Kulturë » Vataj
Albert Vataj: Nexho Shabani, njeriu i mirë dhe komiku i lindur
E merkure, 29.10.2025, 06:56 PM

PROFIL
I PAATORIZUAR
Nexho Shabani, njeriu i
mirë dhe komiku i lindur, që përfaqëson dhe pasuron humorin popullor, këtë
thesar të Shkodrës
Nga
Albert Vataj
Atë
mund ta takosh kudo në Shkodër, dhe e ke të garantuar se, njohur-panjohur, ti
flasësh, ai është i gjithi aty, sy përtej ca xhamave të trashë dhe veshë që
kapin çdo sinjal. Me vështirësinë e të folurit rrjedhshëm, që është gjithashtu
pjesë e profilit të tij, ai u ofron falas humor të atypëratyshëm cilitdo. Ka
fiksim artin kulinarik. Nuk i’a kam idenë nëse di të gatuaj më shumë se petulla
dhe gallatë, por di që nga dashuritë e tij sublime është të ngrënit, të cilin e
gjen me shumicë në bejtat dhe batutat e tij. (Pse, cili mendon ndryshe për të
ngrënin nga ne të tjerët?!) Gjithsesi silueta e tij madhoshe zhvendoset
përtueshëm rrugëve dhe rrugicave të Shkodrës, duke u përkundur, thua se ka mbi
supe Taraboshin. Jo, ka veçse një xhup që i’a rrit përmasat, duke e bërë të mos
kalojë pa u vënë re.
Ai
është Nexho Shabani!
Kush
nuk e njeh në Shkodër humoristin Nexho Shabani, atë që miqtë e quajnë “Ar”, jo
thjesht si pseudonim, por si shenjë zemre. “Ar” për shpirtin e tij të bardhë,
për butësinë dhe për atë humor të ngrohtë që nuk kërkon skenë, as dritat e
sallave, por ndodh aty ku ndodhin njerëzit, në rrugë, në treg, në drekë, në
sebep, në një kafe që shndërrohet në skenë improvizimi e në një bisedë që
përfundon në të qeshura pa fund.
Shkodra,
ky qytet që ka lindur e rritur humorin si pjesë të temperamentit të saj, ka
pasur gjithnjë njerëz të tillë, aktorë pa skenë, komikë të jetës së përditshme,
që e kanë bërë artin të ndodhë mes njerëzve, jo para tyre. Ata nuk kanë kërkuar
duartrokitje, por shpërthime të sinqerta gëzimi. Dhe mes tyre, Nexho Shabani
është një nga më të përveçmit, një pasardhës i atij humori qytetar, që përçon
dritë e dashuri përmes një fjale, një batute, një bejte, një shakaje që të
shkund shpirtin dhe të bën të mbash barkun me dorë. Ai di të të bëjë të qeshësh
dhe të mendosh, sepse humori i tij nuk është një produkt surrogat, është një
ekstrakt i përditshmërisë, i çdo gjëje që ai sheh dhe dëgjon.
Në
një rrëfim për Star Plus TV, (kam mirësinë të shpreh mirënjohje koleges
shkodrane që e ka bërë pjesë të interesit dhe prezantimit) Nexho ka treguar se
humorin e ka të trashëguar nga i ati, një shitës nëpër fshatrat e Shkodrës. Ai
njeri i thjeshtë, me mendje të hollë e fjalë të ëmbël, ishte burim frymëzimi
për shumë të tjerë. Madje, vetë Tano Banushi, legjenda e humorit shkodran, është
njohur me të dhe, në ato muhabetet e gjata përpara një gotë e ndonjë meze, ka
marrë prej tij “nektarin e humorit popullor”, të cilin më pas e ka shndërruar
në skeçe dhe pjesë të paharrueshme të estradës profesioniste. Kështu, në
njëfarë mënyre, humori i Nexhos dhe i të atit është pjesë e trashëgimisë së
pashkruar të artit komik shkodran.
Por
humori i Nexho Shabanit nuk ka mbetur vetëm trashëgimi. Ai vetë është bërë
burim humori për të tjerët. Ka raste kur ide, batuta apo situata komike të tij
janë përdorur nga të tjerë humoristë dhe shkrues tekstesh, të cilët më pas janë
ngjitur në skenë me to, ndoshta edhe pa “t’u rrittë ndera”. Nexho, megjithatë,
nuk është ndier i “plaçkitur”, përkundrazi, ai është treguar bujar, ka bërë
sikur asgjë atë që ishte gjithçka e tij. Për të, humori nuk është monedhë, por
dhuratë, edhe pse ai është shitur dhe blerë. Ai jep me gjithë zemër, pa pritur
të marrë gjë në këmbim. “Kam humorin pasurinë time,” thotë shpesh me buzëqeshje
dhe ironi, “por ajo pasuri s’më ka bërë kurrë të pasur.” Dhe pikërisht këtu
qëndron fisnikëria e shpirtit dhe talentit të tij.
Dikush
e shijon, dikush e përdor, dikush tjetër guxon ta trajtojë me ironinë që
ndonjëherë shoqëria ia rezervon komikut, sikur të ishte një gaztor në oborret e
dikurshme mbretërore. Por Nexho nuk e ndien veten të përdorur. Ai shpërndan
gëzim me thjeshtësi e dashuri. Kush e ka takuar, e di, mjafton t’i thuash “Ar,
ma trego një barsoletë”, dhe ai ka gjithnjë një të freskët, një të çastit, një
që të bën të harrosh brengat dhe të qeshësh. Është si një pemë që jep fruta
gjithë vitin, dhe ka për të gjithë.
Nexho
është rritur në varfëri, por ka trashëguar një pasuri shpirtërore të pamatë.
Humori për të nuk është as hobi, as profesion, është mënyra e të jetuarit,
është gjithçka që ai është dhe do të mbetet gjithçka për të cilën ai do të
kujtohet.
“Humori
na ka mbajtur gjallë,” thotë Nexho Shabani me një thjeshtësi që të shkund më
shumë se çdo fjalim i bukur. “Po pate humorin, i ke të gjitha. Në shtëpinë tonë
ndoshta s’kemi pasur bukë, por kemi qeshur. Dhe ashtu e kalonim.”
Në
këto pak fjalë përmblidhet jo vetëm historia e tij, por edhe filozofia e jetës
shkodrane, ajo që e kthen mungesën në mundësi, dhimbjen në shaka, dhe varfërinë
në forcë shpirtërore. Për Nexhon, humori nuk është arratisje, por qëndresë;
është mënyra më e urtë për t’i treguar jetës se nuk ka për ta mposhtur dot.
Në
rrëfimet e tij, ai tregon gjithmonë mirënjohje për gjigantët e humorit
shkodran, ata që e kanë ngritur të qeshurën në art: Tano Banushi, Paulin Preka,
Gëzim Kruja, Zef Deda, Anton Krosi, Besnik Cinari, Zyliha Miloti, Sandër Ruçi,
Mond Halili, Drande Xhaj, e shumë e shumë të tjerë, që kanë bërë historinë e
trupës së Teatrit Migjeni, e asaj përfaqësie arti që ka tundur skenat dhe
mrekulluar shpirtin e bukur të humorit. I përmend me nderim ata që janë shuar
dhe ata që jetojnë ende, sepse beson se çdo brez i humorit shkodran është një
hallkë e artë e një zinxhiri të gjatë që s’duhet të këputet kurrë.
“Edhe
brezi i ri është premtues,” thotë me besim ai. “Kemi djem e vajza që dinë të
qeshin me shpirt e ta bëjnë artin me shpirt.” Sepse për të, humori nuk mësohet,
trashëgohet, kultivohet dhe përjetohet.
Dhe,
si gjithmonë, Nexho nuk e mbyll dot një bisedë pa humor. Ai e kthen edhe
reflektimin në një batutë të urtë, që ngërthen brenda saj një mesazh për të
rinjtë e Shkodrës, ata që mendojnë të largohen për një jetë më të lehtë diku
tjetër.
“Më
thotë një inxhinier vlonjat njëherë,”, kujton Nexho me atë shikimin e tij
gazmor –
‘Si
ikni në mërgim ju shkodranët?! Habitem! Me ikë duhet me ikë ne, që qeshim vetëm
për Vitin e Ri, kurse ju qeshni përditë!’”
E
qesh me shpirt kur e kujton, por pas asaj të qeshure fshihet një mesazh
dashurie për Shkodrën: Të mos e lësh këtë qytet, sepse Shkodra, përveç
historisë, kulturës e krenarisë, ka diçka që s’ta jep asnjë vend tjetër, ka
humorin, atë dritë që nuk fiket kurrë.
Në
fund të fundit, Nexho Shabani nuk është thjesht një njeri që bën të tjerët të
qeshin. Ai është një dëshmi e gjallë se humori është mënyrë jetese, një formë
urtësie që i jep njeriut dinjitet, edhe kur s’ka asgjë tjetër përveç një
buzëqeshjeje për ta ndarë.
Ai
është produkt i estradave të ndërmarrjeve, ku rriti talentin e tij mes njerëzve
të zakonshëm, në punë, në treg, në shoqëri. Ai e ndan gjithmonë me mirënjohje
kujtimin për Petrit Gegën dhe Martin Ndojën, që e kanë nxitur dhe e kanë
ndihmuar në hapat e para.
“Humorin
e kam që fëmijë,” thotë Nexho. Dhe kjo ndjehet. Ai është autor i rreth shtatë
mijë batutave, një arkiv i gjallë i humorit shkodran. Në çdo vend që ka qenë,
në shkollë, në punë, në familje, në pazar, ka jetuar me humorin si pjesë të
karakterit të tij, si oksigjenin e shpirtit.
Nexho
Shabani është një nga ata njerëz që e mbajnë qytetin gjallë, që trashëgojnë
traditën e shkëlqyer të humorit. Ai nuk është thjesht një humorist popullor;
është një kujtesë e asaj Shkodre të vjetër, të dashur e gazmore, që e
përballonte jetën me një buzëqeshje dhe një batutë. Ai është zëri i asaj
trashëgimie që nuk shitet, nuk blihet, nuk matet me duartrokitje, por me
dashurinë që lë pas.
Nexho,
dhe shumë të tjerë, të njohur dhe të panjohur, janë ushqyer me humorin dhe e
kanë ofruar atë si një akt komunikimi, si një marrëdhënie, si një mënyrë për të
sfiduar hallet dhe problemet, të cilat edhe pse kërkojnë zgjidhje, e gjejnë atë
nga një shpirt i ngopur me dritën e të qeshurës, me diellin e këtij rrezatimi
të shpirtrave të pasur, të atyre njerëzve të thjeshtë si Nexho, të cilët janë
njerëz të zakonshëm, por ajo që japin kaq bujarisht e bën një vlerë dhe kujtesë
që jeton dhe do të jetojë me Shkodrën.









