Kulturë
Faik Shkodra: Portretizimi i idealistëve kombëtarë
E marte, 09.12.2025, 06:58 PM
PORTRETIZIMI I IDEALISTËVE KOMBËTARË
Përsiatje
dhe meditime për veprën “45 letra për Martinën” të Sabile Keçmezi – Basha,
botoi sh.b. “Rozafa, Prishtinë, 2025
Nga
Prof. Dr. Faik Shkodra
Ndiej kënaqësi t’i
them disa fjalë për veprën më të re “45 letra për Martinën” të Sabile Keçmezi
Basha, sepse, siç kam thënë para disa vjetësh, kjo kënaqësi vjen e merr kuptim
më të veçantë ngase këto fjalë e mendime po i them për ish-nxënësen, e cila, që
nga vitet kur vijonte mësimet në gjimnazin “9 Maji”, tani Ismail Qemali, të
Dardanës, shkruante poezi dhe tregime dhe shprehte interesimin e dashurinë e
posaçme për orët letrare, shprehte dashurinë për letërsinë dhe përmbajtjet që
mbartnin poezitë. Llojet e shkrimeve të tjera, që lexoheshin nga nxënësit, i përjetonte
si vlera të rëndësishme artistike dhe estetike.
Po përmend
gjimnazin e Dardanës, ku ka mbaruar shkollën e mesme autorja e romanit, për
faktin se po ai gjimnaz, që nga viti i largët 1967 e deri më sot, ka qenë dhe
mbetet përherë një vatër e ngrohtë, ku janë formuar e po formohen krijues dhe talente
të spikatura në fusha të ndryshme të artit, kulturës, shkencës, etj.
Me këtë rast, e
them me plot gojën se krijuesja e zellshme, e pasionuar dhe e përkushtuar, prof.
dr. Sabile Keçmezi Basha, ka vite e vite që është dëshmuar dhe po dëshmohet e
suksesshme jo vetëm si shkencëtare në fushën e historisë, në të cilën ka sjellë
një kolonë të gjatë veprash shkencore, publicistike, monografike, por po dëshmohet
autore e denjë për respekt edhe në fushën e letërsisë, në të cilën ka sjellë sa
e sa vëllime me poezi (për fëmijë dhe të rritur), në prozë e në dramë, vëllime
që flasin për talentin, afinitetin dhe vokacionin e saj në këto fusha të artit,
të letërsisë dhe të shkencës.
Realiteti i kohës së djeshme e të sotme
Me punën e saj të
artë, autorja po lë gjurmë të thella edhe në fushën e prozës dhe në gjininë e
romanit. Është fakt se Sabile Keçmezi Basha edhe me veprën më të re me titull të
qëlluar “45 letra për Martinën” (një biografi romanore për babanë tim), e cila
u botua në kuadër të bibliotekës “Kuteli” me editor Ramadan Mehmetin, redaktor
Prend Buzhalën, lektor Sulejman Dërmakun, në shtypshkronjën Drita Press, 2025,
të cilën vepër po e përurojmë në ambientet e bibliotekës “Fan S. Noli” në
Gjilan, është roman që me përmbajtjen që ka paraqet vlera të veçanta nga shumë
rrafshe.
Gjatë analizës së
përmbajtjes së romanit të sipërthënë kuptojmë seriozitetin, thellësinë mendore
dhe imagjinatës së pasur krijuese të autores për t’i kapur e për t’i shprushur
ngjarjet më të prekshme të realitetit të kohës së djeshme e të sotme.
Nga vepra, lexuesi
mëson përvojën e pasur të autores, për ta riprodhuar realitetin jetësor e
historik në realitetin letrar, mëson kulturën e gjerë dhe fantazinë e bujshme
krijuese të saj, mëson mbi vizionet larghedhëse, mjeshtërinë e rrallë artistike
në dhënien e vetive psikologjike e morale të personazheve, mëson mbi analizën e
thellë psikologjike që u bën letrave të babait dhe mëson mbi kulturën e madhe
letrare në hedhjen dritë mbi idealet jo vetëm të prindit, por të të gjithë
atdhetarëve që lirinë, drejtësinë dhe bashkimin kombëtar e kishin ideal dhe ëndërr
të përhershme.
Vepra “45 letra
për Martinën” e Sabile Keçmezi Basha është roman i ngritjes e përsosjes artistike
në rrëfimin e botës komplekse të njeriut, është roman i ngritjes së vetëdijes
kombëtare e ngjalljes së shpresave të thyera, është vepër e ngritjes së
dashurisë për atdheun dhe për ruajtjen e kujtesës kolektive dhe të shpirtit të
kombit, është vepër homazh artistik për të gjithë të rënit në luftërat për
lirinë kombëtare, është vepër artistike që prindin e ka bërë monument të rrallë
kujtimi, vepër që fjalës i jep dimensione të kuptimit metaforik, simbolik dhe personifikues,
të cilat paraqesin traumat e idealistëve që luftojnë për lirinë e munguar.
Është vepër ku
secila letër kundrohet nga një dimension i veçantë i përjetimit të autores, vepër
që e personifikon galerinë e panumërt të atdhetarëve, që, me gjithë dhunën,
shtypjen dhe trajtimin më barbar që bënte regjimi serb, kurrë nuk heshtën dhe
kurrë nuk u dorëzuan, është vepër që autorja me përmallim shpirtëror ka ndërtuar
portretin e babait dhe anëtarëve të familjes së vet, është vepër që shpalos kalvarin
e vuajtjeve e të shtypjeve që regjimi kanibalist serb bënte mbi shqiptarët, është
vepër që nderon sakrificën dhe idealet e të gjithë atdhetarëve që vepruan
heroikisht për lirinë e pavarësinë e Kosovës nga okupatori serb.
Prej subjektit të
veprës “45 letra për Martinën” lexuesi mëson mbi aftësitë komunikuese të
autores për jetën, historinë, traditën, folklorin dhe një mori çështjesh që
lidhen me fatin e Kosovës dhe të lirisë për popullin shqiptar - çështje dhe
probleme që Sabilja arrin t’i përimtojë me qartësi e thjeshtësi të të
shprehurit gjuhësor e stilistik në nivelin më të mirë artistik.
Në gjithë përmbajtjen
e romanit “45 letra për Martinën”, autorja ka hedhur dritë mbi dramën e
popullit, të cilën e përfaqëson babai i stolisur me tipare, virtyte e cilësi të
veçanta patriotike, dhe si i tillë, karakterizohet me një shumësi vlerash, siç
janë: qëndresa, dinjiteti i pacenuar, shpirti kryengritës ndaj së keqes, dhunës,
së shëmtuarës dhe së padrejtës. Këto të dhëna na vënë në dijeni se Sabilja, përmes
kryeprotagonistit, evidenton vlerat e thesarit tonë kombëtar, vlerat e traditës
patriotike e kulturore dhe me një trajtim artistik pasqyron shpirtin liridashës
dhe përparimdashës të popullit. Këto tipare e virtyte të mbrujtura në qenien
shpirtërore fizike të kryeprotagonistit janë dhunti e ndjenjës atdhetare -
dhunti që e bëjnë atë emër të ndërgjegjes, të historisë kombëtare; e bëjnë emër
të luftëtarit të paepur kundër pushtuesit dhe regjimit të egër serb ndaj shqiptarëve.
Kalvari i vuajtjeve dhe sakrificave të shqiptarëve
Kur mbaron së
lexuari romanin “45 letra për Martinën” të Sabile Keçmezi Basha, në mënyrë të vetvetishme
të ndërmenden fjalët e Nolit të shqiptuara në një ligjëratë të mbajtur para
shkrimtarëve të rinj amerikanë në Boston në vitin 1961, kur porosit: “Shkruajeni
autobiografinë tuaj, por pa fshehur gjë... pra, shkruani çdo gjë, pranoni çdo
gjë dhe jini të sigurt se do të shkruani një libër shumë interesant.”
Vepra “45 letra
për Martinën” është roman që dëshmon pjekurinë letrare dhe artistike të
materialit që shtjellon autorja, dëshmon kapacitetin e rrallë krijues të saj, dëshmon
të vërtetën se Sabilja, edhe në këtë vepër, vjen e konsoliduar në llojin e
romanit. Brendia e librit “45 letra për Martinën” e konfirmon të vërtetën se autorja
i është përmbajtur, pikë për pikë, porosisë së Nolit.
Ajo ka arritur të
hedhë dritë e t’i regjistrojë ngjarjet më të prekshme që lidhen me jetën e
sakrificat që përjetonte prindi, gjyshja, nëna dhe të gjitha personazhet e botës
shqiptare. Ka arritur, si me shkop magjik, t’i ndriçojë problemet dhe shtypjet,
torturat e dhunën, masakrat e dëbimet që regjimi serb bënte mbi popullin
shqiptar si komb e si shoqëri.
Me fjalë të tjera,
ka arritur të paraqesë e të zbërthejë në imtësi figurën e Radojës e të shumë radojave
rankoviqianë, të cilët përfaqësonin shovinizmin patologjik serb; ka arritur në
mënyrë gjithëpërfshirëse të paraqesë pushtetin e regjimin kanibalist të
Jugosllavisë; t’i paraqesë strategjitë shoviniste të Serbisë kundrejt shqiptarëve.
Nga përmbajtja e
letrave, autorja nxjerr në dritë absurditetin e hetuesve serbë të cilët bënin
montime, shpifje të proceseve gjyqësore ndaj shqiptarëve, të cilët akuzoheshin
se po e prishnin ‘vëllazërim-bashkimin’. Këto pjesë të trajtimit të verbërisë së
regjimit serbomadh ta kujtojnë përmbajtjen e novelës “Krushqit janë të ngrirë”
të Ismail Kadaresë dhe fasadën e totalitaristëve të vëllazërim-bashkimit.
Në disa rrëfime që
autorja i bën nëpërmjet letrave, ajo vjen si një zë poetik, si një zë që të rri
pranë zemrës e që të shkakton mallëngjim apo “një pikëllim plot dritë”, siç
do të shprehej Pushkini. Nga përmbajtja e letrave, sidomos shkrimi “Amaneti i babait”,
vjen porosia domethënëse e kuptimplotë se secili popull, për të ecur përpara në
këtë botë të mbushur me shumë trazira, padrejtësi, mizori, shtypje e tirani,
duhet të ngrihet dhe t’i ndryshojë rrethanat që dëmtojnë popullin dhe në vend të
tyre të krijojë rrethana që i duan. “Kush e do lirinë, i thyen hallkat vetë”,
ka thënë një mendimtar i madh. Në këtë kontekst, na duket i arsyeshëm
parafrazimi i thënies së Lord Bajronit se, për t’i realizuar qëllimet kombëtare
që s’kanë kufij, para së gjithash duhet të ndryshojmë veten - për të ndryshuar
atdheun.
Libri “45 letra
për Martinën” e Sabile Keçmezi Basha vjen si dëshirë, si detyrim, si kërkesë e
si preokupim i kohës dhe historisë për të lënë gjurmë dokumentare për të gjitha
mizoritë, shtypjet, dhunën dhe padrejtësitë që regjimi serbomadh u bëri
shqiptarëve, duke filluar nga aksioni për mbledhjen e armëve e nga ligji për
mbledhjen e ashtuquajtur vishak-otkup (teprica) për shtetin jugosllav - teprica
që kishin të bënin me prodhime bujqësore e blegtorale, teprica që caktoheshin
nga komisionet në mënyrë të prerë, kaq kilogramë drithëra, kaq kilogramë bulmet,
kaq kilogramë perime, kaq kilogramë mish a lesh delesh, teprica këto që
popullin e bënë vishkull, e bënë rob në vendin e tij, ua thanë gojën anëtarëve të
familjes. Mandej elaboratet për spastrimin etnik të shqiptarëve për shpërnguljen
e tyre drejt shkretëtirave të Anadollit të Turqisë.
Romani, pra, është
rrëfim mbi kalvarin e vuajtjeve dhe sakrificave të
shqiptarëve. Sabile Keçmezi Basha, nga fillimi e deri në mbarim të romanit,
bën portretizimin dhe prometeizimin jo vetëm të babait, por edhe të të gjithë
idealistëve kombëtarë, të cilët, me qëndresën dhe idealet më të mëdha për lirinë
dhe drejtësinë, nuk kursyen as jetën. Kryeprotagonisti i romanit, përmes
letrave lënë së bijës, vjen në roman si figurë e spikatur kombëtare. Analizën e
thellë që autorja ua ka bërë letrave të babait, nxjerr në dritë jo vetëm të vërtetat
e trishta me të cilat u përballën shqiptarët në kohën e regjimit shovinist të
Serbisë, por edhe të pushtuesve të tjerë, që në numër nuk ishin të paktë dhe të
parrezikshëm për qenien shqiptare. Prandaj, të vërtetat që i ka shprushur
autorja në mënyrën më të mirë e bëjnë të kohshme sentencën “Madhështia e
artit është vetëm e vërteta.”
Autorja, përmes
analizave bërë letrave të babait, përligj faktin se në rrethana të vështira për
jetën e popullit, në skenë dalin njerëz me tipare e vlera të jashtëzakonshme,
njerëz që, siç shprehet Napoleaoni, e kanë zemrën në kokë, njerëz që dinë t’i
kapin imperativët e kohës dhe me veprime të guximshme e racionale dinë t’i
zgjidhin nyjat e koklavitura dhe dinë t’u japin rrugë proceseve që çojnë drejt
lirisë dhe realizimit të aspiratave që ushqejnë për popullin e atdheun.
Duhet shtuar se
romani “45 letra për Martinën” është produkt i kujtesës dhe imagjinatës së
zhvilluar të autores. Figura e babait - Lirit e Bardhoshit, dhe të gjithë të
tjerëve nga radhët e shqiptarëve, nga ana e Sabiles janë përvijuar e janë konkretizuar
deri në imtësi, deri në figura të personazheve të baladave dhe epeve tona kombëtare.
Rezistenca dhe ideali i madh kombëtar
Rrëfimet e shpërfaqura
të babait në letra vërtet janë të trishta, por janë edhe të besueshme, të
sinqerta dhe të mbushura me shumë ndjenja. Në shpirtin dhe botën mendore e
imagjinative të kryeprotagonistit të letrave zihet një dramë që flet për
gjykimin dhe vetëgjykimin e kohës, kur shqiptarët përjetonin dhunën, mizorinë,
padrejtësinë dhe gjenocidin më të paimagjinueshëm nga regjimi kanibalist i
Serbisë. Kryeprotagonisti, gjatë gjithë këtyre tragjedive që shqiptarët i përjetonin,
ngrihet në lartësitë e një heroi që kërkon vetëm drejtësi e liri për popullin e
vet.
Në këtë aspekt, me
të drejtë është thënë nga Adriatik Kallulli se “Heronjtë janë të mëdhenj jo
nga viganiteti trupor, por pse kanë fuqi të madhe shpirtërore.” Një të tillë
fuqi shpirtërore e qëndresë prej anteu e ka edhe kryeprotagonisti i romanit “45
letra për Martinën” të Sabile Keçmezi Basha.
Në vepër, babai,
si personazh kryesor i romanit, tipizohet si hero e individualitet me ndërgjegje
e qëndresë përherë e më të fuqizuar gjatë viteve që bën në burgjet e Tivarit,
Novogradishkës, e shokët e tij në Kozinë të Kroacisë. Është njeri me dashuri të
jashtëzakonshme për atdheun. Vuajtja e dënimit që kryeprotagonisti dhe shqiptarët
e tjerë kryejnë në Novogradishkë, në mënyrë asociative t’i sjell ndër mend
vitet e burgut të legjendës së çështjes sonë kombëtare, Adem Demaçit, dhe
sidomos ta sjell ndër mend thënien se “Burgu, sipas Bacë Ademit, ka këtë
moto: në burg shkatërrohet trupi dhe vihet në sprovë shpirti, që të dyja nuk të
takojnë. Nëse do trupin - harroje shpirtin. Nëse do shpirtin, harroje trupin”.
Me veprimet dhe qëndresën e dëshmuar, kryeprotagonisti i romanit bëhet djep ku
nuk përkunden ëndrrat, por rritet e fuqizohet rezistenca dhe ideali i madh kombëtar.
Autorja nuk ka bërë
kurrfarë ekzaltimi në pasqyrimin e personazheve, por ka dhënë skena tronditëse,
të cilat përkojnë me sekuenca të një filmi dramatik. Është vlerësim i
studiuesve të mëdhenj se veprat e shquara e shpjegojnë plotësisht vetveten, sepse
në të tilla vepra rrah zemra e krijuesit, i cili në hartimin e veprës ka dëshmuar
talentin individual vetëdijen intelektuale dhe thellësinë patriotike e kombëtare.
E përmenda
talentin për arsye të njohura se “artin e projekton talenti, e ndërton puna
dhe e përzgjedh koha”. Figura e babait, kryeprotagonistit të romanit, pa
farë dileme ta kujton thënien e një krijuesi të madh të letërsisë botërore se “Njerëzit
e vërtetë, ata që kanë dalë nga thellësitë e shpirtit popullor dhe që rrojnë me
mendje e zemër të mëmëdheut, kanë gjithmonë besime të mëdha.”
Gjatë zbërthimit që
u bën letrave të babait, diku me përjetim ndjenjor e diku tjetër me spontanitet
frymëzimi poetik, autorja ka shprushur ngjarje të dhimbshme që lidhen me fatin
jo vetëm të personazheve, por edhe me fatin e popullit dhe të atdheut. Idetë e
shpërfaqura të autores në faqet e romanit të sipërthënë kanë peshë e vlerë të veçantë
semantike. Gjatë leximit të romanit autobiografik “45 letra për Martinën”,
lexuesi me një përqendrim të vëmendshëm do të kuptojë se atë e përshkon një
strukturë e veçantë kompozicionale me përmbajtje të pasur e të gjerë.
Vepra “45 letra
për Martinën” e Sabile Keçmezi Basha sintetizon qëndresën dhe shpalos idealet që
shqiptarët i kishin për lirinë dhe dashurinë ndaj atdheut. Pra, vepra sjell një
mori mesazhesh, sjell edhe mesazhin, që kurrë nuk do ta zbehin kohët, të Petro
Markos, i cili, si një luftëtar i pa kompromis ndaj çdo pushtuesi, shprehet: “Ne
shqiptarët jemi gurë të rëndë dhe të qëndrueshëm në trojet tona dhe aty do të qëndrojmë
dhe të latohemi bashkë me kohëra. Retë le të bredhin nëpër qiej. Ne e kemi
vendin në trojet tona të lashta stërgjyshore.”
Në këtë kontekst,
duhet theksuar se dënimet drakonike, që regjimi serb u shqiptonte shqiptarëve
nën parullën e rrejshme “në emër të popullit”, e bënte jo pse ishin fajtorë,
por, siç ka thënë një i burgosur politik, “ata kishin bërë faj të madh,
sepse kishin lindur shqiptarë, sepse, si shqiptarë që kishin lindur, e donin me
tërë qenien atdheun dhe lirinë.”
Në fund, po shtoj
se përvoja, imagjinata dhe talenti me të cilat është e pajisur Sabile Keçmezi
Basha kanë bërë që lexuesit e sotëm e të nesërm të kenë një roman jetëshkrimor
me vlera të shumta artistike, estetike dhe emocionale. Veprat e tilla, me
përmbajtjen që kanë, te lexuesi ushtrojnë ndikim të duhur pedagogjik dhe
psikologjik.
Duhet pohuar se
romani “45 letra për Martinën” nuk është thjesht shprehje e dashurisë dhe
nderimit vetëm për babanë, por është një histori kombëtare e shoqërore me
dimensione vlerash shumëplanëshe.
Si zakonisht, në
përmbyllje të këtij shkrimi shfrytëzoj rastin ta përgëzoj autoren, së cilës i
uroj shëndet të mirë dhe suksese në hartimin e veprave të reja letrare e
shkencore.
Një urim i veçantë
shkon për bashkëshortin, për fëmijët dhe gjithë familjarët e afërt e të largët,
të cilët pa mëdyshje janë meritorë për sukseset e autores në fushat e
sipërthëna.
6.dhjetor 2025
Gjilan









