Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Albanian BookFest - një festë e jashtëzakonshme e librit, kulturës dhe identitetit tonë
E hene, 01.12.2025, 07:00 PM
ALBANIAN BOOKFEST -- Një festë e jashtëzakonshme e librit, kulturës dhe identitetit tonë kombëtar në Shtetet e Bashkuara –Dita e Pavarësisë së Shqipërisë, 2025
Nga
Frank Shkreli
Zonja
dhe Zotërinj, autorë e lexues të librit shqip, miqë, kolegë e kolege të
nderuara:
Ja
ku jemi mbledhur këtu sot në një organizim për herë të parë në Shtetet e Bashkuara
për një Festival të Librit Shqiptar – Albanian BookFest, “një festë e
jashtëzakonshme e librit, kulturës dhe identitetit tonë kombëtar”, në këtë vend
shtet-planet – në Amerikën e madhe.
Është
nder dhe privilegj të jem në këtë takim që Gazeta Dielli e ka cilësuar si “një
ngjarje historike dhe madhështore kulturore për komunitetin
shqiptaro-amerikan”, organizuar nga Federata Panshqiptare Vatra, në bashkpunim
me disa shoqata të tjera patriotike të komunitetit shqiptaro-amerikan.
Shpresohet
që ky Festival i Librit Shqip i këtij lloji, të shënojë edhe fillimin e një
tradite dhe trashëgimie kulturoro-letrare për brezat e ardhëshëm të
komunitettit shqiptaro-amerikan dhe më gjërë. Një urë midis brezash, si të
thuash!
Por
edhe një traditë që do të mbart shpirtin, kujtesën dhe të ruaj identitetin e
popullit shqiptar përgjatë shekujve, të atij populli të “gjakut të shprishur”,
i shpërndar nëpër kontinente, përfshir Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Si
i tillë, uroj që ky festival të zhvillohet, e të rritet, vit pas viti, në diçka
më shumë se thjesht një ekspozitë librash. Ndonëse, me të drejtë, kjo nismë nga
udhëheqsit e Vatrës dashamirës të librit, në bashkpunim me organizata të tjera
shqiptaro-amerikane, po cilësohet si “historike” dhe “madhështore”. Por mund të
thuhet lirshëm se kjo nismë, në forma të tjera, i ka rrënjët në historinë e
hershme të fillim shekullit të kaluar të emigrimit të shqiptarëve në këto
brigje të Atlantikut.
Jam
i sigurt se në arkivat e Vatrës dhe të gazetës Dielli duhet të ketë mjaft prova
e dokumentacion që tregojnë se mundësitë financiare të shqiptarëve të parë
ishin të vogla por dëshirat e tyre për ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe
historisë ishin shumë të mëdha.
Prandaj,
sot, nën rrethana shumë më të volitshme dhe me mundësi për një pjesëmarrje
pothuaj mbarë kombëtare, është nder dhe privilegj i veçant që mblidhemi këtu
sot për të festuar librat, autorët dhe udhëtimin e gjatë të letrave shqipe --
dhe zvillimit të kulturës shqiptare në Shtetet e Bashkuara.
Është
pra, një rrugëtim që mund të ketë filluar më shumë se një shekull më parë, kur
emigrantët e parë shqiptarë mbërritën në këto brigje. Ishte një kohë kur ata
erdhën në këtë vend të madh -- përveç shpresave për një jetë më të mirë për
veten e familjet e tyre – edhe me dëshirën e madhe për të ruajtur dhe kultivuar
gjuhën shqipe, nën rrethana më të pëtshtatshme -- nga vendlindja -- që ofronte
liria dhe demokracia amerikane, në krahasim me vendlindjen.
Kryesisht
në Boston dhe Nju Jork, filluan të botoheshin broshurat e para shqipe, tekste
fetare e të tjera. Botime shumë modeste - disa jo më të mëdha se një fletore
xhepi - u bënë librat e parë shqip të shtypur ndonjëherë në tokën amerikane,
por jo vetëm.
Shumë
shpejt, Bostoni u rrit si qëndër e botimeve shqiptaro-amerikane. Atje, individë
si Sotir Peci shtypën abetaret e hershme, duke ndihmuar një brez emigrantësh të
mësonin dhe të ruanin gjuhën shqipe. Dhe në vitin historik 1909, u themelua
Gazeta historike Dielli - një pishtar i vetëdijes kombëtare dhe gazeta më e
vjetër shqip (në botë) që është ende në qarkullim, sot.
