E diele, 07.12.2025, 11:03 PM (GMT)

Kulturë

Nexhmije Mehmetaj; Një ekspozitë që sjell në dritë historinë e dhimbjes kombëtare

E diele, 07.12.2025, 12:58 PM


Një ekspozitë që sjell në dritë historinë e dhimbjes kombëtare

Fotografitë dhe rrëfimet dokumentare prekën publikun, duke rikujtuar plagën e hapur të asimilimit dhe forcën e identitetit shqiptar

Nga Nexhmije Mehmetaj

Më 5 dhjetor 2025, në orën 18:30, në sallën MS150 të Unimail në Gjenevë, Shoqata “Komuniteti Shqiptar i Gjenevës” dhe Shoqata e Studentëve Shqiptarë të Gjenevës, në bashkëpunim me shoqatën “Kosova për Sanxhakun”, organizuan ekspozitën “Sanxhaku – Histori e dhimbjes kombëtare”.

Aktiviteti u hap nga studentja Elda Gashi, e cila me shqipe të pastër dhe të rrjedhshme përshëndeti të pranishmit. Më pas, z. Blerim Bunjaku, anëtar i kryesisë së Komunitetit Shqiptar, shpjegoi shkurtimisht qëllimin e këtij organizimi dhe prezantoi një biografi të shkurtër të autorit të projektit.

Prof. Ismet Azizi, në një ligjërim të përqendruar dhe emocional, solli para mërgimtarëve një fragment të dhimbshëm të historisë së Sanxhakut të Pazarit të Ri. Përmes hulumtimeve të tij shumëvjeçare, ai ka arritur të mbledhë një material të pasur dokumentar mbi këtë krahinë shqiptare, e cila sot gjendet pothuajse e tëra në proces të avancuar asimilimi.

Profesori sqaroi se projekti i ekspozitës është nismë e shoqatës “Kosova për Sanxhakun” dhe ka për synim paraqitjen e trashëgimisë kulturore të Sanxhakut të Pazarit të Ri përmes fotografive. Ky projekt përfshin dokumentimin e trashëgimisë materiale dhe shpirtërore, duke ekspozuar imazhe që dëshmojnë autoktoninë shqiptare të kësaj treve. Qëllimi është të sensibilizohet opinioni vendor dhe ndërkombëtar për historinë, kulturën dhe traditat e popullit shqiptar të Sanxhakut dhe rajoneve përreth.

Puna kërkimore përmbledhur në këtë ekspozitë synon të sjellë në vëmendje të kaluarën jo shumë të largët, rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë kulturore dhe argumentimin historik të pranisë shqiptare në këtë krahinë.

Gjatë ekspozitës u prezantuan materiale rreth fiseve shqiptare si Kelmendasit, Kuçët, Hoti, Shala, Shkreli e të tjera, të cilat për shekuj iu nënshtruan proceseve të asimilimit – fillimisht si myslimanë dhe më pas si “boshnjakë”. Megjithatë, të gjitha dëshmitë historike flasin se kjo trevë ka mbetur shqiptare në thelb: shumë familje që sot deklarohen boshnjake, në brezin e dytë dalin shqiptarë të pastër nga origjina.

Profesor Azizi theksoi se fotografia është mediumi më i fuqishëm për të dëshmuar historinë – jo vetëm si dokument, por edhe si vepër arti që rrëfen atë që nuk mund të thuhet me fjalë. Në rastin e Sanxhakut të Pazarit të Ri, fotografia është një nga format më të sakta për të treguar të kaluarën e tij shqiptare.

Përmes imazheve u dokumentua tradita shqiptare: mënyra e jetesës, veshjet, kultura, mjetet e punës, arkitektura e shtëpive, ushqimet tradicionale, toponimet, si dhe elemente të trashëgimisë shpirtërore – dasmat, lahutarët, folklori, lojërat popullore, doket, zakonet dhe përditshmëria e jetës në fshat.

Ekspozita, sipas organizatorëve, pritet të ketë ndikim të rëndësishëm te studentët e sotëm dhe ata të ardhshëm, duke i nxitur të merren me studimin e kësaj treve të harruar. Ajo synon gjithashtu të kontribuojë në ngritjen e vetëdijes kombëtare për një rajon që sot është pothuajse i asimiluar.

Një moment i veçantë emocional ishte dokumentari ku dëgjohej zëri i një nëne shqiptare, e cila përpiqej me ngulm t’ua ruante identitetin fëmijëve të saj përmes gjuhës shqipe, por në pamundësi të plotë, ofshante me dhimbje. Aty, papritmas, më erdhën ndër mend nënat e diasporës së sotme, të cilat, ndonëse në kushte shumë më të favorshme, shpesh nuk flasin shqip me fëmijët e tyre dhe nuk përpiqen t’ua ruajnë këtë pasuri të paçmueshme – gjuhën amtare.

Vështrim përfundimtar

Ekspozita “Sanxhaku – Histori e dhimbjes kombëtare”, e paraqitur në Gjenevë, solli në qendër të vëmendjes një pjesë të historisë shqiptare që shpesh mbetet në hije. Përmes fotografive dhe dokumenteve arkivore, aktiviteti rikujtoi dhunën e gjatë të asimilimit në Sanxhakun e Pazarit të Ri dhe nevojën për ta ruajtur këtë kujtesë kolektive.

Vëmendje të veçantë mori angazhimi i studentëve shqiptarë, të cilët u bënë pjesë aktive e organizimit. Ky është një sinjal pozitiv se brezi i ri në diasporë po merr rolin e vet në mbrojtjen e identitetit dhe trashëgimisë kulturore. Momenti më emocional i mbrëmjes ishte rrëfimi i një nëne shqiptare që përpiqej t’ua ruante gjuhën fëmijëve të saj, duke rikthyer në diskutim çështjen e ruajtjes së shqipes në familjet shqiptare në mërgatë.

Ekspozita la një mesazh të qartë: kujtesa historike nuk është luks, por domosdoshmëri. Ajo ruhet përmes dokumentimit, edukimit dhe angazhimit të brezave të rinj. Aktiviteti në Gjenevë dëshmoi se komuniteti shqiptar jo vetëm e njeh këtë përgjegjësi, por edhe është i gatshëm ta mbajë gjallë.

Nexhmije Mehmetaj

Gjenevë, 06. 12.2025



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx