E marte, 09.12.2025, 11:44 PM (GMT)

Kulturë » Vataj

Albert Vataj: Lahuta në UNESCO – fitorja shqiptare përballë pretendimeve serbe

E marte, 09.12.2025, 06:59 PM


LAHUTA NE UNESCO

FITORJA SHQIPTARE PERBALLE PRETENDIMEVE SERBE

Nga Albert Vataj

Lahuta, kushtrimi i palcës së shpirtit malësor, kumbimi i eposit të Kreshnikëve, ngjitet sot në altarin e thesareve të botë

Pas Xhubletës dhe Këngës së Kcimit të Tropojës, është Lahuta, ky instrument arkaik, kjo dëshmi e pazëvendësueshme e ADN-së sonë shpirtërore, që hyn me dinjitet në UNESCO, në altarin ku njerëzimi vendos thesaret e tij më të rralla, dëshmitë më të thella të kujtesës dhe shpirtit. Lahuta, kjo vegël e gdhendur nga koha dhe e mbartur si flakadan brezash, ngjitet tashmë në panteonin botëror duke nderuar kulturën, etnografinë dhe eposin tonë heroik.

Ajo nuk është vetëm instrumenti muzikor më emblematic i kulturës veriore shqiptare. Ajo është zëri i malit, gjaku i kujtesës, epitafi i qëndresës dhe kanga e një populli që ka ditur ta kthejë dhimbjen në art, burrninë në mit dhe besën në kod. Në tingujt e saj rreh historia jonë.

Lajmin e këtij triumfi e ka shpallur Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, i cili shkruan:

“Një nga thesaret më të çmuara të identitetit kulturor, arti i të luajturit, të kënduarit dhe bërjes së lahutës, është përfshirë zyrtarisht në pasurinë botërore të trashëgimisë kulturore jomateriale të UNESCO-s, në listën për nevojë urgjente mbrojtjeje.”

E vërteta është se arti i lahutës është shumë më tepër se një praktikë muzikore. Ai është një univers simbolik që përfshin Malësinë e Madhe, Dukagjinin, Malësinë e Gjakovës, Rugovën, Drenicën, Plavën e Gucinë, gjithë hapësirën ku lahutari, me një instrument të vetëm dhe me një zë të vetëm, mban gjallë një epos që ka udhëtuar shekujve. Aty jetojnë trimëria, qëndresa, besa, nderi dhe mikpritja; aty janë rrënjët e eposit të kreshnikëve, baladat që përshkojnë historinë tonë si rryma të padukshme drite.

Ky arritje është fryt i një pune titanike. Studiuesit Vaso Tole, Shaban Sinani, Rigers Halili, Armanda Hysa dhe Susane Ogge, bashkë me komunitetet, lahutarët dhe hulumtimet e imëta në terren, kanë përgatitur një dosje të standardeve më të larta të UNESCO-s, të dorëzuar në mars 2024. Mbështetja institucionale e Ministrisë së Kulturës dhe bashkëpunimi me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) kanë qenë vendimtare në këtë proces model.

Lahuta hyn në UNESCO – dhe me të hyn një pjesë e pavdekshme e shpirtit shqiptar.

Ky nuk është vetëm një titull nderi. Ky është një akt ringjalljeje, një thirrje për ruajtjen, kultivimin dhe fuqizimin e një tradite që na definon si popull. Shqipëria deklaron angazhimin e saj për ta mbrojtur këtë trashëgimi të rrallë, duke e hapur rrugën e bashkëpunimit të ardhshëm me Kosovën, sepse lahuta nuk njeh kufij: ajo njeh vetëm kujtesën dhe frymën.

Dhe sot, kur tingulli i saj përfshihet në listën e pasurive që bota i konsideron të pazëvendësueshme, ne dëshmojmë se kultura shqiptare, me thellësinë e saj arkaike dhe hijeshinë e saj të egër, është pjesë përbërëse e mozaikut të qytetërimit njerëzor.

As në këtë të drejtë legjitime nuk na u hoqën qafe plaçkitësit serb, por si në çdo betejë të dinjitetshme, shqiptarët e përkushtuar, specialistët dhe akademikët e vendosur arritën të lënë synimet serbe në pretendime. Ndoshta pikërisht kjo e bëri këtë fitore një triumf.

Duhet të kujtojmë se në vitin 2018, Serbia paraqiti në UNESCO elementin “këngët me gusle”, duke e shpallur si trashëgimi të saj kombëtare. Kjo shkaktoi reagime të forta në Shqipëri dhe Kosovë, sepse lahuta/gusla është traditë shumëkombëshe, me qendër të fuqishme pikërisht në hapësirat shqiptare – Malësi, Dukagjin, Tropojë, Rugovë, Malësia e Madhe e Gjakovës.

Institucionet shqiptare sqaruan se UNESCO nuk e kishte njohur instrumentin si ekskluzivisht serb, por vetëm specifikimin “praktika e këndimit me gusle në Serbi”.

Pas viteve të debatit, Shqipëria realizoi një proces të veçantë dokumentimi dhe prezantimi, duke e paraqitur lahutën si element identitar shqiptar.

Lahuta është sot në UNESCO.

Por, në të vërtetë, ajo ka qenë gjithmonë në zemër të popullit tonë.

Tani thjesht është dëgjuar nga bota.

Lahuta, ky instrument që kumbon si një damar i gjallë i kujtesës sonë kolektive, mendohet të jetë pjellë e kohëve të lashta, një jehonë e epokave të hershme indo-evropiane. Ajo nuk është thjesht vegël muzikore; është një altar i bartur ndër shekuj, mbi të cilin malësori shqiptar ka kënduar historinë, besën, burrninë, tragjeditë dhe fitoret. Aty ku lind kënga epike, aty ngrihet lahuta. Aty ku ligjërohet gojëdhëna, aty merr frymë gjuha e saj. Jo më kot, veprat e mëdha të epikës shqiptare, si “Eposi i Kreshnikëve” apo “Lahuta e Malcis”, kanë gjetur në lahutë instrumentin më të denjë për t’u jetësuar në tingull e frymë.

Lahuta përbëhet nga një kasë druri vezake, e zgavruar mjeshtërisht përbrenda, si barku i një krijese që mban në brendësi misterin e tingullit. Kjo kasë mbulohet me lëkurë të regjur, e quajtur çapër në Malësinë e Madhe, një membranë e gjallë që i jep instrumentit dridhjen e veçantë të zërit të tij. Trupi mund të jetë punuar edhe prej kungulli apo guaskës së breshkës, duke dëshmuar një elasticitet të jashtëzakonshëm kulturor e teknik.

Në skajin e kasës ngrihet kambaleci, ura ku mbështetet e vetmja kordhë, e njohur si kamanec në Dukagjin apo magjar në Verilindje. Kjo kordhë mbahet në tension nga një çelës druri, kunji, tezgjahu, krek-u a gres-i, që ndryshon sipas krahinave, por ruan të njëjtën logjikë të lashtë të instrumenteve monokorde indo-europiane.

Harku, i quajtur agrec, budat, ras apo drocak, është një gjysmëhënë druri, zakonisht thanë a arre, i mbështjellë me fijet e bishtit të kalit të zi, të lyer me rrëshirë pishe. Kjo përbërje i jep lahutës një tingull të përthyer, të mprehtë, që i ngjan frymës së tokës së thatë, ajrit malor dhe zjarrit të oxhakut. Tingulli i saj nuk përcaktohet thjesht nga druri, por nga cilësia e lëkurës, përpunimi i qimeve dhe balanca e tensioneve.

Maja e bishtit mban shpesh të gdhendur kokën e dhisë, një simbol i interpretimit ritual të së shenjtës. Sipas Ramadan Sokolit, kjo figurë mund të ketë qenë pjesë e një kulti të lashtë pagan, që lidhej me mbrojtjen, fuqinë dhe pjellorinë. Në lahutat e tjera hasim gjarpërinj të gdhendur, simbol i orës mbrojtëse dhe i kultit të pyllit, ose përkrenaren e Skënderbeut, ku simbolika e heroit kombëtar ngrihet si emblemë e identitetit.

Në këtë bashkim drurësh të zgjedhur (panjë, gështenjë, arra, lis, krekëz), lëkure të përpunuar, gdhendjesh me simbolikë mitike dhe teknikash të rafinuara, lahuta merr trajtën e një objekti sakral, ku dora e mjeshtrit është njëkohësisht artizan, ikonograf dhe historiograf.

Masat e saj, pothuaj të pandryshuara prej shekujsh, janë një standard i traditës:

Gjatësia e përgjithshme: 70 cm

Bishti: 40 cm

Koka: 30 cm

Gjerësia e kohës: 20 cm

Harku (argeci): 40 cm

Qimet e harkut: 17 cm

Këto përmasa nuk janë rastësore; ato i shërbejnë një fizike të veçantë të tingullit, të ndërtuar mbi parimin e flaxholet-it, që e veçon lahutën nga çdo instrument tjetër harkor i Ballkanit.

Përhapja e lahutës shtrihet kudo ku frymon epika; Krujë, Malësia e Madhe, Hoti, Gruda, Kelmendi, Kastrati, Rranxat e Shkodrës, Dukagjini, Postrriba, Shllaku, Nikaj-Merturi, Malësia e Gjakovës, e deri në hapësira që kapërcejnë kufijtë etnikë shqiptarë. Ajo është vegla e rapsodëve, e kuvendeve burrërore, e oxhaqeve në dimër, e dasmave dhe riteve të gëzimit.

Mënyra e mbajtjes ndryshon sipas zonave, këmbëkryq pranë vatrës, ulur me instrumentin mbështetur në këmbë, apo në pozicion solemn përpara kuvendit, secili prej këtyre qëndrimeve është pjesë e një koreografie të trashëguar.

Lahuta i përfton tingujt nga një teknikë krejt e saj, e bazuar te flaxholet-et natyrore, duke ndalur gishtat anash bishtit, jo mbi tastierë, dhe duke përdorur tensionin e harkut si faktor kryesor shprehës. Regjistri i saj akordohet zakonisht rreth notës do të oktavës së parë.

Roli shoqërues i lahutës është i kufizuar në gamë, por i pakufizuar në nuanca. Ajo krijon hyrje të shkurtra, dy ose tre nota, por që mbartin peshën emocionale të gjithë këngës. Gjatë ligjërimit të rapsodit, lahuta lëviz në linja heterofonike, ku ngjitja krijon tension epik-elegjiak, ndërsa zbritja e shkallëzuar sjell qetësinë e mbylljes.

Rapsodi është njëkohësisht, interpretues, rrëfimtar, improvizues, dhe krijues i këngës.

Me lahutë në dorë, ai ngre peshë historinë e një fisi, të një krahine ose të tërë kombit. Ai i këndon heronjve, nderit, besës, dëshmorëve, betejave dhe tragjedive. Prandaj lahuta është instrument i burrave, jo nga përjashtim, por nga funksioni i saj ritual në jetën malësore. Rastet kur femrat e përdornin lahutën nuk janë të huaja, por lidhen kryesisht me role më të pazakonta, të panjohura publikisht.

Në çdo element të saj: në drurin e zgavruar, në kokën e dhisë, në figurën e gjarprit, në fijet e bishtit të kalit, në këngën që buron prej saj, lahuta mbart një kozmos kulturor, një kod të lashtë identitar, një brumë mitik që nuk gjendet askund tjetër.

Ajo është personifikimi muzikor i shpirtit malësor, bashkëudhëtarja e Eposit të Kreshnikëve, dhe sot, me të drejtë, një pasuri e çmuar e njerëzimit, pjesë e panteonit të trashëgimisë jomateriale botërore.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Albert Vataj: Ata që na mëkuan dashurinë e vërtetë, dhe mbeten përjetshmëri në qielloren e ndjenjës që na bëri me krahë Albert Vataj: Kryevepra e Giovanni Spertini, balanca perfekte e natyralizmit dhe idealizimit në mermer Albert Vataj: “Mjerimi” të Cristóbal Rojas, thirrja e një shpirti që guxon të mos i dorëzohet dhimbjes Albert Vataj: E vërteta e plotë e historisë së fotografisë virale të violinistit 12-vjeçar brazilian Albert Vataj: Historia e jashtëzakonshme e Mary Sawyer dhe qengjit të saj Albert Vataj: Çdo e sotme vjen për të qenë ndryshe nga dje, dhe ikën për të mos u kthyer më Albert Vataj: Zëri i gjëmimshëm i Andrea Bocellit, si një thirrje për zgjim shpirtëror Albert Vataj: Xhokonda e Prados, një tjetër Mona Lizë Albert Vataj: Lamtumira pa lavdi e Oscar Wilde Albert Vataj: Kur libraritë ishin tempuj prehje dhe kreativiteti Albert Vataj: Flamur kuqezi, sot po du, me ty me gëzu, e me fluturu! Albert Vataj: Lucia Pisapia Apicella, e shtuquajtura “Nëna e të Vdekurve”, e cila u dha prehje në paqen e përjetësisë 700 djemve Albert Vataj: Episode nga jeta dhe suksesi i gjeniut të muzikës, Wolfgang Amadeus Mozart Albert Vataj: Ronald Tolkien dhe Edith Bratt, një histori dashurie në kufinjtë e legjendës Albert Vataj: Fëmijët, ata që meritojnë një botë më të mirë Albert Vataj: Në universin e piktorit shkodran, Gjergj Pali Albert Vataj: Beso në diçka të lartë, mund të jetë Zoti, mirësia apo paqja shpirtërore Albert Vataj: Gjergj Spani, shkodrani që u doktorua në Paris e Padova, mjeku personal i Gjergj Kastrioti-Skënderbeut Albert Vataj: Lotët që mbajnë ende të gjallë edhe sot pas 600 vjetësh pikëllimin biblik Albert Vataj: E paimagjinueshmja, në një realitet mahnitës krijimi

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx