Kulturë
Meti Rexhepi: Kërkimi për një realitet të ri
E merkure, 10.12.2025, 06:53 PM
KËRKIMI PËR NJË REALITET TË RI
Bajram
KOSUMI: ENCIKLOPEDIA IMAGJINARE (Post roman)
Botimet
TOENA dhe ARTINI; Prishtinë, 2023
Nga
Meti REXHEPI
Pas
kërkimesh jetësore në gjithë përvojën e dijes, duke vjelë pareshtur dijet e
shkruara, ato të pashkruarat të bartur në breza përvojash, të pleqëruara në oda
të popullit, dija e ligjëruar në katedra fakultetesh, e shkëputur nën shkopinj
burgu, e shfletuar nga kurdisje kur stivohej historia me ngjyrime e pa ngjyrime
ideologjike... Dije e fituar nëpërmjet zbërthimeve të nëntekstit, të
mbi-teksteve, me një intuitë që preku dhe rrotulloi gjithçka: gjykime e
paragjykime, të vërtetat e gjysmë të vërtetat, përrallat, mitet dhe legjendat,
mendësinë e gënjeshtrës të ngritur në sistem dhe, ngarendjet e së vërtetës së
etnisë për ekzistencë të shtyrë në zgripe të rrëshqitjes së pakthyeshme...
Për
ta përmbushur rrëfimin me të dhëna nga të gjitha sferat e vetëdijes së lashtë
dhe të re, shkrimtarit i kishin hyrë në përdorim dijet për metafizikën, trajtat
e të gjitha periudhave të sintezave filozofike, etike, teoria politike, artet,
idetë historike për kombin dhe shtetin deri te sublimimi i përvojave
bashkëkohore për luftën dhe paqen, për kombet dhe pakicat kombëtare, për
politikën dhe strategjitë politike... Thelbi i të gjithë përbërësve të lidhur
në përmasa për kapje të realitetit të Ishullit, për Ishullin dhe rreth Ishullit...
Ishulli ngre një toponim përmasash ku puqen, përplasen e kryqëzohen mozaikë
kulturash e ndikimesh, paragjykimesh, përjashtimesh e shfarosjesh... Mendësi që
në brendi të modernes kultivojnë faret e mesjetës, etni që paqen e duan vetëm
për vetën e tyre dhe, Zotin veçse të një ortodoksie deri në absurd! Kjo botë
ngërthesash Ishullore qëmtohet, spikaten, veçohen, përzgjidhen dhe, në trajta
të sintetizuara diskursesh tregimtare u qërohen lëvozhgat e vrazhda dhe
shtjellohen te “ENCIKLOPEDIA IMAGJINARE” e Profesor Dr. Bajram Kosumit.
I
vetëdijshëm me përballje aq të gjithanshme për hyrje në sfera e periudha
diskursesh, të cilat shënuan botën objektive, rrëfimi i shkrimtarit Bajram Kosumi
u shtrua në dhjeta, mbase në mbi treqind e nëntëdhjetë e tetë (398) njësi
narrative me të gjithë përbërësit e shtjellimit, të dokumentimit të thënies,
pasqyrime shqyrtuese të dukurive, qëmtime tipike të ngjarjeve dhe karaktereve
të mjedisit, veçantinë dhe përgjithësimet e bëmave të njeriut në personazhet e
drejtpeshuara lakoreve të jetës së motivuar dhe të dëshpëruar. Pamjet e këndvështrimeve
etike, politike, filozofike, kontekstet e kontestet e kundërthënieve shoqërore
të mjediseve e të personaliteteve në madhështinë, dinakërinë, vogëlsinë,
brishtësinë, shëmtinë, falsitetin, egërsinë dhe bukurinë, egon e sëmurë dhe
përfitimin në kthesat dramatike, karikaturat
dhe hijet e akëcilit personazh, mëkatet e falshme dhe të pafalshme;
programimet e krimit të pandëshkuar në masë e mbi individualitete, dhimbja
njerëzore e pa ngushëlluar, paradokset dhe fundi i pa fund i absurdit të
njeriut mbi njeriun, janë piketime të ngjeshura caqesh brenda kopertinave të
një “ENCIKLOPEDIE” pleksjesh të këtilla dokumentare - etike - filozofike - politike - imagjinare
- estetike dhe artistike.
KËRKIMI
PËR NJË REALITET TË RI
Në
“ENCIKLOPEDIA IMAGJINARE” na bie në sy spektri i ngjyrave të pleksura me
ngërthesa e zbërthime, mbi fushë-shtrirje e relieve karakteristikash nga
përkatësi të ndryshme karakteresh, që tërheqin botën e shkrimit për t`i qëmtuar
e shtjelluar jo thjeshtë si prozë e pastër, por as si histori e një dokumentimi
të thatë. Që në krye të nismës autori, për t`i përplotësuar qëllim-caqet e tija
të shkrimit, e shpalon të vërtetën e tij të çiltër programatike për shkrimin:
“Narracioni
në Enciklopedi... nuk është tërësisht tradicional, sepse narratori nuk mund të
jetë neutral. Neutraliteti me çdo kusht është i shpifur, edhe pse letrarët nuk
pajtohen. Atë që s`e pranuan letrarët, e bënë gazetarët: edhe te rrëfimi më
neutral, narratori nuk është neutral. Narracioni herë është biblik, herë
historik e herë filozofik e psikologjik. Të veçantë e bën pika e vrojtimit”[1]
Pohimit
teorik në diskursin e shkëputur pohues të këtij fragmenti të cituar për të
veçantën e pikës së vrojtimit, i paraprinë dy premisave teorike dhe vetëdija
për kapje të morisë së shtytjeve, duke prekur, përzgjedhur, spikatur për
zbardhje veçanësi karakteresh, mandej nxitje për tema periudhave të ndryshme,
të hershme dhe të vonshme, të anashkaluara, të anatemuara dhe rikthimin e tyre
në bashkëkohësi. Mirëpo, prozatori po ashtu mëton ngritje çështjesh në tematika
të reja, të cilat për një arsye apo pa arsye ishin anashkaluar. Shkrimtari i
shqisave për nuhatje të thellë, ua ndjeu dhe perceptoi erëmimin e bëmave, që
t`i bashkëngjiteshin shumësisë depërtuese në arkiva të gjallë të kokave të
pluhurosa nga dinamika e shtuar e përditshmërisë. Ai si qëmtues idesh është i
bindur në parimet e tija krijuese se “nuk ka tema të vjetra e të reja dhe
rrëfimtari flet për temat në rrjedh, pra për ato tema, të reja e të vjetra, që
janë pjesë e të sotmes dhe ndoshta e së ardhmes.”[2]
Sipas
Shkrim-qëmtuesit rrëfim ideal nuk do të ketë dhe, lë të merret me mend se atë
gjithëpërfshirje mund ta bëjë vetëm Zoti i supozuar... Andaj, vullnetin e
shtuar për kërkime të pareshtura e dëshmon shumësia e lëndës së këtij libri, në
botën që e rrethon dhe që i sjell fatin e përjetuar. Shkrim-kërkimtari “shpiku
rrëfimin metakronik”. Ndonëse si shkrimtar që nuk e fsheh kënaqësinë e shkrimit
të një “ENCIKLOPEDIE IMAGJINARE”, ai nuk mëtoi se shteroi temat, motivet,
idetë, diskurset kritike, përsiatjet e kundrimeve socio-historike, filozofinë
politike, artin e të shkruarit, estetikën e jetës, mospërputhjet e realitetit
të mendësive, ngushticat e të jetuarit e të frymëmarrjeve të shtrënguara...
Autori ka bindjen e vet se nuk po e përshkruan realitetin ekzistues, por po i
jep kahet e veta për ndërtimin e një realiteti të ri, të pamjeve të reja, ashtu
sikurse do të duhej të ishte në projeksionet e shkrimtarit për të madhërishmen,
për njerëzoren, për qytetërimin, për etikën, për të keqen dhe të mirën, për të
bukurën dhe të shëmtuarën, për të vërtetën dhe për paqen. Pa dyshim një
ndërmarrje e këtillë krijuese e shkrimit me ngërthesa e zbërthime që joshin
interesimin e lexuesve të niveleve të ndryshme, pikërisht për shumësinë dhe
larminë e përfshirjes dhe të anë-kapjes së jetës, mënyrën dhe qartësinë e
shtjellimit, kënd-ndriçimet deri në imtësi përbërësish; e kurorëzuan këtë vepër
me peshë shkencore, publicistike dhe letrare-artistike me vlera për kulturën
tonë të shkrimit që titullohet
“ENCIKLOPEDIA IMAGJINARE,”njëkohësisht e gjitha brenda një tërësie të pleksur
në prozën artistike, që mëkëmbë një roman postmodern.
Pra,
shkrimtari zgjon stuhi e shumësi pikëvështrimesh e pikë - ndeshjesh, tumiresh apo
dilemash teorike për metodologjinë e qasjes së “ENCIKLOPEDISË IMAGJINARE” si
roman postmodern. Një përvojë e sprovë e munguar në kulturën tonë teorike - letrare
- artistike.
PARIMI
I KËRKIMIT
I
gjithë diskursi perceptues i lëndës në librin përkatës i lë hapur përsiatjet e
lexuesit për komunikim të shumanshëm, pyetjesh e përgjigjesh, dilemash për
çështje përkatësie të llojit shkrimor. Konstatimi i parë që mund të shtrosh e
të ecësh në rrafshin e këtij libri është thyerja e klisheve të llojit ose
zhanrit.
Koncepti
themeltar, mbi të cilin ngrihet tërësia e ngrehinës shkrimore të librit, por
edhe idetë shtytëse për kulturën e shkrimit, për autorin Bajram Kosumi është
parimi i kërkimit. Mbase, përse mos ta apostrofojmë e, madje ta nënvizojmë
kërkimin, si njërin nga kreu i parimeve të qëmtimit për bërjen e shkrimit të
qëndrueshëm si vlerë, si cilësi prijatare për t`i përzgjedhur vlerat
dokumentare e artistike dhe për t`i renditur faqeve të librit me tipologjinë e pleksjeve
të zhanreve ose të llojeve? Parimi i kërkimit është procesi shtytës për
eksplorimin, zbulimin dhe për zgjidhje të nyjave të enigmave në natyrë e në
qytetërimin njerëzor. Kërkimi është parim dialektik, meqë duke qenë proces i
pandalshëm, veçse si i tillë shpie në depërtime dukurish të epokave, për t`i
afruar lëndë mjaftueshëm krijimit. Krijimi është dukuria e përmasave
fondamentale që i përngjason Hyjnisë! Nëse Zoti “i supozuar” krijoi gjithësinë,
krejt atë që shohim, ndiejmë e prekim, marrim me mend hapësirat e paprekshme
kozmike, gjithë ato konstelacione galaktikash, atëbotë mund të pohojmë: se sado
kudo njeriu është krijues dhe një shëmbëllesë e Zotit në tokë.
Në
këtë libër njëra njësi e shkëputur të zgjon kërshërinë dhe, të josh që t`i
lexosh njësitë tjera pashkëputur. Interesimi e ngre pyetjen e logjikshme: cila
tipologji e shkrimit e mbizotëron materien e shkruar në “ENCIKLOPEDIA
IMAGJINARE?
Është
njëra nga pyetjet që pashmangshëm na shpie në diskutime të gjithanshme.
(Fragment
studimi)
Gjilan,
më 26 nëntor 2025









