E premte, 24.10.2025, 10:44 PM (GMT+1)

Kulturë » Vataj

Albert Vataj: Marie Tuci, shërbestarja që 'Jetën ia dhuroi Zotit'

E premte, 24.10.2025, 06:59 PM


NE PERVJETORIN E KALIMIT NE AMSHIM

Marie Tuci, shërbestarja që “Jetën ia dhuroi Zotit”, gruaja e vetme ndër 38 martirët e Kishës Katolike Shqiptare

Nga Albert Vataj

Historia e Marie Tucit është e denjë për çdo vullnet të devotshëm të besimit dhe mirësisë, përkushtimit dhe sakrificës. Jeta e saj në dhurimin e zemrës asaj që besonte, ishte e larë në dritën e hyjshme të bekimit. Fundi, fundi i saj është i pagjasë, ngjethës, ishte një vepër e pamëshirshme e mizorisë së mëndjeve të errta dhe shpirtrave satanik, që ngjizi nata e gjatë e diktaturës komuniste.

Ka jetë, si ajo e Marie Tucit, që digjen si qirinjë me një flakë të zbehtë në natën pus, por që ndriçojnë përjetësisht me diellin e vullnetit të blatimit të një shpirti të pastër, diell i cili fatkeqësisht nuk i’a doli të dëbojë natën ku fati i saj u gremis, as të ngrohë shpirtrat e zinjë që mbeten të ngujuar në zyrat fatkoba të Sigurimit të Shtetit dhe urrejtjen që ndezën me flakë ferri.

Ka njerëz që nuk jetojnë gjatë, siç ishte ajo, Marie Tuci, por që lënë pas një jehonë që asnjë dhunë s’e shuan dot, asnjë vepër e nxjerrë nga zgafedhat e Hadit nuk e nënshtron dot. E tillë ishte Marie Tuci, mësuesja e re nga Mirdita, vajza që Zoti e zgjodhi për ta kthyer dhimbjen në dritë, për ta bërë heshtjen dëshmi të përjetshme.

E lindur më 12 mars 1928, në fshatin Ndërfushaz të Mirditës, bija e Nikollë Mark Tucit dhe Dilë Fushës, ajo do të rritej me dashurinë për dijen, për fenë dhe për njeriun. Qysh fëmijë, ajo dallonte për mençurinë, urtësinë dhe një butësi që nuk njihte grindje. Shkolla për të nuk ishte vetëm një detyrim, por një rrugëtim drejt ndriçimit të shpirtit. Pasi mbaroi studimet në shkollën e mesme të motrave Stigmatine në Shkodër, ajo zgjodhi rrugën e shërbesës, u bë mësuese dhe katekiste, misionare e dritës në një kohë kur errësira po zbriste mbi vendin.

Në vitin 1946, me bekimin e abat Frano Gjinit, ajo u dërgua mësuese në Mirditë, për të ndihmuar fëmijët të rriteshin me dije dhe me dashuri për Zotin e jetën. Ishte vetëm një vajzë, por e mbushur me një forcë të qetë, që buronte nga besimi dhe përulësia. Në atë Shqipëri që po hynte në dimrin e gjatë të diktaturës, Marie nuk pranoi të heshtë përballë dhunës që u bëhej kishave, famullive dhe priftërinjve. Ajo e dënoi hapur poshtërimin që regjimi komunist i bënte besimit dhe dinjitetit njerëzor. Ishte e qartë se për një zë si i saj, koha nuk do të kishte mëshirë.

Më 10 gusht 1949, ajo u arrestua. E re, 22-vjeçare, me fytyrën e ndritshme dhe sytë plot qetësi. Si provande, pritej të merrte urdhrin fetar e të bëhej murgeshë, por në vend të betimit hyjnor, e priste poshtërimi njerëzor.

Pas ekzekutimit të Bardhok Bibës, regjimi ndërmori fushatën e hakmarrjes kundër Mirditës, duke ndëshkuar fiset e njohura e çdo person të lidhur me to. Marie, që i përkiste familjes së Gjonmarkajve, u bë shënjestër e thjeshtë për urrejtjen e një pushteti që kishte frikë nga drita.

Në dhomat e errëta të hetuesisë së Shkodrës, ku sundonin britmat dhe heshtjet e ngjirura të torturës, Marie u mor në pyetje nga Hilmi Seiti, kryehetuesi famëkeq. Kur ai pa vajzën e re, të hijshme dhe të qëndrueshme në dinjitet, dëshiroi ta poshtëronte. E provokoi, e kërcënoi, e ftoi në pazar shpirtërash, por Marie nuk pranoi. Ajo nuk ishte prej atyre që dorëzohen nga frika, as prej atyre që e shesin pastërtinë për një çast shpëtimi.

Refuzimi i saj e ktheu dhunën në hakmarrje. Dhe hakmarrja mori trajtën e barbarisë.

Në një akt çnjerëzor, ajo u zhvesh dhe u fut në një thes bashkë me një mace të egër, që e çjerrte me kthetra, e kafshonte e përpiqej të shpëtonte, ndërsa trupi i saj bëhej mish për mizorinë. Nuk klithi. Nuk kërkoi ndihmë. Nuk mallkoi. Vetëm heshti. Heshtja e saj nuk ishte frikë, ishte lutje. Ishte dhimbje që kthehej në dritë, në një flijim që kalonte kufijtë e njeriut.

Kur trupi i saj u nxor nga qelia, ajo ishte gjysmë e vdekur. U dërgua në spitalin e Shkodrës, ku askush nuk e njohu më. Veç sytë i kishin mbetur të njëjtë, ata sy që flisnin se jeta mund të humbasë, por dinjiteti jo. Kur kushërira e saj Davida, infermiere, u afrua, ajo pëshpëriti me zë të shuar: “Shefi i Sigurimit e mbajti fjalën: më bëri të mos më njihte askush.”

E megjithatë, ajo që e njihte më mirë, ishte vetë Zoti.

Marie vdiq më 24 tetor 1950, në spitalin e Shkodrës, nga plagët, dhimbja dhe uria, por me shpirtin e gjallë. “Jetën ia kam dhuruar Zotit”, ishte fjalia e fundit që dëshmitarët kujtojnë.

Sot, ajo është gruaja e vetme ndër 38 martirët e Kishës Katolike Shqiptare, të shpallur të bekuar nga Papa Françesku më 5 nëntor 2016 në Shkodër.

Emri i saj qëndron krah për krah me meshtarët, françeskanët, jezuitët e intelektualët që zgjodhën të vdesin për besimin dhe lirinë, jo të jetojnë për heshtjen.

Historia e Marie Tucit është një nga faqet më të dhimbshme dhe më të ndritura të kujtesës sonë kombëtare. Ajo nuk është vetëm dëshmitare e një kohe mizorie, por edhe simbol i nderit, i qëndresës dhe i gruas shqiptare që, përballë turpit, zgjodhi virtytin; përballë dhunës, zgjodhi përulësinë; përballë vdekjes, zgjodhi përjetësinë.

Në një botë që shpesh harron se dinjiteti është forma më e lartë e jetës, Marie mbetet kujtesë e asaj që nuk mund të vritet, drita që lind nga dhimbja.

Sot, në përvjetorin e kalimit të saj, e kujtojmë jo për mënyrën si vdiq, por për madhështinë me të cilën jetoi.

Ajo ishte dhe mbetet një mësuese e përjetshme, që edhe në vdekje mëson: se liria e shpirtit është më e fortë se çdo prangë, se besimi është më i gjallë se çdo frikë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Albert Vataj: Kur ndahemi përgjithmonë me nënat, humbim shumë më shumë se shenjtërinë e tyre Albert Vataj: Gruaja, ajo që mëkon dhe mbron me shpirtin e saj hyjnor, dashurinë dhe jetën Albert Vataj: Ernest Troshani (Simoni), një shenjtor që ecën mes nesh Albert Vataj: Sot, Dita Ndërkombëtare për Zhdukjen e Varfërisë Albert Vataj: Fundi i një legjende Albert Vataj: Maria Corina Machado, një misionare e demokracisë në diktaturën e Maduros Albert Vataj: Fitorja që u shndërrua në një zgjim kombëtar Albert Vataj: Duhet të duhemi… Albert Vataj: Një copëz Shqipëri në kryeqytetin e botës, Parisi nderon Ismail Kadarenë Albert Vataj: Liqeni i Shkodrës, një arterie jetike e jetës, tregtisë dhe shpirtit njerëzor Albert Vataj: Jane Goodall, gruaja që shembi kufijtë e ngurtë mes njeriut dhe pjesës tjetër të krijesave Albert Vataj: A është në vullnetin tuaj të zgjidhni, nëse do të jeni dritë apo zjarr? Albert Vataj: "Shkodra dashnorja e qiellit të kaltër… që Migjeni e deshti me nji “dashuni tragjike” Albert Vataj: Nëse të mendoj, nuk mëkatoj, apo jo? Albert Vataj: Mirash Ivanaj, dishepulli i arsimit, sakrifica e një shpirti që u martirizua për dijen Albert Vataj: Hannah Arendt dhe rreziku i një bote pa të vërtetën Albert Vataj: Thirrja e Faik Konicës në Gazetën Albania, 1897, për shqiptarët krejt Albert Vataj: Ndahet nga jeta “kryeashiku i ahengut shkodran”, Agim Molla, zëri autentik i një tradite Albert Vataj: Figura e gruas dhe zakoneve shqiptare, midis spektaklit dhe sakrificës, në romanin e Pashko Vasës, 'Bardha e Temalit' Albert Vataj: Lec Bushati, aktori që solli në artin skenik thellësinë shpirtërore dhe epikën e personazhit

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx