E diele, 08.02.2026, 11:02 AM (GMT)

Intervista » Marku

Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me Prof. Nexhmije Mehmetaj – ruajtëse e gjuhës dhe identitetit kombëtar

E shtune, 07.02.2026, 04:00 PM


INTERVISTË ME PROF. NEXHMIJE MEHMETAJ – RUAJTËSE E GJUHËS DHE IDENTITETIT KOMBËTAR

EKSKLUZIVE NGA GËZIM MARKU

Nexhmije (Çupi-Thaçi) Mehmetaj ka lindur në Kosovë – veriu i Shqipërisë, me rrënjë në Mirditë. Ajo i përket brezit të intelektualëve shqiptarë të formësuar në rrethana historike jashtëzakonisht të vështira, por që e shndërruan dijen, gjuhën dhe arsimin në mjete qëndrese, emancipimi dhe shërbimi shoqëror.

Studimet universitare i ka përfunduar në Universitetin e Kosovës në Prishtinë, Fakultetin Filozofik, dega Letërsi dhe Gjuhë Shqipe. Që nga ajo ditë, ajo ndjeu se profesioni i saj nuk do të ishte kurrë thjesht punë – do të ishte mision.

Në vitin 1984 filloi punën në gjimnazin “Xhevdet Doda” në Prishtinë. Ishte një kohë e rëndë, kur mësimi në gjuhën shqipe ishte akt guximi dhe rezistence.

Jeta e saj personale u përball shumë shpejt me shtypjen më të rëndë. Bashkëshorti i saj, Nezir Mehmetaj, u dënua politikisht: fillimisht me tre vjet burg për pjesëmarrje në Lëvizjen Studentore të vitit 1981 dhe më pas me tetë vjet të tjera në burgun ushtarak të ish-Jugosllavisë. Për këtë shkak, ajo u largua nga arsimi, u diferencua nga puna dhe u izolua shoqërisht.

Ajo dhe familja e saj përjetuan drejtpërdrejt dhunën dhe diskriminimin e regjimit serb, thjesht për faktin se ishin shqiptarë. Tetë vite radhazi ajo i kaloi mes rrugëve të gjata dhe udhëtimeve të vështira me çanta të rënda nëpër trena, për të vizituar bashkëshortin në burgjet jugosllave të Sarajevës, Zenicës (Bosnje-Hercegovinë), Zagrebit, Stara Gradiškës dhe Lepogllavës (Kroaci). Edhe pas lirimit të tij, në vitin 1990, presioni dhe ndjekja nuk pushuan, çka i detyroi, kundër vullnetit të tyre, ta braktisnin Kosovën e dashur dhe të shumëvuajtur.

Në vitin 1990, Zvicra, konkretisht kantoni Jura, u bë streha e tyre. Aty ajo nisi një kapitull të ri të jetës së saj, pa u shkëputur kurrë nga rrënjët. Organizoi mësimin plotësues të gjuhës shqipe për fëmijët e mërgatës përmes Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri”. Për mbi tridhjetë vjet punoi si mësuese e gjuhës shqipe, shpeshherë në kushte të vështira, shpesh vullnetarisht, por gjithmonë me bindjen se çdo fjalë shqip e ruajtur te një fëmijë është një fitore kundër harresës.

Ajo mori pjesë në dy projekte të rëndësishme. Projekti i parë, “Tekstet shkollore për diasporën shqiptare”, u realizua nga Ministria e Arsimit e Republikës së Kosovës dhe u udhëhoq nga pedagogu dhe albanologu zviceran Dr. Basil Schader. Projekti i dytë, “Materiale për mësimin në gjuhën e prejardhjes”, po ashtu u udhëhoq nga albanologu zviceran dhe solli botimin e Doracakut “Bazat dhe arsyet”, si dhe pesë fletoreve me nxitje didaktike: Përkrahje e të shkruarit në gjuhën e parë, Përkrahje e të lexuarit në gjuhën e parë, Përkrahja e komunikimit gojor, Përkrahja e kompetencave ndërkulturore, si dhe Strategji dhe teknika të të mësuarit.

Përveç autorësisë së shumë artikujve profesionalë, ajo është autore dhe bashkautore e teksteve shkollore, të cilat synojnë ta bëjnë mësimin e shqipes më të afërt, më bashkëkohor dhe më funksional për nxënësit e diasporës.

Në punën e saj ajo i ka kushtuar vëmendje të veçantë gjendjes së gjuhës shqipe në kontakt me frëngjishten: shkallës së ruajtjes së shqipes, mënyrave të transferimit gjuhësor nga frëngjishtja në shqip, ndryshimeve gjuhësore, interferencës dhe ndërrimit të kodit gjuhësor (code-switching) nga shqipja në frëngjisht.

Në këtë kontekst, ajo ka botuar në gjuhën frënge artikullin “Grandir et vivre entre l’albanais et le français” (“Të rritesh dhe të jetosh mes shqipes dhe frëngjishtes”), ku trajtoi realitetin gjuhësor dhe kulturor të fëmijëve dygjuhësh dhe sfidat e formimit të identitetit të tyre. E gjithë kjo punë për të nuk ka qenë vetëm një angazhim profesional, por një mision i ndërgjegjshëm për ta mbajtur gjallë gjuhën shqipe në mërgatë, si bartëse e kujtesës, identitetit dhe vazhdimësisë kombëtare.

Pas çlirimit të Kosovës, ajo ndjeu dhimbje kur pa se Shkolla shqipe nuk mori vendin që meritonte. Megjithatë, përmes Seminareve Mbarëkombëtare për Mësimin Plotësues të Gjuhës Shqipe, pati mundësinë të ndajë përvojën e saj, të prezantojë kumtesa dhe të kontribuojë në përmirësimin e mësimdhënies në diasporë.

Angazhimi i saj nuk u kufizua vetëm në arsim. Ajo mori pjesë aktive në jetën institucionale të kantonit Jura, duke shërbyer si përfaqësuese e komunitetit shqiptar në komisione për integrim, arsim dhe luftë kundër racizmit. Beson se integrimi nuk nënkupton asimilim, por bashkëjetesë me identitet të ruajtur.

Rrugëtimi i saj jetësor ka mësuar se gjuha nuk është vetëm mjet komunikimi, por kujtesë, rezistencë dhe identitet. Dhe për sa kohë fjala shqipe jeton te fëmijët, asnjë sakrificë nuk ka qenë e kotë.

Në këtë intervistë ekskluzive për Zemra Shqiptare, Prof. Nexhmije Mehmetaj sjell një rrëfim të thellë dhe reflektues, ku përvoja personale ndërthuret natyrshëm me historinë kolektive. Ajo ndalet te rrënjët familjare dhe formimi intelektual, te përjetimi i represionit dhe ndikimi i tij në jetën personale e profesionale, si dhe te sfidat e mërgimit, të përjetuara jo vetëm si largim nga atdheu, por si sprovë e vazhdueshme identitare.

Në qendër të këtij rrëfimi qëndron gjuha shqipe, e konceptuar si bartëse e kujtesës, e përkatësisë dhe e vazhdimësisë kombëtare. Prof. Mehmetaj flet me përgjegjësi dhe ndjeshmëri për rolin e arsimit dhe të mësimit të gjuhës amtare në diasporë, për tensionin mes integrimit dhe ruajtjes së identitetit, si dhe për detyrimin moral të brezit të saj ndaj brezave që po rriten larg vendlindjes.

Kjo intervistë përbën një dëshmi të gjallë se si arsimi, gjuha dhe kultura mund të shndërrohen në ura të qëndrueshme ndërmjet atdheut dhe diasporës, por edhe në forma të qëndresës së heshtur – të palodhshme dhe të vetëdijshme – në kohë kur ruajtja e identitetit kërkon përkushtim, vizion dhe përgjegjësi intelektuale.

GM: A mund të na ktheni pak pas në kohë, te rrënjët e familjes suaj në Mirditë dhe te zanafilla e saj atje? Sipas trashëgimisë gojore dhe asaj që keni dëgjuar nga të parët tuaj, kur ndodhi shpërngulja e tyre dhe çfarë rrethanash i shtynë ata të vendoseshin në Kosovë?

NM: Rrënjët e familjes sime i gjejmë në fshatin Çupjanë, një vendbanim i vjetër fisnor në hapësirën ndërmjet Mirditës dhe Matit, prej nga kemi ruajtur edhe mbiemrin Çupi, të lidhur me fisin Thaçi. Ky emër për ne nuk përfaqëson vetëm një pikë gjeografike, por një trashëgimi të qëndrueshme vlerash si nderi, fjala e dhënë dhe lidhja e pashkëputshme me prejardhjen dhe tokën amtare.

Sipas trashëgimisë gojore familjare, shpërngulja drejt Kosovës ka ndodhur në fund të shekullit XIX ose në fillim të shekullit XX, në një periudhë trazirash të mëdha historike për shqiptarët, kur ende nuk ekzistonin kufijtë e sotëm administrativë mes Kosovës dhe Shqipërisë. Të parët tanë u detyruan të largohen në kërkim të sigurisë dhe dinjitetit njerëzor, por pa e ndërprerë kurrë lidhjen shpirtërore me vendlindjen. Kujtesa për Mirditën u ruajt dhe u përcoll brez pas brezi si rrëfim, mall dhe krenari familjare.

Në këtë kujtesë zë vend edhe një anekdotë domethënëse për veshjen tradicionale mirditore. Sipas gojëdhënës, pas vdekjes së Gjergj Kastrioti Skënderbeut, burrat mirditorë, si shenjë zie dhe dhimbjeje, shtuan gajtanë të zinj në tirqit e bardhë prej shajaku. Që nga ajo kohë, gajtani i zi mbeti pjesë e pandarë e veshjes tradicionale, jo vetëm si element estetik, por si simbol kujtese kolektive dhe betim i heshtur që dhimbja për humbjen e Heroit Kombëtar të mbetej e gjallë në zakon, kulturë dhe ndërgjegje brez pas brezi.

GM: Cilat ndikime nga mjedisi familjar dhe rrethanat ku u rritët mendoni se kanë luajtur rolin më përcaktues në formimin tuaj intelektual dhe arsimor?

NM: Lindja dhe formimi im në Kosovë kanë lënë gjurmë të thella në identitetin dhe ndërgjegjen time. Vendlindja dhe rrethanat në të cilat rritemi ndikojnë jo vetëm në mënyrën si mendojmë, por edhe në shtresëzimin e karakterit tonë.

Formimi im intelektual është ndikuar fuqishëm nga mjedisi familjar, ku fjala, dija dhe respekti për arsimin kishin vlerë thelbësore. Shkollimi është parë gjithmonë si detyrim moral dhe jo vetëm si rrugë për realizim personal. Që herët jam rritur me bindjen se libri, dija dhe puna e palodhur janë forma më e qëndrueshme e lirisë.

Rrethanat historike e shoqërore, shpesh të vështira, më kanë mësuar durimin dhe qëndrueshmërinë, duke e bërë dijen pasurinë më të çmuar. Këto përvoja kanë ndërtuar bindjen time se arsimi është një mision shoqëror, veçanërisht për brezat që vijnë.

GM: Cilat janë ato momente nga fëmijëria dhe shkolla fillore që besoni se kanë lënë gjurmët më të thella në kujtesën tuaj?

NM: Fëmijëria dhe vitet e shkollës fillore kanë lënë gjurmë të thella në kujtesën time, veçanërisht përmes figurave frymëzuese që më edukuan me dashurinë për dijen dhe atdheun. E kujtoj me respekt e mall mësuesin tim, shkrimtarin Ymer Elshani, i cili më mësoi të dua librin dhe fjalën e shkruar. Zhdukja e tij dhe e familjes, me përjashtim një vajzë e shpëtuar nga kriminelët serbë gjatë luftës së fundit në Kosovë mbetet një plagë e hapur në kujtesën time.

Po ashtu, një ndikim të madh pati edhe mësuesja Nazire Kraja, një grua e fortë dhe patriote, e përndjekur e dënuar nga regjimi serb, por kurrë e thyer shpirtërisht. Shembulli i këtyre mësuesve, bashkë me përvojat e para shkollore, kanë ndikuar fuqishëm në formimin tim njerëzor dhe profesional.

GM: Si ishte jeta juaj si nxënëse gjimnazi në atë kohë, dhe cilat sfida apo momente të paharrueshme do të veçonit nga ajo periudhë?

NM: Unë nuk kam ndjekur gjimnazin, por, shkollën e mesme të mjekësisë në Prishtinë, në një kohë kur shkolla ishte me karakter të theksuar autoritar, ku mbizotëronin disiplina e rreptë dhe programet e ngurta mësimore. Liria e shprehjes ishte e kufizuar dhe mendimi kritik duhej shprehur me shumë kujdes. Megjithatë, shkolla mbeti një hapësirë e rëndësishme formimi, ku dija shihej si mjet mbijetese shpirtërore dhe shprese.

Sfida kryesore ishte ruajtja e individualitetit dhe etjes për dije në rrethana të vështira shoqërore e politike. Momente të paharrueshme ishin solidariteti mes nxënësve dhe ndikimi i disa mësuesve që, edhe brenda kufijve të sistemit, arrinin të na frymëzonin dhe të na mësonin të mendojmë përtej kornizave.

Gjatë shkollës së mesme kam lexuar pafund; libri ishte bota ime. Asgjë tjetër nuk më tërhiqte më shumë se fjala e shkruar. Pikërisht kjo dashuri e hershme për librin bëri që, pas përfundimit të shkollës së mesme, të vazhdoja studimet në Gjuhë dhe Letërsi, duke e kthyer leximin në rrugë jetësore.

GM: Çfarë ju tërhoqi drejt Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe në Fakultetin Filozofik, pavarësisht sfidave? Cilat mbeten kujtimet tuaja më të vyera studentore, por edhe ato momente të vështira nga represioni apo kushtet e jashtëzakonshme të kohës?

NM: Ajo që më tërhoqi drejt studimeve në Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Fakultetin Filozofik ishte, para së gjithash, dashuria për dijen dhe besimi se gjuha dhe letërsia përbëjnë mjete themelore për ta kuptuar botën, veten dhe realitetin shoqëror përreth. Në rrethana historike të vështira, libri për mua nuk ishte vetëm instrument studimi, por edhe strehë shpirtërore dhe formë e heshtur rezistence kulturore. Studimet në këtë fushë i perceptoja si një përkushtim ndaj ruajtjes së identitetit dhe afirmimit të fjalës së lirë.

Kujtimet e mia studentore nuk janë thjesht faqe të rinisë apo të formimit akademik; ato janë të gdhendura thellë në plagët e vitit 1981, kur rinia studentore shqiptare në Kosovë u ngrit me guxim kundër politikës koloniale të Serbisë dhe artikuloi hapur kërkesën e saj legjitime: që Kosova të bëhej Republikë. Ishte një thirrje paqësore dhe demokratike, e lindur nga etja për dinjitet dhe barazi, por që u përball me një urrejtje të organizuar shtetërore. Fillimisht erdhi propaganda e egër antishqiptare, e më pas dhuna e pamëshirshme, terrori policor dhe institucional, i shtrirë në çdo pore të jetës shqiptare.

Kërkesat tona u shtypën me gjak e dhunë: me vrasje e plagosje, me arrestime dhe burgosje masive, me keqtrajtime çnjerëzore, ndjekje të vazhdueshme, thirrje të shpeshta në polici dhe “biseda informative” që synonin thyerjen morale. Gjykimet politike dhe dënimet drastike u bënë pjesë e përditshmërisë sonë. Terrori propagandistik dhe politik ndaj shqiptarëve ecte paralelisht me terrorin policor, duke krijuar një klimë frike, pasigurie dhe dhimbjeje kolektive.

Në këtë vorbull represioni, dhuna nuk mbeti abstrakte apo thjesht historike. Ajo hyri brutalisht edhe në jetën time personale. Arrestimi dhe dënimi i të fejuarit tim – bashkëshortit të sotëm – e shndërroi përfundimisht rrugëtimin tim studentor në një përvojë të jetuar mes ankthit, pritjes dhe qëndresës. Ishte dëshmi e ndërhyrjes së pamëshirshme të shtetit jo vetëm në hapësirat arsimore, por edhe në intimitetin e jetës private, në ëndrrat, planet dhe dashurinë tonë.

Kështu, rinia ime u kthye në një shkollë tjetër, shumë më të ashpër se auditorët: një shkollë të rezistencës dhe të mbijetesës shpirtërore. Formimi profesional u ndërthur me përjetimin e dhunës strukturore, duke lënë gjurmë të pashlyeshme jo vetëm në jetën time personale, por edhe në fatin kolektiv të brezit tonë – një brez që u rrit mes idealit, sakrificës dhe dhimbjes, pa e humbur kurrë shpresën për liri.

Me kujtimet studentore lidhet edhe vizita ime e parë në Shqipëri në vitin 1979, bashkë me një grup studentë e studente nga Kosova, morëm udhën si turistë – dhe nuk di sa mund të përshkruhet ajo ndjenjë lirie dhe gëzimi për çdo shqiptar të Kosovës. Ishte një lumturi e përzier me mall, krenari dhe emocion të thellë.

Degët që kishin kulluar gjak po bënin udhë për t’u ngjitur sërish te trungu prej nga ishin prerë. Afrimi i njerëzve sikur na ndillte afrimin e trojeve. Shqipëria na shfaqej si Nëna prej së cilës ishim ndarë me dhunë nga historia. Ajo bartte mall e dhimbje për bijtë e saj, por edhe ngrohtësi e dashuri për t’i pritur, për t’i mbështjellë me zemrën e saj dhe për t’u gëzuar me praninë e tyre. Kështu, ne po ecnim drejt një ëndrre – jo vetëm për ta parë Shqipërinë, por për ta ndier atë në gjakun e përbashkët.

Ajo ëndërr na ishte afruar prej kohësh përmes vargjeve të Naim Frashërit, shkruar në mërgimin e tij: “Nata atje s’është tjetër natë, edhe dita tjetër ditë; / në pyjet e gjelbëruara atje rrinë perënditë.” Shqipëria na dukej pikërisht ashtu – një vend i shenjtë, pothuaj hyjnor. Edhe bashkëbiseduesit tanë në shtetin amë na ngjanin si pak perëndi: liria u kishte dhënë një përmasë tjetër, një madhështi e një ngjyrim që ne nuk e kishim njohur ende. Me këtë ndjenjë mburreshim natyrshëm, edhe përballë sllavëve racistë, sikur t’u thoshim: ju na mbani të pushtuar, por ne aty pranë kemi atdheun tonë.

Me këto bindje u nisëm drejt Qafës së Thanës. Një pjesë të udhës e bëmë në këmbë, si drejt Tokës së Premtuar. Lodhja nuk na rëndonte, sepse përkundej mbi një ndjesi të ëmbël: po shkonim tek Nëna. Dhe më në fund, hymë në Shqipëri. Ndjemë se qemë futur në një heshtje të përgjithshme të një shkretëtirë me frymë të rralluar! “Gjigandët” e shtetit-amë na dolën ca njerëz të hutuar që po na shihnin të ndrojtur si peshqit në akuarium të plogët secili në hallin e tij ! Çka ndodhur `kështu me racën tonë çka ndodhur me Nënën? Gjatë kohës që kemi jetuar ndarë kush ka hyrë në mes dhe e ka katandisur në këtë gjendje?! (“Ti ke pas kenë një Zoj`e randë...)!

Kënga na ra nga buzët: asaj po ia zinte vendin monologu te secili. Atë që po përjetonim ende nuk ia thoshim dot njeri tjetrit, jo nga frika por nga dhimbja e hutimi!...

GM: Arsimimi në Kosovën e atyre viteve ishte një sfidë për të gjithë. Si e përjetuat ju këtë rrugëtim si vajzë, dhe a mendoni se, përtej vështirësive të kohës, u desh të thyenit edhe barriera shoqërore apo mundësorë për të ndjekur thirrjen tuaj intelektuale?

NM: Po, ashtu arsimimi në Kosovën e atyre viteve përballej me vështirësi të shumta strukturore dhe politike, por përvoja ime personale u karakterizua nga një element thelbësor mbështetës: familja. Kam pasur përkrahje të plotë familjare në ndjekjen e shkollimit, gjë që më ka mundësuar të arsimohem pa pengesa të drejtpërdrejta. Në një mjedis ku arsimi i vajzave shpesh vihej në pikëpyetje për shkak të mendësive tradicionale, kjo mbështetje përbënte një përjashtim të rëndësishëm dhe vendimtar.

Në kontrast me këtë përvojë, shumë vajza të gjeneratës sime nuk patën të njëjtat mundësi, pavarësisht potencialit dhe motivimit të tyre për shkollim. Ndërprerja e arsimit për arsye shoqërore dhe kulturore ishte një realitet i shpeshtë, i cili dëshmon për pabarazitë gjinore të kohës. Kjo diferencë ndërmjet mundësive të mia dhe atyre të bashkëmoshatareve të mia e ka thelluar ndërgjegjësimin tim mbi rëndësinë e arsimit si faktor emancipues. Për rrjedhojë, rrugëtimi im arsimor nuk përfaqëson vetëm një përvojë individuale, por edhe një reflektim mbi rolin e mbështetjes familjare dhe të rrethanave shoqërore në formësimin e trajektores akademike të vajzave në Kosovën e asaj periudhe.

GM: Mund të na flisni për përvojën tuaj si mësimdhënëse në gjimnazin ‘Xhevdet Doda’ të Prishtinës, në një kohë kur ky profesion shihej si një mision i mirëfilltë kombëtar?

NM: Përvoja ime si mësimdhënëse në gjimnazin “Xhevdet Doda” në Prishtinë lidhet me një periudhë të rëndë për arsimin dhe shoqërinë shqiptare në Kosovë. Ishte koha kur regjimi serb, krahas propagandës së egër antishqiptare që ushtronte terror verbal e psikologjik mbi shqiptarët, zbatonte edhe një politikë të hapur represioni të njohur si diferencim ideopolitik. Në thelb, ky ishte një mekanizëm brutal ndjekjeje politike dhe diskriminimi kombëtar, që godiste pa dallim mësues, profesorë, intelektualë, punëtorë e krijues të fushave të ndryshme.

Ky “diferencim” nuk mbeti vetëm në letra. Ai u shndërrua në largime masive nga puna, në përjashtime nga shkollat dhe institucionet, në mohimin e së drejtës për arsimim për fëmijë e të rinj shqiptarë. Mësues e profesorë largoheshin me akuza absurde se po “indoktrinonin rininë”, ndërsa kategoria e ashtuquajtur e “përshtatshmërisë morale-politike” u përdor si mjet për të shkelur rëndë liritë dhe të drejtat e njeriut. Qëllimi ishte i qartë: të zvogëlohej prania e shqiptarëve në arsimin shqip dhe të nxitej largimi i tyre nga vendi.

Në këtë realitet të ashpër u ndodha edhe unë. Pas përfundimit të studimeve, u punësova në vitin 1984 si mësimdhënëse në gjimnazin “Xhevdet Doda”, në një kohë kur mësimdhënia nuk ishte thjesht profesion, por mision kombëtar dhe përgjegjësi morale ndaj brezit të ri. Por shumë shpejt, politika e diferencimit politik depërtoi edhe në jetën time profesionale. Për shkak se bashkëshorti im ndodhej në vuajtje të një dënimi politik në Kroaci, u largova nga procesi arsimor, duke e përjetuar drejtpërdrejt se si pushteti ndërhynte dhunshëm edhe në hapësirën e dijes dhe të edukimit.

Nexhmije Mehmetaj me bashkëshortin Nezir Mehmetaj në kohën studentore (1978)

GM: Bashkëshorti juaj, Neziri, u dënua politikisht dy herë nga regjimi serbo-jugosllav. Mund të na tregoni më konkretisht për arsyet e arrestimeve dhe për gjendjen e familjes suaj në ato vite të vështira?

NM: Po, bashkëshorti im, Nezir Mehmetaj, jurist me profesion, u dënua politikisht dy herë nga regjimi serbo-jugosllav, duke kaluar një pjesë të konsiderueshme të rinisë së tij nëpër burgje të rënda, larg familjes dhe lirisë. Arrestimi i parë lidhet drejtpërdrejt me pjesëmarrjen e tij në demonstratat studentore të vitit 1981, kur mijëra të rinj shqiptarë u ndoqën, u arrestuan dhe u dënuan për kërkesat e tyre legjitime për liri dhe barazi. Për këtë veprimtari politike, ai u dënua me tre vjet burg. Për shkak të numrit të madh të të burgosurve shqiptarë, u transferua nga burgu i Pejës në burgjet e Bosnjës, në Sarajevë dhe Zenicë, çka e bënte pothuajse të pamundur realizimin e vizitave familjare, sidomos në kushtet e vështira ekonomike të asaj kohe.

Goditja e dytë ishte edhe më e rëndë dhe lidhej me një praktikë të njohur të regjimit ndaj ushtarëve shqiptarë në armatën e ish-Jugosllavisë. Pas përfundimit të shërbimit ushtarak në Kroaci, ndaj tij u montua një proces i ri politik, ashtu siç ndodhte rëndom me shumë të rinj shqiptarë që shiheshin si “element i dyshimtë” vetëm për shkak të përkatësisë së tyre kombëtare dhe qëndrimit të palëkundur. Fillimisht iu kërkua bashkëpunim me strukturat e sigurisë, dhe pas refuzimit të tij kategorik, u dënua me tetë vjet burg. Dënimin e vuajti në burgjet e Zagrebit, Stara Gradiškës dhe Lepogllavës, institucione famëkeqe për trajtimin çnjerëzor të të burgosurve politikë shqiptarë.

Kjo periudhë shënoi një plagë të thellë për familjen tonë. Jeta jonë u nda mes pritjes së gjatë, udhëtimeve drejt burgjeve, pasigurisë dhe mungesës së vazhdueshme. Frika dhe dhimbja ishin të përditshme, por po aq e pranishme ishte edhe qëndrueshmëria jonë morale, besimi se sakrifica nuk ishte e kotë dhe se e vërteta, sado e shtypur, nuk mund të burgosej përgjithmonë.

GM: Si do t’i përshkruanit sfidat që përballoi brezi juaj i intelektualëve shqiptarë në Kosovë, i cili u gjend mes trysnisë së egër politike dhe përgjegjësisë për të ruajtur identitetin dhe arsimin shqip?

NM: Brezi ynë i intelektualëve shqiptarë në Kosovë u formësua nën kushtet e një trysnie të dyfishtë: represionit të institucionalizuar politik dhe përgjegjësisë historike për ruajtjen e gjuhës shqipe, arsimit dhe identitetit kombëtar. Të qenët intelektual në atë kontekst nënkuptonte ekspozim të vazhdueshëm ndaj rrezikut personal, si dhe përkushtim të palëkundur ndaj misionit shoqëror dhe etik.

Në këtë rrethanë, arsimi në gjuhën shqipe funksionoi si formë rezistence kulturore. Çdo veprim arsimor e intelektual përbënte akt të vetëdijshëm të mbrojtjes së vetëdijes kombëtare përballë politikave asimiluese. Pavarësisht sakrificave të shumta, kjo përvojë mbështetej në bindjen se gjuha dhe dija janë kushte themelore të lirisë dhe vazhdimësisë kombëtare.

GM: Si u formua brenda jush vendimi se largimi nga Kosova do të ishte zgjidhja më e mirë për familjen tuaj?

NM: Vendimi për t’u larguar nga Kosova ishte një nga më të vështirët e jetës sime dhe nuk lindi as shpejt, as nga dëshira jonë. Pas daljes së bashkëshortit tim nga burgu në prill të vitit 1990, ushqyem shpresën se periudha e persekutimit kishte marrë fund. Megjithatë, kjo shpresë u shua shumë shpejt, sepse regjimi serb rifilloi presionet, duke e thirrur vazhdimisht në të ashtuquajturat “biseda informative”. Kjo na bëri të kuptonim qartë se rreziku vazhdonte dhe se çdo ditë mund të sillte një arrestim të ri.

Frika e përhershme, pasiguria dhe ankthi për të ardhmen e familjes na vendosën përballë një zgjedhjeje të dhimbshme, por të domosdoshme. Për ta mbrojtur familjen nga më e keqja, u detyruam të largohemi nga atdheu. Ky largim nuk ishte akt dorëzimi, por një përpjekje për mbijetesë.

Në Zvicër nuk kërkuam azil politik; përmes punës dhe përpjekjeve tona ndërtuam jetën me dinjitet, duke ruajtur shpresën se kjo sakrificë do të kishte kuptim. Kosova mbeti gjithmonë në zemrën tonë, por largimi u bë rruga e vetme për të mbrojtur jetën dhe të ardhmen e familjes sonë. Edhe në mërgim, veprimtaria jonë atdhetare dhe organizative nuk u ndërpre kurrë, duke vazhduar deri në çlirimin e Kosovës.

GM: Si nisi jeta juaj e re në mërgim dhe cilat ishin ndjesitë e para në një shtet të zhvilluar e demokratik si Zvicra?

NM: Jeta jonë e re në mërgim nisi me ndjenja të përziera: lehtësim që kishim shpëtuar nga rreziku i përhershëm, por edhe dhimbje të thellë për ndarjen nga atdheu. Hapat e parë në Zvicër nuk ishin të lehtë. Gjithçka ishte e re: gjuha, puna, ritmi i jetës dhe realiteti shoqëror. Megjithatë, ndjesia më e fortë ishte ajo e sigurisë – për herë të parë pas shumë vitesh jetonim pa frikën e burgut, të thirrjeve policore apo të dhunës.

Zvicra na u shfaq si një shtet i rregullit, i dinjitetit dhe i respektit për njeriun. Edhe pse filluam nga e para, me punë të ndershme dhe shumë përpjekje, ndjemë se mundësia për një jetë normale dhe të qetë ishte reale. Malli për Kosovën nuk na u shua kurrë, por liria, siguria dhe perspektiva për të ardhmen na dhanë forcë për ta ndërtuar jetën në mërgim pa e humbur identitetin tonë.

GM: Na tregoni për fillimet e rrugëtimit tuaj profesional në Zvicër: Si nisi kjo etapë e re, me çfarë sfidash u përballët dhe cilat përvoja ju kanë mbetur në kujtesë?

NM: Fillimet e rrugëtimit tim profesional në Zvicër ishin të vështira, por edhe formuese, sidomos për ne që kishim përjetuar shtypjen dhe diskriminimin dhe duhej ta niste jetën dhe punën nga e para. Sfida e parë dhe më e madhe ishte gjuha. E kuptova shumë shpejt se pa zotërimin e frëngjishtes nuk mund të ketë as integrim të vërtetë, as zhvillim profesional. Prandaj, mësimi i gjuhës u bë prioriteti im i përditshëm, një përpjekje e vazhdueshme që kërkonte durim, disiplinë dhe këmbëngulje.

Paralelisht me mësimin e gjuhës, fillova të njihem me sistemin arsimor zviceran, me rregullat shkollore dhe me realitetin institucional të kantonit ku u vendosëm. Ky proces kërkonte kohë dhe përkushtim, por ishte i domosdoshëm për të gjetur vendin tim në shoqërinë e re.

GM: Si lindi dhe si u zhvillua angazhimi juaj për organizimin e mësimit plotësues të gjuhës shqipe për fëmijët e diasporës përmes Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë (LAPSH) “Naim Frashëri”, dhe cilat ishin sfidat apo momentet më të rëndësishme me të cilat u përballët gjatë këtij rrugëtimi?

NM: Angazhimi im në mësimin plotësues të gjuhës shqipe në Zvicër lidhet drejtpërdrejt me rrethanat e vështira historike dhe politike në të cilat u formua diaspora shqiptare. Nevoja për ruajtjen e gjuhës amtare dhe identitetit kulturor të brezit të ri nxiti hapjen e shkollave të para të mësimit plotësues të gjuhës shqipe, proces në të cilin rol të veçantë luajtën Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë dhe Lidhja e Prindërve Shqiptarë. Këto dy organizata, që fillimisht vepronin veçmas, u bashkuan në vitin 1994 në një organizatë të vetme me emrin Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” në Zvicër.

Mbështetje e rëndësishme institucionale dhe profesionale në këtë proces u dha nga Ministria e Arsimit e Qeverisë së Kosovës në mërgim, nën drejtimin e ministrit dr. Muhamet Bicaj, i cili përmes konkurseve zgjodhi kuadrin arsimor. Në fazat fillestare, mësimdhënësit ushtronin veprimtarinë e tyre kryesisht në baza vullnetare, për shkak të mungesës së mjeteve financiare. Paralelisht me këtë, u hartuan tre tekstet e para mësimore të gjuhës shqipe, nën drejtimin shkencor-pedagogjik të prof. dr. Shefik Osmanit, ndërsa procesi mësimor u zhvillua sipas planeve dhe programeve të miratuara nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë e Republikës së Kosovës.

Megjithatë, mungesa e qëndrueshmërisë financiare bëri që një numër i konsiderueshëm mësimdhënësish të detyroheshin të largoheshin nga ky angazhim, çka ndikoi që vetëm pak prej tyre ta ushtronin profesionin deri në pension. Në këtë kontekst, edhe angazhimi im në Kantonin Jura filloi fillimisht në mënyrë individuale dhe u formalizua më pas me vendim zyrtar nga ministri dr. Muhamet Bicaj. Kam ushtruar këtë veprimtari për tri dekada rresht, pa asnjë ndërprerje.

Gjatë gjithë kësaj periudhe, procesi mësimor është përballur me sfida të shumta, si mos përfshirja e plotë e të gjithë nxënësve shqiptarë në mësimin e gjuhës amtare, gjë që impononte organizimin e mësimit me nxënës të moshave të ndryshme dhe në klasa të bashkuara. Njëkohësisht, mësimdhënia zhvillohej në kushte të theksuara dygjuhësie, duke kërkuar përshtatje të vazhdueshme didaktike dhe metodologjike për të garantuar ruajtjen dhe zhvillimin e kompetencave gjuhësore në shqip.

Një fotografi e përbashkët e shumicës së pjesëmarrësve në punimet e Kuvendit Zgjedhor, mbajtur më 2013-06-09, Chapfschulhaus, Dohlenzelgstrasse 30, 5210 Windisch, Kantoni Argau.

GM: Keni qenë e angazhuar në hartimin e teksteve dhe materialeve didaktike për mësimin e gjuhës shqipe në diasporë, si në kuadër të projektit të Ministrisë së Arsimit të Kosovës “Tekstet shkollore për diasporën shqiptare” ashtu edhe në projektin “Materiale për mësimin në gjuhën e prejardhjes”, që solli botimin e Doracakut “Bazat dhe arsyet” dhe fletoreve didaktike; cili ishte kontributi juaj konkret në këto nisma, si u pritën këto materiale nga mësuesit dhe nxënësit, dhe mbi cilat parime pedagogjike u mbështetët për ta bërë mësimin e shqipes më bashkëkohor dhe funksional në diasporë?

NM: Një kontribut të jashtëzakonshëm në konsolidimin dhe zhvillimin e shkollave shqipe në Zvicër ka dhënë edhe pedagogu dhe albanologu zviceran Prof. Dr. Basil Schader. Ai ka drejtuar dy projekte dy didaktike që synonin forcimin dhe modernizimin e mësimit të gjuhës shqipe në diasporë. Unë kam qenë e përfshirë drejtpërdrejt në këto dy projekte didaktike. Nisma e parë, “Tekstet shkollore për diasporën shqiptare”, u realizua si bashkëpunim ndërinstitucional ndërmjet Ministrisë së Arsimit të Kosovës dhe  albanologut Schader. Brenda këtij projekti, janë hartuar 19 tekste shkollare të ashtuquajtura Fletore tematike për tri nivelet e mësimit plotësues të gjuhës shqipe, me theks të veçantë në përshtatjen e përmbajtjeve didaktike me realitetin gjuhësor, kulturor dhe social të fëmijëve shqiptarë që jetojnë jashtë atdheut. Angazhimi im konsistoi në rolin e autores dhe bashkë-autores në 6 tekstet shkollore. https://ipe-textbooks.phzh.ch/de/albanian/.

Projekti i dytë, “Materiale për mësimin në gjuhën e prejardhjes”, çoi në botimin e Doracakut dhe fletoreve didaktike “Bazat dhe arsyet”, të konceptuara kryesisht për mësimdhënësit e mësimit në gjuhën amtare. Ideja për këtë nismë lindi nga nevoja që mësimi i shqipes në diasporë të përafrohej më shumë me parimet dhe praktikat e pedagogjisë zvicerane. Një kërkesë e imja, e paraqitur në Seminarin e mësuesve në Gjenevë, shërbeu si pikë orientuese dhe më pas u shndërrua në një projekt ndërkombëtar, i udhëhequr po ashtu nga prof. Basil Schader. Kontributi im konkret lidhej me hartimin dhe përshtatjen e materialeve didaktike, duke u mbështetur në përvojën time shumëvjeçare praktike në mësimdhënien e gjuhës shqipe në Zvicër. Këto materiale u pritën pozitivisht si nga mësuesit ashtu edhe nga nxënësit, pasi ofruan një qasje më funksionale, më fleksibilitet dhe më afër realitetit dygjuhësor të nxënësve në diasporë. Parimi kryesor pedagogjik mbi të cilin u mbështetëm ishte ndërlidhja e gjuhës amtare me përvojën jetësore të fëmijës, përdorimi i metodave moderne të mësimdhënies dhe trajtimi i shqipes si një mjet komunikimi gjuhësor e identitar, e jo thjesht si një lëndë shkollore. Për më shumë informacion, mund të konsultohet edhe platforma: https://myheritagelanguage.com/sq/

GM: Si mendoni se mund të përdoren teknologjitë moderne për të mbështetur mësimin e shqipes dhe lidhjen me kulturën shqiptare te fëmijët në diasporë?

NM: Teknologjitë moderne ofrojnë mundësi të mëdha për ta bërë mësimin e shqipes më tërheqës dhe më funksional për fëmijët në diasporë. Platformat digjitale, materialet multimediale, librat elektronikë, aplikacionet gjuhësore dhe mësimi online mund të ndihmojnë jo vetëm në përvetësimin e gjuhës, por edhe në forcimin e lidhjes me kulturën, historinë dhe traditat shqiptare.

E rëndësishme është që këto mjete të përdoren me qasje pedagogjike të menduar mirë, duke i përshtatur për moshën, realitetin dygjuhësor dhe përvojën jetësore të fëmijëve. Kur teknologjia bashkohet me përmbajtje cilësore dhe identitare, ajo shndërrohet në një urë të fuqishme mes brezave dhe atdheut.

GM: Në punën tuaj kërkimore dhe pedagogjike i keni kushtuar vëmendje të veçantë dygjuhësisë dhe kontaktit të shqipes me frëngjishten te fëmijët e mërgatës; cilat janë format më të shpeshta të interferencës gjuhësore dhe ndërrimit të kodit (code-switching) që keni vërejtur dhe si ndikojnë ato në ruajtjen e shqipes, dhe duke pasur parasysh artikullin tuaj në frëngjisht “Grandir et vivre entre l’albanais et le français”, cilat janë sipas jush sfidat më të mëdha që fëmijët dygjuhësh përballin në ndërtimin e identitetit të tyre gjuhësor, kulturor dhe kombëtar?

NM: Në përvojën time kërkimore dhe sociolinguistike kam vërejtur se format më të shpeshta të kontaktit ndërmjet shqipes dhe frëngjishtes te fëmijët e mërgatës shfaqen kryesisht përmes interferencës leksikore dhe sintaksore, si dhe përmes ndërrimit të kodit (code-switching). Më i përhapur është kod-suiçingu pragmatik ose paliativ, ku nxënësit përdorin fjalë ose shprehje nga frëngjishtja për të kompensuar mungesën e fjalorit aktiv në gjuhën shqipe, ndërkohë që struktura bazë e fjalisë mbetet shqipe. Kjo formë ndërrimi ndodh zakonisht në mënyrë të pavetëdijshme dhe përfaqëson një strategji funksionale komunikimi në një mjedis dygjuhësor asimetrik.

Një formë tjetër, më pak e shpeshtë por më e sofistikuar, është kod-suiçingu ekspresiv, i cili përdoret kryesisht nga nxënës me kompetenca të mira në të dyja gjuhët. Në këtë rast, përzierja e shqipes me frëngjishten shërben si mjet shprehjeje identitare, si “lojë gjuhësore” ose si formë e ndërtimit të një identiteti dygjuhësh brenda grupit bashkëmoshatar. Megjithëse kjo formë nuk përbën domosdoshmërish rrezik për kompetencën gjuhësore, ajo kërkon ndërhyrje pedagogjike të vetëdijshme për të ruajtur normën dhe funksionalitetin e shqipes standarde.

Sa i përket ndikimit në ruajtjen e shqipes, interferencat gjuhësore nuk janë problem në vetvete, por bëhen të tilla kur gjuha amtare nuk përkrahet në mënyrë sistematike dhe të qëndrueshme. Në këto rrethana, shqipja rrezikon të reduktohet në një kod të pjesshëm komunikimi, ose të shndërrohet në një formë “hibride”, pa stabilitet strukturor dhe normativ.

Siç kam theksuar edhe në artikullin tim në gjuhën frënge «Grandir et vivre entre l’albanais et le français», sfidat më të mëdha me të cilat përballen fëmijët dygjuhësh nuk burojnë nga dygjuhësia si fenomen, por nga mungesa e një mbështetjeje institucionale të hershme dhe të mirë strukturuar të saj. Kur gjuha amtare nuk kultivohet paralelisht me gjuhën e shkollimit, fëmijët rrezikojnë të përjetojnë jo vetëm dobësim të kompetencës gjuhësore në shqip, por edhe forma të fragmentimit identitar, si në planin kulturor ashtu edhe në atë kombëtar. Prandaj, zhvillimi i hershëm, i vazhdueshëm dhe i ndërgjegjshëm i shqipes përbën një parakusht thelbësor për ndërtimin e një dygjuhësie funksionale, të balancuar dhe për një identitet të qëndrueshëm gjuhësor e kulturor.

GM: Ju keni shprehur shqetësime se fetarizmi mund të cenojë identitetin e fëmijëve të emigrantëve shqiptarë në Zvicër. Sot, ata përballen me një presion të dyfishtë: asimilimin nga kultura pritëse dhe mësimin fetar që u imponohet, i cili rrezikon të mbivendoset mbi përkatësinë etnike. Si e shihni këtë situatë dhe pasojat e saj mbi identitetin kombëtar?

NM: Shqetësimi im lidhet me faktin se fëmijët e emigrantëve shqiptarë në Zvicër gjenden sot përballë një presioni të dyfishtë identitar. Nga njëra anë, ata përjetojnë procesin e natyrshëm të integrimit dhe, herë-herë, të asimilimit në kulturën pritëse; nga ana tjetër, në disa raste përballen me një mësim fetar të imponuar, i cili rrezikon të mbivendoset mbi përkatësinë etnike, gjuhësore dhe kulturore.

Problemi nuk qëndron te besimi si përvojë personale shpirtërore, por te instrumentalizimi i fesë në dëm të identitetit kombëtar dhe gjuhësor. Kur fëmija rritet pa një bazë të fortë në gjuhën shqipe, historinë dhe kulturën shqiptare, ekziston rreziku që identiteti i tij të ndërtohet mbi shtresa të huaja, duke e dobësuar ndjenjën e përkatësisë kombëtare. Prandaj, ruajtja e identitetit shqiptar në diasporë kërkon një ekuilibër të kujdesshëm: integrim pa asimilim dhe liri besimi pa zëvendësim të identitetit kulturor e kombëtar.

GM: Cila është filozofia juaj për integrimin në shoqërinë zvicerane pa humbur identitetin, dhe si e shihni rolin e gjuhës shqipe në vazhdimësinë tonë kombëtare?

NM: Filozofia ime për integrimin në shoqërinë zvicerane bazohet në parimin e bashkëjetesës së barabartë: të jesh pjesë aktive e shoqërisë pritëse, duke respektuar ligjet, vlerat dhe kulturën e saj, pa hequr dorë nga identiteti yt gjuhësor e kulturor. Integrimi nuk duhet të nënkuptojë asimilim, por ndërtimin e një identiteti të hapur, të sigurt dhe të vetëdijshëm për rrënjët e veta.

Në këtë proces, gjuha shqipe ka një rol kyç. Ajo është shtylla kryesore e vazhdimësisë sonë kombëtare dhe ura që lidh brezat me historinë, kulturën dhe kujtesën kolektive. Pa gjuhën, identiteti rrezikon të zbehet; me gjuhën, ai pasurohet dhe mbijeton, edhe në mërgim. Prandaj, ruajtja dhe kultivimi i shqipes te fëmijët e diasporës nuk është vetëm çështje arsimore, por përgjegjësi kombëtare dhe morale.

GM: Për mbi tridhjetë vjet keni punuar si mësuese e gjuhës shqipe, shpesh në kushte të vështira dhe mbi baza vullnetare. Çfarë ju ka mbajtur të palëkundur në këtë mision?

NM: Angazhimi im tridhjetëvjeçar në mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë mbështetet në një bindje të konsoliduar profesionale dhe teorike se gjuha amtare përbën një komponent themelor të ndërtimit të identitetit individual dhe kolektiv në kontekste mërgimi. Në situata dygjuhësie, ku fëmijët shqiptarë zhvillohen paralelisht në gjuhën e familjes dhe në gjuhën dominuese të shkollës, ruajtja dhe zhvillimi i shqipes paraqiten si domosdoshmëri arsimore, kulturore dhe sociolinguistike.

Në përputhje me teorinë e ndërvarësisë gjuhësore të Jim Cummins-it, zhvillimi i kompetencës së lartë në gjuhën amtare përbën bazë të rëndësishme për suksesin në gjuhën e dytë. Në këtë kuadër, mësimi plotësues i gjuhës shqipe ka shërbyer si hapësirë ku gjuha e folur në mjedisin familjar është institucionalizuar dhe transformuar në gjuhë të shkruar, duke ndërtuar kompetenca të nxitjes në lexim, shkrim dhe mendim kritik. Ky proces ka qenë thelbësor për shmangien e dygjuhësisë së paekuilibruar dhe për ndërtimin e një dygjuhësie funksionale.

Nga perspektiva e sociolinguistikës së Joshua Fishman-it, mungesa e mbështetjes institucionale të gjuhës amtare në kontekstin e diasporës çon shpesh në marrëdhënie diglosike asimetrike, ku gjuha e shumicës zotëron funksione formale, arsimore dhe publike, ndërsa gjuha e prejardhjes mbetet e kufizuar në sferën private. Mësimi plotësues i gjuhës shqipe ka luajtur një rol kompensues në këtë raport diglosik, duke i zgjeruar funksionet shoqërore dhe arsimore të shqipes dhe duke e integruar atë gradualisht në sistemin shkollor zviceran, krahas gjuhëve dhe kulturave të tjera të prejardhjes.

Në përputhje me qasjen holistike të François Grosjean-it mbi dygjuhësinë, nxënësit shqiptarë në diasporë nuk janë parë si dy folës monolingualë në një trup, por si individë me repertor gjuhësor kompleks dhe dinamik. Në këtë kuptim, mësimdhënia e shqipes është konceptuar si pjesë integrale e këtij repertori shumë gjuhësor, ku të dyja gjuhët bashkëjetojnë dhe plotësojnë njëra-tjetrën në funksion të nevojave komunikuese, njohëse dhe identitare të nxënësit.

Pavarësisht kushteve shpeshherë të vështira dhe faktit që mësimdhënia është realizuar jo rrallë mbi baza vullnetare, motivimi im profesional ka mbetur i pandryshuar, pasi çdo orë mësimore është konceptuar si një ndërhyrje pedagogjike e vetëdijshme, e orientuar drejt balancimit të marrëdhënieve diglosike dhe forcimit të dygjuhësisë së barabartë. Në këtë kuptim, angazhimi im nuk ka qenë vetëm praktikë profesionale, por një mision arsimor dhe sociolinguistik afatgjatë, i orientuar drejt ruajtjes së gjuhës shqipe dhe afirmimit të saj si pjesë përbërëse e kompetencës shumëgjuhësore të brezave të rinj në diasporë.

GM: Ju keni qenë aktive edhe në jetën institucionale të kantonit Jura, në komisione për integrimin, arsimin dhe luftën kundër racizmit. Çfarë mund të na thoni mbi këto angazhime?

NM: Angazhimi im në jetën institucionale të kantonit Jura ishte vazhdim i natyrshëm i përkushtimit tim ndaj komunitetit shqiptar dhe integrimit me dinjitet në shoqërinë zvicerane. Gjatë viteve 1996- 2012 kam qenë përfaqësuese e komunitetit shqiptar në Komisionin kantonal të integrimit për të huajt dhe luftën kundër racizmit ( Commission cantonale d'intégration des étrangers et de lutte contre le racisme) https://www.jura.ch/bi duke mbajtur një përgjegjësi reale për të dhënë zë një komuniteti ende pak të njohur dhe shpesh të keqkuptuar.

Në mungesë të përfaqësive shtetërore të Kosovës në vitet ’90, këto komisione ishin hapësira ku paraqisnim kërkesat dhe nevojat tona institucionale.

Pamje para fillimit të Kuvendit, djathtas me syza Z. Nuhi Gashi, përfaqësues nga MASHT të R. Kosovës, pranë mësuesja e bashkisë Derndingen, kantoni Solothurn, Z. Arbresha Ibraimi dhe pranë Artan Ibraimi, mysafir, 2013-06-09.

GM: Si mund të bashkëpunojnë institucionet shqiptare, shkollat dhe organizatat e diasporës për të mbështetur ruajtjen e identitetit kombëtar dhe për të nxitur edukimin në gjuhën shqipe?

NM: Mendoj se bashkëpunimi mes institucioneve shqiptare, shkollave dhe organizatave të diasporës është thelbësor për ruajtjen e identitetit kombëtar dhe për edukimin në gjuhën shqipe të brezave të lindur jashtë atdheut. Para së gjithash, shteti i Kosovës – por edhe institucionet arsimore e kulturore shqiptare në përgjithësi – e kanë detyrim moral dhe kombëtar të interesohen për bijtë e vet jashtë atdheut. Ruajtja e gjuhës shqipe në diasporë nuk është çështje individuale e mësuesve apo e familjeve, por përgjegjësi institucionale dhe kombëtare.

Ky bashkëpunim duhet të konkretizohet përmes politikave të qëndrueshme arsimore për diasporën: sigurimit të teksteve cilësore, trajnimit të mësuesve të mësimit plotësues, mbështetjes financiare dhe krijimit të mekanizmave të vazhdueshëm komunikimi mes institucioneve të Kosovës dhe shkollave shqipe në mërgim. Shkollat në diasporë nuk duhet të ndihen të vetmuara apo të përkohshme, por pjesë integrale e sistemit arsimor kombëtar.

Nga ana tjetër, organizatat e diasporës kanë një rol të pazëvendësueshëm si ura lidhëse mes institucioneve dhe komunitetit. Ato e njohin më së miri realitetin në terren, sfidat e integrimit dhe nevojat e fëmijëve që rriten në një mjedis dygjuhësor e shumëkulturor. Bashkëpunimi i ngushtë mes tyre dhe institucioneve shtetërore do të siguronte jo vetëm koordinim më të mirë, por edhe veprime më efektive dhe të qëndrueshme.

Së dyti, gjuha shqipe duhet mbrojtur kolektivisht. Ajo nuk i përket vetëm një brezi apo një territori, por gjithë kombit. Familja, shkolla, shteti dhe diaspora duhet të veprojnë së bashku që shqipja të mos reduktohet në një gjuhë emocionale të shtëpisë, por të mbetet gjuhë e dijes, e kulturës dhe e identitetit. Vetëm përmes këtij bashkëpunimi të ndërgjegjshëm dhe afatgjatë mund të sigurojmë që brezat e ardhshëm në diasporë ta flasin, ta shkruajnë dhe ta ndjejnë shqipen si pjesë të pandashme të qenies së tyre.

GM: Çfarë ndjeni sot kur mendoni se diku, larg atdheut, një fëmijë flet dhe shkruan shqip falë punës dhe përkushtimit tuaj?

NM: Kur mendoj se diku, larg atdheut, një fëmijë flet dhe shkruan shqip falë punës dhe përkushtimit tim, ndiej një emocion të thellë dhe një qetësi shpirtërore të veçantë. Është një ndjenjë që vështirë se përshkruhet me fjalë, sepse përmbledh krenari, mirënjohje dhe një ndjesi përmbushjeje të brendshme kombëtare. Në ato momente e kuptoj se çdo lodhje, çdo sakrificë dhe çdo orë e dhënë vullnetarisht ka pasur kuptim.

Më duket sikur përmes atij fëmije vazhdon të jetojë gjuha, kujtesa dhe historia jonë kolektive. Të dish se shqipja shqiptohet dhe shkruhet saktë edhe larg vendlindjes është dëshmi se identiteti nuk humbet, por ruhet dhe përcillet me dashuri e përkushtim. Çdo fjalë shqip e mësuar është për mua një fitore e vogël kundër harresës dhe tretjes.

Ndjej edhe një përgjegjësi e lehtë morale, sepse e di se këta fëmijë do ta mbartin gjuhën dhe kulturën tonë në rrethana të reja, duke e pasuruar atë me përvoja të ndryshme. Kur i mendoj sot, si të rritur që flasin shqip me prindërit e tyre apo ua mësojnë fëmijëve të vet, ndiej se puna ime ka kapërcyer kohën e klasës dhe është shndërruar në trashëgimi.

Në fund, kjo ndjenjë është shpërblimi më i madh për një mësuese: të dish se ke ndihmuar që gjuha e kombit tënd të mos humbas, por të vazhdojë të jetojë në zemrat dhe fjalët e brezave që vijnë, kudo që ata ndodhen.

GM: Cilat kanë qenë momentet më të bukura ose më prekëse që keni përjetuar si mësuese e gjuhës shqipe, apo në jetën tuaj të përditshme në përgjithësi?

NM: Momente shumë të bukura ishin ato kur shihja përparimin e nxënësve dhe të tim biri: kur shkruanin fjalitë e para, lexonin me zë, recitonin poezi apo këndonin këngë shqipe me krenari. Ato çaste më bindnin se puna ime po jepte fryt dhe se gjuha po gjente strehë në zemrat e tyre.

Por pati edhe momente të dhimbshme, sidomos kur jo të gjithë fëmijët shqiptarë vinin të mësonin gjuhën e nënës dhe kur dëgjoja pyetje si: “Pse të mësoj shqip?”. Këto përvoja më lënduan, por nuk më thyen; përkundrazi, më forcuan bindjen se ruajtja e gjuhës kërkon durim, përkushtim dhe punë të vazhdueshme me prindërit dhe komunitetin. Në këtë ndërthurje gëzimi e dhimbjeje është formuar rrugëtimi im si mësuese e shqipes larg atdheut.

GM: Rrugëtimi juaj është shënjuar nga sprova të mëdha. Kur ktheheni pas në kohë, cilat janë momentet më të vështira të jetës suaj që mbeten në kujtesë?

NM: Rrugëtimi im jetësor është i pandashëm nga historia e Kosovës dhe nga vuajtjet e popullit tonë. Që nga koha kur Kosova mbeti nën ish-shtetin jugosllav, shqiptarët jetuan nën shtypje dhe mohime të vazhdueshme, ndërsa autonomia ishte e brishtë dhe e përkohshme. Një kthesë veçanërisht e dhimbshme erdhi me suprimimin e autonomisë nga regjimi i Millosheviqit, i cili solli dhunë të hapur, diskriminim sistematik, mbylljen e institucioneve dhe përjashtimin e shqiptarëve nga shkollat dhe puna.

Këto rrethana u reflektuan rëndë edhe në jetën e familjes sime, mes frikës, pasigurisë dhe padrejtësive të përditshme. Kulmi i tragjedisë ishte lufta në Kosovë, me humbjen e mijëra njerëzve të pafajshëm – një plagë që ende rëndon në ndërgjegjen tonë kolektive. Përballë kësaj dhune, u detyruam të marrim rrugën e mërgimit, jo nga dëshira, por nga nevoja për mbijetesë.

GM: Cilat personalitete shqiptare ju kanë frymëzuar më shumë në jetën tuaj dhe pse mendoni se veprat e tyre janë të rëndësishme për gjeneratat e reja?

NM: Në formimin tim intelektual dhe shpirtëror më kanë frymëzuar personalitete shqiptare që, përmes veprës dhe qëndrimit të tyre, kanë ndikuar në ndërtimin e ndërgjegjes kombëtare. Në veçanti, krijimtaria e Ismail Kadare më ka ndihmuar të kuptoj historinë dhe shpirtin shqiptar përmes një letërsie me përmasa universale, ndërsa mendimi kritik i Rexhep Qosja më ka frymëzuar për angazhim intelektual të përgjegjshëm ndaj së vërtetës historike.

Po ashtu, poetë dhe shkrimtarë si Esad Mekuli, Hivzi Sylejmani, Anton Pashku dhe Din Mehmeti e më vonë Visar Zhiti, Pjetër Arbnori, Ndue Gaspri e tjerë kanë ndikuar në formimin e ndjeshmërisë sime letrare.

Vepra e këtyre personaliteteve mbetet e rëndësishme për gjeneratat e reja, sepse ofron jo vetëm letërsi dhe dije, por edhe modele mendimi, dinjiteti dhe përgjegjësie kulturore, duke i mësuar të rinjtë se gjuha dhe kultura janë themele të identitetit dhe mjete thelbësore të vetëkuptimit.

GM: Sa shpesh e vizitoni Kosovën dhe si e përjetoni sot rrugëtimin e saj në liri? Si e shihni progresin politik dhe shoqëror të vendit, duke pasur parasysh sakrificat që brezi juaj bëri për këtë ditë?

NM: Kosovën e vizitoj sa herë që kam mundësi, zakonisht dy deri në tri herë në vit, sepse lidhja ime me të nuk është vetëm emocionale, por thellësisht jetësore. Çdo kthim është një përjetim i dyfishtë: gëzim për lirinë e fituar me sakrifica të mëdha dhe mall i pashuar për ata që nuk arritën ta përjetojnë këtë ditë. Rrugëtimi i Kosovës drejt lirisë është një arritje historike, e paguar shtrenjtë nga brezi ynë dhe nga i gjithë populli.

Progresi politik dhe shoqëror është i dukshëm, veçanërisht në ndërtimin e institucioneve dhe në afirmimin ndërkombëtar të shtetit. Megjithatë, mbeten ende sfida serioze në forcimin e drejtësisë, etikës publike dhe barazisë shoqërore. Duke pasur parasysh sakrificat e jashtëzakonshme që u bënë për lirinë, besoj se ajo duhet të shoqërohet me përgjegjësi të lartë qytetare dhe me një vizion afatgjatë për të ardhmen.

Një shqetësim i veçantë lidhet me respektimin e Kushtetutës së Kosovës si shtet laik. Pas luftës, vendi u përball me ndikime kulturore të huaja, kryesisht nga hapësira turke dhe arabe, të cilat nuk përputhen me traditën dhe identitetin tonë kombëtar. Ndërtimi masiv i objekteve të kultit në tokat bujqësore dhe përhapja e veshjeve që nuk i takojnë kulturës shqiptare përbëjnë dukuri që kërkojnë reflektim serioz shoqëror. Kosova duhet të ecë përpara duke ruajtur identitetin e saj kulturor dhe vlerat për të cilat u sakrifikua kaq shumë.

Po ashtu, verë pas vere, vizitojmë Shqipërinë, pushimet i kalojmë në bregdetin shqiptar, aty ku deti dhe gjuha flasin njësoj.

LAPSH me rastin e ditëlindjes së Vaçe Zelës, 27.12. 2012, Lozanë - Zvicër

GM: Cili është raporti juaj me artin dhe botën e kulturës në përgjithësi, dhe a ka pasur krijues ose vepra të veçanta që ju kanë shërbyer si frymëzim ose ‘strehë’ shpirtërore gjatë rrugëtimit tuaj jetësor?

NM: Raporti im me artin dhe kulturën ka qenë i vazhdueshëm dhe formues, veçanërisht në kontekste historike të karakterizuara nga mungesa e lirisë politike dhe kufizimi i shprehjes kulturore. Në këto rrethana, arti ka funksionuar jo vetëm si formë estetike, por edhe si hapësirë rezistence shpirtërore dhe ruajtjeje identitare. Brenda kësaj përvoje, muzika ka zënë një vend qendror në formimin tim kulturor dhe emocional.

Arti muzikor ka qenë një mjet i fuqishëm komunikimi dhe një formë përkatësie kulturore, duke kapërcyer kufijtë politikë dhe ideologjikë. Në këtë kuadër, krijimtaria dhe interpretimi i Vaçe Zela, Marie Kraja dhe Tefta Tashko kanë pasur një ndikim të veçantë dhe afatgjatë. Në Kosovë, veprat e tyre qarkullonin në mënyrë të kufizuar dhe shpesh në mënyrë joformale, çka u jepte atyre një dimension të shtuar simbolik dhe emocional.

Interpretimi artistik i këtyre figurave nuk përfaqësonte vetëm vlera të larta estetike, por shërbente edhe si bartës i kujtesës kulturore, i dinjitetit kombëtar dhe i një shprese të heshtur kolektive. Në këtë kuptim, muzika u shndërrua për mua në një komponent të qëndrueshëm të formimit shpirtëror dhe kulturor, duke dëshmuar rolin thelbësor që arti luan në mbijetesën identitare dhe etike të individit dhe shoqërisë në kushte represive.

GM: Në jetën tuaj të përditshme dhe në kohën tuaj të lirë, cilat aktivitete ju japin më shumë kënaqësi dhe si duket një ditë tipike për ju – cilat momente e bëjnë ditën tuaj të veçantë?

NM: Në përditshmërinë time, libri zë një vend qendror si mjet formimi intelektual dhe si referencë e vazhdueshme për strukturimin e ritmit tim jetësor. Dita ime nis herët dhe orët e para i kushtoj kryesisht leximit dhe shkrimit, në një hapësirë qetësie që krijon kushte të përshtatshme për reflektim, përqendrim dhe ruajtje të ekuilibrit shpirtëror. Këto veprimtari më ndihmojnë të nis ditën me qartësi mendore dhe me një orientim të vetëdijshëm ndaj angazhimeve të mëvonshme.

Në mënyrë të veçantë, shkrimi mbi arritjet, sukseset dhe modelet frymëzuese brenda komunitetit tonë përbën një burim kënaqësie profesionale dhe morale, pasi krijon një lidhje të drejtpërdrejtë mes përvojës personale dhe realitetit shoqëror. Këto momente të përqendrimit intelektual, të zhvilluara në dialog të vazhdueshëm me librin, janë ndër elementët kryesorë që i japin përditshmërisë sime ndjesinë e përmbushjes dhe qëndrueshmërisë së brendshme.

Po aq të rëndësishme në strukturën e ditës sime janë edhe shëtitjet e rregullta në natyrë me bashkëshortin, të cilat i konsideroj si pjesë integrale të mirëqenies fizike dhe psikologjike, si dhe koha e kaluar me mbesën dhe nipin, që përfaqëson një dimension të veçantë të përmbushjes emocionale dhe vazhdimësisë familjare. Ky ndërthurim i qëllimshëm mes aktivitetit intelektual, jetës familjare dhe kontaktit me natyrën krijon një ekuilibër të qëndrueshëm, duke e bërë përditshmërinë time funksionale, të plotë dhe kuptimplotë.

GM: Cila është këshilla juaj për të rinjtë shqiptarë në diasporë: si ta ruajnë gjuhën, kulturën dhe lidhjen me rrënjët, duke qenë njëkohësisht pjesë e integruar dhe e suksesshme e shoqërisë zvicerane?

NM: Këshilla ime për të rinjtë shqiptarë në diasporë është të mos e shohin integrimin dhe ruajtjen e identitetit si dy rrugë të kundërta. Të jenë pjesë aktive, të arsimuar dhe të suksesshme të shoqërisë në Zvicër, por pa e humbur lidhjen me gjuhën shqipe, kulturën dhe historinë e tyre. Gjuha amtare është rrënja që i mban të lidhur me veten dhe me brezat para tyre.

Ruajtja e identitetit fillon në familje, forcohet përmes leximit, mësimit të shqipes dhe pjesëmarrjes në jetën kulturore shqiptare. Një i ri që e njeh prejardhjen e vet është më i sigurt në vetvete dhe më i hapur ndaj botës. Vetëm kështu dygjuhësia dhe dy-kulturat shndërrohen në pasuri dhe forcë për sukses personal dhe shoqëror.

Nexhmije Mehmetaj, në mësimin shqip në Delemont

GM: Pas një jete plot sakrifica për lirinë e Kosovës dhe arsimin shqip, çfarë mesazhi do t’u jepnit bashkëkombësve tanë, brenda dhe jashtë atdheut, për rëndësinë e bashkimit rreth rrënjëve tona të përbashkëta?

NM: Mesazhi im për të gjithë bashkëkombësit, brenda dhe jashtë atdheut, është i thjeshtë por thelbësor: ta ruajmë unitetin rreth rrënjëve tona të përbashkëta. Historia jonë ka dëshmuar se vetëm të bashkuar kemi mundur t’i përballojmë padrejtësitë dhe t’i mbijetojmë kohëve të errëta.

Gjuha shqipe, kultura dhe kujtesa jonë kolektive janë shtyllat që na mbajnë si komb, pavarësisht kufijve apo rrethanave. Nëse i ruajmë dhe i përcjellim te brezat e rinj me dashuri e përgjegjësi, ne jo vetëm e nderojmë sakrificën e atyre që ranë për liri, por ndërtojmë një të ardhme më të fortë, më të denjë dhe më të bashkuar për kombin shqiptar.

Falënderim

Një falënderim i sinqertë shkon për ju, Gëzim Marku, për përkushtimin dhe seriozitetin me të cilin i qaseni fjalës së shkruar dhe historisë sonë kombëtare. Përmes portalit Zemra Shqiptare, keni ndërtuar një hapësirë të çmuar ku gjuha, kujtesa historike dhe kultura shqiptare marrin zërin e tyre të merituar.

Kontributi juaj shkon përtej gazetarisë së zakonshme, duke shërbyer si akt përgjegjësie morale dhe përkushtimi ndaj identitetit kombëtar. Për këtë mision të vyer, mirënjohja ime është e thellë dhe e sinqertë.

Nexhmije Mehmetaj

Gjenevë, 04.02. 2026



(Vota: 11 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me profesorin dhe studiuesin Avzi Mustafa (II) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me profesorin dhe studiuesin Avzi Mustafa (I) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me këngëtarin e mirënjohur Salim Arifi Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtarin, piktorin dhe publicistin Fritz Radovani Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtarin dhe ish-të përndjekurin politik Eduard M. Dilo Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtarin Kristaq Turtulli – Ambasador i Kombit Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me profesorin, studiuesin dhe publicistin Xhemaledin Salihu (V) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me profesorin, studiuesin dhe publicistin Xhemaledin Salihu (IV) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me profesorin, studiuesin dhe publicistin Xhemaledin Salihu (III) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me profesorin, studiuesin dhe publicistin Xhemaledin Salihu (II) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me profesorin, studiuesin dhe publicistin Xhemaledin Salihu (I) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me piktorin e mirënjohur Gazmend Freitag Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me këngëtaren e mirënjohur Viola Shqau Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtarin dhe publicistin Hazir Mehmeti (III) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtarin dhe publicistin Hazir Mehmeti (II) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtarin dhe publicistin Hazir Mehmeti (I) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtarin dhe publicistin Bedri Tahiri (V) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtarin dhe publicistin Bedri Tahiri (IV) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtarin dhe publicistin Bedri Tahiri (III) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtarin dhe publicistin Bedri Tahiri (II)

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx