E hene, 24.11.2025, 10:41 PM (GMT)

Kulturë » Vataj

Albert Vataj: Episode nga jeta dhe suksesi i gjeniut të muzikës, Wolfgang Amadeus Mozart

E hene, 24.11.2025, 06:53 PM


Episode nga jeta dhe suksesi i gjeniut të muzikës, Wolfgang Amadeus Mozart

Nga Albert Vataj

Java e dytë e shkurtit 1785 shënon një nga episodet më domethënëse në marrëdhënien e ndërlikuar mes Leopold Mozartit dhe djalit të tij, Wolfgang Amadeus Mozart. Pas shumë hezitimeve, pas betejave të heshtura të krenarisë atërorë dhe shqetësimeve të pafundme, Leopoldi më në fund u dorëzua përballë lutjeve të të birit dhe mori rrugën për në Vjenë. Ai dëshironte po ashtu të prezantonte në kryeqendrën muzikore të Europës studentin e tij të talentuar të violinës, Heinrich Marchand.

Udhëtimi nuk ishte i lehtë. Katër ditë rrugë, stuhi dëbore dhe akull që e shtynin moshën e tij të vjetër drejt një prove të re që vetëm atësia mund ta përballonte. Megjithatë, më 11 shkurt, në orën një pasdite, ata arritën në banesën e re të çiftit Mozart në Große Schulerstraße. Arritja ishte një lehtësim, por pushimi do të ishte luks i pamundur, vetëm pesë orë më vonë, Wolfgang po ngjitej në skenë në Mehlgrube, “tregun e vjetër të miellit” të shndërruar në sallë koncertesh, koncerti i parë i abonimeve të sezonit të Kreshmës.

Atë mbrëmje Mozart dirigjonte orkestrën dhe ishte solist në piano. Por ç’është më befasuese, ai paraqiti një koncert të ri, të përfunduar vetëm natën e kaluar. Leopoldi, i cili kishte parë shumë nga gjeniu i të birit, përsëri mbeti i shtangur. Në letrën që i dërgoi Nannerl-it, vajzës së tij, ai përshkruante entuziazmin e papërmbajtur:

“Koncerti ishte i pakrahasueshëm, orkestra e shkëlqyer… Dhe më pas erdhi një koncert i ri i mrekullueshëm për klavider nga Wolfgang, i cili ende po kopjohej kur mbërritëm; vëllai yt nuk pati madje kohë të provonte edhe një herë Rondeau-n, sepse duhej të mbikëqyrte kopjimin.”

Koncerti që po shkruhej ende ndërsa publiku hynte në sallë do të bëhej më vonë një ndër veprat më të trazuara, më dramatike dhe më poetike të krijuara ndonjëherë për piano: Koncerti për Piano nr. 20 në Re të vogël, K. 466. Dashuria e Beethoven-it për të, por edhe gjeneratave të tëra të pianistëve, e shndërroi atë në një gur themeli të repertorit klasik.

Të nesërmen në mbrëmje, në banesën e Mozartëve, zhvillohej një tjetër skenë po aq domethënëse, por më intime. Joseph Haydn, gjeniu i simfonisë dhe kuartetit me tela, vinte si i ftuar nderi. Mozart, së bashku me miq të ngushtë, luajti tri kuartetet e tij të reja në B-flat, A dhe C major. Mozart mbante violën, vendi ku mendonte se “ishte zemra e ansamblit”, ndërsa Leopold luante në violinë, dhe baronët von Tinti në violinë e violonçel.

Në këtë mbrëmje dhome, pa duartrokitjet e sallave dhe pa ceremonitë e botës së jashtme, ndodhi një nga momentet e mëdha të historisë së muzikës, Haydn i tha Leopoldit, me solemnitetin e dikujt që rrallë e përdor fjalën e madhe:

“Unë të them përpara Zotit dhe si njeri i ndershëm: djali yt është kompozitori më i madh që njoh, me emër dhe personalisht. Ai ka shije, dhe më shumë se kaq, ai ka njohuritë më të plota të kompozimit.”

Këto fjalë, që tronditën zemrën e një babai dyshues dhe e kthyen krenarinë në ngazëllim të pastër, do të merrnin formë muzikore vetëm gjashtë muaj më vonë, kur Mozart i kushtoi Haydnit gjashtë kuartete të reja. Ato njihen sot me një emër që është bërë simbol i miqësisë së dy gjenive: Kuartetet “Haydn”.

Kështu, në vetëm pak ditë të shkurtit të vitit 1785, u takuan tri forca të jashtëzakonshme, një babai që kërkonte ende të kuptonte madhështinë e të birit, një djalë që kërkonte të provonte veten, dhe një mjeshtër që njohu te Mozart jo vetëm talentin, por përkryerjen e artit kompozitor. Momente që historia i ruan jo si thjesht episode, por si kristale të shndritshëm të asaj që quajmë gjenialitet njerëzor.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Albert Vataj: Ronald Tolkien dhe Edith Bratt, një histori dashurie në kufinjtë e legjendës Albert Vataj: Fëmijët, ata që meritojnë një botë më të mirë Albert Vataj: Në universin e piktorit shkodran, Gjergj Pali Albert Vataj: Beso në diçka të lartë, mund të jetë Zoti, mirësia apo paqja shpirtërore Albert Vataj: Gjergj Spani, shkodrani që u doktorua në Paris e Padova, mjeku personal i Gjergj Kastrioti-Skënderbeut Albert Vataj: Lotët që mbajnë ende të gjallë edhe sot pas 600 vjetësh pikëllimin biblik Albert Vataj: E paimagjinueshmja, në një realitet mahnitës krijimi Albert Vataj: Arnat në rroba, kujtesë e një kohe që vjen për të na treguar se çfarë është vërtetë lumturia Albert Vataj: Pavlina Mani – aktorja që i dha ngjyra artit shqiptar Albert Vataj: George Orwell tregon "Pse shkruaj" në një ese të vitit 1946 Albert Vataj: Tre brezat e familjes Ajnshtajn në një foto Albert Vataj: Kush është Gloria Steinem, gruaja e sfidave të pamundura që u shndërrua një ikonë e feminizmit Albert Vataj: I përkas asaj vetmie Albert Vataj: Mary Ellen Pleasant, gruaja me ngjyrë që punonte si shërbyese dhe ndërtoi një perandori Albert Vataj: Abdurrahim Buza, piktori që shkroi me penel historinë e shqiptarëve Albert Vataj: Helena Citronová dhe Franz Wunsch, dashuria e pamundur që u lind në zemër të ferrit Albert Vataj: Brunello Cucinelli, një miliarder i dashuruar me librin Albert Vataj: Atje ku shkojmë me përulje e pendim, e lutemi: "Paçin dritë e diell!" Albert Vataj: “Gazeta e Sportit”, sot kremton 100-vjetorin e kurorëzimit në Shkodrën e mbretërimit të fjalës dhe shpirtit të garës Albert Vataj: Prenk Jakova dhe Gjoni Athanas, kur muzika dhe historia bashkohen në një himn për Skënderbeun

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx