Kulturë
Llesh Ndoj: Me Hasanin e veprën e tij, koha veçse na afron
E premte, 05.12.2025, 06:54 PM
Me Hasanin e veprën e tij, koha veçse na afron
-Orë
letrare në përkujtim të shkrimtarit Hasan Hasani-Përkola-
Nga
Llesh Ndoj
Me
1 dhjetor 2025, në shkollën “Ismail Qemali” në Prishtinë, u përkujtuar 5
vjetori i kalimit në amshim të poetit e shkrimtarit, studjuesit e publicistit
kosovar me origjinë mirditore, Hasan Hasani – Përkola.
Takimi
u mbajt nën organizimin e Karvanit të shkrimtarëve për fëmijë “Xhaferr Deva”,
kryesuar nga zoti Xhevat Syla, me bashkëpunimin e drejtuesve të shkollës
“Ismail Qemali”. Takimi u hap nga mësuesja e letërsisë së asaj shkollës, pastaj
recituan e përshëndetën disa fëmijë, fjalë që ngjallën plot emocione të bukura
dhe na bënë të rrjedhë, si pa e kuptuar, edhe ndonjë pikë loti. Fjala e zotit
Xhevat Syla, drejtues i Karvanit, i cili prezantoi bukur qëllimet e takimit,
veprën shumëplanëshe të shkrimtarit dhe ne të pranishmëve në atë takim të
organizuar si “Orë letrare”, u ndoq me shumë vëmëndje.
Të
pranishëm ishin edhe bashkëshortja e shkrimtarit të ndjerë, zj.Ruke Hasani,
djemtë Blerimi dhe Butrinti, vajzat e nderuara, nipa edhe mbesa të tij. Mbesa
Eliza, me fjalën e saj na emocionoi të gjithëve, ndërsa Mali, nipi i zemrës e
frymëzimi i përjetshëm i shkrimtar Hasanit, të cilit I ka kushtuar pjesë
cilësore të krijimtarisë së tij: “Kur fle Mali” (poezi për fëmijë) dhe “Monolog
me Malin” (poezi-amanet për të rritur, botimi I fundit në të gjallë të
shkrimtarit-2020), nuk i përmbajti dot as lotët. Ishin të pranishëm dhe folën
në takim shkrimtarët e nderuar zoti Ibrahim Kadriu, zoti Jonuz Fetahaj, zonja
Kismete Hyseni dhe zoti Skënder Zogaj. Edhe unë e mbajta fjalën time si më
poshtë vijon, fjalë e cila u prit mirë nga të pranishmit.
Ishte
një aktivitet për t’u përgëzuar.
***
Përshëndetje
të gjithëve!
Kurrë
më e afërt se sot nuk më është dukur udha nga Lezha për në Prishtinë, e kjo se
mezi e prita çastin të dëgjoja se miqtë e shokët bashkëudhëtarë të si vllaut
tim Hasan Hasani - Përkola, kishin vendosur ta përkujtonin atë ndryshe në këtë
5-vjetor të ndarjes së tij fizike prej nesh. Gjej rastin t’i falenderoj
përzemërsisht organizatorët, folësit e pjesmarrësit.
Natyrisht
që Hasan Hasanin dhe veprën e tij, Ju si shkrimtarë, bashkëpunëtorë e
bashkëkohës të nderuar, i njihni më mirë nga unë, por si njëri nga ata që e kam
lexuar thuajse të plotë produktin e tij letrar, të materializuar në 74 libra të
botuar në të gjallë të tij, përveç atyre të lëna në dorëshkrim, për të cilat bashkë
me djemtë, Blerimin e Butrintin, u kujdesa të gjenin dritën e botimit pas
ndarjes së tij nga jeta më 1 dhjetor të vitit 2020, më lejoni sot t’i them edhe
unë dy-tri fjalë, pa radhë.
Kam
bindjen e plotë dhe të konsoliduar se figura e shkrimtarit Hasan Hasani dhe
vepra e tij letrare, me kalimin e viteve, jo vetëm nuk do të zveniten e
harrohen, por do të vijnë përherë e më të afërta dhe më të dashura për
lexuesit, studjuesit e kritikët e letërsisë shqiptare. Një takim si ky i sotmi,
pa asnjë mëdyshje, është hapi i duhur e me shumë rëndësi në udhën e përafrimit
të tyre me të vërtetën, që nuk mund të heshtet. Dhe më vjen jashtëzakonisht
mirë se ky hap hidhet sot nga Karvani i Shkrimtarëve për Fëmijë, aty ku Hasani
shërbeu mbi tridhjetë vite dhe ku shkroi jo pak por plot 11 vepra në poezi e ku
punoi e drejtoi revistën “Pionieri” si redaktor e kryeredaktor, duke qenë
ndoshta edhe më jetëgjati (nuk jam i sigurt për këtë!) në ato funksione.
Fëmijët janë gazi i të sotmes dhe drita e së nesërmes, e unë uroj që edhe kjo
veprimtari të jetë një ogur i mirë në shpalosjen e transmetimin tek brezi i ri
të aktivitetit e të produktit letrar të shkrimtarit të ndjerë.
Kur
në fundin e jetës së tij po përgatitja për botim librin monografik “Hasan
Hasani-Përkola: Dushkaja emër, Mirdita mbiemër”, thuajse me të vjedhur e pa ia
treguar qëllimin, i mora atij një intervistë në distancë, njëra nga pyetjet e
rëndësishme kishte të bënte pikërisht me letërsinë për fëmijë. Përgjigja e tij
më hodhi shumë më larg se sa unë e paramendoja atë. Pse? Sepse Hasani e
vlerësoi këtë zhanërr të letërsisë si njërin nga më të vështirët dhe më thotë
se këtë e kam nisur si një detyrim, jo si natyrshmëri, duke më kujtuar se në
vitet 1971-1977, pas një kritike fundosëse që kishte marr si shkrimtarë për të rritur,
autor i librit me poezi “Dallgët e vërrinit”, e ku kritika konsideronte se
“…tema dhe motive të tilla,…, nuk mund të sillnin kurrfarë mendimesh të thella,
kurrfarë ndjenjash të fuqishme, kurrfarë vizionesh interesante të jetës…”, pasi
kishin mbetur pas e nuk ndiqnin ritmet e jetën e re nën socializëm etj.
Atëherë, thotë shkrimtari, nuk guxonte kush t’i botonte më vjershat e mija,
prandaj iu kushtova punëve redaksionale dhe letërsisë për fëmijë. E flet qartë
këtë edhe fakti se shkrimtari, për çdo vit të jetës së tij na ka lenë
mesatarisht nga një vepër të botuar, por po të vështrosh këto vite kemi prej
tij vetëm dy: “Më bekoi pa gjuhë” (1971) dhe “Suferinë” (1977). Edhe cikli i
krijimatrisë për fëmijë për Hasanin, që nisi me “Ajkuna e Rrugovës” (1978) dhe
u mbyll me “Kur fle Mali” (2016) erdhi prej tij thuajse i njëjti, por duke qenë
disi i maskuar pas zërave fëminorë, mbeti larg syve të kritikës së lartë e me
syze ideologjike dhe e gjeti natyrshëm udhën e publikimit.
Për
brezin e ri të sotëm, është me vlerë të kujtojmë se krijimtaria letrare në 5
dekadat e fundit të shekullit të XX-të, nuk ka qenë e lehtë për shqiptarët. Në
Shqipëri, ideologjia shihte me lupë zmadhuese çdo fjalë të shkruar, e burgu
mund të ishte çmimi i një krijimtarie që në qendër nuk kishte Enverin,
socializmin, partinë e ideologjinë marksiste-leniniste. Për shkrimtarët nën
ish-Jugosllavi, veç ideologjisë, regjimi vinte në pikëpyetje edhe çdo fjalë të
tyre që nuk i thurte lavde Serbisë e nuk e pranonte hegjemoninë e saj, nën
parullën e bashkim-vllazërimit të popujve. Por letërsia hyn në atë kategori
gjerash që shtypja e represioni, jo vetëm nuk e ndalin dot, por e “detyrojnë”
atë të bëhetedhe më cilësore. Hasan Hasani, si shumë të tjerë shkrimtarë të Kosovës
të atij brezi, e vuajti përndjekjen serbe, për fat jo me burgosje si shumë prej
tyre. Në intervistën e më sipër përmendur, e fundit e dhënë prej tij, më
shpalosi të paktën tri raste evidente të rrezikut nga represioni serb i kohës.
Rasti i parë i treguar prej tij ka të bëj me librin Gurëkala: Ishte viti 1981,
kur ai pas mbresave të fituara nga vizita e parë në Shqipëri, së bashku me një
koloni shkrimtarësh kosovarë, kishte përgatitur për botim këtë libër
(Gurëkala), por atëhere, siç ka ndodhur me shumë prej brezit të shkrimtarëve të
kohës, regjimi serb, duke kërkuar “gjilpërën në kashtë” e kishte pikësynuar
edhe Hasanin në radhën e irredentistëve, si i quanin ata që frymonin shqip.
Vetëm Nazmi Rrahmani, do të kujtonte shkrimtari, e kishte shpëtuar atë nga një
burg i sigurt, duke e fshehur tirazhin e librit të sapobotuar e të pa dalë nga
shtypshkronja, diku në magazinat e shtëpisë botuese, dhe duke e mbuluar atë
kryesisht me libra nga shkrimtarët e huaj dhe ata jugosllav. Libri doli nga
“vetburgosja” 10 vite me pas, në vitin 1991, kur era e lirisë frymoi edhe në
Kosovë. Rasti tjetër ka të bëj me një tregim të Sabri Rustemit, botuar në
“Fjala” ku ai ishte redaktor. Me shkas nga ai shkrim ishin burgosur vetë
shkrimtari Sabit Rrustemi dhe kryeredaktori Sabedin Haliti, e ku vetë Hasani,
vetëm për pak, nga i thirrur dëshmitarë në gjyq, kishte rrezikuar të kalonte në
i akuzuar! Ndërsa rasti i tretë i përket vitit 1987, dhe lidhet me monografinë
kushtuar social-demokratit jugosllav Dimitrie Tuciviq, hartuar nga Zekeria Cana
(1983), të cilit Hasani i botoi një intervistë të gjatë në “Fjala”, ku ishte
redaktor përgjegjës për atë kategori shkrimesh, por që i kushtoi atij kalimin
(si dënim) si redaktor i revistës “Pionieri”, ku shkrimtari prej atëhere e
derisa dha frymën e fundit, ju kushtua asaj reviste e krijoi lerërsi të arrirë
për fëmijë, duke u bërë edhe më i plotë si shkrimtarë. Se kot nuk thonë: Jo çdo
e keqe, vjen veç për té keq!
Thashë
më lart se figura e vepra e Hasanit, me largimin e viteve do të na bëhen më të
afërta, dhe se kjo është bindja ime e bazuar! Ku? Është e bazuar tek thelbi i
tij si karakter dhe i veprës së tij madhore si shkrimtarë. Të gjithë e dimë se
Hasani thuajse nuk shkruante asgjë fluturake e të pa bazuar në frymëzime
konkrete, fakt që thuajse për shumë vite e çoi veprimtarinë e tij krijuese në
një ferr - gijotinë nga kritika e kohës, kur pas “Krojeve të bardha” që e
ngritën në qiell, “Dallgët e Verrinit” rrezikuan seriozisht ta marrin me vete!
Kjo karakteristikë, mbështetja në frymëzime reale, kënga për atdheun,
vendlindjen, traditën e bukur, heroizmat shqiptare dhe dashuria për to, e
ngrenë lart e do ta mbajnë përherë të afërt produktin e tij letrar. Modernizmat
po na përfshinë shpejt edhe ne si komb shqiptarë, e ato krahas të mirave të paçmueshme,
po na shkaktojnë edhe plot plagë e dhimbje. Trojet tona sot po e lotojnë
mungesën e rinisë, punët tona po vuajnë mungesën e krahëve të punës, odat tona
s’po dëgjojnë më tinguj të çiftelisë e lahutës, as kangët e Bajrush Dodës,
pakuptimësitë mes nesh nuk po zgjidhen më nga burrat e urtë ndër oda kuvendesh,
por në gjyqe që as nuk flasin shqip, letërsia jonë po bëhet përherë e më e
largët me realitetin, e të gjitha këto, herët a vonë do t’na referojnë tek
Krojet e Bardha, tek Dallgët e Verrinit, tek Gurëkala, Ajkuna e Rrugovës,
Abetarja e UÇK-së, Kur fle Mali, Ulërima, Kodi i gjakut e të tjera vepra
madhore të shkrimtarit, tashmë të ndjerë, Hasan Hasani.
Jo
vetëm kaq, por të shkruarit me dashuri, me ndjenjë, me shpirtin që i paraprinë
mendjes e dorës së shkrimtarit, do të na referojnë drejt tij e brezit të tij.
Shkrimtarët e sotëm, natyrisht jo të gjithë, po shkruajnë pa ndjenjë, pa
dashuri, pa kënaqësinë e kontributit për brezat, pra shkruajnë ftohtë e të
bëjnë të mos ndjehesh mirë në zhguallin tënd, kur i lexon. Për më tepër të
shkruash për fëmijë pa përmasën e dashurisë së pa kufi për ta e të
përgjegjshmërisë për t’ua përzgjedh atyre, në përputhje me moshën, materialin
që ua përcjell, ose është e pamundur
(kot nuk thuhet se i rrituri që humbet krejtësisht fëmijërinë brenda
tij, nuk është i plotë!), ose kontribon në të kundërtën e misionit të
letërsisë, duke mbetur i shkëputur dhe i pa kuptuar nga lexuesi.
Hasan
Hasani, në jetën e vet e plotësoi mirë misionin hyjnor si njeri, së pari në
familje duke rritur fëmijë, nipa e mbesa për t’i patur zili, dhe sigurisht edhe
si shkrimtarë me punë e vepra të arrira, që nuk mund të harrohen lehtë.
Lavdi
emrit e veprës së pavdekshme të Hasan Hasanit!
Faleminderit
që më dëgjuat!
Prishtinë, më 1 dhjetor 2025









