Speciale » Namani
Qazim Namani: Programi rajonal për Trashëgiminë kulturore dhe natyrore në Evropën Juglindore
E merkure, 07.01.2026, 08:09 PM
Programi rajonal për Trashëgiminë kulturore dhe natyrore në Evropën Juglindore 2003-2005
Nga
Dr. Qazim Namani
Programi rajonal për Trashëgiminë kulturore dhe natyrore
në Evropën Juglindore 2003-2005, që
duhet të hartoheshin dokumente të rëndësishme për monumentet e
trashëgimisë kulturore e historike në Kosovë.
Në listën e
ekspertëve për hartimin e PTA-ve, ishin angazhuar ekspertët më të njohur në
fushën e trashëgimisë, por, siç u pa më
vonë, ata më shumë ishin të interesuar për mëditje sesa për fatin e Kosovës dhe
monumentet e kulturës.
Gjatë fazës së
përpilimit të këtyre dokumenteve po japim disa nga dokumentet e përgatitura për
disa objekte:
1. Hamami i Madh Prishtinë
Në takimin e
mbajtur më 8 dhe 9 dhjetor 2008, ku u shqyrtua dokumentacioni për qytetin antik
të Ulpianës, Hamamin e qytetit të Prishtinës dhe Atelienë e skulptorit Agim
Qavdarbasha, nga pjesëmarrësit u bënë vërejtje për dokumentacionin e përgatitur
lidhur me Hamamin e qytetit të Prishtinës.
Dokumentacioni
është përgatitur nga Gjejlane Hoxha, arkitekte, atëherë udhëheqëse e Divizionit
për Trashëgimi Kulturore në MKRS, dhe Valbona Saliuka, arkitekte në Instituti
për Mbrojtjen e Monumenteve dhe Muzeu Rajonal i Prishtinës.
Dokumenti mban
titullim Hamami i Madh Turk (Prishtinë)! Përveç titullimit ka shumë
lëshime tjera në përshkrimin e tij, si: në vend se të shkruhet ish rruga e
Danubit shkruhet “Dunavska”, kur bëhet fjalë për objektin, thuhet se pjesa më e
madhe e ndërtesës nuk përdoret, hapësirat tjera janë të okupuara nga dyqanet
ilegale dhe nga Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës. (shiko dokumentin!).
Hartimi
dokumenteve të tilla për Këshillin e Evropës nga stafi profesional teknik pa u
konsultuar me stafin profesional shkencor është me pasoja për të ardhmen, andaj
është detyrë me prioritet që në institucionet për mbrojtjen e trashëgimisë
kulturore të punësohen sa më shumë kuadro të profileve të ndryshme shkencore që
kanë të bëjnë me historinë, identitetin, artin dhe kulturën materiale e
shpirtërore të popullit të Kosovës.
Përshkrimi i
këtyre dokumenteve me gabime të mëdha gjuhësore, profesionale, shkencore dhe
përmbajtje logjike, të hartuara kryesisht nga arkitektë që mbanin pozita të
rëndësishme në strukturat organizative dhe udhëheqëse në institucione e
Kosovës, do të kenë pasoja afatgjate për historinë e Kosovës.
Hartimi i
dokumentacionit që kishte filluar që nga viti 2003 ishte dërguar në UNESCO dhe
në Këshillin e Evropës pa u verifikuar nga stafi akademik e shkencor.
Në takimin e
radhës më 2 dhe 3 prill 2009, është shpërndarë materiali i përgatitur nga z.
David Johnson, ekspert i Këshillit të Evropës, për këtë objekt me këtë titull:
Draft Studimi i Fizibilitetit për Banjat e Mëdha Turke Prishtinë - Kosovë.
Pas reagimeve të
ekspertëve vendor lidhur me historikun dhe emërtimin e këtij objekti, ai u
përgjigj se ju vetë e keni përshkruar
historikun e çdo monumenti, andaj të mos humbim kohë për tu ndalur në këtë
çështje.
Gjatë historisë
janë të njohura dëmtimet dhe falsifikimet e dokumenteve për monumente të
kulturës të një popullin ndaj një populli tjetër, por janë raste të rralla kur
një “ekspertë” i trashëgimisë kulturore i shkatërron vlerat e veta kulturore,
dhe kjo kalon në heshtje para institucioneve shkencore, madje edhe përkrahet
nga institucionet shtetërore. Po si mund të shkruhet se Akademia e Shkencave
dhe Arteve të Kosovës, paska okupuar Hamam turk!

- Dokumentet me titullin Hamami i Madh
Turk në Prishtinë, përshkruar në vitin 2005.

- Dokumentet me titullin Hamami i Madh
Turk në Prishtinë, përshkruar ne vitin 2009 nga eksperti ndërkombëtar z. David
Johnson
Më 2 dhe 3 prill
2009, është mbajtur takimi i radhës për të shqyrtuar projekt planet që dalin si
detyrë e programit rajonal për rehabilitimin e integruar për trashëgiminë
kulturore dhe natyrore në Evropën Juglindore 2003-2006.
Vlerësimi
preliminar teknik për Kalanë e Artanës, Xhaminë e Jashar Pashës në Prishtinë
dhe Kishën katolike në Stan Tërg.
Grupet punuese
vërejtën disa lëshime që kanë dalë gjatë hartimit të këtyre projekteve e që
kishin të bënin me përshkrimin e historikut të tyre.
2. Kështjella e Artanës
Dokumentin që ka
të bëjë me Kështjellën e Artanës, është përgatitur nga ekspertë të njëjtë që
fillon me emërtimin Kështjella e Gumnishtës - Novo Bërdë, që po ashtu ky
dokument miratohet nga MKRS më 25 janar 2007.
Dokumenti i
përgatitur me këtë titull nuk qëndron, kur dihet se Gumnishta është një kodrinë
e vogël rreth 3 km në lindje të kështjellës së Artanës me ulje të mëdha të
terrenit. Kështjella e Artanës, në tërë literaturën botërore është i njohur me
emra të ndryshëm, si: në latinisht Novus Mons, Nouaabre, në italisht Noua Monte
apo Monte Nova, saksonët sipas B. Brokierit e quanin Nyeuberghe, te bizantinët
njihet si Nobapurion dhe Nobaprodon, te osmanët Novabri, Yenidag, Novabride dhe
Novayerde, sllavët e quajnë Novobrdo. Vendasit këto male i njihnin si malet e
argjendit, kurse lokalitetin si Artanë. Në dokumente së pari përmendet në vitin
1326, me emrin Nouvo Monte.
Ky dokument
përmban lëshime tjera të shumta për historikun e këtij lokaliteti shumë të
rëndësishëm. Mes tjerash, po veçoj fjalinë ku thuhet se për shkak të rëndësisë
së kësaj kështjelle, nga ekspertët e Institutit të Monumenteve dhe Muzeut regjional të Prishtinës është e
listuar si një monument i kategorisë së parë e mbrojtur me ligj. Nga kjo fjali
kuptojmë shumë rreth çrregullimeve për kompetenca në menaxhimin e trashëgimisë
kulturore në Kosovë për çka përgjegjësinë e mbanë MKRS.
Qyteti i Artanës
ka hyrë në mbrojtje të ligjit me vendimin nr. E.K. 266/48 nga Enti për
Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës në Beograd. Ky lokalitet me rëndësi të veçantë kulturore dhe historike
është marrë në mbrojtje dhe është menaxhuar që nga themelimi i Entit për
Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës në Kosovë që fillon punën në vitin 1954,
andaj, duke qenë i një rëndësie të veçantë edhe sot, do të duhej të menaxhohet
nga Instituti Qendror për Mbrojtjen e Monumenteve të Kosovës. Dokumenti është
hartuar nga Haxhi Mehmetaj, arkeolog dhe prof. Alkiviades Prepis, arkitekt,
ekspert i këshillit të Evropës në Greqi.
Për qytetin thuhet
se është zhvilluar nga saksonët dhe tregtarët nga Dubrovniku, pastaj përmenden
disa nacionalitete tjera.
Duhet ditur se,
kur bëhet fjalë për Artanën, duhet të kemi parasysh se ky vendbanim gjendet ne
pjesën qendrore të malësisë së Galabit i rrethuar me dhjetëra kështjella dhe qytete tjera që kane
lënë gjurmë që nga periudha antike. Përveç kësaj, eksploatimi i xeheve në këto
anë daton shumë më herët se Mesjeta. Si dëshmi sot është zgjyra e metaleve që
gjendet pothuaj në çdo lumë të këtyre fshatrave.
Sa i përket
popullatës, është shumë vështirë të mohohet popullata autoktone, por nga
burimet mesjetare dihet se në këtë qytet dhe rrethinë jetuan dhe vepruan
tregtarë dhe minatorë nga Dubrovniku, Gjeneva dhe vende tjera. Pa dyshim se në
atë kohë këtu kanë jetuar me shumicë shqiptarët autoktonë. Si dëshmi sot
popullata shqiptare në këto treva ruan në vazhdimësi gjurmët e hershme të
qytetërimit për disa qytete dhe kështjella në rrethinën e Artanës. Popullata e
këtyre fshatrave në shumicë ishte e besimit katolik të ritit perëndimor dhe
kështu Artana si komunë katolike mbijetoi deri në shekullin e XVIII. Si dëshmi
është Katedralja e Shën Kollit dhe disa kisha katolike tjera në fshatrat
përreth Artanës. Katedralja e Shën Kollit në këtë dokument na paraqitet si
katedralja e Sta Paraskevi, çka mendoj se nuk është dashur të figurojë me këtë
emër apo për mua është i panjohur, sepse me këtë emër nuk e kam hasur në
literaturë më parë.
3. Kisha katolike e Shën Petrit në
Stanterg
Në këtë dokument
të miratuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit më datën 24 nëntor
2005 dhe që është përgatitur nga Haxhi Mehmetaj dhe Valbona Saliuka të
udhëhequr nga Bujar Demjaha, koordinator i projektit, dhe 7 ekspertë
ndërkombëtarë, shkruan Shën Bazilika Stan Tërg, është ndërtuar në shekullin
XIII dhe është e njohur si kisha latine ose kisha saksone, e cila për herë të
parë përmendet në shekullin XIV. Pa marrë parasysh vlerat historike dhe
artistike të saj, kisha po ashtu ka një pozitë gjeografike të favorshme dhe një
mjedis të bukur me pamje piktoreske të pyjeve. Është paraparë që të përfshihet
si një Eco-Muze në një kompleks më të gjerë, ku do të hynin Miniera e Trepçës,
Lokaliteti arkeologjik “Trepça e vjetër”,
Manastiri i Sokolicës dhe Kulla-Muze e Isa Boletinit në Boletin. Mes tjerash,
si faktor për shtimin e vlerës së kësaj kishe, përshkruhet përmbajtja e
përkohshme dhe historike ku ishin takuar të dy religjionet krishtere ortodoksët
lindor dhe perëndimorët katolik, ilustrohet nga manastiri ortodoks mesjetar aty
afër Sokolicës në Boletin. Në fund shkruan se PTA për këtë projekt është bërë
nga Bektesh Vidishiqi, IMM-Mitrovicë, Haxhi Mehmetaj, IMM-Prishtinë dhe Andreas
Heymoski, CoE ekspert, nënshkrimi dhe data me 25.9.2005.

Fig.
75 dhe 76- Përshkrimi i kishës së Shën Pjetërit në Stantërg
Bazuar nga të
dhënat që përmban ky dokument i cekur më
lart, vërehet se anashkalimi i profesionistëve dhe ekspertëve vendorë që
punojnë në Institute dhe në Katedrën e Historisë, ka çuar deri te hartimi i
shumë dokumenteve me të dhëna të falsifikuara historike që shkojnë në dëm të
historisë së popullatës shqiptare të Kosovës, duke përdorur të dhëna dhe
shkrime propaganduese serbe për të hartuar dokumente dhe publikime, të cilat
palosën në arkiva dhe Institucione ndërkombëtare që merren me trashëgimi
kulturore.
Po citoj lëshimet
në këtë dokument: Nuk shkruhet Shën Bazilika në Stan Tërg por shkruhet Bazilika
e Shën Pjetrit në Stanterg, nuk mund të thuhet se është ndërtuar në shekullin e
XIII dhe është e njohur si kishë latine ose saksone sepse të dhënat e para të
njohura deri më tani për këtë lokalitet i kemi në vitin 1303, pra në shekullin
XIV, kurse saksonët si minatorë për herë të parë në burimet e shkruara i hasim
në Bërskovë në dekadën e fundit të shekullit XIII, në Trepçë diku kah mesi i shekullit XIV. Kjo
na shtyn të mendojmë se kemi të bëjmë me një kishë katolike shumë më të hershme
sepse në vitin 1303, përmenden dy kisha katolike të vjetra në këtë lokalitet.
Përveç kësaj, nuk mund të bëhet kurrfarë paralele në mes se kësaj Bazilike dhe
Manastirit të sotëm të Sokolicës. Për këto arsye se në këtë dokument shkruan
për ekzistimin e kinse të Manastirit ortodoks mesjetar të Sokolicës, kurse ky
manastir është themeluar si manastir i grave në vitin 1956.
Në vijim po japim
disa të dhëna nga dokumenti për Manastirin e Sokolicës dhe një vështrim të
shkurtër për lëshimet profesionale dhe shkencore lidhur me këtë dokument. Ja
shikoni nivelin e tyre profesional e intelektual, andaj mos u çuditni pse e
kemi në ketë gjendje trashëgimin tonë kulturore e historike!

- Përshkrimi i dokumentit për kishën
katolike dhe monumentet e kulturës në Stantërg
Lidhur me këtë
dëshmojnë edhe literatura dhe burimet në të cilat bëhet fjalë për një kishë të
vogël e të cilën kinse e paska ndërtuar një serb i panjohur ne shekullin e XIV.
Realiteti dhe të dhënat për këtë kishë flasin krejt ndryshe, kur dihet se kjo
kishë ishte një faltore e vogël pa pronar të saj deri në vitin 1954. Në këtë
periudhë konfiskohen pronat e familjes së Boletineve dhe i dhurohen kësaj faltoreje në vitin 1956, kur
edhe shpallet si Manastir Ortodoks i grave, duke ndërhyrë me ndërtime të
objekteve tjera. Kontesti gjyqësor në mes familjes Boletini dhe Manastirit për këto
prona ende nuk është i mbyllur. Të dhënat nga terreni lënë të kuptojmë se kjo
faltore ishte një kishës e vogël e familjes së Buletineve ose një faltore e
vogël për komunitetin hebre që e kishte sjellë familja Boletini në fshatin e
tyre për të ndihmuar në udhëheqjen e biznesit të njohur që kishte familja
Boletini në atë kohë. Si dëshmi mund të merren varrezat e hebrenjve në Zhazhë
dhe vetë emri i një hebreu të serbizuar që e mbante emrin Avram dhe e kishte
shtëpinë ngjitur me këtë faltore dhe shumë pranë Kullës së Boletineve, më
përkatësisht te “Guri i Tupanit”,
vend ky prej nga familja Buletini me tupan i sinjalizonte banorët përreth në
raste festash apo tubimi tjetër.
Nga autorët që e
kanë hartuar këtë dokument, po ashtu shkruhet se në këtë lokacion takohen
religjionet krishtere, ai ortodoks dhe ai katolik. Këto të dhëna janë shumë të
dëmshme për historinë e popullatës autoktone shqiptare, kur tani më kemi të
dhëna të bollshme dhe është dokumentuar me burime të shumta historike prania e
komunitetit shqiptar katolik në qytetet më të skajshme lindore të Dardanisë,
si: në Nish, në Prokuple, në Vrajë, në Leskoc etj., por dhe prania e kishave
dhe e këtij komuniteti shumë të fuqishëm në arealin e Artanës, Trepçës dhe
qyteteve tjera mesjetare që atë kohë i kishin të themeluara edhe komunat
katolike në këto qytete.
Të dhënat
materiale dhe burimet historike për territorin e sotëm të Kosovës dhe më gjerë,
ku jetonte popullata autoktone shqiptare, dëshmojnë bindshëm që popullata
shqiptare që nga ndarja e kishës më përkatësisht nga viti 1054, i kishte përqafuar
të dy konfeksionet, atë ortodokse dhe katolike dhe kishte bashkëjetuar me to
deri në shekullin XIX-XX, kur besimtarët e besimit ortodoksë, nën ndikimin e
propagandës së Patriarkales së Stambollit, kishës serbe, greke dhe ruse, u
asimiluan.