Por
ishte ardhja e Fan Nolit në Amerikë, momenti që vërtetë i dha hov zhvillimit të
botimeve me rëndësi historike dhe liturgjike e të tjera, në gjuhën shqipe.
Nuk
dua të futem në histori, por të gjithë jemi në dijeni se nga shtypshkronja e
tij e vogël në Boston, Noli i Vatrës botoi disa nga librat më të hershëm, të
rëndësishëm shqip, në Shtetet e Bashkuara. Ai përktheu dhe botoi tekste
liturgjike për Kishën Ortodokse Shqiptare, ndërkohë që u prezantoi lexuesve
shqiptarë letërsinë botërore dhe - më e rëndësishmja – i dha Kombit një nga
veprat e para të mëdha historike, të botuara në Amerikë: Historia e
Skënderbeut, e shtypur në vitin 1921.
Po
i përmend këto, qëllimisht, jo vetëm për të pasqyruar këto përpjekjet të
hershme të emigrantëve të parë shqiptarë në këtë vend, por edhe për të pohuar
diçka më të fuqishme – një porosi domethënse prej tyre!
Se
as atëherë, as sot në Amerikë, gjuha dhe kultura nuk mbahen në valixhe – por
ato ruhen dhe u kalohen brezave nepërmjet librave. Një ide dhe nismë që i jep
këtij organizimi sot një domethënie dhe rëndësi historike, jo vetëm në
mbrojtje, por edhe në zhvillimin e gjuhës dhe kulturës shqiptare në komunitetin
shqiptaro-amerikan.
Le
të jetë ky festival, fillimi i një trashëgimie jo vetëm për çdo autor,
përkthyes, ose lexues të ri që hap një libër shqip ose anglisht, por për këdo,
që organizime si ky në të ardhmen, bëjnë të mundur zbulimin e trashëgimisë së
vet kombëtare në vazhdimësi dhe përforcon identitetin gjuhësor e kulturor të
komunitetit shqiptaro-amerikan, megjithse ndoshta të lindur e rritur në
Amerikë.
Urimi
im, me këtë rast, është që ky festival, jo vetëtm, të frymëzojë brezat e rinjë
shqiptaro-amerikanësh që me krenari, me përkushtim e dashuri – me botimet e
tyre – të vazhdojnë të kultivojnë gjuhën dhe kulturën shqipe në të ardhmen,
këtu në Shtetet e Bashkuara. Por uroj gjithashtu që festivale të tilla, në të
ardhmen, qoftë këtu në Amerikë, qoftë në trojet shqiptare – të jenë më shumë se
një ekspozitë librash: uroj që festivale të librit, të shërbejnë, njëkohsisht,
edhe si një urë midis brezash: Si një dëshmi e fuqisë së fjalës së shkruar që
mbetet si dokument i identitetit dhe bashkimit të një populli, pavarësisht se
ku jeton: në Tiranë, Prishtinë, Shkodër, Korcë a Gjirokastër, Shkup, Çamëri,
Ulqin, Preshevë, apo këtu në peizazhin e gjerë dhe të larmishëm të Amerikës.
Për
dekada të tëra, shkrimtarët shqiptarë - si në atdhe ashtu edhe në diasporë -
kanë punuar me një përkushtim të jashtëzakonshëm – por nën rrethana shumë më të
vështira sidomos financiare, për të ruajtur gjuhën shqipe, për të ngritur
kulturën dhe për të treguar historitë që përcaktojnë se kush janë shqiptarët,
si popull e si Komb, brenda dhe jashtë trojeve shqiptare të Ballkanit
Perëndimor, por edhe këtu në Amerikë.
Falënderim
dhe mirënjohje për ju organizatorë të këtij festivali të librit: Federatës
Pan-Shqiptare Vatra dhe Gazetës Dielli me kryeredaktorin e saj Sokol Paja, por
edhe organizatave të tjera pjesëmarrse të komunitetit të gjërë
shqiptaro-amerikan. Ju priftë për së mbari në këtë rrugëtim të shenjtë e
historik. Urimet e mia më të përzemërta në punimet e këtij tubimi sot dhe
gjithmonë!

Fotot
nga Gazeta Dielli, organi i Federatës Pan-Shqiptare Vatra


Tre vëllimet e autorit, “Demokracia nuk pret”, botuar nga Gazeta Telegraf e Trianës, 2018










