E premte, 26.12.2025, 11:19 PM (GMT)

Udhëpërshkrim » Gorica

Pëllumb Gorica: Magji Krishtlindje në Tiranë

E premte, 26.12.2025, 04:59 PM


MAGJI KRISHTLINDJE NË TIRANË

NGA PËLLUMB GORICA

Është bukur të jetosh pothuajse çdo orë e ditë, me ngjyrat e qytetit ku banon. T'i shijosh ato e, ashtu vërtik, ti hedhësh në fjalë për të ngelur të pavdekshme.

Ftohtë është, e vërtetë, të ecësh rrugëve, por Tiranën e bëjnë më të ngrohtë e njerëzore zbukurimet dhe ajo atmosferë e ndritshme Krishtlindje.

Rrugët ndërthuren si fijet e arit, sheshet e saj shndrrohen në shkëlqime drite, fytyrat e njerëzve ndriçojnë si yje.

Çdo cep tregon një histori, aq sa nuk mjaftojnë ditë e netë të tëra për ta zbuluar të gjithën, të bukurën në terësinë e saj.

Tirana zhurmon. Ecën rrugëve ku njerëzit derdhen si prrenjtë malorë pas shiut të parë të vjeshtës.

Mjafton t’i hedhësh një sy trafikut qoftë në mëngjes, qoftë në drekë, apo pasditeve, kohë kur njerëzit kanë nevojat më të mëdha të lëvizjes, për të kuptuar se lejfenizmat e “Go green”, apo korsitë e biçikletave në rrugët e qendrës, janë thjesht një makiazh në fytyrën e një gruaje që kullon zgjyrë nga koka te këmbët.

Në ditët me shi Tiranës i bie një hije e keqe. Trafik i rënduar, sharje shoferësh, rrugë që fryhen nga rreke ujërash të turbullt, policë të qullur në udhekryqe, bori që klithin çjerrë, kosha mbeturinash të mbushur plot, ankesa udhëtarësh, ngushtime drastike rrugësh, por dhe skena të trishta lypësish, që krijojnë një dekor allamigjenian.

Të kalojnë si në revistë emrat e rrugëve, me tabela që rrezatojnë kulturë.

Retë kapriçoze dhe rebeluese, që jo vetëm veprojnë si çadra, ato zbukurojnë qiellin, ndonjëherë të frikësojnë nga fuqia e tyre e fshehur.

Kafene moderne dhe lloj-lloj dyqanesh, në krah të njëra- tjetrës, të gjitha të bukura, aq sa sytë humbasin në zbukurimet vezulluese si fjollat e dëborës, që asnjë regjisor nuk do dinte ti rikrijonte aq bukur, të ngrohin pamjen.

Rrugën e mora në këmbë drejt sheshit "Skënderbej". Rreth teje hapet peizazhi i një bote prej guri, që për çudinë time, rezulton vendi më i shkelur nga unë, pa ndonjë arsye kohët e fundit, ku Krishtlindja, duket se ka gjetur banesën ideale. Krishtlindja është diçka e madhe këtu,? drita kudo, dekorime, muzikë, buzëqeshje dhe ajo energji e ngrohtë dhe e gëzueshme që thjesht nuk mund ta shmangësh, një përzjerje elegante.

Ndaloj para sheshit "Skëndërbej". I ftohti i stinës në pllakat e ftohta të sheshit, me nuanca gri, fantazmatike, si shtresat e një pikture me bojëra uji, të rënqethin deri në shpirt.

Njerëzit shëtisin, pa u nxituar, ata që ndalojnë për të vëzhguar, ata që shkëmbejnë dy fjalë duke e lënë veten të përkëdhelen nga atmosfera, të ndalen para një kasolle zanash, të shkojnë shpejt, si në këtë foto, duke prerë hapësirën mes një drite.

Shikoj lart. Ndërtesa gjeometrike, me arkitekturë moderniste. Hije shumëngjyrëshe, madhështi kolosale, bukuri e forma të këndshme.

Hoteli Interkontinental, 15 katëshi, dikur ndërtesa më e lartë e moderne e Tiranës dhe krejt Shqipërisë ka humbur veten e vet, aq sa duket si femijë gjashtë vjeçar, të cilin e mban para këmbëve i biri madhështor, i gjatë e i drejtë si filiz me ngjyrën e arit.

Më tej një tjetër godinë moderne, plot siluetë. E kanë ngul si pykë, por me linja që ka, nuk i shkon sheshit. Lartësia e saj të ngjason si këmbë e madhe e ardhur nga thellësitë e universit dhe më hardallosi mendimet.

Heshte Muzeu Kombëtar, që në ballë mbante mozaikun e historisë sshqiptare me relike nga koha e gurit deri në ditët e demokracisë.

Nga pylli i harlisur i Muzeut, ku ishin fshehur dy statuja, doli një burrë duke mbërthyer pantallonat. Para më dolën disa gurë të mëdhenj, si të rënë nga qielli, që më bën të devijoja drejtimin drejt sheshit.

