Kulturë » Vataj
Albert Vataj: Beso në diçka të lartë, mund të jetë Zoti, mirësia apo paqja shpirtërore
E hene, 17.11.2025, 06:56 PM
Beso në diçka të lartë, mund të jetë Zoti, mirësia apo paqja shpirtërore, këtë e zgjedh vetëm ti
Nga
Albert Vataj
Ne
mund të mos jemi të realizuar në ëndrrat dhe dëshirimet tona, sepse jo gjithçka
është në dorën tonë, por të mbetemi të mirë është lehtësisht më e mundur, se sa
të kërkojmë tek çdo gjë rreth nesh të keqen, për ta përdorur atë si kundërpeshë
e asaj që na ka "ndëshkuar" dhe meriton "hakmarrjen" tonë.
Jeta
mund të mos jetë treguar aq bujare dhe fati të mos ketë rezervuar gjithnjë
diçka të mirë për ne, por ëndrra nuk mund të lejojmë të na i vrasë çdo trazim e
ligështi që na zë rrugën.
Bota
mund të mos jetë siç ne e duam, por ne mund ta bëjmë veten tonë të denjë për
atë që meritojmë në një botë që është krijuar sipas përfytyrimit tonë.
Jo
gjithçka që ndodh në atë larmi të reales kërkon domosdo vëmendjen dhe
predispozitën tonë, qoftë atë kritike apo atë ngushëlluese, qoftë atë alarmuese
apo atë denoncuese.
Të
përpiqemi ta sfidojmë të keqen me zemrën tonë blatuar mirësisë. Le të provojmë
ti shohim gjërat nga ana e ndritshme dhe njerëzit t'i pranojmë ashtu siç ata
janë, pa kërkuar t'i gjykojmë ato. Ndoshta mirësia jonë nuk do të gjej gjithnjë
zemra për ta pranuar, por ne duhet të besojmë se për të kanë nevojë të gjithë.
Njerëzit përgjithësisht priren të pozicionohen në anën e gabuar dhe kjo jo për
fajin e tyre, sa sa për fatin e keq ku përpëliten gjërat, me të cilat ata janë
të lidhur. Ajo gjendje e mbarsur trazimi që kaplon realitetin, ligështon
shpirtrat e ndjeshëm dhe çatrafilon pjesën më të madhe të njerëzve, të cilët
kërkojnë të pasqyrojnë në gjithçka negativitetin që vetiu janë të prirur ta
potencojnë brenda vetes. Për ta çdo gjë është e dënueshme, gjithçka është e
bërë keq, gjithëçmos duhet ndëshkuar, asgjë nuk është si duhet dhe në vendin e
duhur. Sakaq e keqja brenda nesh e gjen me doemos të keqen, kudo ku ajo të
ndodhet. Edhe nëse nuk është ajo duhet sajuar.
Ndoshta
besimi do të jetë një mundësi e mirë për tu çliruar nga kjo barrë e panevojshme
që kemi huajtur dhe që si pa kuptuar po rëndon duke na zënën përposhtë.
Ti
mund ta kesh vështirë të besosh në Zot, sepse Ai nuk ju ka dërguar asnjë shenj
për t'iu bindur se Ai ekziston, por të jesh adhurues i mirësisë dhe
pozitivitetit dhe ta ushqesh me ngrohtësi brenda vetes këtë diell është po kaq
e mundur sa ç'është e dobishme.
Mos nxito pas kritikave dhe përqeshjeve, ironizmive dhe përgojimeve, sarkazmës dhe nënçmimit, fyerjeve dhe paragjykimit, mos lejo që gjithçka e keqe jashtë teje të bëhet pjesë e jetës tënde. Organizmi juaj do ta ketë të vështirë ta pranojë këtë ushqim, por më të pamundur do ta ketë metabolizmi juaj ta përpunojë atë. Pranoje tjetrin siç është, nëse mundesh, nëse jo mos e shndërro veten në viktimën e tij, duke u përpjekur ta ndryshosh atë.









