E merkure, 10.12.2025, 11:11 PM (GMT)

Kulturë

Ndue Dedaj: Pisha e Marie Tucit, si pisha e Shën Françeskut

E merkure, 10.12.2025, 06:57 PM


PISHA E MARIE TUCIT, SI PISHA E SHËN FRANÇESKUT

-Në vend të një urimi Krishtlindjesh-

NGA NDUE DEDAJ

Nuk besoj se mund të ketë një pemë më simbolike për t’ju uruar Krishtlindjet, sesa një pishë që nuk është si gjithë të tjerat, edhe pse nuk ka asnjë mbishkrim që të tregojë se si ajo gjendet aty, afër kullës së Preng Pashës buzë Fanit, ku nuk ka pisha të tjera. Vitet e shkuara zakonisht kam zgjedhur foto dëllinjash që i bëja me kënaqësi, sidomos në vendlindje, por dhe kudo tjetër trojeve shqiptare. Por cila është historia e pishës?...

Në parantezë. Duhet të jetë në natyrën e shenjtorëve të mbjellin pemë, t’i mbartin ato si filiza nga një vend për t’i mbjellur në një tjetër. Një degë pishe pati marrë në Lezhë Shën Françesku i Asizit dhe përmendet tash një mijë vjet. Ardhja e françeskanëve në Shqipëri për së pari është përcjellë përmes një gojëdhanë mjaft interesante, që e kemi lexuar disa herë në botimet e vjetra. Sipas saj, Shën Françesku, në vitin 1219 mbërriti në Lezhë. Aty, në një kodër me pisha, ku ishte një kishë, mori një shkop, që e mbajti deri në Venedik. Si mbërriti në qytetin italian, atje ku sot është Kuvendi i Shën Françeskut “al Deserto”, e nguli në dhé, vijon gojëdhana. Shkopi që duhej të ishte tharë gjatë gjithë asaj udhe të gjatë e të vështirë, për çudi, si të ishte duke ndodhur ndonjë mrekulli, lëshoi rrënjë në tokën latine dhe në pak vite u rrit e u bë pishë madhështore. Për shekuj me radhë përshpirtëria e vendasve e ruajti ketë dru si kujtim e dëshmi të apostullimit të shenjtit të të varfërve matanë Adriatikut dhe e pagëzoi me emrin “Pisha e Shën Françeskut”.

Kurse për pishën e Marie Tucit nuk di askush asgjë. Ajo gjendet në vendlindjen e saj në Ndërfushaz të Mirditës, dy kilometra larg nga Rrësheni. Bile nuk është një, por janë dy pisha fshehur mes një pylli të vogël lisi. Pisha tjetër është e motrës së Maries, Lizës. Dy vajzat vogëlushe, në vitet ’30 të shekullit të kaluar, i kishin shkulur dy pishëzat në “Malin e Shenjtë” të Oroshit, nga e kishin origjinën, për t’i mbjellur në vendbanimin e vonë të familjes. Në pamundësi për të marrë gjithë pyllin, gjithë shkrepat, gjithë pllajat dhe ajrin e atij mali mahnitës kishin marrë dy pisha, pa e menduar se ato një ditë do të ishin “pisha flamur” të një shenjtërie.

Kaluan mote pas motesh, ndodhën ngjarje të rënda në jetën e njerëzve, kurse pishat vazhduan të rriteshin, si për të dëshmuar se fara e dashurisë nuk vdes kurrë. Në atë pyll lisi janë vetëm ato dy pisha, që aq sa ua kanë zënë “frymën” lisat, aq dhe janë rritur në harmoni me to. I kemi “zbuluar” ato rastësisht pak kohë më parë, kur shkuam në shtëpinë e lindjes së të Lumes Marie për të folur me të afërmit rreth kujtimeve që ata mbartnin nga njëri brez te tjetri. Na priu drejt tyre i nipi, Zefi. Në reportazhin që botuam me atë rast, para një viti e gjysmë, patëm shprehur dëshirën që ato pisha, për vetë simbolikën e tyre, të zvillateshin nga bimësia përreth dhe të përbënin njëlloj atraksioni, pasi askund tjetër si aty nuk mund të preket me duar “fëmijëria” e martirës së Kishës dhe motrës së saj të devotshme. Ato pisha mbijetuan se familjarët nuk treguan asnjëherë se të kujt ishin, se në të kundërt do të ishin prerë si pisha “armiqësore”. Dy pisha të larta, të vetme në një pyll lisi...

Sa mirë do të ishte që këto Krishtlindje t’i zbulonit dhe Ju, në shenjë përulësie ndaj martirizimit shqiptar në shekuj...



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx