E shtune, 06.12.2025, 08:42 PM (GMT)

Kulturë

Luan Tashi: Naim Frashëri në letërsinë shqipe dhe persiane (iraniane)

E shtune, 06.12.2025, 06:54 PM


NAIM FRASHËRI NË LETËRSINË SHQIPE DHE PERSIANE (IRANIANE)

Nga Prof. MA Luan TASHI, Prishtinë

Letërsia është ndikuar gjithmonë nga zhvillimet historike, politike sociale dhe kulturore. Në hapësirat e Ballkanit, ndërveprimet e para midis popujve nisën përmes gjuhës dhe vazhduan përmes traditave, kulturës dhe letërsisë. Gjatë pesëqind vjet sundimi të Perandorisë Osmane në Ballkan, pothuajse të gjitha gjuhët ballkanike u ndikuan nga turqishtja. Pas pranimit të islamit, përmes turqishtes u përhapën edhe elemente të arabishtes dhe persishtes, të cilat hynë edhe në gjuhën shqipe.

Ndër vendet e Ballkanit, Shqipëria ka pasur gjithmonë një rëndësi të veçantë, që lidhet drejtpërdrejt me marrëdhëniet historike dhe kulturore midis shqiptarëve dhe turqve. Në veprat e para të shkruara në gjuhën shqipe gjatë shekujve XVI dhe XVII, ndikimi i turqishtes është tepër i dukshëm. Gjatë kësaj periudhe, rritja e numrit të fjalëve turke dëshmon gjithashtu zgjerimin e fjalorit shqip. Deri në fillim të shekullit XX, Shqipëria ishte pjesë e Perandorisë Osmane dhe njohja e poezisë, e letërsisë dhe e kulturës persiane, luajti rol të rëndësishëm në përhapjen e persishtes. Duke marrë parasysh praninë letërsisë persiane në kombet e ndryshme, ndikimi i saj mbi poetët e Ballkanit nuk është befasues. Edhe Naim Frashëri, një nga poetët më të rëndësishëm të letërsisë së Shqipërisë, shkruajti dhe botoi në persisht, kësisoj ushtroi ndikim në letërsinë persiane të fund-shekullit XIX.

Orientalistja dhe studijuesja shqiptare Genciana Abazi-Egro (1970-2024) ka konstatuar se ndikimi i parë i turqishtes mbi shqipen ishte kryesisht në nivel leksikor. Ajo vëren se ekzistojnë rreth 4,000 fjalë turke në gjuhën shqipe. Ky fenomen mund të shpjegohet nga fakti që Shqipëria ishte nën ndikimin e adminsitratës osmane, e cila e kishte ndaluar përdorimin e gjuhës shqipe. Fjalët e para turke që hynë në shqip në shekullin XV - XVI lidhen kryesisht me luftën, veshjet dhe pajisjet shtëpiake. Gjatë sundimit Osman në Ballkan, të gjitha gjuhët ballkanike u ndikuan nga turqishtja; megjithatë, nuk ishte i njëjtë për të gjitha gjuhët. Afanasy Matveevich Selishchev (socio-linguist dhe dialektolog rus (1886-1942) thekson se fjalët turke janë më shumë në gjuhët sllave dhe në shqip, më pak në rumunisht dhe në greqisht.

Pas pranimit të islamit, turqishtja u përhap në vendet ballkanike dhe përmes saj në shqip hynë elemente të arabishtes dhe persishtes. Fillimisht kjo ndikoi vetëm gjuhën si shprehje e kulturës së re, duke sjellë koncepte

për shoqëritë ballkanike. Ndërveprimet e hershme gjuhësore më pas u pasuan nga ndikimi kulturor, tradicional

dhe letrar, fillimisht me veprat letrare gojore në turqisht, më pas në arabisht dhe persisht.

Ndikimi islamik në letërsinë shqiptare u bë i dukshëm në shekullin XVIII. Zhvillimi i qyteteve shqiptare dhe intensifikimi i aktiviteteve sociale dhe ekonomike krijuan kushtet për formimin e një shtrese të re shoqërore. Me zhvillimin e qyteteve në frymën e civilizimit osman, u ngritën medrese, teqe dhe zavije (vend i mësimit fetar), ndërsa brenda këtij konteksti u formuan përfaqësuesit e parë të kulturës, artit dhe letërsisë. Nevoja kulturore dhe artistike e kësaj shtrese të edukuar në medreset osmane e përbërë nga pjesëtarë të kulturës islame solli lindjen e një letërsie të re, ku veprat e para u shkruan në turqisht nën ndikimin e letërsisë arabe dhe persiane.

Disa nga veprat më të rëndësishme të letërsisë shqiptare u krijuan nga vëllezërit Sami dhe Naim Frashëri, si dhe nga Vaso pashë Shkodrani (turqisht: ??kodral? Vaso Pa?a; 1825-1892, i njohur në letërsinë shqipe si Pashko Vasa). Gjatë periudhës osmane, arsimimi dhe përdorimi i gjuhës islame bëhej kryesisht në turqishtja, gjuha e administratës, ndërsa për ata që merreshin me artin, letërsinë dhe kulturën, gjuha e ndjenjave dhe mendimeve ishte persishtja. Osmanët themeluan medrese dhe teqe në qytete të ndryshme të Shqipërisë, ku mësohej gjuha dhe letërsia persiane. Teqet e bektashive shërbenin si vendet ku lexoheshin dhe përjetoheshin veprat klasike të letërsisë islame. Një nga këto teqe, që kontribuoi në zhvillimin e mendimit “tasavvuf” (rrugë shpirtërore drejt afërsisë me Zotin) dhe përhapjen e gjuhës persiane mes shqiptarëve, u themelua në fshatin Frashër të rrethit të Përmetit. Në këtë teqe u formuan figurat më të shquara të letërsisë dhe mendimit shqiptar, përfshirë vëllezërit Dalip, Shahin, Sherif, Abdyl, Naim dhe Sami Frashëri.

Derisa Shqipëria mbeti pjesë e Perandorisë Osmane deri në fillim të shekullit XX, populli i saj mësonte islamin, poezinë persiane dhe kulturën iraniane kryesisht përmes turqishtes. Kjo ndikoi në përhapjen e gjuhës persiane (farsi) në këto territore dhe bëri që figura të rëndësishme fetare shqiptare, si shehët dhe mësuesit nëpër medreset, të vlerësonin gjuhën dhe kulturën iraniane/persiane. Disa studiues theksojnë se përhapja e kulturës iraniane në Shqipëri u mundësua edhe nga tasavvufi dhe tarikatet Bekta?i, dhe se qendra e tyre në qytete si Shkodër, Korçë, Berat dhe Elbasan ka kontribuar në përhapjen dhe ndikimin e letërsisë persiane.

Naim Frashëri

Naim Frashëri u lind më 25 maj 1846 në fshatin Frashër, në atë kohë Vilajeti i Janinës. Naimi ishte djali i Halit Frashërit, i cili ishte timar bej (zyrtar i lartë që administronte pronën tokësore e dhënë nga sulltani, por jo pronarë i saj) dhe pjesëtar i një familjeje të arsimuar. Nëna e tij, Emine, u lind në familjen me origjinë nga Ilaz Bej Mirahori, 1408-1511 (komandant ushtarak dhe guvernator shqiptar në Perandorinë Osmane, i cili

shërbeu pranë sulltanit Bayezid II), i njohur për shërbimet ndaj fesë islame, veçanërisht ndaj Bektashizmit.

Naim Frashëri ishte vëllai i madh i Samiut, gazetar, leksikograf dhe gjuhëtar i shquar i letërsisë turke pas periudhës së Tanzimatit. Naimi kreu arsimin fillorë në fshatin e tij, në shkollë ku mësohej në gjuhën turke, por

Ai frekuentoi dhe mësimet e arabishtes dhe të persishtes në teqen e Bektashive të fshatit.

Pas vdekjes së Halitit, babait të Naimit në vitin 1859 dhe të nënës Emine, dy vite më vonë, vëllai i tij Abdyli

u largua për në Janinë për të nisur aktivitetin e tregëtisë. Në vitin 1865, Abdyli mori dhe familjen Frashëri në Janinë, ku Naimi së bashku me vëllanë Samiun kryen arsimin në shkollën “Zosimea” në Janinë, në të njejtën shkollë ku mësuan edhe rilindasit shqiptarë, si: Konstantin Kristoforidhi, Jani Vreto, Ismail Qemali e shumë të tjerë. Gjatë studimeve në Zosimea, vëllezërit Frashëri u njohën me zhvillimet moderne kulturore të Evropës, përfshirë letërsinë franceze, që kishte ndikim të madh mbi ata. Gjatë kësaj periudhe Naimi mësoi greqishten, frëngjishten dhe italishten.

Në Janinë frekuentoi dhe medresenë, ndoqi mësime nga mësues të njohur, si Jakup Efendia, i cili e ndihmoi të zhvillojë njohuritë e tij në arabisht dhe persisht. Në këtë periudhë, Naimi filloi të lexonte poezi nga autorë të shquar të letërsisë persiane, si Hâf?z Ahmed Sa’dî (? - 1882) dhe Firdevsî Çelebi (1453-1517), duke thelluar kështu interesin e tij për poezinë.

Pas përfundimit të shkollës së mesme në vitin 1871, së bashku me Samiun, shkuan në Stamboll, ku punuan në “Matbuat Kalemi” (“Matbuat” në turqisht i referohet botimeve të shtypura, si gazeta, revista etj.). Sipas nipit të Naimit, Mid’hat Frashërit (alias: Lumo Skendo; 1880-1949), gjatë qëndrimit në Stamboll, Naimi punoi si mësues i persishtes për një periudhë të shkurtër. Mid’hati shkruan: “Naimi të premteve dhe të dielave nuk shkonte në zyrë. Në ato ditë unë kisha mësime në persisht. Së bashku lexuam të gjithë Gülistân-in, Bûstân-in dhe disa pjesë nga Hafizi.(Gülistân në persishte “Kopshti i trëndafilave” vepër e poetit persian Sa’di Shirazi; Bûstân në persishte “Kopshti” është vepra e Sa‘dit; ndërsa Hâfiz-i ishte poeti i famshëm persian Hafiz Shirazi, i njohur për Divanin e tij, një përmbledhje me gazele dhe poezi mistike, dashurie dhe filozofike).

Në atë periudhë, Naimi përgatiti një gramatikë e gjuhës persiane për studentët turq, e cila ishte vepra e tij e

parë, libri i gramatikës persiane Kavâ?id-i Fârsiyye ber-Tarz-? Nevîn” (Rregullat e persishtes sipas metodës së re), e botuar në Stamboll në vitin 1871.

Gjatë qëndrimit në Stamboll, Naimi u sëmur nga tuberkulozi dhe vendosi të kthehej në Shqipëri, duke punuar një periudhë si funksionar admistrate në Berat, ndërsa gjatë viteve 1874-1877, nëpunës në doganën e Sarandës.

Naimi kishte adaptuar mbesën Asije. Pas vdekjes së prindërve, Asija u rrit nën kujdesin e xhaxhait të saj Naim Frashërit; kjo rrethanë shpjegon pse ajo njihej si “vajza e madhe e Naimit” Në kontekstin e jetës së Asije Frashërit, vajzës së Sherif Frashërit, vëllait të të familjes Frashëri, është e rëndësishme të theksohet se në vitin 1878, Murad Bej Toptani (1866?1918) atdhetar, nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë, poet dhe skulptor, u njoh me Asijen, e cila në atë periudhë studionte në Liceun “Notre Dame de Sion” në Stamboll. Më vonë, Asija do të bëhej bashkëshortja e Murad Bej Toptanit dhe kjo është rrethana pse Muradi konsiderohej si dhëndri i Naim Frashërit, poetit të shquar shqiptar.

Gjatë qëndrimit në Janinë, në vitin 1873, Naimi filloi të shkruante poezitë e tij të para në persisht. Këto poezi u mblodhën më vonë në një revistë të quajtur Tahayyülât (Ëndrrat), e cila u botua në Stamboll në vitin 1885. Gjatë periudhës 1879-1881, jetoi përsëri në Janinë, por për shkak të intensifikimit të veprimtarisë politike dhe lëvizjeve të grupeve nacionaliste greke, Naimi dhe familja e tij në fillim të vitit 1882 u zhvendosën në Stamboll.

Për shkak të aftësive të tij të shprehjes në fushën e letërsisë dhe përkthimeve, u caktua si anëtar i Encümen-i Tefti? ve Mu’ayene (Këshilli i Inspektimit dhe i Shqyrtimit) pranë Ministrisë Osmane të Arsimit dhe më vonë u emërua kryetar i këtij komiteti.

Naimi vdiq në Stamboll në vitin 1897 dhe u varros në varrezat e Teqes së Bektashinjëve të Merdivenköy (lagje në rrethin e Kadikoj në Stamboll). Më 1937 eshtrat e tij u sollën në Shqipëri dhe u rivarrosën në Kryegjy-shatën Bektashiane në Tiranë. Më 10 qershor 1978 eshtrat e tij dhe të vëllezërve u rivarrosën në Kodrat e Liqenit në Tiranë. Data e saktë e vdekjes ka qenë subjekt diskutimi. Bursal? Mehmed Tahir Beu (shkrimtar, studiues, ushtarak dhe deputet turk, i njohur për veprat e tij biografike dhe bibliografike; 1861-1925), vdekjen e Naimit e caktoi në vitin 1897, ndërsa Muhammed Aruç në Encyclopaedia Islamica, datën e vdekjes e ka regjistruar 19 nëntor 1900. Studiues perëndimorë, shqiptarë dhe iraniane konfirmojnë vdekjen e Naimit në vitin 1900.

Veprat e Naim Frashërit

Naim Frashëri ishte një nga poetët më kryesorë të Shqipërisë dhe veprat e tij pasqyrojnë përpjekjen për të bashkuar traditën sufiste me filozofinë perëndimore [tasavvufin (sufizëm - tradita shpirtërore dhe mistike brenda Islamit) që synon pastrimin e shpirtit, afrimin me Zotin dhe jetesën e brendshme shpirtërore]. Poezitë e tij reflektojnë ndikimin e Bektashizmit, si dhe idetë e tij nacionaliste për Shqipërinë, duke shërbyer si themel i ideologjisë së tij shpirtërore dhe artistike. Bursal? Mehmed Tahir Beu e përshkruan Naimin si poet të lindur me talent të jashtëzakonshëm.

Naim shkroi në shqip, turqisht dhe farsi/persisht. Veprat e tij në shqip u botuan kryesisht nga shoqëria shqiptare Drita në Bukuresht. Shumica e tyre ishin abetare dhe tekste për nxënësit e shkollave fillore, duke përfshirë përralla në stilin e La Fontaine (Jean de La Fontaine; 1621-1695), vepra mësimore për historinë e popujve dhe shteteve të ndryshme, si dhe përvoja etike dhe morale për fëmijët, të shkruara në formë proze dhe poezie.

Në vitin 1886, Naimi shkroi një vepër poetike prej 450 vargjesh mbi blegtorinë dhe bujqësinë, ndërsa në vitin 1890 botoi një përbledhje poetike të titulluar Lulet e Verës, duke shprehur identitetin kombëtar shqiptar, dhe modernizoi lirikën shqipe. Po ashtu, shkroi një kronikë poetike për Skenderbeun midis viteve 1890-1895, si dhe Qerbelaja (Kerbelâ, i referohet qytetit në Irak, i njohur kryesisht për Betejën e Karbalës, shpesh lidhet me sakrificën, martirizimin, tek myslimanët shiitë), një poemë epike mbi historinë islame.

Përveç kësaj, Naimi përktheu nga greqishtja në shqip Iliadën e Homerit dhe botoi katër libra të përkthyera në gjuhën greke: “????? ???? ?????????” Himni i Lirisë, Bagëti e Bujqësi, fragmente të Divanit, Katër Stinët; Në vitin 1886 botoi një libër në Bukuresht, dhe më 1895 një në Stamboll.

Shkrimet e tij në shqip, si poezi ashtu edhe prozë, rritën vlerën e gjuhës shqipe në kulturën kombëtare dhe sot vazhdojnë të përdoren si baza e mësimit të letërsisë në shkollat shqipe. Naimi është themeluesi i formës së “gazelit” (formë poetike tradicionale lindore) në letërsinë shqipe, një formë që ai e përdori për herë të parë në veprën e tij mbi blegtorinë dhe bujqësinë. Poezitë e tij përmbajnë reflektime filozofike mbi unitetin e ekzistencës, pasigurinë dhe frikën, duke u kombinuar me romantizmin evropian, dhe duke u dhënë gazeleve një dimension universal dhe njerëzor. Në Lulet e Verës, ai trajton jetën dhe vdekjen, kalimin e kohës dhe kujtimet, si dhe dashurinë dhe përkushtimin ndaj krijuesit të botës, duke i kombinuar me filozofi. Poezia epike, përfshirë Historia e Skënderbeut dhe Qerbelaja prej 9.000 vargjesh, shpreh themelin e letërsisë epike shqipe.

Kavâ?id-i Fârsiyye ber-Tarz-? Nevîn (Rregullat e persishtes sipas mënyrës së re)

Ky është një libër gramatikorë persian, i shkruar me shpjegime në turqisht për studentët turq, dhe është vepra e parë e Naim Frashërit. Libri u botua në Stamboll në vitin 1871 nga Shtëpia Botuese ?irket-i Mürettibiye Matbaas? (Shtypshkronja e Kompanisë Mürettibiye). Libri Kavâ?id-i Fârsiyye ber-Tarz-? Nevîn është libri i parë modern persian i gramatikës i shkruar në stil perëndimor.

Libri përbëhet nga gjithsej 65 faqe. Në faqen e parë, autori ka shënuar si ?an-a?zâ-y? Encümen-i Ma’ârif (anëtar i Komitetit të Arsimit). Libri fillon me një hyrje të shkurtër dhe përfshin dy seksione kryesore dhe gjashtë kapituj. Për shkak se Naimi kritikonte sistemin e mësimit të persishtes në institucionet osmane, ai përdori këtë libër si bazë për të krijuar një metodologji të re të mësimit të persishtes.

?htirâât ve Ke?fiyyât (Zbulime dhe shpikje)

Libri ?htirâât ve Ke?fiyyât (Zbulime dhe shpikje) në kopertinë Naimi është i nënshkruar si M. Na?îm (turqisht: Mehmed Naîm Frâ?irî). Libri u botua në vitin 1881 në Stamboll, në Shtëpinë Botuese “Mihran Matbaas?”. Vepra përbëhet nga një hyrje dhe një përfundim dhe ka gjithsej 76 faqe.

Në hyrje, Naimi kritikon librat e mëparshëm për mënyrën se si ata trajtojnë historinë e njerëzimit, duke theksuar se informacioni i dhënë është i pjesshëm dhe jo i mjaftueshëm: “Ashtu siç është e panjohur gjatësia e kohës që ka kaluar nga paraqitja e njeriut e deri në fillimin e epokave historike të regjistruara, po ashtu edhe gjendjet e këtyre kohërave, më parë, vetëm deri diku mund të kuptoheshin prej miteve të popujve të lashtë dhe prej disa librave dhe poezive që sillnin rrëfime të natyrës legjendare; megjithatë, ato ende ndodheshin brenda një errësire plot dyshime.

Në pjesën hyrëse, autori paraqet njëzet e dy vargje të marrë nga prologu i Shahnamasë (persisht: ?ehnâme) së Abul-Kasim Firdevsî (një prej veprave më të rëndësishme të letërsisë persiane dhe një nga poemat epike më të mëdha në botë), të cilat rrëfejnë shfaqjen e parë të njerëzimit. Në këtë mënyrë, referencat e para lidhur me njerëzimin në ?htirâât ve Ke?fiyyât (Zbulime dhe shpikje) burojnë nga mitologjia persiane, konkretisht nga epopeja Shahname. Kjo na lejon të kuptojmë se edhe Naïmi besonte se njeriu i parë është shfaqur fillimisht në malet e Iranit. Pra, Shahnameja e Firdevsît përfaqëson pikën epistemologjike të Naimit për të kuptuar origjinën e njerëzimit, duke treguar influencën e thellë të literaturës persiane mbi mendimin e tij historik dhe filozofik.

Fusûl-i Erba’a (Katër stinët)

Vepra Fusûl-i Erba’a (Katër stinët) përshkruan dashurinë e dy të rinjve, të cilët ndihen dhe veprojnë sipas ndryshimeve të stinëve të vitit, ka gjithsej 127 faqe. Libri u botua në vitin 1883 në Stamboll, në Shtëpinë Botuese Mihran Matbaas?. Në faqen e parë, autori është shënuar si M. Na?îm (turqisht: Mehmed Naîm Frâ?irî), ndërsa mbi ballinë gjendet shprehja: “Frans?zcadan ma’h? u?z? dur” (Është marrë nga frëngjishtja). Ky shënim ka nxitur diskutime mbi origjinën e romanit. Nëse vepra është përkthim, si ndodh në rastin e përkthimit të Iliadës së Homerit, autori origjinal mund të mos jetë përmendur. Megjithatë, ekziston mundësia që Naimi të ketë marrë temën dhe personazhet nga një vepër e letërsisë franceze.

Sipas studiuesit Nasho Jorgaqi (1931-2022), analiza e ideve të përmbajtjes sugjeron se ky roman është një

krijim origjinal i Naim Frashërit. Në këtë kontekst, edhe profesoresha dhe albanologia Agnija Desnickaja (1912-1982) nga Universiteti i Leningradit, e njohur për studimet e saj mbi gjuhën shqipe dhe letërsinë shqiptare, ka konkluduar se vepra nuk është përkthim, por një krijim origjinal i autorit, bazuar në tiparet e kompozicionit dhe stilit. Romani ka strukturë të shkurtër dhe ndahet në katër seksione kryesore, secili i ndarë më tej në nënkapituj. Sejcilit seksion i është dhënë emri i stinës përkatëse në arabisht. Seksioni i parë, rabî’ (pranvera), përmban 25 nënkapituj të shkurtër; seksioni i dytë, sayf (vera), ka 38 nënkapituj; seksioni i tretë, harif (vjeshta), përbëhet nga 24 nënkapituj; ndërsa seksi i katërt, ?ita (dimri), ka 13 nënkapituj të shkurtër.

Fusûl-i Erba’a (Katër stinët) është një roman liriko-narrativ i kushtuar dashurisë. Ai nuk ka një rrëfim kronologjik të ngjarjeve, por vendos dashurinë e dy të rinjve në kontekstin e natyrës dhe stinëve të ndryshme. Personazhet janë një vajzë dhe një djalë të paemërtuar, dhe dashuria e tyre paraqitet kryesisht përmes shëtitjeve në natyrë përgjatë katër stinëve të vitit. Gjendja psikologjike e personazheve paraqitet në harmoni të plotë me natyrën, e cila shërben si dëshmi e dashurisë.

Motivi kryesor i romanit pasqyron traditën e poezisë lindore: dashuria midis zogut (zakonisht bylbylit) dhe trëndafilit. Flora e pasur dhe lule të ndryshme si trëndafili, karafili, zambaku, jasemini dhe borziloku, përdoren për të theksuar stinët dhe tiparet karakteristike të natyrës. Përveç kësaj, perceptimi poetik i jetës reflekton mentalitetin dhe kulturën e kohës dhe vendit ku jetonte Naim Frashëri, duke përfshirë elementë të identitetit dhe estetikës lokale.

Farsça Eserleri “Hayaller” (Vepra persisht “Imagjinime”)

Në poezinë e tij në gjuhën persiane, Naim Frashëri frymëzohet nga klasikët e mëdhenj të Farsit (gjuhës

persiane), si Ferîdüddîn Attâr-i Ni?âbûrî, Mevlânâ Celâleddîn-i Belhî dhe ?eyh Sa?dî-i ?îrâzî. Bukuria e poezive të tij nuk qëndron vetëm në faktin që ato dëgjohen në një gjuhë të huaj, por edhe në mjeshtërinë e përdorimit të figurave të Farsit, shprehjeve dhe detajeve që shfaqen në tekst. Poezia e tij karakterizohet nga thjeshtësia dhe rrjedhshmëria; nuk ka lëvdata të vetvetes, servilizëm, ekzagjerim apo paragjykim. Në vend të kësaj, ka qëllim, mësimin dhe urtësinë.

Një nga veprat e tij kryesore në këtë gjuhë persiane është Tahayyülât (imagjinime), një koleksion poetik i botuar në vitin 1885 në Stamboll, në Shtëpinë Botuese Mihran Matbaas?. Vepra përbëhet nga 24 poezi, të shkruara të gjitha në formën e Mesnevî-së (formë e veçantë poetike në letërsinë orientale, veçanërisht në literaturën persiane, osmane dhe turke), ku ndikimi i dukshëm i Mesnevî-së së Mevlânâ-s është i pranishëm. Çdo poezi ka një titull dhe në pjesën e poshtme, vitin e shkrimit. Në total, Tahayyülât përmban 501 vargje.

Nga pikëpamja e stilit dhe të figurës letrare, vargjet e Naim-it nuk janë të pasura në metafora komplekse, por përmbajnë figura me natyrë kryesisht emocionale; megjithatë, herë pas here shfaqen elemente të pasura të personaliteteve letrare. Tahayyülât shpreh një kombinim të filozofisë islame dhe misticizmit sufist, duke reflektuar ndjenjat njerëzore dhe trajtuar tema të tilla si jeta dhe vdekja, bukuria dhe dashuria, misteri i universit, fuqia hyjnore dhe natyra njerëzore.

Konferenca ndërkombëtare e mbajtur në Teheran në nderim të poetit shqiptar Naim Frashëri

Në datën 4 mars 2017, në Teheran u organizua Konferencë ndërkombëtare kushtuar mendimtarit dhe poetit shqiptar Naim Frashëri, me temën Studimi i mendimit të Naim Frashërit”. Ky aktivitet akademik përbën një moment të rëndësishëm në afirmimin e figurës së Naim Frashërit në arenën ndërkombëtare, duke nxjerrë në pah jo vetëm dimensionin e tij kombëtar, por edhe lidhjet e tij me kulturën dhe letërsinë persiane.

Konferenca u mbajt në sallën e konferencave “Shehid Motahari” Tarbiat Modares University në Teheran. Organizatorët theksuan rëndësinë e këtij aktiviteti, duke evidentuar kontributin e Naim Frashërit si poet, dijetar dhe njohës i literaturës persiane. Përmes kësaj konference, studiuesit patën mundësinë të shqyrtonin dimens-ionin “perso?iranologjik” të veprës së tij, duke analizuar aftësitë e tij në gjuhën persiane, ndikimin e kulturës iraniane mbi krijimtarinë e tij, si dhe rolin e tij në afirmimin e identitetit kombëtar shqiptar.

Qëllimi kryesor i konferencës ishte promovimi i dijes për Naim Frashërin jo vetëm brenda botës shqiptare, por edhe për publikun iranian dhe akademik ndërkombëtar. Përmes referimeve dhe punimeve shkencore të prezantuara, u bë e mundur një pasqyrë e thelluar e mendimit dhe veprës së Naimit, duke evidentuar ndikimet historike, kulturore dhe gjuhësore që formësuan krijimtarinë e tij letrare. Konferenca përfshiu gjithashtu botime të veçanta dhe aktet shkencore të lidhura me Naim Frashërin, të cilat ofruan një burim të vlefshëm për studime të mëtejshme në fushën e albanologjisë dhe iranologjisë.

Ky aktivitet shërben si një mjet për fuqizimin e lidhjeve ndërkulturore, duke evidentuar përputhjet dhe dialogun ndërmjet dy traditave letrare dhe intelektuale, atë shqiptare dhe iraniane. Konferenca theksoi se Naim Frashëri, përtej kontekstit kombëtar, mund të shihet si një figurë e dialogut kulturor ndërkombëtar dhe si një urë lidhëse mes Lindjes dhe Perëndimit.

Konferenca ndërkombëtare e mbajtur në Teheran në nderim të Naim Frashërit, përbën një shembull të

rëndësishëm të përpjekjeve për afirmimin ndërkombëtar të personaliteteve tona kombëtare. Kjo konferencë pasqyron rëndësinë e bashkëpunimit akademik, promovimin e trashëgimisë kulturore dhe rolin e studimeve letrare si instrument për të forcuar dialogun ndërkombëtar.

Në këtë kuadër, Naim Frashëri nuk është vetëm një poet kombëtar, por edhe një figurë e njohur në kontekstin e letërsisë dhe kulturës globale.

Portreti i Naim Frashërit në pullet postare dhe nderimi i tij në Iran.

Në vitin 1997, Republika Islamike e Iranit publikoi një pullë postare përkujtimore, ku portreti i Naim Frashërit u vendos si simbol i respektit për poetin dhe dijetarin shqiptar. Në këtë pullë lexohen fjalët: “Naim Frashëri Albanian Muslim. Persian Speaking Poet” (Naim Frashëri, mysliman shqiptar. Poet që flet persisht), duke evidentuar jo vetëm identitetin kombëtar dhe fetar të Naimit, por edhe njohuritë e tij në letërsinë persiane.

Ky akt filatelik ka rëndësi të dyfishtë: për një pjesë të gjerë të publikut iranian, ai prezanton portretin e Naim Frashërit si poet dhe shkrimtar që shkruajti në persisht, si shprehet në deçiturën e pullës, por është dhe një urë lidhëse midis kulturave, ndërsa për studiuesit shqiptarë dhe ndërkombëtarë, ky nderim shërben si një dëshmi e njohjes ndërkombëtare të vlerës letrare të poetit.

Përveç pullës postare, portreti i Naim Frashërit, në Iran është përdorur në zarfe, në kartolina, madje dhe në vula

postale, duke e bërë figurën e tij të pranishme jo vetëm në botën akademike, por edhe në jetën e përditshme të qytetarëve iranianë.

Zarfi me pullën me portretin e Naim Frashërit dhe me vulën postale me portretin e Naimit

Kjo përbën një shembull të rëndësishëm të trashëgimisë kulturore dhe memorjes kolektive, ku letërsia dhe filatelia bashkohen për të promovuar identitetin dhe arritjet e Naim Frashërit si një personaliteti ndërkombëtar.

Referencat:

Abazi-Egro, Genciana, Studies On Meaning and Word Changes in World and Turkey (Journal of Turkish Studies, 2009)

Annemarie Schimmel, A Two-Colored Brocade: The Imagery of Persian Poetry (University of North Carolina, 1993)

Clayer, Nathalie, Aux origines du nationalisme albanais (Karthala, Paris 2007)

Eqrem Çabej, Studime për Letërsinë Shqipe (Tiranë: Rilindja, 1981)

?nalc?k, Halil, The Ottoman Empire: The Classical Age 1300-1600 (Phoenix Press, London 2001)

Kastrati, Jup, Naim Frashëri: Jeta dhe Vepra (Akademia e Shkencave, Tiranë 1985)

Domi, Mahir, Gjuha Shqipe dhe Historia e Saj (Universiteti i Tiranës, 1959)

Frashëri, Mid’hat (Lumo Skendo), Naim Frashe?rit vjershe?tori dhe edukatori kombe?tar (Dukagjini, Peje?, 1996)

Ismajli, Rexhep, Orientalizmat në gjuhën shqipe, (Studime Albanologjike 1996)

Selishchev, Afanasy Matveevich, Turkish Loanwords in Balkan Languages (Moscow: Nauka, 1971)

Stavro Skendi, The Albanian National Awakening (Princeton University, 1967)



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Albert Vataj: Kryevepra e Giovanni Spertini, balanca perfekte e natyralizmit dhe idealizimit në mermer Blerim Rrecaj: Diku disa drunj Visar Zhiti: Kur fytyrat e kohëve të vijnë nga Kosova… Llesh Ndoj: Me Hasanin e veprën e tij, koha veçse na afron Albert Vataj: “Mjerimi” të Cristóbal Rojas, thirrja e një shpirti që guxon të mos i dorëzohet dhimbjes Neki Lulaj: Në atë dhjetor Mihal Gjergji: Ma shanë vendlindjen Fitim Çaushi: Z. Skënder Gjinushi, “Polifonia jonë popullore” është krijuar këtu në Shqipëri Sevdail Hyseni: Kur dhimbja bëhet poezi Albert Vataj: E vërteta e plotë e historisë së fotografisë virale të violinistit 12-vjeçar brazilian Mevlud Buci: Kongresi i Manastirit – dritë e shkronjave që nuk shuhet Visar Zhiti: Shalli i Presidentit Rugova dhe sari i Nënë Terezës nën hijen e shpatës së Skënderbeut Hazir Mehmeti: Në Garanë inaugurohet shtatorja e Gjergj Kastrioti Skënderbeu Albert Vataj: Historia e jashtëzakonshme e Mary Sawyer dhe qengjit të saj Tahir Bezhani: Dhimbja që hesht dhemb fort miku im!... Albert Vataj: Çdo e sotme vjen për të qenë ndryshe nga dje, dhe ikën për të mos u kthyer më Visar Zhiti: Festa e librit shqip në New York… Lekë Mrijaj: Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë Shefqet Dibrani: Elegjitë si përkujtim artistik për të birin – Mentorin Albert Vataj: Zëri i gjëmimshëm i Andrea Bocellit, si një thirrje për zgjim shpirtëror

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx