Udhëpërshkrim » Gorica
Pëllumb Gorica: Magji Krishtlindje në Tiranë
E premte, 26.12.2025, 04:59 PM

MAGJI KRISHTLINDJE NË TIRANË
NGA
PËLLUMB GORICA
Është
bukur të jetosh pothuajse çdo orë e ditë, me ngjyrat e qytetit ku banon. T'i
shijosh ato e, ashtu vërtik, ti hedhësh në fjalë për të ngelur të pavdekshme.
Ftohtë
është, e vërtetë, të ecësh rrugëve, por Tiranën e bëjnë më të ngrohtë e
njerëzore zbukurimet dhe ajo atmosferë e ndritshme Krishtlindje.
Rrugët
ndërthuren si fijet e arit, sheshet e saj shndrrohen në shkëlqime drite,
fytyrat e njerëzve ndriçojnë si yje.
Çdo
cep tregon një histori, aq sa nuk mjaftojnë ditë e netë të tëra për ta zbuluar
të gjithën, të bukurën në terësinë e saj.
Tirana
zhurmon. Ecën rrugëve ku njerëzit derdhen si prrenjtë malorë pas shiut të parë
të vjeshtës.
Mjafton
t’i hedhësh një sy trafikut qoftë në mëngjes, qoftë në drekë, apo pasditeve,
kohë kur njerëzit kanë nevojat më të mëdha të lëvizjes, për të kuptuar se
lejfenizmat e “Go green”, apo korsitë e biçikletave në rrugët e qendrës, janë
thjesht një makiazh në fytyrën e një gruaje që kullon zgjyrë nga koka te
këmbët.
Në
ditët me shi Tiranës i bie një hije e keqe. Trafik i rënduar, sharje shoferësh,
rrugë që fryhen nga rreke ujërash të turbullt, policë të qullur në udhekryqe,
bori që klithin çjerrë, kosha mbeturinash të mbushur plot, ankesa udhëtarësh,
ngushtime drastike rrugësh, por dhe skena të trishta lypësish, që krijojnë një
dekor allamigjenian.
Të
kalojnë si në revistë emrat e rrugëve, me tabela që rrezatojnë kulturë.
Retë
kapriçoze dhe rebeluese, që jo vetëm veprojnë si çadra, ato zbukurojnë qiellin,
ndonjëherë të frikësojnë nga fuqia e tyre e fshehur.
Kafene
moderne dhe lloj-lloj dyqanesh, në krah të njëra- tjetrës, të gjitha të bukura,
aq sa sytë humbasin në zbukurimet vezulluese si fjollat e dëborës, që asnjë
regjisor nuk do dinte ti rikrijonte aq bukur, të ngrohin pamjen.
Rrugën
e mora në këmbë drejt sheshit "Skënderbej". Rreth teje hapet peizazhi
i një bote prej guri, që për çudinë time, rezulton vendi më i shkelur nga unë,
pa ndonjë arsye kohët e fundit, ku Krishtlindja, duket se ka gjetur banesën
ideale. Krishtlindja është diçka e madhe këtu,?
drita kudo, dekorime, muzikë, buzëqeshje dhe ajo energji e ngrohtë dhe e
gëzueshme që thjesht nuk mund ta shmangësh, një përzjerje elegante.
Ndaloj
para sheshit "Skëndërbej". I ftohti i stinës në pllakat e ftohta të
sheshit, me nuanca gri, fantazmatike, si shtresat e një pikture me bojëra uji,
të rënqethin deri në shpirt.
Njerëzit
shëtisin, pa u nxituar, ata që ndalojnë për të vëzhguar, ata që shkëmbejnë dy
fjalë duke e lënë veten të përkëdhelen nga atmosfera, të ndalen para një
kasolle zanash, të shkojnë shpejt, si në këtë foto, duke prerë hapësirën mes
një drite.
Shikoj
lart. Ndërtesa gjeometrike, me arkitekturë moderniste. Hije shumëngjyrëshe,
madhështi kolosale, bukuri e forma të këndshme.
Hoteli
Interkontinental, 15 katëshi, dikur ndërtesa më e lartë e moderne e Tiranës dhe
krejt Shqipërisë ka humbur veten e vet, aq sa duket si femijë gjashtë vjeçar,
të cilin e mban para këmbëve i biri madhështor, i gjatë e i drejtë si filiz me
ngjyrën e arit.
Më
tej një tjetër godinë moderne, plot siluetë. E kanë ngul si pykë, por me linja
që ka, nuk i shkon sheshit. Lartësia e saj të ngjason si këmbë e madhe e ardhur
nga thellësitë e universit dhe më hardallosi mendimet.
Heshte
Muzeu Kombëtar, që në ballë mbante mozaikun e historisë sshqiptare me relike
nga koha e gurit deri në ditët e demokracisë.
Nga
pylli i harlisur i Muzeut, ku ishin fshehur dy statuja, doli një burrë duke
mbërthyer pantallonat. Para më dolën disa gurë të mëdhenj, si të rënë nga
qielli, që më bën të devijoja drejtimin drejt sheshit.
Heshte
edhe Banka Kombëtare Shqiptare, e shtrirë si një plak i fjetur, një frymëzim i
arkiteturës moderne pariziane.
Përballë
Bankës të merret fryma nga dëndësia e njerëzve që shkëmbeheshin, apo qëndronin
në shesh.
Xhamia
e Et'hem Beut me minaren që duket si majë lapsi, rrezaton një bukuri të
përjetshme, të përulur por të shenjtë, si një pëshpëritje nga e kaluara e
largët.
Ku
po shkon më thotë vajza ime. Për te monumenti i Gjergj Kastriotit i thashë duke
bërë me dorë për t'i dhënë drejtim vetes. Për ironi kalorësi i pamposhtur
Gjergj Kastriotit, me shpatën e famëshme në dorë, mbi kalin e tij dukej i
ngrirë...!
Kulla
e Sahatit e zvenitur nën kthetrat e një tjetër qiellgërvishti, një goxha zdap
kulle, sa sahati dukej sikur qendronte i varur i ngulur në një gozhdë. I gjori
sahat thashë me vete, ndërsa Teatri i Operas dhe Baletit ndjehej i cunguara në
solemnitetin e tij.
Eci
nëpër shesh, me një ritëm pak më të ngadaltë, sikur ta di se kjo është koha e
vitit kur ndalesa ka kuptim deri në pikën, ku tingulli i muzikës së
Krishtlindjeve që është ilaçi i shpirtit mbush ajrin, mes dritash dhe një luzme
fytyrash, ku të paktën një herë në vit jeta ndihet pak më komode, e vëmendshme,
e ngadaltë dhe plot rituale të vogla.
I
spërkatur me mijëra drita që butësisht mbështillen, ndriçojnë shtëpitë e
drunjta, secila e mbushur me thesare dhe pamje vërtet unike.
Është
e vështirë të përshkruash me fjalë gjallërinë që frymon këtu, ku çdo cep duket
si kartolinë. Njerëzit vërdallosen në çdo kënd të sheshit si të rrahur në një
lëm shirjeje.
Sheshi
"Skëndërbej", me përmasat kozmike, aq sa njeriu dukej si një kokër
gruri në fushë të futbollit, m’u duk si një copëz e Bashkimit Europian, me
lëvizjet, me aromat, me ngjyrat, në një mori zbukurimesh. Është si të shkelësh
në një botë përrallore, ku çdo cep i sheshit "Skëndërbej" ndriçon me
çudi.
Ndërkohë
që kalon përmes sheshit, një seri aktivitetesh artistike në krijimin e një
atmosfere magjike: një strukturë e madhe plot me ekrane, drita, tinguj, një
koncert muzikor për Krishtlindje, ka edhe shfaqje kërcimi.
Çdo
hap jehon si një fjalë e butë e thënë ngadalë, për të mos trazuar magjinë e
dekorimeve të bukura të Krishtlindjeve: Bredhi i zbukuruar nga mijëra llamba të
ndezura; kurorat e arta, tunelet që formojnë gjerdanët e dritave, pothuajse
sureale, babagjyshët, drerët e fryrë... Ato janë të qëllimshme, kuptimplote dhe
të ngulitura thellë në një botëkuptim që i paraprin gjërave që tani e
përcaktojnë këtë festë.
Shtëpizat
prej druri, një univers i vogël, i shkëlqyeshëm që të befason, krejtësisht të
ndriçuara, pothuajse si në përrallë, sikur i thoshin gjithë botës: Këtu është
Krishtlindja.
Shtëpizat,
të ofrojnë një gamë të gjerë produktesh, unike dhe origjinale, të punuara nga
artizanë vendas, si lodra druri, bizhuteri, qeramikë dhe xham të fryrë, me
dekorime dhe tematikë: por edhe pulovrat apo kapuçat me drerë, bredhat
artificial, qirinj aromatikë, stoli që dukeshin si direkt nga një libër
tregimesh, skulptura druri të gdhendura me kujdes, ndonjë “Betlehem”, thuajse
mallra kineze dhe suvenirë shqiptare por që s’kanë lidhje me festën
Krishtlindje në vetvete, por duken si xhevahire të vegjël, gati për të treguar
histori duarsh të afta, dhe zemrash pasionante...
Ndjen
se ajri te sjell aromën e petullave me sheqer dhe kanellë, të piteve dhe
byrekëve, të gështenjave të pjekurave, të qofteve dhe sallameve në zgara.
Ndërsa
fotografon, Pemën e Krishtlindjeve plot dekorime dhe drita me ngjyra të
ndezura, të vjen në mëndje historia e saj që daton në qytetërimet e lashta si
ato kelte dhe romake, si simbol dhe lidhej me rite të ndryshme magjike. Të
krishterët e hershëm e zgjodhën si një simbol të jetës së përjetshme, duke e
lidhur me figurën e Krishtit.
Orët
rrodhën ndryshe këtu. Dritat reflektojnë në sytë e njerëzve, buzëqeshjet
ndriçojnë si flakë, dhe Krishtlindja bëhet një prani e prekshme, që të kaplon
dhe i flet zemrës.
Tingulli
i bisedave dhe të qeshurat në distancë, përzihet me meloditë, në një pijetore
rock and roll, aq sa çdokush mund të ngrihej dhe të performonte më mirë se
artistët origjinalë.
Por
ajo që të tharton fort, është muzika gjithë kakofoni, ku nga çdo cep shtëpize
druri e vend lojrash, njëri i bie gozhdës e tjetri patkoit dhe vështirë të
besosh se dikush nga njerëzit që pijnë kafe, çaj, verë e birrë apo gëlltisin
qofte e salçiçe, vështirë se mund të bisedojnë lirshëm.
Shumë
mirë mund të vendosej një qendër zëri, me shpërndarje të njëtrajtshme në të
gjithë sheshin, muzikë festash, apo njoftime ofertash.
Sheh
fytyra që mbartin pritshmëri, shpresë, herë të gëzuara, e herë të menduara:
Çiftet e moshuara të turbulluara, me hapat e tyre kërcitës dhe buzëqeshjet e
ngrohta. Të rinjtë bënin figurë të hareshme me ecejaket përshtypjelënëse. Porse
zërat dhe të qeshurat e gëzueshme të tyre, të gjitha kontribuojnë për të
krijuar një atmosferë, intime dhe vërtet poetike.
Familjet,
fëmijët me sytë hapur, të rriturit që gjejnë, hapësirën e një momenti,
vështrimin e fëmijës së tyre, të magjepsur nga personazhet e përrallave, të
krijojnë dhe të luajnë dhe ne, për një çast, u ndjemë përsëri si ata: plot çudi
dhe mahnitje.
Një
buzëqeshje të ndriçon fytyrën, e ngjashme me atë që të jep një grua teksa kalon
pranë saj (ajo po krijon një skenë të lindjes së Krishtit në cep të sheshit).
Pastaj
e gjen veten në mes sheshit të potershëm, në mes mijëra ngjyrash. Gjen vendas,
gjen të huaj, nga ata që duan të largohen dhe nga ata që janë rikthyer, ku gjen
shumë pak Tiranë dhe pak Londër, Milano, Athinë, madje edhe New York.
Një
mik i vjetër shfaqet para teje. E përshëndesim përzemërsisht njëri- tjetrin.
Natyrisht
është e vështirë të gjesh një vend qoftë edhe për një kafe simbolike, si një
mënyrë për të qenë bashkë. Kafenetë herë pas here janë hapësira me një shenjë
të fortë sociale dhe mbi të gjitha njerëzore. Krahas rëndësisë së tyre sociale,
është pa kohë një vend i rëndësishme komunikimi dhe argëtimi.
Marrim
një gotë nektar perendie, në një nga ato shtëpizat- kafene.
Kujtimet
filluan të shtrojnë tavolinën me emocione. Të qeshura nga Krishtlindjet e
kaluara me njerëzit e dashur. Tregime nga Anglia. Herë pas here, ndërsa ngrinin
gotat e shoqëronim me një urim: "Gëzuar Krishtlindjet”, paqja e gëzimi të
na shoqërojë sot dhe gjithmonë!.
Për
fat të mirë, festat, në të gjitha trajtat e tyre të mundëshme, për ne
shqiptarët, shërbejnë, thjesht, një mundësi, për t’u bashkuar, për të dhënë dhe
marrë lumturi, në mes njerëzve të dashur.
Magji
është gjithmonë ky shesh në Krishtlindje dhe mund të thuhet se është e plotë
për gëzimin që na ka dhënë, edhe nga shtrëngatat zemërake të fishekzjarrëve me
jehona shpërthyese që herë pas here e përhapeshin me zhurmë në qiellin e
errësuar. Përflakesh nga shkëlqimi i tyre shumëngjyrësh si kokoshka. Qielli, i
veshur me një mantel qumështor, rrit dritën e ngrohtë të artë të zbukurimeve.
Shumë festë për sytë, shumë shkëlqim rrezesh, shumë ngjyra të gjalla. Secila
shkrepje zgjat pak më shumë, e shndërruar në koreografi të vërtetë qiellore të
tyre.
Dritat
shumëngjyrëshe ndriçojnë atmosferën dhe e bëjnë sheshin edhe më simpatik, dhe
një arsye më shumë për ta konsideruar kartolinë krishtlindje, apo sikur po
jeton një ëndërr të bukur që nuk duam të zgjohemi.
Largohemi
duke ecur ngadalë. Për të marrë frymë dhe për të lënë zhurmat pas, të
mrekulluar nga dritat e arta të Krishtlindjes, me mirësi, shpresë, aftësi për
të parë të bukurën edhe në ditët më të ftohta.
Zoti
Krisht e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët"! ...
*Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Ndalohet kopjimi
apo riprodhimi i pjesshëm apo i plotë me çdo lloj mjeti apo forme, pa lejën me
shkrim të autorit.

























