Kulturë » Vataj
Albert Vataj: Mendimet tona janë përcaktueset e pandryshueshëm të fatit tonë
E merkure, 10.12.2025, 06:56 PM
Mendimet tona janë përcaktueset e pandryshueshëm të fatit tonë
Nga
Albert Vataj
Përtej
spiritualizmit dhe një misteri të pashpjegueshëm që ne jemi rrekur t’i
atribuojmë nënshkruesit të fatit tonë, si një qasje për t’i dhënë kuptim atë
çfarë ne jemi, vetëdijësimi na thërret në një zgjim për të besuar se, janë
mendimet ato që përcaktojnë veten tonë, madje deri në atë shkallë sa të mund të
ndryshojnë edhe paraqitjen. Gjithçka që ne jemi, gjithçka që ne bëjmë, është
gjithçka që ne mendojmë, pavarësisht rethanave në të cilat ndodhemi.
Ka
një të vërtetë që e zbulojmë ngadalë, shpesh pas shumë përvojave dhe pafund
lutjesh të brendshme, se jeta jonë nuk vjen drejt nesh si një dhuratë e
paparashikueshme, por si pasojë e mendimeve me të cilat e përgatisim çdo ditë,
duke e projektuar atë sipas asaj që ushqen mendimet tona.
Ne
jemi formuar nga jashtë, por konfigurohemi nga brenda. Dhe pikërisht aty, në
laboratorin e mendjes, vendoset se kush jemi dhe çfarë do të bëhemi.
Që
prej kohëve të hershme i jam qëndruar besnik domosdosë së ushqyerjes me mendime
pozitive, jo si një arratisje naive nga realiteti, por si një disiplinë e
ndërgjegjshme: një mënyrë për t’i dhënë shpirtit tim hapësirën ku të rritet, të
projektohet, të fluturojë.
Mendimet
pozitive nuk janë një lloj mirëqenieje artificiale; janë dritaret prej nga hyn
oksigjeni i brendshëm.
Pse
është thelbësore zgjedhja e mendimeve?
Sepse
mendimi është ushqim. Ajo që hamë, jemi.
Ashtu
siç kujdesemi me përpikëri për librat që lexojmë, për ushqimet që vendosim në
pjatë, për shoqërinë me të cilën frekuentohemi, po aq duhet të kujdesemi edhe
për cilësinë e mendimeve që bluajmë në heshtje.
Ne
shpesh harrojmë se mendja ka një stomak të vetin; ajo tret, përthith dhe
shpërndan energjinë e mendimeve në të gjithë qenien tonë.
Mark
Aureli, filozofi-perandor, i kristalizoi këto ide në një fjali të vetme që ka
peshuar epokat, “Jeta e njeriut është e tillë siç e formësojnë mendimet e tij.”
Kjo
nuk është metaforë. Është matematikë shpirtërore.
Duke
ndryshuar mendimet, ne ndryshojmë mënyrën si e përjetojmë botën; dhe duke
ndryshuar përjetimin, ndryshojmë rrjedhën e realitetit tonë.
Në
një bisedë të thjeshtë dikush më tha dikur se mësimi më i çmuar që kishte
nxjerrë nga jeta ishte:
“Nëse
di çfarë mendon njeriu, di kush është.”
Kjo
fjali e vërteton se mendimi është identiteti i fshehtë, karta jonë e brendshme
e prezantimit.
Mënyra
se si vendosemi ndaj botës, me besim apo me dyshim, me guxim apo me dorëzim,
është vendimtare në zhvillimin e fatit tonë. Ne e shpikim veten përmes
mendimeve tona dhe e riparaqesim botën përmes qëndrimeve tona.
Ralph
Ëaldo Emerson, i cili e pa mendjen njerëzore si një fole të forcave krijuese,
thoshte: “Njeriu është përmbledhja e asaj çka mendon çdo ditë.”
Ai
e dinte se mendimi i përditshëm është argjila e ekzistencës. Jeta nuk është një
shpërthim i rastësisë, por një ritëm i përditshëm i përpjekjes së brendshme.
Studimet
moderne të neuroshkencës tregojnë se mënyra se si mendojmë krijon rrugë të reja
sinaptike në trurin tonë. Mendimi i përsëritur ndërton qarkun e vet.
Përqendrimi në frikë prodhon një tru të mësuar me ankthin; ushqimi i mendimeve
të qeta ndërton një tru të pajisur për qetësi dhe durim.
Pra,
filozofët e lashtë, pa asnjë instrument laboratorik, e dinin atë që shkenca
sapo po përpiqet të analizojë.
Stoikët,
nga Epikteti te Aureli, e dinin se mendja është e vetmja gjë që ne e
kontrollojmë vërtet.
Ata
na mësojnë të zgjedhim mendimet jo për ta zbukuruar jetën, por për ta jetuar me
virtyt dhe qartësi; të mos jemi skllevër të impulsit, të mos jemi viktima të
emocioneve të turbullta, të mos dorëzohemi para të papriturave, por të
qëndrojmë në qendër të vetes.
Nëse
nuk zgjedhim mendimet tona, dikush tjetër do t’i zgjedhë për ne, shoqëria,
frika, rrethanat.
Nietzsche
do të shkonte edhe më tej duke menduar se: Njeriu nuk duhet vetëm të
kontrollojë mendimet e tij, por të krijojë vetveten prej tyre.
Ai
besonte se individi ka fuqinë të projektojë një “vetvete më të lartë” dhe të
jetojë drejt saj, duke shkelur gjithçka që e tkurr, e zbeh, e ul.
Krijimi
i vetes është akt mendimi.
Kush
nuk guxon të mendojë madhërishëm për veten, nuk ka për të jetuar madhërishëm.
Në
qasjen e tij, mendimi nuk është pasqyrë; është çekan.
Me
të ne godasim formën e vjetër të qenies sonë dhe skicojmë të renë.
Pse
mendimet janë vendimtare për fatin tonë?
Sepse,
mendimi është fara, realiteti është lulëzimi; mendimi është orientimi, jeta
është udhëtimi; mendimi është premtimi, jeta është përmbushja.
Nuk
mund të jetojmë ndryshe nga ajo që mendojmë.
Nuk
mund të bëhem një njeri i lirë, nëse mendoj si rob.
Nuk
mund të bëhem krijues, nëse ushqehem me mendime të mpira.
Nuk
mund të gëzoj jetën, nëse mendoj me trishtim të sistemuar.
Mendimet
janë muzika e brendshme e shpirtit, ato i japin ritëm hapave tanë.
Mendimet
janë konturet e vetes sonë, busulla që orienton pritshmëritë, drita që bën të
dukshme rrugët që duhet të marrim.
Jeta
jonë është narrativa që shkruhet çdo ditë në mendjen tonë dhe realizohet çdo
ditë në realitetin tonë.
Kemi
aq fat sa mendim.
Kemi
aq jetë sa vetëdije.
Kemi
aq liri sa guxim për të menduar ndryshe.
Dhe
veç atëherë kur e kuptojmë këtë, ne nuk jemi më pasojë e botës.
Ne
bëhemi shkaku i saj.
Mendo
bukur që të jesh i/e bukur!









