| E enjte, 11.12.2025, 06:53 PM |
Shoqata Atdhetare Kulturore Labëria, denoncon me forcë emërtimin Festivali Folklorik Tipologjik Kombëtar i Iso-Polifonisë
-Z.
ministër Blendi Gonxhja, ky emërtim fyen historinë, prejardhjen, bartësit dhe gjithë popullin që dashuron Polifoninë
-Polifonia
është këngë që buron nga shpirti i shqiptarit dhe nuk ka lidhje as me sirenat greke, as me korin Bizantin
-
Më datën 25 mars 2023, në Simpoziumin "Polifonia Popullore
Shqiptare", 14o intelektualë mes të cilëve Prof. Rexhep Qosja dhe
"Nderi i Kombit", Ismail Kadare firmosën për termin Polifoni
Nga
Albert Z. ZHOLI
Dje në facebook Qendra Kombëtare e Veprimtarive Tradicionale ka
bërë me dije si më poshtë: Iso-Polifonia
rikthen magjinë në Vlorë! Zërat
polifonikë nga mbarë vendi bashkohen në një skenë të vetme për të sjellë
harmoninë, energjinë dhe shpirtin e iso-polifonisë, një pasuri e çmuar e
trashëgimisë sonë. Qendra Kombëtare e Veprimtarive Tradicionale ju fton të
ndiqni nga afër Festivalin Folklorik Tipologjik Kombëtar të Iso-Polifonisë,
edicioni XVI, ku çdo interpretim sjell me vete histori, identitet dhe emocione
të veçanta. 12–13 Dhjetor 2025-Ora 18:00. Pallati i Kulturës "Labëria",
Vlorë. Ju mirëpresim të përjetojmë së bashku tingujt e iso-polifonisë, të
shpallur nga UNESCO si "Kryevepër e Trashëgimisë Gojore të
Njerëzimit".
Përsa më sipër, Kryesia e
Shoqatës Atdhetare Kulturore Labëria "Nderi i Kombit" i drejtohet ministrit të
Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe Këshillit të Qarkut Vlorë si më poshtë:
I nderuar ministër i të
Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit z. Blendi Gonxhja!
Të nderuar drejtues të Këshillit të Qarkut Vlorë!
Shoqata Atdhetare
Kulturore "Labëria", "Nderi i Kombit" zhvilloi, në
Sallën "UNESCO", të Muzeut Historik Kombëtar, më datën 25 mars 2023,
Simpoziumin "Polifonia Popullore Shqiptare", ku morën pjesë
etnomuzikologë të njohur të vendit tonë, profesorë, kompozitorë, studiues,
artistë, përfaqësues të grupeve polifonike, etj., nga i gjithë vendi. Në
Simpozium u evidentuan, shkencërisht, vlerat atdhetare, historike dhe kulturore
të Polifonisë Shqiptare dhe, në këtë kuadër, të Polifonisë Labe, të cilat, si
pjesë e tërë trashëgimisë shpirtërore të popullit shqiptar, kanë ruajtur
origjinën e tyre unike. U evidentua fakti se për vlerat e rralla
etnokulturore të Polifonisë Shqiptare, Fondacioni "Toelfer", në
Gjermani i dha çmimin "Europa për Folklorin "1987, e po kështu
Instituti i Kulturës Popullore në Akademinë e Shkencave në Tiranë organizoi dhe
simpoziumin: "Vendi që zë Polifonia Shqiptare në Ballkan", duke
përcaktuar qartë këtë kulturë muzikore Mesdhetare të shqiptarëve nëpër shekuj.
Duke vlerësuar regjistrimin në Listën Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore jo
lëndore të Njerëzimit, në UNESCO, të gjithë folësit, shprehën kundërshtim me
prezantimin e kësaj polifonie në faqen zyrtare elektronike (në faqet e
shkruara, në videot dhe në ilustrimin e fotografive), pasi bie ndesh me të
vërtetat shkencore dhe ato historike, duke goditur kështu identitetin kombëtar
shqiptar. Këto trillime me synime djallëzore për tjetërsimin e identitetit tonë
kombëtar, të thesarit të çmuar të folkut tonë, duhet korrigjuar
institucionalisht, pasi bien ndesh me misionin e Ministrisë së Kulturës dhe
Akademisë së Shkencave. Ndarja, në faqen zyrtare të UNESCO-s, e iso-s nga
polifonia dhe interpretimi sikur gjoja isoja vjen nga mitologjia e sirenave
greke dhe tezat e shkruara po në atë faqe se "Iso-Polifonia shqiptare
buron nga muzika kishtare bizantine" dhe se ajo shoqëron, midis të tjerash
edhe funeralet e kremtimet fetare; etj., janë vetëm disa nga këto goditje në identitetin
kombëtar shqiptar. Gjeniu i letrave shqipe, Ismail Kadare shkruan: "Populli shqiptar nuk ka indetitet gjysmak,
të shtirë apo të fshehur pas lajlelulesh mashtruese. Indetiteti i tij është
gjithashtu i qartë, pavarësisht se dikush nuk dëshiron ta shohë, e dikujt nuk i
intereson ta shohë. Shqiptarët janë ndër popujt më të vjetër të
kontinentit Europian, popull themeltar në rrafshin e tij..." (Marrë nga
libri "Indetiteti Europian i shqiptarëve"). Ndërsa
korifejtë e letrave shqipe si F. S. Noli shkruan se: "Kur lëngon
Shqipëria zgjohet Labëria dhe kur të vdes të më përcillni me këngë labe".
Akademiku Rexhep Qosja, Kryetar Nderi i Shoqatës "Labëria", gjatë një
vizite në trevën e Labërisë shkruan: "Në të vërtetë Labëria, ashtu siç e
përjetova unë, është Shqipëria. Labëria shpirtërore është Shqipëria natyrore e
kjo do me thënë Shqipëria etnike. Me këngën labe të djeshme e të sotme, jetojnë
shqiptarët e të gjitha trojeve shqiptare. Kënga e labërishtes është shembulli
më i ndritshëm i vetëdijes së pandarë, i vetëdijes kombëtare shqiptare. Dhe kjo
është e kuptueshme. Ajo është kënga e fuqisë morale, shpirtërore të Labërisë, e
cila tash 100 vjet është faktor kryesor kombëtar që e lëviz historinë shqiptare
të Labërisë, që është bërë thelbi shqiptar". Në këtë Simpozium, kumtuesit
përforcuan me argumente të reja profesionale dhe historike, përcaktimet e bëra
nga studiues të shquar shqiptarë si:Ramadan Sokoli, Beniamin Kruta,
Shpëtim Kushta, Spiro Shituni, Piro Miso etj, si dhe përcaktimet e bëra nga
etnomuzikologë të shquar të huaj të kalibrit botëror, lidhur me termin dhe
origjinën e Polifonisë Shqiptare. Duke vlerësuar sa më sipër, Shoqata Kulturore
Atdhetare "Labëria", i kërkon Ministrisë të Kulturës, të ushtrojë
përgjegjësitë e saj kombëtare e shtetërore, për të ndërhyrë zyrtarisht
pranë UNESCO-s, për të fshirë prezantimin aktual të ashtuquajturës
"Iso-Polifoni" në të gjitha anekset përkatëse të faqes zyrtare të
kësaj Agjensie të OKB-së, për Polifoninë Shqiptare dhe për ta zëvendësuar
atë me prezantim shkencërisht dhe historikisht të mbështetur, si dhe të
nënshkruar nga institucionet përkatëse, jo nga individë, kushdoqofshin ata. Ajo
kërkon gjithashtu, që, në faqet zyrtare të Ministrisë së Kulturës, si dhe në
botimet zyrtare, të mos lejohen shtrembërime të tilla me karakter antikombëtar,
antihistorik e antishkencor. Ndërkohë, Shoqata Kulturore Atdhetare
"Labëria", bazuar në misionin e saj të miratuar sipas ligjit,
nuk do të pranojë zhvillimin e asnjë aktiviteti nën termin "Iso-Polifoni",
por vetëm nën termin "Polifonia Shqiptare". Miratuesit e Rezolutës që
shprehen kundër termit "Isopolifoni" janë akademik, profesor,
deputet, muzikantë, artist, historian dhe përfaqësues të institucioneve
shtetërore, si dhe personalitete të Labërisë, mbartës të këngës labe, që janë
të shqetësuar për këtë tjetërsim. Këtë
Rezolutë e kanë miratuar të gjithë personat e poshtë shënuar (140
personalitete) :
KËSHILLI
KOMBËTAR I SHOQATËS ATDHETARE KULTURORE
LABËRIA "NDERI I KOMBIT"
Akademik
Rexhep Qosja " Nderi i Kombit", Kryetar Nderi i Shoqatës
Labëria. Prof.Dr. Ago Nezha "Mjeshtër i Madh" dhe
"Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut". Agim Çiraku,
kryetar i Shoqatës. Ismail Kadare, "Nderi i Kombit". Helena
Kadare, shkrimtare. Nënkryetar, Agim Rrapi. Kryeredaktori Gazetës
Labëria, Albert Zholi, shkrimtar. Prof. Dr. Ismet Elezi, Jurist, "Medaljen
e Nderit të Akademisë së Shkencavetë Shqipërisë". Prof. Dr. Ksenofon
Kristafi, Akademik, Dekan i Juridikut, Universiteti "Mesdhetar".
Prof. Dr. Sokol Sadushi, Zv. Kryetar i Gjykatës së Lartë. Prof. Dr. Ethem Ruka,
( Ish Ministër i Arsimit ) Rektor në Universitetin "Luarasi"...
etj...(vazhdon lista me 140 personalitete nga më të shquarit e Kombit për
miratimin e termit Polifonia Shqiptare.