Heshte edhe Banka Kombëtare Shqiptare, e shtrirë si një plak i fjetur, një frymëzim i arkiteturës moderne pariziane.

Përballë Bankës të merret fryma nga dëndësia e njerëzve që shkëmbeheshin, apo qëndronin në shesh.

Xhamia e Et'hem Beut me minaren që duket si majë lapsi, rrezaton një bukuri të përjetshme, të përulur por të shenjtë, si një pëshpëritje nga e kaluara e largët.

Ku po shkon më thotë vajza ime. Për te monumenti i Gjergj Kastriotit i thashë duke bërë me dorë për t'i dhënë drejtim vetes. Për ironi kalorësi i pamposhtur Gjergj Kastriotit, me shpatën e famëshme në dorë, mbi kalin e tij dukej i ngrirë...!

Kulla e Sahatit e zvenitur nën kthetrat e një tjetër qiellgërvishti, një goxha zdap kulle, sa sahati dukej sikur qendronte i varur i ngulur në një gozhdë. I gjori sahat thashë me vete, ndërsa Teatri i Operas dhe Baletit ndjehej i cunguara në solemnitetin e tij.

Eci nëpër shesh, me një ritëm pak më të ngadaltë, sikur ta di se kjo është koha e vitit kur ndalesa ka kuptim deri në pikën, ku tingulli i muzikës së Krishtlindjeve që është ilaçi i shpirtit mbush ajrin, mes dritash dhe një luzme fytyrash, ku të paktën një herë në vit jeta ndihet pak më komode, e vëmendshme, e ngadaltë dhe plot rituale të vogla.

I spërkatur me mijëra drita që butësisht mbështillen, ndriçojnë shtëpitë e drunjta, secila e mbushur me thesare dhe pamje vërtet unike.

Është e vështirë të përshkruash me fjalë gjallërinë që frymon këtu, ku çdo cep duket si kartolinë. Njerëzit vërdallosen në çdo kënd të sheshit si të rrahur në një lëm shirjeje.

Sheshi "Skëndërbej", me përmasat kozmike, aq sa njeriu dukej si një kokër gruri në fushë të futbollit, m’u duk si një copëz e Bashkimit Europian, me lëvizjet, me aromat, me ngjyrat, në një mori zbukurimesh. Është si të shkelësh në një botë përrallore, ku çdo cep i sheshit "Skëndërbej" ndriçon me çudi.

Ndërkohë që kalon përmes sheshit, një seri aktivitetesh artistike në krijimin e një atmosfere magjike: një strukturë e madhe plot me ekrane, drita, tinguj, një koncert muzikor për Krishtlindje, ka edhe shfaqje kërcimi.

Çdo hap jehon si një fjalë e butë e thënë ngadalë, për të mos trazuar magjinë e dekorimeve të bukura të Krishtlindjeve: Bredhi i zbukuruar nga mijëra llamba të ndezura; kurorat e arta, tunelet që formojnë gjerdanët e dritave, pothuajse sureale, babagjyshët, drerët e fryrë... Ato janë të qëllimshme, kuptimplote dhe të ngulitura thellë në një botëkuptim që i paraprin gjërave që tani e përcaktojnë këtë festë.

Shtëpizat prej druri, një univers i vogël, i shkëlqyeshëm që të befason, krejtësisht të ndriçuara, pothuajse si në përrallë, sikur i thoshin gjithë botës: Këtu është Krishtlindja.

Shtëpizat, të ofrojnë një gamë të gjerë produktesh, unike dhe origjinale, të punuara nga artizanë vendas, si lodra druri, bizhuteri, qeramikë dhe xham të fryrë, me dekorime dhe tematikë: por edhe pulovrat apo kapuçat me drerë, bredhat artificial, qirinj aromatikë, stoli që dukeshin si direkt nga një libër tregimesh, skulptura druri të gdhendura me kujdes, ndonjë “Betlehem”, thuajse mallra kineze dhe suvenirë shqiptare por që s’kanë lidhje me festën Krishtlindje në vetvete, por duken si xhevahire të vegjël, gati për të treguar histori duarsh të afta, dhe zemrash pasionante...

Ndjen se ajri te sjell aromën e petullave me sheqer dhe kanellë, të piteve dhe byrekëve, të gështenjave të pjekurave, të qofteve dhe sallameve në zgara.

Ndërsa fotografon, Pemën e Krishtlindjeve plot dekorime dhe drita me ngjyra të ndezura, të vjen në mëndje historia e saj që daton në qytetërimet e lashta si ato kelte dhe romake, si simbol dhe lidhej me rite të ndryshme magjike. Të krishterët e hershëm e zgjodhën si një simbol të jetës së përjetshme, duke e lidhur me figurën e Krishtit.

Orët rrodhën ndryshe këtu. Dritat reflektojnë në sytë e njerëzve, buzëqeshjet ndriçojnë si flakë, dhe Krishtlindja bëhet një prani e prekshme, që të kaplon dhe i flet zemrës.

Tingulli i bisedave dhe të qeshurat në distancë, përzihet me meloditë, në një pijetore rock and roll, aq sa çdokush mund të ngrihej dhe të performonte më mirë se artistët origjinalë.

Por ajo që të tharton fort, është muzika gjithë kakofoni, ku nga çdo cep shtëpize druri e vend lojrash, njëri i bie gozhdës e tjetri patkoit dhe vështirë të besosh se dikush nga njerëzit që pijnë kafe, çaj, verë e birrë apo gëlltisin qofte e salçiçe, vështirë se mund të bisedojnë lirshëm.

Shumë mirë mund të vendosej një qendër zëri, me shpërndarje të njëtrajtshme në të gjithë sheshin, muzikë festash, apo njoftime ofertash.

Sheh fytyra që mbartin pritshmëri, shpresë, herë të gëzuara, e herë të menduara: Çiftet e moshuara të turbulluara, me hapat e tyre kërcitës dhe buzëqeshjet e ngrohta. Të rinjtë bënin figurë të hareshme me ecejaket përshtypjelënëse. Porse zërat dhe të qeshurat e gëzueshme të tyre, të gjitha kontribuojnë për të krijuar një atmosferë, intime dhe vërtet poetike.

Familjet, fëmijët me sytë hapur, të rriturit që gjejnë, hapësirën e një momenti, vështrimin e fëmijës së tyre, të magjepsur nga personazhet e përrallave, të krijojnë dhe të luajnë dhe ne, për një çast, u ndjemë përsëri si ata: plot çudi dhe mahnitje.

Një buzëqeshje të ndriçon fytyrën, e ngjashme me atë që të jep një grua teksa kalon pranë saj (ajo po krijon një skenë të lindjes së Krishtit në cep të sheshit).

Pastaj e gjen veten në mes sheshit të potershëm, në mes mijëra ngjyrash. Gjen vendas, gjen të huaj, nga ata që duan të largohen dhe nga ata që janë rikthyer, ku gjen shumë pak Tiranë dhe pak Londër, Milano, Athinë, madje edhe New York.

Një mik i vjetër shfaqet para teje. E përshëndesim përzemërsisht njëri- tjetrin.

Natyrisht është e vështirë të gjesh një vend qoftë edhe për një kafe simbolike, si një mënyrë për të qenë bashkë. Kafenetë herë pas here janë hapësira me një shenjë të fortë sociale dhe mbi të gjitha njerëzore. Krahas rëndësisë së tyre sociale, është pa kohë një vend i rëndësishme komunikimi dhe argëtimi.

Marrim një gotë nektar perendie, në një nga ato shtëpizat- kafene.

Kujtimet filluan të shtrojnë tavolinën me emocione. Të qeshura nga Krishtlindjet e kaluara me njerëzit e dashur. Tregime nga Anglia. Herë pas here, ndërsa ngrinin gotat e shoqëronim me një urim: "Gëzuar Krishtlindjet”, paqja e gëzimi të na shoqërojë sot dhe gjithmonë!.

Për fat të mirë, festat, në të gjitha trajtat e tyre të mundëshme, për ne shqiptarët, shërbejnë, thjesht, një mundësi, për t’u bashkuar, për të dhënë dhe marrë lumturi, në mes njerëzve të dashur.

Magji është gjithmonë ky shesh në Krishtlindje dhe mund të thuhet se është e plotë për gëzimin që na ka dhënë, edhe nga shtrëngatat zemërake të fishekzjarrëve me jehona shpërthyese që herë pas here e përhapeshin me zhurmë në qiellin e errësuar. Përflakesh nga shkëlqimi i tyre shumëngjyrësh si kokoshka. Qielli, i veshur me një mantel qumështor, rrit dritën e ngrohtë të artë të zbukurimeve. Shumë festë për sytë, shumë shkëlqim rrezesh, shumë ngjyra të gjalla. Secila shkrepje zgjat pak më shumë, e shndërruar në koreografi të vërtetë qiellore të tyre.

Dritat shumëngjyrëshe ndriçojnë atmosferën dhe e bëjnë sheshin edhe më simpatik, dhe një arsye më shumë për ta konsideruar kartolinë krishtlindje, apo sikur po jeton një ëndërr të bukur që nuk duam të zgjohemi.

Largohemi duke ecur ngadalë. Për të marrë frymë dhe për të lënë zhurmat pas, të mrekulluar nga dritat e arta të Krishtlindjes, me mirësi, shpresë, aftësi për të parë të bukurën edhe në ditët më të ftohta.

Zoti Krisht e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët"! ...

*Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Ndalohet kopjimi apo riprodhimi i pjesshëm apo i plotë me çdo lloj mjeti apo forme, pa lejën me shkrim të autorit.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx