E enjte, 11.12.2025, 09:27 PM (GMT)

Kulturë

Albert Zholi: Shoqata Atdhetare Kulturore Labëria, denoncon me forcë emërtimin Festivali Folklorik Tipologjik Kombëtar i Iso-Polifonisë

E enjte, 11.12.2025, 06:53 PM


Shoqata Atdhetare Kulturore Labëria, denoncon me forcë emërtimin Festivali Folklorik Tipologjik Kombëtar i Iso-Polifonisë

-Z. ministër Blendi Gonxhja, ky emërtim fyen historinë, prejardhjen, bartësit  dhe gjithë popullin që dashuron Polifoninë

-Polifonia është këngë që buron nga shpirti i shqiptarit dhe nuk ka lidhje as me  sirenat greke, as me korin Bizantin

- Më datën 25 mars 2023, në Simpoziumin "Polifonia Popullore Shqiptare", 14o intelektualë mes të cilëve Prof. Rexhep Qosja dhe "Nderi i Kombit", Ismail Kadare firmosën për termin Polifoni

Nga Albert Z. ZHOLI

Dje në facebook Qendra Kombëtare e Veprimtarive Tradicionale ka bërë me dije si më poshtë: Iso-Polifonia rikthen magjinë në Vlorë! Zërat polifonikë nga mbarë vendi bashkohen në një skenë të vetme për të sjellë harmoninë, energjinë dhe shpirtin e iso-polifonisë, një pasuri e çmuar e trashëgimisë sonë. Qendra Kombëtare e Veprimtarive Tradicionale ju fton të ndiqni nga afër Festivalin Folklorik Tipologjik Kombëtar të Iso-Polifonisë, edicioni XVI, ku çdo interpretim sjell me vete histori, identitet dhe emocione të veçanta.  12–13 Dhjetor 2025-Ora 18:00. Pallati i Kulturës "Labëria", Vlorë. Ju mirëpresim të përjetojmë së bashku tingujt e iso-polifonisë, të shpallur nga UNESCO si "Kryevepër e Trashëgimisë Gojore të Njerëzimit".

Blendi Gonxhja

Këshilli i Qarkut Vlorë

Përsa më sipër, Kryesia e Shoqatës Atdhetare Kulturore Labëria "Nderi i Kombit" i drejtohet ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit  dhe Këshillit të  Qarkut Vlorë si më poshtë:

I nderuar ministër i të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit z.  Blendi Gonxhja!

Të nderuar drejtues të  Këshillit të  Qarkut Vlorë!

Shoqata  Atdhetare  Kulturore "Labëria", "Nderi i Kombit" zhvilloi, në Sallën "UNESCO", të Muzeut Historik Kombëtar, më datën 25 mars 2023, Simpoziumin "Polifonia Popullore Shqiptare", ku morën pjesë etnomuzikologë të njohur të vendit tonë, profesorë, kompozitorë, studiues, artistë, përfaqësues të grupeve polifonike, etj., nga i gjithë vendi. Në Simpozium u evidentuan, shkencërisht, vlerat atdhetare, historike dhe kulturore të Polifonisë Shqiptare dhe, në këtë kuadër, të Polifonisë Labe, të cilat, si pjesë e tërë trashëgimisë shpirtërore të popullit shqiptar, kanë ruajtur origjinën e  tyre unike. U evidentua fakti se për vlerat e rralla etnokulturore të Polifonisë Shqiptare, Fondacioni "Toelfer", në Gjermani i dha çmimin "Europa për Folklorin "1987, e po kështu Instituti i Kulturës Popullore në Akademinë e Shkencave në Tiranë organizoi dhe simpoziumin: "Vendi që zë Polifonia Shqiptare në Ballkan", duke përcaktuar qartë këtë kulturë muzikore Mesdhetare të shqiptarëve nëpër shekuj. Duke vlerësuar regjistrimin në Listën Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore jo lëndore të Njerëzimit, në UNESCO, të gjithë folësit, shprehën kundërshtim me prezantimin e kësaj polifonie në faqen zyrtare elektronike (në faqet e shkruara, në videot dhe në ilustrimin e fotografive), pasi bie ndesh me të vërtetat shkencore dhe ato historike, duke goditur kështu identitetin kombëtar shqiptar. Këto trillime me synime djallëzore për tjetërsimin e identitetit tonë kombëtar, të thesarit të çmuar të folkut tonë, duhet korrigjuar institucionalisht, pasi bien ndesh me misionin e Ministrisë së Kulturës dhe Akademisë së Shkencave. Ndarja, në faqen zyrtare të UNESCO-s, e iso-s nga polifonia dhe interpretimi sikur gjoja isoja vjen nga mitologjia e sirenave greke dhe tezat e shkruara po në atë faqe se "Iso-Polifonia shqiptare buron nga muzika kishtare bizantine" dhe se ajo shoqëron, midis të tjerash edhe funeralet e kremtimet fetare; etj., janë vetëm disa nga këto goditje në identitetin kombëtar shqiptar. Gjeniu i letrave shqipe, Ismail Kadare shkruan: "Populli shqiptar nuk ka indetitet gjysmak, të shtirë apo të fshehur pas lajlelulesh mashtruese. Indetiteti i tij është gjithashtu i qartë, pavarësisht se dikush nuk dëshiron ta shohë, e dikujt nuk i intereson ta shohë. Shqiptarët  janë ndër popujt më të vjetër të kontinentit Europian, popull themeltar në rrafshin e tij..." (Marrë nga libri "Indetiteti Europian i shqiptarëve").  Ndërsa korifejtë e letrave shqipe  si F. S. Noli shkruan se: "Kur lëngon Shqipëria zgjohet Labëria dhe kur të vdes të më përcillni me këngë labe". Akademiku Rexhep Qosja, Kryetar Nderi i Shoqatës "Labëria", gjatë një vizite në trevën e Labërisë shkruan: "Në të vërtetë Labëria, ashtu siç e përjetova unë, është Shqipëria. Labëria shpirtërore është Shqipëria natyrore e kjo do me thënë Shqipëria etnike. Me këngën labe të djeshme e të sotme, jetojnë shqiptarët e të gjitha trojeve shqiptare. Kënga e labërishtes është shembulli më i ndritshëm i vetëdijes së pandarë, i vetëdijes kombëtare shqiptare. Dhe kjo është e kuptueshme. Ajo është kënga e fuqisë morale, shpirtërore të Labërisë, e cila tash 100 vjet është faktor kryesor kombëtar që e lëviz historinë shqiptare të Labërisë, që është bërë thelbi shqiptar". Në këtë Simpozium, kumtuesit përforcuan me argumente të reja profesionale dhe historike, përcaktimet e bëra nga studiues të shquar shqiptarë si:Ramadan Sokoli, Beniamin Kruta, Shpëtim Kushta, Spiro Shituni, Piro Miso etj, si dhe përcaktimet e bëra nga etnomuzikologë të shquar të huaj të kalibrit botëror, lidhur me termin dhe origjinën e Polifonisë Shqiptare. Duke vlerësuar sa më sipër, Shoqata Kulturore Atdhetare "Labëria", i kërkon Ministrisë të Kulturës, të ushtrojë përgjegjësitë e saj kombëtare e shtetërore, për të  ndërhyrë zyrtarisht pranë UNESCO-s, për të fshirë prezantimin aktual të   ashtuquajturës "Iso-Polifoni" në të gjitha anekset përkatëse të faqes zyrtare të kësaj Agjensie të OKB-së, për  Polifoninë Shqiptare dhe për ta zëvendësuar atë me prezantim shkencërisht dhe historikisht të mbështetur, si dhe të nënshkruar nga institucionet përkatëse, jo nga individë, kushdoqofshin ata. Ajo kërkon gjithashtu, që, në faqet zyrtare të Ministrisë së Kulturës, si dhe në botimet zyrtare, të mos lejohen shtrembërime të tilla me karakter antikombëtar, antihistorik e antishkencor. Ndërkohë, Shoqata Kulturore Atdhetare "Labëria",  bazuar në misionin e saj të miratuar sipas ligjit, nuk do të pranojë zhvillimin e asnjë aktiviteti nën termin "Iso-Polifoni", por vetëm nën termin "Polifonia Shqiptare". Miratuesit e Rezolutës që shprehen kundër termit "Isopolifoni" janë akademik, profesor, deputet, muzikantë, artist, historian dhe përfaqësues të institucioneve shtetërore, si dhe personalitete të Labërisë, mbartës të këngës labe, që janë të shqetësuar për këtë tjetërsim. Këtë Rezolutë e kanë miratuar  të gjithë personat e poshtë shënuar (140 personalitete) :

KËSHILLI  KOMBËTAR  I  SHOQATËS  ATDHETARE  KULTURORE   LABËRIA  "NDERI I KOMBIT"

Akademik Rexhep Qosja " Nderi i Kombit", Kryetar Nderi i Shoqatës Labëria.  Prof.Dr. Ago Nezha "Mjeshtër  i Madh"  dhe  "Kalorës i Urdhrit të  Skënderbeut".  Agim Çiraku, kryetar i Shoqatës. Ismail Kadare,  "Nderi i Kombit". Helena Kadare,  shkrimtare. Nënkryetar, Agim Rrapi. Kryeredaktori Gazetës Labëria, Albert Zholi, shkrimtar. Prof. Dr. Ismet Elezi, Jurist, "Medaljen e Nderit të Akademisë së Shkencavetë Shqipërisë". Prof. Dr. Ksenofon Kristafi, Akademik, Dekan i Juridikut, Universiteti "Mesdhetar". Prof. Dr. Sokol Sadushi, Zv. Kryetar i Gjykatës së Lartë. Prof. Dr. Ethem Ruka, ( Ish Ministër i Arsimit ) Rektor në Universitetin "Luarasi"... etj...(vazhdon lista me 140 personalitete nga më të shquarit e Kombit për miratimin e termit Polifonia Shqiptare.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx