E merkure, 17.12.2025, 01:05 AM (GMT)

Udhëpërshkrim » Gorica

Pëllumb Gorica: Një artefakt i lidhur thellë me një histori tragjike

E marte, 16.12.2025, 07:00 PM


NJË ARTEFAKT I LIDHUR THELLË ME NJË HISTORI TRAGJIKE

Jam endur horizonteve që humbasin

Në takime që lënë shenjë në zemër

Rrugëve që pëshpërisin mistere

Me histori që bëhen pjesë të pashlyeshme.

NGA PËLLUMB GORICA

Dielli i këtyre ditëve të dimrit, dhuroi një përqafim drite të bukur qosheve të hijeshme natyrore, por edhe vendeve historike.

Të apasionuar pas artit të shekujve të kaluar është se vazhdimisht gjen thesare të fshehura. Ndaj, nisemi në një udhëtim të shkurtër në rrethinat e Tiranës, me miq, me të cilët takohemi rrallë e për mall, që vetë Perëndia i ka bekuar për mirësitë dhe vlerat e shpirtin e tyre. E shprehëm gëzimin që u ripamë përsëri në këtë kohë të pakohë, me të cilët ndajmë ndonjëherë udhëtime, të efektit shpirtëror plot emocion, si terapia më e mirë ndaj trokitjeve drithëruese të ditëve dhe moshës që ikën pakuptuar.

Kështu, duke qeshur, duke shkëmbyer midis nesh mendime, herë të ndara, herë të përbashkëta të historisë edhe për tema që na intrigojnë aq shumë, për faktin që e kemi mësuar disi të cunguara, udhëtojmë në peizazhe që shtrihen në çdo drejtim, të përpunuara dhe të zhveshura nga shpërqëndrimet.

Ecja nëpër rrugët ofron ndjesi evokuese, madje edhe mbresëlënëse, megjithatë, ka shumë më tepër, duke filluar nga ndjesia e paqëndrueshme se, nga një çast në tjetrin, shfaqen  ndërtimet e shumta me bukuritë arkitekturore dhe të fundit por jo më pak të rëndësishme njerëzit që jetojnë aty. Zhurma dalin nga mëngjesi i së dielës.

Një panoramë e gjerë përqafon luginën e Erzenit: kodrat e valëzuara me pyje, ullinj, vreshta, aty- këtu vendbanime me ndërtesa moderne dhe shkëlqime ujërash.

Qielli i gjërë si një perde e madhe ishte mbuluar nga jastëku i reve dele, të cilat ngjanin si qënie që ecnin telajos së tij. Ato shfaqnin shpërthimin e formave, duket sikur i kërkojnë diellit të ngjyrosë qiellin, duke i spërkatur andej e këndej si të dojë.

Flladi i lehtë sjell murmurimën e lashtë të tokës. Kështu, hap pas hapi, përshkojmë peizazhin, por edhe ai, me bukurinë e tij, na përshkon shpirtin.

Lumi Erzen rrjedh ngadalë pranë nesh si një dëshmitar i heshtur i udhëtimit, në një rrugë dytësore që bie në sy, me qoshe të pabesueshme.

Fshatrat ose vështrimet e tyre duken si diçka nga një film. Rruga do të na çojë në Mullet, por nuk ka nxitim. E dimë se e rëndësishme nuk është të mbërrijmë, por ta lëmë veten të mbartet nëpër kodrat si dallgë deti.

Ca rreze dielli përkëdhelin ullishtet, ato çatitë e shtëpive dhe hyn edhe brenda makinë tonë, duke të kujtuar se sa e çmuar është bukuria që na rrethon.

Heshtjen e thyen gurgullima e ujit të Erzeni midis guralecëve si një fjongo argjendi përmes peizazheve magjepsëse. E sheh ujin që lëviz dhe ndjen lagështinë e luginës. Dy peshkatarë të tërheqin vëmendjen, me rrjetat arkaike të peshkimit, të thurura me penj dhe material kallaj.

Çdo kthesë e lumit dukej sikur shkruan një poezi, aqsa melodia e tij mes gurëve, me shushurimë të ngjall ndjenjën e qetësisë, ndërsa një vello mjegulle e hollë e kaplon luginën.

Në të djathtë përtej lumit Erzen shtrihet kartolina e Petrelës. Është një vend me bukuri të thellë natyrore dhe trashëgimi kulturore. Ngjitja në lartësitë e saj, të jep atë ndjenjën e fortë të lirisë, freskisë dhe paqes.

Silueta e kalasë në kodrën konike e mbërthyer në një majë shkëmbore, duke dominuar luginën si një njeri i mençur, ka një pamje të mirë, që befason çdo herë, me atmosferën elegante e cila dallohet pa kërkuar asgjë. Disa kilometra më tej, është Persqopi, ai vend antik aq i veçantë, saqë me rrënojat e tij zë një vend të qosheve magjike.

Vështrimi shtrihet larg, për të përqafuar malet me shkëlqim dhe ngjyra të gjalla që variojnë nga kafe në blu, të lashta sa koha dhe këto ditë, tregojnë veten me majat tashmë të bardha. Hija e rëndë e Dajtit sikur më pëshpërit me freski dhe ti humbet mendimet.

Vështrim edhe në luginë: çdo hap është një ftesë për të ngadalësuar ecjen nëpër vendbanimet, dëshmitare të kohërave të largëta dhe mbajtës të traditave të harruara që kanë ndryshuar pamjet. Përpiqesh të kapësh diçka më shumë, të shohësh anë të papritura të gjërave në shikimin e tyre: Histori motivuese me ndjesinë e të qenit i mbështjellë në një lloj heshtje misterioze.

Historia njerëzore e kësaj lugine është vërtet unike, është një vend gjeomorfologjik, peizazh  natyralistik.

Mulleti përqafon ata që ecin, i shoqëron si një mik i heshtur, duke dhënë vështrime të papritura, qoshe të fshehura, pamje, legjenda, ose thjesht ndjesia e vendit. Çdo hap aty është një ftesë për të ngadalësuar, për të vëzhguar, për të lënë bukurinë të kalojë përmes teje.

Aty-këtu shtëpi-vila, kafene dhe restorante moderne me siguri duket i begatë, sa kushdo që kalon rrugës Tiranë-Elbasan i shikon. Vende si ky janë pika referimi për ata që udhëtojnë, punojnë ose kërkojnë pushim dhe vakt të këndshëm.

Mbërrijmë në periferi të Mulletit, ndërsa një burrë po bërtet, me siguri që herët në mëngjes ka pirë ca si shumë alkol dhe inatoset me çdo gjë.

Gjatë rrugës, zbulojmë xhevahire të fshehura, të ngjarjeve historike, që në fakt janë pasuruar me legjenda. Ndalemi në një artefakt, që, në shikim të parë, përpiqet të befasojë, me urtësinë e gurëve dhe ndonjëherë mesazhe jete të çmuara, e veçantë, si për nga pamja ashtu edhe nga historia e saj.

E denjë për emërtimin popullor e veshur me shekuj, e lustruar nga dielli, shiu dhe kalime të panumërta, “Tyrbja e Nuses”, ndërtuar në një vend të dukshëm, nëpërmjet masës dhe volumit të materialit të hedhur mbi të, në një teknikë të saktë dhe të vjetër, të tërheq vëmendjen si objekt që duhet nderuar.

Ajo daton e ndërtuar në shekullin 17, që për fat, ka rezistuar në gjendje të mirë edhe pas. megjithatë, shpëtoi nga furia e vitit famëkeq të '67 të shekullit të kaluar për të cilën ndërtimet fetare e pësuan në emër të luftës ndaj tyre. Një praktikë që çoi në shkatërrimin e një trashëgimie të jashtëzakonshme historike, humbi përgjithmonë.

Sa vjen e afrohesh, objekti merr pamjen e një muri me myshk dhe lagështi që tregon për të kaluarën e largët, me histori udhëtarësh, krushqësh dhe nusesh përmbi kuaj.

Objekte të tilla ka pasur gjithkund, në çdo krahinë, ku kalonin rrugë (një pirg gurësh të, një krua hedhur ndanë rrugës, një toponim, etj) të cilat mbartin edhe moralin e shqipëtarëve; veçanërisht duke nxjerrë në pah të shkuarën. Por, përderisa koha evolon dhe shoqëria zhvillohet, ato të mbushin me mezazhe, të një epokë të artë me breza e histori.

Afrohesh ngadalë, pothuajse lehtë, si para diçkaje të shenjtë. Drita përkëdhel format e saj. Çdo detaj është poezi e gdhendur sikur është një raft plot me libra të palexuar, në një bibliotekë të hershme.

Ulur pak larg, ndanë rrugës, pranë një ulliri të lashtë, në një lëndinë me barin ende të lagësht me vesë, zemra bëhet më e lehtë, shikimi zgjerohet, mendimet bëhen më të qarta, pa kërkuar foton perfekte të bukurisë së thjeshtë të artefaktit kulturor, që nën sytë e të gjithëve edhe sot dëshmon për gjenialitetin arkitekturor.

Nje mace na priti me indiferencën tipike, duke kaluar para nesh, sapo përballesh me tyrben.

Është ndërtuar në kujtim të një nuse të re që mbeti e vrarë ditën e dasmës, gjatë përplasjes me armë të dy palëve të krushqëve. Dhe Shpesh vende të tilla, ruajnë një histori për të treguar, me fakte aq të largëta në kohë saqë na e bën të vështirë empatinë e viktimave.

Të gjithë e dimë se është e kotë, në fakt e dëmshme, ta konsiderosh historinë e të shkuarës së largët, me sytë e sotëm, duke e nxjerrë nga konteksti i saj, legjendën e lidhur me këtë tyrbe, në kujtim të nuses, e cila u vra në fund të shekullit të 17-të. Në pamjen e saj nuk është asgjë më shumë se lajm, por brendësia e saj është një e vërtetë, e rëfyer aq bukur sa përftohet si një krijim artistik që mund të reshtohet në kolanën e legjendave.

Le të rrëfejmë pak për këtë ndodhi, që mençuria popullore e përmbledh më mirë se një shkrim.

Lugina e Erzenit është prej kohësh një udhëkryq njerëzish dhe tregtie, si dhe i aktivitetit të preferuar nga karvane, sot nga trafik makinash dhe udhëtarësh, nga pushtues e çlirues, nga krushq me nuse, nga kasnecë... Vinin apo shkonin nga Jugu dhe Veriu.

Ishte stinë e dasmave. Fati i keq deshi që aty të shkëmbeheshin dy karvane me krushq. Mosmarrveshja se kush do kalonte i pari bëri që burrat të nxirrnin armët, ku u flijuan ata dhe nusja. Të gjithë mund të ndjejnë atmosferën e atyre kohërave të largëta dhe të përfytyrojmë ngjarje të zhytura nga shekujt, aqsa mendja jonë vrapon lehtësisht tek zakoni kur takohen dy palë krushq me nusen nuk duhet të të ballafaqohen me njëri- tjetrin, por kur ndodhte njëra palë i hapte rrugë tjetrës, për mos t’u takuar. Shekuj që ekziston ky zakon, që ka hyrë në rrjedhën e jetës së shqiptarëve. Kjo sepse ishte një ego ose krenari fortësie, nëse i jepet e drejta për ecur njëra nga palët e krushqëve.

Për këtë artefakt përmendet edhe një variant tjetër i legjendës, sipas së cilës dy karvane dasmorësh nuk i hapin rrugë njëri- tjetrit, dhe krisi pushka. Të dyja nuset mbetën të vrara në vend dhe u varrosën pranë njëra-tjetrës.

Megjithëse legjenda ështe tepër e fryrë nga fantazia fshatarake e vëndasve të kohës, me variante të ndryshme, pa asnjë qëllim e aq më pak për kakofoni leksikologjike (kush mund ta bënte atë?) është rrjedhojë e funksionimit të shoqërisë së atëherëshme, në një kohë kur pothuajse edhe sot, megjithëse ka shtet debatet sociale krijojnë konflikte.

Njerëzit nuk janë më në gjendje të bëjnë një diskutim të shëndetshëm dhe të shkëmbejnë mendime dhe pikëpamje pa shenjën e marrëveshjes, por kthehen në ujqër të zemëruar dhe reagojnë me dhunë.

“Tyrbja e Nuses” me gurëgdhendjet dhe strukturën, dhe për ata që e shohin për herë të parë, është unike, me fjalë të tjera, një mrekulli arkitekturore në atë vend ku fryma zgjerohet dhe pajtohet me shëmtinë e jashtme: njerëzore dhe jo.

E ndërtuar me gurë të punuar mirë, të kombinuar me tulla në formë brezash horizontale, aty-këtu edhe tulla vertikale, ajo dëshmon për një teknologji të hershme të ndërtimeve fetare në trojet shqiptare, karakteristike për shekujt 13 – 14, që plotësohet në shekujt e mëvonshëm. Ishte një periudhë e përshkruar si e errët, e pakëndshme dhe në të kundërt inovative dhe e gjallë, plot art, kulturë, ngjyra, që në përgjithësi kanë një teknikë të lartë dhe ishin në vazhdën e traditës së trashëguar në shekuj.

Katër kolonat, me harqet mbajnë kupolën e vogël, si një “kurorë” me gdhendje dekorative me një saktësi pothuajse manike, por gjithmonë të ngarkuar me një tension të hollë emocional, duken si një vepër arti më shumë.

Ca pllaka betoni për të qëndruar e thatë, shumë më mirë sesa të zhytej në tokë të lagësht.

Mrekullohesh me motive elegante te zbukuruara. Është një estetikë unike, pothuajse e çmuar.

Pjesa e pasme përballet me një zonë me bar midis ndërtesavetë reja të vendbanimit.

Veprimi dëmtues i agjentëve atmosferikë (dielli, shirat, i ftohti dhe lagështia e kohërave të gjata) kanë lenë gjurmë. Ndaj është e domosdoshme ndërhyrja restauruese pa e deformuar artefaktin që do ti rikthenin freskinë.

Një qëndrim i shkurtër, por që mban peshën e historisë së vërtetë, në këtë vend magjik, duke na bërë shpirtin më të pasur. Psherëtij sikur peshën e rëndë të Tyrbes të largoj, hidhërimin për jetën e paçelur të nuseve dhe krushqëve, thua se jetët e tyre nuk kishin vlerë.

Vende të tilla vërtet mbartin kulturë, për të cilat ndoshta nuk flasim shumë: Njerëzit duhet të vizitojnë që të bëhen më të mirë...

Ne jemi përsëri në rrugën drejt fundit të kësaj shëtitjeje të paharrueshme.

*Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Ndalohet kopjimi apo riprodhimi i pjesshëm apo i plotë me çdo lloj mjeti apo forme, pa lejën me shkrim të autorit.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx