Kulturë
Paulin Z. Zefi: Lahuta në UNESCO
E marte, 09.12.2025, 06:55 PM
LAHUTA
në UNESCO
Nga
Paulin Z. Zefi
“Lahuta shqiptare” është shpallur zyrtarisht
Pasuri e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit, e përfshirë në
Listën e UNESCO-s për Mbrojtje Urgjente. Ky akt shënon një moment historik
shumë të rëndësishëm për kulturën, identitetin dhe memorien tonë kolektive.
SQARIM:
Në
bazë të vendimit të marrë nga UNESCO, Lahuta shqiptare nuk kategorizohet si
instrument dinarik dhe nuk ka asnjë mbivendosje juridike me lahutën serbe, për
të cilën dihet se serbët e kanë huazuar prej nesh. “Lahuta shqiptare” dhe “gusla”
serbe janë vlerësuar si dy elemente të ndara, të regjistruara veçmas në UNESCO,
pa ndikim apo varësi nga njëra-tjetra. Megjithatë, e vërteta historike dhe
etnokulturore është tashmë e njohur: serbët e kanë huazuar prej nesh, ashtu si
malazezët, boshnjakët dhe kroatët. Sipas informacionit që kam marrë nga miku im
i nderuar, Prof. Dr. Vasil Sofokli Tole, i cili ka dhënë një kontribut të
jashtëzakonshëm në përgatitjen e dosjes, grupi i punës në Akademinë e Shkencave
të Shqipërisë e ka hartuar dosjen që në vitin 2012. Mirëpo, në atë kohë
politika mendoi se duhej kandiduar me një dosje të përbashkët me Akademinë e
Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, diçka që do të ishte e mundur vetëm nëse
Republika e Kosovës do të ishte anëtare e UNESCO-s. U pritën pesë vjet, por
anëtarësimi i Kosovës nuk ndodhi, dhe kështu u krijua avantazh për palën
tjetër, pra për atë serbe. Në rrethanat e krijuara, serbët bënë atë që dinë të
bëjnë më mirë: “të përvetësojnë me forcë ose me pabesi çdo gjë të bukur që nuk
ka qenë kurrë e tyre”! Me pak fjalë, nëse Akademitë tona të Shkencave, Shqipëri
- Kosovë, do ta kishin dërguar dosjen të parat në UNESCO, ose nëse Akademia e
Shkencave e Shqipërisë do të kishte vepruar e vetme dhe para Akademisë së
Shkencave dhe të Arteve të Serbisë, sot nuk do të na duhej të duronim
arrogancën e hajdutëve patologjikë serbë. Po ashtu, nuk do të rezultonte në
UNESCO regjistrimi i dy instrumenteve të ndara, kur në fakt bëhet fjalë
pikërisht për të njëjtin instrument burimor, 100% iliro–arbnor dhe trashëgimi e
pastër e popullit shqiptar.
Foto
ilustruese: Karrika e lahutarit (një unicum) dhe dy ekzemplarë shumë cilësorë
të lahutave të ekspozuara në “Muzeun Etnografik Lezhë”, që dëshmojnë
vazhdimësinë e një tradite shumë të lashtë, e cila ka formësuar epikën heroike
shqiptare.










