Kulturë » Vataj
Albert Vataj: E paimagjinueshmja, në një realitet mahnitës krijimi
E shtune, 15.11.2025, 06:54 PM

E PAIMAGJINUESHMJA, NË
NJË REALITET MAHNITËS KRIJIMI
“Rënia
e Engjëjve Rebelë” (1750)
e
Agostino Fasolato, skalitur në një bllok të vetëm mermeri
Nga
Albert Vataj
Kjo
vepër madhështore e Agostino Fasolatos, e përfunduar rreth vitit 1750, është
një nga dëshmitë më të jashtëzakonshme të mjeshtërisë baroke në skulpturë.
Përbërë nga më shumë se gjashtëdhjetë figura të ndërthurura, kompozimi ngrihet
si një vorbull e ngrirë në mermer, duke përshkruar çastin dramatik të dëbimit
të engjëjve rebelë nga qielli, sipas traditës biblike.
E
gjithë kjo masë e trazuar trupash, që ngrihen e rrëzohen njëkohësisht, është
skalitur nga një bllok i vetëm mermeri shkulur nga toka e Carraras, një sfidë
teknike e jashtëzakonshme. Fasolato krijon një iluzion të habitshëm të lëvizjes
vertikale, nga thellësitë e errëta të rebelimit deri tek maja e dritës
qiellore, ku një engjëll triumfues mban akoma shenjën e fitores hyjnore.
Figura
pas figure, trupa të përkulur, krahë të shqyer, fytyra të shtangura në frikë,
në sfidë apo në mërgim; të gjitha rrotullohen në një spiralë që duket sikur
shpërthen nga qendra e veprës drejt hapësirës. Në bazë, shfaqen fytyra demonike
që çajnë terrin, ndërsa sipër, engjëjt e pastër ngrihen si agime të brishta që
sfidojnë rrëzimin.
Kjo
skulpturë nuk është thjesht një ilustrim biblik, por një metaforë e përjetshme
e konfliktit, drita kundër errësirës, rendi kundër kaosit, ambicia kundër
përulësisë. Ajo dëshmon se si arti mund të shndërrojë materien e ftohtë në një
skenë të gjallë, ku çdo gjest dhe çdo tension muskulor duket se pulson me frymë
njerëzore.
Në
këtë vepër, Fasolato arrin të kapë dramën e rrënimit dhe të ngritjes së
njëkohshme, duke e kthyer mermerin në një poezi të dhunshme dhe të ndritshme,
një kujtesë e përjetshme e fatit të atyre që guxuan të sfidojnë qiellin.
Një
vepër e tillë është një akt hyjnor krijimi, një vullnet qiellor që ka zbritur
nga qielli në duart e mjeshtrit, për t'i dhënë jetë një mrekullie, që është e
patëdytë. Cilido nga ëndërrtarët që guxon të sjellë aktin e tij të gjeniut në
art, para “Rënia e Engjëjve Rebelë” (1750) e Agostino Fasolato është thjeshtë
një nxënës. Kjo skulpturë është dëshmi të asaj që pohon mbi madhështinë e
shpirtit dhe pasionit, talentit dhe përkushtimit, me të cilin Zoti ka armatosur
të zgjedhurit e tij, për të përmbushur në tokë misionin e vullnetit etern, që
vjen të mbushë me dritë besimi dhe fuqi krijimi, zbrazëtinë e terrt të
nënshtrimit para të pamundurës.









