shkon përtej gazetarisë së
zakonshme, duke shërbyer si akt përgjegjësie morale dhe përkushtimi ndaj identitetit
kombëtar. Për këtë mision të vyer, mirënjohja ime është e thellë dhe e
sinqertë.
Nexhmije
Mehmetaj
Gjenevë, 04.02.
2026









