Udhëpërshkrim » Gorica
Pëllumb Gorica: Razma pëshpërit heshtje dhe flakëron ngjyra
E marte, 11.11.2025, 07:05 PM

RAZMA PËSHPËRIT HESHTJE
DHE FLAKËRON NGJYRA
NGA
PËLLUMB GORICA
Udhëtimet
në trojet e largëta, në të gjitha stinët dhe nën të gjitha qiejt: në të ftohtin
që të vret, me përqafimin e zjarrtë të diellit, nën shiun që lag gurin,
mbështjellë me mjegullën misterioze, që turbullon horizontin, në fishkëllimën e
erës, i përkëdhelur nga ngjyrat pastel të vjeshtës, në dëborën që vesh gjithçka
me batanije të bardhë, në pastërtinë e një bluje ose nën një mantel të
myrrëtuara resh, zbulohen nga ata që kanë sy për ta parë dhe shpirt për ta
ndjerë.
Moti
qe i mugët, kur u nisëm. Tirana ende flinte nën një mantel dritash nate që
reflektoheshin në ndërtesat, duke krijuar një kontrast magjik. Në qiellin gri,
vërtiteshin shtëllunga të mëdha resh, që kishin marrë forma të ndryshme si
qënie prehistorike.
Dritat
e makinës përhapen në errësirën e natës, duke ecur në rrugët që do të na çojë
larg në Veri, që gjithmonë ka tërhequr turizmin si fije drite që lidhnin
qytetet, fshatrat, vendet dhe peizazhet.
Asgjë
nuk vjen pa ngadalësi: duhet të ecësh për një kohë të gjatë. Shikimi dhe
mendimi arrin përtej, për të zbuluar ndjesitë e reja.
Në
Shkodër qielli ishte myrrëtuar nga retë, një shtroje e padepërtueshme e
kryeneçe, sikur jetoje një skenë filmash horror. Murosen sytë mbi kështjellën e
Rozafës me atë lloj magjepsje si ajo e legjendës, kur u ngujua nëna më e re me
fëmijë të sapolindur. Nga bedenat e kështjellës peizazhi është vërtet magjik.
Vështron lart malin e Taraboshit dhe tutje sa të ha syri kreshtat e Alpeve
shqiptare që gërvishin qiellin. Vështron liqenin e Shkodrës poshtë këmbëve të
saj lumin Drin, që gjarpëron i rrëmbyer, por gjithmonë ka bukuri kur bashkohet
me Bunën që dukej si bukuroshja e fjetur.
Rrugët
e Shkodrës mezi frymëmerrnin, në dy anët nga vitrinat e dyqaneve me lloj- lloj
sendesh, paqësisht pranë njëri-tjetrit, me kakofoninë e reklamave.
Shkodra
është edhe më shumë se kaq. Ka energji të thjeshtë dhe të bazuar dhe mund të
ndjesh thellë trashëgiminë e tyre. Të kumbon në vesh, e folura plot purizëm dhe
me theks të lehtë e gegënishtes sa e bukur, aq edhe e lashtë. Ajo gegnishte që
i jep fjalëve të tyre një nuancë sikur këndon, teksa flasin konçizë dhe “të
shkoqur” në ligjërimin e tyre, kanë kuptim me ton të zërit. Vetëm ajo mund të
shpikte një gjuhë të tillë poetike, emocionale. Jo dialekt, por muzikë për
veshët.
Vetëm
në Shkodër mund të të ngjajë që të hysh në një kafene, në rrugë, apo një dyqan,
e të dalësh i pasuruar me fjalë nga vargu i Eposit shqiptar:
“Ne
s'jem kanë e Zoti - Vetë na ka dhanë” Vazhdojmë t’i kemi, prej Zoti, shëmbëllimesh
sot prej moti...
Ndërsa
largohemi nga Shkodra dhe zhytemi në horizontet e mëtejshme, humbasim sytë në
dimensionin marramendëse të maleve, si kështjella fantazme, herë të mbuluar me
pyje, herë të zhveshura.
Rruga
na çon larg, drejt Razmës në Malësinë e Madhe. Kemi dëgjuar kaq shumë për këtë
vend dhe kemi dashur ta shohim prej kohësh, kështu që emocioni i diçkaje të re
na pret.
Koha
dhe kilometrat duket sikur fluturojnë, midis një bisede dhe tjetrës për
pasionet në jetë, marrëdhëniet e miqësisë, fytyrat, të kaluarën, faktet lokale
dhe historitë e tyre, aqsa e tejkalojmë njëri-tjetrin, me informacione rreth
karakterit malor që ka formësuar fenomene gjeologjike mbresëlënëse dhe peizazhe
të larmishme me një emërues të përbashkët, bukurinë e tyre.
Fillimisht
ecëm fushes së Shtoit, qetë. Asgjë spektakolare në atë kohë, por thjesht ajo që
ju duhet për t'u qetësuar mendërisht.
Nuk
eksploruam histori të kohërave të kaluara, por ecëm, në një udhëtim që të mbush
sytë me peizazhet urbane, të qetësisë, në heshtje. Dhe pastaj, si shpesh, një
peizazh i shtruar aty pa bërë zë shumë shpejt e gjen veten në një peizazh të
egër, pa shumë njerëz, në fshatrat që thërrasin për një vëmendje në shtëpitë me
një larushi vendosjesh në lartësi dhe dekoracione mes kopshteve të rrethuara me
mure guri te thatë; me arka kurioze shpirtrash, kisha dhe simbole fetare të
kryqta që dëshmojnë besimin e tyre katolik. Imazhet e braktisjes krijojnë një
ndjesi melankolie dhe ndonjëherë drithëruese, që është intensive edhe përmes
fotove. Dyert gjysmë të hapura të shtëpive duken sikur njerëzit dolën me nxitim
dhe lanë gjithçka pas.
Me
ngjitjet, panoramat u bënë më të gjera pas një shtrirjeje fillestare të lehtë,
duke marrë morfologjinë e rrugës që thekson formën dredha-dredha të saj, e
ngushtë, e pjerrët, që rrotullohet si shirit drite, duke ofruar pamje të
pafundme rreth çdo kthese.
Dhe
pastaj, dalëngadalë, me kënaqësia e ecjes, bisedës, qeshjes dhe shijimit të
peizazheve të thjeshta por simpatike, u shfaqën shtëpitë e para të Vrithit, të
ngurta, tipike.
Rreze
të turpshme të diellit kalonin nëpër re si një magji e lashtë, ndërsa luginat
ishin mbështjellë me një mantel të lehtë mjegulle që shtonte mister dhe një
qetësi surreale. Ecëm me shpresën se qielli do të hapet, të shijojmë pamjet që
humbasin në një gri anonime.
Natyra ka skalitur një
cep të vogël mrekullie
Razma
e zhytur, si brenda një pikture, me ngjyrat e gjalla të vjeshtës, e kornizuar
nga freskia, paqja dhe gjelbërimi i harlisur, falë ndërgjegjësimit ekologjik,
zbulon veten nën rrobat e saj më të bukura, për të befasuar. E ndërtuar në një
lartësi prej 900 metrash, ndihet paqësore dhe pak surreale, por ajo që ia
shtojnë bukurinë, janë malet madhështore që e rrethojnë.
Razma
shtrihet në këmbët e malit të Veleçikut, i ngjashëm si një piramidë guri.
Është
një mal i ashpër, i zhveshur, shkëmbor si një gjigant i fjetur, kreshtat e të
cilit tërheqin një profil me bukuri të rrallë kundrejt një qielli dramatik, i
mbështjellë me një mantel mjegulle të lehtë.
Në
majën e gjigantit Veleçik qëndron një kuriozitet i mahnitshëm gjeologjik: një
krater vullkanik, dikur i aktivizuar. Në fakt, kurioziteti për të zbuluar se si
do të jetë maja e tij e lëkund dëshirën, për zbulim që është e fortë.
Shkëmbinjtë
gëlqeror, që datojnë miliona vjet më parë nga veprimi i ujit kanë formuar
thyerje tektonike, që të magjepsin, aq shumë saqë pothuajse ke emocione të
veçanta kur shkel shenjtërinë e tyre, dhe gjëja e parë që mendon është të hysh
për ti eksploruar. Aty fshihet një botë tjetër, që nis e shpërfaq gjithë
magjinë e saj, perla e xhevahire që të lënë pa mend për larminë, shkëlqimin dhe
veçantinë e tyre.
Duke
kaluar afër Veleçikut i zhytur në atmosferën paqësore shohim se natyra ka
mbajtur disa sekrete vetëm për ata që gjejnë kohën për t'i kërkuar ato, shpella
që fshehin sekretet e një bote që nuk ekziston më, dhe gjeja e parë që mendon
është jeta e banorëve që i përdorën. Vendasit të flasin për shpellën e Erës, me
guva të vogla, e cila ka marrë emrin ngaqë dëgjon fërshëllimin e erës në
zgavrat e saj; Shpella e Ujit, që është shumë e frikshme për të zbritur në
gjashtë shkallë të drujnta. Shpella e Lugjeve, e gjatë dhe vende- vende e
ngushtë, aqsa mezi kalojnë dy vetë ngjitur, ajo ka zbritje të vështirë si dhe
rjedhje uji.
Në
kohën kur stinët thurnin ritmin e jetës dhe heshtja e maleve ruante sekretet e
njerëzve, Razma filloi të popullohej në shekullin e 19-të, pasi u zbulua (dhe u
vlerësua për botën bimore të saj) nga disa natyralistë dhe ekologjistë
europianë. Ishte që herët, për të pasurit dhe sot për të gjithë, një vend me
vlera kuruese Malore. Azmatikët këtu nuk kanë nevojë për pompë, të rrethuar nga
bimë medicinale dhe oksigjeni i pasur.
Aty,
nën pishat që krehin retë, ndërtesa me arkitekturë, herë të thjeshtë e herë me
rregullime të personalizuara, përzihen në mënyrë harmonike me peizazhin, të
përshtatshme për turizmin malor.
Ecim,
bisedojmë, qeshim, dhe shohim për të admiruar atë që natyra ka më të thjeshtë
dhe më të bukur. Dhe pastaj sigurisht kishte ndalesa për foto. Por jo vetëm
dy-tre shkrepje për të thënë "Unë isha aty": jo, secili kishte syrin
e vet, kornizën e vet. Natyrisht fotografojmë shtëpitë si strehë për pushime të
qeta, të rrethuara nga heshtja e drurëve dhe ngjyrave të vjeshtës.
Razma
është një dekorim kartoline, me rrugët e rregulluara, nga kënde dhe hapsira të
pabesueshme, duken sikur kanë dalë nga një përrallë, nga bujtinat, nga kafenetë,
nga restorantet me shije minievropiane, që duken të bëra prej guri me ngjyrë
xhenxhefili, të ofronin një panoramë që të lë pa frymë, të integruara në mënyrë
të përsosur me bukuritë natyrore përreth. Të jep atë ndjenjën e qetësisë,
lirisë apo atë çastin e vogël të paqes që të gjithë e kërkojmëmegjithëse e
mbushur me turistë, pak kaotike ndonjëherë.
Oaz i natyrës së ruajtur
me fanatizëm
Përmes
pyllit, një qiell që dukej po aq i lodhur përshëndeti skajet e Razmës, pishat e
drejta, me trungje si shtylla dhe gjethet që kërcejnë në dritë.
Razma
është një parajsë që të fton të ndalesh, mes hijes dhe dritës, me atë ndjenjën
e rrallë të të qenit pikërisht në vend, të dëgjosh tingujt e natyrës dhe të
ecësh me hapa që duken pa mundim.
E
gjejmë veten të rrethuar nga ngjyra mahnitëse, gjysmë të zbehura, që përhapin
shkëlqimin e tyre.
Pylli
pak nga pak, si një mik i vjetër të merr për dore në hapësirat e pakufishme që
dridhen nga intensiteti i drurëve. Ecja përgjatë tij është emocionuese, zbulon
peizazhe të pasura.
Nga
ato ku nuk do shumë të flasësh, thjesht shiko, merr frymë dhe lëre veten të të
bartë bukuria e vendit. Ndjeheshim si një pjesë e asaj fryme të ngadaltë, të
thellë që vetëm vjeshta mund ta ofroj, thith ajrin e pastër balsamik, sodit
pyllin dhe dëgjo heshtjen.
Flladi
është i lehtë dhe i këndshëm, ashtu si një goditje e lehtë që të përkëdhel
fytyrën, i bën gjethet të lëviznin, pothuajse sikur një zanë po nder fustanin e
saj më të mirë, me ngjyra të ngrohta: të verdha të aheve, të panjave aq intensive
me ngjyrën e kuqe sa duken si flakë, në jeshilen e smeraldtë të pishave.
Shiu
në fillim thjesht dukej e bezdisshme, pastaj, hap pas hapi, u bë pjesë e
rrugëtimit tonë. Zhurma e ujit, aroma e tokës së lagësht, gjethet e fundit që
bien vizatuan një tapet të kuq nën këmbët tona. Pastaj shiu pushoi duke i lënë
vend mjegullës së hollë si qumështi i derdhur me një dritë përrallore, e cila e
bën peizazhin edhe më të heshtur dhe më të thellë. Ka nga ata që emocionohen,
ata që buzëqeshin, ata që bisedojnë të përzemërta, e pastaj ndonjëherë heshtja,
sikur të gjithë gjenin paqen, në një labirint pemësh.
Ecim
si fëmijë me ritëm të ngadaltë dhe shikim kureshtar, në poezinë e pyllit që
ruan një atmosferë mistike, pothuajse të mbinatyrshme. Humbasim veten në
gjithçka, nga detajet e vogla tek entitetet e mëdha. Pak mjegull mes trungjeve,
një dritë e butë që kalonte nëpër degë. Pylli dukej sikur pëshpëriste
thashetheme me një murmërimë aq të hollë, të tregoj misteret. Shijon çaste
dionisiane kënaqësie të pastër të përziera me soditje të vendit, të kalojmë
butësisht nga bota empirike në atë ëndërrimtare. Sikur takojmë mbretin ilir
Gent me fisin e tij të endur në pyllin e dendur, të rreshtuar me pemë të
shenjta.
Nuk
mund ta fsheh që çdo dy hapa ndalesh për të bërë foto, dhe do të doje të bëje
më shumë, për të pikturuar këtë peizazh madhështor me bojëra uji.
Në
çdo cep ka diçka për të parë, për t'u admiruar, për t'u gëzuar, për t'u
habitur, të ofron një mijë fytyra, si të ishin modele për tu shfaqur, në një
shpërthim ngjyrash të thella, në gjethet që rrotullohen në ajër me një stuhi
gjethesh, siç rrotullohet një nuse gjatë kërcimit të valles së dasmës. Ndërsa
syri humbet në këtë magjepsje, shpirti pëshpërit një melodi, ndërsa shkojmë
drejt: para një tapeti gjethesh, me aromë të lagësht, ku kërpudhat si lule,
bëhen çadra të kuqe, topa të vegjël të bardhë. Këpucët fundosen hap pas hapi
nëpër gjeometritë e gjetheve shumëngjyrëshe të vjeshtës, ndërsa koka duhet të
anohet lart për të parë i magjepsur nga kompleksiteti dhe format e degëve të
pemëve. I fotografoj kërpudhat e brishta, gjethet e vjeshtës që bien si plagë
të vogla shumëngjyrëshe, të fshehura në myshk si vepra arti natyrore; një
merimangë, mbi trungun e një ahu...
Pas
mjegullës dhe reve, dielli i ndrojtur që përpiqet të shpërthejë, duke dhënë
përshtypjen e siluetave të caktuara të fshehura në pyll.
Shpejt
mrekullohesh me bukuritë e tjera të Nënës Natyrë, pa mjegull, ne ishim në
gjendje të shijonim plotësisht, të marrim frymë pak më thellë, në gjelbërimin e
pishave që shkëlqejnë, në ajrin që vinte erë rrëshirë dhe lagështi, në dritën
nëpër gjethe si një bekim.
Mali
Veleçik gjallërohet, falë diellit. Shumë blu në të majtë, gri në të djathtë, e
rrok dielli në majë. Ndërsa sytë pushojnë mbi këto pamje, ndjen një valë
qetësie.
Më
tej, ajo që nuk ishte befasi, një tufë miqsh që nuk njiheshin domosdoshmërisht
në mëngjes, mes të qeshurave, shakave dhe lodhjes së butë të ditës, shijojmë
çaste të thjeshta që i bashkojnë aq shumë: në lojëra me top, në livadhin e
gjerë si një tapet, të kthyer në fushë futbolli.
Zhytur
në këtë kaleidoskop emocionesh ndalemi te Razëm Natyral Resort, që na mirëpret
bukur. Gatimi është tradicional, por me një prekje moderne. Duket që kanë
përvojë në administrimin e grupeve turistike.
Orët
ikin pa nxitim. Razma nuk të lë të largohesh, veçse kur ndien që ke për t'u
kthyer përsëri në këtë copëz Parajse. Zbresim gjarpërisht rrugën, në ajrin e
pastër që thithet aty. Qielli na shoqëroi, i qetë, sikur donte të na dhuronte
një kthim perfekt.






























